Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 21:30–21:47

Në Kur'an thuhet se qiejt e toka ishin të bashkuar në një, e pastaj janë ndarë. Pas këtij konstatimi të Kur'anit nuk kemi kurrfarë nevoje për ndonjë dokument tjetër mendor. Po kështu përmendet uji si bazë për jetën e çdo sendi, pra, asgjë nuk është krijuar pa qëllim të caktuar. Edhe bjeshkët e mëdha e të forta garantojnë stabilitetin e tokës, sikurse edhe atmosfera rreth tokës që shërben si kulm i cili mbron prej meteorëve e sendeve të tjera. Madje ndryshimi i relievit të tokës nuk është pasojë rasti, por rrjedhim i një qëllimi të caktuar që njerëzit të orientohen më lehtë.

Idhujtarët thonin se pas vdekjes së Muhammedit, ata do t'i kthenin besimtarët përsëri në fene e tyre, ndërsa Kur'ani u thotë se ajo gjë nuk do të ndodh, sepse ata do të zhdukeshin, e feja islame Jo të vazhdojë. Askush nuk është i pavdekshëm, çdo krijesë do ta shijojë vdekjen. Të gjithë do të sprovohen me të mira e të këqia, në mënyrë që të shihet edhe falënderimi për të mirat dhe durimi ndaj vështirësive, kurse shpërblimi do të jepet sipas qëndrimit tuaj.

Jobesimtarët kurejshitë si Ebu Xhehli etj., përqeshnin Muhammedin, pse ai fyente zotat e tyre, e nuk vërenin veten se bënin gabim të madh, duke mos e besuar Zotin e vërtetë. Ata e dinin se do t'i zë dënimi, e duke mos pasur durim të rrinin gjithnjë në pritje, kërkonin që dënimi t'u vijë më shpejt, e nuk e dinin se ai do t'u vijë befas e do t'i tmerrojë e atëherë ata nuk do të mund të largojnë prej vetes zjarrin. Zotat e tyre janë të ngurtë dhe nuk kanë kurrfarë mundësie, e kush do t'i mbrojë pos Zotit. Ata ishin të mashtruar, ngase Zoti u kishte dhënë jetë të begatshme dhe harronin se do të vdesin. Nuk e vërenin se dita ditës ngushtohej territori i vendit të tyre, ndërsa i myslimanëve, përkundrazi, zgjerohej. Kështu atyre u vinte fundi i jetës, shfarosja e tyre.

Në ditën e gjykimit nuk mbetet asnjë send pa u vënë në peshojë, e as vepra më e vogël, askujt nuk i bëhet padrejtë, por atëherë do ta vajtojnë veten kokëfortit, edhe pse me vonesë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 21:44–21:47

Allahu i Lartësuar na tregon se ajo që i mashtroi idhujtarët, duke shkuar në humbje, është jeta e tyre e gjatë mes mirësive të shumta. Pikërisht kjo i ka bërë të mendojnë se janë në të vërtetën:

- “Ne u dhamë atyre dhe paraardhësve të tyre jetë të gjatë e mirësi të shumta. ” - Pastaj Allahu i Lartësuar i këshillon dhe i qorton ata: - “A nuk e vërejnë ata se Ne ua pakësojmë ca nga ca tokën nga anët e saj?” - Mufesirët kanë dhënë mendime të ndryshme në shpjegimin e këtij ajeti, sikurse e përmendëm në suren Ra’d. Shpjegimi më i mirë është dhënë përmes fjalës së Allahut në ajetin tjetër: “Edhe më parë Ne kemi shkatërruar vendbanimet përreth jush dhe ua kemi shpjeguar Shpalljet Tona që ata të mund të ktheheshin (në rrugën e drejtë) .” [Ahkaf 27]. Hasen el Basriu shpjegon: “Ky ajet nënkupton përhapjen e Islamit dhe ngushtimin e vendeve të kufrit.” Domethë -në, a nuk nxjerrin mësim ata, kur shohin ndihmën dhe fitoren që Allahu i Lartësuar u jep të dashurve të Tij mbi armiqtë e tyre? A nuk marrin mësim nga shkatërrimi i popujve, të cilët kundërshtuan profetët e tyre dhe nuk iu nënshtruan Allahut? - “Atëherë, mos vallë ata do të dalin të fituar?” - Përkundrazi, si gjithmonë, ata do të jenë të mposhturit, të poshtëruarit dhe të nënçmuarit. - “Thuaj: “Unë veçse po ju paralajmëroj me anën e kësaj shpalljeje.” - Ajo, nëpërmjet të cilës unë ju paralajmëroj dhe kërcënoj, është pikërisht Shpallja, që m’u dha nga Allahu i Lartësuar. Por paralajmërimi për ndëshkim nuk i sjell dobi atij të cilit Allahu i Lartësuar ia ka verbuar sytë e zemrës, si shpërblim i drejtë për mos - përfilljen e shpalljeve të Tij: - Por i shurdhëri nuk do ta dëgjojë thirrjen, edhe kur paralajmërohet. - Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Nëse ata do t'i godiste ndonjë e keqe nga dënimi i Zotit tënd, ata do të thoshin: “Të mjerët ne! Ne i bëmë vetes padrej - tësi.”. - Ata do të pranojnë gjynahet dhe padrejtësitë e tyre, sapo t’u bjerë pjesa më e vogël e ndëshkimit. Kështu, ata do të pranojnë padrejtësitë e mëdha, me të cilat kanë ngarkuar vetet e tyre në këtë botë. - “Ditën e Gjykimit, Ne do të vëmë peshore të sakta ...” - Allahu do të vendosë peshore të drejta Ditën e Kijametit. Në fakt, është vetëm një peshore, por numri shumës shërben për të treguar veprat e shumta, që do të peshohen në të. - “... prandaj askujt nuk do t'i bëhet padrejtësi. Edhe sikur të jetë diçka që peshon sa një kokërr meli, Ne do ta sjellim atë aty (në peshore). Mjaftojmë Ne si llogaritës të drejtë (të punëve).” - Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar, ku thotë: “Kur Libri (i punëve) do t’u vihet përpara, ti do t’i shohësh gjynahqarët të frikësuar nga shënimet në të, që do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër, që nuk ka lënë asnjë vepër - të madhe apo të vogël - , pa e shënuar.” Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë bërë. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” [Kehf 49]. Ose: “S’ka dyshim se Allahu nuk bën padrejtësi as sa një grimcë. Nëse është vepër e mirë, Ai e shumëfishon atë dhe dhuron shpërblim të madh nga ana e Tij.” [Nisa 40]. Lukmani i

tha birit të vet: “O biri im, Allahu ka për të sjellë edhe një grimcë të vogël, sa një fare sinapi, edhe në qoftë ajo e fshehur nën një rrasë guri, apo në qiej ose në tokë. Vërtet, Allahu është shumë i Mëshirshëm dhe i Gjithëditur.” [Lukman16]. Në dy Sahih-ët vjen hadithi nga Ebu Hurejra, i cili tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 1809. “Janë dy fjalë, të cilat janë të lehta për gjuhën, por të rënda në peshore dhe shumë të dashura për të Gjithëmëshirshmin: “ Subhan-Allahi ue biĥamdih, sub ĥân-Allahi el adhim !” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Abdullah Ibn Amër Ibn Asi, i cili tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 1810. “Ditën e Kijametit, Allahu i Krenar dhe i Lartësuar do të nxjerrë përpara krijesave një burrë prej umetit Tim dhe do të hapë përpara tij 99 regjistra të mbushur plot. Çdo regjistër është i madh aq sa sheh syri. Ai do t’i thotë: “A mohon ndonjë gjë prej atyre që janë shkruar në regjistra? Mos të kanë bërë padrejtësi shkruesit e Mi, të cilët regjistronin veprat e tua?” Ai thotë: “Jo, o Zot.” Atëherë, Ai do të thotë: “A ke ndonjë justifikim apo vepër të mirë?” Abdullah Ibn Amër Ibn Asi thotë: “Ai zihet ngushtë dhe thotë: “Jo, o Zoti im!” Atëherë, Allahu thotë: “Ti ke tek Ne vetëm një të mirë dhe sot ty nuk do të të bëhet padrejtësi!” Dhe Allahu i nxjerr atij një fletë të vogël, në të cilën është shkruar: “Esh’hedu en L â ilâhe il -l’Allah ue esh’hedu en-ne Muhameden Resulullah”. Ai do të thotë: “Silleni atë këtu!” Robi do të thotë: “O Zot, e çfarë do të bëjë kjo fletë e vogël, përballë këtyre regjistrave kaq të mëdhenj (me gjynahe)?!” Ai do t’i thotë: “Ty nuk do të të bëhet padrejtësi.” Profeti thotë: “Kur regjistrat (me gjynahe) të vendosen të gjithë në njërën anë të peshores dhe fleta e vogël në anën tjetër, fleta e vogël do të peshojë më shumë dhe do t’i ngrejë lart të gjithë regjistrat e mëdhenj.” Pastaj ai tha: “Asgjë nuk mun d të rëndojë më shumë përballë: “Bismilahir-Rrahmanir-Rrahim”.” 31 Këtë hadith e sjell Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe prej Lejth Ibn Sadit; Tirmidhiu ka thënë që është hadith hasenun garib.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 21:47

- Ditën e Gjykimit, Ne do të vëmë peshore të sakta, prandaj askujt nuk do t'i bëhet padrejtësi. - Allahu i Madhëruar na tregon për gjykimin e Tij të drejtë në llogarinë e krijesave, kur t’i tubojë ata Ditën e Kijametit. Ai do të vendosë peshore të drejta dhe të sakta, që do të peshojnë edhe veprat më të vogla, qofshin ato sa një thërrmijë. Kështu do të peshohen të mirat dhe të këqijat. Askujt nuk do t'i bëhet padrejtësi, musliman apo mohues qoftë. Askujt nuk do t'i pakësohet apo mohohet ndonjë e mirë që ka bërë dhe askujt nuk do t'i shtohet ndonjë e keqe që nuk e ka bërë. - Edhe sikur të jetë diçka që peshon sa një kokërr meli, Ne do ta sjellim atë aty (në peshore) . - Edhe vepra të këtyre përmasave kaq të vogla dhe të parëndësishme në dukje do të peshohen e për to do të jepet shpërblimi ose dënimi i merituar. I Madhëruari thotë në një ajet tjetër të Kur 'anit: “Atë ditë, njerëzit do të tubohen të ndarë në grupe, që të duken veprat e tyre. Kush ka bërë ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do të shohë. Dhe kush ka bërë ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do të shohë.” [Zelzele 15, 16]. Gjithashtu: “Kur libri (i veprave të tyre) t’u vihet përpara, do t’i shohësh gjynahqarët të frikësuar nga shënimet në të, që do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër, që nuk ka lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël, pa e shënuar atë?!” Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë bërë. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” [Kehf 49]. Ndërsa këtu i Madhëruari thotë: - Mjaftojmë Ne si llogaritës të drejtë (të punëve). - Mjafton që Allahu i Madhëruar i di të gjitha. Mjafton që Allahu është Ai që i llogarit veprave e njerëzve me saktësi e drejtësi. Mjafton që Allahu regjistron çdo gjë prej punëve të krijesave. Allahu është i gjithëditur për ato punë, për vlerën e tyre dhe të shpërblimit ose të ndëshkimit që ato meritojnë. Ai do t’ua japë të plotë shpërblimin ose ndëshkimin atyre që i kanë bërë ato punë.