U kthyen rrugës që kishin shkuar deri te vendi ku kishin pushuar dhe ku e kishin humbur peshkun. E gjetën një njeri që ishte mbuluar me një petk e Musai i dha selam. E ai i tha: Kah në këtë tokë selam, kush je ti? Unë, tha, jam Musai i beni israilëve, erdha të më mësosh nga çka të ka mësuar Zoti, nëse më lejon të vijë shok me ty. Ai i tha Musait se ty të ka dhënë Zoti dituri çka unë nuk di, e mua më ka dhënë çka ti nuk di, andaj nuk do të mund të jesh i durueshëm i ndaj punëve që i bëj unë, ndonëse qëndrimi yt është i drejtë derisa nuk je i njohur për fshehtësitë I e çështjeve. Pasi që Musai shprehi gatishmërinë e tij për të qenë i durueshëm, ai e pranoi ta shoqërojë, po me kusht që të mos pyet për asgjë, deri që ai vetë ti tregojë.
U nisën të ecin bregut të detit: atypari kaloi një anije dhe këta kërkuan të hipnin në të, Ata e njohën Hidrin dhe i hipën pa pagesë. Duke lundruar anija në det, Hidri me një sëpatë ia hoqi një dërrasë anijes, prej nga filloi të depërtojë uji, por pronarët e anijes, disi e mbyllën atë vend. Musai i harroi kushtet dhe i bëri vërejtje për këtë. Derisa u arsyetua me harrëse, ai e lejoi që edhe mëtej ta shoqërojë. Rrugës takuan disa fëmijë duke luajtur, e njërin prej tyre Hidri e mbyti. Këtu Musai u revoltua, ngase ishte kundër parimeve të fesë, andaj i bëri vërejtje edhe më të ashpër, por e luti që edhe kësaj radhe të mos e largojë. Vajtën në një fshat, kërkuan ushqim, por ata nuk u dhanë. Duke kaluar, hasën në një mur të shtrembëruar dhe shihej se do të rrëzohej e do ta mbyste ndokë. Hidri e drejtoi, e Musai i tha: përse nuk u kërkove shpërblim për këtë të mirë, i derisa ata nuk na dhanë ushqim"
Hidri i tregon prapavinë e atyre punëve. Derisa një sundues rrëmbente anijet e afta për interesin e vet, anija e atyre të varfërve do të shpëtojë si me të meta, e ata do ta rregullojnë shpejt dhe do të fitojnë shumë në mungesë I të anijeve të tjera. Djaloshi nuk do të bëhej i dobishëm, por i dëmshëm për prindërit që ishin shumë besimtarë i të mirë. Vdekja e tij ishte në dobi të vetë djaloshit, ngase nuk kishte bërë ende mëkate dhe si i tillë është i i shpëtuar, e prindërit do ta kenë një djalë më të mirë e të dobishëm. Sikur të rrëzohej muri, thesari i jetimëve do të mbetej në duar të huaja dhe do të humbej, e për hir të babait të tyre që kishte qenë i mirë, u dasht ta drejtoj atë, ashtu që kur të arrijnë pjekuri jetimët, e nxjerrin vetë thesarin e tyre. Këto ishin fshehtësi për Musain. Hidri nuk tha se i bëra këto punë nga mendja ime, por me urdhërin e Zotit. Nga kjo duhet marrë përvojë dhe duhet kuptuar se çdo send ose punë që neve na duket e keqe, nuk është ashtu, pra edhe çdo e mirë, nuk është krejt e mirë. Çdo gjë duhet mbështetur dijes së Zotit, Ai gjithnjë ia do të mirën besimtarit, andaj as nuk duhet dëshpëruar, as tepër gëzuar nga ngjarjet e ndodhitë, derisa nuk e dimë fundin e tyre. Këtë ngjarje e regjistron Buhariu dhe Muslimi, e Pejgamberi paska thënë: "Allahu e mëshiroftë Musain, kisha pasur dëshirë të kishte qenë i durueshëm e Allahu të na tregonte edhe më shumë rreth udhëtimit të tyre".
Me këtë gjithashtu duhet kuptuar se përveç pejgamberëve ka pasur edhe ka njerëz qe Zoti u dhuron njohuri të veçanta.
- “Për sa i përket murit, ai ishte i dy të rinjve jetimë të atij qyteti, e nën të ishte një thesar dhe babai i tyre kishte qenë njeri i mirë.” - Në këtë ajet ka argument se fjala el karje (fshat) mund të përdoret me kuptimin el medine (qytet, qytezë). Në fillim, Allahu i Lartësuar thotë: “Vazhduan udhëtimin, derisa arritën te banorët e një fshati (el karje) e u kërkuan t’u jepnin ushqim.” Ndërsa këtu thotë: “Për sa i përket
murit, ai ishte i dy të rinjve jetimë të atij (el medine) qyteti...”. Po kështu, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Sa e sa (karje) qytete, që ishin shumë më të fortë se qyteti që të dëboi ty, Ne i shkatërruam dhe askush nuk u erdhi për ndihmë.” [Muhamed 13]. Këtu, fjala el karje është për qytetin e Mekës. Gjithashtu: “Pastaj (mohuesit kurejshë) thanë: “Përse të mos i zbriste ky Kuran një njeriu të madh (me famë) në këto (karjetejn) dy qytete (Meke dhe Taif) ?!”” [Zuhruf 31]. Pra, fjala el karje i referohet sërish qytetit të Mekës dhe të Taifit gjithashtu. Kuptimi i ajetit: “Unë e rregullova këtë mur, sepse ai ishte pronë e dy jetimëve, që jetonin në atë qytet dhe nën të ishte fshehur një thesar për ata të dy.” Ky është një kuptim i dukshëm nga ajeti dhe përzgjedhja e Ibn Xheririt (Allahu e mëshiroftë!). Allahu i Madhëruar thotë: “...dhe babai i tyre kishte qenë njeri i mirë.” Kjo tregon se edhe pasardhësit e njeriut të mirë janë të ruajtur. Bekimet dhe mirësitë që sjellin adhurimet e tij përfshijnë edhe pasardhësit e vet, si në jetën e dynjasë, ashtu edhe në ahiret, përmes ndërmjetësimit të tij për ta tek Zoti. Madje, Allahu i Madhëruar do t’i lartësojë edhe pasardhësit e tij, që të jenë në të njëjtën gradë të lartë të Xhenetit me të, që sytë dhe shpirti i tij të kënaqet me praninë e tyre në Xhenet. Një fakt i tillë është shtjelluar në Kur ’an dhe në Sunet. - “Prandaj, Zoti yt dëshiroi që ata dy (jetimë) ta arrinin pjekurinë e tyre dhe ta nxirrnin vetë thesarin e tyre. ” - Vërej me kujdes se si, në këtë rast, kur foli për mirësinë e synuar për këta dy jetimë, e pikërisht për arritjen e moshës së pjekurisë, Hidri ia atribuoi këtë dëshirë e mirësi Zotit, duke thënë: “... Zoti yt dëshiroi që ata dy (jetimë) ta arrinin pjekurinë e tyre dhe ta nxirrnin vetë thesarin e tyre.”. Ai ia atribuoi këtë Zotit, sepse dhënia e jetës që ata të arrinin moshën e pjekurisë është vetëm në dorën e Zotit dhe realizohet veçse me dëshirën e Tij e të askujt tjetër. Ndërsa kur Hidri foli në lidhje me djaloshin që e vrau, tha: “Kështu deshëm që Zoti t’u jepte një tjetër fëmijë më të mirë, më të respektue - shëm dhe më të dashur.”. Po kështu, edhe kur foli për prishjen e anijes, tha: “Unë e bëra atë me cen, sepse përpara tyre ishte një sundues, që rrëmbente çdo anije (të rregullt)”, duke ia mveshur vetes këto veprime.6 - “Kjo ishte mëshira e Zotit tënd (ndaj tyre).” - Në të trija rastet, ishte veçse mëshirë nga Allahu për gjithë të përfshirët në to: pronarët e anijes, dy prindërit e djaloshit dhe dy fëmijët e mitur të njeriut të mirë. - “Dhe unë nuk bëra asgjë sipas dëshirës sime (por sipas udhëzimit të Zotit).” - Unë u urdhërova të veproja në këtë mënyrë, dhe pikërisht asaj iu përmbajta. Në këto ajete ka prova për ata që thonë se Hidri ishte profet. Ata argumentohen edhe me ajetin tjetër, ku Allahu e përshkruan Hidrin me këto fjalë: “Ata gjetën një nga robërit Tanë, të cilit i kishim dhuruar mëshirë dhe i kishim mësuar dituri të veçantë nga ana Jonë.” Disa njerëz pretendojnë se Hidri vazhdon të jetë i gjallë dhe tregojnë në lidhje me këtë tregime të shumta, por që asnjë prej tyre nuk është i vërtetë dhe i saktë. Ndër më të përhapurat e të njohurat janë hadithet e ashtuquajtura “hadithet e tea’zije-s”, por që të gjitha janë të pasakta me senede tepër të dobëta e të papranueshme. Shumë dijetarë kanë pohuar se Hidri tashmë ka vdekur, si çdo profet tjetër. Në lidhje me këtë, ata sjellin shumë argumente, ndër të cilat janë këto si vijon: Ajeti kuranor: “Ne, askujt (prej njerëzve) para teje nuk i dhamë përjetësinë (o Muhamed) . Atëherë nëse ti vdes, mos vallë ata do të jetojnë përgjithmonë?” [Enbija 34]. Gjithashtu, gjatë luftës së Bedrit, Profeti i Allahut ngriti duart nga qielli dhe u lut: 1747. “O Zot, nëse vriten ky grup (besimtarësh), nuk do të adhurohesh kurrë në Tokë!” Nuk është transmetuar që Hidri të ketë shkuar tek Muhamedi a.s. dhe as të ketë luftuar përkrah tij. Nëse do të ishte gjallë, do të ishte pa dyshim nga ndjekësit e Muhamedit dhe shoqëruesit e tij, sepse Muhamedi ﷺ u
dërgua për të gjithë njerëzit dhe xhindët. Madje, vetë Profeti ﷺ ka thënë: 1748. “Unë betohem në Allah se, nëse Musai do të ishte gjallë në mesin tuaj, t’i bëhej e detyrueshme të më pasonte mua dhe nuk do t’i lejohej që të devijonte nga rruga ime!” Pak kohë para se të ndërronte jetë, Profeti i Allahut tha: 1749. “Pas njëqind vjetësh, prej kësaj nate, nuk do të mbetet në faqen e Tokës prej atyre që janë gjallë tani, asnjë sy që pulitet (pra, asnjë i gjallë)”, e shumë argumente të tjera. Në Sahih-un e Buhariut, prej Ebu Hurejras përcillet se Profeti i Allahut ka thënë: 1750. “Hidri u quajt me këtë emër (Hidër - Gjelbërim), sepse kur ai ulej në një tokë me bimësi të thatë, ajo menjëherë çelte plot gjelbërim.” Fjala “ el feruetu ” e përmendur në hadith është bari i tharë. Kështu e ka shpjeguar Abdurrezaku. - “Ky, është sqarimi për ato gjëra, për të cilat nuk pate durim. ” - Ky është shpje - gimi për ato raste, për të cilat u ngushtove aq shumë dhe nuk pate durimin të presësh, derisa unë vetë të të rrëfeja. Vëreni me kujdes fjalët në ajet. Pasi Hidri ia sqaroi çështjet, i tha Musait: “Ky, është sqarimi për ato gjëra, për të cilat nuk pate durim.” Fjala e përdorur është “ lem testi’ alejhi sabra” (nuk pate durim). Ndërsa përpara sqarimit, kur paqartësia ishte e madhe dhe Musai kurrsesi nuk mund të kishte durim, i tha: “Tani unë do të të tregoj për dome - thënien e atyre gjërave për të cilat nuk munde të kesh durim!” Në këtë rast tha: “lem testati’ alejhi sabra”. Mes “testi’” dhe “testati’” (në arabisht) ka ndryshim. Për se - cilin rast përdoret termi i përshtatshëm. Po kështu ndodh edhe në ajete të tjera, si për shembull, kur Allahu flet për pendën e ndërtuar nga Dhul Karnejni kundër jexhuxh mexhuxhëve: “Në këtë mënyrë, ata nuk mund ta kapërcenin atë e (kurrsesi) nuk mund ta çanin më .” Kështu, kapërcimi i pendës është më i thjeshtë sesa shpimi e çarja e saj. Prandaj për kapërcimin e pendës thotë: “ ma stau nuk mund ta kapërcenin”, ndërsa për çarjen e saj tha: “ma s tetau “(kurrsesi) nuk mund ta çanin më .” Për secilin rast është fjala e duhur. Megjithatë, Allahu është më i ditur.
- Musai i tha djaloshit që e shoqëronte: “Nuk do të ndalem derisa ta arrij në vendtakimin e dy deteve, edhe sikur të më duhet të udhëtoj shumë gjatë.” -
Allahu i madhëruar na sjell historinë e Musait dhe dëshirën e madhe të tij për kërkimin e diturisë dhe mirësisë. Ai i tha djaloshit që i shërbente gjithmonë të përgatitej për udhëtim. Ky ishte Joshua ibn Nun, që më pas Zoti e bëri profet. Musai i tha atij: “Nuk do të ndalem së ecuri derisa ta arrij në vendtakimin e dy deteve, edhe sikur të më duhet të vazhdoj një kohë të gjatë dhe pavarësisht nga vështirësitë”. Ky ishte vendi që, sipas Shpalljes që i ishte dhënë prej Zotit, atje Musai do të takonte një njeri të ditur, i cili dinte gjëra që ai nuk i dinte. Musai ishte i vendosur të vazhdonte këtë udhëtim, sado i gjatë të ishte, prandaj tha: “edhe sikur të më duhet të udhëtoj shumë gjatë”. Pra, edhe sikur të kaloj shumë peripeci. Nga ajeti kuptohet se Musai i tha ato fjalë nga dashuria dhe malli që kishte për diturinë. Ai ishte i vendosur për këtë, prandaj dhe u nis për udhë. - Kur arritën në vendin ku bashkoheshin dy detet, ata harruan fare për peshkun e tyre, i cili mori rrugën vetë e u fut në det. - Kur Musai dhe djaloshi mbërritën në pikëtakimin e dy deteve, panë një shenjë shumë të çuditshme. Peshku që kishin marrë me vete për ta ngrënë filloi të lëvizte dhe të drejtohej për në det. Në fakt, Musait i ishte thënë më herët se, vendi ku do të shihte një shenjë të tillë, ishte pikërisht vendi ku do të ndodhte edhe takimi me njeriun e ditur. Komentuesit e Kur'anit thonë se peshku u ngjall dhe nisi të lëvizte kur u lag nga uji i detit. - Pasi e kaluan atë vend, ai i tha djaloshit: “Na jep ushqimin, se na lodhi shumë ky udhëtim!” - Kur e kishin kaluar pikëtakimin e dy deteve, Musai i tha djaloshit: “Na jep ushqimin të hamë, se na lodhi shumë ky udhëtim!”. Kuptohet se ata e ndien lodhjen vetëm pasi kaluan pikëtakimin e deteve, ndërsa më përpara nuk e kishin ndjerë aspak rrugën. Kjo ishte një shenjë tjetër për Musain se pikërisht në atë vend gjendej ajo që kërkonin. Udhëtimin ua kishte lehtësuar gjithashtu edhe dëshira e madhe për atë që kërkonin. Kështu, kur filluan të ndienin lodhjen, djaloshi tha: - Ai (djaloshi) i tha: “E sheh? Kur qëndruam te shkëmbi, unë e harrova fare peshkun. Përveç shejtanit, askush tjetër nuk më pengoi që të ta kujtoja peshkun,... - Kur qëndruam për të kaluar natën te shkëmbi ku bashkohen dy detet, unë e harrova peshkun. Vetëm shejtani më bëri që të harroja. - ... që, në mënyrë krejt të çuditshme, u nis e fut vetë në det.” - Lëvizja e peshkut, që ishte tashmë i gatuar, dhe futja e tij në det ishte një shenjë e qartë. Komentuesit e Kur'anit thonë që, kur djaloshi i tha këto fjalë, Musai kujtoi premtimin e Allahut se, në vendin ku do të humbiste peshkun, atje do të gjente Hidrin, prandaj ai tha: - ““Atëherë, - tha Musai, - ai atje është vendi që ne po kërkojmë.” E kështu, ata u kthyen edhe njëherë andej nga kishin ardhur. - Kjo është ajo që po kërkojmë! - tha dhe u kthye me shpejtësi, duke ndjekur gjurmët e veta, për te vendi ku humbën peshkun. Kur mbërritën atje, gjetën Hidrin. - Ata gjetën një nga robërit Tanë, të cilit i kishim dhuruar mëshirë dhe i kishim mësuar dituri të veçantë nga ana Jonë. - Sipas mendimit më të saktë, Hidri ka qenë njeri i mirë e i devotshëm, por jo profet. Allahu i Madhëruar thotë për të: “...i kishim dhuruar mëshirë..” Allahu i kishte dhuruar mëshirë të posaçme nga ana e Tij, që të mund të shtonte diturinë dhe të bënte punë të mira. Allahu thotë gjithashtu: “...i kishim mësuar dituri të veçantë nga ana Jonë.” Pra, i kishte dhuruar disa njohuri të veçanta, që nuk ia kishte dhënë Musait, edhe pse Musai ishte më i ditur se ai në më të shumtën e gjërave, sidomos në çështjet e imanit dhe themelet e ligjit të Zotit, pasi ai ishte një nga pesë profetët më të zgjedhur. Nuk ka dyshim se këta pesë profetë Zoti i dalloi mbi të gjithë njerëzimin me dituri të madhe, me vepra të mira e me shumë veçori të tjera. Kur Musai u takua me të, iu drejtua plot edukatë dhe moral, për kërkesën e tij:
- Musai i tha atij (Hidrit): “A pranon të vij me ty, që të më mësosh diçka nga udhëzimi i drejtë që të është mësuar ty (nga Zoti ) ?” – A më lejon të të ndjek pas, që të mësoj prej teje diturinë që të ka mësuar Zoti? Kështu do të mësoj më shumë rreth atyre çështjeve që Zoti të ka mësuar ty. Allahu i kishte dhuruar Hidrit inspirim dhe e kishte nderuar duke i dhënë mundësinë të shihte qartë edhe disa çështje, që për të tjerët ishin të panjohura, madje edhe Musait (a.s). Atëherë, Hidri i tha Musait: - “Ai (Hidri) tha: “Sigurisht, ti nuk do të mund të kesh durim me mua. - Unë nuk e refuzoj kërkesën tënde, por ti nuk ke për të pasur durim me mua. Nuk do të mund të më ndjekësh, sepse do të shohësh gjëra që nuk do të kesh durim t’i përballosh. Ato janë çështje që, në pamje të parë duken si padrejtësi dhe krime, por në të vërtetë nuk janë të tilla. - E si mund të durosh për gjëra për të cilat nuk ke dituri?” - Si mund të durosh për një çështje që nuk e njeh në thelb apo në dukje dhe që nuk ia di qëllimin dhe përfundimin? Atëherë, Musai tha: - (Musai) Tha: “Në dashtë Allahu, do të shohësh se do të jem durimtar dhe nuk do të të kundërshtoj për asgjë.” - Kjo tregonte vendosmërinë e Musait përpara se të vinte sprova për të. Por vendosmëria për të duruar është diçka dhe durimi gjatë sprovës është diçka tjetër, prandaj Musai nuk arriti të bënte durim kur erdhi çasti. Hidri i tha: - Ai (Hidri) i tha: “Nëse më shoqëron, atëherë mos më pyet për asgjë, derisa unë vetë të të flas për të!”. - Mos më pyet dhe mos më qorto për atë që do të veproj, derisa të sqaroj unë vetë për gjithçka. Hidri ia ndaloi pyetjet dhe i premtoi Musait se do t’i jepte shpjegimet e nevojshme në kohën e duhur. - Dhe kështu ata u nisën. Kur hipën në anije, ai (Hidri) hapi një vrimë në të. - Hidri shkuli një nga dërrasat e anijes. Pas këtij veprimi fshihej diçka, që Hidri do ta sqaronte më vonë. Por Musai nuk duroi dhe ndërhyri, sepse ishte diçka që, në pamje të parë, dukej padrejtësi. Dëmtimi i anijes do të mbyste anijen bashkë me udhëtarët e saj. Musai tha: - “Ai (Musai) tha: “Mos vallë e hape vrimën që t’i fundosësh udhëtarët e saj? Me të vërtet bëre një punë shumë të keqe.” – Bëre një vepër të ndaluar dhe të dënueshme. Kjo ndërhyrje ishte tregues i padurimit të Musait (a.s). - (Hidri) Tha: “A nuk të thashë se nuk do të mund të kesh durim me mua?” – Domethënë, ndodhi pikërisht ashtu siç kishte paralajmëruar Hidri. Por Musai i tha se thjesht harroi, prandaj të mos e quante gjë të madhe: - “Mos më qorto për faktin që harrova – i tha ai (Musai) - dhe mos ma vështirëso këtë shoqërim!” – Musai e pranoi nxitimin e vet dhe kërkoi ndjesë. Hidri e fali dhe kështu vazhduan: - Ata vazhduan rrugën, derisa takuan një fëmijë, të cilin ai (Hidri) e vrau. – Ata vazhduan bashkë, derisa gjetën një djalë të vogël. Hidri e vrau këtë fëmijë. Atëherë, Musai u revoltua, kur pa që u vra një fëmijë i pastër nga gjynahet, i cili nuk kishte vrarë e lënduar asnjë njeri. - Ai (Musai) i tha: “Si e vrave një njeri të pafajshëm, që nuk kishte vrarë asnjë? Kjo që bëre është vepër shumë e shëmtuar.” - Rasti i parë ishte për shkak të harresës së Musait, ndërsa ky rast ndodhi prej padurimit të tij. Atëherë, Hidri i drejtohet Musait duke e qortuar dhe duke i rikujtuar kushtin: - Ai (Hidri) tha: “A nuk të thashë se vërtet ti nuk do të mund të kesh durim me mua?” - Ndërsa Musai i thotë Hidrit: - (Musai) Tha: “Nëse pas kësaj të pyes për ndonjë gjë, atëherë mos më lejo të të shoqëroj! Tashmë ke arsyetim ndaj meje (të mos më lejosh të të shoqëroj).” - Nëse të pyes më për ndonjë gjë pas kësaj, atëherë mos më lër të të shoqëroj dhe do të të jap plotësisht të drejtë.
- Vazhduan udhëtimin derisa arritën te banorët e një qyteti e u kërkuan t’u jepnin ushqim. Por, ata nuk i pranuan si mysafirë. - Ata u kërkuan që t’i pranonin si miq, por banorët e atij qyteti nuk deshën. - Aty gjetën një mur që gati po rrëzohej, e ai (Hidri) e ngriti atë. - Muri gati po rrëzohej, se ndoshta ishte tejet i amortizuar. Hidri e ngriti sërish murin, duke e bërë më të fortë. Musai i tha: - (Musai) Tha: “Sikur të kishe dashur, do t’u merrje shpërblim për këtë...” - Kur u kërkuam të na prisnin, ata nuk pranuan, edhe pse e kishin për detyrë mikpritjen. Ndërsa ti ua ndërton murin falas, pa u kërkuar shpërblimin për punën e bërë. Ti e ke mundësinë që t’u kërkosh atyre hakun e punës. Kështu, Musai nuk iu përmbajt fjalës që kishte thënë në fillim. Tashmë Hidri kishte vërtet arsye që të mos e lejonte më Musain ta shoqëronte në udhëtimin e tij, prandaj i tha: - Ai (Hidri) tha: “Kjo është koha e ndarjes mes nesh. - Ishe vetë ti që ia vendose si kusht vetes që do të bëje durim, prandaj tani nuk ke më justifikim. Kështu merr fund shoqërimi me mua. - Tani unë do të të tregoj për domethënien e atyre gjërave për të cilat nuk munde të kesh durim!” - Tani do t’i shpjegoj të gjitha ato raste, qëllimin dhe përfundimin e tyre. - Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e disa të varfërve që punonin në det. Unë e bëra atë me cen, sepse përpara tyre ishte një sundues, që rrëmbente çdo anije (të rregullt). - Për sa i përket anijes, që e çava duke i hequr një dërrasë, kjo vepër kishte qëllim dhe përfundim të mirë. Anija u takonte disa të varfërve, që punonin në det. Sigurisht, njerëz të tillë duhet t’i ndihmosh, dhe unë desha t’i ndihmoja. Ata do të kalonin pranë një sunduesi të padrejtë, i cili e rrëmbente çdo anije të mirë dhe të fortë. Kështu, unë e çava atë, që ajo të ishte me defekt dhe të shpëtonte nga duart e atij zullumqari. - Sa i përket djaloshit, dy prindërit e tij ishin besimtarë... - Ndërsa ai djali i vogël, që i mora jetën, ishte biri i dy prindërve besimtarë dhe të mirë. - ...prandaj patëm frikë se ai do t’i çonte ata në humbje e në mosbesim. - Ishte caktuar nga Zoti që, ky djalosh, kur të rritej, të bëhej i keq dhe t’i mundonte prindërit me padrejtësitë e tij. Madje, ai do t’i detyronte edhe ata të dy që të mohonin Zotin, qoftë për shkak të dashurisë për të, nga nevoja për të, qoftë për çdo lloj shkaku tjetër. Duke qenë se e dija këtë fakt, unë e vrava atë, që të shpëtoheshin prindërit e tij të mirë e besimtarë dhe besimi i tyre i pastër. E ku ka dobi më të madhe sesa kjo? Kjo vepër duket e keqe, por Allahu do t’u japë atyre pasardhës të tjerë, më të mirë se ai:
- Kështu deshëm që Zoti t’u jepte një tjetër fëmijë më të mirë, më të respektueshëm dhe më të dashur. - Allahu do t’u japë një djalë të mirë, që respekton prindërit e farefisin, ndryshe nga i
pari, i cili do t’i mundonte me padrejtësitë e tij dhe do t’i shtynte edhe ata në mosbesim. - Përsa i përket murit, ai ishte i dy djelmoshave jetimë të atij qyteti, e nën të ishte një thesar dhe babai i tyre kishte qenë njeri i mirë. Prandaj, Zoti yt dëshiroi që ata dy (jetimë) ta arrinin pjekurinë e tyre dhe ta nxirrnin vetë thesarin e tyre. - Muri që rregullova ishte i dy jetimëve, që kishin nevojë për kujdes. Ata ishin të vegjël dhe nuk kishin njeri që të kujdesej për ta. Allahu donte t’i ruante dhe t’i ndihmonte ata edhe për shkak të dy prindërve të tyre, të cilët ishin besimtarë të mirë. Poshtë tij, ata kishin një thesar, ndërsa babai i tyre ishte njeri i mirë. Kështu, Zoti yt deshi që ata dy, kur të arrinin moshën e pjekurisë, ta nxirrnin vetë thesarin e tyre. – Kështu, kur të vijë koha që ata të piqen dhe të bëhen të aftë për vetveten, Allahu do ta shembë murin dhe do ta nxjerrë jashtë thesarin, për ta marrë jetimët. - Kjo ishte mëshira e Zotit tënd (ndaj tyre). - Kjo që unë bëra ishte si mëshirë nga Zoti yt, i cili e bëri të realizohej nëpërmjet meje. - Dhe unë nuk bëra asgjë sipas dëshirës sime (por sipas udhëzimit të Zotit) . – Unë nuk bëra asgjë nga vetja ime. Gjithçka ishte e urdhëruar nga Allahu dhe një shenjë mëshire nga Ai. - Ky, është sqarimi për ato gjëra, për të cilat nuk munde të kesh durim. – Ky ishte kuptimi i atyre ngjarjeve, që nuk pate durim të prisje për ta treguar. Kjo histori e mrekullueshme dhe e çuditshme përmban shumë mësime, ligje dhe dispozita shumë të rëndësishme. Ne do të përmendim disa prej tyre, me lejen dhe ndihmën e Allahut të Lartësuar: 1. Rëndësia dhe vlera e lartë e diturisë dhe e udhëtimit për kërkimin e saj. Kjo konsiderohet ndër çështjet më të rëndësishme dhe më të shpërblyeshme. Vetë Musai, ky profet i zgjedhur, ndër më të mirët e profetëve udhëtoi gjatë në kërkim të diturisë dhe kaloi shumë vështirësi, për hir të kësaj çështjeje të rëndësishme. Madje, ky qëllim i lartë e bëri që, gjatë kësaj kohe, ai të largohej nga bijtë e Izraelit dhe t’i ndërpriste mësimet që u jepte atyre. Musai zgjodhi kërkimin e diturisë për vetë vlerën dhe shpërblimin e lartë të kësaj vepre të mirë. 2. Është e udhës që të fillohet me gjërat më të rëndësishme dhe pastaj ato më pak të rëndësishme. Shtimi i diturisë është më i rëndësishëm sesa qëndrimi në të njëjtin nivel. Angazhimi me mësimin e të tjerëve, duke lënë veten në vend -numëro, nuk është zgjedhja më e mirë. Harmonizimi i të dyja mirësive sigurisht që është gjëja më e përkryer. 3. Lejohet marrja e një shërbëtori ose ndihmësi për të përballuar vështirësitë dhe punët e mëdha, kur je në udhëtim ose jo. Qëllimi mund të jetë për të lehtësuar vështirësitë, por edhe për të kërkuar rehatinë, ashtu siç veproi Musai (a.s). 4. Udhëtari në kërkim të diturisë ose për xhihad, ose edhe për qëllime të tjera të mira, nëse gjykon se është më e dobishme ta shfaqë hapur qëllimin, atëherë mund ta bëjë. Disa nga këto dobi janë: përgatitja më e plotë për atë punë, marrja e masave dhe dhënia kurajo vetes për ta kryer sa më mirë. Në këtë mënyrë del në pah edhe vlera e lartë e këtyre adhurimeve. Musai e kishte vendosur ta bënte udhëtimin dhe e tha haptazi këtë. Po kështu veproi edhe Profeti (a.s) kur vendosi të nisej për në luftën e Tebukut. Edhe pse e kishte zakon që të fshihte qëllimet e tij kur nisej për luftë, për atë betejë Profeti (a.s.) veproi ndryshe, sepse ashtu ishte më e dobishme. Kjo bëhet gjithmonë në varësi të situatës. 5. Atribuimi i ligësive dhe shkaqeve të tyre shejtanit të mallkuar, sepse është ai që nxit për të këqijat dhe ua zbukuron njerëzve ligësinë. Nuk ka dyshim se çdo gjë ndodh veçse me kaderin dhe dëshirën e Zotit, por për sa i përket nxitjes për të këqija është shejtani ai që e bën këtë. Kështu veproi djaloshi i Musait, kur tha: “E sheh? Kur qëndruam te shkëmbi, unë e harrova fare peshkun. Përveç shejtanit, askush tjetër nuk
më pengoi që të ta kujtoja peshkun, që, në mënyrë krejt të çuditshme, u nis e fut vetë në det.” 6. Lejohet që njeriu të tregojë për nevojat e natyrës së tij njerëzore, si uria, etja, lodhja, nëse bëhet jo për të treguar pakënaqësi dhe as duke gënjyer. Musai tha: “Na jep ushqimin tonë, sepse u lodhëm shumë nga ky udhëtim!” 7. Shërbëtori ose punëtori duhet të jetë i mençur, i shkathët dhe i vëmendshëm. Këto janë cilësi të pëlqyeshme të atij që ka këtë detyrë. 8. Është e pëlqyeshme që njeriu t’i ushqejë shërbëtorët ose punëtorët e vet me ushqimin që ha vetë, madje të hajë së bashku me ta. Kjo kuptohet nga fjala e Musait, kur tha: “Na jep ushqimin tonë, sepse u lodhëm shumë nga ky udhëtim!” Shihet se ai e tha në shumës, që tregon se do të hanin të dy së bashku. 9. Zoti e ndihmon njeriun për sa kohë ai është duke punuar për të zbatuar urdhëresat e Zotit. Ata që u përkushtohen porosive të Zotit fitojnë ndihmën dhe mbështetjen e Tij. Këtë privilegj nuk e kanë ata që nuk e bëjnë këtë gjë. Musai (a.s) e ndjeu lodhjen vetëm pasi e kishin kaluar pak vendin që synonin, domethënë, pikëtakimin e dy deteve. Ndërsa nga udhëtimi para kësaj pike ata nuk u ankuan për lodhje, edhe pse rruga kishte qenë shumë herë më e gjatë. Madje, pas udhëtimit të gjatë, ata pushuan natën dhe u nisën të nesërmen, pasi ishin çlodhur. Pikërisht në kohën e drekës, Musai tha: “Na jep ushqimin tonë, sepse u lodhëm shumë nga ky udhëtim!” Ky ishte momenti kur Musai u kujtua se e kishin kaluar tashmë vendin për ku ishin nisur. 10. Njeriu që takoi Musai nuk ishte profet, por një besimtar i mirë dhe adhurues i sinqertë. Allahu i Madhëruar thotë se ishte një (rob) adhurues, të cilit i kishte dhuruar mëshirë dhe dituri. Allahu i Madhëruar nuk thotë se Hidri ishte profet. Nëse do të ishte profet, Allahu i Madhëruar do ta kishte përmendur, ashtu siç ka bërë për të tjerët. Për sa i përket fjalës së Hidrit në fund të kësaj ndodhie: “Nuk e bëra nga vetja ime”, ajo nuk tregon se ai ishte profet, por thjesht se ishte frymëzim që Zoti u jep njerëzve në përgjithësi, jo profetëve. I ngjashëm me këtë është rasti i nënës së Musait, për të cilën Allahu thotë: “Ne e frymëzuam atë që t’i jepte gji (Musait)”. Ose rasti i bletës: “Zoti yt e ka udhëzuar bletën që të ndërtojë koshere nëpër male, nëpër pemë dhe nëpër ndërtesat e tyre (njerëzve).” [Nahl 68]. 11. Dituria që Allahu u mëson krijesave të Tij është dy llojesh: 1) Dituri e cila mund të fitohet me përpjekje e mund nga njeriu. 2) Dituri e dhuruar nga Allahu. Allahu ia jep këtë lloj të dytë diturie ndonjë prej adhuruesve të Tij, sikurse thotë në Kur'an: "...i kishim mësuar një dituri të posaçme nga ana Jonë”. 12. Edukata në marrëdhëniet me mësuesin është e shpërblyeshme dhe e inkurajuar nga Zoti. Me mësuesin duhet folur me fjalët më të buta dhe më të zgjedhura, plot respekt e modesti. Shikoni si tha Musai: “A pranon të vij me ty, që të më mësosh atë që të kanë mësuar ty, si udhëzim i drejtë?” Ai iu drejtua me një stil të butë, si për t’i kërkuar mendim dhe leje. Gjithashtu, Musai pohoi se do të mësonte prej tij, ndryshe nga mendjemëdhenjtë, të cilët nuk duan të duken se kanë nevojë për diturinë e mësuesve, por hiqen sikur janë të barabartë me ta, a thua se po bashkëpunojnë, madje edhe më keq, sikur u japin mend mësuesve të tyre. Nxënësi duhet të shfaqë nevojën për diturinë që merr, sepse ky është nga nxitësit më të mirë për mësuesin që t’i përkushtohet dhënies së diturisë. 13. Njeriu duhet të jetë modest përballë mësuesit, edhe pse mund të qëndrojë shumë më lart se ai. Nuk ka dyshim se profeti Musa (a.s.) ishte shumë më lart se Hidri. 14. Lejohet, madje inkurajohet që edhe njeriu i cili ka shumë dituri, të kërkojë e të mësojë atë gjë që ende nuk e di nga një njeri që është më poshtë në dituri se ai, por që në atë lloj disipline është më me përvojë dhe më i ditur. Kështu, Musai (a.s) ishte një nga më të zgjedhurit e pesë profetëve më të
mëdhenj, të cilëve Zoti u dhuroi një dituri që nuk ia kishte dhënë askujt në botë, por në atë lloj njohurie dhe përvoje të veçantë, Hidri kishte avantazh ndaj Musait (a.s). Sidoqoftë, dituria e lartë nuk e pengoi Musain që, me modesti e mirësjellje, të kërkonte mësime nga Hidri. Duke u nisur nga ky shembull, themi se, dijetari i fikh-ut ose hadithit, nëse ka mangësi në gramatikë ose fusha të tjera, ai nuk duhet të ketë turp ta marrë këtë dituri nga të specializuarit në ato fusha, duke pretenduar se ata nuk janë dijetarë fikh-u apo hadithi. 15. Të gjitha mirësitë, mes të cilave edhe dituria, i atribuohen Allahut, dhe ky është një fakt që duhet pohuar dhe deklaruar haptazi e me përunjësi. Gjithashtu, duhet shprehur mirënjohja për Allahun, që t'i dhuroi ato mirësi. Vërej me kujdes se si i tha Musai Hidrit: “A pranon të vij me ty, që të më mësosh nga ajo që të kanë mësuar ty (nga Zoti ), si udhëzim i drejtë?” 16. Dituri e dobishme është ajo që të tregon udhën drejt të mirave. Kështu, çdo dituri që të qartëson rrugën e drejtë, të paralajmëron dhe tregon si të mbrohesh nga e keqja, ose është mjet për të plotësuar dy aspektet e mësipërme, është dituri e dobishme. Ndërsa dituritë e tjera ose janë të dëmshme, ose thjesht të padobishme. Musai i kërkoi Hidrit të mësonte atë lloj diturie që ofronte udhëzim e mirësi, si edhe të largonte nga të këqijat. 17. Kërkuesi i diturisë duhet të ketë durim të madh gjatë kërkimit të diturisë dhe në marrëdhëniet me mësuesin e tij. Në varësi të mungesës së durimit cenohet edhe dobia e përfituar nga dituria dhe dijetari. Ai që nuk ka durim nuk ka për të mësuar kurrë. Ai që e ushtron veten me durim e qëndrueshmëri ka për të arritur qëllimin. Kjo duket qartë kur Hidri i thotë Musait: “Sigurisht, ti nuk do të mund të kesh durim me mua.” 18. Një ndër faktorët kryesorë të kalitjes së durimit është njohja e thellë e çështjes për të cilën duhet të durosh. Kështu, ai që nuk e njeh një çështje, që nuk ia di qëllimin dhe përfundimin, dobitë dhe frytet, sigurisht që nuk mund të bëjë durim për arritjen e saj. Hidri i tha Musait: “E si mund të durosh për diçka që nuk e di?!” Shkaku i mosdurimit është mosnjohja e plotë e çështjes dhe e rëndësisë së saj. 19. Është detyrë dhe shumë e këshillueshme vetëpërmbajtja dhe mosnxitimi për të gjykuar mbi veprimet apo fjalët e dikujt, pa ditur mirë qëllimin e tyre. 20. Nëse njeriu do të bëjë diçka në të ardhmen, duhet të thotë: “Insha Allah” (Në dashtë Allahu). 21. Dëshira dhe vendosmëria për të bërë diçka është krejt ndryshe nga vënia në jetë e saj. Ato as nuk presupozojnë domosdoshmërisht njëra tjetrën. Kështu, Musai tha: “Nuk do të ndalem derisa ta arrij në pikëtakimin e dy deteve ose do të vazhdoj udhëtimin për një kohë të gjatë.”. Pra, ai vendosi që të ishte i durueshëm, megjithëse nuk ia doli ta realizonte atë që pati qëllim. 22. Mësuesi mund ta këshillojë nxënësin që të mos bëjë pyetje, derisa t’ia sqarojë ai çdo çështje. Kjo është e lejueshme dhe varet nga dobia. Kjo mund të bëhet edhe në ato raste kur nxënësi nuk ka arritur ta kuptojë mirë çështjen, prandaj është më mirë që të dëgjojë deri në fund për të kuptuar, ose kur pyet për gjëra që nuk janë aq të rëndësishme për të, ose kur nxënësi shpërndahet në të tjera tema, që nuk kanë lidhje me çështjen. Në gjitha rastet duhet parë dobia. 23. Lejohet udhëtimi në det, përveç rasteve kur është shumë e rrezikshme për jetën. 24. Kush bën diçka nga harresa nuk merret në përgjegjësi as nga Allahu, as nga krijesat. Musai i tha Hidrit: “Mos më qorto pse harrova..." 25. Prej njerëzve merr atë që ata ta japin me dëshirë. Mos i ngarko ata më tepër sesa mbajnë e mos i mundo ata. Në të kundërt, ata do të largohen prej teje dhe do të urrejnë. Merr prej atyre atë që ata e kanë më të lehtë ta japin! 26. Kur japim një gjykim, ne bazohemi në faktet që shfaqen haptazi. Kështu veprohet në të gjitha çështjet, si ato civile, edhe ato
penale. Musai e kundërshtoi Hidrin kur ai çau anijen ose vrau fëmijën e pafajshëm. Ai veproi kështu, sepse në dukje ato ishin krime të dënueshme, dhe Musai nuk mund të heshtte ndaj tyre. Por në rastin tonë, kur ai po shoqëronte Hidrin, që kishte vendosur kusht të mos kundërshtohej, Musai duhej të heshtte. Megjithatë, Musai nxitoi që të gjykonte me faktet e dukshme, ashtu sikurse duhet vepruar për gjykimet e kësaj bote, duke harruar se kishte të bënte me një rast të veçantë, në të cilin duhet të bënte durim dhe të heshtte. 27. Rregulli i artë dhe i mrekullueshëm thotë: Lejohet kryerja e një të keqeje më të vogël, për të shpëtuar nga e keqja më e madhe. Po kështu i jepet rëndësi të mirës më të madhe, edhe nëse na humbin mirësi të tjera më të vogla. Në rastin e Musait, nuk ka dyshim se vrasja e djalit ishte e keqe, por lënia e tij që të sprovonte dhe mundonte prindërit e vet ishte një e keqe edhe më e madhe. Nga ana tjetër, lënia e djalit gjallë dukej si diçka e mirë, por ruajtja e fesë dhe besimit të dy prindërve të tij ishte edhe më e mirë, prandaj Hidri e vrau. Ky rregull përfshin shumë çështje. Kështu duhet të gjykojë njeriu në lidhje me dobinë dhe dëmin.3 28. Këtu mbështetet edhe një rregull tjetër që thotë: Lejohet ndërhyrja në pasurinë e dikujt tjetër, edhe pa marrë leje prej të zotit, nëse synohet rregullimi ose ruajtja e saj nga shkatërrimi, madje edhe nëse kjo mund të shkaktojë prishjen e një pjese të kësaj pasurie. Në këtë mënyrë veproi Hidri kur e çau anijen e të varfërve, që ajo të bëhej me defekt, dhe kështu të shpëtonte nga mbreti grabitqar dhe tiran. Për shembull, nëse në një shtëpi bie zjarr, atëherë lejohet ndërhyrja për shembjen e një pjese të saj, me qëllim për të shpëtuar pjesën tjetër, edhe pa marrë lejen e pronarit të shtëpisë. 29. Lejohet të punosh në det, njëlloj siç lejohet të punosh në tokë. Allahu thotë për marinarët e anijes se “punonin në det”, pa përmendur ndonjë ndalesë. 30. Edhe pse mund të ketë një punë me të cilën ushqehet, njeriu mund të vazhdojë të quhet ‘ miskin’, pra, i varfër, nëse nuk i plotëson të gjitha nevojat e veta. Allahu na tregon se ata kishin anije, e megjithatë, i quajti ‘të varfër’. 31. Vrasja është nga gjynahet më të mëdha, sepse Musai tha për vrasjen e djaloshit: “Bëre një krim të rëndë.” 32. Vrasja e dikujt në formë dënimi nuk është e gabuar, sepse Musai e përjashtoi këtë rast kur tha: “A e vrave një njeri të pastër, që nuk ka lënduar asnjë?!" Njeriun e mirë e besimtar e ruan Allahu, qoftë në pasuri, qoftë edhe në pasardhësit e tij. 33. Shërbimi ndaj besimtarëve të mirë dhe atyre që kanë lidhje me ta është shumë më i shpërblyeshëm sesa bamirësia ndaj të tjerëve. Kur Hidri rindërtoi murin e jetimëve, tha: “…babai i tyre ka qenë njeri i mirë.” 34. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe me edukatë kur flasim për Zotin e Lartësuar. Shihni edukatën e Hidrit kur thotë: “Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e disa të varfërve që punonin në det, e unë e bëra me të meta, sepse para tyre ishte një sundues, që grabiste çdo anije.”. Pra, Hidri ia atribuoi të keqen vetes. Ndërsa kur foli për të mirën, tha: “Për sa i përket murit, ai ishte i dy djemve jetimë të atij qyteti. Nën të kishin një thesar. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë. Prandaj, Zoti yt dëshironte që ata dy (jetima) të arrinin moshën e pjekurisë dhe ta nxirrnin vetë thesarin e tyre.” Po kështu ka thënë edhe Ibrahimi (a.s): “Kur sëmurem, Ai më shëron.” Ose xhindët kur thanë: "Ne nuk e dimë a është për qëllim ndonjë e keqe për ata që janë në Tokë, apo Zoti i tyre dëshiron që t’i udhëzojë." [Xhin 10]. Edhe pse çdo gjë ndodh me kaderin dhe vendimin e Zotit, ne duhet të kemi edukatën që të keqen t'ia atribuojmë vetes tonë dhe të mirën t'ia atribuojmë Allahut të Madhëruar. 35. Asnjëherë nuk duhet braktisur shoku i udhës, derisa ta kesh qortuar mjaftueshëm
apo të kesh arsye të pranueshmë për ndarjen. Kështu veproi Hidri me Musain. 36. Miratimi dhe mirëkuptimi mes shokëve në çështjet që nuk janë të ndaluara është një prej shkaqeve që e forcojnë miqësinë, ashtu sikurse kundërshtimi e konfliktet e dobësojnë dhe prishin miqësinë. 37. Veprimet e Hidrit ishin thjesht vendimet e Zotit, që i bëri të ndodhnin nga dora e Hidrit, këtij burri të mirë e besimtar. Qëllimi ishte që njerëzit të kuptojnë disa nga fshehtësitë e Zotit në vendimet e Tij. Ato ndodhën që ne ta kuptojmë se, ndonjëherë, Allahu cakton për njeriun gjëra që ai i urren shumë, por që në fakt janë në të mirën e fesë dhe besimit të tij, siç ndodhi me vrasjen e djaloshit. Por ato mund të jenë edhe në të mirën e çështjeve të kësaj bote, siç ndodhi në rastin e anijes. Kështu, Allahu u tregoi njerëzve disa shembuj të butësisë dhe mëshirës së Tij, që ata të kënaqen me caktimet e Tij, edhe kur ato janë të dhimbshme dhe të vështira.