Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 11:112–11:123

Urdhëri që i drejtohet drejtpërsëdrejti Muhammedit e edhe besimtarëve që të jenë të vendosur e të qëndrueshëm saktësisht dhe në mënyrë precize sikurse janë urdhëruar prej Zotit, mban përgjegjësi të madhe, andaj Pejgamberi duke e përkujtuar rëndësinë e këtij urdhëri paska thënë: "Më plaku kaptina Hud dhe motrat e saj..", duke iu përgjigjur pyetjes së një shoku që i ka thënë se, ke filluar të plakesh i dërguar i Zotit.

Sipas këtij urdhëri kuptohet se nuk guxon të tejkalohet asnjë dispozitë e Allahut, qoftë obligim adhurimi, qoftë lejim ose ndalim (hallall- haram) ndaj çështjeve e sendeve. Madje sipas këtij urdhëri, kuptohet se nuk guxon as të anohet kah zullumqarët dhe veprat e tyre, e lëre më të veprohet siç veprojnë ata.

Përmendet falja e namazit që është një nga shtyllat më të forta në fe, pas besimit dhe koha e faljes së tij gjatë ditës e natës, e përfundon ajeti duke na përkujtuar se punët e mira, siç është së pari namazi, e edhe të tjera, ndikojnë dhe ndihmojnë në shlyerjen, faljen e gabimeve, Pejgamberi ka thënë: "Namazi deri në namaz, xhumaja deri në xhuma, ramazani deri në ramazan shlyejnë mëkatet e atyre që janë ruajtur prej gjynaheve të mëdha".

Dënimi i Zotit nuk e godet kurrë një vend nëse banorët e tij janë në rrugë të drejtë.

Sikur dëshira e Zotit të ishte që njerëzit të jenë të një ideje e një feje, ata do të ishin ashtu. Njerëzit do të jenë të shpërndarë në lloj-lloj besimesh e idesh të gabuara, me përjashtim të atyre që i ka arritur mëshira e Zotit dhe kanë gjetur të vërtetën. E derisa Zoti është betuar se do ta mbushë xhehenemin me exhinë e njerëz, fjala e Tij është e pathyeshme, andaj njerëzit bredhin pas të këqiave derisa të meritojnë xhehenemin.

Të fshehtën, kudo që të jetë dhe kurdo që do të ngjajë, e di vetëm Zoti, e di edhe fundin e gëzuar ose të mjeruar për çdo njeri, por ajo është punë e Tij, e punë jona është: ta adhurojmë vetëm Atë, t'i dorëzohemi vetëm Atij, e Ai është mëshirues i mëshiruesve.

Me ndihmën e Zotit xh.sh. përfundoi përkthimi i kësaj kaptine. Lavdëruar qoftë Allahu!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 11:120–11:123

- Gjithçka që po të rrëfejmë, në lidhje me historitë e profetëve, bëhet që të forcojmë zemrën tënde. - Të gjitha këto që po të rrëfejmë janë lajme me vërtetësi të padiskutueshme dhe flasin rreth të dërguarve të Zotit dhe popujve të tyre. Në to tregohen qartë argumentet e pakundërshtueshme që profetët u kanë sjellë

popujve të tyre, por edhe refuzimi i ashpër i popujve kundër profetëve që u dërguan ndër ta. Ato tregojnë për durimin e madh, maturinë dhe qëndresën e pashembullt të profetëve përballë mohimit, mundimeve dhe keqtrajtimit që popujt u bënin. Në to tregohet ndihma dhe mbështetja e fortë e Allahut të Lartësuar për palën e Tij, besimtarët e sinqertë, por edhe ndëshkimi dhe shkatërrimi i kurtheve dhe intrigave të armiqve të profetëve. Të gjitha këto histori, Allahu i Lartësuar i tregon me vërtetësi. Allahu i Madhëruar i thotë Profetit se këto ngjarje i solli për të forcuar zemrën e tij dhe që ai të ketë si shembuj profetët e shkuar. - Në këtë Shpallje të ka ardhur e vërteta, këshilla dhe përkujtimi për ata që besojnë. - Kjo sure, ku përmenden historitë e profetëve, përmban këshilla dhe qortime të vyera, paralajmërime dhe kërcënime të frikshme për mohuesit, si dhe përkujtime e këshilla të dobishme për besimtarët. Në vijim, Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin që t’u thotë mohuesve: - Thuaju atyre që nuk besojnë: “Bëni çfarë të mundeni në tuajën, se edhe ne do të bëjmë tonën.” - Punoni në rrugën tuaj, sepse edhe ne do të punojmë dhe jetojmë në rrugën tonë, sipas fesë dhe besimit që kemi. - Ju prisni, se edhe ne jemi duke pritur! - Ju prisni, se edhe ne po presim se kujt do t’i takojë fitorja dhe përfundimi i mirë. Pa dyshim, Allahu i Lartësuar e përmbushi premtimin dhënë Profetit të Tij, duke i dhuruar fitoren, duke e mbështetur atë, duke bërë që fjala e Tij të jetë e lartësuara dhe e respektuara, ndërsa fjala e mohuesve të jetë e poshtëruar dhe e përçmuar. - Vetëm Allahut i takon dija për fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës dhe vetëm tek Ai kthehet çdo çështje. - Allahu i Lartësuar është i gjithëdituri i të fshehtave në qiej dhe në Tokë. Tek Ai është kthimi i të gjitha krijesave dhe çdokush do të shpërblehet për punën e vet Ditën e Gjykimit. Vetëm në dorën e Allahut është krijimi dhe vendimi për çdo çështje. - Atëherë vetëm Atë adhuroje dhe vetëm tek Ai kërko mbështetje! - Kështu, Allahu i Lartësuar urdhëroi që ne ta adhurojmë Atë dhe t’i mbështetemi Atij tërësisht, sepse Allahu është mëse i mjaftueshëm për këdo që i mbështetet Atij dhe që kthehet i penduar e i nënshtruar për ta adhuruar Atë si një të vetëm. - Zoti yt nuk është i shkujdesur ndaj veprave tuaja. - Allahut nuk i fshihen aspak veprat dhe sjellja e atyre që të mohojnë ty, o Muhamed! Përkundrazi, Ai është i gjithëditur në hollësi për të gjitha gjendjet e tyre. Ai është i gjithëditur për fjalët e tyre dhe ka për t’i ndëshkuar ata për mohimin e besimit të vërtetë, si në dynja, ashtu edhe në ahiret. Ai ka për të të ndihmuar dhe dhuruar fitoren mbi armiqtë e kundërshtarët e rrugës tënde. Ai do të ndihmojë, gjithashtu, edhe palën tënde, domethënë ata që të pasojnë ty. Ky premtim është edhe për ata. Allahu i lavdëruar do t’i ndihmojë dhe do t’i bëjë të triumfojnë në dynja dhe në ahiret. Ky është fundi i sures Hud. Vetëm Allahut i takon lavdërimi për mirësitë e Tij, fillim dhe mbarim! Shkurtimi përfundoi në 9/ 1/ 1389 Hixhri.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 11:120–11:123

Pasi përmendi disa nga historitë e profetëve, Allahu i Lartësuar tregon qëllimin dhe urtësinë e tyre: - “Gjithçka që po ta rrëfejmë nga historitë e profetëve – me të forcojmë zemrën tënde.” - Allahu i Lartësuar i tregoi të gjitha këto histori që zemra jote të forcohet, të qetësohet dhe të jetë e qëndrueshme në rrugën e drejtë, ashtu sikurse ndodhi me më të përzgjedhurit e profetëve të Zotit. Nuk ka dyshim se shpirti qetësohet duke marrë si shembull të ngjashmin e tij dhe bëhet më optimist për të kryer punë të mira, që të garojë dhe të afrohet tek Allahu. Duke përmendur gjithë këto histori, e vërteta qartësohet dhe pasuesit e saj shtohen. - “Në këtë Shpallje të ka ardhur e vërteta, këshilla dhe kujtimi për ata që besojnë.” - Në këto ajete të ka ardhur e vërteta e sigurt. Ngjarjet e përmendura këtu nuk kanë asnjë lloj dyshimi. E vërteta e sigurt është ndër mirësitë më të mëdha që mund t’i dhurohet njeriut. Nga ana tjetër, këto ajete janë këshilla dhe kujtim për besimtarët, sepse ata qortohen dhe këshillohen, nxjerrin mësime dhe përvojë.

Në këtë mënyrë, ata largohen nga punët e ndaluara dhe nxiten për të kryer punë të mira, në bindje ndaj Allahut të Lartësuar. Nëpërmjet këtyre historive ata mësojnë se cilat janë punët e dashura për Allahun e Lartësuar dhe cilat janë ato që Ai i ka ndaluar. Edhe ata mund të sprovohen, prandaj vazhdimisht kanë nevojë t’i kujtojnë këto vepra të mira, të cilat Zoti i do dhe ato vepra të këqija që Zoti nuk i do. Kjo është një ndihmë e madhe për të jetuar sipas porosive të Allahut të Lartësuar. Por nga këto ajete mund të përfitojnë veçse ata që e besojnë Allahun e Lartësuar dhe Shpalljen e Tij. Ndërsa jobesimtarët nuk mund të përfitojnë kurrsesi nga këshillat dhe paralajmërimet e Kur'anit madhështor, prandaj Allahu i Lartësuar thotë më pas: - “Thuaju atyre që nuk besojnë: “Bëni çfarë të mundeni në tuajën, se edhe ne do të bëjmë tonën.”.” - Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin (a.s.) që t’u thotë atyre të cilët nuk besojnë, edhe pse atyre u kanë ardhur shumë argumente dhe shenja për vërtetësinë e kësaj Shpalljeje: “Bëni çfarë të mundeni në tuajën, se edhe ne do të bëjmë tonën.”. Domethënë, punoni sipas asaj që ju besoni, sepse edhe ne do të punojmë sipas asaj që na urdhëron Zoti ynë. Vazhdoni të prisni atë që na pret ne, se dhe ne do të vazhdojmë të presim atë që do të ngjajë me ju. Allahu i Lartësuar ka bërë dallimin mes dy grupeve dhe u tregon besimtarëve të Tij të sinqertë ndëshkimin e të këqijve dhe shpërblimin e të mirëve. Allahu i Lartësuar i ndihmon besimtarët e Tij të sinqertë dhe u jep sukses atyre që në këtë jetë. Ndërsa jobesimtarët i ndëshkon dhe ata vazhdojnë të jenë të çoroditur në mosbesimin e tyre. Secili do ta marrë shpërblimin të plotë Ditën e Gjykimit, kur të dalë para Allahut të Lartësuar. - “Vetëm Allahut i takon dija për fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës dhe vetëm tek Ai kthehet çdo çështje.” - Allahu i Lartësuar i di të gjitha të fshehtat e qiejve dhe të Tokës. Qoftë veprat, qoftë ata që i bëjnë veprat, të gjithë do të dalin para Allahut të Lartësuar, atëherë kur do të dallohet qartë i miri nga i keqi. - “Atëherë vetëm Atë adhuroje dhe vetëm tek Ai kërko mbështetje!” - Përkushtohu në adhurimin ndaj Allahut. Adhurimi i sinqertë është plotësimi i gjithçkaje që Ai na ka urdhëruar dhe largimi nga gjithçka që Ai na e ka ndaluar. Allahu i Lartësuar na urdhëron që ne të përkushtohemi në adhurimin ndaj Tij, duke kryer të gjitha urdhëresat me sinqeritet ndaj Tij dhe duke u larguar nga të gjitha ndalesat me vazhdimësi. Të përkushtohemi në adhurim duke shpenzuar të gjitha energjitë dhe kapacitetet tona, por duke mos harruar atë që është më e rëndësishmja: mbështetjen tek Allahu dhe jo në forcat tona. - “Zoti yt nuk është i shkujdesur ndaj veprave tuaja.” - Gjithmonë kujtoni këtë fakt, i cili do t'ju freskojë dhe gjallërojë në rrugën drejt Tij: Allahu i Lartësuar nuk është i pavëmendshëm ndaj punëve tuaja të mira apo të këqija. Ai di gjithçka që ju bëni. Ai ka shkruar çdo vepër tuajën dhe ka për t’ju shpërblyer me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij.

Këtu përfundon tefsiri i sures Hud. Vetëm Allahut i takon falënderimi, lavdia e plotë dhe mirënjohja e thellë! Paqja, bekimet dhe mëshira e Allahut të Madhëruar qoftë mbi Muhamedin (a.s.)., familjen e tij, shokët e tij dhe pasuesit e rrugës së tij deri në Ditën e Gjykimit!