Faraoni, pas disfatës në atë tubim me magjistarët, filloi ndëshkime të ashpra kundër popullit beni israil. Prandaj, pas një kohe Zoti e urdhëroi Musain që me besimtarët e vet të ikën natën nga Egjipti. Kur dëgjoi faraoni për ikjen e tyre, çoi e thirri njerëz që t'u vihen prapa, t'i zënë dhe t'i ndëshkojnë. U vunë prapa tyre dhe në kohën kur lindte dielli, i zunë. Beni israelitët u frikësuan, pse detin e kishin para, kurse armikun në numër shumë të madh prapa, por Musai, i bindur në ndihmën e Zotit i trimëroi se Zoti do t'i mbrojë. Në atë çast Zoti e urdhëroi Musain i t'i bjerë me shkop detit. Ai i ra në dymbëdhjetë vende, u hapën dymbëdhjetë rrugë nëpër të cilat I kaluan rreth gjashtëqind mijë beni israelitë që ishin me Musain, e uji i detit qëndroi i ndarë si të ishin kodra. Edhe faraoni me popullin e vet u fut nëpër ato rrugë, por uji u lëshua dhe i përmbyti i që të gjithë.
Faraoni iu vu pas bijve të Izraelit, në krye të një ushtrie shumë të madhe, në të cilën
merrnin pjesë komandantët dhe drejtuesit më të mëdhenj. Kurani nuk i ka përmendur konkretisht ata që morën pjesë dhe as numrin e tyre, sepse nuk ka ndonjë dobi. E rëndësishme është të kuptohet se ata dolën në këtë ndjekje që të gjithë së bashku. - “Ata i arritën në agim. ” - Ata i arritën bijtë e Izraelit në kohën e lindjes së diellit. - “Kur dy grupet e panë njëri -tjetrin, njerëzit e Musait thanë: “Ata na zunë, me të vërtetë!” - Domethënë, kur dy grupet ndodheshin afër, aq sa mund të shihnin njëri-tjetrin, Allahu i Madhëruar na tregon fjalët e bijve të Izraelit, që thanë: “Ata na zunë, me të vërtetë!” Ata menduan kështu, sepse tashmë ata ishin në brigjet e Detit të Kuq dhe nuk mund të ecnin dot më tutje. - “Musai tha: “Kurrsesi! Zoti im është me mua dhe Ai patjetër që do të më udhëzojë.” - Mos u frikësoni aspak! Është Allahu i Madhëruar Ai që më urdhëroi të vija me ju në këtë vend dhe Ai kurrë nuk tradhton. Në krye të tyre ishte Haruni dhe, bashkë me të, ishte Jushea Ibn Nuni. Ndërsa besimtari nga familja e Faraonit dhe Musai ishin në fund të karvanit. Disa mufesirë kanë thënë se karvani qëndroi pa ditur se çfarë të bënin. Atëherë, Jushea Ibn Nuni - ose besimtari nga familja e Faraonit - i tha Musait: “O Lajmëtari i Allahut, këtu të urdhëroi Zoti që të vish?” - “Po”, - tha ai. Kur Faraoni me ushtrinë e tij erdhën shumë afër, i Lartësuari e urdhëroi Musain që të godiste detin me shkopin e tij. Ai e goditi detin me shkop dhe i tha: “Hapu, me lejen e Allahut!” Dhe ai u hap. Allahu i Lartësuar thotë: - “Pastaj Ne i shpallëm Musait: “Bjeri detit me shkopin tënd!”. Deti u nda dhe çdo pjesë e tij u bë si mal i madh. ” – Domethënë, si male të larta. Kështu ka thënë Ibn Abasi, Ibn Mesudi etj. Ibn Abasi vijon: “Në det u hapën 12 shtigje, nga një për secilin fis të izraelitëve.” Ndërsa Sudiu shton: “Midis një fisi dhe fisit tjetër ishte një mur uji, nëpër të cilin kishte hapësira, nga ku mund të shihnin njëri -tjetrin. Allahu i Lartësuar dërgoi një erë, e cila fryu mbi tabanin e detit, duke e bërë një sipërfaqe toke të thatë.” Allahu i Lartësuar thotë: “Ne i kumtuam Musait: “Udhëto natën me robërit e Mi dhe hapu atyre një rrugë të tharë nëpër det! Dhe mos ki frikë se do të të kapë Faraoni dhe as se do të fundosesh!”. ” [Ta Ha 77]. - “Ne e afruam palën tjetër atje. ” - Ibn Abasi shpjegon: “Domethënë, bëmë që Faraoni dhe e gjithë ushtria e tij të afrohej e të hynte në atë vend.” - “Ne i shpëtuam Musain dhe të gjithë ata që ishin me të. Ndërsa të tjerët i mbytëm në ujë. ” - Allahu i Lartësuar shpëtoi Musain, bijtë e Izraelit dhe të gjithë ata që besuan dhe që ndoqën fenë e tyre. Askush prej tyre nuk vdiq në këtë udhëtim. Ndërsa Faraonin dhe palën e tij, Allahu i mbyti të gjithë, pa lënë asnjë të gjallë. Nga Abdullah Ibn Mesudi përcillet të ketë thënë: “Pasi pasuesit e Musait dolën plotësisht nga deti dhe kur nga ana tjetër hynë në det tërësisht Faraoni e pasuesit e tij, deti u mbyll mbi ta. Nuk ishte parë numër më i madh ushtarësh se atë ditë kur Faraoni, - Allahu e mallkoftë! - u mbyt.” - “Vërtet, kjo ka argument. ” - Në këtë histori, me çudira dhe shenja të mëdha nga Zoti, me ndihmën që u ofroi besimtarëve të sinqertë, ka fakte e mësime të shumta, urtësi e mirësi të mëdha. - “Por shumica e tyre nuk besojnë. Nuk ka dyshim se Zoti yt, Ai është Ngadhë - njimtari, Mëshirëploti.”
- (Kujto) Kur Zoti yt e thirri Musain: “Shko tek ai popull i padrejtë… - Allahu i Madhëruar e ka përsëritur historinë e Musait shumë herë në Kur'an, më shumë se çdo histori tjetër, sepse në të janë sjellë urtësi të shumta e madhështore dhe mësime të vyera për njerëzit. Në të jepen shumë qartë veprimet e Zotit me keqbërësit dhe mosbesimtarët. Musai është Profeti që iu dha ai sheriat i jashtëzakonshëm dhe Teurati, që është libri më madhështor pas
Kur'anit. Allahu thotë: “Kujtoji ato çaste të zgjedhura dhe atë gjendje të mrekullueshme të Musait në momentet kur Zoti i foli atij për t’i dhënë lajmin e mirë dhe profetësinë. Ai tha: “Shko tek ai popull keqbërës (i padrejtë)!” Ata janë treguar kryeneçë dhe arrogantë në tokë. Ata janë tiranë të pamëshirshëm për njerëzit dhe i pari i tyre pretendoi se ishte Zot. Shko tek populli i Faraonit dhe këshilloji: - ... tek Populli i Faraonit!" A nuk e kanë frikë Allahun? - Folu atyre me fjalë të buta dhe të zgjedhura. Thuaju: “A nuk po i frikësoheni Allahut, i cili ju krijoi dhe ju furnizoi, dhe të largoheni nga mohimi dhe mosbindja ndaj Tij?” - Musai tha: “O Zoti im! Unë kam frikë se do të më trajtojnë si gënjeshtar. Do të më shtrëngohet kraharori dhe mund të më lidhet gjuha (e të mos flas rrjedhshëm). - Duke u ankuar tek Zoti i vet dhe duke kërkuar ndihmën për të mbajtur këtë premtim, Musai tha: “O Zoti im! Unë kam frikë se do të më trajtojnë si gënjeshtar, se do të më shtrëngohet kraharori dhe nuk do të më lëshohet gjuha (e të mos flas rrjedhshëm).” Ashtu siç thuhet edhe në suren Ta Ha, ajetet 25 - 35: “Ai (Musai) tha: “Musai tha: “O Zoti im! Zgjeroma gjoksin, lehtësoma këtë punë dhe zgjidhma nyjën e gjuhës (pengesën që kam kur flas) , që ta kuptojnë fjalën time! Më jep një ndihmëtar nga familja ime, Harunin, timvëlla! Ma shto fuqinë me të dhe bëma shok në punën time, që të të lavdërojmë Ty shumë e më shumë dhe të të kujtojmë Ty shumë e më shumë! Vërtet, Ti je Ai që i sheh gjithmonë punët tona.”.”. - Prandaj dërgoma Harunin si ndihmëtar (e profet) ! - Allahu iu përgjigj lutjes dhe kërkesës së tij, duke e bërë edhe Harunin profet. Kështu, Allahu ia bëri atë krah e mbështetje në çështjen e tij, që pranimi i besimit të ishte më i lehtë për ta. - Ata më akuzojnë mua për vrasje, prandaj kam frikë se do të më vrasin (për hakmarrje).” - Është fjala për vrasjen e një kopti. - Allahu tha: “Kurrsesi! - Jo, nuk do të mund t’ju vrasin. Ne do t’ju japim pushtet dhe argument të fortë, prandaj ata nuk kanë për t’ju kapur. Me ajetet e mrekullitë Tona, ju të dy dhe të gjithë ata që ju pasojnë do të jeni fitimtarë. Faraoni nuk mund ta vrasë Musain, me gjithë përçmimin dhe refuzimin e fortë për të dhe popullin e tij. - Vazhdoni, atëherë që të dy me argumentet Tona! - Vazhdoni me provat, të cilat tregojnë për vërtetësinë tuaj dhe të shenjave që sillni nga Zoti - Ne jemi me ju dhe dëgjojmë gjithçka. - Unë ju ruaj dhe kujdesem për ju. - Prandaj, shkoni te Faraoni të dy dhe i thoni: 'Ne jemi të dërguarit e Zotit të botëve.' - Na dërgoi tek ty, që të besosh në Të dhe të besosh tek ne si profetë ë Tij. Na dërgoi që të nënshtrohesh për ta adhuruar Atë dhe të pranosh teuhidin e Tij. - Lëri bijtë e Izraelit të vijnë me ne!” - Dhe ndale persekutimin dhe dënimet e tua mbi ta. Largoji duart nga ata dhe lëri të adhurojnë Zotin e tyre dhe të plotësojnë çështjet e fesë së tyre. Kur ata shkuan tek Faraoni dhe i thanë atë që Allahu i urdhëroi për t’i thënë, ai nuk besoi dhe as u zbut, por e kundërshtoi Musain dhe tha: - Faraoni tha: “A nuk të rritëm si fëmijë në mesin tonë për shumë vite të jetës tënde? - A nuk të kemi bërë mirësi dhe jemi kujdesur për ty qysh në vogëli? A nuk qëndrove i nderuar ndër ne për shumë vite? - ... dhe ti bëre atë veprën që ti e di. - Është fjala për vrasjen e një kopti, kur Musait i kërkoi ndihmë një izraelit. Siç thuhet në një ajet: "Musai hyri në qytet pa u hetuar prej banorëve të tij dhe gjeti dy veta që po përlesheshin. Njëri ishte prej popullit të tij (izraelit) dhe tjetri ishte prej armiqve të tij. Kur izraeliti i kërkoi ndihmë kundër armikut të tij, Musai e shtyu me forcë atë dhe ai vdiq. Ai (Musai) tha: “Kjo është prej veprave të shejtanit. Nuk ka dyshim se ai është armik i betuar, që të çon në humbje.”. [Kasas 15]. Pastaj Faraoni i tha: - E, pra, edhe ti je një mohues (i të mirave që të kemi bërë). - Në atë kohë, edhe ti ishe
në rrugën tonë të mohimit. Faraoni, si pa e kuptuar, e pranoi se rruga e tij është rruga e mohimit. - Musai tha: “Unë e bëra atë atëherë kur isha i paditur. - Unë kam vepruar ashtu, sepse nuk kam ditur, jo sepse kam pëlqyer kufrin. Megjithatë, unë i kërkova falje Zotit tim dhe Ai më fali. - Prandaj edhe ika kur u frikësova nga ju - Kur ju m'u vutë pas për të më vrarë, unë u largova për në Medjen, ku qëndrova për disa vite, e u ktheva përsëri tek ju. - Por, Zoti im më dhuroi urtësi dhe më bëri Profet. - Zoti më dhuroi urtësinë e gjykimin dhe më bëri prej të dërguarve profetë. Me fjalë të tjera, ky kundërshtim i Faraonit ose ishte kundërshtim i një të padituri, ose i dikujt që hiqej si i paditur. Ai me këto fjalë mëtonte se një vrasës nuk mund të bëhej profet. Por Musai ia sqaroi se ajo ishte një vrasje aksidentale dhe jo e qëllimtë. Ai i sqaroi se nga mirësia e Allahut nuk mund të privohet askush. Atëherë, - tha Musai, - pse e mohoni mirësinë që Ai më ka dhënë mua, duke më dhuruar urtësinë dhe profetësinë? Nëse mbrohesh pas fjalës: “A nuk të rritëm si fëmijë në mesin tonë për disa vjet të jetës tënde?", dije se në të vërtetë nuk ke asnjë meritë në këtë. - E çfarë të mire më përmend, kur ti i robërove Bijtë e Izraelit?” - E çfarë të mire më tregon, kur ishe ti që i skllavërove bijtë e Izraelit? Apo e quan mirësi që nuk më skllavërove edhe mua me ta? Në të vërtetë, kur e mendon, e kupton si ti i ke bërë padrejtësi këtij populli e kombi të zgjedhur dhe të mirë dhe i ke tërhequr dhe skllavëruar në shërbimin tënd. Ndërsa mua më shpëtoi Zoti nga tirania jote, pikërisht gjatë tiranisë gjakatare ndaj popullit tim. Atëherë, çfarë mirësie po më tregon se ke bërë kundrejt meje? - Faraoni tha: “E cili është Zoti i botëve (që ju dërgoi) ?” - Ky është një mohim i hapur i Zotit, padrejtësisht dhe me arrogancë, edhe pse ishte i sigurt për vërtetësinë e asaj që i thoshte Musai. - Musai i tha: “Ai është Zoti i qiejve dhe i Tokës dhe ç’ka ndërmjet tyre, nëse doni të jeni të sigurt.” - Ai është Zoti i qiejve i tokës dhe i gjithçkaje mes tyre. Është Ai që krijoi botën qiellore dhe atë tokësore dhe përkujdeset për to me të gjitha mënyrat. Ai rregullon çdo çështje në të. Mes kësaj bote të krijuar nga Ai, jeni dhe ju, o njerëz. Atëherë, si e mohoni krijimin e këtyre krijesave dhe Atë që i shpiku ato? Pas këtyre fjalëve, Faraoni i drejtohet popullit dhe, duke dashur të nënçmojë dhe të fusë edhe në popull përçmimin për Musain, tha: - Faraoni u tha atyre që ishin përreth: “A nuk po e dëgjoni çfarë thotë?” - A nuk e dëgjoni çfarë thotë ky?! Atëherë Musai i thotë: - Musai tha: “Ai është Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj.” - Ai është Zoti juaj dhe i etërve tuaj. U çuditët apo jo, u nënshtruat apo u treguat mendjemëdhenj, ky është realiteti! Duke refuzuar me mendjemadhësi të vërtetën dhe duke cënuar atë që solli Musai, Faraoni tha: - Faraoni tha: “Profeti që është dërguar ndër ju është, vërtet i çmendur.” - Ai po thotë diçka që bie në kundërshtim me atë që pranojmë ne. Ai na kundërshton në rrugën tonë. Sipas Faraonit, ishin ata të logjikshmit dhe të mençurit, e jo Musai. Sipas Faraonit, të diturit janë ata që pretendojnë se nuk janë të krijuar dhe se qiejt dhe Toka kanë ekzistuar dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë pa qenë nevoja e një krijuesi, që t’i bëjë të ekzistojnë. Sipas tyre, edhe ata vetë janë krijuar pa qenë nevoja e një Krijuesi. Sipas mendjes së mohuesit, një krijesë që është e dobët dhe e mangët nga çdo aspekt duhet të adhurohet. Sipas tij, është çmenduri dhe e pakuptimtë që të besosh se ka një Krijues të botës qiellore dhe tokësore, që kujdeset dhe u dhuron robve mirësitë e Tij të dukshme e të fshehura. Është e palogjikshme që ky Zot t’i ftojë krijesat që ta adhurojnë. Kështu, ai vazhdoi të fliste dhe manipulonte mendjet e njerëzve dhe t’ua zbukuronte këtë mashtrim. Në fakt, edhe ata ishin një popull mendjelehtë dhe me logjikë të dobët,
prandaj iu bindën. Ata i tejkaluan të gjithë kufijtë. Duke hedhur poshtë mohimin e Faraonit për Zotin e botëve, Musai tha: - Musai tha: “Ai është Zoti i Lindjes dhe i Perëndimit dhe ç’ka ndërmjet tyre, nëse kuptoni.” - Nëse vërtet logjikoni me drejtësi e saktësi, atëherë të gjitha këto janë shenja dhe fakte të qarta, që ju bëjmë të kuptoni të vërtetën lehtësisht. Këto ajete do t’i kuptonte edhe më e thjeshta logjikë. Atëherë, ç’është me ju që refuzoni këtë që po ju them dhe sqaroj?! Këtu ka një mesazh që u drejtohet mohuesve: Ju e akuzuat Musain se është i çmendur, por në fakt jeni ju të çmendur, në momentin që mohuat më të qartën çështje që ekziston, çështjen e Zotit të qiejve dhe të Tokës dhe ç’ka mes tyre. Nëse e mohoni Atë, çfarë mbetet që të besoni? Nëse jeni të paditur rreth Tij dhe nuk mund ta kuptoni ekzistencën e Tij, atëherë çfarë mbetet që të mund ta kuptoni? Nëse nuk besoni Zotin dhe ajetet e Tij, atëherë çfarë besoni ju? Për Zotin! Edhe të çmendurit, që janë si bagëtitë, janë më të mirë dhe më të logjikshëm se ju. Edhe bishat dhe kafshët e egra janë më të udhëzuara se ju. Kështu, pasi Faraoni u bllokua nga faktet e Musait dhe nuk mund të vazhdonte të arsyetonte më mosbesimin dhe qëndrimin e Tij, duke kërcënuar Musain me forcën dhe pushtetin e tij, tha: - Faraoni tha: “Nëse ti beson zot tjetër përveç meje, do të të fus në burg.” - Allahu e poshtëroftë dhe e shëmtoftë! Me këto fjalë, ai mëtoi se mund të bindte edhe Musain që ta adhuronte atë si zot, madje të mos pranonte zot tjetër veç tij. Kështu mund të kuptohet kjo fjalë e çmendur, sepse për Faraonin dhe rrethin e tij ishte e qartë se si qëndronte e vërteta dhe ishin të sigurt për vërtetësinë e Musait. Atëherë, Musai i tha: - Musai tha: “Po nëse të sjell ndonjë argument të qartë?” - Po sikur t’ju sjell një shenjë të qartë, që tregon për saktësinë e atyre shenjave që solla nga Zoti, që janë, në fakt, gjëra të jashtëzakonshme? - Faraoni tha: “Sille, pra, nëse thua të vërtetën!” Atëherë, ai (Musai) e hodhi shkopin e vet, i cili u shndërrua në një gjarpër të vërtetë. - Kështu, Musai e hodhi shkopin e tij, që u shndërrua në një gjarpër të frikshëm mashkull, që mund ta shihte çdokush. Pra, nuk ishte një iluzion ose truk magjistarësh. - Pastaj e nxori dorën prej xhepit, dhe ja, ajo flakëronte nga bardhësia në sytë e shikuesve. - Kur e nxori dorën nga sqetulla, ajo shkëlqente e bardhë për të gjithë ata që shikonin. Ajo bardhësi tregonte përsosmëri, pra, që nuk kishte asnjë mangësi ose sëmundje. - Ai (Faraoni) u tha parisë që e rrethonin: “Vërtet, ky qenka magjistar shumë i aftë dhe me magjinë e vet dëshiron t’ju dëbojë nga toka juaj. - Faraoni po u fliste parisë rreth e rrotull tij, që të kundërshtonin të vërtetën dhe shenjat që Musai solli. Ai tha: "...me magjinë e vet dëshiron t’ju dëbojë nga toka juaj. Atëherë, çfarë më këshilloni?Ai synon që t’ju nxjerrë nga toka dhe zotërimet tuaja.” Kështu u hidhte hi syve dhe i manipulonte ata, sepse e dinte mirë nivelin dhe mendjet e tyre të dobta. Ai po u thoshte se të gjitha ato veprime ishin njëlloj si magjitë. Ata e dinin se magjistarët bënin gjëra të çuditshme, që njerëzit e thjeshtë nuk i bënin dot. Pasi u futi këtë mendim për Musain dhe veprat e tij të jashtëzakonshme, ai filloi t’i bindte për qëllimet që gjoja fshihte ky ‘magjistar’, duke u thënë se Musai kërkonte t’i dëbonte ata nga pronat dhe pushteti i tyre, prandaj ata duhet të luftonin kundër këtij armiku, për të mbrojtur vlerat dhe jetën e tyre. - Atëherë çfarë më këshilloni?” - Ju duhet të mendoni për luftën dhe qëndrimin kundër këtij armiku, që kërkon t’ju dëbojë me gjithë familjet e pasuritë tuaja. Pra, çfarë propozoni të bëjmë me të? - Ata i thanë: "Lëre atë dhe vëllanë e tij për më vonë dhe dërgo lajmëtarë nëpër qytete, që t’i sjellin të gjithë magjistarët e ditur këtu! - Largoji tani për tani dhe kërko prej tyre një afat. Dërgo nëpër qytete lajmëtarë, që të mbledhin njerëz dhe të gjejnë magjistarët më të zotë dhe të ditur.
Ata i propozuan që të mblidhte magjistarët më të zotë dhe më të ditur, se kështu do të gjykonin drejt dhe do të përballeshin më mirë me ata të dy. Meqë ata të dy konsideroheshin magjistarë, atëherë kundër tyre duhet të vendoseshin magjistarë të ditur, duke i luftuar në të njëjtën lëmi. Allahu e bëri të mundur një takim të tillë si mëshirë dhe butësi për njerëzit, që ata të shihnin qartë dinakërinë e Faraonit dhe faktin se akuzat dhe trillimet e këtij injoranti dhe të humburi ishin të padrejta dhe devijuese nga e vërteta. Ai i solli kushtet në mënyrë të tillë që të mblidheshin më të famshmit magjistarë dhe sa më shumë njerëz. Kështu, e vërteta do të shfaqej më e qartë për njerëzit dhe do të zhdukej e kota. Me këtë përballje të hapur, edhe ekspertët e fushës do të gjykonin dhe do të pranonin se ajo që solli Musai nuk ishte magji dhe se pretendimet e Faraonit ishin thjesht mashtrime. Të diturit dhe të urtët do të pranojnë se ajo që solli Musai ishte e vërteta. Kështu, Faraoni e pranoi propozimin e tyre dhe nxori ndër qytete njerëz për të mbledhur magjistarët. Ai investoi dhe u përpoq shumë në këtë çështje. - Dhe magjistarët u tubuan ditën e caktuar. - Ata u mblodhën pikërisht në kohën dhe vendin që u propozoi Musai. Takimi do të ishte ditën e festës, që njerëzit të mos kishin asnjë angazhim tjetër, veç atij takimi të madh. - Edhe popullit iu tha: “A do të mblidheni, që t’u shkojmë pas magjistarëve, nëse ata do të dalin fitimtarë?” - U bë një ftesë për të gjithë njerëzit, që të merrnin pjesë në këtë tubim. Ata u thoshin njerëzve të mblidheshin, që t’i përkrahnin magjistarët, në mënyrë që të fitonin. Ata u thoshin: “Ejani të tubohemi dhe të shohim fitoren e magjistarëve mbi Musain, sepse ata janë shumë të zotë në magji! Mblidhuni të dëshmoni aftësitë e tyre të mëdha dhe dhe t’i nderoni ata, si vlerësim të magjisë!” Nëse ata do të synonin të vërtetën, do të thoshin: “Ejani në tubim dhe të shohim kush do të fitojë, dhe kështu të pasojmë të vërtetën!” Por, që në fillim të përballjes, ata e kishin përcaktuar se çfarë synonin, pra, donin thjesht refuzimin e Musait. Por ata të mjerë nuk e kuptonin se tashmë nuk do të kishte për ta asnjë justifikim për mospranimin e së vërtetës. - Kështu, kur erdhën magjistarët i thanë Faraonit: “A do të ketë shpërblim për ne, nëse dalim ngadhënjimtarë?” - Kur magjistarët takuan Faraonin, i kërkuan favore në rast fitoreje, dhe Faraoni i përgjigj pozitivisht asaj kërkese. - Ai tha: “Po, madje ju atëherë do të jeni prej më të afërmve të mi.” - Ju do të merni shpërblim dhe favore të shumta në rast fitoreje. Faraoni u premtoi shpërblim dhe e poste pranë tij, me qëllim që ata të përballeshin me më shumë përkushtim dhe të shfrytëzonin çdo mundësi në këtë përballje me Musain. Kur u tubuan në vendin dhe kohën e premtuar, Musai i këshilloi: “Mjerë ju! Mos trilloni gënjeshtra kundër Allahut dhe t’ju shkatërrojë me
dënim. Nuk ka dyshim, se ai që trillon (gënjeshtra kundër Allahut) , ka për të dështuar.”. [Ta Ha 61]. Pas kësaj këshille, ata filluan të diskutonin mes tyre, por Faraoni ndërhyri, duke i nxitur që të ishin të bashkuar kundër Musait. Kështu, ata filluan të nxisnin njëri tjetrin. Atëherë vendosën që të fillonte përballja. - Musai u tha atyre (magjistarëve): “Hidhni çfarë keni për të hedhur!” - Hidhni dhe paraqesni të gjitha magjitë. Mos lini asgjë pa provuar dhe përdorur! Këto ishin fjalët e Musait, sepse ai ishte i sigurt për kotësinë e tyre dhe të magjive të tyre. Ai e dinte mirë se ata nuk mund të mposhtnin dot të vërtetën. - Dhe ata i hodhën litarët dhe shkopinjtë e tyre... - Litarët dhe shkopinjtë dukeshin si gjarprinj, që i magjepsën shikimet e njerëzve. Gjatë kësaj shfaqeje, ata thanë: - “Për hir të madhërisë së Faraonit, do të jemi ne ata që me siguri do të fitojnë.” - Ata u mbështetën në forcën dhe krenarinë e një robi të dobët e të pafuqishëm në çdo aspekt, por që ishte treguar tiran dhe i pashpirt me ta. Ai kishte krijuar një mbretëri dhe ushtri, që të dukej një mbret i fuqishëm, prandaj njerëzit u mashtruan nga kjo pamje. Shikimet e tyre nuk depërtonin më thellë, për të parë realitetin e gjërave. - Gjithashtu, ka mundësi që kjo fjalë e thënë prej tyre ishte një lloj betimi. Pra, u betuan në krenarinë e Faraonit se ata do të fitonin. - Atëherë, edhe Musai e hodhi shkopin e vet, i cili menjëherë gëlltiti gjithçka që kishin hedhur ata. - Ai shkop gëlltiti dhe përpiu të gjitha magjitë që kishin bërë ata. Kështu u zhdukën të gjithë shkopinjtë dhe litarët që hodhën magjistarët, sepse ato ishin mashtrime dhe iluzione. Të gjitha ato ishin kotësira, që kurrsesi nuk mund t’i kundërviheshin të vërtetës, e aq më pak ta mposhtnin atë. Kur magjistarët panë këtë shenjë shumë të qartë nga Zoti, që tregonte se Musai ishte profet dhe se çdo shenjë ishte e vërtetë nga Zoti... - Atëherë, magjistarët ranë në sexhde. - Ata nuk e përmbajtën dot veten dhe shfaqën besimin, duke i rënë në sexhde Allahut. - Dhe thanë: “Ne besojmë në Zotin e botëve, Në Zotin e Musait dhe të Harunit.” - Kështu u shkatërrua dhe u mposht e pavërteta në atë tubim dhe përballje të madhe. Vetë mjeshtrat më të mëdhenj të magjisë e pranuan kotësinë e magjisë dhe e vërteta doli qartë. I gjithë populli e pa qartë të vërtetën. Megjithatë, Faraoni këmbënguli në arogancën dhe mohimin e tij, duke e shtuar edhe më shumë tiraninë dhe shprehjen e refuzimit. Ai u tha magjistarëve: - “A i besuat atij (Musait), para se t’ju lejoja unë?!” S’ka dyshim se ai (Musai) është prijësi juaj, që ju ka mësuar magjinë. Por keni për ta marrë vesh shpejt! - Ai shprehu habinë e vet dhe këtë habi filloi ta nxiste edhe në popull. Si është e mundur që të besoni pa marrë fillimisht miratimin tim?! Sigurisht që kjo është një marrëveshje mes jush, ndërsa Musai është i pari juaj. Është ai që jua mësoi magjinë. Por ishte pikërisht Faraoni dhe paria rreth tij që e dhanë mendimin e mbledhjes së magjistarëve. Të gjithë e dinin se magjistarët nuk ishin takuar kurrë me Musain para çastit të përballjes. Madje, ata shfaqën një magji shumë të madhe dhe të paparë për njerëzit. Sidoqoftë, kjo tezë me sa duket u pranua nga ai popull injorant dhe mendjelehtë. Edhe pse e dinin mirë se ky pretendim ishte gënjeshtër, ata e pranuan. Sigurisht, nuk është aspak çudi që të tilla mendje boshe që të mos besonin të vërtetën e qartë dhe ato shenja madhështore. Ata kishin arritur në atë pikë saqë, nëse Faraoni do t’u thoshte të besonin të kundërtën e realitetit, do ta besonin dhe mbështesnin atë. Pastaj Faraoni kërcënoi magjistarët dhe u tha: - Do t’jua këpus duart dhe këmbët në anët e kundërta .... - Pra, dorën e djathtë me këmbën e majtë. (Kështu veprohej atëherë me keqbërësit dhe kriminelët.) Pastaj do t’ju mbërthej në trungjet e
palmave, që të poshtëroheni dhe nënçmoheni. - ... dhe do t’ju kryqëzoj që të gjithëve.” - Por magjistarët, kur e ndjenë ëmbëlsinë e imanit dhe shijuan kënaqësinë që të falte ai, thanë: - “Asgjë (nga këto kërcënime) nuk ka rëndësi. Ne do të kthehemi veçse te Zoti ynë. - Ne nuk shqetësohemi aspak për atë që na kërcënon, sepse tek Zoti e kemi kthimin të gjithë. Tjetër gjë na shqetëson dhe ne synojmë diçka shumë të madhe: - Ne shpresojmë se Zoti ynë do të na i falë gjynahet tona... - Ne shpresojmë që Zoti të na falë mohimin, magjinë dhe të gjitha gjynahet. Ne shpresojmë se Zoti do të na falë, sepse: - ...sepse ne ishim të parët besimtarë (nga populli ynë) .” - Ishim të parët që besuan Musain, mes gjithë atyre ushtarëve. Prandaj dhe Allahu i forcoi dhe u dha durim atyre. Ka mundësi që Faraoni ta ketë bërë atë që i kërcënoi, sepse ai kishte pushtetin dhe forcën për ta bërë. Por ka mundësi, gjithashtu, edhe që Allahu i Lartësuar t’i ketë mbrojtur dhe shpëtuar nga ai dënim. Më pas, Faraoni dhe populli i tij vazhduan në kufrin e tyre dhe Musai vazhdonte t’u sillte shenja të mëdha. Sa herë që u vinte ndonjë shenjë dhe vuajtja arrinte kulmin, ata i premtonin Musait se, nëse ua largonte belanë, do ta besonin dhe do t’i lejonin bijtë e Izraelit të shkonin me të, dhe kështu Allahu ua largonte sprovën. Kështu vazhdoi për njëfarë kohe dhe ata përsëri s’e mbanin fjalën. Atëherë, kur Musai e humbi shpresën se do të besonin dhe ata po e bënin hak ndëshkimin e pakthyeshëm, erdhi koha që bijtë e Izraelit të shpëtonin nga robëria. Allahu kishte vendosur që t’u mundësonte të kishin në dorë fatet e tyre në tokë. Atëherë Allahu i Lartësuar i shpalli Musait: - Ne e urdhëruam Musain: “Nise udhëtimin me robërit e Mi natën herët... - Nisu së bashku me bijtë e Izraelit në fillim të natës, që të mund të largoheni sa më shumë nga Faraoni, sepse: - dijeni se do t'ju ndjekin!”. - Faraoni do t’ju vihet pas, me gjithë ushtrinë e tij. Dhe ashtu ndodhi. Kur erdhi agimi, bijtë e Izraelit ishin larguar së bashku me Musain. - Faraoni dërgoi lajmëtarë nëpër qytete, për të tubuar njerëz... - Ai filloi të mblidhte një ushtri të madhe për t’iu vënë pas bijve të Izraelit. Duke i nxitur pasuesit e vet për këtë ndjekje, u thoshte: - "Këta (Izraelitët) janë veçse një grup i vogël, që e kanë ndezur me të vërtetë zemërimin tonë. - Tani ka ardhur koha për të shfryrë dufin tonë mbi këta skllevër, që marrin guximin të largohen pa marrë leje nga ne. - Por ne jemi shumica e gjithnjë të gatshëm." - Të gjithë ata janë armiqtë tanë të përbashkët dhe synimi ynë duhet të jetë vetëm shkatërrimi i tyre. Kështu, Faraoni u nis në krye të një ushtrie të madhe, ku merrnin pjesë të gjithë, si në një kushtrim të përgjithshëm. Askush nuk mbeti pas, përveç të justifikuarve. Thotë Allahu i Lartësuar: - Kështu (-thotë Zoti -), Ne i nxorëm ata prej kopshteve e burimeve... - Ne i nxorëm nga kopshtet e lulëzuara të Egjiptit dhe nga ato burime e lumenj të bollshëm. Ai ishte një vend i begatë, me bimësi të dendur, që mbulonte gjithë tokat e tyre, si qytetet, ashtu edhe rrethinat. Allahu e përshkruan atë vend si: - Prej thesareve dhe vendbanimeve të bukura. - Ai i mrekullonte shikuesit dhe i çudiste ata që e kundronin. Ata u kënaqën shumë në atë vend, duke përmbushur dëshirat dhe epshet e tyre, të zhytur në kufrin e tyre. Ata ishin të zhytur në tirani dhe mizori kundër njerëzve dhe të larguar shumë nga e vërteta. - Kështu, Ne ua lamë ato bijve të Izraelit. - Të gjitha këto kopshte, lumenj e burime dhe vende të mrekullueshme ua lamë bijve të Izraelit, të cilët më parë ishin skllevër te Faraonit, që i detyronte të kryenin punë të rënda. I lavdëruar qoftë Ai, që ia jep pasurinë dhe pushtetin kujt të dëshirojë dhe ia heq nga dora kujt të dëshirojë! Allahu ia jep krenarinë kujt të dëshirojë dhe
poshtëron kë do Ai, duke e lënë të zhytet në poshtërsi dhe mosbindje ndaj Tij. - Ata (ushtria e Faraonit) i arritën (bijtë e Izraelit) në agim. - Kështu filloi ndjekja herët në agim. Ushtria e Faraonit i ndiqte me shpejtësi dhe të mbushur me urrejtje e zemërim, që mezi prisnin ta shkarkonin mbi bijtë e Izraelit. - Kur dy grupet e panë njëri -tjetrin, njerëzit e Musait thanë: “Ata na zunë, me të vërtetë!” - Kur u panë dy grupet me njëra tjetrën, shokët e Musait thanë me trishtim dhe frikë: “Ata na zunë, me të vërtetë!” Por Musai duke i forcuar zemrat e tyre dhe duke u kujtuar premtimin e Zotit, që është i vërtetë dhe kurrë nuk kthehet pas, tha: - Musai tha: “Kurrsesi!” - Nuk është ashtu si thoni ju! - Zoti im është me mua dhe Ai do të më udhëzojë.”. - Ai do të më udhëzojë në atë që është jeta ime dhe shpëtimi im dhe i juaji. - Pastaj Ne i shpallëm Musait: “Bjeri detit me shkopin tënd!”. - Atëherë, Musai e goditi me shkopin e tij dhe në det u hapën dymbëdhjetë rrugë. - Dhe deti u nda dhe çdo pjesë e tij u bë si mal i madh. - Mes rrugëve u formuan ndarje uji aq të larta, sa që dukeshin si male. Pas kësaj, Musai dhe populli i tij hynë në shtigjet e hapura brenda detit. - Ne e afruam palën tjetër (ata të Faraonit) atje. - Zoti e bëri të mundur që edhe Faraoni me ushtrinë e tij të afroheshin dhe të hynin në të njëjtën rrugë që u fut populli i Musait. - Ne e shpëtuam Musain dhe të gjithë ata që ishin me të. - Ata dolën të gjithë nga deti dhe askush nuk mbeti pas. - Ndërsa të tjerët i përmbytëm në ujë. - Ndërsa të tjerët u mbytën të gjithë dhe askush nuk shpëtoi. - Vërtet, në këtë (ngjarje) ka argumente. - Kjo është një shenjë e madhe dhe mrekulli e paparë, që tregon besnkërinë e Musait dhe për vërtetësinë e mesazhit që solli prej Zotit. Kjo tregon, gjithashtu, për humbjen dhe devijimin e Faraonit dhe pasuesve të tij. - Por shumica e tyre (e njerëzve) nuk besojnë. - Me gjithë këto shenja dhe mrekulli, që të bëjnë të besosh me bindje, ata nuk besuan sepse zemrat e tyre ishin të prishura. - Nuk ka dyshim se Zoti yt është Ngadhënjimtari e Mëshirëploti. - Allahu është Krenari dhe Ngadhënjimtari, që, me krenarinë dhe fuqinë e Tij, shkatërroi mohuesit e profetëve dhe mohuesit e së vërtetës, ndërsa me mëshirën e Tij shpëtoi Musain dhe ata që ishin së bashku me të.