Pas përshkrimit të vuajtjeve në xhehenem dhe të përjetimit të kënaqësive në xhennet, parashtrohet çështja e atyre që adhuroheshin në jetën e dynjasë si zota: idhujt e idhujtarëve engjëjt, ndonjë pejgamber a njeri tjetër që adhurohej si hyjni.
Të gjithë atyre Zoti do t'u thotë: Përse m'i keni mashtruar robërit e Mij, a keni fajin ju apo ata vetë e humbën rrugën e drejtë" Pas kësaj pyetjeje që u bën Zoti, ata përgjigjen: Ne nuk i kemi mashtruar, ne e dimë se Ti nuk ke nevojë as për zota të tjerë as për fëmijë, por atyre u ke dhënë shumë të mira, e në vend që ata të falënderojnë për atë kënaqësi, ata e humbën veten, të harruan Ty dhe u dhanë pas të këqijave, ndoqën rrugën e gabuar, ndaj ata vetë e kanë fajin. Atëherë Zoti u thotë: A shihni se ata zota që i adhuronit ju, u distancuan prej jush, ju qitën në rrenë, vuanie pra dënimin.
Të gjithë pejgamberët ishin njerëz që hanin dhe ecnin etj. Njerëzit janë sprovë për njëri-tjetrin, i pasuri me të varfërin, i famshmi me të pafamshmin, i shëndoshi me të sëmurin, e kështu me radhë. Se a do të jetë falënderues për të mirat dhe a do të jetë i durueshëm, a do të bëjë sabër në mungesë të të mirave, të gjitha këto Zoti i sheh, i di dhe i shpërblen.
- “Ne edhe para teje çuam të dërguar, të cilët gjithashtuishin njerëz që hanin ushqim dhe ecnin nëpër tregje.” - Allahu i Lartësuar tregon për profetët e shkuar se edhe ata ishin njerëz të zakonshëm, që hanin ushqim dhe kishin të njëjtat nevoja si çdo njeri; edhe ata shkonin në treg për të fituar në hallall, por kjo nuk e cenonte aspak figurën e tyre si të dërguar të Tij. Allahu i Lartësuar i pajisi ata me cilësi të përkryera, me vepra të mira, madje u mundësoi dhe mrekulli dhe gjëra të jashtëzakonshme, të mjaftueshme që çdokush të kuptonte dhe të argumentonte vërtetësinë e tyre. Çdo njeri i mençur arrin ta kuptojë vërtetësinë e mesazhit që ata sollën nga Zoti dhe mirësinë e ftesës së tyre. Allahu i Lartësuar i bëri ata të gjithë njerëz që hanë dhe pinë, me nevoja humane, por i pajisi me të tilla cilësi, që njerëzit t’i besonin se ata ishin të dërguarit e Tij. E ngjashme më këtë ajet është edhe fjala e Allahut të Madhëruar: “Ne dërguam para teje si të dërguar vetëm se burra nga banorët e qyteteve, të cilët i pajisëm me shpallje...” [Jusuf 109]. Ose: “Edhe para teje dërguam veçse burra, të cilëve u dhamë shpallje. Nëse nuk e dini këtë, atëherë pyesni njerëzit e ditur! Ne nuk i bëmë ata (profetët) njerëz që nuk hanë e as nuk ishin të pavdekshëm.” [Enbija 8]. - “Ne ju bëmë sprovë për njëri-tjetrin: A do të jeni të durueshëm? ” - Ne ju sprovojmë me njëri -tjetrin, për të dalë në pah të gjithë ata që i binden Allahut të Madhëruar, si edhe ata që e refuzojnë, dhe kështu zhyten në poshtërsi dhe mosbesim. - “Allahu është Ai që sheh çdo gjë. ” - Allahu i Lartësuar është i Gjithëditur, Gjithëshiku-es, që ta dijë se cili e meriton që t’i jepet Shpallja, siç thotë në një ajet tjetër: “... Por Allahu e di më së miri se kujt ia dhuron Shpalljen e Vet. ... ” [En’am 124]. Allahu është më i ditur për ata që e meritojnë që Ai t’i udhëzojë në rrugën e drejtë, në rrugën e të dërguarve të Tij, si edhe për ata që nuk e meritojnë diçka të tillë. Ai mund t’i bënte të gjithë që të besonin profetët, por Ai dëshiron që t’i sprovojë njerëzit në këtë jetë. Në Sahih-un e Muslimit, nga Ijad Ibn Himari përcillet se Profeti i Allahut ka thënë: 1991. “... Allahu më tha: “Të kam dërguar, që të të sprovoj ty dhe t'i sprovoj të tjerët me ty.”
Allahu i Lartësuar na njofton rreth gjendjes së idhujtarëve dhe idhujve të tyre në Ditën e Kijametit. Idhujt do të distancohen prej idhujtarëve, ndërsa këta të fundit do të shohin kotësinë e idhujtarisë së tyre. I Lartësuari thotë: - Ditën kur Ai do t’i tubojë ata dhe idhujt, që ata adhuruan veç Allahut, do t'u thotë (idhujve): “A ju qetë ata që i udhëzuat robërit e Mi që t’ju adhurojnë, apo ata vetë e braktisën rrugën (e drejtë)?” - Ajo është dita kur Zoti do t’i tubojë së bashku idhujtarët, të cilët kanë mohuar shpalljet dhe nuk kanë pranuar t'u binden profetëve të Tij. Por atë ditë, Ai do të tubojë së bashku me idhujtarët, edhe idhujt që ata kanë adhuruar. Allahu do t’u drejtohet me disa fjalë idhujve, por që në fakt janë fjalë trishtuese që u drejtohen idhujtarëve: “A ju qetë ata që i udhëzuat robërit e Mi që t’ju adhurojnë, apo ata vetë e braktisën rrugën (e drejtë) ?” Pra, mos, vallë, i urdhëruat ju ata që t’ju adhuronin? Ju i nxitët apo ata e bënë vetë, me dëshirën e tyre? Atëherë, ata që adhuroheshin do të distancohen nga kjo padrejtësi e madhe dhe do të thonë: - Ata do të përgjigjen: “Lavdia qoftë për ty! – Ata e lavdërojnë dhe e dëlirësojnë Allahun kundër shirkut që kanë bërë idhujtarët dhe distancohen nga një vepër e tillë. - Kurrë nuk do të parapëlqenim që përveç Teje të kemi ndonjë mbrojtës tjetër,... - Kurrë nuk do t’ia lejonim vetes të merrnim mbrojtës, mik e ndihmë tar tjetër, veç Teje, o Zot! Ne nuk njohim zot tjetër që të meritojë ta adhurojmë, t’i mbështetemi dhe t’i lutemi, përveç Teje! Duke qenë se ne nuk adhurojmë asnjë dhe asgjë veç Teje dhe përderisa nuk i mbështetemi e as i lutemi e kërkojmë ndihmë askujt tjetër veç Teje, atëherë si mund të urdhërojmë të tjerët për një padrejtësi të tillë?! Kjo kurrë nuk mund të ndodhë dhe Ti je shumë i madhëruar dhe i dëlirë që të mund të zgjedhim ndonjë tjetër si të adhuruarin e kujdestarin tonë. Ky i ngjan ajetit tjetër: “ Allahu do të thotë: “O Isa, biri i Merjemes! Ti, vallë, u the njerëzve: “Më besoni mua dhe nënën time si dy zota veç Allahut!?” Ai do të thotë: “Qofsh i lartësuar (o Zoti im) ! Kurrë nuk mund ta thosha unë atë për të cilën nuk kam asnjë të drejtë. Po ta kisha thënë atë, Ti do ta kishe ditur. Ti e di çfarë ka në shpirtin
tim, ndërsa unë nuk e di atë që është tek Ty. Ti i di të gjitha të fshehtat. Unë nuk u kam thënë atyre asgjë tjetër, veç asaj që Ti më urdhërove: “Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” Unë isha dëshmitar i tyre, sa isha ndër ta. Por pasi Ti më more mua, ishe Ti mbikëqyrësi i tyre. Ti je Dëshmitar për gjithçka.” Nëse Ti i ndëshkon ata, ata janë robt e Tu. E nëse i fal ata, Ti je i Plotfuqishmi e i Urti. Allahu thotë: “Kjo është dita kur të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. Atyre u takojnë kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Ky është shpëtimi i madh.” Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i tokës dhe gjithçka që është ndërmjet tyre. Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka. " [Maide 116 – 120]. Ose: "Ditën kur Ai do ti tubojë ata të gjithë do t'u thotë melekëve: “Këta janë ata që ju adhuronin juve?” Ata (melekët) thonë: “I dëlirë je o i Madhëruar! Ti je Zoti ynë, dhe je i pastër nga ajo që ata thonë! Por ata adhuronin xhindet dhe shumica e tyre besonin në ta”. Sot nuk keni gjë në dorë t’i bëni dobi e as dëm njëri - tjetrit. Atyre që ishin zullumqarë do t'u themi: “Shijoni dënimin e zjarrit, të cilin e konsideruat gënjeshtër!” [Sebe'e 40 – 42]. Pasi rrëfehen se janë të pastër nga idhujtaria dhe që nuk kanë lidhje me ftesën e njerëzve në këtë padrejtësi, ata përmendin shkakun e vërtetë të idhujtarisë së atyre të mjerëve: - ... por Ti i begatove me të mira ata dhe të parët e tyre... – Ata u zhytën në kënaqësitë e kësaj bote, të shfrenuar në përmbushjen e epsheve dhe kënaqësive të tyre tokësore. Aq shumë u përhumbën në këto kënaqësi saqë: - dhe ata i harruan paralajmërimet e tua... - Ata ishin tërësisht të përhumbur në kërkimin e kënaqësive të kësaj dynjaje, ishin dehur me përmbushjen e epsheve, saqë e harruan ahiretin dhe e shitën atë për të blerë dynjanë. Ata u bënë, ashtu siç thotë Zoti: - ... dhe u bënë popull i shkatërruar.” - Ata u bënë " kaumen bura " - njerëz të këqinj, në të cilët nuk ka asnjë grimë mirësie dhe të cilët nuk meritojnë dhe as janë të denjë për ndonjë të mirë. Ata vlejnë dhe meritojnë veçse shkatërrimin e dëshpërimin. Në këto ajete përmendet shkaku që i pengon ata nga pasimi i udhëzimit të Zotit, e që është kënaqësia e tepruar me stolitë e kësaj bote. Është përmendur edhe një pengesë tjetër për mospërqafimin e udhëzimit të Zotit: fakti që ata janë njerëz që nuk kanë mirësi në shpirt. Ata pranojnë veçse ligësinë dhe e refuzojnë me forcë mirësinë. Kështu, me këto dy shkaqe, çdo lloj sherri e shkatërrimi që të të vijë ndër mend, ke për ta gjetur tek ata të mjerë. Më pas, Allahu i Madhëruar u drejtohet idhujtarëve dhe u thotë: - “Këta e përgënjeshtruan atë që thatë ju, – Ata u distancuan nga pretendimi juaj se ata ju kishin urdhëruar që t’i adhuronit apo se ata ishin të kënaqur me idhujtarinë tuaj. Ata dëshmuan se ju gënjeni kur pretendoni se ata ishin ndërmjetësit tuaj tek Zoti. Ata i mohojnë të gjitha këto gënjeshtra tuaja dhe tashmë janë armiqtë tuaj më të ashpër, ndërsa për ju është bërë i meritueshëm dënimi i Zotit. - ...dhe tashmë ju as nuk keni mundësi të shpëtoni as do të ndihmoheni.” - Vetë nuk mund të gjejnë shpëtim duke ofruar kompensim, por nuk do të gjejnë as ndonjë ndihmës, që t’i shpëtojë nga ndëshkimi i Zotit. Ky është dënimi për pasuesit e verbër të së kotës, të zhytur në injorancë, që refuzojnë shpalljet dhe dritën e Zotit. Ai është dënimi më i keq dhe përfundimi më i dhembshëm. Atëherë, çfarë mund të mendohet për atë kategori që jo vetëm ndjekin verbërisht të kotën, por refuzojnë me arrogancë të vërtetën, edhe pasi e kanë njohur atë, madje edhe pengojnë të tjerët nga kjo e vërtetë?! Për këta, Allahu i Madhëruar thotë: - Dhe cilido prej jush që bën padrejtësi, Ne do t'i japim një dënim të madh. – Atij që e braktis të vërtetën me inat dhe
arrogancë: "Ne do t’i japim një dënim të madh." Askush nuk mund ta përshkruajë dhe tregojë deri ku shkojnë dhimbjet e dëshpërimi. Duke u dhënë përgjigje mohuesve të Shpalljes, Allahu i Madhëruar thotë: - Ne edhe para teje çuam të dërguar, por edhe ata ishin njerëz që hanin ushqim dhe ecnin nëpër tregje. – Ata më përpara thoshin: “Ç’është ky i dërguar, i cili ha ushqim dhe shëtit nëpër tregje?! Përse nuk i është dërguar atij një melek dhe të bëhet me të paralajmërues?! Ose, përse nuk i është zbritur një thesar apo të kishte një kopsht, nga i cili të hante?! Të padrejtët thonë: “Ju, vërtet po pasoni një njeri të magjepsur." [Furkan 7, 8]. I Madhëruari nuk i ka bërë profetët të tillë që të mos hanë ushqim dhe nuk i ka bërë ata melekë. Edhe ti, o Muhamed, je si të gjithë profetët para teje. Ndërsa për sa i përket varfërisë dhe pasurisë, ata janë sprovë për njerëzit dhe është urtësia e Zotit që vendos për të, siç thotë i Madhëruari: - Ne ju bëmë të jeni sprovë për njëri - tjetrin:... – Kështu, profetët ishin sprovë për ata ku dërgoheshin. Ata nxirrnin në pah të bindurit nga të pabindurit. Nga ana tjetër, profetët vetë, Zoti i sprovoi duke i urdhëruar që të ftojnë krijesat në rrugën e drejtë. I pasuri është sprovë për të varfërin dhe i varfëri është sprovë për të pasurin. Në këtë mënyrë, sprovohen të gjitha krijesat me njëra tjetrën. Kjo botë është vendi i sprovës dhe belave. Qëllimi i të gjitha këtyre sprovave është që të duket shkalla e durimit. Ai thotë: - ... A do të jeni të durueshëm? – A do të jeni të durueshëm e këmbëngulës dhe të plotësoni me përkushtim e përpikmëri detyrat tuaja, që Zoti ju ka ngarkuar, dhe kështu Ai t'ju shpërblejë? Apo nuk do të bëni durim, dhe kështu të meritoni ndëshkimin? - Allahu është Ai që sheh çdo gjë. – Ai i di mirë çdo gjendje tuajën, prandaj dhe Ai zgjedh dhe i dallon ata të cilët e meritojnë dhe janë të duhurit për të mbartur Shpalljen e Tij. Ai i di mirë edhe veprat tuaja dhe ka për t’ju shpërblyer për to. Nëse keni bërë vepra të mira, do t’ju shpërblejë me të mira, e nëse keni bërë të liga, ato do të merrni si dënim.