Pas rrëfimit të lajmeve mbi ndëshkimet, që i përjetuan popujt e padëgjueshëm, rrëfime të cilat njerëzit nuk do t'i dinin sikur të mos ishte shpallja prej Zotit, vihet në pah drejtësia e Zotit, i cili e urren zullumin, por ata me këmbëngulje vendosën të bëjnë aso veprash, të cilat drejtësia i gjykon.
Qëllimi i rëfimeve të këtilla nuk është sa për dëfrim, por ka për qëllim udhëzimin, të cilin I do ta përfitojnë njerëzit nga përvoja e dënimit që e përjetuan ata, që nuk ishin në rrugën e drejtë dhe ashtu të përgatiten me besim të drejtë e vepra të mira për ditën e gjykimit, në të cilën do të dëshmohet për çdo send, do të jepet shpërblimi i merituar, i cili do të përcillet me gëzim ose me mjerim - Ruana Zoti Rreth kuptimit të domethënies: përgjithmonë në xhehenem, përveç asaj çka dëshiron Zoti, i cili bën çka të dojë..., siç ësht një rast kësisoji, edhe në ajetin 128 të kaptinës En-amë, kur është fjala për ata të xhehenemit, komentatorët e Kur'anit kanë dhënë shpjegime të gjithanshme. Do të ishte më drejtë që përjashtimi, i cili kuptohet prej: il-la ma shae rabbuk - me përjashtim të asaj çka dëshiron Zoti yt -, të bartet në besimtarët mëkatarë, të cilët kurdoherë do të hiqen prej xhehenemit pasi që Zoti do t'u lejojë ndërmjetësimin e ndërmjetësuesve (shefaatin e shefaatxhinjve), pra kjo është ajo çka dëshiron Zoti. Allahu a'ëlemu!
- Mos ki asnjë dyshim për atë që adhurojnë ata. - Mos ji aspak në mëdyshje në lidhje me adhurimin e idhujtarëve, sepse ai është diçka e kotë; është shprehje e një injorance të thellë dhe e një humbjeje shumë e largët nga e vërteta. - Ata nuk adhurojnë asgjë tjetër përveçse çfarë adhuronin më parë prindërit e tyre. - Ata thjesht adhurojnë diçka që e adhuronin dhe prindërit e tyre më parë. I vetmi arsyetim që ata përdorin në lidhje me adhurimin që u dedikojnë idhujve është fakti që ata thjesht ndjekin etërit e tyre të hershëm, në paditurinë dhe humbjen e largët në të cilën qenë zhytur. - Ne do t’ua japim pjesën e vet pa ua cenuar. - Allahu i Lartësuar ka për t’i ndëshkuar ata si askush tjetër, edhe nëse ata mund të kenë kryer ndonjë vepër të mirë. Për ndonjë bamirësi të tyre, Allahu i Lartësuar ua jep kompensimin në jetën e kësaj bote, përpara ahiretit. - Ne i dhamë Musait Librin, rreth të cilit kanë pasur kundërshtime. - Allahu i Lartësuar i dha Librin (Teuratin) Musait, por njerëzit u kundërshtuan në lidhje me të. Disa e besuan, por pati edhe të tjerë që e mohuan dhe refuzuan të nënshtroheshin sipas tij. Prandaj, te shumë profetë që u dërguan përpara teje, - i drejtohet Allahu i Lartësuar Muhamedit ﷺ - ,ti ke shembuj të mirë, ku mund të marrësh mësim. Kështu, mos u shqetëso dhe zemëro aspak për mohimin dhe refuzimin e tyre për të ndjekur rrugën tënde! - Sikur të mos kishte qenë vendimi i Zotit tënd, i përcaktuar më herët, me siguri çështja do të kishte marrë fund. Por ata kanë dyshime rreth tij dhe janë në mëdyshje. - Ibn Xheriri shpjegon: “Sikur të mos ishte vendimi i Allahut të Urtë për shtyrjen e ndëshkimit të tyre deri në një afat të përcaktuar nga Ai, çështja e tyre do të kishte marrë fund.” Ky është njëri kuptim i ajetit. Sikurse ka thënë: “Sikur të mos ishte vendimi dhe afati i caktuar më herët nga Zoti yt, edhe këta do t’i kapte i njëjti dënim (si popujt e shkuar) . Prandaj, ti bëhu i durueshëm ndaj asaj që thonë ata, dhe lavdëroje dhe falenderoje Zotin tënd, para se të lindë dielli dhe para se të perëndojë, edhe në orët e natës dhe në skajet e ditës, që të mund të gjesh kënaqësi.” [Ta Ha 129, 130]. Megjithatë, një kuptim tjetër i tij mund të jetë që Allahu i Lartësuar nuk ndëshkon asnjë, pa i sjellë argumente dhe fakte të pakundërshtueshme, që nuk lënë hapësirë për asnjë justifikim, duke dërguar profetët me mrekulli të qarta. Sikurse ka thënë: “... Ne nuk kemi dënuar askënd para dërgimit të Profetëve. ” [Isra 15]. Në vijim, Allahu i Lartësuar na njofton se Ai do t’i tubojë të gjithë, të parët dhe të fundit njerëz që jetuan në këtë botë. - Nuk ka dyshim se, çdonjërit prej tyre, Zoti yt do t’ia japë të plotë shpërblimin për veprat e veta. - Ai do t’i shpërblejë ata me drejtësi, sipas veprave të tyre. Nëse kanë bërë mirë, do të marrin shpërblim të mirë, e nëse kanë bërë keq, sërish shpërblimi do të jetë sipas punës së tyre. Allahu i Lartësuar dhe i Madhëruar thotë: - Ai di gjithçka që bëjnë ata. - Allahu i Lartësuar është i gjithëditur rreth veprimeve të tyre, të gjitha pa përjashtim, qofshin ato të mira, qofshin të këqija, të dukshmet, që i bëjnë haptazi dhe ato që i bëjnë fshehurazi. Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “dhe secili prej tyre - të gjithë do të sillen para Nesh (për gjykim).” [Ja sin 32].
- “Ne i dhamë Musait Librin, rreth të cilit kanë pasur kundërshtime.” - Allahu i Lartësuar tregon për librin që i dha Musait (a.s.), i cili ishte Teurati. Ai ishte libër plot me porosi dhe dispozita të mrekullueshme. Ishte e detyrueshme për popullin që, në pajtim të plotë, t’i zbatonin dhe të jetonin sipas dispozitave e ligjeve të tij. Megjithatë, ata patën kundërshtime me njëri -tjetrin pikërisht rreth themeleve të fesë dhe të besimit të përcaktuara në Teurat. - “Sikur të mos kishte qenë vendimi i Zotit tënd, i përcaktuar më herët, me
siguri çështja do të kishte marrë fund.” - Sikur të mos ishte vendimi i Zotit për të mos i ndëshkuar ata menjëherë, por për t’u lënë një afat, çështja e tyre do të kishte marrë fund, domethënë, do të ndëshkohej çdo zullumqar për padrejtësinë e bërë. Por Allahu i Lartësuar, me urtësinë e Tij, vendosi që t’u linte afat deri Ditën e Gjykimit, ditën kur do t’u jepet ndëshkimi i merituar. - “Por ata kanë dyshime rreth tij dhe janë në mëdyshje.” - Ata mbetën të çoroditur dhe sorollaten në dyshimet e tyre. Prandaj, nëse me librin dhe me themelet e fesë të tyre çifutët sillen në këtë mënyrë, si pret të sillen ata me Kur'anin dhe fenë që Zoti ta shpalli ty?! Kështu, mos u çudit aspak kur ata të kundërshtojnë. Mos u habit që ata nuk të besojnë dhe kanë dyshime të vazhdueshme rreth Shpalljes së Allahut të Lartësuar. - “Nuk ka dyshim se, çdonjërit prej tyre, Zoti yt do t’ia japë të plotë shpërblimin për veprat e veta.” - Allahu i Lartësuar ka për t’i gjykuar me drejtësi dhe urtësi Ditën e Gjykimit dhe gjithësecilin do ta shpërblejë sipas veprave që ka kryer. Më tej, i Lartësuari thotë: - “Ai di gjithçka që bëjnë ata.” - Për gjithçka që ata kanë bërë, qoftë punë të mira apo të këqija, Allahu është Habir - i Gjithëditur. Asgjë nuk i fshihet Allahut, sado të vogla dhe të imta, të dukshme apo të padukshme qofshin punët e tyre. Në këto ajete, Allahu i Lartësuar i tregon Profetit ﷺ shkakun që i bëri bashkësitë e mëparshme të përçaheshin. Ky shkak ishte mospërqendrimi me besnikëri në rrugën e drejtë, sipas Shpalljes që u dhuroi Allahu i Madhëruar. Për këtë arsye, Ai e urdhëron më pas profetin Muhamed ﷺ dhe të gjithë besimtarët që e ndjekin, që të përqendrohen në fenë e drejtë: