Libri Rijadus Salihin
Kategoria PËR REALIZIMIN E OBLIGIMIT DHE PËRMBUSHJEN E PREMTIMIT
All-llahu i Madhëruar thotë:
“Dhe realizoni obligimet, sepse obligimet kanë me siguri përgjegjësi.”
(el-Isra:34)
All-llahu xh.sh. thotë:
“Dhe zbatoni obligimet e All-llahut për të cilat jeni ngarkuar.”
(en-Nahl:91)
All-llahu xh.sh. thotë:
“O besimtarë, zbatoni marrëveshjet!”
(el-Maide:1)
All-llahu xh.sh. gjithashtu thotë:
“O besimtarë, përse flisni atë që nuk e bëni. Tek All-llahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni.”
(es-Saff:2-3)
Hadithi 694 Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Shenjat e hipokritit janë tri: kur flet gënjen, kur premton nuk e përmbush premtimin dhe kur zotohet, e shkel zotimin.”
(Muttefekun alejhi)
Hadithi 695 Nga Abdull-llah bin Amr ibn El-Asi r.anhuma transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Personi tek i cili gjenden këto katër (cilësi) është hipokrit i vërtetë, kurse ai, tek i cili gjendet një prej tyre, ai zotëron cilësi të hipokrizisë, derisa nuk e flak atë: - kur flet, gënjen; - kur premton, nuk e përmbush premtimin; - kur është në zënkë, sillet padrejtësisht dhe - kur zotohet, e shkel zotimin (tradhton).”
(Muttefekun alejhi)
Hadithi 696 Nga Xhabiri r.a.: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. më ka thënë: “Sikur të kishte ardhur pasuria nga Bahrejni, unë do ta kisha dhënë këtë, këtë dhe këtë.” Mirëpo pasuria nga Bahrejni nuk erdhi, derisa Pejga-mberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ndërroi jetë. Kur erdhi pasuria e Bahrejnit, Ebu Bekri urdhëroi që të kumtohet lajmi: “Kujt i ka premtuar Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. diçka, ose kujt i ka mbetur borxh, le të vijë te ne.” Unë shkova tek Ebu Bekri dhe i thashë: “Mua ma ka thënë i Dërguari i All-llahut këtë dhe këtë.” Ebu Bekri i mori dy grushta plot nga ai thesar (pasuri), kur i numërova, ato ishin pesëqind. Ai më tha: “Merr dy herë aq!”
(Muttefekun alejhi)