Betimet e dhëna dhe të përforcuara me emër të Allahut, nuk bën të thyhen. Disa nga fiset arabe pasi që kishin lidhur besën me një fis tjetër, e thyenin atë besë kur gjenin rast të lidhnin besën me një fis tjetër më të madh e më të fortë, pra e thyenin besën e dhënë myslimanëve pse ishin më pak, kurse lidhnin me të tjerët që ishin më shumë. Paska qenë një grua e marrë në Mekë, e cila tjerrin që e kishte dredhur gjatë tërë ditës e prishte në mbrëmje. Zoti i krahason ata që e thyejnë besën me atë grua të marrë.
Të humbur mbesin ata të cilët nuk duan t'i pranojnë mësimet e Kur'anit. Myslimanëve u tërhiqet vërejtja për pasojat e thyerjes së betimit, të cilat do të ndikojnë në I ftohje ndaj islamizmit, nëse myslimani është i tillë që nuk e mban besën. Pra kjo është ajo rrëshqitja në gabim.
Besën e dhënë Allahut dhe të dërguarit të Tij nuk duhet ndërruar për ndonjë fitim të kësaj bote, ngase të mirat e kësaj bote, sado që të jenë të këndshme, janë të përkohshme, kurse të mirat në botën tjetër janë të përjetshme.
Vepra e mirë, e atij që është besimtar, është garanci për një jetë të kënaqur edhe gjatë kësaj jete. Para Zotit shpërblehet njësoj vepra e mashkullit dhe e femrës.
Vesvesja e shejtanit është ndikuese në zemrat e njerëzve, andaj për të qenë zemra e atij që do të lexojë Kur'an e mbrojtur prej vesveses, nevojitet kërkuar mbrojtjen e Zotit, duke thënë: Eudhu bil lahi minesh-shejtanir raxhim.
Zëvendësimi ose ndërrimi i ndonjë ajeti me një ajet tjetër është çështje, e cila i preokupoi mjaft shumë dijetarët islamë. Thuhet se zëvendësimi i një dispozite me një tjetër, është sikurse ndërrimi i barit, i ilaçit gjatë mjekimit të ndonjë sëmundjeje. Shumica dërmuese e dijetarëve islamë janë të mendimit se pati abrogim - nes-hun, në Kur'an. Disa të tjerë, të cilët edhe unë i përkrah, janë të mendimit se nuk ka pasur as nuk duhet të jetë bërë ndonjë zëvendësim. Allahu e di më së miri!
- Kur Ne e zëvendësojmë një ajet me një tjetër - e Allahu di më së miri se çfarë shpall - , ata thonë: “Ti (Muhamed) je veçse një trillues”. - Allahu i Lartësuar na tregon për mendjelehtësinë dhe logjikën e dobët të idhujtarëve. Ata janë njerëz të dobët, të paqëndrueshëm e të luhatur. Sa herë që ata shihnin ndonjë ndryshim e abrogim në dispozitat e ligjëruara nga Allahu i Lartësuar, ata i drejtoheshin Profetit të Zotit, duke i thënë: “Ti (Muhamed) je veçse një trillues, në lidhje me këto ligje të ndryshme që sjell.” Ata nuk arrinin ta kuptonin se është Vetë Allahu i Lavdëruar Ai që vendos të tilla dispozita me vullnetin e Tij; Atij i takon që të ligjërojë e anulojë çfarë të dëshirojë. Ai ka thënë: “Ne nuk shfuqizojmë asnjë ajet (ose dispozitë ligjore), apo ta bëjmë të lihet në harresë, e të mos sjellim një tjetër më të dobishëm se ai, ose të ngjashëm me të. A nuk e di ti se Allahu është i Plotpushtetshëm për gjithçka?! A nuk e di ti se vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës?! Përveç Allahut, ju nuk keni asnjë ndihmëtar dhe asnjë mbrojtës tjetër.” [Bekare 106]. Atëherë, duke iu përgjigjur atyre, Allahu i Lartësuari thotë: - Jo. Por shumica e tyre nuk dinë. Thuaj: “Atë (Kur’anin) e solli Shpirti i Shenjtë (Xhibrili), plot vërtetësi nga Zoti yt, për t’i përforcuar ata që besuan dhe për të qenë udhërrëfyes e përgëzim për myslimanët. - Këtë e zbriti Xhibrili me vërtetësi dhe drejtësi nga Allahu i Lavdëruar. Këtë Allahu i Lavdëruar e zbriti me qëllimin: “... për t’i përforcuar ata që besuan ...”, pra, që të besojnë të sigurt, pa asnjë luhatje, gjithçka që Ai ka shpallur, si ato që solli fillimisht, edhe ato që shpalli më vonë. Në këtë mënyrë, ata do të gjejnë qetësi e udhëzim. Ai thotë: “... dhe për të qenë udhërrëfyes e përgëzim për muslimanët.” Kur’ani ka për t’u bërë dritë, udhëzim dhe lajm i mirë për të gjithë ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe që dorëzohen të zbatojnë Shpalljen e Tij.
Mosbesuesit dhe rrefuzuesit e Kur'anit ndjekin pas dyshimet, të cilat ata i konsiderojnë si argumente. Një nga të ashtuquajturat “fakte”, që ata paraqesin për mosbesimin e tyre është edhe abrogimi i disa ligjeve të Sheriatit. Sigurisht, Allahu i Lartësuar është Gjykuesi më i drejtë dhe i urtë dhe është në dorë të Tij caktimi i ligjeve e dispozitave. Ai mund të zëvendësojë një ligj a gjykim me një ligj e gjykim tjetër, kur e dëshiron dhe kur këtë e kërkon urtësia e Tij e gjerë dhe mëshira e Tij gjithëpërfshirëse. Por, këta mohues, që janë të prirur të jenë dyshues e të lëkundur, shohin të tilla abrogime e zëvendësime ligjesh dhe i quajnë ato si mangësi dhe si një argument që cenon Shpalljen e Zotit. Madje, ata shpifin për Profetin, duke i thënë: “Ti je veçse një trillues”. Allahu i Madhëruar u kthen këtë përgjigje: "Jo, por shumica e tyre nuk dinë.". Ata janë thellësisht injorantë e nuk dinë asgjë për Zotin dhe për ligjin e Tij. Është e qartë se kontestimet e injorantit janë të pavlefshme e nuk merren për bazë. Dihet mirë se kontenstimi mund të bëhet veçse me dije të plotë rreth çështjes së diskutuar; duhet ta njohësh mirë çdo aspekt të saj, anët pozitive dhe ato negative. Ndërsa këta të mjerë janë tërësisht injorantë për ligjin e Zotit dhe përsëri nxitojnë që ta refuzojnë atë, pa bërë asnjë analizë të tij. Por Allahu i lartësuar e urdhëron Profetin që t’u kujtojë atyre një fakt: