Mushrikët, përveç të tjerash klasifikonin bagëtinë si të lejuara posaçërisht për meshkuj apo për femra, mbytnin fëmijët e tyre e veçanërisht vajzat, të cilat i varrosnin të gjalla, madje shpifën si të ndaluara disa kafshë dhe disa drithëra.
Zoti xh. sh. ju numëron, begatitë që ua ka dhuruar, si vreshtat e llojllojshme, si kafshët për hipje, për qumësht, për lesh, për mish etj., për llojet më kryesore të kafshëve siç janë: devet, lopët, delet e dhitë, të cilat, meshkuj e femra janë tetë llojesh.
Të gjitha trillimet e tyre rreth ndalimit të ngrënies së disa kafshëve, i sqaron ajeti i fundit, sipas të cilit është e ndaluar të hahen: kafsha e ngordhur, gjaku, mishi i derrit dhe kafsha që është therrur në emër të ndonjë idhulli e jo në emër të Allahut.
- Thuaj: “Në Shpalljen që më është dhënë nuk gjej ushqime të ndaluara, veç mishit të ngordhur, gjakut që derdhet vrullshëm dhe mishit të derrit, sepse janë të ndyrë,
dhe mishit që theret me emrin e dikujt tjetër veç Allahut, që është shkelje e kufijve të Tij. - Allahu i Lavdëruar e urdhëron robin dhe Profetin e Tij të dashur: “Thuaju, o Muhamed, këtyre të cilët bënë haram rizkun që Zoti u dhuroi, duke trilluar gënjeshtra për Atë: “Në Shpalljen që më është dhënë nuk gjej ushqime të ndaluara, veç ...”. Domethënë, nuk ka haram tjetër, përveç këtyre që përmenden në ajet. Atëherë, mund të themi se dispozitat për ndalesat në ushqime, - që janë zbritur pas këtij ajeti në suren Maide dhe të transmetuara nëpër hadithe, - e kanë rrëzuar këtë dispozitë, të përftuar nga kuptimi i këtij ajeti.28 Disa e konsiderojnë zëvendësimin e dispozitës së përftuar nga ky ajet me ajetet e sures Maide si një abrogim ( nes’h). Por shumica e dijetarëve të mëvonshëm nuk e konsiderojnë abrogim, sepse të ndaluarat e përmendura aty mbeten po të ndaluara, por e konsiderojnë si një reduktim të gjykimit fillestar për lejueshmërinë e gjërave në origjinë, duke përjashtuar kështu prej tij edhe disa raste të tjera. Megjithatë, Allahu është më i ditur. Allahu i Lartësuar thotë: “gjakut që derdhet vrullshëm”. Domethënë, ai gjak që del furishëm nga kafsha gjatë therjes. Katade ka thënë: “Në lidhje me gjakun, është bërë haram ai që derdhet furishëm (gjatë therjes), ndërsa gjaku i mbetur (pas therjes së rregullt) brenda mishit, nuk është i ndaluar.” Ibn Merdeuejhi sjell thënien e Ibn Abasit: “Në kohën e injorancës (para Islamit), njerëzit nuk hanin disa gjëra, pasi i konsideronin si të neveritshme. Kur Allahu dërgoi Profetin dhe shpalli Librin e Tij, Ai e qartësoi haramin dhe hallallin. Atëherë, ajo që Ai e konsideron hallall, ajo është hallall dhe atë që Ai e konsideron haram, ajo është haram. Ndërsa gjërat për të cilat Ai nuk ka folur janë pjesë e tolerimit e faljes.” Imam Ahmedi sjell sëris h nga Ibn Abasi hadithin: 1147. “Seudas, bijës së Zumates, i ngordhi një dele, prandaj ajo i tha Profetit: “Ajo delja ngordhi!” Profeti ﷺ e pyeti: “Pse nuk ia more lëkurën e saj?” Ajo tha: “A mund ta marr lëkurën e një deleje të ngordhur?!” Profeti iu përgjigj: “Allahu thotë: “ Thuaj: “Në Shpalljen që më është dhënë nuk gjej ushqime të ndaluara, veç mishit të ngordhur, gjakut që derdhet vrullshëm dhe mishit të derrit, ...”. Kështu që, ju nuk do ta hani atë, prandaj thajeni lëkurën e saj e përdoreni!” Kështu, ajo e dha delen që ta rripnin dhe t’ia thanin lëkurën. Madje, me atë lëkurë bëri një calik, që e përdori derisa u gris.” Hadithin e sjellin Buhariu dhe Nesaiu. Seid Ibn Mensuri përcjell nga Numejle el Fezzari, që tregon: 1148. “Njëherë, isha tek Ibn Umeri, kur dikush e pyeti rreth ngrënies së mishit të iriqit. Ai i lexoi atij fjalën e Allahut “Në Shpalljen që më është dhënë nuk gjej ushqime të ndaluara, veç mishit të ngordhur, gjakut që derdhet vrullshëm dhe mishit të derrit,...” , por një burrë, që ishte pranë tij, tha: “E kam dëgjuar Ebu Hurejrën të thotë se kjo pyetje iu bë Profetit dhe ai tha: “Ai është pisllëk nga gjërat e pista!” Atëherë Ibn Umeri tha: “Nëse Profeti ka thënë kështu, atëherë kështu është.” [Ebu Daudi]. Allahu i Lartësuar thotë: “... dhe mishit që theret me emrin e dikujt tjetër veç Allahut...” Flitet për ato kafshë që theren duke përmendur emrin e dikujt tjetër veç Allahut, si idhujt, putat etj., siç vepronin idhujtarët në kohën e injorancës. Kurtubiu përcjell prej Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se, kur ajo u pyet rreth kafshëve që therin të huajt për festat e tyre, kur ata ua dhurojnë muslimanëve, ajo tha: “Mos hani nga ato që theren për ato ditë (feste për ta), por mund të hani prej pemëve të tyre!” - E për atë që është i detyruar të hajë nga këto, por duke mos pasur për qëllim shijimin dhe duke mos e tepruar, Zoti yt është Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Tefsiri i këtyre ajeteve është bërë në suren Bekare. 29 Ky ajet është sjellë për të hedhur poshte trillimet e idhujtarëve në bërjen haram të gjërave që Allahu i ka lejuar për robërit e Tij. Me çfarë argumenti e bëjnë haram atë që Allahu e ka lejuar?! Allahu e urdhëroi Profetin e Tij që t’u kumtojë
njerëzve se çfarë është bërë e ndaluar, siç është ky ajet, i cili mëton, gjithashtu, se gjërat e tjera, që Allahu nuk i ka përmendur, janë pjesë e faljes dhe të tolerimit të Tij. Duhet thënë se, të ndaluara janë edhe ato gjëra që janë përcjellë si të tilla nga Profeti, si mishi i gomarit të butë, mishi i kafshëve mishngrënëse (me dhëmbë shqyes) dhe mishi i çdo shpendi me kthetra (shqyes) e mishngrënës, siç thotë mendimi më i njohur dhe i përhapur mes dijetarëve.
Pasi i përmendi me nënçmim idhujtarët, për shkak të trillimeve të tyre rreth hallallit dhe haramit, Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij që t’u qartësojë njerëzve atë që vërtet u është ndaluar atyre. Nëse ata
mësojnë se cilat janë ndalesat e Zotit, - që në fakt janë shumë pak në numër, - do të kuptojnë shumë thjesht se gjithçka tjetër veç tyre është e lejuar. Pas kësaj, kush pretendon se Allahu ka ndaluar këtë apo atë send, i tilli është një mashtrues e shpifës, që trillon të pavërteta rreth Zotit dhe Ligjit të Tij. Ndalesat vijnë vetëm prej Allahut të Lartësuar nëpërmjet Profetit të Tij. Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij dhe i thotë: - Thuaj: “Në Shpalljen që më është dhënë nuk gjej ushqime të ndaluara, veç mishit të ngordhur, gjakut që derdhet vrullshëm dhe mishit të derrit, sepse janë të ndyrë dhe mishit që nuk therret me emrin e Allahut, që është shkelje e kufijve të Tij. - Këtu përmenden ato gjëra që janë të ndaluara të përdoren si ushqim. Në këtë ajet nuk përcaktohet në janë të lejuara mënyrat e tjera të përfitimit prej tyre apo jo. ‘Mish i ngordhur’ quhet mishi i kafshës që ka ngordhur pa u therur me mënyrën e caktuar nga Sheriati. 6 Pa dyshim që ajo është e palejueshme, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “Haram janë për ju: të ngordhurat, gjaku, mishi i derrit, ajo kafshë që theret jo në emrin e Allahut, ... “ [Maide 3]. ‘Gjaku i derdhur vrullshëm’ i përmendur në ajet është gjaku venoz ( el demu ), i cili del me forcë gjatë therjes së kafshës. Nëse ky gjak bllokohet dhe nuk del jashtë nëpërmjet therjes sipas rregullit, është shumë i dëmshëm. Po nëse nxirret nga trupi, ky dëm largohet dhe ngrënia e mishit nuk sjell më ndonjë rrezik. Përcaktimi i këtij gjaku si ‘i derdhur vrullshëm’ na jep të kuptojmë se gjaku i cili mbetet në mish dhe nëpër damarë pas therjes së rregullt nuk përbën rrezik, sepse është i pastër dhe hallall. - “...dhe mishit të derrit, sepse janë të ndyrë” - Këta artikuj janë të ndaluar, sepse janë të pistë, të këqij dhe të dëmshëm. Allahu i Lartësuar i bëri të ndaluar, si shprehje të butësisë dhe përkujdesit të madh për robërit e Tij, duke i ruajtur ata nga çdo gjë e keqe dhe e dëmshme për fenë, besimin, dynjanë dhe ahiretin e tyre. - “...dhe mishit që nuk therret me emrin e Allahut, që është shkelje e kufijve të Tij.” - Nëse mishi i therur iu kushtohet idhujve dhe çdo gjëje tjetër që adhurohet veç Allahut të Lartësuar, kjo vepër quhet fisk, pra, shkelje e kufijve të Allahut të Lartësuar. Megjithatë, në kushte domosdoshmërie dhe nevoje të madhe, kur njeriu nuk ka çfarë të hajë tjetër dhe ka frikë vdekjen, Allahu i Lartësuar e ka lejuar konsumimin e tyre, por me kushte: - E për atë që është i detyruar të hajë nga këto, por duke mos pasur për qëllim shijimin dhe duke mos e tepruar...” - Allahu i Lartësuar ka vendosur dy kushte: 1. Të mos hahen pa qenë i detyruar, në atë masë sa të rrezikosh vdekjen. 2. Të mos hahet më shumë sesa thyerja e urisë dhe mbajtja e vetes gjallë. Për këta, Allahu i Lartësuar thotë: - Zoti yt është Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Pra, Ai ka për t’i falur dhe toleruar ata. Dijetarët - Allahu i mëshiroftë! - kanë dhënë mendime të ndryshme për sa i përket përkufizimit të gjërave të ndaluara në këtë ajet, pasi ka edhe artikuj të tjerë që nuk lejohet të hahen, veç atyre të përmendur këtu, si për shembull, mishi i kafshëve ose i shpendëve mishngrënës etj. Kështu, disa janë të mendimit që ky ajet ka zbritur përpara shpalljes së dispozitave që ndalojnë artikujt e tjerë. Disa të tjerë janë të mendimit se ky ajet i përmbledh të gjitha llojet e ushqimeve haram, por disa prej tyre janë përmendur shprehimisht, ndërsa të tjerat kuptohen në mënyrë indirekte, duke marrë parasysh shkakun e ndalimit të tyre. Kështu për shembull, Allahu i Lartësuar e ka përshkruar mishin e ngordhur, gjakun dhe derrin si rrixhs - domethënë, të pista, të ndyra. Ky është një kriter dallues për të gjykuar rreth harameve. Pa dyshim, të gjitha haramet janë të pista e të dëmshme, dhe Allahu i Lartësuar i bëri ato të ndaluara për robërit e Tij për t’i mbrojtur nga e keqja e tyre. Dispozita më të hollësishme lidhur me
këto ndalesa i gjen në Traditën e Profetit ﷺ , e cila është shpjeguesja e Kur 'anit dhe treguese e qartë e qëllimeve të tij. Duke qenë se Allahu i Lartësuar ka bërë ushqime të ndaluara veçse ato që u përmendën në ajet, si e drejtë absolute e Tij, atëherë kjo tregon se idhujtarët, - të cilët bënë të ndaluara ato që bënë, - thjesht shpifnin për dispozitat e Allahut, duke thënë gjëra që Ai nuk i ka thënë. Nëse do ta shohim kontekstin e ajeteve me kujdes, do të vërejmë se ai është sjellë si kundërpërgjigje për veprimet e shëmtuara të idhujtarëve rreth hallallit dhe haramit. Këto ajete i kanë përcaktuar mirë se çfarë janë vërtet të ndaluara prej bagëtive, duke dashur që të hedhin poshtë pretendimet e pabaza të idhujtarëve. Me fjalë të tjera, për sa u përket bagëtive, në Sheriat janë të ndaluara për t’u ngrënë vetëm të ngordhurat dhe ato të cilat theren për hir të dikujt tjetër veç Allahut të Madhëruar. Ndërsa për sa u përket ndalesave të tjera, ato janë shpjeguar në ajete të tjera kuranore dhe Traditën e Profetit ﷺ .Dikush mund të thotë: Nëse këtu është qëllimi vetëm për t’u kthyer përgjigje pretendimeve të idhujtarëve për bagëtitë dhe jo përkufizimi i të gjitha ndalesave, atëherë përse është përmendur mishi i derrit? Përgjigjja e kësaj pyetjeje do të ishte: Ndoshta arsyeja është se disa injorantë e konsideronin derrin njëlloj si bagëtitë e imta apo të trasha. Kështu veprojnë të krishterët injorantë dhe të ngjashmit me ta, të cilët merren me rritjen e derrave njëlloj sikurse veprojnë me bagëtitë e lejuara nga Zoti, duke mos bërë asnjë dallim mes tyre. Sidoqoftë, Sheriati islam është më i kompletuari dhe më i thjeshti që Zoti ka zbritur për njerëzit. Çdo gjë për të cilën Zoti ka urdhëruar të bëhet në këtë Sheriat, e ka urdhëruar se ajo është e pastër, e mirë dhe e dobishme për njerëzit, dhe çdo gjë të cilën ai e ka ndaluar, e ka ndaluar sepse ajo gjë është e pisët, e pështirë, e keqe dhe e dëmshme. Ky ligj i mrekullueshëm kurrë nuk urdhëron të bëhet diçka që është e keqe dhe e dëmshme, dhe kurrë nuk ndalon diçka që është e mirë dhe e dobishme. Në ligjet e shkuara mund të ndodhte që Zoti t’u ndalonte njerëzve ndonjë gjë që ishte e pastër, e mirë dhe e dobishme, dhe këtë i Lartësuari e bënte si masë ndëshkimore për gabimet e njerëzve. Ndërsa në Ligjin e fundit të Tij, i Lartësuari e ka plotësuar mirësinë, butësinë dhe mëshirën e Tij për ne, duke mos ndaluar asgjë që është e këndshme dhe e mirë. Duke treguar për ndalesat që i Lartësuari solli për popujt e shkuar në formë ndëshkimore thotë: - Judejve u ndaluam çdo kafshë njëthundrake. Për sa u përket lopëve dhe deleve, u ndaluam dhjamin e tyre...” - Allahu i Lartësuar ua bëri atyre të ndaluar njëthundrakët, si devetë dhe kafshët e ngjashme me to. Gjithashtu, prej lopëve dhe deleve, Ai u bëri të ndaluar dhjamin. Por jo të gjithë dhjamin: i ndaluar ishte vetëm dhjami i pjesës pranë bishtit dhe dhjami sipërfaqësor. Në vijim përmendet dhjami që iu lejua atyre: - “...veç atij në shpinën dhe në zorrët e tyre dhe atij të përzier me kockat. - Domethënë, dhjami mes zorrëve dhe dhjami i lidhur me kockat ishte i lejuar për ta. Duke treguar shkakun e këtij ndalimi, i Lartësuari thotë: - Këtë e vendosëm si ndëshkim ndaj shkeljeve të tyre - Allahu i Lartësuar i bëri këto ndalesa për jehudët, për shkak të shkeljeve që u bënin ata të drejtave të Allahut dhe të drejtave të robve të Tij. Ky ndalim ishte një formë ndëshkimi për ta. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: - ... dhe Ne themi vetëm të vërtetën.” - Allahu është i vërtetë në gjithçka që thotë, gjykon dhe vepron. E kush është më i vërtetë në fjalë se Allahu? E kush ka gjykim më të drejtë se i Lartësuari?