Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 12:96–12:101

Parashikimet e Jakubit u bënë realitet, myzhdexhiu, si duket ky ishte Jehudha, po ai që ia pat sjellë këmishën me gjak të rrejshëm, tash ia sjell këmishën që ia dha Jusufi dhe e lajmëron për të. Jakubit i erdhi të të pamët, e djemtë e tij kërkuan të lutet për mëkatin e tyre, por ai u premtoi për më vonë, ngase ende ishte i preokupuar me ato kujtime të hidhura. U përgatit e tërë familja dhe vajtën në Egjipt. Kishin rreth tetëdhjetë veta, Jusufi me tërë suitën e vet doli përpara në pritje, e prindërit e vet i ngriti lart ku e kishte fronin e vet.

Thuhet se në Egjipt Jakubi jetoi me Jusufin edhe njëzet e katër vjet, e kur ndërroi jetë, vetë Jusufi e dërgoi dhe e varrosi pranë babait të tij Is-hakut. Kështu kishte porositur Jakubi. Jusufi jetoi edhe njëzetë e tri vjet pas babait dhe kur e plotësoi dëshirën, vërejti se fuqia fizike i është dobësuar, prandaj iu lut Zotit që në jetën tjetër ta bashkojë me prindërit e vet të dashur, Is-hakun e Ibrahimin. Pasardhësit e tij mbetën në Egjipt, aty shtohen, kur qenë të ndjekur prej faraonit u detyruan që rreth gjashtëqind mijë veta ta braktisin Egjiptin.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 12:101

- “O Zoti im! Ti më dhurove mua pushtet të madh dhe më mësove shpjegimin e ëndrrave. - Kjo është një lutje e Jusufit të sinqertë, nëpërmjet të cilës ai i drejtohet Allahut të Lartësuar, pasi Ai e përmbushi mirësinë e Tij mbi të. Allahu i Lavdëruar e riktheu Jusufin në gjirin e familjes së tij dhe e bëri atë profet të zgjedhur. Ai i dhuroi mirësi, pasuri e pushtet në jetën e kësaj bote. - O Krijues i qiejve dhe i tokës! Ti je Mbrojtësi im në dynja e në ahiret. Më bëj të vdes si musliman dhe më bashko me të mirët!” - Jusufi iu lut Allahut të Lavdëruar që, ashtu sikurse e plotësoi mirësinë e Tij për të në këtë dynja, ta përmbushte atë edhe në ahiret. Ai u lut që Allahu t’i mundësonte një mbyllje të mirë të jetës, si një musliman i dorëzuar tërësisht në adhurimin e Allahut Krenar e të Lartësuar. Ai e luti Zotin edhe që ta bashkonte me punëmirët. Me këtë, ai kishte për qëllim vëllezërit e tij profetë. Salavatet dhe selami i Zotit qofshin me të gjithë profetët e Tij! Ka mundësi që këtë lutje Jusufi t’ia ketë drejtuar Allahut pikërisht në kohën e agonisë së vdekjes. Në dy Sahih-ët vjen hadithi nga Aishja: 1524. “Në agoninë e vdekjes, Profeti i Allahut ngriti gishtin tregues lart dhe tha: “O Zot! Me shoqëruesit më të lartë!” Këtë e tha tri herë.” Megjithatë, ka mundësi që këtë lutje Jusufi ta ketë bërë gjatë jetës së tij, duke i kërkuar Zotit që, kur të vinte koha e vdekjes, ta merrte atë si një musliman të dorëzuar ndaj Zotit dhe ta bashkonte me të mirët. Disa kanë thënë se, në një moment të caktuar, Jusufi dëshiroi vdekjen. Në fakt, lutje të tilla ishin të lejuara në sheriatet e shkuara. Ibn Abasi ka thënë: “Asnjë profet nuk e ka dëshiruar vdekjen përpara Jusufit, paqja e Allahut qoftë mbi të! Por kjo, - pra, kërkimi i vdekjes, - nuk lejohet në fenë tonë.” Në dy Sahih-ët vjen hadithi se Profeti i Allahut ka thënë: 1525. “Askush nga ju të mos e dëshirojë vdekjen për shkak të ndonjë sprove (e vuajtje) që i bie! Nëse je njeri i mirë, do të të shtohen mirësitë, e nëse je gjynahqar, ka shpresë që të pendohesh për sa kohë je gjallë. Megjithatë, mund të luteni duke thënë: “O Zot, më jep jetë, për aq sa jeta është më e mirë për mua, dhe më merr, o Zot, nëse vdekja është më e mirë për mua!” Ndërsa Imam Ahmedi sjell rrëfimin e Ebu Umames: 1526. “Njëherë ishim ulur me Profetin e Allahut, i cili na foli e përkujtoi, aq sa i zbuti dhe preku thellë zemrat tona. Sad Ibn Ebu Uekkasi qau shumë dhe tha: “Oh, i mjeri unë, më mirë të kisha vdekur!” Por Profeti i Allahut i tha: “O Sad! Ti dëshiron vdekjen në praninë time?!” Këtë e përsëriti tri herë. Pastaj tha: “O Sad! Nëse je krijuar për në Xhenet, atëherë sa më shumë të të zgjatet jeta dhe të të përmirësohen punët, aq më mirë është për ty.” Ky është gjykimi në lidhje me lutjen për kërkimin e vdekjes nga ai njeri që është sprovuar me fatkeqësi dhe vuajtje në çështjet e kësaj bote. Nga ana tjetër, nëse dikush frikësohet se do të sprovohet në fenë dhe besimin e tij dhe druhet se mund të devijojë e largohet prej besimit, për shkak të fitneve të mëdha, atëherë lejohet që të kërkojë vdekjen. Kështu, Allahu i Lartësuar na njofton rreth magjistarëve në kohën e Musait, të cilët pranuan besimin e vërtetë dhe u kërcënuan nga Faraoni se do t’i

kthente nga besimi i drejtë, duke i torturuar e ndëshkuar ashpër. Ata thanë: “... Zoti ynë! Na jep durim dhe na i merr shpirtrat si muslimanë!” [El ea’raf 126]. Në hadithin e Muadhit, të cilin e sjell Imam Ahmedi, thuhet: 1527. “O Zot! Nëse dëshiron të sprovosh një popull, atëherë na merr pa na sprovuar (në besim)!” Në lidhje me ngjarjen e Jusufit, Ibn Xheriri ka thënë: “Është përmendur se Allahu i Lartësuar ua pranoi pendimin bijve të Jakubit, për atë që bënë me Jusufin, pasi ati i tyre kërkoi falje për ta.” Ndërsa El Suddiju ka thënë se Jakubi (a.s.), në agoninë e vdekjes, e porositi Jusufin që ta varroste pranë etërve të tij, Ibrahimit dhe Is’hakut. Kështu, kur Jakubi vdiq, Jusifi e përgatiti dhe e dërgoi në Sham, për t’u varrosur pranë tyre, - paqja e Allahut qoftë me ta!” 156

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 12:101

Allahu i Madhëruar e plotësoi bamirësinë e Tij ndaj Jusufit duke i bërë vend në tokë dhe duke i dhuruar pushtet e sundim të gjerë. Pas gjithë atyre sprovave, Allahu ia qetësoi shpirtin dhe sytë e tij, duke ia sjellë pranë prindërit dhe vëllezërit e vet, që aq shumë i donte. Ai i dhuroi Jusufit dituri të madhe, duke e dalluar mbi shumë të tjerë. Për këtë arsye, duke shprehur mirënjohjen e thellë, duke lavdëruar Dhuruesin e tyre dhe duke u lutur që Ai t’ia ruante d he shtonte këto të mira, Jusufi tha: - “O Zoti im! Ti më dhurove mua pushtet të madh...” - Jusufi ishte bërë përgjegjësi i depove të mbretërisë, një pozitë shumë e rëndësishme për kohën. - “...dhe më mësove shpjegimin e ëndrrave.” - Allahu i Madhëruar i mësoi atij shpjegimin e ëndrrave, njohuritë e

librave të shpallur dhe shumë gjëra të tjera të dobishme. - O Krijues i qiejve dhe i tokës! Ti je Mbrojtësi im në dynja e në ahiret. Më bëj të vdes si musliman dhe më bashko me të mirët!” - Përjetësoje islamin, që është dorëzim i plotë ndaj Teje, dhe ma përqendro zemrën në këtë besim të mrekullueshëm! Më bëj që kurrë të mos largohem nga adhurimi Yt si Një i vetëm, përmes ligjeve të shpallura nga Ti, derisa vdekja të më gjejë si një musliman i bindur tërësisht ndaj Teje! Më bashko me të mirët, me etërit e mi profetë, me besimtarët e sinqertë e punëmirë, me të zgjedhurit e sinqertë dhe të kulluar!