Kur u shpall ajeti sipas së cilit kuptohet se edhe për idetë e qëlimet që qarkullojnë në shpirtërat dhe në zemrat tona, do të duhej të japim llogari para Zotit, sahabët, shokët e Pejgamberit u ngushtuan dhe shkuan e i thanë Pejgamberit se është e pamundur të gjejmë shpëtim, derisa do të përgjigjemi edhe për përsiatje e mendime, për atë që vetëm na shkoi mendja. Pejgamberi u tha: mos bëni si bënë ithtarët e librit para jush kur thanë: dëgjuam, kundërshtuam, por ju thoni: dëgjuam dhe u bindëm! Pas respektit që e shprehën sahabët ashtu si u tha Pejgamberi, u shpall ajeti: Allahu nuk obligon askë vetëm me aq sa ka mundësi... pra, nuk ka dënim për paramendime, nëse ato nuk zbatohen në praktikë.
Buhariu shënon se Pejgamberi ka thënë: "Atij që me kujdes i lexon dy ajetet e fundit të Bekares, i mjaftojnë si përkujtim ndaj Zotit për atë natë".
Sipas Muslimit: Pejgamberit i vie një melek e i thotë: "Myzhde për dy drita që t'u dhanë, e që nuk iu kanë dhënë asnjë pejgamberi para teje: Fatihatul kitabi (elhami) dhe fundi i kaptinës Bekare, me leximin e një shkronje të tyre, fitohet drita".
Në këto ajete të fundit përmenden kushtet e besimit islam, përmendet se besimtarët e besimit islam janë të obliguar t'i besojnë të gjithë pejgamberët e Zotit, e këtu manifestohet kuptimi universal i thënieve të Kur'anit, i cili i drejtohet mbarë njerëzve të botës.
,,Me ndihmën e Zotit përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "El Bekaretu".
Përmendja e haditheve rreth dobisë së këtyre dy ajeteve të mrekullueshme. Allahu na bëftë dobi me to! Buhariu sjell hadithin nga Ibn Mesudi, se Profeti i Allahut ka thënë: 454. “Kush i lexon gjatë natës këto dy ajete në fund të sures Bekare, ato i mjaftojnë atij.” Ky hadith është në dy Sahih-ët. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Dherri, se Profeti i Allahut ka thënë: 455. “Mua më janë dhënë dy ajete mbyllëse të sures Bekare (që janë nxjerrë), nga një thesar poshtë Arshit të Allahut.” Ebu Isa el Tirmidhi sjell hadithin nga Nu'man Ibn Beshiri, se Profeti ka thënë: 456. “Allahu i Lartësuar shkroi një libër 2000 vjet para se të krijonte qiellin dhe Tokën, dhe prej tij zbriti dy ajetet e fundit, me të cilat është mbyllur surja Bekare. Çdokush që i lexon ato në një shtëpi për tri ditë, asaj shtëpie nuk i afrohet shejtani i mallkuar .” Ebu Isa thotë se ky është një hadith garib . Edhe Hakimi e ka sjellë në Mustedrak-un e tij, duke thënë se ky është hadith sahih , sipas kushteve të Muslimit, por atë nuk e kanë nxjerrë Buhariu dhe Muslimi. Ibn Merdeuejhi sjell hadithin nga Mea'kil Ibn Jesari, se Profeti i Allahut ka thënë: 457. “Më është dhënë hapësja e Librit (Fatihaja) dhe mbyllëset e sures Bekare, që kanë zbritur nga poshtë Arshit; gjithashtu, suret el mufasal , që janë shtesë dhe dhuratë për mua.”134 - I Dërguari e besoi atë që iu shpall prej Zotit të tij e ashtu bënë edhe besimtarët. - Profeti e besoi atë që iu zbrit nga Zoti i tij. Allahu i Lartësuar na njofton se Profeti i Tij ka thënë se kur zbriti ky ajet “I Dërguari e besoi atë që iu shpall prej Zotit të tij...”, tha: 458. “Dhe ai e meriton që të besojë.” Hadithin e sjell Hakimi, që ka thënë se është me sened të saktë, por nuk e ka nxjerrë Buhariu dhe Muslimi. Allahu i Lartësuar thotë: “...ashtu bënë edhe besimtarët.” Pra, ashtu si Profeti, edhe besimtarët i gëzojnë këto cilësi, që do të përmenden më pas. I Madhëruari na njofton se Profeti dhe besimtarët besojnë, siç Ai thotë: - Secili i besoi Allahut, melekëve të Tij, shpalljeve të Tij dhe të dërguarve të Tij (duke thënë) : “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij.” Besimtarët besojnë se Allahu është Një, i Vetëm, i Pashoq. Ai është Es-Samed, Ai të Cilit i drejtohen të gjithë për nevojat dhe lutjet e tyre. Nuk ka të adhuruar me meritë veç Tij dhe nuk ka Zot, krijues, kujdestar përveç Allahut të Lartësuar. Ata besojnë në vërtetësinë e të gjithë profetëve e të dërguarve të Zotit. Ata besojnë në vërtetësinë e të gjithë librave të zbritur nga Ai tek të dërguarit dhe profetët e Tij. Ata nuk bëjnë asnjë dallim mes tyre, pra, të besojnë në disa dhe të mohojnë në disa të tjerë. Për besimtarët e vërtetë, të gjithë profetët janë të njëjtë, janë të sinqertë, janë të vërtetë, besnikë të Shpalljes e bamirës. Të gjithë profetët janë të udhëzuar në rrugë të drejtë, të mençur dhe të urtë. Ata janë udhëzues në rrugën e mirësisë dhe të drejtësisë, edhe pse disa prej tyre mund të kenë anuluar sheriatin e profetëve të dërguar para tyre, me lejen e Allahut. Kështu vazhdoi, derisa erdhi Muhamedi ﷺ ,i cili ishte vula e të gjithë profetëve dhe të dërguarve dhe i cili anuloi sheriatet e të gjithëve. Të gjitha sheriatet dhe ligjet e shpallura më parë u anuluan me ligjin e tij. Ky ligj do të mbetet në fuqi deri në Ditën e Gjykimit. Një grup nga populli i tij do të mbeten të kapur fort pas të vërtetës, duke e shfaqur atë haptazi. Allahu i Lartësuar thotë: - Ata thanë: “Dëgjuam dhe u bindëm! - Ata thanë: “Dëgjuam dhe u bindëm! E dëgjuam fjalën tënde, o Zoti ynë, e kuptuam atë dhe u përkushtuam me sinqeritet për ta zbatuar atë!”. - Kërkojmë faljen Tënde, o Zoti ynë! - Kjo është një lutje për falje, mëshirë dhe butësi nga Allahu i Lartësuar. Hadithin e sjell Ibn Ebu Hatimi nga Ibn Abasi, i cili, flet rreth fjalës së Allahut: “I Dërguari e
besoi atë që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu bënë edhe besimtarët...”, deri tek fjala e Tij: “...Kërkojmë faljen Tënde, o Zoti ynë!”. Ibn Abasi shpjegon se, këtu Allahu i Madhëruar thotë: “Ju kam falur!” - Vetëm tek Ti është e ardhmja jonë.” - Vetëm tek Ti është kthimi ynë! Tek Ti do të jetë kthimi Ditën e Llogarisë së madhe. Ibn Xheriri sjell hadithin nga Xhabiri, i cili ka thënë: 459. “Kur Profetit të Allahut iu shpall: “I Dërguari e besoi atë që iu shpall prej Zotit të tij e ashtu bënë edhe besimtarët...” deri tek fjala e Tij: “...Vetëm tek Ti është e ardhmja jonë!”, Xhibrili tha: “Allahu të ka lavdëruar ty edhe popullin tënd, prandaj lutu e kërko, sepse do të të jepet!’ Dhe ai u lut: “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko me barrë të rëndë, siç ngarkove ata që ishin para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko më tepër sesa kemi fuqi! Na i shlyej gjynahet, na i mbulo të këqijat e na mëshiro! Ti je Mbrojtësi ynë! Na ndihmo kundër atyre që nuk besojnë!” Pra, u lut me fjalët që thuhen në fund të kësaj sureje. - Allahu nuk e ngarkon asnjë përtej mundësive të tij: ai (robi) do të marrë atë çfarë ka fituar dhe do të ketë kundër atë çfarë ka merituar. - Allahu i Lartësuar nuk ngarkon asnjë më shumë sesa ka mundësi. Ai nuk e ngarkon asnjë përtej mundësive dhe forcës që ka. Kjo vjen nga butësia, mirësia dhe mëshira e Allahut të Lartësuar. Ky ajet është anulues i ajetit të mësipërm, për të cilin sahabët treguan dobësi dhe pamundësi për ta zbatuar, dhe pikërisht fjalën e Allahut të Lartësuar: “Vetëm të Allahut janë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë. E shfaqni apo e mbani të fshehtë atë që e keni në veten tuaj, Allahu do t’ju marrë në përgjegjësi.” Domethënë, edhe pse Ai do t'ju marrë në llogari dhe do t'ju pyesë për këto çështje, Ai nuk ju ndëshkon për atë që është jashtë mundësive tuaja. Paralajmërimi për ndëshkim është dhënë veçse për ato ligësi që robi ka mundësi t'i largojë prej vetes dhe për urdhrat që ai ka mundësi që t’i zbatojë; ose për ato mendime dhe dëshira të këqija që vërtiten brenda shpirtit të njeriut dhe ai ka mundësi që t’i largojë nga vetvetja. Madje urrejtja e vesveseve të këqija, konsiderohet si tregues i imanit, sikurse u përmend në hadithin më sipër. Në vijim, i Lartësuari thotë: “...ai (robi) do të marrë atë çfarë ka fituar dhe do të ketë kundër atë çfarë ka merituar.” Pra, çdokush do të marrë atë të mirë që ka fituar dhe do të ndëshkohet për atë të keqe që ka bërë. Të gjitha këto janë pjesë e ligjeve, që Allahu i Lartësuar na ka ngarkuar në këtë jetë për t’i zbatuar. Pastaj Allahu i Lartësuar i udhëzon robërit e Tij se si t’i luten Atij: - “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë!” - O Zot, mos na merr në përgjegjësi, nëse harrojmë ose gabojmë, pra nëse lëmë ndonjë farz nga harresa ose bëjmë ndonjë haram, dhe po kështu nëse nuk ia qëllojmë të vërtetës në punën që bëjmë, nga padituria jonë ose nga mosnjohja e saktë e mënyrës së rregullt, sipas ligjit Tënd! Ibn Maxhe sjell hadithin nga Ibn Abasi, se Profeti i Allahut ka thënë: 460. “Allahu i Lartësuar ia ka falur umetit tim ato gjëra që i bën gabimisht, ato gjëra që i bën nga harresa dhe ato që bën nën kërcënim.” Këtë hadith e sjellin edhe Ibn Hibani, Euzaiu dhe Taberaniu. Ibn Ebu Hatimi e sjell hadithin nga Ummu Darda, ndërsa kjo nga Profeti i Allahut, që ka thënë: 461. “Allahu i ka falur umetit tim tri gjëra: ato që bëhen gabimisht, ato që bëhen nga harresa dhe ato që bëhen nën peshën e kërcënimit.” Ebu Bekri tregon se ia ka përmendur këtë hadith Hasenit, i cili tha: “Po, është e vërtetë! A nuk e ke lexuar në Kur'an: “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë!” Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Zoti ynë, mos na ngarko me barrë të rëndë, siç ngarkove ata që ishin para nesh! - Mos na ngarko me punë të vështira, edhe nëse kemi forcë për t’i bërë ato, ashtu siç caktove për popujt e shkuar para nesh ligje që i rëndonin ata! O Zoti ynë! Ti e dërgove Profetin tënd, Muhamedin, Profetin e mëshirës, për t’i larguar ato vështirësi. Në
Sahih-un e Muslimit vjen hadithi nga Ebu Hurejra, se Profeti ka thënë (në lidhje me këtë ajet): 462. “Allahu thotë: “Po!”. Ndërsa Ibn Abasi sjell hadithin nga Profeti, që ka thënë (se Allahu thotë): 463. “E pranova lutjen tuaj!” Është sjellë përmes shumë rrugësh, një hadith nga Profeti (a.s): 464.”Unë jam dërguar me fenë e drejtë hanifie (besimdrejtë) dhe semha (tolerante, të thjeshtë dhe të lehtë)”. - Zoti ynë, mos na ngarko më tepër sesa kemi fuqi! - Mos na ngarko me ligje dhe detyrime, nga njëra anë, por edhe mos na ngarko edhe me fatkeqësi dhe bela, të cilat nuk kemi mundësi t’i bëjmë ballë, nga ana tjetër. - Na i shlyej gjynahet, na i mbulo të këqijat e na mëshiro! - Na fal, o Zot, për ato gjynahe që bëjmë mes nesh dhe Teje! Na fal, o Zot, për punët e këqija që bëjmë, për mangësitë, për rrëshqitjet dhe gabimet, që bëjmë vazhdimisht në lidhje me të drejtën Tënde! Na fal, gjithashtu, edhe për gabimet që bëjmë mes nesh dhe të tjerëve! Mos na i shfaq gjynahet, gabimet dhe punët tona të shëmtuara në sytë e botës! Na mëshiro në të ardhmen dhe mos na lejo q ë të biem në gjynahe të tjera! Shumë dijetarë kanë thënë: “Gjynahqari ka nevojë për tri gjëra: E para, që t’i falen gjynahet që ai bën mes tij dhe Zotit. E dyta, t’i mbulohen këto gjynahe dhe të mos turpërohet në sytë e robërve të Zotit. E treta, ta ruajë Zoti dhe të mos bjerë përsëri në gjynahe të ngjashme. U përmend më përpara se Allahu i Lartësuar, në përgjigje të këtyre lutjeve, thotë: “Po.” Në hadithin tjetër u përmend se Allahu i Lartësuar thotë: “E pranova lutjen tuaj.” - Ti je Mbrojtësi ynë! - Ti i dashuri, miku, kujdestari e ndihmë tari ynë! Ti je Ai që na jep ndihmë dhe fitore kundër çdo armiku! Vetëm Ty të mbështetemi, o Zot! Ti je i vetmi që ne i kërkojmë ndihmë, mbështetje, forcë dhe sukses në çdo punë! Vetëm tek Ti mbështetemi dhe e kemi shpresën për çdo të mirë dhe për të larguar çdo të keqe! Nuk ka forcë dhe nuk ka ndryshim të gjendjes veçse me ndihmën Tënde! - Na ndihmo kundër atyre që nuk besojnë! - Na ndihmo kundër popullit mohues! Na mbro nga ata të cilët e refuzojnë me forcë dhe pa të drejtë fenë Tënde! Ata nuk e pranojnë njëshmërinë Tënde në adhurim. Ata nuk e besojnë vërtetësinë e profetit tënd, Muhamedit ﷺ , dhe adhurojnë diçka tjetër veç Teje. Na ndihmo kundër tyre, o Zot! Bëj që fitorja të jetë në dorën tonë dhe përfundimi i mirë të jetë për ne në dynja dhe ahiret! Në përgjigje të këtyre lutjeve, Allahu i Madhëruar thotë: “Po.” Ndërsa në hadithin tjetër, që Muslimi sjell nga Ibn Abasi, u përmend se Allahu i Lartësuar thotë: “E bëra, e pranova lutjen tuaj!” Ibn Xheriri tregon se Muadh Ibn Xhebeli, në përfundim të kësaj sureje, thoshte: “Amin!”. Kështu ka thënë edhe Uekiu. Këtu përfundon shkurtimi i tefsirit të sures El bekare. Vetëm Allahut të Lartësuar i takon falënderimi!
Kur u shpall ajeti 284 i kësaj sureje, dhe pikërisht thënia e Allahut të Lartësuar: “Vetëm të Allahut janë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë. E shfaqni apo e mbani të fshehtë atë që e keni në veten tuaj, Allahu do t’ju marrë në përgjegjësi. Ai fal atë që do dhe e dënon atë që do. Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka. ”, kjo vërtet i rëndoi dhe i frikësoi shumë muslimanët, sepse menduan se do të merreshin në përgjegjësi për çdo gjë që kalon nëpër zemër, qoftë një mendim a qëndrim i konsoliduar, qoftë thjesht një mendim i çastit. Por Allahu i Lartësuar i sqaroi ata, duke u thënë: - lâ jukel-lifull-llâhu nefsen il -lâ us'ahâ - “Allahu nuk ngarkon asnjë përtej mundësive të tij” - Pra, Allahu i Lartësuar nuk ngarkon asnjë përtej mundësive të tij. Madje, Ai nuk ngarkon as me diçka që mund të jetë disi e vështirë për t’u përballuar, siç thuhet në suren Haxh: “Ai nuk ju ka ngarkuar me ndonjë vështirësi në fe...”. Të gjithë urdhrat dhe ndalesat hyjnore, në thelb, nuk janë të vështira të përmbushen. Përkundrazi, ato meritojnë me plot të drejtë të quhen ushqim për shpirtin dhe ilaç për trupin. Ato parandalojnë të këqijat që mund të prekin njeriun. Çdo urdhër i Allahut të Lartësuar është mëshirë dhe bamirësi për krijesat. Edhe në ato raste kur, për ndonjë shkak të caktuar, zbatimi i urdhrave bëhet i vështirë ose i pamundur, Ai ka vënë dispozita lehtësuese, për t’ua thjeshtuar krijesave zbatimin e ligjeve të Tij. - lehâ mâ kesebet ue alejhâ mektesebet. - “...ai (robi) do të marrë atë çfarë ka fituar dhe do të ketë kundër atë çfarë ka merituar.” - I Lartësuari na tregon se çdokush do të shpërblehet plotësisht për veprat e mira që ka bërë. Gjithashtu, mbi secilin do të rëndojë çdo vepër e keqe që ka bërë. Askush nuk do të marrë mbi supe peshën e gjynaheve të tjetërkujt, dhe askush nuk do të marrë shpërblimin e veprave të mira të dikujt tjetër. Për të treguar përpjekjet për të bërë vepra të mira, të cilat do të shpërblehen nga Ai, Allahu i Lartësuar ka thënë: “ lehâ mâ kesebet ”, që nënkupton (në arabisht) se veprat e mira dhe shpërblimi për to fitohen edhe pa shumë lodhje, sepse mundësitë e robit për të kryer vepra të mira janë shumë të mëdha dhe shumë të thjeshtëzuara. Madje edhe thjesht duke pasur si qëllim kryerjen e një vepre të mirë, ai e merr shpërblimin sikur e ka bërë atë vepër të mirë, edhe nëse nuk arrin ta finalizojë atë. Ndërsa kur flet për veprat e këqija, për mënyrën e kryerjes së tyre dhe për shpagimin që meritojnë, Allahu thotë: “ue alejhâ ma iktesebet ”, duke përdorur fjalën “ iktesebe” = meritoi plotësisht. Pra, kuptimi është: njeriut nuk i shkruhet puna e keqe, derisa ai ta kryejë atë, ndryshe nga vepra e mirë, e cila shkruhet dhe shpërblehet edhe nëse ai e ka vetëm si qëllim. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar foli rreth besimit të Profetit dhe besimtarëve të mirë. Ai tregoi, gjithashtu, se çdokush do të shpërblehet sipas punës që ka kryer. Më pas, është normale që adhuruesi të shfaqë mangësi, duke gabuar dhe harruar, por Allahu nuk e ngarkon atë tej fuqive dhe mundësive të tij, prandaj udhëzon që ne të lutemi me disa fjalë të mrekullueshme. Profeti (a.s.) na ka treguar se kur besimtarët i drejtohen Allahut të Lartësuar me këto fjalë të veçanta, Ai thotë: “E pranoj lutjen tuaj.” Rab-benâ lâ tu'âħidhnã in -nesînã eu eħŧa'nâ - “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë!” – Kuptimi: Mos na merr në përgjegjësi, nëse harrojmë ose gabojmë. Por cili është ndryshimi mes harresës dhe gabimit? Harresa ndodh kur lihet pa zbatuar një urdhër, për shkak të pakujdesisë së zemrës. Kështu, besimtarët i kërkojnë falje Allahut për ato dispozita të cilat i kanë lënë pa zbatuar, për shkak të harresës. Ndërsa gabimi ndodh kur synohet diçka e lejueshme për t’u vepruar, por që më pas finalizohet duke kryer diçka tjetër të palejueshme, pa qëllim. Me fjalë të tjera, të synosh kryerjen e diçkaje të lejueshme, por
gabimisht të veprosh të palejueshmen. Pra, besimtari kërkon falje edhe për veprat e kryera gabimisht. Megjithatë, Allahu i Lartësuar ia ka falur këtij umeti të dyja këto lloj mangësish, në shenjë butësie dhe mëshire ndaj tyre. Duke u mbështetur në këtë ajet, janë nxjerrë shumë dispozita lehtësuese, prej të cilave mund të përmendim: - Nëse falesh duke qenë i veshur me rroba të vjedhura ose të papastra, e ke namazin të saktë, nëse e harron një fakt të tillë gjatë kohës që kryen namazin. - Nëse harron se në rroba apo në trup ke papastërti, dhe falesh me to, namazi është i saktë, domethënë, nuk ka nevojë të përsëritet. - Nëse gjatë namazit harron se je duke u falur dhe fillon të flasësh fjalë që s’i përkasin faljes, namazi nuk prishet, sepse çdo gjë ka ndodhur nga harresa. - Nëse kryen ndonjë vepër që prish ihramin e haxhit dhe umres, duke e harruar se je në ihram, je i falur nga Allahu. Megjithatë, këtu duhet pasur parasysh që, nëse me këtë vepër sjell dëme, ato duhet të zhdëmtohen dhe kompensohen sipas ligjit. - Nëse betohesh se nuk do të bësh diçka dhe e thyen këtë betim nga harresa, nuk ke gjynah dhe nuk e ke të detyrueshëm kompensimin e betimit të thyer, sepse ky betim nuk konsiderohet i thyer. - Nëse dikush vret dikë gabimisht, pa dashje, pa qëllim, ose shkatërron pasurinë e dikujt gabimisht, pa dashje, ai nuk ka gjynah tek Allahu i Lartësuar. Ndërsa dëmet e shkaktuara duhet patjetër të kompensohen, sepse e drejta e tjetrit duhet vënë në vend. - Në të gjitha ato raste kur është e detyrueshme thënia e “ Bismilah-it” dhe harrohet të thuhet, kjo harresë është e falur dhe e padëmshme. - Rab-benâ ue lâ taĥmil alejnã iŝran kemâ ĥameltehû alel -ledhîne min ķablinâ. - “Zoti ynë, mos na ngarko me barrë të rëndë, siç ngarkove ata që ishin para nesh!” – Kuptimi: Mos na ngarko me atë iŝran. Isran quhen dispozitat e vështira për t’u zbatuar dhe për t’u përballuar. Allahu i Lartësuar ia ka plotësuar këtë lutje umetit tonë, duke u dhënë lehtësime në të gjitha fushat e Sheriatit dhe jetës njerëzore, dhe kjo ka ndodhur vetëm për këtë umet. - Rab-benâ ue lâ tuĥam -milnâ mâ lâ ŧâķate lenâ bih - - “Zoti ynë, mos na ngarko më tepër sesa kemi fuqi!” - Edhe këtë lutje e ka plotësuar i Mëshirshmi dhe i Dashuri. Atij i qoftë lavdia dhe mirënjohja e plotë! uea'fu an-nâ ueĝfir lenâ uerĥamnâ - “Na i shlyej gjynahet, na i mbulo të këqijat e na mëshiro!” - Falja dhe mbulimi i gjynaheve janë garanci për shpëtimin nga çdo gjë e keqe që njeriu i druhet në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Ndërsa mëshira është ajo, nëpërmjet së cilës rregullohen të gjitha çështjet dhe arrihet çdo gjë e dëshiruar dhe e mirë, në këtë jetë dhe në jetën tjetër. - ente meulânâ fenŝurna alel ķaumil kâfirîn. - “Ti je Mbrojtësi ynë! Na ndihmo kundër atyre që nuk besojnë! ” - “Meulânâ”, domethënë: Zoti ynë, Sunduesi, i Pushtetshmi, i Adhuruari, Kujdestari ynë.
Meulânâ është Ai që vazhdon të përkujdeset për krijesat e Tij dhe, në mënyrë të veçantë, për të zgjedhurit dhe të dashurit e Tij, që nga momenti që i krijon. O Zoti ynë, mirësitë e Tua janë të pashtershme e të pandërprera në asnjë çast, që kur na krijove dhe na furnizove me të mira. Mirësitë e Tua vetëm shtohen. Mirësia më e madhe është pikërisht Islami. Kjo është mirësia më e madhe që kemi, sepse të gjitha mirësitë e tjera janë degëzime dhe rrjedhime të saj. Ne po të lutemi, o Zoti ynë, që ta plotësosh dhe ta vazhdosh këtë mirësi të madhe, duke na ruajtur prej mohuesve e mosmirënjohësve ndaj Teje. Ata të mohojnë Ty dhe të dërguarit e Tu. Ata dalin kundër besimtarëve të Tu të sinqertë, të cilët përhapin mirësinë dhe fenë Tënde. Ata e shpërfillin adhurimin dhe ligjin Tënd. Na ndihmo, o Zot, kundër tyre, me ndihmën dhe suksesin Tënd! Na ndihmo kundër tyre, duke na dhuruar argumentim bindës dhe të qartë! Na ndihmo kundër tyre edhe me fuqi, edhe me shpatë, nëse e kërkojnë vetë një gjë të tillë! Na ndihmo të përhapim në tokë mirësinë, që të sundojë paqja dhe adhurimi Yt! Na ndihmo kundër tyre, duke na udhëzuar në besimin e drejtë dhe veprat sipas tij! Vërtet, ndihma e Allahut është afër atyre që besojnë dhe kryejnë vepra të mira.