Libri Rijadus Salihin

Kategoria HIDHËRIMI NDAJ MOSPËRFILLJES SË LIGJEVE TË SHERIATIT DHE PËRKRAHJA E FESË SË ALL-LLAHUT

All-llahu xh.sh. thotë:

“Kush i madhëron shenjtëritë e All-llahut është mirë për të ndaj Zotit të vet.”

(el-Haxhxh:30)

All-llahu xh.sh. përsëri thotë:

“Nëse ndihmoni All-llahun edhe Ai do t'u ndihmojë juve dhe do t’ua forcojë këmbët tuaja.”

(Muhammed:7)

Hadithi 654 Ebu Mes’ud Ukbe bin Amr El-Bedri r.a. thotë: “Erdhi një njeri te Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. dhe tha: “Unë e vonoj faljen e namazit të sabahut për shkak të njërit që e zgjat tepër namazin!” Ebu Mes’udi pastaj tregon: “Unë asnjëherë më parë nuk e kisha parë Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. gjatë dhënies së këshillave më të hidhëruar se atë ditë. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. pastaj iu kthye të pranishmëve dhe u tha: “O ju njerëz, vërtet disa prej jush i largojnë të tjerët. Prandaj, ai i cili prej jush iu prin të tjerëve le ta shkurtojë namazin, sepse pas tij është plaku, fëmija si dhe ai që ka nevojë për diçka tjetër.” Share

(Muttefekun alejhi)

Hadithi 655 Aishja r.a. thotë: “Erdhi Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. prej një udhëtimi, dhe unë e kisha mbuluar një dollap me një perde, në të cilin kishte figura. Kur e pa Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. e bëri atë copë-copë dhe iu skuq fytyra (nga hidhërimi) dhe tha: “Oj Aishe, dënimi më i ashpër i All-llahut Ditën e Gjykimit do të jetë për ata të cilët i imitojnë krijesat e All-llahut.” Share

(Muttefekun alejhi)

Hadithi 656 Aishja r.a. përsëri thotë: “Kurejshitët ishin tepër të shqetësuar për shkak të rastit të gruas nga fisi El-Mahzumi, e cila kishte vjedhur, e pastaj kishin thënë: “Kush do t’i flasë për këtë Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.?” Pastaj thanë: “Kush do të ketë guxim ta bëjë këtë përveç Usame ibnu Zejdit, i cili ishte i dashuri i Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.” Usameje shkoi tek i Dërguari i All-llahut dhe i tregoi se ka ardhur të ndërmjetësojë për rastin e asaj gruaje. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. tha: “Ti po ndërmjetëson që të mos zbatohet një dënim prej dënimeve të All-llahut?” Pastaj Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. u ngrit në këmbë dhe filloi të flasë, ku përveç të tjerash tha: “Ata të cilët ishin para jush pësuan për arsye se, kur në mesin e tyre vidhte ndonjë fisnik (i pasur), e linin, nuk e dënonin, ndërsa kur vidhte ndonjë i dobët (i varfër) e zbatonin mbi të dënimin! Betohem me All-llahun që sikur të vidhte Fatimeja, e bija e Muhammedit, unë sigurisht do t’ia preja dorën.” Share

(Muttefekun alejhi)

Hadithi 657 Enesi r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka parë një pështymë (në tokë) në drejtim të kibles dhe kjo gjë e nevrikosi aq shumë, saqë kjo u vërejt në fytyrën e tij, u ngrit dhe e fshiu me dorën e vet, e pastaj tha: “Vërtet çdonjëri prej jush, kur çohet për të falur namazin, atëherë është duke folur me Krijuesin e vet dhe Zoti i tij është në mes tij dhe Kibles, për atë nuk lejohet që askush prej jush të pështyjë në drejtim të Kibles, por mund të pështyjë në të majtë, apo nën këmbët e tij.” Pastaj mori një skaj të mbulesës së tij dhe pështyu në të, e paloi njërën anë me tjetrën dhe tha: “Apo le të veprojë në këtë mënyrë.” Share

(Muttefekun alejhi)