Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 28:38–28:57

Faraoni e dinte se Zoti i tij ishte Ai që e krijoi atë dhe popullin e tij, por nuk donte të pranojë paaftësinë e vet se do të vdesë dhe do të ringjallet e do të përgjigjet para Zotit Krijues, andaj bëri aso lajthimesh gjoja se do të arrinte në qiell e ta shohë se a ka zot tjetër. Atë dhe popullin e tij Zoti i dënoi në këtë jetë duke i mbytur në ujë, i mallkoi dhe i bëri këshillë të atyre që ndjekin rrugën e tij për në xhehenem.

Pas shkatërrimit të popujve të lashtë, Musait i dërgoi Tevratin dhe thuhet se pas zbritjes së Tevratit, asnjë popull nuk është ndëshkuar me ndonjë dënim nga qielli, përveç banorëve të atij vendi që u shndërruan në majmunë. Mirëpo, për shkak se ndërmjet kohës së Musait e të Muhammedit ishte një periudhë e gjatë, njerëzit shumë sende i harruan e shumë të tjera i ndryshuan, prandaj dërgimi i Isait pejgamber, e mandej i Muhammedit nja gjashtë shekuj pas tij, ishte nevojë e domosdoshme, sidomos për arabët, të cilët nuk kishin pasur të dërguar për shumë kohë Dërgimi i pejgamberëve është kundërargument ndaj atyre që nuk besuan dhe deshën të arsyetohen se nuk kanë ditur për rrugën e drejtë.

Tregimet rreth ngjarjeve të popujve të lashtë, e posaçërisht i disa detajeve, vërtetojnë se Kur'ani: është shpallje e Zotit e komunikuar Muhammedit, përndryshe si do të mund t'i shpjegonte ato ndodhi në hollësi, kur dihet se nuk ishte i shkolluar, madje as të shkolluarit e tjerë nuk dinin asgjë për ato detaje.. Dyfish të shpërblyer ishin ata që i kishin besuar shpalljes së mëparshme, e kur u shpall Kur'ani, i besuan edhe atij.

Për ajetin numër 56, shumica e komentatorëve janë të mendimit se kishte të bëjë me axhën e pejgamberit, me Ebu Talibin, por sipas rregullit të përgjithshëm, sipas së cilit çështjet duhet studiuar në bazë të kuptimit të përgjithshëm, e jo sipas shkakut, kuptohet se e tërë kompetenca për udhëzim definitiv në rrugën e drejtë është e Allahut dhe e askujt tjetër, qoftë ai edhe pejgamber.

Qabja me rrethinë ishte vend i shenjtë dhe i sigurt, ngase në të nuk zhvillohej luftë, madje edhe pse ishte vend guror dhe jopjellor, aty silleshin frutat nga të gjitha vendet dhe prej të gjitha llojeve. Atë privilegj e gëzonin kufarët arabë edhe para islamizmit, e do ta gëzonin edhe më shumë në fenë islame, por nga injoranca nuk pranuan rrugën e drejtë, e jo nga ndonjë arsye tjetër.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 28:56–28:57

Allahu i Lartësuar i thotë Profetit të Tij të dashur: - “Ti nuk do të mund ta udhëzosh çdo - kënd që do ti, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dojë dhe Ai i di më së miri ata që e marrin (dhe e meritojnë) udhëzimin.” - Pra, kjo është një çështje, që nuk të takon ty, sepse ti ke detyrë veçse kumtimin e qartë të Shpalljes, pastaj është Allahu ai që udhëzon atë që Ai dëshiron. Atij i takon urtësia absolute, e drejta e pakundërshtueshme dhe pushteti i plotë. Allahu i Lartësuar thotë në ajete të tjera: “Nuk është detyrë e jotja udhëzimi i tyre. Është Allahu që udhëzon në rrugë të drejtë atë që Ai do.” [Bekare 272]. Ose: “Shumica e njerëzve nuk do të jenë besimtarë, sado të ngulësh këmbë ti.” [Jusuf 103]. Ndërsa këtu

i Lartësuari thotë: “Ti nuk do të mund ta udhëzosh çdokënd që do ti, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dojë dhe Ai i di më së miri ata që e marrin (dhe e meritojnë) udhëzimin.” Pra, Allahu i Lartësuar është më i dituri për ata që meritojnë udhëzimin dhe ata të cilët meritojnë ta humbasin atë. Në dy Sahih-ët shënohet se ky ajet zbriti dhe flet për Ebu Talibin, xhaxhain e Profetit të Allahut, i cili e strehoi, e ndihmoi dhe mbështeti Profetin ﷺ , duke e mbrojtur nga çdo armik, për një kohë aq të gjatë. Ai e donte shumë, por ajo ishte një dashuri e natyrshme njerëzore e jo një dashuri fetare. Kur iu afrua vdekja, Profeti i Allahut e ftoi atë që të besonte dhe të hynte në Islam, por kaderi i Zotit i parapriu dhe e rrëmbeu nga duart e tij, kështu ai vazhdoi me fenë dhe besimin e devijuar, në të cilin kishte jetuar. Allahu ka urtësi të plotë në çdo caktim të Tij. Zuhriu tregon se i ka treguar Seid Ibn Musejibi nga i ati, dhe ai nga Musejib Ibn Hazen el Mahzumi (r.a), i cili rrëfen: 2039. “Kur Ebu Talibit iu afrua vdekja, Profeti i Allahut i shkoi pranë shtratit. Pranë tij ishte Ebu Xhehli dhe Abdullah Ibn Umeje. Profeti i Allahut iu drejtua xhaxhait të vet: “O xhaxha, thuaj Lâ ilâhe il -l’Allah, fjalë kjo me të cilën mund të të mbroj tek Allahu.” Ebu Xhehli dhe Abdullah b. Ebu Umejje thanë: “O Ebu Talib, a mos, vallë, do të heqësh dorë nga besimi i Abdul - Muttalibit (gjyshit)?!) Kështu, ai t ha: “Qëndroj në besimin e Abdul Muttalibit.” Profeti i Allahut tha: “Do të kërkoj falje për ty, përveç nëse më ndalohet!” Atëherë Allahu i Lartësuar shpalli: “Nuk është e drejtë për Profetin e as për besimtarët, që të kërkojnë falje për idhujtarët, edhe nëse janë nga të afërmit të tyre, pasi t’u jetë bërë e qartë se me të vërtetë ata janë banorë të Xhahimit.” Po për këtë flet edhe ajeti: “Ti nuk do të mund ta udhëzosh çdokënd që do ti, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dojë dhe Ai i di më së miri ata që e marrin (dhe e meritojnë) udhëzimin.” [Kasas 56.]” Kështu e kanë sjellë Buhariu dhe Muslimi prej Zuhriut. Edhe Muslimi e sjell në Sahihun e tij. - “Ata thanë: “Nëse do të ndiqnim atë që na udhëzon ti, do të na dëbonin prej vendit tonë.” - Pra, ne frikësohemi se, nëse të pasojmë dhe të bindemi ty, duke kundër - shtuar besimin e të gjithë fiseve idhujtare arabe, që na rrethojnë, atëherë ata do të na sulmojnë dhe do të na dëbojnë. Atëherë, Allahu i Lartësuar u drejtohet dhe u thotë: - “Po, a nuk u siguruam atyre një vend të shenjtë e të sigurt, ku sillen fruta të të gjitha llojeve, si furnizim prej Nesh?! ” - Domethënë, kjo mënyrë justifikimi ishte krejt e kotë, sepse Allahu i Lartësuar i kishte vendosur ata në një vend të paqtë dhe të shenjtë, të cilin e respektonin të gjithë. Ata kishin qenë të sigurt nga çdo lloj frike dhe ligësie, që në kohën kur ishte ngritur Qabeja. E si mund të mendonin se ai vend i shenjtë, që u pati ofruar siguri dhe paqe kur ata ishin të zhytur në kufër dhe idhujtari, nuk do të ishte i tillë pasi ata t’i dorëzo - heshin tërësisht Zotit, duke e adhuruar si një të vetëm dhe të ndiqnin të vërtetën e sjellë prej Tij?! Allahu i Lartësuar u kujton se ata janë në një vend të shenjtë e të sigurt, ku sillen me bollëk fruta të të gjitha llojeve, si mallra tregtie nga të gjitha vendet e botës. Ato janë “furnizim prej Nesh”, domethënë, vijnë nga bujaria dhe mirësia e Allahut për atë vend. - Por shumica e tyre nuk e dinë. - Prandaj bëjnë justifikime të kota.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 28:57–28:59

- Ata thonë: “Nëse do të ndiqnim udhëzimet e tua, do të na dëbonin prej vendit tonë.” - Nëse do të të pasonim në udhën tënde, do të rrezikoheshim edhe ne nga vrasja, lufta, robërimi, humbja e pasurive, sepse njerëzit ju refuzojnë dhe janë armiqësuar me ju. Nëse do t’ju pasonim, atëherë edhe ne do të bëheshim pre e kësaj armiqësije dhe lufte mes jush. Ne nuk mund të armiqësohemi dhe të dalim kundër të gjithë botës. Këto fjalë tregonin mendimin e keq që ata kishin për Zotin e Lartësuar dhe se Ai nuk do të ndihmonte fenë e Tij dhe nuk do ta lartësonte fjalën e Tij. Ata mendonin se Zoti do t’i lejonte njerëzinë që të kishin dorë të lirë për t’i

luftuar dhe shfarosur pasuesit e denjë së fesë së Tij. Ata të mjerët menduan se e kota do të triumfojë mbi të vërtetën dhe mbrojtësit e saj. Por Allahu i Madhëruar u qartëson atyre një fakt, që duhet ta dinë e ta kuptojnë mirë: - Po a nuk u siguruam Ne atyre një vend të shenjtë, të sigurt, ku sillen fruta të të gjitha llojeve, si furnizim prej Nesh?! Por shumica e tyre nuk e dinë. - Kriminelët dhe keqbërësit, që gjithmonë e kanë rrethuar këtë vend të shenjtë, kanë qenë gjithmonë shumë, por ai vend ka qenë gjithmonë i pastër dhe i ruajtur, dhe të tillë kanë qenë edhe vizitorët e tij. A nuk mendoni në këtë fakt, se si ju ka mbrojtur dhe ruajtur Zoti nga belatë e armiqtë që ju kanë rrethuar?! Askush që merrte rrugën drejt atij vendi të shenjtë nuk cenohej dhe prekej, sepse ishte mbrojtja e Zotit. E tillë ishte gjendja e këtij vendi, ndërkohë që çdo vend tjetër ishte i rrethuar dhe mbuluar me frikë dhe banorët e atyre vendeve nuk ishin të qetë e as të lumtur. Lavdëroni dhe i shprehni mirënjohjen Zotit tuaj për këtë mirësi dhe paqe, që ju ka dhuruar e që askush nuk e ka provuar. Falënderojeni atë për të mirat që ju ka mundësuar me mbushulli nga çdo anë e botës. Le ta ndjekin këtë profet të nderuar, që lumturia, paqja dhe siguria e tyre të jetë e plotë dhe e përhershme. Le të ruhen dhe të mos marrin guximin që ta mohojnë atë! Mos të tregohen kryeneçë dhe mosmirënjohës ndaj Allahut! Nëse e bëjnë këtë, atëherë mirësitë dhe paqja ku jetojnë do t’u shndërrohet në fatkeqësi dhe frikë, krenaria do t’u kthehet në poshtërim e nënshtrim, ndërsa pasuria e bollëku në varfëri e skamje. Kjo është arsyeja që Allahu i kërcënoi me atë ndëshkim që dënoi popujt e shkuar dhe tha: - Sa e sa popuj kemi ndëshkuar më parë, të cilët u shkatërruan në jetën e tyre (me padrejtësi e gjynahe) ? - Ata u vetëmashtruan me lëvdata dhe mburrje për stolitë e kësaj dynjaje. Ajo i mashtroi dhe shpërqendroi nga imani, prandaj Allahu i Lartësuar i shkatërroi, ua largoi mirësitë dhe i mbuloi me fatkeqësi. Ai thotë: - Tani ato vendbanime banohen shumë pak. - Kjo ndodhi për shkak të përsëritjes së rënies të dënimeve mbi ta, si edhe për shkak të frikës dhe pasigurisë që mbuluan atë vend. - Jemi Ne që trashëgojmë gjithçka. - Ne do t’ua lëmë në trashëgim robve Tanë. Në fund, gjithçka do t'i mbetet Zotit. Të gjitha mirësitë që kanë njerëzit në këtë dynja do t’i lënë pas, dhe pastaj do të kthehen tek Zoti, që do t’i shpërblejë sipas punëve të tyre. Nga mëshira dhe urtësia e Tij kurrë nuk do t’i ndëshkonte popujt thjesht duke u nisur nga mohimi i tyre, pa u dërguar fillimisht argumente dhe qortues. Këtë Ai e ka bërë duke dërguar profetë ndër ta. Ai thotë: - Zoti yt kurrë nuk do ta shkatërronte një popull pa dërguar ndër ta profet, që t’u lexonte atyre argumentet Tona. - Ai gjithmonë ka dërguar profetë në qytetet dhe vendbanimet kryesore të njerëzve, në mënyrë që njerëzit të dëgjojnë për të vërtetën. Zoti ka dërguar profetë, që t'u

lexojnë njerëzve argumentet e Tij. Ai i ka mbështetur profetët me shenja të mëdha e mrekulli, të cilat tregojnë për vërtetësinë e Shpalljes dhe besnikërinë e profetëve. Fjala e tyre shkonte dhe përhapej tek të afërtit dhe të largëtit. Nëse Zoti do t’i dërgonte profetët në ndonjë fshat të humbur e të largët për njerëzit, do të ishte e vështirë të merrej vesh e vërteta dhe të përhapej ndër njerëz. Vendet e largëta janë të fshehura dhe banorët e tyre janë zakonisht të vrazhdë dhe jo miqësorë. Kurse në qytetet dhe qendrat e mëdha është më e lehtë përhapja e informacionit dhe banorët e tyre janë më pak të ashpër. - Gjithashtu, Ne kurrë nuk e shkatërrojmë një vend, përveçse kur ata bëjnë padrejtësi. - Vetëm kur janë të zhytur në kufër dhe poshtërsi, që e meritojnë tërësisht ndëshkimin. Pra, Allahu i Madhëruar nuk ndëshkon asnjë pa e paralajmëruar dhe pa shkak, por i ndëshkon veçse për shkak të padrejtësisë dhe mosbesimit.