Libri Rijadus Salihin

Kategoria PËR ATË QË FUT SHPREHI TË MIRA A TË KËQIJA

All-llahu i Madhërishëm thotë:

“Edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, na dhuro gëzim në gratë dhe fëmijët tanë, dhe bëna të marrin shembull (nga ne) ata që ruhen.”

(el-Furkan, 74)

“Edhe ata i bëmë udhërrëfyes që të udhëzojnë sipas urdhrave tona.”

(el-Enbija, 73)

Hadithi 176 Transmetohet nga Ebu Amr Xherir ibn Abdull-llah r.a., i cili ka thënë: “Në pikë të ditës ishim tek i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. kur i erdhën një grup njerëzish të zhveshur, të mbuluar me guna të leshta ose me aba, me shpata të varura në trup. Ishin kryesisht nga fisi Mudar. Fytyra e të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. u zbeh kur e pa skamjen e tyre. Ai pastaj hyri dhe prapë doli e pastaj e urdhëroi Bilalin, i cili e thirri ezanin edhe ikametin. Pasi u falën, mbajti një hutbe ku tha: “O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj që ju krijoi prej një njeriu, nga i cili krijoi edhe shokun e tij për jetë, dhe, prej atyre dyve bëri shumë meshkuj dhe femra. Frikësojuni All-llahut të cilit i luteni dhe mbani lidhjet familjare! Se All-llahu, vërtet, gjithmonë mbi ju vigjilon.” (en-Nisa, 1), dhe ajetin e fundit të sures el-Hashr: “O besimtarë, frikësojuni All-llahut dhe të shikojë secili se ç’ka bërë për nesër.” (el-Hashr, 18), të ndajë sadaka secili njeri; prej të hollave të tij (ar e argjend), prej petkave të tij, një tas grurë, një tas hurmash”, saqë tha: “Qoftë edhe me gjysmë hurme.” Pastaj erdhi një njeri prej Ensarëve që solli një bohçe të lidhur të cilën nuk mund ta mbante dot, e pastaj pasuan një nga një derisa i pashë dy grumbuj me ushqim dhe rroba, kurse fytyra e të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. shkëlqente si e praruar me ar. Pastaj i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. tha: “Kush sjell një shprehi a traditë të mirë në Islam, do të ketë për të shpërblim, por edhe shpërblimin e të gjithë atyre që pas tij e punojnë atë, pa ju zvogëluar aspak shpërblimi i tyre. Ndërsa kush sjell në Islam një shprehi a traditë të keqe, do të jetë barrë mbi të, por edhe barrë e të gjithë atyre që ashtu veprojnë pas tij, pa iu zvogëluar aspak përgjegjësia dhe dënimi i atyre të tjerëve.” Share

(Transmeton Muslimi)

Hadithi 177 Transmetohet nga Ibni Mes-udi r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Asnjë person nuk mbytet me dhunë e që birit të Ademit (Kabilit) të mos i bjerë hise nga gjaku i tij, sepse ai i pari e ka filluar vrasjen.” Share

(Muttefekun alejhi)