Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 17:9–17:22

Kur'ani është i vetmi udhëzim për rrugën më të drejtë e më të sigurt dhe rrëfyes për shpërblimet e ndëshkimet që do të pasojnë në bazë të veprave të bëra.

Njeriu në përgjithësi është i ngutshëm dhe, duke mos menduar për pasojat, ndodh që të lutet për keq, për vete apo për ndonjë tjetër të afërt e të dashur, por Zoti i madhëruar, nga mëshira e Tij nuk ia pranon lutjen për keq, duke e ditur se pas pak kohe do të pendohet pse është ngutur.

Vetëm mjeshtëria e përsosur e Zotit ka ditur ta errësojë natën për pushimin e njerëzve, e ta ndriçojë ditën për angazhimin e tyre për jetesë.

Jeta e njeriut i përngjanë fluturakës në relacion prej pikënisjes e deri në aterim. Gjatë atij relacioni shënohet gjithçka dhe ai shënim më vonë lexohet. Ashtu gjatë tërë jetës së njeriut mbahet shënimi i veprave që në ditën e gjykimit t'i lexojë ai vetë.

Secili njeri është përgjegjës i punës së vet, askush nuk do të shpërblehet prej punës së tjetrit, e as nuk do të ndëshkohet. Nëse dikush ka qenë iniciator i ndonjë pune e tradite të mirë, ai do të shpërblehet edhe prej punës së atyre që e punojnë atë, por në realitet ajo është punë edhe e iniciatorit, e kështu është edhe me iniciatorin e së keqes.

Zakonisht pasanikët, paria, njerëzit me pozitë janë ata që shkelin normat e Zotit, ngase e ndiejnë veten më të pavarur, andaj afër tyre i zë sherri edhe të tjerët, kur është fjala për këtë botë.

Të dhënat e Zotit nuk janë të kufizaura për palë njerëzish, ato janë të dedikuara për të gjithë njësoj, por duhet pasur kujdes në përgatitje për botën tjetër, për jetën e pasosur, pse të mirat e kësaj bote, sado që të jenë të këndshme, janë kalimtare, e nuk bën të humbet e përjetshmja për të përkohshmen. Edhe në këtë botë ekzistojnë dallime, dikush i pasur tjetri i varfër, dikush i dijshëm e tjetri jo aq. Kjo është një fshehtësi, të cilën nuk mund ta zbulojnë mendjet.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 17:22

- Mos adhuro asnjë zot tjetër me Allahun, se do të bëhesh i qortuar e i braktisur! - Ky urdhër u drejtohet atyre që janë të përgjegjshëm ligjërisht ( mukel-lef). Domethënë, o njeri i përgjegjshëm, kurrë mos adhuro tjetër si zot dhe mos i shoqëro Allahut asnjë dhe asgjë si ortak! Nëse e bën këtë, atëherë do të bëhesh i qortuar, për shkak të idhujtarisë. Përveç kësaj, do të jesh edhe i braktisur, sepse Zoti yt nuk do të të ndihmojë, por do të të lërë në “mëshirë” të atyre që ti shoqëron Atij si ortakë, por që nuk kanë në dorë as dëm e as dobi. Ai që ka në dorë dëmin dhe dobinë është vetëm Allahu dhe Ai nuk ka ortakë në këtë pushtet. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ibn Mesudi, se i Dërguari i Zotit ka thënë: 1662. “Nëse dikush ka rënë në varfëri të madhe dhe ai u ankohet njerëzve për të, problemi nuk ka për t’iu zgjidhur. Por nëse i ankohet (e kërkon ndihmën e) Zotit për të, Ai ka për t’i a sjellë pasurinë, herët apo vonë.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 17:22

Kurrë mos u bëj pjesë e atij besimi që thotë se ndonjë prej krijesave meriton të adhurohet dhe mos i bëj shok Zotit ndonjë nga këto krijesa! Kjo është një vepër e ulët dhe e dënueshme, që sjell veçse poshtërim e ndëshkim. Vetë Allahu i Madhëruar, melekët e Tij dhe të gjithë të dërguarit e Tij e kanë ndaluar idhujtarinë dhe i kanë kërcënuar ashpër ata që bëjnë vepra idhujtarie. Idhujtarët kanë cilësitë më të shëmtuara. Çdo njeri që lidhet me dikë tjetër veç Allahut ka për t’u dëshpëruar dhe do të braktiset nga idhulli i tij. Në varësi të braktisjes së besimit të vërtetë dhe mosmbështetjes tek Zoti do të jetë edhe braktisja dhe dështimi i këtyre njerëzve. Ai që e lidh zemrën me diçka tjetër veç Zotit, ka për t'u lënë në mëshirën e asaj që ia ka dorëzuar zemrën, pra, ka për të përfunduar i pashpresë, i dështuar, i braktisur e pa përkujdesin e Zotit, sepse dihet se asnjë krijesë nuk mund t’i sjellë dobi një krijese tjetër, pa lejen e Zotit. Nga ajeti kuptohet qartë se, çdokush që lidhet me diçka tjetër veç Zotit është i dështuar dhe ka për të mbetur i braktisur dhe pa ndihmën e Zotit. Por kuptohet gjithashtu, se çdokush që ia përkushton fenë, besimin dhe adhurimet me sinqeritet vetëm Allahut dhe e lidh zemrën veçse me Të dhe me askënd tjetër veç Tij, ai ka për të qenë i lavdërueshëm, i ndihmuar e mbështetur nga Zoti, në të gjitha çështjet dhe gjendjet e tij.