Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 17:23–17:39

Pesha e rëndësisë së respektit ndaj prindërve, vërehet në atë se Zoti xh. sh. ka kërkuar menjëherë pas adhurimit ndaj Tij, respektimin ndaj prindërve. Kujdesi ndaj tyre kërkohet sidomos kur ata përjetojnë pleqërinë dhe bëhen të paaftë. Nuk lejohet kurrsesi ndonjë fjalë e rëndë që i prek ata, e veçanërisht kur ajo ka për qëllim hidhërimin e tyre.

Kërkohet kujdes edhe ndaj të afërmve, të varfërve dhe ndonjë të mbeturi në rrugë, e nëse nuk ka njeriu me çka t'u ndihmojë, atëherë ata duhet përcjellë me fjalë të mira.

Shpenzimet e panevojshme janë të ndaluara, e posaçërisht ato të kota që nuk i sjellin dobi askujt, ose ato në rrugë të këqija, sepse me ato shpenzime ndihmohet rruga e shejtanit.

Njeriu nuk duhet të jetë koprrac, por jo edhe tepër shpenzues. Thuhet se një grua e dërgon vajzën e vet të kërkojë nga Pejgamberi herkën - xhyben e tij, e derisa atë nuk e pati, ia dha këmishën e vet, por mbeti ulur në shtëpi dhe nuk mundi të dalë për namaz në xhami. Ky ishte shkaku i shpalljes së këtij ajeti.

Nga frika se do të varfërohen, që do të thotë se ende nuk i kishte kapur varfëria, disa xhahila arabë mbytnin vajzat e posalindura.

Furnizimi (rrizku) është i garantuar prej Zotit, Ai sipas dijes së Vet u jep njerëzve aq sa duhet.

Zinaja - kurvënia është ves i ndytë dhe shtazarak, me pasoja të mëdha.

Kujdestari, trashëgimtari i të mbyturit pa faj, ka të drejtë të kërkojë përmes drejtësisë hakmarrjen: të mbytet — — fajtori, të paguajë gjakun ose t'ia falë. Këtë të drejtë ia ka dhënë Zoti, andaj ai nuk ka të drejtë të tejkalojë kufijtë e drejtësisë.

Ndaj pasurisë së jetimit duhet pasur kujdes, duhet ruajtur atë dhe brenda mundësive edhe duhet shtuar.

Tregtarët kanë përgjegjësi të madhe nëse bëjnë hile në matjen dhe në peshimin e gjësendeve.

Mos thuaj e pashë, pa e parë mirë, e dëgjova ose di pa e ditur mirë, pse për gjithë këtë ke përgjegjësi para Zotit.

Mendjemadhësia është e urrejtur edhe prej njerëzve edhe prej Zotit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 17:39

- Këto (ajete) janë nga urtësia, që Zoti yt ta shpalli ty. - Si porositë për të pasur virtyte të larta, ashtu edhe ndalesat nga veprat e ulëta, janë pjesë e kësaj Shpalljeje të urtë, që Ne ta dhuruam ty, o Muhamed, që ti t’ua përcjellësh njerëzve. - Mos adhuro veç Allahut ndonjë zot tjetër, që pastaj të hidhesh në Xhehenem si fajtor dhe i dëbuar. - Ky ajet i drejtohet Profetit, por qëllimi është tek umeti i tij, sepse Profeti i Zotit nuk do ta bënte kurrë diçka të tillë, pasi ai ishte i ruajtur nga të tilla vepra.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 17:39

- Këto (ajete) janë nga urtësia, që Zoti yt ta shpalli ty. - Të gjitha këto ligje dhe dispozita të mrekullueshme që të sqaruam janë pjesë e Shpalljes dhe urtësive që Zoti të zbriti. Urtësi janë të gjithë urdhrat për vepra të mira dhe moral të lartë, si dhe ndalesat nga punët e këqija dhe morali i ulët. Ato iu shpallën më të mirit dhe zotërisë së të gjithë profetëve, në më të mirin dhe më të zgjedhurin e librave, për të qenë udhëzim për më të mirin e popujve. Ato janë urtësia më e madhe që mund t’i dhurohet dikujt. Atij që i është dhuruar kjo urtësi i është dhënë mirësi e madhe. Në fund të këtyre urtësive, Zoti e mbyll me një ndalesë të fortë: me ndalimin e shirkut, ashtu sikurse nisi në fillim: - Mos adhuro veç Allahut ndonjë zot tjetër që pastaj të hidhesh në Xhehenem si fajtor dhe i dëbuar. – Do të futesh në Zjarr, ku do të qëndrosh përjetësisht. Ai që i bën shok Zotit, e ka të ndaluar të futet në Xhenet, por do të jetë në Zjarr. Atje do të jetë “si fajtor dhe i dëbuar”, pra, i mbuluar nga mallkimi i Allahut, melekëve dhe i të gjithë njerëzimit.