Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 26:105–26:159

Edhe pse tregimet për pejgamberët duken sikur përsëriten, në të vërtetë, ata nuk janë përsëritje, por në secilin rast, tregimin duhet kundruar nga një këndvështrimi të veçantë për ta kuptuar përse sillet ai tregim.

Kur është fjala për tregimin e popullit të Nuhut, në këtë rast përfitojmë bindjen se paria, njerëzit e pozitës, vështirë pranojnë këshillat njerzore, pse tërë shpresën e kanë të lidhur për këtë jetë, andaj nuk duan të mendojnë se do të përgjigjen para Zotit për shfrenimet e tyre. Edhe ata, sikundër edhe paria kurejshite, kërkuan që Nuhu t'i largojë njerëzit që ishin të një shtrese më të ulët e që ishin besimtarë, por Nuhu si edhe Muhammedi më vonë, nuk pranoi një gjë të tillë.

Te populli i Hudit, te Adi, ishte karakteristikë e tyre mendjemadhësia, dominimi mbi të tjerët, vrazhdësia në sjellje, andaj edhe dënimi u vjen po i atij rangu, sepse në një mënyrë shumë të tmerrshme i rrëmben një furtunë e ftohët, i ngrit në ajër, e pastaj i lëshon me kokë për tokë.

Të populli i Salihut, te Themudi, ishte dominante lakmia për kënaqësi të jetës si për ngrënie, dëfrime, shtëpi të bukura etj. Edhe dënimi kundër tyre ishte ushtima e një tërmeti, i cili i gurëzoi edhe prej së larti, prej atyre pallateve të ndërtuara nëpër kodra dhe i lëshoi toka.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 26:153–26:159

Allahu i Lartësuar na tregon rreth popullit të Themudit dhe përgjigjes që ata i dhanë Profetit të tyre Salih, kur ai i ftoi që të adhuronin Zotin e tyre Krenar dhe të Lartësuar. - “Ata i thanë: “Ti je veçse një i magjepsur!” - Ju jeni të magjepsur dhe, si të tillë, nuk keni aftësi për të logjikuar drejt. Pastaj - “Ti je veçse një njeri, si ne. ” - Atëherë, duke qenë se edhe ti je njeri si ne, atëherë si mund të pranojmë dhe besojmë se ty të është shpallur nga Zoti dhe jo neve? Kjo është shpjeguar edhe në një ajet tjetër, ku, duke na treguar fjalët e tyre, i Lartësuari thotë: “Vallë, vetëm atij iu dha Shpallja ndër ne? Jo, ai është një gënjeshtar mendjemadh.” Do ta kuptojnë nesër se kush është gënjeshtari mendjemadh.” [Kamer 25, 26].122 - “Sill, pra, një argument, nëse thua të vërtetën!” - Në vijim, ata i kërkuan atij prova për vërtetësinë e fjalëve të tij, madje i kërkuan që, pikërisht në atë çast, të dilte prej shkëmbit një deve ashrae, pra, deve barsë në muajin e dhjetë (gati për të lindur). Atëherë, Profeti u mori premtimin që, nëse Allahu do t’u përgjigjej kërkesës, ata vërtet do të besonin dhe do ta pranonin atë. Kështu, ata ia dhanë atë premtim dhe Profeti Salih (a.s) u ngrit dhe u fal për Zotin. Pastaj, ai e luti Allahun e Lartësuar që t’i përgjigjej kërkesës së tyre. Menjëherë, u hap shkëmbi dhe prej tij doli një deve ashrae, pikërisht me cilësitë që e kërkuan ata. Disa besuan menjëherë dhe e shfaqën besimin e tyre, por shumica mohuan dhe e

refuzuan ftesën e Profetit. Allahu i Lartësuar thotë: - “Ai tha: “Kjo këtu është një deve. Ajo do të pijë në një ditë të caktuar, kurse ju në një ditë tjetër ...” - Ajo do të shkonte të pinte e vetme në burimin e ujit të tyre, kurse ditën tjetër do ta shfrytëzonin ata ujin e burimit. - “Mos e prekni për ta dëmtuar, se do t’ju godasë dënimi i Ditës së Madhe!” - Ajo deve qëndroi mes tyre njëfarë kohe. Ajo shkonte dhe pinte në burimin e tyre, hante në kullotat e tyre dhe ata i merrnin qumështin. Ata merrnin prej saj aq shumë qumësht, saqë u mjaftonte të gjithëve për të pirë. Megjithatë, me kalimin e kohës, ata po bezdiseshin nga prania e vazhdueshme e devesë, prandaj doli dhe ngriti krye ai më i dëshpëruari dhe më fatziu i tyre. Kështu, ata planifikuan që ta vrisnin dhe t’ia prisnin këmbët. Allahu i Lartësuar thotë: - “Por ata e therën atë dhe u bënë pishman për këtë. Ata i përfshiu dënimi i premtuar.” - Toka e tyre u trondit nga një tërmet i fuqishëm dhe nga sipër u erdhi një britmë shumë e madhe, që ua shkuli zemrat nga vendi dhe ata mbetën të gjunjëzuar. - “Vërtet, këtu ka argument. Por shumica e tyre nuk besojnë. Nuk ka dyshim se Zoti yt, Ai është Ngadhënjimtari, Mëshi - rëploti.” - Ai është Krenari, që ka nënshtruar dhe përulur çdo gjë. Ai është Mëshirëploti, për të gjithë ata që pendohen dhe u binden porosive të sjella përmes Profetit të Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 26:141–26:159

- Edhe popull Themud nuk u besoi të dërguarve. - Themudi ishte një popull i njohur, i përhapur në shumë vendbanime të Hixhrit. Ata e mohuan profetin Salih, por ishte njëlloj si të kishin mohuar të gjithë profetët, sepse ai i ftoi ata në teuhid ashtu si të gjithë profetët e Zotit. - Vëllai i tyre, Salihu, u tha: “A nuk keni frikë (Allahun)?” - Vëllai i tyre nga gjaku u foli atyre me dashuri dhe me butësi: “A nuk e keni frikë (Allahun)?” Pra, kini frikë Zotin dhe largohuni nga idhujtaria dhe poshtërsitë! - Unë jam një Profet i besuar, i dërguar (veç) për ju. - Unë jam një profet i dërguar nga Zoti e Krijuesi juaj. Ai më dërgoi tek ju, që t'ju ftoj me butësi dhe dashuri, si mëshirë e përkujdesje për ju. Atëherë, respektojeni dhe jini mirënjohës për këtë mëshirë. Pranojeni përkujdesin dhe mëshirën e Tij, duke u nënshtruar që ta adhuroni e ta jetoni jetën siç Ai kënaqet. Unë jam një profet besnik dhe ju e njihni mirë besnikërinë dhe sinqeritetin, dhembshurinë dhe dëshirën time të mirë për ju. Kjo duhet të shërbejë që ju të më besoni

dhe të besoni atë që unë ju kam sjellë nga Zoti. - Prandaj, kijeni frikë Allahun dhe m'u bindni mua! - Ruajuni nga zemërimi dhe ndëshkimi i Zotit dhe bindmuni mua në rrugën e Zotit. - Unë nuk kërkoj prej jush asnjë shpërblim për këtë. Shpërblimi për mua është vetëm prej Zotit të botëve. - Kjo nuk përbën pengesë për ju, që të më ndiqni dhe pasoni. Kështu, nuk keni pse të mendoni se unë dua që të grabis pasuritë tuaja. Shpërblimi im është nga Allahu, Zoti i botëve, prandaj vetëm prej Tij e kërkoj shpërblimin. - A jeni të sigurt se do të mbeteni të sigurt në gjithçka keni këtu (në këtë botë)? Këtu, mes kopshteve dhe burimeve, mes të mbjellave dhe hurmave, me frutat e tyre të freskëta? - A mendoni se do të liheni në këto mirësi dhe begati të shumta dhe nuk do të sprovoheni?! Mos, vallë, do të liheni pa u urdhëruar dhe ndaluar?! E si mund të kërkoni dhe përdorni këto mirësi në poshtërsi ndaj Allahut dhe mosbindje ndaj Tij?! - Ju gdhendni me mjeshtëri shtëpi nëpër male shkëmbore. - Aq shumë u përkushtuat dhe u dhatë pas zbukurimeve e stolive, saqë edhe malet i shndërruat në kështjella dhe shtëpi. - Kijeni frikë Allahun dhe m'u bindni mua! Mos shkoni pas atyre që janë të shfrenuar... - Frikësojuni Zotit dhe m’u bindni në rrugën që ju afron tek Ai. Mos ju bindni atyre që kanë kaluar çdo kufi. - ...që bëjnë shkatërrime në tokë dhe nuk përmirësojnë. - Shkatërrimi i tokës me poshtërsi dhe nxitja e njerëzve për to ishte cilësia e tyre e pandashme dhe dalluese. Ata dinin vetëm të shkatërronin dhe nuk sillnin asnjë përmirësim. Ata ishin mbartës së ligësisë. Ata ishin të përkushtuar në kundërshtimin e Profetit dhe ftonin në rrugët e humbjes, prandaj Salihu i paralajmëroi që të mos mashtroheshin prej tyre. Mbase këta janë ata për të cilët Allahu ka thënë: "Në qytet ishin nëntë veta që bënin shkatërrime në tokë dhe nuk përmirësonin." [Neml 48]. Sidoqoftë, këshilla e Profetit nuk u bëri dobi atyre dhe nuk e përfillën fare atë. Madje ata i thanë Salihut: - “Ti je veçse një i magjepsur!" - Ti je i magjepsur dhe flet gjëra të pakuptimta. - Ti je veçse një njeri sikurse edhe ne. - Ti je veçse një njeri, sikurse edhe ne. Atëherë, çfarë ke ti më tepër, që të na ftosh të të pasojmë? - Sill një argument, nëse thua të vërtetën! - Edhe pse gjendja dhe besnikëria e këtij profeti dhe ajo në të cilën ai i ftonte njerëzit ishte mëse e mjaftueshme për besuar në vërtetësinë e Shpalljes, atyre u dukej e pamjaftueshme. Për shkak të ngurtësisë së zemrave, ata kërkuan prova të tjera, sipas dëshirës së tyre. Zakonisht ata që kërkojnë të tilla prova nuk shpëtojnë, sepse ata i kërkojnë ato me qëllim për të mos besuar dhe të shtyrë nga urrejtja kundër të vërtetës. - Ai tha: “Ja, ku është një deve.” - Shihni një deve që del nga shkëmbi i lëmuar! Ju do ta shihni me sytë tuaj këtë shenjë të pashembullt. - Ajo do të pijë (ujë) një ditë të caktuar, kurse ju ditën tjetër. - Një ditë do të pijë vetëm ajo nga pusi dhe ditën tjetër ju. - Mos e prekni për ta dëmtuar, se do t’ju godasë dënimi i Ditës së Madhe!” - Ai kërcënoi që të mos e dëmtonin devenë. Kështu vazhdoi për njëfarë kohe, por përsëri ata nuk besuan dhe nuk u nënshtruan. - Ata e therën atë, por u penduan shumë, prandaj i përfshiu dënimi i premtuar. - Ishte veçse një britmë e madhe, që i shkatërroi të gjithë. - Vërtet, këtu ka fakte, por shumica e tyre nuk besojnë. - Këtu ka argumente për vërtetësinë e asaj që solli Profeti ynë dhe për kotësinë e kundërshtarëve dhe armiqve të tij. - Nuk ka dyshim se Zoti yt është Ngadhënjimtari e Mëshirëploti.