Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 24:53–24:64

Hipokritët, të cilët nuk donin t'i përuleshin gjykimit të Zotit dhe të Pejgamberit, betoheshin rëndë se nuk do ta thyenin urdhërin e Pejgamberit edhe sikur t'i thërriste ai për të dalë në luftë. Ai betim i tyre ishte i rrejshëm. Megjithatë, Pejgamberi ishte i obliguar t'u komunikojë, e ata i do të përgjigjen për zbatimin e obligimeve të tyre. i Pasi që Pejgamberi shkoi në Medinë, shokët e tij u vunë në thumb të shigjetës prej armiqve, I andaj ishin të detyruar të bëjnë pushimin edhe natën pa hequr armët e ngjeshura. Mendonin i se a do t'ia dilnin që ndonjëherë të ishin të qetë, natën, e Zoti u premtoi se do të arrijnë të jenë të zotët e asaj toke dhe do të jenë të qetë e të sigurt në të. Të zbatojnë obligimet, e të mos mendojnë se kundërshtarët jobesimtarë janë të pamposhtshëm.

Myslimanët udhëzohen edhe për rendin shtëpiak, të cilin duhet respektuar. i Gratë e moshuara nuk janë aq të detyruara të jenë të mbuluara si të rejat.

Kur shkonin myslimanët në luftë, çelësat e shtëpive të tyre ua lënin atyre që nuk shkonin, pse kishin ndonjë të metë trupore, por u thonin që të hanin lirisht në shtëpitë e tyre. Ata turpëroheshin dhe nuk hanin, bile mendonin se nuk ishin të lejuar në pikëpamje fetare. Për këtë arsye zbriti ajeti dhe u sqarua se kur mund të hahet pa pyetur.

Myslimanët porositën të mos e thërrasin Pejgamberin si e thërrasin njëri-tjetrin, por ta thërrasin me ndonjë epitet të lartë, Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "Suretun Nur". lavdëruar qofsh o Zot!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 24:64

- Nën pushtetin e Allahut është gjithçka në qiej dhe në Tokë. - Allahu i Lartësuar na tregon se Ai është Sunduesi, Mbretëruesi, Pronari i qiejve dhe Tokës. Ai është i gjithëdituri për të fshehtën dhe të dukshmen; Ai di gjithçka që bëjnë krijesat haptazi apo fshehtazi. Ai thotë: - “Vërtet, Ai e di gjendjen tuaj ...” - Fjala ‘kad’, në këtë ajet, vjen me kuptimin përforcues, “vërtet”, ose: “pa dyshim”. Pra, Ai është vërtet i gjithëditur rreth jush. Ai është dëshmitar i gjendjes suaj. Atij nuk mund t’i fshihet asnjë thërrmijë, sado e vogël qoftë ajo, në qiell dhe në Tokë. Me të njëjtin kuptim vjen kjo fjalë edhe në ajete të tjera, si: “Vërtet, Allahu i di ata që largohen tinëz. ...” [Nur 63]. “Vërtet, Allahu i di mirë ata që i pengojnë vëllezërit e tyre (nga lufta) dhe u thonë: “Ejani me ne!” ...” [Ahzab 18]. Ose: “Vërtet, Allahu i dëgjoi fjalët e asaj që bisedoi me ty lidhur me bashkëshortin e saj dhe u ankua tek Allahu....” [Muxhadile 1]. Ose: “Vërtet, Ne e dimë se ty të brengos ajo që ata të thonë. ...” [En’am 33]. Ose: “Vërtet, Ne të shohim që e kthen shpesh fytyrën tënde nga qielli. Ne do të të drejtojmë ty nga një Kible, që do të të kënaqë. ...” [Bekare 144]. Pra, në të gjitha këto ajete, fjala ‘ kad’ përdoret për ta përforcuar mesazhin që jepet në ajet. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “... dhe ditën kur të ktheheni te Ai ...” - Ditën kur të gjitha krijesat do të kthehen tek Allahu, e cila është Dita e Kijametit, Ai: - “... do t’u njoftojë për atë që vepruat.” – Do t’u paraqesë gjithçka që kanë vepruar në dynja, e vogël apo e madhe qoftë. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Kur t’u vihet përpara regjistri, ti do t’i shohësh gjynahqarët të frikësuar nga shënimet në të, që do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër, që nuk ka lënë asnjë vepër, të madhe apo të vogël, pa e shënuar.” Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë bërë. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” [Kehf 49]. Ndërsa këtu i Lartësuari thotë: - “Allahu di gjithçka. ” - Ai di çdo veprim të tyre, të mirë e të keq, të madh e të vogël, të hapur e të fshehtë. Ky është fundi i shkurtesës së tefsirit të sures Nur. E lusim Allahun e Lartësuar që të na japë sukses që ta përfundojmë këtë vepër ashtu si Ai është i kënaqur dhe të largojë prej nesh çdo gabim dhe rrëshqitje! Allahu jep sukses në fillim dhe përfundim të çdo pune. Lavdërimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botërave! Kjo përfundoi në 24/2/1390 hixhri, që i korrespondon datës 30/4/ 1970.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 24:62–24:64

- Besimtarë (të vërtetë) janë vetëm ata që besojnë në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij dhe, kur janë me të (të dërguarin) për ndonjë çështje të përbashkët (të rëndësishme), nuk largohen pa i kërkuar leje atij. - Kjo është një porosi e mrekullueshme nga Zoti për mënyrën se si duhet të sillen besimtarët për të analizuar çështje të rëndësishme, kur interesi e kërkon një pjesëmarrje sa më të gjerë, si për shembull diskutimet për xhihadin. Në të tilla raste, besimtari duhet të respektojë interesin e përgjithshëm dhe të qëndrojë me durim në të tilla kuvende të gjera. Besimtarët e vërtetë në Allahun dhe Profetin, kurrë nuk u bëjnë bisht të tilla përgjegjësive për shkak të interesave personale, veçse kur e kanë të domosdoshme dhe pasi kanë marrë leje nga Profeti (a.s) ose nga ai që udhëheq të tilla kuvende, pas Profetit (a.s). Allahu i Lartësuar e ka konsideruar si një nga veprat treguese të imanit moslargimin pa kërkuar leje nga të tilla kuvende, madje i ka lavdëruar besimtarët që pajisen me këtë edukatë ndaj Profetit ose udhëheqësve të tyre. Ai thotë: - S’ka dyshim se ata që kërkojnë leje nga ti, besojnë në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij. E kur të kërkojnë leje për ndonjë punë të tyre, lejo kë të duash, e kërkoji falje Allahut për ta! – Pra, a duhet që udhëheqësi t’u japë leje të largohen apo jo? Kjo është një pyetje, përgjigjja e së cilës vjen pozitive, por me dy kushte: 1. Nëse e kanë shumë të domosdoshme. Në të kundërt, atyre nuk u jepet leje. 2. Nëse udhëheqësi e sheh të arsyeshme që t’u japë leje dhe gjykon si jo të dëmshëm largimin e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: "E kur të kërkojnë leje për ndonjë punë të tyre, lejo kë të duash e kërkoji falje Allahut për ata!" Kështu, nëse dikush ka arsye dhe kërkon leje, por udhëheqësi e gjykon se qëndrimi i tij është i nevojshëm, ndoshta për urtësinë ose guximin e tij, atëherë udhëheqësi e ka të drejtën që të mos i japë

leje. Megjithatë, edhe kur dikush i kërkonte leje, duke plotësuar të dyja kushtet, dhe Profeti (a.s) i jepte leje, përsëri Allahu e urdhëroi Profetin (a.s) që të kërkonte falje për atë që kërkonte leje, se ndoshta po tregohej neglizhent dhe jo i drejtë me atë veprim: - Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë. - Ai jua fali gjynahet e mangësitë dhe ju mëshiroi kur ju lejoi largimin me leje për shkaqe të pranueshme. - Mos iu drejtoni të Dërguarit, sikurse i drejtoheni njëri -tjetrit! - Mos e konsideroni komunikimin mes jush dhe Profetit të Zotit si komunikimin tuaj mes njëri tjetrit. Kur Profeti komunikon me ju dhe ju thërret për diçka, ju e keni detyrë që t’i përgjigjeni. Madje, edhe nëse jeni duke falur namaz, është detyrë që t’i përgjigjeni Profetit kur ju thërret. Fjala e tij është detyrë që të pranohet dhe të zbatohet. Nuk ekziston asnjë njeri tjetër, urdhrat e të cilit të jenë detyrueshme të zbatohen, përveç Profetit të Zotit, sepse vetëm ai është i ruajtur nga gabimet që kanë lidhje me ligjin e Zotit dhe sepse ne jemi urdhëruar që ta pasojmë atë. Allahu i Madhëruar thotë: "O ju që keni besuar! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, kur Ai ju fton tek ajo që ju jep jetë dhe dijeni se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se është Ai tek i cili ju do të tuboheni (të gjithë). " [Enfal 24]. Ndërsa për çdo njeri tjetër, fjalët dhe urdhrat e tij pranohen ose refuzohen, në varësi të përputhshmërisë me udhëzimin e Profetit e diturinë e tij. Gjithashtu, në lidhje me etikën tonë kur i drejtohemi Profetit (a.s), gjithashtu, jemi urdhëruar të jemi të kujdesshëm dhe të mos i drejtohemi atij siç kemi zakon t’i drejtohemi njëri tjetrit. Pra, nuk lejohet p.sh. t’i themi “Muhamed!” kur i drejtohemi atij, ose “O Muhamed, i biri i Abdullahit!”, siç e kemi zakon të thërrasim dhe t’i drejtohemi njëri tjetrit. Përkundrazi, duke e nderuar dhe respektuar e madhëruar figurën e Tij, duhet të themi: “O i Dërguari i Allahut!” ose "O Profeti i Zotit!” - Allahu i di ata që largohen tinëz. - Allahu i Lartësuar, pasi lëvdoi ata besimtarë të mirë të cilët, kur janë në ndonjë kuvend me Profetin, nuk largohen derisa ai t’u japë leje, vijon të qortojë ata të cilët largohen pa leje, madje u jep një kërcënim të frikshëm: Edhe nëse ata fshihen nga sytë e njerëzve, kur ikin vjedhurazi, që të mos vihen re, kjo nuk i fshihet Allahut. Allahu i di mirë dhe sheh gjithçka dhe Ai do t’i shpërblejë ata me drejtësi. Allahu i kërcënon ata duke thënë: - Prandaj le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit) sepse do t’i përfshijë ndonjë sprovë, ose do t’i godasë një dënim i dhembshëm. - Mendohu pak! Ky ishte një kërcënim që u drejtohej atyre që mbase largoheshin fshehtas për shkak të ndonjë punë të tyre, që edhe mund të ishin të justifikuar dhe Profeti mund t’u jepte leje, por ata përsëri largoheshin pa marrë leje, duke treguar në këtë mënyrë mosvlerësim të çështjeve të mëdha që duhen trajtuar. Mendo çfarë kërcënimi i pret ata që largohen dhe i lënë çështjet e rëndësishme pa asnjë shkak e arsye. Le të kenë frikë këta njerëz se: "...do t’i përfshijë ndonjë bela, ose do t’i godasë një dënim i dhembshëm." Ata do t’i godasë shirku ose ndonjë ligësi e madhe, por mund t’i godasë edhe ndonjë dënim i dhembshëm. - Nën pushtetin e Allahut është gjithçka në qiej dhe në Tokë. - Të gjithë dhe gjithçka janë pronë dhe nën sundimin e Zotit, të nënshtruar para Tij. Ai vepron mbi ta me ligjin e sundimin e Tij të krijimit e përcaktimit të çdo ligji të ekzistencës. Është Ai që u vendos atyre edhe ligjin e Sheriatit, sipas të cilit duhet të jetojnë dhe të adhurojnë Zotin. - Ai e di gjendjen tuaj... - Dituria e Allahut përfshin gjithçka rreth gjendjes tuaj, qoftë mirësitë, qoftë ligësitë. Ai i di mirë të gjitha veprat tuaja. Dituria e Tij absolute i ka përfshirë pa përjashtim dhe lapsi i Tij i ka shkruar me korrektësi. Shkruesit e Tij besnikë i kanë shkruar me përpikmëri ato.

- ... dhe ditën kur të ktheheni te Ai, do t’u njoftojë për atë që vepruat. - Ditën e Kijametit, Ai ka për t’u treguar të gjitha veprat e tyre, të vogla e të mëdha, fiks ashtu siç janë bërë në realitet. Kundër tyre do të dëshmojnë vetë gjymtyrët e tyre. Nga Zoti ata do të gjejnë ose drejtësinë, ose bamirësinë e Tij. Për të treguar se dituria e Tij përfshin jo vetëm veprat e tyre, por edhe gjithçka tjetër, Allahu thotë: - Allahu Di gjithçka. – Kështu, Ai përmend diturinë e Tij gjithëpërfshirëse, pasi përmendi në mënyrë të veçantë diturinë për veprat e tyre. Këtu përfundon tefsiri i sures En-nur dhe të gjitha lavdërimet i takojnë vetëm Allahut të madhëruar.