Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:171–4:176

Kjo pjesë e Kur'anit i hedh poshtë të gjitha trillimet e jehudive dhe të krishterëve. Në të vërtetë, jehuditë i bënin shpifje Merjemes, kinse ajo e lindi Isain pa kurorë dhe ai, si fëmijë i tillë, nuk meriton të jetë pejgamber. Zoti vërteton se Isai është i krijuar me fjalën e Tij "Bëhu!"; është shpirt i dërguar prej Zotit, pra është i pastër nga shpifjet e jehudive.

Isai ju thotë të krishterëve, është fëmijë i lindur me urdhërin e Zotit, është pejgamber, por është njeri, nuk është Zot as bir i Zotit. Nuk janë tre zotëra: Allahu, Isai Merjemja, e as nuk është Zot i përbërë prej: atit, të birit dhe shpirtit të shenjtë.

Nuk ka gradë më të lartë se të jesh rob i Zotit. Këtë e di Isai, e dinë edhe engjëjt që janë më afër Zotit, prandaj Isait i vjen keq pse dikush thotë për të se është bir i Zotit, u vjen shumë keq edhe engjëjve pse dikush ka thënë se janë bijat e Zotit. Zoti i gjithfuqishëm do t'i tubojë pas ringjalljes që të gjithë pranë Vetes dhe do të pyesë për atë që nuk donin të ishin robër të Tij.

Me ndihmën e Zotit e përfunduam përkthimin e kësaj kaptine. Falënderoj Allahun e madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:176

- Ata kërkojnë përgjigjen tënde. Thuaju: “Allahu ju përgjigjet për çështjen e atij që nuk ka lënë baba e as fëmijë që e trashëgojnë (el kelale) . - Buhariu sjell hadithin nga Berai, i cili ka thënë: “Surja e fundit që ka zbritur është Berae (Teube) dhe ajeti i fundit që ka zbritur është: “Thuaju: “Allahu ju përgjigjet për çështjen e atij që nuk ka lënë (baba e as) fëmijë që e trashëgojnë (el kelale) ...” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Xhabir Ibn Abdilahi, i cili rrëfen: 896. “Profet më vizitoi njëherë, kur unë isha i sëmurë e pa ndjenja. Ai mori abdes e pastaj më lagu me ujë, - ose tha: “Hidhni ujë (që të përmendet)!”, - dhe unë u përmenda. Unë i thashë: “Unë (nëse vdes) nuk kam lënë pas (as baba e as) fëmijë, që të më trashëgojnë. Atëherë, si veprohet me trashëgiminë time?” Për këtë, Allahu i Madhëruar zbriti ajetin e pjesëve të trashëgimisë.” Këtë hadith e kanë përnxjerrë Buhariu dhe Muslimi, përmes rrugës së Shubas. Ndërsa autorët e tjerë (të librave të hadithit) e kanë sjellë përmes rrugës së Ibn Ujejnetes. Në disa versione thuhet: “... dhe Allahu zbriti ajetin e trashëgimisë: “Ata kërkojnë përgjigjen tënde. Thuaju: “Allahu ju përgjigjet për çështjen e atij që nuk ka lënë (baba e as) fëmijë që e trashëgojnë (el kelale) ...”. Kuptimi i ajetit është: “Ata kërkojnë përgjigjen tënde (rreth rastit kelale)....” Kështu, pyetja është drejtuar pikërisht për rastin kelale, sepse përgjigjja e ajetit erdhi pikërisht për shpjegimin e këtij rasti, edhe pse nuk është përmendur shprehimisht në

ajet. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se kelale quhet ai i cili vdes dhe nuk lë pas vetes as prind (baba) e as fëmijë. Ndërsa disa të tjerë janë të mendimit se quhet ai i cili vdes e nuk lë pas fëmijë, sikurse theksohet shprehimisht edhe në ajet: “Allahu ju përgjigjet për çështjen e atij që nuk ka lënë (baba e as) fëmijë që e trashëgojnë (el kelale)...”. Përcaktimi i rastit kelale ka qenë një çështje problematike për Umer Ibn Hatabin, sikurse theksohet prej tij në hadithin që vjen në dy Sahih-ët, ku ai thotë: “Do të dëshiroja që Profeti i Allahut të na sillte një përkufizim të qartë rreth tri çështjeve: Në çështjen e trashëgimisë së gjyshit, rastin e kelale-s dhe për një çështje të fajdesë.” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Umer Ibn Hatabi që ka thënë: 897. “Nuk e kam pyetur Profetin më shumë se ç’e kam pyetur për rastin kelale, aq sa njëherë më shpoi me gishtin e tij në gjoks e më tha: “Të mjafton “ajeti i verës” në fund të sures Nisa.” Kështu e ka sjellë Ahmedi shkurtimisht. Ndërsa Muslimi e ka sjellë më hollësisht dhe të zgjeruar. Me sa duket, qëllimi me fjalën: “ajetin e verës” është se ai ajet ka zbritur në stinën e verës, ndonëse Allahu është më i ditur. Kur Profeti e udhëzoi Umerin që të meditonte dhe të kuptonte me kujdes ajetin e sures Nisa, pasi ai ajet është mëse i mjaftueshëm për të kuptuar se çfarë quhet kelale, ai nuk e pyeti më Profetin rreth kuptimit të saj. Na është përcjellë se Ebu Bekri ka thënë njëherë në hytben e tij: “Ajeti i cili u zbrit në fillim të sures Nisa na tregon rreth pjesëve të përcaktuara ( feraid) të trashëgimisë për prindërit dhe fëmijët. Ajeti tjetër që u zbrit në suren Nisa na tregon për burrin, gruan dhe vëllezërit vetëm nga nëna. Ajeti i cili u zbrit në fund të sures Nisa na tregon për vëllezërit dhe motrat nga nëna e babai. Ajeti që është zbritur në fund të sures Enfal na tregon për farefisninë dhe faktin se ata janë më parësorë dhe të meritueshëm për të përfituar nga trashëgimia, sipas rregullit të sjellë nga Allahu në Librin e Tij, e këtu përfshihen të gjithë ata që quhen asabe.” Kështu e ka përcjellë Ibn Xheriri. Kuptimi i ajetit shkurtimisht - Nëse vdes një njeri që nuk ka fëmijë, por ka motër, atëherë asaj (motrës) i takon gjysma e pasurisë së lënë. - Duke sqaruar rastin kelale, Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse vdes një njeri që nuk ka fëmijë...”. Në këtë ajet mbështeten ata që janë të mendimit se për statusin kelale mjafton fakti që i vdekuri të mos ketë lënë fëmijë pas, domethënë nuk është kusht që të mos ketë lënë as prindër. Kështu është sjellë nga Ibn Xheriri një transmetim nga Umer Ibn Hatabi, me sened të saktë. Por nga shumica e dijetarëve është marrë gjykimi i Ebu Bekrit në lidhje me këtë çështje. Sipas këtij mendimi, kelale është ai që vdes dhe nuk ka lënë pas vetes as fëmijë dhe as prindër. Për këtë tregon fakti se Allahu i Madhëruar thotë më pas: “...por ka motër, atëherë asaj (motrës) i takon gjysma e pasurisë së lënë.” Nëse do të kishte lënë pas babanë, motra nuk do të merrte gjë prej trashëgimisë, për shkak të pranisë së babait, dhe ky është një vendim unanimisht i pranuar dhe i pakundërshtueshëm mes dijetarëve. Nga kjo kuptohet se kelale është ai që nuk ka lënë fëmijë pas vetes, gjë për të cilën tregon shprehimisht ajeti kuranor, por nuk ka lënë pas as prind (baba), gjë për të cilën, po të meditosh me kujdes, është po ajeti kuranor që na e tregon, sepse motra nuk përfiton gjysmën e pasurisë nëse është babai, por përkundrazi, ajo privohet nga trashëgimia e nuk meriton gjë prej saj. Imam Ahmedi sjell hadi thin nga Zejd Ibn Thabiti, se: 898. “Ai u pyet njëherë për një rast trashëgimie, ku trashëguesit ishin bashkëshorti, një motër nga babai dhe nëna, dhe ai dha këtë gjykim: Bashkëshorti merr gjysmën e trashëgimisë, kurse motra merr gjysmën tjetër.” (Duke aluduar kështu se prezenca e nënës nuk ndikon në statusin e këtij rasti si kelale.) Kur i folën për këtë gjykim, ai tha: “Kam qenë së bashku me Profetin në një rast të ngjashëm, dhe ai ka gjykuar po kështu.” Ahmedi është i vetmi

që e sjell këtë hadith në këtë version. Ibn Xheriri e të tjerë përcjellin nga Ibn Abasi dhe Ibn Zubejri se, kur janë pyetur për një rast trashëgimie ku trashëguesit ishin një vajzë dhe një motër, ata dhanë këtë gjykim: motra nuk merr gjë nga trashëgimia, sepse i vdekuri ka lënë pas një vajzë, dhe ajeti e përcakton qartë: “Nëse vdes një njeri që nuk ka fëmijë, por ka motër, atëherë asaj (motrës) i takon gjysma e pasurisë së lënë.” Por duke qenë se ai ka lënë një vajzë, do të thotë se ka lënë fëmijë dhe, sipas ajetit, motra nuk meriton gjë prej trashëgimisë (duke aluduar se fjala ueled e përdorur në ajet, që do të thotë djalë, nënkupton edhe vajzën). Por shumica e dijetarëve e kanë kundërshtuar këtë gjykim dhe në lidhje me këtë rast kanë dhënë këtë gjykim: Vajza merr gjysmën e pasurisë si përfituese nga pjesët e përcaktuara ( furudet) nga Sheriati. Ndërsa motra përfiton pjesën e mbetur përmes teasibit, pra, si farefisi më i afërt që i vdekuri ka lënë pas. Këtë pjesë ajo nuk e përfiton nga ky ajet ( kelale), por nga argumentet e tjera të Sheriatit. Me fjalë të tjera, motra mund të marrë gjysmën e pasurisë në rastin kelale, pra, nëse i vdekuri nuk ka lënë pas fëmijë (meshkuj apo femra), por kjo nuk do të thotë se ajo privohet nga trashëgimia në të gjitha rastet. Motra mund të jetë përfituese edhe përmes statusit të teasib-it, pra, si trashëgimtarja më e afërt që mund të përfitojë nga trashëgimia, pas ndarjes së pjesëve të furude-ve. Për këtë tregon rrëfimi që sjell Bu hariu nga Esuedi, që ka thënë: 899. “Muadh Ibn Xhebeli, në kohën e Profetit, gjykoi ndër ne për një rast trashëgimie, ku trashëguesit ishin një vajzë dhe një motër, dhe i dha gjysmën e pasurisë vajzës dhe gjysmën tjetër motrës.” Por Sulejmani thekson e thotë se “Vërtet, ai gjykoi kështu, por nuk përmen di pjesën “në kohën e Profetit. ” Në Sahih-un e Buhariut vjen rrëfimi nga Huzejl Ibn Sherhabili: 900. “Ebu Musa Eshariu u pyet njëherë për një rast trashëgimie, ku trashëguesit ishin një vajzë, një vajzë djali (mbesë) dhe një motër, dhe dha këtë gjykim: Vajza merr gjysmën, ndërsa gjysmën tjetër e merr motra.” Pastaj tha: “Shkoni tek Ibn Mesudi dhe do ta shihni se do të miratojë gjykimin tim...” Kur e njoftuan Ibn Mesudin për fjalët e Ebu Musa Eshariut dhe faktin se ai tha se Ibn Mesudi do ta miratonte atë gjykim, tha: “Atëherë, unë do të gaboja e nuk do t’ia qëlloja së vërtetës! Përkundrazi, unë do të gjykoj ashtu siç ka gjykuar Profeti: Vajza merr gjysmën e pasurisë. Vajza e djalit merr një të gjashtën, e cila është pjesa plotësuese e dy të tretave. Ndërsa pjesa që mbetet (pra, një e treta) i takon motrës (me teasib).” Ne shkuam tek Ebu Musa dhe e njoftuam për gjykimin e Ibn Mesudit. Atëherë, ai tha: “Mos më pyesni më, për sa kohë ky det diturie është mes jush (pra, Ibn Mesudi).” - Ai (vëllai) trashëgon atë (motrën), nëse ajo nuk ka fëmijë. - Nëse një grua vdes kelale, pra, që nuk ka lënë pas fëmijë dhe as prind, por ka lënë pas vetëm vëllanë e saj, ai trashëgon të gjithë pasurinë e saj. Nëse ajo do të linte pas edhe prindin, prania e këtij të fundit do të privonte vëllanë e saj nga trashëgimia. Nëse kjo grua që nuk ka lënë pas vetes as fëmijë e as prind, por përveç vëllait ka lënë pas vetes ndonjë pjesëtar që meriton pjesë prej furude-ve, si p.sh. bashkëshortin, nënën të tjerë të ngjashëm, atëherë secili prej tyre merr pjesën e furudeve të përcaktuar nga Sheriati për të, ndërsa pjesa e mbetur i takon vëllait. Provë për këtë është hadithi në dy Sahih-ët, që vjen nga Ibn Abasi, se Profeti i Allahut ka thënë: 901, “Jepuni pjesët e plota furud-ëve, ndërsa atë që mbetet prej tyre jepjani mashkullit më të afërt (me të vdekurin.)” - Në qoftë se janë dy motra (që trashëgojnë), atyre të dyjave u takojnë dy të tretat që lë ai. - Nëse ai që vdes kelale ka lënë pas dy motra, pjesa e tyre prej furud-eve është dy të tretat. Të njëjtin gjykim kanë edhe nëse janë më shumë se dy motra, pra, tre e lart. Po në këtë ajet janë mbështetur dijetarët për përcaktimin e pjesës për dy vajza (krahasuar me dy motra), ashtu sikurse kanë dhënë të njëjtin gjykim për motrat, krahasuar me gjykimin e

dhënë për bijat, mbështetur në ajetin: “Nëse (trashëgimtarët) janë vetëm femra dhe më shumë se dy, atyre u takojnë dy të tretat e pasurisë që ai lë pas.” [Nisa 11]. - Në qoftë se janë vëllezër dhe motra, atëherë mashkullit i takon pjesë sa dyfishi i pjesës së femrës. - Ky është gjykimi për atë që u jepet atyre që quhen asabe, nëse janë fëmijë, fëmijë fëmijësh (nipër e mbesa) apo vëllezër e motra (më shumë se tre). Në këto raste, mashkullit i jepet sa dyfishi i femrës. - Kështu jua sqaron Allahu dispozitat, që ju të mos humbni rrugën e drejtë. - Kështu, Allahu i Madhëruar i ka vendosur e përcaktuar rregullat saktësisht, për ta qartësuar plotësisht Sheriatin e tij. Këtë Ai e ka bërë, ashtu siç thotë: “që ju të mos humbni rrugën e drejtë.” Pra, që të mos devijoni nga e vërteta dhe e drejta, pas qartësimit të saj. - Allahu di gjithçka. - Allahu i Madhëruar është i Gjithëditur për përfundimin e çdo çështjeje, për dobinë e ligjeve të Tij dhe mirësive që ato sjellin për robërit. Allahu është më i Dituri se çfarë meriton secili prej trashëgimtarëve prej pjesëve të trashëgimisë, në varësi edhe të afërsisë e dobisë që sjell secili. Përcillet nga Umer Ibn Hatabi se ai ishte i mendimit se kelale quhet ai që vdes dhe nuk ka lënë pas fëmijë (pavarësisht a ka lënë prind apo jo). Por më vonë ai pranoi mendimin e Ebu Bekrit, i cili thoshte se kelale është ai që vdes dhe nuk ka lënë pas vetes fëmijë dhe as prind (baba). Mendimi që ka dhënë Ebu Bekër Sidiku është mendimi i përkrahur nga shumica e sahabëve, tabiinëve dhe dijetarët e hershëm dhe të mëvonshëm. Ky është edhe medhhebi i katër imamëve, i shtatë fakihëve të mëdhenj dhe mendimi i përhapur gjerësisht nëpër emsar. Këtë nënkupton edhe Kur 'ani. Aq më tepër që Allahu i Lartësuar, në fund të këtyre ajeteve, thotë: “Kështu jua sqaron Allahu dispozitat, që ju të mos humbni rrugën e drejtë.” Allahu është më i ditur për gjithçka.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:176

- “Ata kërkojnë përgjigjen tënde. Thuaju: “Allahu ju përgjigjet për çështjen e atij që nuk ka lënë baba e as fëmijë që e trashëgojnë (el kelale) .” - Allahu i Lartësuar na tregon se si disa njerëz i kërkuan njëherë Profetit që t’i sqaronte çështjen e el kelale -s. El kelale quhet rasti kur një person, pas vdekjes së tij, nuk lë fëmijë të lindur prej tij dhe as fëmijë të fëmijëve të tij, nuk lë baba dhe as gjysh, por lë motër ose vëlla. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë: - “Nëse vdes një njeri që nuk ka fëmijë, ...” - Domethënë, nuk ka lënë as djem, as vajza, nuk ka lënë as të lindur prej tij dhe as fëmijë nga fëmijët e tij. Gjithashtu, ky nuk ka lënë as baba dhe as gjysh, sepse Allahu i Lartësuar përmend mes trashëgimtarëve të pasurisë së këtij njeriu motrat dhe vëllezërit, dhe dihet gjerësisht se motrat dhe vëllezërit nuk marrin pjesë në trashëgimi, nëse është gjallë babai ose gjyshi. - “...por ka motër, atëherë asaj (motrës) i takon gjysma e pasurisë së lënë. ” - Pra, nëse një mashkull me këto të dhëna vdes dhe lë pas vetes motër nga babai dhe nëna, ose vetëm nga babai, asaj i takon gjysma e pasurisë që ka lënë vëllai i saj, qofshin ato monedha ari e agjendi, toka, shtëpi, orendi etj. Sigurisht, kjo bëhet pasi të jenë larë borxhet dhe pasi të jetë plotësuar porosia e të vdekurit, sikurse është përmendur më parë. Këtu nuk përfshihet motra vetëm nga nëna, për të cilën është folur më herët. - “Ai (vëllai) trashëgon atë (motrën), nëse ajo nuk ka fëmijë. ” - Nëse personi i vdekur është femër dhe lë pas vetëm një vëlla, ai trashëgon të gjithë pasurinë e saj, nëse ajo nuk ka lënë pas fëmijë. Sheriati në këtë rast nuk ka përmendur masë të caktuar për vëllain, sepse ai e trashëgon të gjithë pasurinë e motrës kur ajo nuk ka lënë pas fëmijë apo trashëgimtarë të tjerë, për të cilët Sheriati e ka përcaktuar masën e trashëgimisë. - “Në qoftë se janë dy motra (që trashëgojnë), atyre të dyjave u takojnë dy të tretat që lë ai. Në qoftë se janë vëllezër dhe motra, atëherë mashkullit i takon pjesë sa dyfishi i pjesës së femrës.” - Nëse trashëgimtarët janë dy motra e më shumë, atyre të dyjave u takojnë dy të tretat që ka lënë i vdekuri. Në qoftë se trashëgimtarët janë edhe vëllezër, edhe motra, atëherë një mashkulli i takon sa dyfishi i pjesës së një femre. - “Kështu jua sqaron Allahu dispozitat, që ju të mos humbni rrugën e drejtë. ” - Kuptimi: Allahu i Lartësuar ju sqaron ligjet dhe dispozitat, që juve ju nevojiten shumë.

Kjo është një mirësi e madhe që Zoti ju dhuron, sepse nëpërmjet saj ju nuk do ta humbisni rrugën e drejtë. Dituria sjell dritë dhe udhëzim, kurse injoranca sjell humbje dhe padrejtësi. - “Allahu Di gjithçka. ” - Ai është i Gjithëditur për të fshehtat dhe për të dukshmet, për çështjet e shkuara dhe ato të ardhme. Ai e di për çfarë keni nevojë që të dini dhe ju mëson ju prej dijes së Tij, në mënyrë që ju të arrini çdo të mirë, në çdo kohë dhe në çdo vend.