Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:122–6:131

vdekuri i përmendur në këtë ajet, është ai që ishte i humbur në besim, e i gjallë me dritë në dorë që shkon kah të dojë është ai që besoi. Kur'ani e konsideron të verbër në shpirt atë që ka mbetur në errësirë të paditurisë, në errësirë të mohimit. E atë që pranoi mësimet e Kur'anit, e konsideron të shpëtuar prej verbërisë shpirtërore, të ngjallur prej asaj errësire të vdekjes dhe të ndriçuar në dritën e besimit.

Paria e çdo vendi është gjithnjë më afër përbuzjes së të mirave të Zotit ngase i mashtron pozita dhe pasuria. Ashtu i bënë dredhi Muhammedit edhe paria mekase si Ebu Xhehli etj. për nimetin që ia dha Zoti. Nga inati nuk deshën ta pranojnë si pejgamber, mirëpo Allahu e di më së miri se ku dhe cilit duhet dhënë gradën pejgamber. Zoti i shpëton mirënjohësit, duke e dhuruar besimin e drejtë, e i dënon përbuzësit, duke i lënë në mosbesim.

Allahu i tubon në ditën e kijametit njerëzit dhe xhinët shejtanët. Xhinët shtangen dhe nuk mund të flasin, e njerëzit gabimtarë përpiqen të kërkojnë falje, por është vonë.

Zullumqarin që nuk ndalet prej punëve të këqia, Zoti e dënon në këtë dynja, duke i dhënë pushtet mbi të, një zullumqari tjetër.

Drejtësia e Zotit është aq e lartë sa që asnjë popull a njeri nuk e dënon pa ia komunikuar rrugën e drejtë dhe tërhequr vërejtjen për të shtrembërën, ashtu që në ditën e kijametit të mos kenë arsye të justifikohen. Prej xhinve nuk pat të dërguar.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:131–6:132

- Kështu (janë dërguar Profetë), sepse Zoti yt kurrë nuk e shkatërron asnjë vend për padrejtësitë e tyre, nëse banorët e tij nuk janë paralajmëruar. - Allahu i Madhëruar i dërgoi profetët, në mënyrë që asnjë zullumqar të mos ketë justifikim pas dërgimit të tyre e pas shtjellimit të së vërtetës. Allahu nuk ka për të ndëshkuar asnjë popull, pa i dërguar atyre paralajmërues dhe pa i ftuar në rrugën e drejtë. Tek të gjithë popujt që Zoti ndëshkoi, kishte dërguar profetë në fillim, dhe pas mohimit e refuzimit të tyre, Ai i ndëshkoi. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Ne të dërguam ty me të vërtetën, si përgëzues e qortues. Dhe në çdo popull Ne kemi dërguar qortues. " [Fatir 24 .] dhe thotë: “Ne çuam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni shejtanëve (adhurimit të tyre)!”...” [Nahl 36], dhe thotë: “Kush ndjek udhëzimin në rrugën e drejtë ka udhëzuar vetveten dhe kush devijon ka devijuar veçse veten e vet. Askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit. Ne nuk kemi dënuar askënd para dërgimit të Profetëve.” [Isra 15], dhe thotë: “Nga zemërimi që ka, ai (Xhehenemi) gati sa nuk shpërthen! Sa herë që ndonjë turmë do të hidhet në të, roja do t’i pyesë: “A s’ju erdhi ndonjë paralajmërues?” Ata thonë: “Po, na erdhën paralajmërues (nga Zoti), por ne i mohuam e thamë: “Allahu nuk ka shpallur asgjë, ndërsa ju nuk jeni gjë tjetër, por veçse njerëz në një humbje të madhe.”” [Mulk 8, 9]. Ajetet me këtë kuptim janë të shumta. Kështu çdo popull që bënte padrejtësi, duke nisur nga idhujtaria e gjithçka tjetër poshtë saj, Allahu nuk nxitohej që t’i ndëshkonte, por u dërgonte profetë, që t’i ftonin ata në rrugën e drejtë dhe t’u qartësonin kufijtë e Tij. Ata, gjithashtu, i kërcënonin dhe paralajmëronin për ndëshkimin e Allahut, për ditën e tubimit para Tij, për llogaritjen e drejtë të veprave të tyre. Kështu, Allahu kurrsesi nuk i ka ndëshkuar popujt pa i paralajmëruar më parë, në mënyrë që ata të mos thonë se nuk kishin patur paralajmërues për ndëshkimin , e premtues për shpërblimin. - Por secili do të ketë shkallë sipas veprave të veta. - Pra, çdo njeri e xhind do të ketë gradën e vet, që do ta fitojë me punët e veta, të mira apo të këqija qofshin. Si të bindurit, edhe të pabindurit do të marrin shpërblimin e merituar nga Allahu i Lartësuar. Kështu e ka shpjeguar Ibn Xheriri. Megjithatë, ka mundësi që ky ajet

të ketë lidhje me mohuesit prej xhindëve dhe njerëzve. Kështu, si xhindët edhe njerëzit mohues të Zotit do të kenë vendin e tyre në Zjarr, sipas veprave që kryejnë në këtë botë. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Madhëruar: “ Melekët do t’u thonë: “Hyni në Zjarr, mes popujve që shkuan para jush - xhinde dhe njerëz.” Sa herë që një popull hyn aty, mallkon atë të mëparshmin. Dhe, kur të gjithë të tubohen në të, grupi i fundit thotë për grupin e parë: “Zoti ynë, janë këta që na çuan ne në humbje, prandaj shumëfishoja atyre dënimin me zjarr!” Ai do të thotë: “Për secilin nga ju dënimi është i shumëfishuar, por ju nuk e dini.”. ” [El ea'raf 38]. - Zoti yt nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve të tyre. - Ibn Xheriri shpjegon: “Ai i di mirë veprat e tyre dhe i ka ruajtuar ato, që secili të marrë atë që meriton Ditën e Tubimit dhe Llogarisë para Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:128–6:135

- Një Ditë Ai do t’i tubojë të gjithë...” – Kjo është dita kur Allahu i Lartësuar do t’i tubojë të gjithë, njerëz dhe xhindë, të devijuarit dhe devijuesit. Të gjithë do të tubohen për të dhënë llogari. Allahu i Lartësuar u drejtohet me qortim xhindëve, të cilët kanë devijuar njerëzit nga udha e drejtë, duke ua zbukuruar të keqen dhe duke i shtyrë pareshtur drejt poshtërsive. Allahu i Lartësuar thotë: - (dhe do t’u thotë) : “O grumbull i xhindeve! Shumë keni marë (e devijuar) nga njerëzit.” - Ju e tepruat në pengimin e njerëzve dhe shmangien e tyre nga rruga e drejtë. Si patët guxim të shkelnit kufijtë e Mi? Si guxuat të luftonit profetët e Mi? Ju u përkushtuat në luftën kundër Zotit dhe u përpoqët me çdo mënyrë për t’i penguar njerëzit nga rruga e Tij dhe për t’i futur në rrugën e zjarrit? Sot mbi ju do të godasë ashpër mallkimi dhe zemërimi Im. Sot do t’ju shtohet ndëshkimi në varësi të kufrit tuaj dhe në varësi të devijimit që u shkaktuat të tjerëve. Sot nuk ka arsyetim, me të cilin mund të justifikoheni, as strehë ku mund të mbroheni, as ndërmjetësues që mund t’ju ndihmojë dhe as lutje e përgjërim që mund t’ju dëgjohet dhe t’ju shpëtojë. Pas kësaj, mos pyet për poshtërimin dhe vuajtjet që do të bien mbi ata të mjerë. Për këtë arsye, i Madhëruari nuk përmend ndonjë justifikim të tyre. Ndërsa për miqtë dhe pasuesit e tyre prej njerëzve, Allahu i Lartësuar thotë se ata do të mundohen të parashtrojnë ndonjë lloj justifikimi, por ai, sigurisht, është i papranueshëm: - Ndërsa njerëzit që ishin miq të tyre do të thonë: “Zoti ynë! Ne përfituam nga njëri-tjetri ... - Të dyja palët, njerëz dhe xhindë, përfituan dhe u kënaqën me njëri tjetrin. Xhindët kënaqeshin me bindjen, adhurimin, nënshtrimin dhe madhërimin që njerëzit iu kushtonin atyre. Ata kënaqeshin kur njerëzit u kërkonin ndihmë, mbrojtje dhe strehim, duke u ndierë në këtë mënyrë edhe më arrogantë e të papërmbajtur. Ndërsa njerëzit kënaqeshin kur arrinin qëllimet e tyre dhe realizonin, me ndihmën e hileve të xhindëve, shumë nga dëshirat e tyre. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, ata arrinin të plotësonin disa nevoja të kësaj dynjaje. Kështu, atë ditë, njerëzit sikur duan të justifikohen me këtë fakt, duke pretenduar se të gjitha gjynahet ndodhën pikërisht për këto shkaqe, dhe tashmë ato nuk mund të zhbëhen. Pra, sikur duan të thonë se, nëse do të kishin më shumë kohë në dispozicion, do të ndryshonin. Ata do thonë: - “...por ne e arritëm afatin tonë, të cilin Ti na e kishe caktuar.” - Ne na mbaroi afati që Ti na kishe përcaktuar dhe tashmë jemi këtu, në vendin ku ekziston vetëm shpërblimi për punët e bëra. Tani vepro me ne çfarë të dëshirosh dhe jep gjykimin Tënd! Ne nuk kemi asnjë justifikim për të dhënë. Urdhrat janë të Tuat dhe gjykimi është i Yti. Në këto fjalë ndihet një lloj pendimi dhe përunjësie, por që nuk do t’u vlejnë aspak, sepse tashmë koha e pendimit ka mbaruar. Prandaj i Lartësuari do të japë gjykimin e Tij të drejtë, që është larg çdo padrejtësie e mangësie. - Allahu do të thotë: “Zjarri është vendi juaj i banimit. Ju do të jeni përjetësisht në të, përveç nëse dëshiron Allahu.” - Duke qenë se gjykimi i Tij është i ndërtuar dhe buron nga urtësia dhe dituria e Tij absolute, Allahu i Lartësuar e mbyll ajetin duke thënë: - Vërtet, Zoti yt është i Urtë e i Gjithëditur. - Ashtu sikurse dituria e Tij ka përfshirë gjithçka, ashtu edhe urtësia dhe gjykimi i Tij ekzekutohet mbi gjithçka. Asgjë nuk mund të dalë jashtë diturisë dhe urtësisë së Zotit dhe çdo gjë do të shkojë në vendin që i takon.

- Kështu Ne i bëjmë keqbërësit sundues mbi njëri -tjetrin, për shkak të asaj që veprojnë. - Ky është rregulli i patjetërsueshëm i Allahut të Lartësuar. Ai i bëri xhindët që të sundojnë e t’i devijojnë miqtë e tyre njerëz, të cilët u binden e ndjekin hapat e armiqve të tyre. Ata vazhdojnë të lidhen fort dhe t’i binden njëritjetrit në poshtërsira, derisa u bëhen robër të bindur e të nënshtruar ndaj ligësisë. Në të njëjtën mënyrë, Allahu i Madhërishëm bën që disa zullumqarë të sundojnë zullumqarë të tjerë, duke i bërë shkaktarë të devijimit e shkatërrimit të njëri -tjetrit. Ata nxisin për ligësi e poshtërsira dhe pengojnë njëri - tjetrin nga mirësia, duke shpifur e mashtruar rreth saj. Ky është një nga ndëshkimet më të frikshme dhe më të mëdha, me të cilën i dënon Allahu i Drejtë dhe i Urtë zullumqarët. Shkaku i këtij ndëshkimi është faji i zullumqarëve. Janë ata që dëmtojnë vetveten, duke i hapur asaj portat e shkatërrimit dhe humbjes. Nëse njerëzit e teprojnë me padrejtësi e shthurje, atëherë Zoti u vendos mbi krye tiranë, që t’u nxjerrin të zitë e ullirit. Ata do t’i shtrydhin, duke i privuar nga të drejtat e tyre. Kështu, ata të mjerë ngarkohen shumë e shumë më tepër nga sa kërkohet prej detyrimeve ndaj Zotit dhe ndaj krijesave të Tij. Nëse, nga njëra anë, me plotësimin e urdhrave të Allahut do të fitonin çdo të mirë, nga ana tjetër, me përmbushjen e urdhrave të padrejta të këtyre zullumqarëve nuk do të fitojnë asnjë shpërblim, por vetëm vuajtje e trishtim. Megjithatë, nëse njerëzit rregullohen dhe përqendrohen në rrugën e drejtë, Allahu i Lartësuar ka për t’i rregulluar dhe përmirësuar krerët e tyre, duke i shndërruar ata në udhëheqës të drejtë dhe të urtë, e jo në tiranë të padrejtë e kriminelë. Në vijim, Allahu i Lartësuar qorton të gjithë ata njerëz dhe xhindë që i kanë kthyer shpinën së vërtetës. Ai ua vë në dukje fajin e tyre, të cilin ata e pranojnë. I Lartësuari do të thotë: - “O grumbull i xhindeve dhe i njerëzve! A nuk ju erdhën nga mesi juaj të dërguar, që t’ju tregonin Argumentet e Mia dhe t’ju paralajmëronin për takimin e kësaj Dite?” - Nëpërmjet argumenteve dhe shpalljeve, Allahu i Lartësuar sqaroi me hollësi urdhrat dhe ndalesat e Tij, të mirën dhe të keqen, shpërblimin dhe dënimin. Profetët e Allahut i paralajmëruan njerëzit për ardhjen e Ditës së Gjykimit. Ata treguan qartë se shpëtimi në këtë ditë nga ndëshkimi dhe arritja e shpërblimit do të jetë i mundur veçse nëpërmjet zbatimit të urdhrave të Allahut dhe largimit nga ndalesat e Tij, në emër të dashurisë, madhërimit dhe nënshtrimit ndaj Tij. Ndërsa për ata që e kanë shpërfillur këtë mesazh mbetet vetëm dëshpërimi dhe ndëshkimi. Ata e pranojnë gabimin e bërë dhe do të dëshmojnë se ishin të padrejtë. - Ata do të thonë: “Po, dëshmojmë kundër vetes sonë.”. Ata i mashtroi jeta e kësaj bote. Prandaj do të dëshmojnë kundër vetvetes, se vërtet ishin mohues. - Ata i mashtroi dynjaja me stolitë e saj. Ata u joshën nga bukuritë e saj dhe u kënaqën me to, duke u shpërqendruar nga

përgjegjësitë dhe përgatitja për ahiretin. Kështu, ata do të dëshmojnë kundër vetes së tyre dhe do ta pranojnë që kanë qenë mohues. Atë ditë, të gjithë do ta shikojnë dhe njohin gjykimin e drejtë të Allahut mbi ta, kur t’i dënojë dhe t’u thotë: “Hyni në Zjarr, mes popujve që shkuan para jush - xhinde dhe njerëz.” Sa herë që një popull hyn aty, mallkon atë të mëparshmin. Dhe, kur të gjithë të tubohen në të, grupi i fundit thotë për grupin e parë: “Zoti ynë, janë këta që na çuan ne në humbje, prandaj shumëfishoja atyre dënimin me zjarr!” Ai do të thotë: “Për secilin nga ju dënimi është i shumëfishuar, por ju nuk e dini.”.” [El ea’raf 38]. Ata vepruan njëlloj si ju, duke u argëtuar me stolitë e kësaj bote. Ata, ashtu sikurse dhe ju, u zhytën në kotësi, prandaj dhe merituan të ishin prej të dënuarve. Të parët dhe të fundit, të gjithë së bashku, do të shijojnë dënimin e dëshpërimin e merituar e të pafundëm. E ku ka dëshpërim më të madh sesa ai për humbjen e Xhenetit të mirësisë dhe qëndrimin pranë Bujarit Mëshirëplotë. Edhe pse do të marrin pjesë të gjithë në këtë ndëshkim, ata do të jenë në nivele të ndryshme, duke patur dallime të shumta nga njëri tjetri. Allahu i Lartësuar thotë: - Kështu (janë dërguar Profetë), sepse Zoti yt kurrë nuk e shkatërron asnjë vend për padrejtësitë e tyre, nëse banorët e tij janë të paparalajmëruar. - Me dërgimin e profetëve dhe me shpalljen e librave, Allahu i Lartësuar nuk u ka lënë dy krijesave të përgjegjshme ligjërisht (njerëzve dhe xhindëve) asnjë justifikim për mosbesimin dhe mosnënshtrimin e tyre. Askush nuk do të merret në përgjegjësi dhe ndëshkohet për padrejtësitë e tij, nëse është i paditur, i panjoftuar dhe i paparalajmëruar. Allahu i Lartësuar, me mëshirën dhe drejtësinë e Tij, kurrë nuk do të ndëshkonte dikë pa i dërguar fillimisht të dërguarit dhe lajmëtarët e tij. 5 - Por secili do të ketë shkallë sipas veprave të veta. - Secili nga ata do të ndëshkohet në varësi të punëve të këqija që ka bërë. Kriminelët dhe mohuesit e mëdhenj nuk do të trajtohen njëlloj si ata që janë poshtë tyre, pasuesit nuk do të ndëshkohen si të pasuarit dhe as vartësit si udhëheqësit e tyre. Po kështu, edhe banorët e Xhenetit, edhe pse do të jenë të gjithë në Xhenet dhe mes të mirave të tij, gradat dhe nivelet e kënaqësisë do të jenë të ndryshme. Këto ndryshime i di vetëm Allahu i Lartësuar. Por një gjë është e sigurt: të gjithë banorët e Xhenetit do të jenë të lumtur me atë që u ka dhuruar Allahu i Lartësuar. E lusim Allahun e Lartësuar që të na bëjë edhe ne prej banorëve e Firdeusit më të lartë, të cilin Ai e ka përgatitur dhe zbukuruar për robërit e Tij më të afruar dhe më të zgjedhur. Ata janë më të nderuarit e më të dashurit, të cilët Ai i ka veçuar nga gjithë të tjerët. - Zoti yt nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve të tyre. - Ai do t’i shpërblejë të gjithë sipas veprave dhe sipas qëllimeve që kanë fshehur në zemër, të cilat Ai i di shumë mirë. Allahu është i Gjithëditur për punët që bëhen dhe për qëllimet që mbahen të fshehura. Ai i urdhëroi robërit e Tij që të bëjnë punë të mira dhe i ndaloi nga punët e këqija, si mëshirë për ta dhe si udhëzim për të rregulluar gjendjen e tyre. Allahu nuk ka nevojë aspak për adhurimet e robve, që realish janë shumë të mangëta. Urdhrat dhe ndalesat, adhurimet dhe detyrimet të cilat u ka ngarkuar robve të Tij, Ai i ka bërë thjesht si mëshirë për ta, për t’i udhëzuar drejt më të mirës, për t’ua lehtësuar arritjen e të mirave dhe për t’i ruajtur nga të këqijat. Allahu është i Pasur, absolut dhe Jonevojtar për krijesat e Tij. Bindja e të bindurve nuk i shton asgjë pushtetit dhe madhështisë së Allahut, ashtu sikurse mosbindja e të pabindurve nuk e dëmton dhe cenon aspak Krenarinë dhe pushtetin e Tij. - Zoti yt është i Pasuri, Zotëruesi i Mëshirës. Po të dëshironte, Ai mund t'ju shkatërronte ju dhe të sillte në vendin tuaj kë të donte, ashtu sikurse ju solli ju nga pasardhësit e popujve të tjerë. - Nëse ju jeni të sigurt që do të largoheni patjetër nga kjo dynja, ashtu sikurse u larguan ata që

ishin para jush, për t’ua lënë atyre që do të vijnë pas jush, ashtu sikurse të parët jua lanë juve, atëherë përse e trajtoni këtë dynja si një vendqëndrim të përhershëm? Përse jepeni tërësisht pas saj dhe harroni se ajo është thjesht një vendkalim dhe jo një vendqëndrim? Ju e lini në harresë dhe mundoheni ta injoroni faktin që para jush ju pret një jetë dhe një vend i mrekullueshëm, ku janë mbledhur të gjitha mirësitë, vend i cili, nëse nënshtroheni dhe i bindeni Zotit, ka për të qenë për ju i sigurt dhe i pastër nga çdo ligësi dhe fatkeqësi. Ai është vendi i gëzimeve dhe i lumturisë, për të cilin garuan të parët dhe të fundit dhe drejt të cilit janë nisur me mall garuesit e punëve të mira dhe ata që ndoqën gjurmët e tyre. Kur ata të mbërrijnë në të, do të gjejnë përjetësinë mes të mirave dhe kurrë nuk do të largohen prej andej. Ai është destinacioni final, pas të cilit nuk ka destinacion tjetër. Tek ai përqendrohen të gjitha synimet dhe dëshirat e të mençurve. Atje - për Zotin! - gjendet çdo gjë që shpirti e dëshiron dhe me të cilën syri kënaqet. Në të gjenden mirësi, për të cilat ia vlen të garosh dhe të përkushtohesh. Shpirtrat mbushen me lumturi, kënaqësi dhe përjetime të papërshkrueshme. Gjuha është e paaftë që të flasë për kënaqësitë e trupit dhe të zemrës atje. E si mund të përshkruash lumturinë e robit kur ai të qëndojë pranë Atij që i di të gjitha të fshehtat? Subĥânallâh! Sa i madh duhet të ketë qenë malli dhe dëshira e atyre që u përpoqën dhe luftuan për t’i arritur këto mirësi. Sa i fortë duhet të ketë qenë vullneti i atyre që synuan këto grada! Sa e ulët ka qenë përzgjedhja dhe synimet e atyre që u kënaqën me këtë jetë kaq të mangët dhe të parëndësishme! Sa i dobët ka qenë vullneti i atyre që zgjodhën këtë humbje kaq të madhe! Atyre që janë të pavëmendshëm dhe i kanë kthyer shpinën përgatitjes për jetën tjetër, kurrsesi të mos u duket e largët dita kur do të dalin para gjykimit me drejtësi të të Madhërishmit. I Lartësuari thotë: - Ajo që ju është premtuar patjetër do të vijë, e ju nuk mund ta pengoni atë. - Atë ditë, ju nuk do mund t’i shpëtoni dhe t’i fshiheni ndëshkimit të Tij. Ju jeni tërësisht në dorën e Tij dhe nuk mund t’i shpëtoni pushtetit të Tij. Profeti u urdhërua që t’i ftonte njerëzit në adhurimin e Allahut të Lartësuar si Një të vetëm, duke u sqaruar atyre të drejtat dhe përgjegjësitë, me të cilat ishin ngarkuar. Por shumë prej tyre refuzuan që t’u nënshtroheshin porosive të tij, duke parapëlqyer plotësimin e dëshirave të tyre dhe duke mos iu ndarë idhujtarisë. Atëherë, Allahu i Lartësuar lajmëron Profetin e Tij që t’u thotë: - Thuaj: “O populli im! Vazhdoni në ato që jeni duke bërë, e unë do të vazhdoj në atë që jam duke bërë,...” - Vazhdoni të punoni dhe të jetoni sipas asaj që keni përzgjedhur për veten tuaj. Ndërsa unë do të punoj dhe të jetoj sipas porosive të Allahut. Unë do të ndjek të gjitha rrugët që e kënaqin Atë. - “...por më vonë do ta mësoni se kujt do t’i takojë përfundimi i mirë .” - Më vonë, të gjithë ne do ta shohim se kujt do t’i takojë përfundimi i mirë. Kjo është një ftesë e drejtë nga Profeti ﷺpër njerëzit. Ai i udhëzon ata në rrugën më të mirë, për të gjykuar drejt dhe me barazi. Ai sikur u thotë atyre: në vend që të merremi vetëm me fjalë, le të jenë veprat tona ato që flasin dhe bëjnë të meritueshëm shpërblimin ose ndëshkimin. Nëpërmjet veprave le të shpërblehet secili prej nesh. Por mos harroni se përfundimi i mirë në dynja dhe ahiret u takon të devotshmëve, të cilët jetojnë sipas porosive të Zotit. Dijeni, gjithashtu, se përjetësia në mirësitë e ahiretit u takon besimtarëve, që patën besim të saktë dhe të mbështetur në argumente të sigurta nga Zoti. Ndërsa të gjithë ata të cilët refuzuan të pranojnë dhe të jetojnë sipas shpalljeve të Zotit kanë përfundimin e keq, me ndëshkimin e merituar. I Lartësuari thotë: - Sigurisht që keqbërësit nuk kanë për të gjetur shpëtim. - Çdo zullumqar e refuzues

i besimit të drejtë dhe të vërtetë, edhe nëse në këtë dynja mund të dëfrehet dhe të përjetojë çdo mirësi e kënaqësi, do ta ketë përfundimin me vuajtje dhe dëshpërim. Allahu i Madhëruar mund ta afatizojë zullumqarin, por kur i vjen ndëshkimi, ai nuk shpëton më prej tij.