Përmes këtyre tregimeve për pejgamberët që u përmendën në këtë kaptinë, duket qartë se të gjithë pejgamberët ishin të dërguar me një qëllim të njëjtë, se thirrja e tyre ishte një, se ata ua treguan njerëzve qëllimin e të mirës së thirrjes së tyre, nuk kërkuan prej njerëzve kurrfarë shpërblimi.
Veset e popullit Lutë ishin më të shëmtuarat, ata çonin dashuri me meshkuj (bënin livata) gjë që nuk e bëjnë as shtazët, pra e merituan dënimin, e së bashku me ta edhe gruaja tradhtare e Lutit.
Popullin e padëgjueshëm të Shuajbit e pat kapur një vapë shumë e madhe dhe e padurueshme. Zoti e çon një re të madhe e të dendur, e kur hyjnë nën hijën e saj gjejnë freski dhe fillojnë ta thërrasin njëri-tjetrin e të tubohen nën atë hije, atëherë i kap zjarri dhe rrufeja që të gjithë, andaj edhe i thuhet dënim i hijës.
Allahu i Lartësuar na tregon se populli i Shuajbit iu përgjigj Profetit të Tij njëlloj si iu përgjigj populli i Themudit Profetit të tyre. Të ngjashme ishin zemrat e tyre, prandaj të ngjashme do të ishin dhe fjalët dhe veprat e tyre: - “Ata thanë: “Ti je nga ata të magjepsurit!” - Ti je i magjepsur, i goditur nga magjia, që nuk logjikon dhe nuk ka aftësi të arsyetojë drejt. - “Ti je veçse një njeri, ashtu si edhe ne. Ne vërtet mendojmë se ti je një gënjeshtar!” - Ti gënjen me vetëdije, ti nuk je i dërguar nga Zoti, por thjesht trillon nga mendja jote. - “Nëse je nga të vërtetët, atëherë bëj që të bjerë mbi ne një copë nga qielli! ” - Bëj që të bjerë mbi ne një copë qielli, si ndëshkim, sikurse pretendon. Kjo ngjan me fjalët, që kurejshët i thanë Profetit (a.s): “Ata thanë: “Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të na nxjerrësh burime prej tokës; ose të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh që mes e tyre të rrjedhin vazhdimisht lumenj; ose, ashtu sikurse mëton ti, le të bjerë mbi ne qielli copa -copa; ose derisa të na sjellësh Allahun dhe melekët pranë nesh (t’i shohim haptazi) ;” [Isra 90 - 92]. Ose: “Kujto si thanë ata: “O Allah! Nëse ky është vërtet prej Teje, lësho mbi ne rrebesh gurësh nga qielli, ose na jep ndonjë dënim
të rëndë!”.” [Enfal 32]. Po kështu i thanë edhe këta mohues e injorantë Profetit të tyre Shuajbit, (a.s). Në vijim, Allahu i Lartësuar na tregon fjalët që Shuajbi u tha atyre: - “Shuajbi tha: “Zoti im e di më së miri atë që bëni ju.” - Allahu i Lartësuar është i gjithëditur rreth jush dhe për ndëshkimin që meritoni. Kështu, mbi ta goditi dhimbshëm ai që ata vetë e kërkuan, si shpërblim i drejtë dhe mëse i merituar. - “Por ata e refuzuan atë. Atëherë ata i goditi dënimi i ‘Ditës së Hijes’ (së reve plot ndëshkim) .” - Katadja përcjell nga Abdullah Ibn Umeri, se: “Allahu i Lartësuar dërgoi mbi ata një nxehtësi të madhe për 7 ditë rresht, aq sa ata nuk mund të gjenin as një hije, nën të cilën të futeshin dhe të gjenin freski. Më pas, Allahu i Lartësuar bëri që të mblidhej një re e madhe mbi ta. Njëri prej tyre shkoi me të shpejtë nën të, për të gjetur hije dhe freski. Dhe, vërtet, ai gjeti poshtë saj freski dhe rehati. Kështu, ai ftoi edhe popullin e tij, prandaj të gjithë shkuan dhe u mblodhën nën hijen e asaj reje. Atëherë, Allahu i Lartësuar lëshoi mbi ta një zjarr të vrullshëm. - “Vërtet, ai ishte dënimi i një dite të madhe.” - Është përcjellë nga Ikrima, Seid Ibn Xhubejri, El Hasenu, Katadja dhe të tjerë, të cilët përcjellin nga Ibn Abasi, se: “...pikërisht kjo është ajo që Zoti e quajti “Dita e Hijes” e mbushur me ndëshkim. Ai ishte ndëshkimi i ashpër i një ditë të madhe. - “Vërtet, këtu ka argument. Sërish shumica e tyre (e njerëzve) nuk besojnë. Nuk ka dyshim se Zoti yt, Ai është Ngadhënjimtari, Mëshirëploti.” - Ai është Ngadhënjimtari me ndëshkimet që zbret mbi mohuesit e besimit dhe kundërshtarët e të vërtetës. Ai është Mëshirëploti me adhuruesit e Tij besimtarë, që kanë besim korrekt dhe të vërtetë.
- Edhe populli i Ejkës mohoi të dërguarit. - Këta ishin banorët e Medjenit, në të cilin kishte kopshte me bimë e pemë të dendura, të gërshetuara me njëra tjetrën. Ata e kundërshtuan dhe e mohuan profetin e tyre Shuajbin, i cili u solli atë mesazh që sollën të gjithë profetët e tjerë të Zotit. - Shuajbi u tha atyre: “A nuk keni frikë (Allahun)?” - A nuk po i frikësoheni Zotit dhe ta lini atë që sjell zemërimin e Tij? Ai e urren mohimin dhe poshtërsitë. Ai zemërohet kur nuk iu bindeni urdhëresave të Tij. - Unë jam një profet i besuar, i dërguar (veç) për ju. Prandaj, kijeni frikë Allahun dhe m’u bindni mua! - Duke qenë se unë jam i dërguari i Tij besnik ndër ju, atëherë duhet të më bindeni kur ju ftoj në atë që ju shpëton nga dënimi i Zotit dhe ju mundëson çdo të mirë. - Unë nuk kërkoj prej jush asnjë shpërblim për këtë. - Unë nuk ju kërkoj asgjë për ftesën dhe udhëzimet që ju sjell nga Zoti. - Shpërblimi për mua është vetëm prej Zotit të botëve. - Përveç idhujtarisë që
bënin, ata ishin njerëz që hanin në peshë dhe cenonin hakun e njerëzve, prandaj Profeti i tyre u tha: - Plotësojeni masën (kur matni) e mos u bëni prej atyre që u hyjnë në hak të tjerëve! - Mos u bëni nga ata që cenojnë hakun e njerëzve dhe hanë pasuritë e tyre pa të drejtë, në peshë dhe matje. - Peshoni me peshore të saktë! Kurrë mos ua hani hakun njerëzve dhe mos bëni shkatërrime në tokë! - Peshoni me peshore të drejtë, që nuk gabon dhe nuk cenon hakun e njerëzve. - Frikësojuni Atij që ju krijoi ju dhe brezat e mëparshëm! - Ai ju krijoi herën e parë. Ashtu siç ishte i Vetëm në krijimin tuaj dhe të etërve tuaj të hershëm, ashtu duhet ta njësoni Atë me adhurim dhe teuhid. Ashtu sikurse është Allahu i Vetmi që ju bëri të ekzistoni dhe ju dhuroi mirësi të shumta, pranojeni ftesën e Tij dhe tregohuni mirënjohës. Por ata që e e mohuan Shpalljen thanë: - Ata thanë: “Ti je nga ata të magjepsurit!” - Ti je duke folur si një i magjepsur. E shumta që mund të thuhet për një njeri të tillë është se fjalët e tij nuk merren për bazë. - Ti je veçse një njeri (vdekatar), ashtu si edhe ne. Ne mendojmë se ti je një gënjeshtar! - Ti nuk ke asnjë veçori dhe vlerë shtesë mbi ne, që të na ftosh për të pasuar rrugën tënde. Kjo është një fjalë e ngjashme me fjalët e popujve para dhe pas tyre, të cilët mohuan profetët e Zotit me dyshimet e tyre. Mohuesit vazhdimisht do të hedhin të tilla dyshime, a thua se kanë rënë dakord mes tyre. Duke qenë të ngjashëm në kufër dhe në zemra, ishin të ngjashëm edhe në dyshimet dhe kotësitë që paraqisnin. Profetët gjithmonë u përgjigjeshin: “Ne jemi veçse njerëz, sikurse edhe ju, por Allahu ia dhuron mirësinë kujt të dojë nga robërit e Vet. Nuk na takon ne t’ju sjellim ndonjë argument, përveçse me dëshirën e Allahut. Vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët.”. [Ibrahim 11]. - Nëse je i vërtetë, atëherë bëj që të bjerë mbi ne një copë qielli! - Sigurisht kjo ishte një paturpësi e madhe dhe padrejtësi nga ana e tyre. Kjo ishte shpifje e pastër, edhe pse ishin tërësisht të bindur për të kundërtën. Çdo profet që është dërguar për të ftuar popullin e vet është përballur me refuzimin e tyre dhe gjithmonë ka polemizuar me ta. Atëherë, Zoti u ka sjellë profetëve shenja madhështore, të shfaqura në duart e tyre dhe të mjaftueshme që njerëzit të bindeshin për vërtetësinë e tyre dhe të shpalljeve të Zotit që sollën. Në mënyrë të veçantë, Shuajbit iu dha një shenjë dhe aftësi e mrekullueshme në komunikim me popullin e tij. Ai u quajt edhe Hatibul Enbija - Hatibi i Profetëve, pikërisht për aftësinë dhe urtësinë e tij të veçantë në këshillimin dhe kujdesin për popullin e tij. Ai i ftonte ata me mënyrën më të bukur dhe të zgjedhur me shumë kujdes. Populli i tij ishte tërësisht i sigurt për sinqeritetin e këtij Profeti të dalluar dhe për faktin se ajo që solli nga Zoti ishte e vërtetë dhe e drejtë. Kështu, pretendimi i tyre se ai ishte gënjeshtar, ishte i kotë. Ata thanë: "... bëj që të bjerë mbi ne një copë qielli!", pra, copa ndëshkimi shfarosëse mbi ne. Nëse je i vërtetë në këtë pretendim, atëherë le të bjerë mbi ne dënimi shkatërrues dhe shfarosës. Kjo i ngjante fjalës së mohuesve të hershëm: "Kujto si thanë ata: “O Allah! Nëse ky (Kuran) është vërtet prej Teje, lësho mbi ne rrebesh gurësh nga qielli, ose na jep ndonjë dënim të rëndë!”." [Enfal 32]. Por ajeti mund të ketë kuptimin se ata kërkuan që të zbriste ndonjë nga shenjat dhe mrekullitë që ata propozojnë si kusht për të besuar. Atëherë, Shuajbi u tha: - Shuajbi tha: “Zoti im e di më së miri atë që bëni ju.” - Allahu e di më mirë se kur e zbret ndëshkimin dhe a do t'i zbresë shenjat dhe mrekullitë e kërkuara. Nuk jam unë ai që i sjell këto gjëra. Unë kam detyrë veçse t’ju këshilloj dhe ta kumtoj qartë Shpalljen e Zotit, detyrë të cilën e bëra. Ai që ka pushtetin në dorë është Zoti im, i cili
është i Gjithëditur për punët dhe gjendjen tuaj dhe Ai do t’ju shpërblejë për atë që ju keni pasur si synim. Ai do të llogarisë me drejtësi dhe kështu do t’ju shpërblejë. - Por ata e mohuan atë. - Kështu, mohimi u bë refreni i tyre dhe refuzimi i së vërtetës u bë cilësi e tyre e pandashme, aq sa shenjat dhe argumentet nuk u sillnin më asnjë dobi. Për ta mbetej vetëm dënimi. - Atëherë, ata i goditi dënimi i Ditës së Hijes. - Allahu i Lartësuar u solli një ré në qiell në ato ditë të nxehta dhe përvëluese, pikërisht kur ata po kërkonin një hije që të gjenin pak freski. Kështu, ata u mblodhën të gjithë nën atë hije, që nuk do të ishte aspak freskuese për ta. Pikërisht atje ku prisnin të gjenin freski, Zoti i përvëloi me një ndëshkim të dhembshëm, e kështu mbetën në të si kufoma të ftohta, duke i lënë shtëpitë e tyre të shkreta. Ashtu nisën rrugën drejt vendit të ndëshkimit dhe dëshpërimit të përjetshëm. - Vërtet, ai ishte dënimi i Ditës së Madhe. - Ata të mjerë nuk mund të kthehen në këtë dynja, që të bëjnë punë të mira. Edhe ndëshkimi ku u zhytën kurrë nuk do t’u zbutet ndonjë çast dhe as nuk u jepet mundësia që të kthehen. - Vërtet, këtu ka fakte... - Në të gjitha këto ka shenja, që tregojnë sinqeritetin dhe besnikërinë e Shuajbit dhe të asaj në të cilën ai i ftoi, ka shenja që tregojnë për kotësinë e asaj që mbronte populli i tij. - ...por shumica e tyre nuk besojnë. - Edhe pse panë shumë mrekulli, shumica e tyre nuk besuan, sepse nuk e kishin pastërtinë për të pranuar imanin dhe sepse nuk kishte mirësi në ata, siç thotë Zoti në një ajet tjetër: "Shumica e njerëzve nuk do të jenë besimtarë, sado të ngulësh këmbë ti." [Jusuf 103]. - Nuk ka dyshim se Zoti yt është Ngadhënjimtari e Mëshirëploti. - Allahu është Ngadhënjimtari, Krenari e Madhështori, që askush nuk mund ta përfshijë me diturinë e tij si krijesë. Dituria e krijesave është e vogël dhe e ngushtë për ta përfshirë Atë. Me krenarinë e pushtetin e Tij ka nënshtruar çdo krijesë. Ai është Mëshirëploti, që mëshirën e ka përshkrim të pandashëm. Prej gjurmëve të kësaj mëshire janë të gjitha mirësitë e dynjasë dhe të ahiretit, që kur Zoti e bëri të ekzistojë kjo botë, e deri në pafundësi. Treguesi i krenarisë dhe pushtetit të Tij është edhe fakti që Ai i shkatërroi të gjithë ata që mohuan profetët dhe treguan armiqësi ndaj tyre. Pjesë e mëshirës së Tij është fakti që Ai i shpëtoi të dashurit e Tij profetë dhe besimtarët që e pasuan. Më parë, Allahu përmendi historitë e profetëve dhe ndodhitë e tyre me popujt përkatës, si dhe ftesën e vazhdueshme dhe me durim që ata bënë. Ai tregoi, gjithashtu, edhe se si reaguan ata popuj ndaj shpalljeve dhe refuzimin e tyre të padrejtë. Në fund, Ai përmendi se si i shkatërroi armiqtë e besimit dhe të besimtarëve dhe bëri që profetët dhe besimtarët të jenë të fituarit. Në vijim, Allahu i Madhëruar flet për profetin Muhamed, të nderuarin dhe fisnikun, si dhe për Shpalljen që iu dha atij. Ai na tregon se
në këtë libër ka udhëzim të plotë për ata që janë të mençur dhe të urtë: