Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 16:75–16:89

Allahu sjell dy shembuj: shembulli i parë ka të bëjë me Madhërinë e Zotit që gjithçka ka në gjithësi është pronë e Tij, furnizon kë të dojë, si të dojë dhe kur të dojë, ndërsa idhujt janë robër dhe vegël e dikujt tjetër e që nuk kanë asgjë në kompetencë. E si mashtrohen disa dhe i adhurojnë ato statuja që puna e tyre nuk është asgjë dhe lënë manash adhurimin e Zotit)

Shembulli i dytë është idhulli që nuk ka mend, nuk flet, nuk ka gjuhë dhe nuk ka kurrfarë dobie prej tij sa prej shurdhmemecit dhe, ai që flet, urdhëron për drejtësi dhe vetë është në rrugën e ndritshme. A mund të jenë të barabartë besimtari i udhëzuar prej dritës së Zotit, me jobesimtarin, i cili duke adhuruar sende të kota ka mbetur në errësirë"

Allahu është Ai që i di të gjitha të fshehtat. Ai ka caktuar momentin e kijametit që vjen shpejt sa çel e mshel sytë. Ai e pajisi njeriun me shqisa e të menduar, e bëri të aftë që të mund ta pranojë shpalljen prej Tij, të mund t'i sigurojë vetes jetë materiale, morale e shpirtërore.

Madhëria e Zotit manifestohet edhe në përgatitjen e shpezëve që ato të mund të qëndrojnë në ajër, në krijimin e kafshëve prej të cilave, përveç ushqimit, përfitojmë edhe petka për veshje e për shtroje siç është leshi i deleve, fijet e qimeve të deveve dhe leshi më i egër i dhive.

Në ditën e gjykimit do të dëshmojë secili pejgamber për popullin të cilit i ka qenë dërguar, e Muhammedi do të dëshmojë së pari për arabët, të cilët e refuzuan, e mandej për të gjithë popujt, ngase është i vetmi pejgamber i dërguar për mbarë njerëzimin dhe për kohë të pakufizuar deri në kijamet.

Kur'ani është sqarues për çdo send që i nevojitet njeriut në fe, në sjellje, në jetë etj., por shpjegimet e Kur'anit janë shpjegime në mënyrë të përgjithshme, e shpjegimet e çështjeve në detaje janë, obligim i Pejgamberit: "Ve ma atakumur resulu f'ehudhu..", i ixhmait: "Ve jetetebië gajre sebilil muminivë...", i kijasit - analogjisë: ja ulil ebsar..." Këto udhëzime të Kur'anit vërtetojnë për katër institucionet e sheriatit, prandaj nuk mbetet vend për thëniet e disave, të cilët thanë së pasi që Kur'ani është sqarues për çdo send, nuk ka nevojë për synet, për ixhma dhe për kijasë.

Ajeti i nëntëdhjetë në këtë kaptinë është ajeti me përmbledhje më të gjerë në tërë Kur'anin, përsa i përket etikës së nevojshme e të domosdoshme për njeriun, ngase urdhëron për çdo të mirë ndalon nga çdo e keqe. Për arsye të domethënies së tij aq të gjerë, dijetarët islamë e panë të nevojshëm leximin e tij para publikut për çdo ditë të xhumasë në fund të hytbes.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 16:89

Allahu i Lartësuar i drejtohet robit dhe Profetit të Tij të dashur, Muhamedit ﷺ : - Atë ditë, kur në secilin popull Ne do të sjellim dëshmitar kundër tyre, edhe ty do të të sjellim dëshmitar kundër këtyre (popullit tënd). - Edhe ty do të të sjellim si dëshmitar mbi popullin tënd, prandaj kujtoje mirë këtë ditë, me tmerrin e frikën që ajo mbart me vete. Pastaj kujto edhe mirësinë e madhe, nderimin e pashembullt e gradën e lartë, që do të të dhurojë Zoti yt atë ditë! Ky ajet është i ngjashëm me ajetin e fundit që Abdullah Ibn Mesudi i lexoi Profetit, me kërkesën e vetë atij. Kështu, ai po lexonte fillimin e sures Nisa, derisa mbërriti tek fjala e Allahut: “Si do të bëhet kur, për çdo popull Ne do të sjellim dëshmitarë, ndërsa ty (O Muhamed) do të të sjellim dëshmitar për të gjithë ata?” [Nisa 41]. Pikërisht në këtë ajet, i Dërguari i Allahut tha: “Kaq mjafton!” Abdullah Ibn Mesudi tregon: “Kur e pashë Profetin e Allahut, vërejta se po i rridhnin lot nga sytë.” - Ne ta shpallëm ty Librin si sqarim për çdo gjë, si udhëzim e mëshirë dhe si përgëzim për myslimanët. - Ibn Mesudi thotë se Allahu i Lartësuar na ka shpjeguar në këtë Kur ’an çdo lloj diturie e çdo lloj çështjeje. Kur’ani përmbledh e shtjellon çdo lloj dijeje të dobishme. Në të gjejmë lajme e histori rreth popujve të shkuar dhe dituri rreth asaj që do të vijë në të ardhmen. Në të shtjellohet dhe qartësohet hallalli nga harami, rregullat e ligjet e Zotit. Allahu i Madhëruar e përshkruan atë si “ hudâ”, pra, udhëzim i qartë për zemrat. Kur ’ani është edhe “ raĥmetun ue bushrâ ”, domethënë, mëshirë e lajm i mirë për të dorëzuarit ndaj Zotit të Madhëruar. Mendo pak me kujdes rreth kuptimit të fjalës së Allahut: “Ne ta shpallëm ty Librin si sqarim për çdo gjë,” dhe fjalës pra saj kur tha: “... edhe ty do të të sjellim dëshmitar kundër këtyre (popullit tënd).” Qëllimi këtu , - dhe Allahu e di më mirë - , është që të tregohet se Ai i Cili ia bëri detyrë të Dërguarit kumtimin e qartë të këtij Libri, Ai ka për ta marrë në llogari për këtë gjë Ditën e Gjykimit, siç thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Ne patjetër që do t’i marrim në pyetje ata tek të cilët u dërguan profetët, e patjetër që do t’i marrim në pyetje edhe profetët. Ne do t’ua tregojmë atyre me dituri të plotë atë që kanë bërë, sepse Ne nuk kemi munguar kurrë.” [ Ea’raf 6, 7]. Pra do të merren në pyetje si popujt , ashtu edhe Profetët që u dërguan mes tyre. Allahu i lavdëruar thotë : “Betohem për Zotin tënd, Ne do t’i marrim të gjithë ata në pyetje, për të gjitha veprat e tyre.” [Hixhr 92, 93], ose: “Një Ditë Allahu do t’i mbledhë profetët dhe do t’i pyesë: “Cila qe përgjigja që morët (nga njerëzit)?” Ata do të thonë: “Ne nuk kemi dijeni; vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat.”” [Maide 109], ose “ S’ka dyshim se Ai që ta urdhëroi Kur’anin ty, Ai do të të kthejë ty në Vendin e Premtuar. Thuaj: “Zoti im e di më sëmiri kush është ai që sjell udhëzimin e vërtetë dhe kush është në humbje të sigurt”. ” [Kasas 85]. Pra, Ai i Cili ta bëri detyrë kumtimin e qartë të këtij Libri, Ai ka për të të marrë në llogari për këtë gjë në Ditën e Gjykimit.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 16:89

Pasi tregoi se do të sjellë dëshmitarë nga çdo popull, Allahu i Madhëruar tregon këtu të njëjtën gjë, por duke përmendur në mënyrë të veçantë dëshminë e profetëve të zgjedhur dhe të nderuar. - Atë Ditë, kur për secilin popull Ne do të sjellim një dëshmitar kundër tyre, edhe ty do të të sjellim si dëshmitar kundër këtyre (popullit tënd). - Do të të sjellim për të dëshmuar në lidhje me umetin tënd, për të mirat e për të këqijat që ata kanë bërë. Kjo tregon për drejtësinë e madhe të Allahut, i Cili për çdo popull do të sjellë si dëshmitar profetin e tyre, sepse profetët janë më të diturit rreth veprimeve të popujve të tyre. Profetët janë gjithashtu njerëzit më të dhembshur e më të mëshirshëm për popujt e tyre, prandaj kurrë nuk do të dëshmonin padrejtësisht, por veçse të vërtetën. Ky varg i përngjason ajetit tjetër kuranor: “Dhe kështu, Ne ju bëmë ju një popull të ekuilibruar, për të qenë dëshmitarë (Ditën e Gjykimit) për popujt. Edhe i Dërguari ka për të qenë dëshmitar për ju.” [Bekare 143]. Gjithashtu, i Madhëruari thotë: “Si do të bëhet kur, për çdo popull, Ne do të sjellim dëshmitarë, ndërsa ty (O Muhamed) do të të sjellim dëshmitar për të gjithë ata? Atë ditë, ata që nuk kanë besuar dhe që kanë kundërshtuar të Dërguarin, do të dëshironin të rrafshohej toka mbi ta, sepse ata nuk do mund t’i fshehin Allahut asgjë.” [Nisa 43, 44]. - Ne ta shpallëm ty Librin si sqarim për çdo gjë, si udhëzim e mëshirë dhe si përgëzim për muslimanët. - Ne ta shpallëm Librin si qartësim të themeleve të fesë dhe degëzimeve të saj, por edhe si sqarim dhe udhëzim për çështjet e kësaj jete dhe për gjithçka që njerëzit kanë nevojë. Në të gjitha këto aspekte, Kur'ani sjell shpjegimin më të qartë, me fjalët më të kuptueshme, më të zgjedhura dhe më kuptimplota. Madje, për çështjet më të rëndësishme Kur'ani sjell sqarime të përsëritura, që ato të jenë të pranishme vazhdimisht në zemrat tona. Të tilla janë zemrat: ato kanë nevojë që t’i kujtojnë vazhdimisht çështjet madhore. Allahu i Madhëruar i përsërit këto mesazhe me formulime e fjalë të ndryshme dhe duke sjellë fakte e argumente të larmishme, në mënyrë që ato të zënë rrënjë të thella në zemër. Nëse zënë vend mirë në zemrën e besimtarit, këto mesazhe e mësime do të bëjnë që prej tyre të rrjedhin vepra të mira dhe udhëzimi të bëhet i palëkundur. Në varësi të ngulitjes së këtyre mësimeve në zemrën e besimtarit do të jetë edhe udhëzimi e mirësia. Përmes fjalëve të pakta e të qarta, Allahu i Madhëruar sjell kuptime të shumta dhe të gjera, të cilat shërbejnë si rregulla e parime themelore për arritjen e çdo mirësie dhe shpëtimin nga çdo e keqe. Të tilla janë ajetet që do të vijnë më pas. Në to sillen urdhëresa, ndalesa e porosi themelore. Duke qenë se Kur'ani është

qartësim për gjithçka, atëherë ai është argument i pakundërshtueshëm për të gjithë njerëzit dhe ata e kanë detyrë të nënshtrohen e të jetojnë sipas tij. Asnjë jobesimtar dhe njeri i padrejtë nuk do të mund të shfajësohet tek Zoti. Muslimanët, nga ana tjetër, ndriçohen e përfitojnë nga ky udhëzim. Kur'ani është dritë e udhërrëfyes, përmes të cilit ata ndriçohen në çështjet e kësaj jete dhe tjetrës. Gjithashtu, Kur'ani është mëshirë për ta, përmes së cilës do të arrijnë mirësitë në të dyja jetët. Udhëzimi dhe mëshira mundësohen përmes diturisë së dobishme e korrekte dhe punëve të mira sipas kësaj diturie. Në fakt, mëshira që sjell Kur'ani del qartësisht përmes shpërblimit dhe mirësive të shumta në këtë botë dhe në tjetrën që ai i ofron njeriut. Kur'ani është mëshirë e dhuruar nga Zoti, sepse ai rregullon zemrat, i pastron e përmirëson ato, u sjell paqe dhe qetësi. Ai është mëshirë, sepse plotëson logjikën, e cila mund të kompletohet veçse duke medituar në kumtet e tij, që, pa dyshim, janë më të lartat. Kur'ani është mëshirë, sepse edukon bartësit dhe besimtarët e tij në punët më të mira, në moralet më të larta dhe në virtytet më të mrekullueshme. Është mëshirë, gjithashtu, sepse ai shton begatitë dhe sjell epërsi mbi armiqtë, qoftë në fjalë apo vepra. Zbatimi i Kur'anit sjell kënaqësinë e Allahut dhe sjell nder për besimtarin. Ai e sjell njeriun shumë pranë bujarisë së madhe të Allahut të Lartësuar, në shpërblimin e përgatitur në Xhenet, ku ndodhet mirësia e përtejshme, që e di veçse Zoti i botëve.