Dynjaja është jetë mashtruese, sepse ajo kalon shumë shpejt, ashtu siç luajnë fëmijët për një kohë të shkurtër e pastaj shpërndahen.
Idhujtarët e dinin se Allahu krijoi çdo gjë: Ai lëshon shiun prej së larti, e dinin edhe kur ishin në anije, e valët e detit tronditnin atë dhe i frikësoheshin përmbytjes, andaj sinqerisht i luteshin Zotit, duke mos u shkuar mendja te idhujt, mirëpo, kur shpëtonin e dilnin në tokë, e vazhdonin atë besim të tyre të kotë, harronin të mirat e Zotit. Harronin edhe atë se Zoti e bëri vend të shenjtë Mekën, e ndaloi luftën dhe çdo gjë të keqe në rrethin e saj, ashtu që njerëzit ishin të siguri në të, kurse banorët e saj edhe mëtej lutnin idhujt. A nuk është xhehenemi meritë e vetë atyre"
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "Ankebutë". Falënderuar qoftë Allahu!
- “A nuk e shohin ata se Ne e kemi bërë një vend të shenjtë e të sigurt (Mekën), kurse përreth saj, njerëzit sulmohen ...” - Allahu i Lartësuar u tregon mirësinë dhe bujarinë e Tij kurejshëve, të cilët i nderoi duke i vendosur të jetojnë në vendin e Tij të shenjtë, këtë vend adhurimi, që Ai e bëri aq të dashur dhe me vlerë, për të gjithë njerëzit pa dallim, - qofshin vendës ose të ardhur. Kush hyn në të, ai është i sigurt. Kështu, Zoti i bekoi atë popull, kur i vendosi në këtë vend dhe u ofroi një siguri dhe mbrojtje madhështore, ndërkohë që popujt e vendbanimet rreth e rrotull grabisnin e luftonin njëri -tjetrin. Allahu i Madhëruar thotë: “Për hir të sigurisë së kurejshëve (në Mekë) dhe për hir sigurisë (të dhuruar nga
Zoti) gjatë udhëtimeve të tyre (për tregëti), në dimër dhe në verë, le ta adhurojnë Zotin e kësaj Shtëpie, i Cili i ushqeu pas urisë dhe i siguroi prej çdo frike!” [Kurejsh 1 - 4]. Ndërsa këtu i Lartësuari thotë: - “Atëherë, a po besojnë atë që është e kotë dhe të mirat e Allahut po i mohojnë?!” - Pra, në vend që ata të ishin mirënjohës ndaj Allahut të Madhëruar e Bujar, për mirësinë e sigurisë, paqes e begative të shumta të dhuruara në atë vend të shenjtë; në vend që ata të pranonin e të dëshmonin se Ai është Një e i vetëm në meritën e adhurimeve, e kështu të nënshtro - heshin e ta adhuronin, duke i shprehur dashurinë, madhërimin, bindjen dhe nën - shtrimin e plotë; ata ditën veçse të refuzonin besimin e drejtë dhe të mos i tregonin mirënjohje Atij që ua dhuroi ato mirësi. Përkundrazi, ata u zhytën në idhujtari dhe adhuruan idhuj e zota të trilluar veç Tij. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar ua hoqi prej duarsh atë mirësi që u pati dhuruar. Kështu, shumë prej tyre u vranë në luftën e Bedrit. Pas luftës në Bedër, i gjithë triumfi e krenaria i takoi Zotit, Profetit të Tij dhe besimtarëve që e pasuan atë. Nuk kaloi shumë, dhe Allahu i Madhëruar e çliroi Mekën për Profetin e Tij të dashur, duke poshtëruar e përulur qafat e fytyrat e armiqve dhe kundërshtarëve të rrugës së Tij. - “E kush është më i padrejtë se ai që shpif gënjeshtër kundër Allahut dhe mohon të vërtetën, pasi ajo i ka ardhur?” - Nuk ka njeri që të meritojë ndëshkim më të ashpër sesa ai që gënjen në lidhje me Zotin, duke trilluar se Allahu i ka shpallur e sjellë shpallje hyjnore, kur kjo është e pavërtetë. Të rëndë e kanë ndëshkimin edhe ata të cilët e mohojnë të vërtetën dhe e quajnë atë gënjeshtër, pasi ajo u bëhet e qartë përmes fakteve të pakundërshtueshme. Të parët janë trillues gënjeshtrash, ndërsa të dytët janë mohues e rrefuzues të së vërtetës. - “A nuk është, atëherë Xhehenemi vendi i jobesimtarëve? ” - Ky është shpërblimi i merituar për mohuesit e besimit të vërtetë dhe të shpalljeve të Zotit. - “Ndërsa ata, të cilët luftuan për lartësimin e Fjalës Tonë, Ne do t’i drejtojmë patjetër në rrugët Tona ...” - Këtu ka për qëllim Profetin ﷺ , shokët e tij dhe të gjithë ata besimtarë të mëvonshëm, që pasojnë me sinqeritet dhe besnikëri rrugën e drejtë , deri në Ditën e Gjykimit. Për këta të zgjedhur, i Lartësuari thotë: “Ne do t’i drejtojmë patjetër në rrugët Tona.” Pra, do t’u japim dritë dhe do t’i udhëzojmë të ecin në rrugët e mirësive, do t’i udhëzojmë në dynja dhe në ahiret. Ibn Ebu Hatimi sjell një shpjegim nga Ebu Ahmed Abas el Hamedani, nga banorët e Ukketes, për këtë ajet: “Domethënë, ata që punojnë me sinqeritet sipas të vërtetës që mësuan, kemi për t’i udhëzuar e dhënë dituri që nuk i dinë.” - “... sepse, sigurisht, Allahu është me bamirësit.” - Ibn Ebu Hatimi sjell një hadith nga Shabiu, i cili thotë se: Isai, biri i Merjemes, tha njëherë: “Bamirësi e vërtetë është bamirësia ndaj atij që të ka bërë keq dhe jo bamirësia ndaj atij që të ka bërë mirë.” Pastaj Shabiu shton: Ihsani (grada më e lartë e bamirësisë dhe besimit) është që ta adhurosh Allahun sikur ta shihje Atë, sepse edhe nëse nuk e sheh, Ai të sheh ty.”
- A nuk e shohin ata se Ne e kemi bërë atë (Mekën) një vend të shenjtë e të sigurt, kurse përreth saj, njerëzit rrëmbehen (plaçkiten dhe vriten) ? - Në këto ajete, Allahu i Lartësuar u tregon atyre mirësinë e madhe që ai u ka bërë në këtë vend të sigurt dhe të ruajtur. Ai i ka bërë ata që të jenë prijësit në këtë vend, ku mbizotëron siguria dhe rizku i bollshëm, ndërkohë që njerëzit dhe vendet rreth e rrotull janë të mbushur me frikë e pasiguri, sepse vriten nga luftërat e pasiguria. Pse nuk përkushtohen, që ta adhurojnë Allahun si një dhe të vetëm, Atë që i siguron e ruan nga çdo frikë, nga uria dhe pasiguria? - Atëherë, a po besojnë atë që është e kotë dhe të mirat e Allahut po i mohojnë?! - Si është e mundur që të vazhdojnë me kotësinë e shirkut dhe të fjalëve e veprave të tyre të kota dhe të braktisin dhe mohojnë mirësinë e Allahut?! Ku shkuan mendja dhe logjika e tyre? Si ndodh që të parapëlqejnë humbjen, kundrejt udhës së drejtë dhe të sigurt të Zotit?! Përse parapëlqejnë kotësinë e të palogjikshmen, kundrejt të vërtetës dhe urtësisë? Përse zgjedhin dëshpërimin dhe fatkeqësinë dhe nuk zgjedhin lumturinë e mirësinë në të dyja jetët? Me këtë, ata tregojnë se janë krijesat më të padrejta dhe keqbërëse, siç thotë i Madhëruari: - E kush është më i padrejtë se ai që shpif kundër Allahut - Këta të mjerë trillojnë gënjeshtra për Allahun dhe i atribuojnë Atij kotësira. Këta të mjerë, edhe pse janë vetë të zhytur në humbje e kotësi, pretendojnë se e kota dhe humbja është ajo që thotë Zoti dhe nuk e pranojnë të vërtetën që vjen prej Tij. - ...dhe mohon të vërtetën, pasi ajo ka ardhur (e qartë) ? - Ata refuzojnë Shpalljen, që Zoti ia dhuroi Profetit të Tij. Por le ta dijnë këta të mjerë se ata po i pret Xhehenemi: - Atëherë, a nuk është Xhehenemi vendi i jobesimtarëve? - Atje do të marrin atë që meritojnë, për shpifjet dhe refuzimin e së vërtetës; atje do të poshtërohen dhe ai do të
jetë vendqëndrimi i tyre i përhershëm, nga i cili nuk do të dalin kurrë. - Ndërsa ata të cilët luftojnë për lartësimin e Fjalës Sonë... - Këta janë ata që emigrojnë për hir të Allahut dhe luftojnë armiqtë e besimit. Ata shpenzojnë çdo forcë e mundësi për kënaqësinë e Allahut dhe për lartësimin e fesë së Tij. Ata që luftojnë dhe përpiqen në këtë rrugë: - Ne do t’i drejtojmë patjetër në rrugët Tona... - Në ato rrugë që i sjellin tek Ne, sepse ata janë bamirës. - ...sepse, sigurisht, Allahu është me bamirësit. - Zoti është me ata me ndihmën, fitoren dhe udhëzimin e Tij. Kjo tregon se njerëzit më të meritueshëm për t’ia qëlluar të vërtetës janë ata që përpiqen dhe përmbushin gradat e xhihadit. Atij që përpiqet të përmbushë me besnikëri urdhëresat e Zotit, Ai ka për t’ia lehtësuar rrugët e udhëzimit të plotë. Gjithashtu, ai që përpiqet dhe lodhet në kërkimin e diturisë fetare, atij do t’i mundësohet një udhëzim dhe ndihmë shumë e madhe për t’i arritur synimet e larta dhe diturinë rreth Zotit, shumë e shumë më tepër sesa do t’ia arrinte me lodhjen dhe mundimin e tij. Atij do t’i lehtësohen rrugët e marrjes dhe nxënies së diturisë fetare. Nuk ka dyshim se kërkimi i diturisë fetare konsiderohet si xhihad në rrugën e Zotit, madje ai është një nga dy llojet e xhihadit, që e realizojnë veçse më të dalluarit dhe më të zgjedhurit e krijesave. Ky është xhihadi me dituri dhe fjalë kundër mohuesve dhe munafikëve. Ky është xhihadi për t’u mësuar njerëzve çështjet e fesë së tyre dhe për t’i treguar vendin dhe hedhur poshtë me fakte dyshimet dhe kundërshtitë e armiqve të së vërtetës, edhe sikur ata të jenë nga mesi i vetë muslimanëve. Këtu përfundon tefsiri i sures Ankebut, me ndihmën e Allahut të Lartësuar!