Lajmërimi i vetëtimës shkakton ndër njerëz frikë se mos po i godet ndonjë e keqe ose rrufeja, nga njëra anë, por ushqen edhe shpresë se do të bjerë shi prej atyre reve të dendura, nga ana tjetër. Murmurima shpreh madhërimin dhe lavdërimin ndaj Zotit, edhe pse ne nuk e kuptojmë atë zë dhe nuk e dimë se kush e lëshon atë zë, engjëlli ose retë. Se bubullima është forcë e madhe, e kuptojmë se edhe melaiket nga droja madhërojnë Allahun, prandaj edhe besimtarët duhet përmendur e madhëruar Zotin me shfaqjen e asaj dukurie. Thuhet se rrufeja e godet edhe besimtarin dhe jobesimtarin, por nuk e godet atë që është duke e përmendur Zotin. Në koleksionet e haditheve ka bukur shumë shënime për shkakun e zbritjes së këtij ajeti dhe për lutjet që duhet shprehur në ato raste. Ajeti i pesëmbëdhjetë është ajet i sexhdes.
- Pyeti: “Kush është Zoti i qiejve dhe i Tokës!” Thuaju: “Allahu!” Thuaj: “Mos, vallë, keni zgjedhur zota të tjerë veç Tij, që edhe vetes së tyre nuk mund t’i bëjnë as dobi e as dëm?” - Idhujtarët e pranojnë faktin që Allahu i Madhëruar është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës. Ata e pranojnë se Allahu është Rab, pra, Krijuesi, Sunduesi, Administruesi dhe Ai që rregullon çështjet e gjithësisë. Megjithatë, ata zgjedhin kujdestarë e të adhuruar të tjerë, të cilëve iu përkushtohen me adhurime e u binden, edhe pse ato janë kotësira e trillime që nuk kanë në dorë as dëm e as dobi, as për veten e tyre, e aq më pak për të tjerët, që u përkushtojnë adhurime. Atëherë, a janë njëlloj, ai që adhuron idhuj e kotësira, me atë që e adhuron vetëm Allahun, pa i bërë ortak, i cili është i udhëzuar dhe në një dritë të qartë dhuruar nga Zoti i tij?! - Thuaj: “A është i barabartë i verbri me atë që sheh, dhe a janë të njëjta errësirat me dritën?” - Domethënë, çështja nuk qëndron aspak ashtu siç mendojnë njerëzit. Allahu nuk ka shembull e të ngjashëm me Të, nuk ka të barabartë dhe askush nuk mund ta kundërshtojë Atë; Ai nuk ka nevojë për partner e ndihmës, nuk ka bir e as bashkëshorte. - Apo, mos vallë, besojnë se Allahu ka ortakë, të cilët kanë krijuar ashtu siç krijoi Ai, dhe tashmë ky krijim iu ngjan njëlloj? Thuaj: “Allahu është i vetmi Krijues i çdo gjëje; Ai është i Vetmi dhe Ngadhënjimtari!” - Këta idhujtarë, në fakt, adhurojnë idhuj, që edhe vetë e pranojnë se janë krijesa e të varfra e nevojtare për Zotin, nën pushtetin dhe ligjin e Zotit. Allahu na tregon rreth fjalëve të idhujtarëve dhe arsyes përse ata i adhurojnë idhujt. Ai thotë: “Vetëm Allahut i takon adhurimi i sinqertë. Por ata që në vend të Tij (Allahut), marrin mbrojtës të tjerë, thonë: “Ne i adhurojmë ata vetëm që të na afrojnë më shumë tek Allahu.” [Zumer 3]. Por Allahu i Madhëruar i kërcënon ata për këtë besim të gabuar, për t’i bërë që ata të kthejnë rrugë e të largohen nga ky besim i trilluar dhe i kotë, sa nuk është vonë. Ai thotë: “Dhe asnjë ndërmjetësim nuk bën dobi tek Ai përveç atyre që Ai u jep leje (për të ndërmjetësu - ar). ...” [Sebe 23]. Dhe thotë: “Sa melekë ka në qiej, ndërmjetësimi i të cilëve nuk bën asnjë dobi, vetëm nëse Allahu i jep leje atij që Ai dëshiron dhe është i kënaqur me të.” [El nexhm 26]. Gjithashtu, Ai thotë: “Çdo qenie në qiej e në Tokë ka për t’iu paraqitur
Të Gjithëmëshirshmit si rob. Me diturinë e vet, Ai i ka përfshirë të gjitha dhe i ka numëruar (e shënuar) të gjitha në mënyrë të saktë. Në Ditën e Kijametit çdokush do t’i paraqitet Atij i vetmuar.” [Merjem 93 - 95]. Duke qenë se të gjithë janë robër të Allahut, përse ndodh që krijesat të adhurojnë njëri tjetrin?! Ata nuk kanë për këtë asnjë argument nga Zoti, por e bëjnë thjesht dhe vetëm të bazuar në trillimet e mashtrimet e tyre. Allahu i Lartësuar dërgoi profetët e Tij dhe, që të gjithë ata, nga i pari deri tek i fundit, janë urdhëruar që të këshillojnë e paralajmërojnë popujt që të ruhen nga idhujtaria. Ai i dërgoi ata që të ndalojnë njerëzit nga adhurimi i gjithçkaje tjetër përveç Allahut. Por ata i mohuan profetët dhe iu kundërvunë rrugës së tyre. Për këtë, ata merituan që mbi ta të përmbushet vendimi dhe fjala e Allahut për ndëshkim, dhe kjo do të ndodhë e askush nuk mund ta shmangë. Allahu ka thënë: “Kur libri (i veprave) do t’u vihet përpara, ti do t’i shohësh gjynahqarët të frikësuar nga shënimet në të, që do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër, që nuk ka lënë asnjë vepër, - të madhe apo të vogël - , pa e shënuar.” Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë bërë. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” [Kehf 49].
- Pyeti: “Kush është Zoti i qiejve dhe i tokës!” Thuaju: “Allahu!” - Drejtoju këtyre idhujtarëve, që, veç Allahut, adhurojnë puta dhe idhuj, të cilët i duan sikurse Allahun dhe u përkushtojnë atyre lloj-lloj adhurimesh dhe kurbanesh, dhe thuaju: “Vallë, e humbët logjikën kur i lejuat vetes që të merrni si mbrojtës këta idhuj dhe t’u përkushtonit atyre adhurime, edhe pse ata nuk meritojnë aspak adhurim? A nuk ia bëtë këtë pyetje vetes tuaj?! - Thuaj: “Mos, vallë, keni zgjedhur zota të tjerë veç Tij, që edhe vetes së tyre nuk mund t’i bëjnë as dobi e as dëm?” - Mendoni pak për ata që ju i adhuroni veç Allahut: - Thuaj: “A është i barabartë i verbri me atë që sheh, dhe a janë të njëjta errësirat me dritën?” - Allahu i Lartësuar është Absolut dhe i Plotë me emrat dhe cilësitë e Tij. Ai është Pronari i të gjallëve dhe të vdekurve. Në dorën e Tij është krijimi, administrimi i çështjeve të krijesave dhe vetëm në dorën e Tij është dëmi dhe dobia. Atëherë, si e lini adhurimin e Allahut dhe tregoheni mosmirënjohës ndaj përkujdesit
dhe mirësive të Tij? Adhurimi i Zotit si një dhe i vetëm kurrë nuk mund të jetë njëlloj si adhurimi i idhujve, ashtu sikurse nuk mund të jenë njëlloj ai që shikon me të verbërin dhe as drita me errësirat. Idhujtarët pretendojnë se Allahu ka ortakë, të cilët mund të krijojnë e bëjnë ashtu si krijimi i Tij dhe kanë pushtet si pushteti i Tij, por këto pretendime janë fryt i dyshimeve dhe paqartësive të tyre. Atëherë, ti, o i dërguar, dhe çdokush që kryen misionin tënd, largojua këto dyshime dhe paqartësira! Mësoju atyre se Allahu është i vetmi i Adhuruar, përmes argumenteve dhe fakteve! - Apo, mos vallë, besojnë se Allahu ka ortakë, të cilët kanë krijuar ashtu siç krijoi Ai, dhe tashmë ky krijim iu ngjan njëlloj? - Është e pamundur që diçka të krijojë vetveten dhe po ashtu është e pamundur që të ekzistojë vetë, pa pasur një krijues. Atëherë, është e padiskutueshme që ekziston vetëm një Krijues, që nuk ka shokë në pushtetin për të krijuar dhe për rregulluar çështjet e krijesave të Tij. Vetëm Ai duhet të adhurohet, se Ai është Një dhe i Vetëm, dhe gjithashtu, Ai është El Kahar – domethënë, Nënshtruesi i gjithçkaje me pushtetin e Tij absolut. - Thuaj: “Allahu është i vetmi Krijues i çdo gjëje; Ai është i Vetmi dhe Ngadhënjimtari!” - Askush tjetër veç Allahut nuk i ka këto cilësi njëkohësisht: i Vetëm dhe Unik, si edhe Ngadhënjimtar dhe Nënshtrues i gjithçkaje. Krijesat nuk mund të jenë të tilla. Mbi çdo krijesë ka një krijesë tjetër më të fortë, që e nënshtron dhe e mposht atë; por edhe mbi këtë ka një tjetër më të fortë dhe të pushtetshëm, derisa të përfundojmë te Sunduesi absolut, te Nënshtruesi i gjithçkaje, që është Allahu i Lartësuar. Askush nuk është mbi Allahun. I plotpushtetshmi duhet të jetë domosdoshmërisht i vetëm e i pashoq, dhe i tillë është veçse Allahu i Madhëruar. Ky është një argumentim logjik, që tregon për njëshmërinë e Allahut të Lartësuar. Kjo tregon gjithashtu se çdo gjë që krijesat adhurojnë, veç Allahut të Lartësuar, është e pafuqishme e nuk ka në dorë asgjë prej krijimit dhe pushtetit të vërtetë, prandaj adhurimi i tyre është i kotë e i pavlerë.