Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 10:40–10:61

Zoti xh. sh. i tregon Muhammedit për llojet e kundërshtarëve të Kur'anit. Disa edhepse dëgjojnë thëniet e Kur'anit, ato nuk kanë ndikim te ta, andaj shqisa e tyre është e topitur si te i shurdhëti, sepse ata edhe duke i parë faktet e misionit pejgamber të Muhammedit, nuk i kundrojnë si duhet ato ngase edhe zemrat i kanë të verbëra. Muhammedit i thuhet se mund të ndodhë që ndonjë dënim t'i kapë sa je gjallë, e ndoshta jo, por si do që të jetë, ata do të tubohen para Zotit ditën e gjykimit dhe do ta përjetojnë dënimin që e kërkojnë. Kur e shohin dënimin besojnë, por pa dobi, sepse atëherë nuk vlen ai besim. Të gëzohesh për të mirat që na i dhuroi Zoti, është e udhës. Një nga mirësitë më të mëdha, është dërgimi i Muhammedit pejgamber dhe rahmet për çdo send, prandaj gëzimi për ardhjen e Muhammedit, është gjë e porositur sipas ajetit 58. Allahut nuk mund t'i fshihet sendi më i imët, nuk mund t'i fshihet as ai send që tash për tash nuk është në gjendje ta shohë asnjë lloj mikroskopi. As sendi më i madh nuk mund t'i fshihet. kjo nuk është thënë shkel e shko, por ka një domethënie të madhe, sepse syri i njeriut ose vegla optike më e përsosur, nuk mund ta përfshijë e ta shohë një send të madh në tërësi. Ia sheh një pjesë ose disa, e jo krejt atë. Vetëm Zoti është Ai të cilit nuk mund t'i fshihet asnjë pjesë e ndonjë sendi, sado i madh të jetë ai.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:61

Allahu i Lartësuar e njofton Profetin e Tij se Ai është i gjithëditur për gjendjen e tij, të umetit të tij dhe të të gjitha krijesave, në çdo çast e në çdo vend qofshin. Shikimit dhe diturisë së Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë, sikurse thotë në ajetin tjetër: “Atij nuk mund t’i fshihet asnjë thërrmijë në qiej e as në tokë dhe as më e vogël e as më e madhe se ajo. Çdo gjë është shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh)”.” [Sebe' 3]. Ose: “Vetëm tek Ai janë çelësat e fshehtësive dhe ato nuk i di askush tjetër veç Tij. Ai di çfarë ka në tokë dhe në det. As edhe një gjethe nuk bie pa dijeninë e Tij. Nuk ka kokërr në thellësi të Tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë, që nuk është në Librin e qartë.” [En'am 59]. Pra Ai është i gjithëditur për lëvizjen e çdo bime dhe sendi. Po kështu Ai është i gjithëditur edhe për kafshët dhe çdo gjallesë , sikurse thotë: “Të gjitha kafshët në Tokë dhe të gjithë shpendët, që fluturojnë me dy krahë, të gjithë janë të ndarë në bashkësi, ashtu sikurse edhe ju. Asgjë nuk kemi lënë pa përmendur në Libër. Në fund, te Zoti i tyre do të tubohen të gjithë.” [En’am 38], ose: “Nuk ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos ushqehet nga Allahu. Ai e di vendbanimin dhe vendprehjen e tyre. Gjithçka gjendet në një Libër të qartë (Leuhi mahfudh) .” [Hud 6]. Kështu, i Lartësuari na ka njoftuar se Ai është i gjithëditur për lëvizjen e çdo krijese. Atëherë, kur dituria e Tij për krijesat është e tillë, atëherë si mendon në lidhje me veprat e të përgjegjshmëve ligjërisht, njerëz dhe xhindë, të cilëve Ai u ka drejtuar urdhrin për ta adhuruar e për t’iu nënshtruar ligjeve e porosive të Tij? Allahu i Lartësuar thotë: “... mbështetu në të Plotfuqishmin, Mëshirëplotin, i Cili të sheh kur qëndron në këmbë (për namaz) dhe lëvizjet e tua në mesin e atyre që bien në sexhde. Sepse është Ai që dëgjon dhe di gjithçka.” [Shuara 217 - 220]. Ndërsa në këtë ajet, i Lartësuari thotë: - Sa herë që ju angazhoheni me ndonjë çështje dhe sa herë që lexoni ndonjë pjesë nga Kur 'ani dhe sa herë kryeni ndonjë vepër, Ne jemi dëshmitarë të veprimeve tuaja. - Për çdo veprim që e kryeni e fjalë që e thoni, Ne jemi të gjithëditur, i shohim dhe dëgjojmë ato. Prandaj Profeti i Allahut, kur Xhibrili e pyeti për gradën e ihsânit, që është grada më e lartë e besi mit, ai iu përgjigj me fjalët: 1463. ”Iĥsâni është: ta adhurosh Allahun njëlloj sikur (do të bëje këtë po) ta shihje Atë, pasi edhe nëse nuk e sheh Atë, Ai, pa dyshim të sheh ty.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:61

- Sa herë që ju angazhoheni me ndonjë çështje dhe sa herë që lexoni ndonjë pjesë nga Kur'ani dhe sa herë kryeni ndonjë vepër, Ne jemi dëshmitarë të veprimeve tuaja. - Allahu i Madhëruar na tregon se Ai është Vështrues, Dëshmues e Mbikëqyrës i gjithçkaje që ndodh. Ai i mbikëqyr robërit e Tij në të gjitha gjendjet dhe lëvizjet e tyre. Kjo është një ftesë e bukur dhe e mrekullueshme nga i Gjithëdituri e Gjithëshikuesi, që ne të ndiejmë vazhdimisht mbikëqyrjen e Tij dhe në asnjë çast të mos e largojmë vëmendjen nga Ai. Kjo është një ftesë për t'u ngritur në gradën e ihsan-it. Allahu na vështron në të gjitha gjendjet dhe çështjet tona, si ato fetare, ashtu edhe ato që kanë të bëjnë me jetën e kësaj bote. Ai na dëgjon kur ne këndojmë Librin e tij, që ia ka shpallur Profetit të Tij. Çfarëdo pune që kryejmë, të madhe apo të vogël, Ai është dëshmues dhe mbikëqyrës i përhershëm i saj, në çastin kur e fillojmë, gjatë vazhdimit të saj dhe në përfundim. Kështu, ta ndieni mbikëqyrjen dhe vështrimin e Zotit në të gjitha gjendjet, fjalët dhe veprat tuaja. Mundohuni t’i kryeni ato me dëshirën dhe qëllimin e mirë për të rregulluar marrëdhëniet tuaja me Zotin, me Librin e Tij dhe Profetin e Tij. Përpiquni të përkryeni çdo adhurim në formën e kërkuar nga Zoti. Ato që ju kërkohen juve janë: punë të mira, nijet të pastër dhe kryerja e tyre sipas mënyrës që Zoti ka kërkuar përmes Shpalljes. Nga ana tjetër, kujdes me ato që Zoti juaj i urren, se Ai ju mbikëqyr dhe është i Gjithëditur rreth atyre që shfaqen dhe atyre që mbahen fshehur në gjoks. Ai thotë: - Zotit tënd nuk mund t’i fshihet asnjë grimcë në Tokë dhe as në qiell, madje as më e vogël se ajo e as më e madhe. Çdo gjë është shkruar në Librin e Qartë. - Dëgjimit, shikimit dhe diturisë së Zotit nuk mund t'i fshihet asgjë, sado e vogël qoftë ajo apo e madhe. Ai ka përfshirë me diturinë e Tij gjithçka që ekziston dhe, çdo gjë që Ai di e ka shkruar edhe lapsi i Tij. Këta janë dy elementët e besimit të saktë në kaderin e Zotit: 1. Të besosh se dituria e Zotit përfshin gjithçka. 2. Të besosh se kjo dituri është shkruar nga Lapsi i Tij në Leuhi Mahfudh, sikurse thotë i Madhëruari: "A nuk e ke ditur se Allahu di për gjithçka që është në qiell e në tokë? E gjithë kjo është e shënuar në Libër dhe kjo është shumë lehtë për Allahun. " [Haxh 70]. Pa besuar këto çështje, besimi në kaderin e Zotit është i pasaktë dhe i papranuar. Allahu

i Madhëruar i përmend shpesh ato së bashku.