Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 17:49–17:60

Idhujtarëve u dukej e pamundur ringjallja, nuk donin të vërtetonin ngase do të duhej përgjigjur për veprat e tyre të ndyta, i andaj sikur habiteshin nga thëniet e Kur'anit për një ngjarje të tillë. Kur'ani u thotë: do të ringjalleni dhe do t'i përgjigjeni thirrjes së Zotit për t'iu prezentuar Atij dhe atëherë do ta madhëroni Atë dhe do të kuptoni se kjo jetë ka qenë shumë e shkurtër, pos i është vonë. Besimtarët porositen të kenë kujdes për fjalën që e thonë, pse nëpërmjet fjalës së keqe, shejtani nxit armiqësi mes njerëzve, pra duhet ta ruajnë afërsinë mes vetes. Zoti e di më së miri se kush do të besojë e kush jo, e di se kë është dashur ta dërgojë pejgamber, cilin ta gradojë më shumë. Këto janë punë të Zotit, andaj Muhammedi është vetëm udhëzues, e nuk është në kompetencën e tij t'i bëjë njerëzit të besojnë. Përmendet Davudi ngase jehuditë patën thënë se nuk ka as pejgamber pas Musait as libër pas Tevratit.

Dikush adhuronte engjëjt, dikush Uzejrin, e dikush Isain, e nuk e dinin se vetë këta të adhuruar të përmendur, përpiqeshin të gjejnë rrugën më të mirë në lutjet e tyre për t'iu afruar sa më afër Zotit Krijues, përpiqeshin ta fitojnë mëshirën e Zotit dhe gjithnjë ia kishin frikën dënimit të Tij.

Jobesimtarët kërkonin mrekulli konkrete prej Muhammedit, e Zoti i thotë: "Ne nuk na pengon asgjë që të sjellim ty mrekulli, i por nëse mrekullia nuk respektohet, atëherë pason dënimi dhe shkatërrimi, sikurse i shkatërruam popujt e mëparshëm, e edhe ata Themud, popullin e Salihut, e popullin tënd, Muhammed, nuk do ta shkatërrojë me fenomene të natyrës, ata që nuk do të besojnë Ty, do të pësojnë disfatë prej besimtarëve të tu, ose do të mbeten të dënohen me zjarr në botën tjetër.

Zoti me dijen e Vet të pakufisme e di se kush do të besojë e kush jo, edhe sikur t'u sillte mrekullitë që i kërkuan. Disa prej tyre nuk besuan Miraxhin, e kur u tha Muhammedi se në xhehenem është një pemë që quhet "Zekkum",Ebu Xhehli bëri tallje dhe u tha kurejshitëve: Muhammedi po ju frikëson me pemën Zekum, a dini çka është Zekumi" Është hurma dhe ulliri, pastaj I thirri shërbëtoren t'ju sillte dhe të ushqehen me to në shenjë talljeje. Kjo pemë e mallkuar është e përmendur në Kur'an i si ushqim i atyre që do të jenë në xhehenem, e që do t'u copëtojë mushkëritë ngrënia e saj. E qe, nuk besuan mrekullitë e Pejgamberit, pse shejtani gjithnjë i ka mashtruar njerëzit, ngase është betuar se është armik i tyre.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 17:60

- Kujto kur Ne të thamë: “Zoti yt i ka përfshirë të gjithë njerëzit. - Allahu i Lartësuar e nxit Profetin që ta kumtojë mesazhin e Tij ndër njerëz. Ai e njofton se ka për ta mbrojtur prej njerëzve dhe se të gjithë janë nën pushtetin e Tij: “Zoti yt i ka përfshirë të gjithë njerëzit.” Domethënë, Allahu të mbron prej tyre. - Atë pamje që ta treguam dhe pemën e mallkuar të përmendur në Kur ’an, Ne i

bëmë veçse si sprovë për njerëzit. - Buhariu sjell nga Ibn Abasi shpjegimin: “Ajo ishte një pamje, që ai e pa me sytë e ballit, natën e Israsë dhe miraxhit, kur u ngrit në qiell. Ndërsa “pema e mallkuar”, e përmendur në ajet, është pema e Zekkumit.” Kështu e kanë transmetuar Ahmedi, Abdurezaku e të tjerë, nga Sufjan Ibn Ujejne, me version të ngjashëm. Po kështu e sjell edhe Aufi nga Ibn Abasi. Për shumë muslimanë, që e patën njohur të vërtetën, kjo ngjarje u bë sprovë, aq sa ata e mohuan atë, edhe pse nuk patën njohuri të mjaftueshme rreth saj. Kjo ndodhi, sepse mendjet dhe zemrat e tyre nuk arritën ta kapnin mrekullinë e Israsë dhe shenjat e jashtëzakonshme që Profeti dëshmoi gjatë saj. Ndërsa për shumë të tjerë, kjo ngjarje e mrekullueshme u bë shkak për forcimin e besimit dhe të sigurisë te Zoti. I Lartësuari thotë për këtë ndodhi madhështore: “Ne i bëmë veçse si sprovë për njerëzit.” Të gjithë ata të cilët thonë se fragmenti: “Atë pamje që ta treguam...” flet për udhëtimin e Israsë dhe Miraxhit, shpjegojnë se fjala e Allahut “...dhe pemën e mallkuar” flet për pemën e Zekkumit. Këtë mendim e ka përzgjedhur edhe Ibn Xheriri, i cili ka shtuar: “Për këtë tregon unanimiteti i selefëve ekspertë të tefsirit për fjalën e Allahut: “Atë pamje që ta treguam dhe pemën e mallkuar të përmendur në Kuran...”. - Ne i frikësojmë ata... - Ne i frikësojmë mohuesit e besimit të vërtetë nëpërmjet kërcënimeve me ndëshkim dhe vuajtje. - po kjo nuk u shton atyre asgjë tjetër, përveç rebelimit. - Ata vazhdojnë të thellohen në mohimin e të vërtetës, në rrugët e devijimit, harresës dhe humbjes. Ky është një dënim i merituar, që ua jep Allahu. Megjithatë, Allahu është më i ditur.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 17:60

- Kujto kur Ne të thamë: “Zoti yt i ka përfshirë (me diturinë e pushtetin e Tij) të gjithë njerëzit. - Allahu i Madhëruar përfshin gjithçka me diturinë dhe pushtetin e Tij. Krijesat nuk kanë ku të gjejnë strehim e mbrojtje që t’i mbrojë nga Zoti. Ky mesazh është i mjaftueshëm për këdo që ka mend, që ai të largohet nga ato gjëra që Zoti nuk i do. Një i mençur kurrë nuk do të lejonte që të zemëronte Atë që di dhe ka nën sundimin e Tij gjithçka. - Atë pamje që ta treguam dhe pemën e mallkuar të përmendur në Kur'an, Ne i bëmë veçse si sprovë për njerëzit. - Shumica e mufesirinëve janë të mendimit se këtu bëhet fjalë për atë që Profeti pa gjatë udhëtimit të Israsë. Ndërsa “pema e mallkuar” është pema e Zekumit, që mbin në tabanin e Xhehenemit. Të dyja këto u bënë një provë shumë e fortë, që i bëri mohuesit e të vërtetës edhe më këmbëngulës dhe më të shfrenuar në mohimin e tyre. Ndërsa disa prej atyre që ishin me iman të dobët u tronditën fort, sepse ato ishin ngjarje të jashtëzakonshme e të pabesueshme në dukje. Edhe njoftimi për një pemë që mbin mu në taban të zjarrit të Xhehenemit është diçka e jashtëzakonshme. E si mund të mbijë një pemë e lagësht, e djegshme dhe të jetojë në mes të zjarrit?! Vetëm tregimi për udhëtimin e Israsë dhe për pemën në Xhehenem i bëri mohuesit që ta kundërshtonin edhe më tepër Profetin. Po si do të reagonin ata fatzinj nëse do të dëgjonin për ngjarjet e tjera të jashtëzakonshme që dëshmoi Profeti (a.s)?! Sigurisht që ata do ta tepronin edhe më tepër me sherrin e tyre. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar i mëshiroi dhe u kujdes që sherri i tyre të mos e kalonte masën. Në Kur'an dhe në Sunet nuk u përmendën shumë gjëra që do të ndodhnin në të ardhmen. Mospërmendja e tyre ka urtësi dhe është më mirë për krijesat. Shumë gjëra të cilat nuk kishin shembull në atë epokë kur zbriste Shpallja, po të përmendeshin atëherë, do të bënte që zemrat e njerëzve t’i mohonin. Madje, edhe zemrat e besimtarëve do të lëkundeshin. Kjo do t’i largonte njerëzit nga pranimi i Islamit e nga nënshtrimi ndaj besimit të vërtetë. Atëherë, Allahu i Madhëruar ka përmendur vetëm me terma të përgjithshme atë që pritet të ndodhë. Kohë pas kohe, Ai sjell shenja për të frikësuar njerëzinë: - Ne i frikësojmë ata, po kjo nuk u shton atyre asgjë tjetër, përveç rebelimit. - Por atyre kjo ua shton edhe më tepër shfrenimin dhe padrejtësitë. Vëreni me kujdes! Allahu thotë se kjo ua shton më tepër rebelimin, për të treguar se sa të zhytur janë ata në ligësi dhe sa shumë e duan të keqen, sa e urrejnë të mirën dhe sa shumë e refuzojnë nënshtrimin ndaj Zotit. Aq shumë e urrejnë të vërtetën dhe nënshtrimin, saqë tejkalojnë kufijtë duke bërë të kundërtën.