Lufta u ishte e ndaluar myslimanëve. Mirëpo, vetëm atëherë kur ishte puna për mbrojtje u lejohej, por me kusht që të luftojnë vetëm kundër sulmuesve, e jo kundër atyre që nuk kishin marrë pjesë në luftë, as kundër pleqve, të sëmurëve e as fëmijëve.
Në muajt e shënjtë, që janë katër Dhilkade, Dhilhixhe, Muharrem dhe Rexheb lufta ishte e ndaluar, po ashtu ishte e ndaluar edhe në vendin e shenjtë, në Qabe dhe rrethinat e saj. Mirëpo idhujtarët nuk respektonin shenjtërinë, por i sulmonin myslimanët. Këto ajete të Kur'anit u lejojnë myslimanëve të luftojnë kundër armikut nëse sulmohen prej tij edhe në muajt dhe vendin e shenjtë. Rreziku që u kanosej myslimanëve nga propaganda dhe provokimet për t'i rikthyer në idhujtari, ishte edhe më i rëndë se lufta në vendin e shenjtë, andaj u porositën ta pastrojnë atë vend nga idhujtarët, e të mos mbetet vend për propagandim idhujtarësh (fitne).
Muaji i shenjtë ishte me rastin e vitit të gjashtë hixhrije, kur Pejgamberi së bashku me besimtarët e vet e mësyni vizitën e Qabes në muajin Dhilkade, por idhujtarët nuk e lejuan atë vizitë dhe myslimanët së bashku me Pejgamberin u kthyen, mirëpo në vitin e shtatë në të njëjtin muaj i bënë vizitën.
Saherë që në Kur'an përmendet lufta, mbytja, së bashku me to përmendet fjala, në rrugën ose për rrugën e Allahut, me çka kuptohet se lufta nuk ka për qëllim okupimin e vendit të huaj, nuk ka për qëllim prenë e luftës ose diçka tjetër, por ka për qëllim vetëm lirinë për besimin e drejtë, për zbatimin e lirë të fjalës së Zotit xh. sh.
Pas përgjigjes për rëndësinë e ndërrimit të hënës, sipas së cilës bëhet edhe agjërimi e edhe haxhi, ndërhyjnë ajetet rreth luftës, për t'ju sqaruar myslimanëve se në rast sulmi prej armikut, duhet të luftojnë edhe në muajt edhe në vendin e shenjtë.
"Haxhi" do të thotë: mësyerje, qëllim, e këtu është fjala për atë që vendosë ta vizitojë Qaben në kohën e caktuar. "Umre" i thuhet vizitës që i bëhet Qabes në cilëndo kohë të vitit. Umra ndryshon nga haxhi, sepse në umre nuk është obligim qëndrimi në Arafat. Për ata që kanë mundësi haxhi është obligim një herë në jetë. Mënyra e zbatimit të njërës dhe tjetrës, është sqaruar në shkencën I e fikhut.
- Kryejeni të plotë haxhin dhe umren, për hir të Allahut! - Pasi qartësoi dhe shpjegoi dispozitat për agjërimin dhe përmendi xhihadin, në vijim Allahu i Lartësuar na qartëson dispozitat për adhurimet e haxhit dhe na urdhëron që ta plotësojmë haxhin dhe umren. Nga kuptimi i drejtpërdrejtë i ajetit mësojmë se është detyrë të plotësohen të gjitha veprimet e haxhit dhe umres, nëse e kemi filluar këtë adhurim. Më pas, Ai na sqaron dhe thotë: "Nëse pengoheni ...”, pra, nëse pengohemi nga mbërritja tek Shtëpia e Zotit ose nga plotësimi i këtij riti, atëherë: "... bëni kurban çfarë (kafshe) ta keni më të lehtë...". Për këtë arsye, dijetarët janë të një zëri se fillimi i umres dhe haxhit e bën detyrë të domosdoshme përfundimin e tyre, pavarësisht nëse janë të mendimit se umreja është vaxhib apo e pëlqyeshme, siç janë edhe dy mendimet e dijetarëve në këtë çështje, mendime të cilat i kemi pëmendur hollësisht me gjithë argumentet përkatëse në librin tonë: “ El Ahkam ”. Nga Aliu transmetohet se për këtë ajet ka thënë: "Kryejeni të plotë haxhin dhe umren, për hir të Allahut!". Pra, të veshësh ihramin që nga familja jote! " Po kështu përcillet të ketë thënë edhe Ibn Abasi, Seid Ibn Xhubejr dhe Tausi. Ndërsa Sufjani ka thënë: “Me plotësimin e tyre është për qëllim që të bëhet veçse haxhi dhe umra, e jo të shkohet për tregti apo ndonjë qëllim tjetër, dhe të bësh telbijen nga Mikati. Të synosh haxhin e umren që nga shtëpia, e jo kur të kalosh pranë Mekës, të thuash: "...Jam që jam, përse të mos bëj e haxhin dhe umren?” Edhe kjo është e pranueshme dhe konsiderohet e saktë, por më e plotë është që të dalësh veçse me nijetin për haxh dhe umre.” Mekhuli ka thënë: “Plotësimi i tyre është që t’i nisësh që të dyja (haxhin dhe umren) nga Mikati. " Ndërsa Abdurrezaku përcjell me sened-in e tij deri tek Zuhriu, i cili ka thënë: “Na është përcjellë se Umeri, duke shpjeguar fjalën e Allahut: "Kryejeni të plotë haxhin dhe umren, për hir të Allahut!", ka thënë: "Pjesë e kryerjes të plotë është edhe fakti që të kryesh secilin prej tyre më vete dhe ta kryesh umren jashtë muajve të haxhit.” Por ky mendim duhet parë me kujdes, sepse është e sigurt dhe e saktë se të gjitha umret e Profetit ﷺ janë kryer në muajin e haxhit, në Dhul Kide. Edhe umreja e Hudejbijes ishte në muajin e Dhul Kides në vitin e 6 -të. Po kështu edhe umreja kaza ishte në Dhul Kide vitin e 7 -të. Umreja e El Xhi'rânes ishte në Dhul Kide, vitin e 8 -të. Edhe umreja që i kreu së bashku me haxhin, kur ai e veshin ihramin për t’i kryer të dyja, ishte në Dhul Kide në vitin e 10 -të. Pas haxhit, Profeti ﷺ nuk ka kryer umre tjetër. Po, është e vërtetë se ai i ka thënë Umu Hanit: 234 . “Një umre gjatë Ramazanit konsiderohet si një haxh së bashku me mua”, por këtë e tha, sepse ajo donte të kryen te haxhin së bashku me Profetin, por nuk mundi.” Është përcjellë saktësisht se Profeti e veshi ihramin e tij për haxhin dhe për umren së bashku. Përcillet me hadith të saktë se Ai ka thënë: 235 . “Umreja u lejua të futet brenda haxhit deri në Kijamet.”. Në dy Sahih-ët është përcjellë hadithi nga Jea’la Ibn Umeje, ku flitet për historinë e atij burrit që e pyeti Profetin, kur
ai ishte në El Xhi'rane dhe i tha: 236 . “Si të veprojë një burrë që ka vendosur ihramin për umre dhe ka veshur një xhube dhe është i parfumosur?” Profeti heshti, derisa i erdhi Shpallja. Atëherë, ai ngriti kokën dhe tha: “Ku është pyetësi?” Ai tha: “Këtu jam!” Profeti tha: “Sa për xhuben, hiqe atë! Sa për parfumin, lahu e largoje atë, e pastaj, ashtu siç veproje për haxhin, vepro edhe për umren!” - Nëse pengoheni, atëherë bëni kurban çfarë (kafshe) ta keni më të lehtë dhe mos e rruani kokën, derisa kurbani të arrijë në vendin e vet! - Është thënë se ky ajet është zbritur vitin e 6 -të, vitin e Hudejbijes, atëherë kur idhujtarët e penguan Profetin ﷺ të kryente umren. Gjatë kësaj kohe, Allahu i Madhëruar zbriti të gjithë suren Fet’h. Ai i ligjëroi këto lehtësime për besimtarët që, nëse pengoheshin nga kryerja e umres, të bënin kurban bagëtitë e sjella për umre. Ata kishin sjellë 70 deve. Duke i bërë kurban, ata mund të dilnin nga ihrami dhe të rruanin kokën. Por ata nuk po e bënin diçka të tillë, duke shpresuar për ndonjë urdhër të dytë, që të abrogonte këtë dispozitë. Por, kur vetë Profeti i Allahut doli nga çadra dhe e rruajti kokën e doli nga ihrami, duke e zbatuar kështu këtë lehtësim të Zotit, të gjithë e zbatuan atë. Pati prej tyre që nuk e rruajtën kokën, por veç i shkurtuan pak flokët, prandaj Profeti tha: 237 . “Allahu i mëshiroftë ata që e rruajtën kokën! - “Edhe ata që veç i shkurtojnë flokët?” Profeti vetëm herën e tretë tha: "Edhe ata që veç i shkurtojnë flokët...". Për çdo 7 vetë bëhej kurban një deve. Ata ishin rreth 1400 vetë. Ata qëndruan në Hudejbije, jashtë territorit të shenjtë (Harem), por disa thonë që ishin (brenda tij por) në pjesën më të largët të tij. Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme rreth pyetjes se çfarë konsiderohet si pengues i umres? A është vetëm armiku apo edhe sëmundja apo raste të tjera të ngjashme? Dy janë mendimet e dhëna prej tyre. Mendimi i parë vjen nga Ibn Abasi, i cili përcillet se ka thënë: “Pengim quhet veçse ai nga armiku, ndërsa sëmundja, ndonjë dhimbje, plagosje apo humbja e rrugës, nuk konsiderohen pengesa që kanë ndonjë detyrim. Allahu i Lartësuar thotë më pas: "Kur jeni të sigurt (nga armiqtë)...”, pra, nëse jeni të sigurt nga armiku. Kështu, në kohë paqeje nuk mund të ketë pengesë. Këtë mendim e kanë përkrahur një grup, mes të cilëve Ibn Umeri dhe një grup tabi’inësh. Ndërsa sipas mendimit të dytë pengimi është më i gjerë sesa thjesht nga armiku, sëmundja, humbja e rrugës e raste të tjera të ngjashme. Imam Ahmedi përcjell me senedin e tij deri tek El Haxhaxh Ibn Umer el Ensariu, që tregon se e ka dëgjuar Profetin e Allahut të thotë: 239 . “Ai i cili thyen ndonjë gjymtyrë, vuan nga plagë e dhimbje dhe dëmtohet aq sa çalon, është çliruar nga ihrami dhe e ka detyrë që të bëjë një haxh tjetër (vitin që vjen).” Ky hadith i është përmendur Ibn Abasit dhe Ebu Hurejras, të cilët kanë konfirmuar që ata kanë thënë të vërtetën. Është përcjellë nga Ibn Mesudi, Ibn Zubejri, Alkamete, Seid Ibn Musejjibi e të tjerë, që kanë thënë se: pengimi mund të vijë nga armiku, nga sëmundja ose nga thyerja e ndonjë gjymtyre. Në dy Sahih-ët vjen hadithi prej Aishes, që ka thënë: 240 “Profeti i Allahut shkon tek Diba’a, e bija e Zubejr Ibn Abdul-Mutalib, që i tha: ‘O i Dërguari i Allahut, unë dua të bëj haxhin, por kam dhimbje (jam e sëmurë).’ Ai tha: ‘Nise haxhin me kusht, duke thënë: "Unë do ta kryej haxhin deri sa të më pengojë sëmundja!” Kështu ka disa prej dijetarëve që e parapëlqejnë kushtëzimin. Imam Shafiu e ka përkrahur këtë mendim, nëse e vërtetojmë që hadithi është i saktë. Kështu ka thënë El Bejhakiu e të tjerë hafizë veç tij. Dhe hadithi është i saktë, elhamdulilah. Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: "...atëherë bëni kurban çfarë (kafshe) ta keni më të lehtë!” Aliu ka thënë: “Domethënë, një dele.” Ndërsa Ibn Abasi ka thënë që të jetë diçka e ngjashme me delen. Po kështu kanë thënë edhe një grup tabi’inësh. Ky është medhhebi i katër imamëve. Por ka edhe prej tyre që mendojnë se kurbani në këtë rast
duhet të jetë veçse deve ose lopë. Me sa duket argumenti ku mbështeten këta është historia e Hudejbijes dhe fakti se nga asnjëri prej tyre nuk është transmetuar se u çlirua nga ihrami duke bërë kurban dele, por bëri deve ose lopë. Çdo shtatë vetë bënë kurban një lopë, sikurse është përcjellë në dy Sahih-ët nga Xhabir Ibn Abdilahi, i cili ka thënë: 241 “Profeti i Allahut na urdhëroi që, çdo 7 veta të bënin kurban 1 lopë.” Nga Ibn Abasi përcillet se ka thënë që kjo u bë sipas mundësisë së secilit. Nëse kishin mundësi, merrnin pjesë në kurbanin e lopëve, e nëse jo, bënin kurban ndonjë dele. Në dy Sahihët vjen hadithi i Aishes, - Nënës së besimtarëve ( Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) - që ka thënë: 242. “Profeti ﷺ bëri njëherë kurban një dele.” Allahu i Madhëruar thotë: "...dhe mos e rruani kokën, derisa kurbani të arrijë në vendin e vet!” Kjo është një fjali e sjellë pas ajetit tjetër me lidhëzën “dhe”. Nga kjo kuptohet se, në kohë sigurie e paqeje, bërja e kurbanit lejohet veçse brenda territorit të shenjtë (Haremit). Ndërsa si shkak të asaj që ndodhi në Hudejbije dhe bërja e kurbaneve jashtë Haremit, përmendin pengesën e kurejshve për t’u futur në Harem. Kështu fjala e Allahut: "...dhe mos e rruani kokën, derisa kurbani të arrijë në vendin e vet!” flet për haxhin " kiran” Pra, haxhiu i cili kryen haxhin e llojit kiran nuk çlirohet nga ihrami veçse pasi të bëjë kurbanin dhe pastaj të rruajë kokën. Ndërsa ai që kryen haxhin e llojit ifrad, ose temettu, çlirohet nga ihrami nëse bën njërën nga të dyja, kurbanin ose rruajtjen e kokës . Në dy Sahih-ët vjen hadithi n ga Hafsa, e cila e pyet i Profetin: 243 “O i Dërguari i Allahut, ç’është me njerëzit, të cilët e hoqën ihramin e umres, ndërsa ti nuk e ke hequr ende?!” - “Unë i kam sjellë me vete bagëtitë e kurbanit, prandaj nuk do të çlirohem prej ihramit derisa të bëj kurbanin.” - tha Profeti. Më pas Allahu i Madhëruar thotë: - Por për ata që janë të sëmurë ose kanë plagë në kokë, kompensimi (për rruajtjen e kokës para kohe) është me agjërim, sadaka ose kurban. - Buhariu sjell një hadith me senedin e tij deri tek Abdullah Ibn Mea’kil, i cili tregon: 244 “Unë qëndrova me Keab Ibn Axhraten në këtë xhami, - në xhaminë e Kufës - dhe e pyeta rreth fjalës së Allahut: "Por për ata që janë të sëmurë ose kanë plagë në kokë, kompensimi (për rruajtjen e kokës para kohe) është me agjërim, sadaka ose kurban." Ai më rrëfeu: ‘Mua më çuan tek Profeti i Allahut, kur morrat më ishin përhapur në gjithë fytyrën time. Ai më tha: “Nuk e dija të ishe në këtë gjendje! A ke ndonjë dele? - “Jo” - i thashë. Atëherë më tha: “Agjëro tri ditë ose ushqe gjashtë të varfër! Çdo të varfëri jepi gjysëm sai (njësi matëse) ushqim, dhe rruaje kokën!” Ky ajet ka zbritur për mua në mënyrë të veçantë, por vlen edhe për ju.” Imam Ahmedi përcjell kështu hadithin prej Keab Ibn Axharates: 245. “Profeti erdhi pranë meje kur unë isha duke ndezur zjarrin poshtë një kazani. Morrat po më lëviznin në fytyrë (ose tha: “mbi vetulla”). Profeti më tha: “A të mundojnë parazitët në kokë?” - “Po”. - “Atëherë rruaje kokën dhe agjëro tri ditë, ose ushqe gjashtë të varfër, ose bëj një kurban!” Ky - thotë Ibn Kethiri - është qëndrimi i katër imamëve dhe shumicës së dijetarëve, pra, që nevojtari është i lirë të zgjedhë mes tri alternativave të përmendura: ose agjëron, ose jep ushqim për gjashtë të varfër: çdo të varfëri gjysëm sai ose dy mud (grushta), ose bën një kurban dhe ua jep sadaka të varfërve. Cilado nga këto të treja vlen dhe mjafton si kompensim për rruajtjen e kokës nga nevoja. Konteksti i sjellë në Kur'an është për lehtësim, prandaj janë tri mundësi zgjedhjeje, njëra më e lehtë se tjetra. Allahu thotë: "...kompensimi (për rruajtjen e kokës para kohe) është me agjërim, sadaka ose kurban.” Ndërsa Profeti e mësoi Keab Ibn Axhraten me mënyrën më të mirë të kompensimit, duke e udhëzuar për të kryer fillimisht atë që është më e mira, e pastaj të tjerat më poshtë. Ai i tha që fillimisht të bënte kurban një dele, pastaj të ushqente gjashtë të varfër, e pastaj të
agjëronte tri ditë. Secila mënyrë ka një kontekst të caktuar dhe sigurisht është më e mira për atë kontekst. Hishami ka thënë: “Ai që kompenson nëpërmjet kurbanit, atëherë ta bëjë në Mekë. Ndërsa ai që ushqen të varfërit apo agjëron, le ta bëjë ku të dëshirojë.” - Kur jeni të sigurt (nga armiqtë), atëherë ai që kryen umren gjatë haxhit, le të bëjë kurban, sipas mundësisë. - Pra, kur t’ju bëhet e mundur kryerja e adhurimeve të haxhit, atëherë Ai i cili kryen haxhin temettu, pra, së bashku me umren, le të bëjë kurban çfarë të ketë më të lehtë prej bagëtive të përcaktuara për kurban. E pakta që mund të bëhet është një dele, por mund të bëhet edhe lopë. Profeti ﷺ bëri kurban lopë, për gratë e tij. El Euzaiu ka thënë që: përcillet nga Ebu Hurejrate, se: 246 “Profeti bëri kurban lopë, për gratë e tij. Të gjitha gratë ishin duke kryer haxhin temettu.” Në dy Sahih-ët vjen hadithi prej Imran Ibn Husajnit, i cili ka thënë: 247 . “Ajeti që flet për llojin temettu të haxhit u zbrit në Librin e Allahut, haxh të cilin ne e kryem së bashku me Profetin e Allahut. Më pas nuk ka zbritur ndonjë ajet që ta bëjë haram apo të na ndalojë nga ky lloj haxhi, derisa Profeti ﷺ vdiq. Janë disa që flasin sipas mendjes së vet.” [Buhariu]. Thuhet se ishte fjala për Umerin. Në Sahihun e Buhariut vjen hadithi se ishte Umeri ai që i ndalonte njerëzit nga haxhi temettu, duke u thënë: "Ne mbështetemi në fjalën dhe në Librin e Allahut, që na urdhëron të plotësojmë haxhin dhe umren”, duke aluduar për ajetin: "Kryejeni të plotë haxhin dhe umren, për hir të Allahut!". Por, në fakt, Umeri nuk e ndaloi për ta bërë haram diçka të tillë. Ai e bëri këtë që njerëzit të vinin më shpesh për haxh dhe umre. Kjo kuptohet më qartë në fjalët e tij (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Më pas Allahu i Madhëruar tha: - Ai që nuk ka, le të agjërojë tri ditë gjatë haxhit dhe shtatë ditë kur të jetë kthyer (në shtëpi) .- Domethënë, ai që nuk ka mundësi të bëjë kurban, le të agjërojë tri ditë gjatë kohës së adhurimeve të haxhit. Dijetarët thonë që më e mira është t’i agjërosh para ditës së Arafatit, në dhjetëditëshin e parë të Dhul Hixhes. Për sa i përket agjërimit në ditët e Teshrikut, dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme. Disa janë të mendimit se kjo lejohet, duke u mbështetur në fjalën e Aishes dhe Ibn Umerit në Sahihun e Buhariut: 248 “Askujt nuk i është lejuar të agjërojë në ditët e Teshrikut, përveç atij që nuk ka mundësi të bëjë kurban.” Ndërsa nga Aliu përcillet se thoshte: “Nëse dikush nuk mund të agjërojë tri ditë gjatë haxhit, atëherë le të agjërojë tri ditët e Teshrikut.” Po kështu kanë thënë Ikrime, El Haseni dhe Uruete Ibn Zubejri. Arsyeja e tyre është se ajeti kuranor: "Ai që nuk ka, le të agjërojë tri ditë gjatë haxhit...” është i përgjithshëm. Ky është edhe mendimi i parë i Shafiut. Por sipas mendimit të tij të mëvonshëm, nuk lejohet, sepse agjërimi gjatë ditëve të Teshrikut nuk lejohet. Muslimi sjell hadithin prej Kutejbe el Hudhelit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), se Profeti i Allahut ka thënë: 249 “Ditët e Teshrikut janë ditë kur hahet, pihet dhe përmendet Zotit Krenar dhe i Lartësuar.” Më pas Allahu thotë: "...dhe shtatë ditë kur të jetë kthyer (në shtëpi) .” Pra, pasi haxhinjtë të kthehen pranë familjeve të tyre, siç ka thënë Profeti në një pjesë të hadithit që e ka sjellë Buhariu nga Ibn Umeri: 250 “... Ai që nuk gjen kurban le të agjërojë 3 ditë gjatë haxhit dhe 7 ditë kur të kthehet në familjen e tij.” Hadithin e kanë përnxjerrë Buhariu dhe Muslimi. - Kështu bëhen dhjetë ditë të plota. - Ky është një përforcim i urdhrit të mëparshëm. Pra, është një urdhër për të plotësuar 10 ditë agjërim. - Ky është rregulli për ata që nuk e kanë familjen pranë Xhamisë së Shenjtë. - Të gjithë dijetarët e tefsirit janë të mendimit se ata që janë pasur për qëllim me këtë ajet janë banorët e Haremit, për faktin se atyre nuk u lejohet haxhi temettu. Katade tregonte se i kishin rrëfyer që Ibn Abasi thoshte: "O banorë të Mekës! Juve nuk ju takon të bëni haxhin temettu! Për të ardhurit nga larg
është e lejuar, ndërsa për ju, banorët e Haremit, është e ndaluar! Ka ndonjë që del pak jashtë Haremit, aq sa vetëm një luginë e ndan me Haremin, dhe ia lejon vetes temettu!” Nga Tausi përcillet se ka thënë që: “Haxhi temettu është për njerëzit që vijnë nga larg, jo për banorët e Mekës, edhe nëse nuk janë prej zonës së Haremit. - "Kijeni frikë Allahun...” - Kini frikë prej Tij, në lidhje me atë që ju ka urdhëruar dhe ndaluar. Kini frikë ndëshkimin dhe zemërimin e Tij - "...dhe dijeni se Allahu është ndëshkues i rreptë.” - Për atë që kundërshton urdhrat e Tij dhe kryen ato gjëra që Ai i ka ndaluar.
- “Kryeni të plotë haxhin dhe umren, për hir të Allahut!” - Dijetarët kanë parë në këtë ajet argumente për disa çështje. Kështu, ajeti provon se kryerja e haxhit dhe e umres është detyrë ndaj Zotit, me të gjitha ritet përbërëse të tyre, ashtu sikurse na i ka mësuar Profeti (s.a.u.s.), i cili ka thënë: “Mësojini prej meje ritet dhe adhurimet!” Po te ky ajet janë mbështetur edhe ata që kanë thënë se kryerja e umres është vaxhib, gjithashtu. Nëse nis kryerja e haxhit dhe e umres, atëherë, që nga ky çast, bëhet i detyrueshëm plotësimi i tyre deri në fund, edhe sikur haxhi dhe umreja që po kryhen të jenë thjesht vepra vullnetare për atë njeri (sepse farz është vetëm hera e parë). Haxhi dhe umreja duhen kryer në mënyrën më të plotë të mundshme, dhe jo të kryhen thjesht shtyllat dhe vaxhibet e tyre, sepse Allahu thotë: “Kryeni të plotë haxhin dhe umren...”. Allahu na urdhëron që të jemi të sinqertë ndaj Tij në kryerjen e adhurimeve tona. Haxhi dhe umreja duhen kryer për të fituar kënaqësinë e Tij, sepse Ai thotë që ta kryejmë haxhin dhe umren: “...për hir të Allahut”. Nuk lejohet që haxhi dhe umreja të ndërpriten, përveç rastit që tregon Allahu i Lartësuar, kur thotë: - “Nëse pengoheni, atëherë bëni kurban çfarë (kafshe) të keni më të lehtë.” – Kuptimi: Nëse pengoheni që të arrini në Qabe për të kryer ritet tuaja, për shkak të ndonjë sëmundjeje, nga ndonjë armik etj., atëherë rrugëzgjidhja është: “...atëherë bëni kurban çfarë (kafshe) të keni më të lehtë.” Pra, bëni kurban atë kafshë që keni mundësi ta bëni. Për kurban mund të bëhet një deve, që vlen për shtatë vetë, ose një lopë për shtatë vetë, ose një bagëti e imët për një person. Pas therjes së kurbanit, i penguari nga shkaqet e mësipërme rruan kokën dhe del prej ihramit. Kështu veproi Profeti (s.a.u.s.) dhe shokët e tij në rastin kur u penguan nga idhujtarët e Mekës për të kryer e përfunduar pelegrinazhin në Qabe, vitin e Marrëveshjes së Hudejbijes. Nëse nuk gjen apo nuk ka mundësi që të therë kurban, atëherë njeriu detyrohet të agjërojë dhjetë ditë, - sikurse vepron ai që kryen haxhin temetu kur nuk gjen dhe nuk ka mundësi të bëjë kurban, - pastaj lejohet të dalë nga ihrami. - “Mos e rruani kokën, derisa kurbani të arrijë në vendin e vet.” - Qethja ose rruajtja e kokës apo e qimeve të çdo pjese të trupit, me çdo mënyrë qoftë, konsiderohet si një nga veprimet që e prishin ihramin, i cili duhet plotësuar pa tjetër nga ai që kryen haxhin dhe umren. Këto veprime e prishin ihramin, sepse gjatë kësaj kohe njeriu duhet t’i lërë mënjanë ato komoditete që zakonisht ia mundëson vetes, dhe të angazhohet maksimalisht me adhurimin e Zotit. Kjo bëhet që, ditën kur të dalë para Zotit në Arafat, të jetë i përunjur, me flokë të shpupuritur e të pluhurosur, për të qenë kështu më afër mëshirës së Tij. Të njëjtin gjykim ka edhe heqja e qimeve nga pjesët e tjera të trupit, siç u tha më lart. Madje, disa dijetarë e konsiderojnë edhe prerjen e thonjve të njëjtë me heqjen e flokëve, duke e parë nga këndvështrimi i mësipërm. Ky ndalim vazhdon deri në ditën e therjes së kurbanit. Pra, thënia e Allahut: “..derisa kurbani të arrijë në vendin e vet .” ka kuptimin: derisa të theren kurbanet, ditën e Bajramit. Më e mira është që rruajtja e flokëve të bëhet pas therjes së kurbaneve, sikurse e tregon edhe kuptimi i drejtpërdrejtë i ajetit. 7 Dijetarët shohin në këtë ajet mbështetje për një çështje tjetër. Kush kryen haxhin temetu, fillimisht bën umren. Pasi mbaron umren dhe çlirohet nga ihrami, ai duhet ta veshë përsëri ihramin, tashmë për të kryer haxhin. Për në këtë lloj haxhi, ndodh që adhuruesi t'i sjell ë vetë
bagëtitë që do të bëjë kurban. 8 Kështu, duke përdorur si dëshmi fjalën e Allahut: “..derisa kurbani të arrijë në vendin e vet”, dijetarët thonë që, edhe në këtë lloj haxhi, nëse i sjell vetë bagëtitë e kurbanit, adhuruesit nuk i lejohet të heqë ihramin dhe të rruajë apo të qethë kokën para se të theren bagëtitë e kurbanit, ditën e Bajramit. Adhuruesi që kryen haxhin temetu (të llojit Kiran) kur ai i sjell vetë bagëtitë e kurbanit, mund t'i çojë bagëtitë që do bëjë kurban në vendtherjen e tyre, para ditës së Bajramit , por thjesht dërgimi i bagëtive në vendtherje, nuk mjafton për të bërë të lejueshme rruajtjen e flokëve dhe heqjen e ihramit, sepse qëllimi i ajetit është: “...derisa bagëtitë të theren ditën e kurbaneve.” Allahu i Lartësuar i ka bërë këto rregulla të ihramit, me qëllim që adhuruesi të ketë një pamje që tregon nënshtrimin dhe modestinë e tij, nga njëra anë, dhe përkushtimin total ndaj Zotit, nga ana tjetër. Por nëse dikush dëmtohet nga kjo gjë, atëherë Allahu i Lartësuar thotë: - “Por, për ata që janë të sëmurë ose kanë plagë në kokë, kompensimi (për rruajtjen e kokës para kohe) është me agjërim, sadaka ose kurban.” - Nëse dikush vuan nga diçka, e cila mund të largohet veçse duke hequr flokët, atij i lejohet që ta rruajë kokën, por e ka detyrë të bëjë një nga tri gjërat vijuese si kompensim: ose të agjërojë tri ditë, ose të ushqejë gjashtë të varfër, ose të bëjë një kurban të pranueshëm. Ai është i lirë të zgjedhë mes këtyre tri alternativave. Këto lehtësime vlejnë edhe për veprimet e tjera që janë të ndaluara të kryhen gjatë kohës së ihramit, si: prerja e thonjve, mbulimi i kokës (për burrat), veshja e rrobave të qepura (përveç ihramit) dhe parfumosja. Të gjitha këto, pra, që janë të ndaluara gjatë ihramit, lejohen të kryhen kur janë të domosdoshme, por më pas duhet të jepet kompensimi përkatës, sipas mënyrës së lartpërmendur. Më tej, i Lartësuari thotë: - “Kur jeni të sigurt (nga armiqtë), atëherë ai që kryen umren gjatë haxhit, le të bëjë kurban, sipas mundësisë.” – Pra, ai që bën umren dhe lirohet nga ihrami deri për haxh, duhet të therë një kurban, si falënderim për lehtësimet dhe mirësitë e haxhit temetu, i cili mundëson që të bëhen dy adhurime (umre dhe haxh) në një udhëtim të vetëm. Kurbani është edhe si falënderim për lehtësimet që i krijohen pas kryerjes së umres, duke pritur fillimin e haxhit, sepse pas përfundimit të umres, hiqet ihrami dhe lejohen ato komoditete që nuk bëhen gjatë ihramit, derisa vjen koha e haxhit, për ta veshur ihramin përsëri. Kurban duhet të therë edhe ai që kryen haxhin e llojit ķirân, sepse edhe ai kryen umren e haxhin bashkë, në një kohë të vetme. - “Ai që nuk ka, le të agjërojë tri ditë gjatë haxhit dhe shtatë ditë kur të jetë kthyer (në shtëpi) . Kështu bëhen dhjetë ditë të plota.” - Kush nuk mund të therë kurban, e ka për detyrë që të agjërojë tri ditë gjatë kohës së haxhit dhe shtatë ditë kur të kthehet në vendin e vet, pas haxhit. Tri ditët gjatë haxhit fillojnë që në çastin kur vishet ihrami për të kryer umren, dhe vazhdojnë deri në ditën e tretë pas ditës së kurbanit, ose deri në ditën e fundit të gjuajtjes së gurëve dhe të qëndrimit në Mina. Megjithatë, më e mira është që të agjërohet dita e shtatë, e tetë dhe e nëntë e muajit dhul hixhe, pra, tri ditët para Bajramit. Ndërsa shtatë ditët e mbetura nga dhjetëshja e domosdoshme për t'u agjëruar, duhet të agjërohen pas përfundimit të riteve të haxhit. Me fjalë të tjera, lejohet të agjërosh që kur ndodhesh ende në Mekë, gjatë rrugës së kthimit, ose kur të mbërrish në vendin tënd. - “Ky është rregulli për ata që nuk e kanë familjen pranë Xhamisë së Shenjtë.” - Kjo dispozitë, domethënë detyrimi i therjes së një kurbani për atë që e bën haxhin temetu, është e vlefshme për ata që nuk janë vendas në Mekë, ose që nuk jetojnë pranë Xhamisë së Shenjtë. Pra, kjo dispozitë vlen për ata që jetojnë larg Mekës dhe që kur vijnë në të, quhen “udhëtarë”. Vetëm këta e
kanë të detyrueshme që të therin kurban, si falënderim për kryerjen e dy adhurimeve (të haxhit dhe umres) në një udhëtim të vetëm. Ndërsa ata që banojnë pranë Xhamisë së Shenjtë, të cilët konsiderohen si vendas, e jo si udhëtarë, nuk duhet të bëjnë kurban, sepse nuk ka arsye për një gjë të tillë. - “Pra, kijeni frikë Allahun...” - Ruajuni ndëshkimit të Allahut, duke iu përmbajtur kufijve të Tij në të gjitha çështjet tuaja. Ruajuni zemërimit të Tij, duke zbatuar rigorozisht urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Edhe urdhrat dhe ndalesat që kanë të bëjnë me haxhin, të cilat u përmendën në këtë ajet, duhet të jenë në qendër të vëmendjes suaj, prandaj kurrë mos i neglizhoni ato! - “...dhe dijeni se Allahu është ndëshkues i rreptë.” - Allahu është ndëshkues i rreptë i atyre që nuk u binden urdhrave të Tij dhe nuk u largohen ndalesave të Tij. Ja përse duhet devotshmëria ( takua). Kush ia ka frikën ndëshkimit të Allahut të Lartësuar, ruhet që të mos shkelë kufijtë e Tij, duke shpresuar shpërblimin e Tij. Ndërsa ata që nuk i ruhen ndëshkimit dhe zemërimit të Allahut dhe nuk shpresojnë faljen dhe shpërblimin e Tij, sigurisht që do të kryejnë harame dhe do të guxojnë të lënë detyrimet e Tij.