Në ditën e gjykimit secili njeri do të jetë i angazhuar vetëm me çështjen e vet, e nuk i bie ndërmend për askë tjetër.:
Nëse njerëzit nuk ua dinë vlerën të mirave që ua ka dhuruar Allahu, por i keqpërdorin, i përbuzin, ata do të mbeten pa to, do t'u shndërrohet gjendja e mirë në të keqe, siç ka ngjarë me popullin e atij vendi për të cilin na tregon ajeti.
Allahu caktoi ushqimet e lejuara dhe ato të ndaluara prandaj nuk ka nevojë të përdoren të ndaluarat kur janë të lejuarat. Allahu u fal mëkatin atyre që nga ndonjë arsye e drejtë detyrohen të hanë atë të ndaluaren sa për të shpëtuar jetën, por nuk u fal mëkatin atyre që nga vetvetja shpallin ndonjë ushqim të lejuar ose të ndaluar dhe ia mveshin gjoja se është prej Zotit.
"Ma ubik-e li gajril-lahi" është për qëllim publikimi i therjes së ndonjë kafshe për diçka tjetër, e jo për Allahun. Shpirti i gjallesës nuk bën të flijohet për ndonjë tjetër, pos për Krijuesin e atij shpirtit, për Zotin. Shpirti i kafshës nuk mund t'i falet askujt. Mund t'i falet thevabi i therjes për hir të Allahut, ndonjë tjetri, siç është çështja e Kurbanit për të vdekurit, pra nuk duhet thënë po e theri këtë kafshë për filanin e fistekun, por për Allahun, e thevabin po ia bëj hedije filanit. Ky ajet është paraqitur në katër vende në Kur'an.
Në ajetin më sipër, Allahu i Lavdëruar njoftoi për ndalimin e mishit të ngordhur, gjakut, mishit të derrit dhe kafshës që theret jo në emër të Allahut. Megjithatë, Ai e lehtësoi për besimtarët konsumin e këtyre ushqimeve të ndaluara në rast domosdoshmërie. Ndërsa në këtë ajet, Allahu i Lartësuar tregon rreth gjërave që
jehudët kishin të ndaluara në ligjin e tyre, përpara se të anuloheshin përmes Sheriatit të fundit, që i zbriti Muhamedit ﷺ Allahu i Lartësuar na tregon se ata kishin ligje të rënda e shtrënguese. Ai thotë: - Judejve ua patëm ndaluar atë që të kemi treguar më parë. - Me këtë ka për qëllim atë që ka thënë në ajetin tjetër: “Judejve u ndaluam çdo kafshë njëthundrake. Për sa u përket lopëve dhe deleve, u ndaluam dhjamin e tyre, veç atij në shpinën dhe në zorrët e tyre dhe atij të përzier me kockat. Këtë e vendosëm si ndëshkim ndaj shkeljeve të tyre dhe Ne themi vetëm të vërtetën.” [En’am 146]. Prandaj këtu i madhëruari tha: - Ne nuk u bëmë atyre asnjë padrejtësi, por ata i patën bërë padrejtësi vetvetes. - Në këto masa ndëshkuese, që Ne ligjëruam për ta, nuk u bëmë asnjë padrejtësi, por “...ata i patën bërë padrejtësi vetvetes.” Ata i merituan plotësisht të tilla ligje rënduese e ngushtuese, për shkak të padrejtësive të tyre. Sikurse thotë i lartësuari: “Për shkak të padrejtësisë së hebrejve dhe për shkak se ata penguan shumë nga rruga e Allahut, Ne ua bëmë haram disa të mira, që më parë ishin të lejuara. Edhe për shkak të përfitimit nga kamata, ndërkohë që e kishin të ndaluar atë, si dhe për shkak të ngrënies së pasurisë së njerëzve në mënyrë të padrejtë. Ne kemi përgatitur dënim të dhimbshëm për ata prej tyre që nuk besuan.” [Nisa 160, 161]. Në vijim, duke treguar bujarinë dhe bamirësinë e Tij të pakufishme, në lidhje me ata që janë rënduar me gjynahe nga mesi i besimtarëve dhe pendohen sinqerisht tek Ai, i lavdëruari thotë: - Zoti yt është Falës i Madh e Mëshirëplotë për të gjitha ata, të cilët, nga padituria, bëjnë punë të këqija e pastaj pendohen dhe përmirësohen (duke bërë punë të mira) . - Vëreni me kujdes fjalën e Allahut: “të cilët, nga padituria, bëjnë punë të këqija...”. Në lidhje më këtë detaj, disa selefë kanë thënë se: çdokush që nuk i bindet Allahut dhe bën gjynahe ndaj Tij është, në fakt, xhahil, injorant. Më pas, Allahu u Lavdëruar vijon: “e pastaj pendohen dhe përmirësohen..”. Domethënë, nëse këta të pabindur e gjynahqarë largohen më pas nga gjynahet e përkushtohen në adhurimin e Allahut, atëherë: “Zoti yt është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” Ky premtim është për ata që pendohen sinqerisht dhe kthehen në rrugën e Tij.
Kjo është një thirrje e qartë, që Zoti ua drejton robve të Tij për një pendim të sinqertë. Ajo është një ftesë e mrekullueshme, që ata të kthehen tek Ai të penduar e të përulur. Allahu i Madhëruar njofton se kushdo që bën një vepër të keqe, duke mos ditur përfundimin e saj të keq, ka këtë premtim të mrekullueshëm. Edhe kur njeriu e bën me vetëdije gjynahun, në zemrën e tij pakësohet dituria gjatë kohës kur e kryen atë vepër. Atëherë, nëse pas
gjynahut, robi pendohet, duke ndier keqardhje për çfarë ka bërë dhe pastaj heq dorë nga ajo vepër dhe vijon të përmirësohet e të rregullojë punët e tij, atëherë Allahu ia mbulon dhe ia fal gjynahet. Ai e mëshiron dhe ia pranon keqardhjen dhe pendimin të sinqertit. Allahu e kthen të penduarin në të njëjtën gjendje si para se ta kryente gjynahun ose në gjendje edhe më të mirë.