Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 16:102–16:110

"Për shkak të zëvendësimit të ndonjë ajeti me ndonjë tjetër, jobesimtarët shfrytëzuan rastin dhe i thanë Muhammedit se është duke i trilluar këto thënie, sepse nuk janë shpallje e Zotit. Për t'iu kundërvënë thënies së tyre Kur'ani vërteton se këtë e sjell të sigurt e të ruajtur nga Zoti i madhëruar, engjëlli më i madh, Xhibril.

Rreth njeriut për të cilin supozonin idhujtarët se është duke e mësuar Muhammedin, ka shumë variante. Thoshin për njëfarë Xhibrilin, një rob që kishte qenë i krishterë, e kishte pranuar islamizmin, megjithatë ai ishte analfabet dhe nuk ishte arab. Thoshin për njëfarë Ajishin, për njëfarë Bel'amin, për njëfarë Adasin, për Selman farisiun etj. Të gjithë këta të përmendur nuk ishin arabë, madje nuk dinin shkrim-lexim. Selmani madje nuk kishte qenë fare në Mekë. Këto, pra, ishin shpifje e me qëllim të zhvlerësimit të Kur'anit, gjoja se nuk është i shpallur prej Zotit.

Të mbeturit në humbje janë ata që nuk deshën ta pranojnë udhëzimin e Zotit të shpallur në Kur'an, e pas këtij udhëzimi, Allahu nuk i udhëzon më.

Tradhtarët, murtedët janë njerëzit më të urrejtur, por nuk ka raste që besimtari mysliman ta ndërrojë fenë, edhe pas shumë mundimeve të rënda. Kështu bënë Sumeja dhe bashkëshorti i saj Jaseri, dëshmorët e parë të fesë islame. U torturuan, u munduan dhe më në fund edhe u mbytën për hir të fesë. Djalin e tyre e zunë idhujtarët mekas dhe e munduan në mënyra të ndryshme deri se ai, prej mundimeve të padurueshme pohoi me gojë mosbesimin. Njerëzit dëgjuan dhe filluan të flasin se Amari e ndërroi fenë, dëgjoi edhe Pejgamberi, por tha: "Amari është plot imanë prej majës së kresë e deri në këmbë, imani i tij i është bashkuar i me mish e me gjak". Amari erdhi te Pejgamberi duke qarë, i tregoi rastin, e Pejgamberi e pyeti: "Si e kishe zemrën?" Ai tha: "Plot imanë". Pejgamberi i tha: "Shko, nëse të ndodhë, ti prap bën ashtu." Ky ajet ka zbritur rreth Amarit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 16:110–16:111

- Zoti yt është Falës i Madh e Mëshirëplotë për të gjitha ata, të cilët, pasi u sprovuan (në besimin e tyre) , mërguan (për hir të Tij) dhe më pas

luftuan dhe qëndruan të palëkundur (në besimin e drejtë) . - Këtu kemi të bëjmë me një kategori tjetër, me atë të muslimanëve të dobët, të pafuqishëm dhe të përndjekur, që jetonin në Mekë, të nënshtruar dhe të frikësuar. Ata përçmoheshin dhe përndiqeshin nga populli i tyre. Shpesh, këta muslimanë detyroheshin që t’i miratonin ata, në lidhje me idhujtarinë dhe mohimin. Më pas, atyre iu bë e mundur që të shpëtonin nga kjo sprovë, duke bërë hixhret dhe lënë vendbanimet dhe pasuritë e tyre, për të kërkuar kënaqësinë, faljen dhe mëshirën e Allahut. Kështu, edhe ata iu bashkëngjitën karvanit të muslimanëve. Ata luftuan së bashku me ta kundër mohuesve, me durim e qëndrueshmëri. Pikërisht për këta, Allahu i Lartësuar na njofton se, edhe pse ndonjëherë iu përgjigjën dhe i miratuan idhujtarët në lidhje me shirkun, pas këtyre përpjekjeve e pendimit të sinqertë të tyre, Allahu i Lartësuar është Falës i madh dhe Mëshirëplotë. Ai do t’i mëshirojë ata në Ditën e Premtuar. Në lidhje me atë ditë, Allahu i Madhëruar thotë: - Ditën kur çdo njeri do të vijë (i vetëm) e do të polemizojë për (të mbrojtur) vetveten ... - Atë ditë, askush nuk ka për të polemizuar dhe për të mbrojtur askënd, as prindin, as fëmijën, as vëllain apo bashkëshorten. Atë ditë: - çdokush do të shpërblehet plotësisht për atë që ka bërë - Ajo është dita kur çdo shpirti do t’i jepet i plotë shpërblimi apo shpagimi, për të mirat apo të këqijat që ka vepruar vetë. - dhe nuk do t'i bëhet asnjë padrejtësi. - Askujt nuk ka për t’iu pakësuar shpërblimi që ka merituar dhe as nuk ka për t’iu shtuar ndëshkimi për të këqijat që ka vepruar. Askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi, asnjë grimë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 16:110

Zoti yt është Falës dhe Mëshirëplotë. Ai kujdeset për adhuruesit e Tij të sinqertë me butësinë dhe bamirësinë e Tij. Allahu tregon se është Falës e Mëshirëplotë për ata që mërgojnë për hir të Tij, për ata që lënë vendin dhe pasuritë e tyre për të kërkuar veçse kënaqësinë e Tij. Këta janë gati të braktisin çdo lloj pasurie, vetëm e vetëm që të shpëtojnë nga sprovimi në fenë e tyre dhe nga frika e kthimit në mosbesim. Edhe pse sprovohen dhe luftohen për ta braktisur fenë e Zotit, ata tregohen të duruar dhe qëndrojnë në imanin e pastër e të sinqertë, duke pasur siguri të plotë në ndihmën e Zotit. Ata luftojnë kundër armiqve të besimit në Zotin dhe përpiqen për t’i futur njerëzit në fenë e drejtë me fjalë e me vepra të mira. Ata bëjnë durim për të qenë të vazhdueshëm në ato adhurime, që për shumicën e njerëzve duken të vështira. Ky është përshkrimi i besimtarëve të vërtetë. Ata janë gati të lënë gjithçka të kësaj bote vetëm e vetëm për të ruajtur fenë e besimin e tyre të pastër. Ata përkushtohen në adhurime të sinqerta dhe në ftesën e njerëzve për të përqafuar Islamin. Ata e shprehin besimin e tyre me fjalë e me vepra të mira dhe përqendrohen në rrugën e drejtë me durim e maturi. Këta janë faktorët më të rëndësishëm që e ndihmojnë njeriun të arrijë mirësinë më të madhe të Zotit, që është falja dhe mëshirimi prej Tij. Falja e gjynaheve të mëdha dhe të vogla sjell sigurinë nga çdo ligësi e sprovë. Ndërsa mëshira e plotë sjell rregullimin e çështjeve të jetës dhe të fesë. Ata janë të garantuar nga çdo ligësi dhe janë të përgëzuar me çdo mirësi, në të dyja jetët.