Feja e copëtuar është feja e Ibrahimit, ngase si jehuditë ashtu edhe të krishterët diçka përvetësuan prej saj e diçka tjetër refuzuan.
Çdo përçarje në fe, çdo grup i formuar sipas ndonjë dijetari a sipas një të pari, është i përbuzur.
Dhjetëfishi i shpërblimit për një vepër të mirë është shkalla më e ulët e shpërblimit, pse më e larta është shtatëqind e sipër.
Shpërblimi i shumëfishtë është bujaria e Zotit, e ndëshkimi sipas veprës është drejtësia e Tij.
Kush nuk i përmbahet fesë islame, ai është edhe jashtë fesë së Ibrahimit.
Muhammedi a.s. është i pari që në mënyrën më të përsosur e praktikoi fenë islame. Në fenë islame nuk guxon të ketë formalitet, çdo lloj vepre duhet kryer për hirë të Zotit.
Asnjë person nuk përgjigjet për veprën e tjetrit, e as nuk e bartë mëkatin e tjetrit. Ky është parim i përgjithshëm islam edhe pse mund të ketë thjeshtësime Shpeshherë në Kur'an Zoti xh.sh. i bashkon cilësitë e veta mëshiruese dhe ndëshkuese, ashtu që ndonjëherë i thërret robtë e vet në shpresë e xhennet, e ndonjëherë tjetër në frikë, kërcënim e zjarr, kuptohet për të mjekuar secilin sipas sëmundjes.
Me ndihmën e Zotit përfundoi përkthimi i kaptinës En'amë. Falenderim i qoftë Atij!
- Është Ai që ju ka bërë zëvendësues (të njëri tjetrit) në Tokë. - Ai ju vendosi t a banoni e ta populloni tokën brez pas brezi; çdo brez i ri zëvendëson brezin e vjetër, duke jetuar e sunduar në tokë. Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “Po të donim, Ne mund të bënim melekë në vendin tuaj, që (jeħlufûn) t’ju zëvendësonin në tokë.” [Zuhruf 60], dhe thotë: “ Është Allahu Ai që i përgjigjet nevojtarit kur ai i lutet, dhe Ai që ia largon të keqen dhe ju bën ju (ħalâife) sundues në tokë.” [Neml 62], “Kur Zoti yt u tha melekëve: "Unë po vendos në tokë një (ħalife) mëkëmbës.",”. 38, dhe thotë: “... Ai tha: “Mundet që Allahu ta shkatërrojë armikun tuaj dhe t’ju bëjë ta (jesteħlifekum) zëvendësoni në këtë vend e pastaj do t’ju vështrojë se si do të veproni”.” [Ea’raf 129]. Në vijim, i Madhëruari thotë: - Ai i ka ngritur disa nga ju në një shkallë më lart se të tjerët, për t’ju sprovuar në atë që ju ka dhënë. - Allahu i Lartësuar ka vendosur që mes robërve të ketë dallime dhe të jenë të ndryshëm në rizkun, moralin dhe cilësitë që gëzojnë, në pamjet e ngjyrat e tyre. Këtë Ai e bëri për urtësi të shumta, sikurse ka thënë në një ajet tjetër: “Mos, vallë, janë ata që përcaktojnë mëshirën e Zotit tënd?! Ne kemi përcaktuar për ta se si do të jetojnë në këtë botë. Ne i kemi ngritur disa më lart se të tjerët, që të përfitojnë me shërbimet ndaj njëri -tjetrit. Mëshira e Zotit tënd është shumë më e vlefshme sesa çfarë grumbullojnë ata.” [Zuhruf 32]. Dhe thotë: “Shiko se si i kemi dalluar Ne disa mbi disa të tjerë! Por, në Jetën Tjetër ka grada më të larta dhe dallimi në të është më i madh.” [Isra 21]. Ndërsa në këtë ajet Allahu i Lavdëruar thotë: “... për t’ju sprovuar në atë që ju ka dhënë.” Domethënë, urtësia e kësaj është që t’ju sprovojë në lidhje me atë që ju ka dhënë dhe mirësitë me të cilat ju ka begatuar. Kështu, Ai e sprovon të pasurin me pasurinë që i ka dhënë dhe ka për ta marrë në pyetje, a është treguar mirënjohës për ato apo jo. Po kështu, Ai e sprovon të varfrin me varfërinë e tij dhe do ta pyesë për durimin. Në Sahihun e Muslimit vjen hadithi i Ebu Nedrates, i cili përcjell nga Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se Profeti i Allahut ka thënë: 1172. “Kjo dynja është e ëmbël dhe e zbukuruar. Allahu ju ka vendosur në të dhe e sheh çdo gjë që veproni. Prandaj kini frikë dhe ruajuni (sprovës së) dynjasë dhe ruajuni (sprovës së) grave! Sprova e parë që goditi bijtë e Izraelit ishte sprova e grave.” - Allahu është ndëshkues i shpejtë por Ai është edhe Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Ky është kërcënim, por edhe inkurajim. Allahu na njofton se llogaria dhe ndëshkimi i Tij është i shpejtë për të gjithë ata të cilët nuk i binden dhe kundërshtojnë profetët e Tij. Por, nga ana tjetër, Ai është edhe Falës i Madh e Mëshirëplotë, për atë që i bindet dhe përkushtohet Atij, duke e marrë si të vetmin Zot, të Cilit i mbështetet dhe ia beson çështjet e veta dhe beson e pason profetët e Tij. Këta i besojnë të gjitha lajmet që profetët sollën nga Allahu dhe përpiqen të zbatojnë çdo urdhëresë e ligj që ata sjellin nga Allahu. Në shumë ajete, Allahu i
Lavdëruar dhe i Urtë përmend bashkë dy cilësitë e Tij, mëshirën dhe ndëshkimin, si për shembull: “... Me të vërtetë, Zoti yt e ka faljen të madhe për njerëzit, me gjithë padrejtësitë e tyre, por të jeni të bindur se Zoti yt është edhe ndëshkues i rreptë.” [Rad 6]. Ose: “Thuaju robërve të Mi se vërtet, Unë jam Falësi i Madh e Mëshirëplotë. Por edhe dënimi Im është dënim i dhembshëm.” [Hixhr 49, 50]. Po kështu janë edhe shumë ajete të tjera, në të cilat Allahu nxit, por edhe kërcënon e paralajmëron robërit e Tij. E lusim Allahun të na bëjë prej atyre që u nënshtrohen e zbatojnë me sinqeritet urdhëresat e u largohen me drojë ndalesave të Tij, që i besojnë kumtet e Tij! Ai dëgjon çdo lutje dhe është më i Miri që u përgjigjet atyre! Muslimi sjell në Sahih-un e tij hadithin nga Ebu Hurejra, i cili thotë: “E kam dëgjua r Profetin e Allahut të thotë: 1173. “Allahu e ka ndarë mëshirën në 100 pjesë. Ai ka mbajtur 99 pjesë të mëshirës dhe vetëm një pjesë të saj e ka zbritur në tokë dhe, përmes asaj mëshire, krijesat mëshirojnë njëra-tjetrën. Edhe kafsha e ngre me kujdes thundrën e saj, për të ruajtur të voglin e saj, që të mos e lëndojë atë.” Këtu përfundon shkurtimi i tefsirit të sures En’am. Vetëm Allahut i takon lavdërimi e mirënjohja!
- “Thuaj: “Vërtet, Zoti im më udhëzoi në një rrugë që është e drejtë - në fenë e vërtetë. Ajo është rruga e Ibrahimit, që ishte larg besimeve të kota dhe nuk ishte idhujtar.” - Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin e Tij që ta shpallë e kumtojë haptazi rrugën e drejtë në të cilën e udhëzoi Ai. Kjo është e vetmja rrugë e drejtë, sepse pikërisht ajo është feja e vërtetë, feja mesatare, që fton në besimin e pastër, që edukon individin në të mirë të tij, të familjes dhe të shoqërisë. Kjo fe urdhëron e inkurajon për çdo të mirë dhe ndalon nga çdo e keqe. Kjo është feja dhe udhëzimi i të gjithë të dërguarve dhe profetëve të Zotit, e në mënyrë të veçantë, i imamit të besimdrejtëve dhe atit të të gjithë të dërguarve pas tij, Ibrahimit ﷺ . Ai ishte i dashuri dhe i zgjedhuri i Allahut të Madhëruar. Feja e Ibrahimit është larg çdo besimi të kotë dhe të devijuar, larg feve të të humburve dhe të devijuarve, siç janë jehudët, të krishterët dhe ithtarët e çdo lloj feje tjetër që fton në idhujtari. Kjo është një ftesë e përgjithshme për pasimin e fesë së drejtë, duke përmendur disa cilësi të përgjithshme të saj. Më pas i Madhëruari përmend disa adhurime të veçanta, duke vënë në dukje rëndësinë dhe vlerën e madhe të tyre mbi adhurimet e tjera: - “Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë të gjitha për Allahun, Zotin e botëve.” - Ky ajet dëshmon për vlerën e madhe të këtyre adhurimeve. Ato janë treguese të dashurisë, sinqeritetit, përkushtimit dhe përunjësisë së robit ndaj Allahut të Madhëruar. Ato janë adhurime të zemrës, të gjuhës dhe të organeve të trupit, të përfaqësuara me namazin. Ndërsa kurbani është dëshmi e gatishmërisë për të sakrifikuar pasurinë, aq
të dashur për njeriun, e për t’ia kushtuar Allahut të Madhëruar, në shenjë dashurie dhe madhërimi të Tij. Ai që tregon sinqeritet për Allahun në këto dy adhurime, pra, në faljen e namazit dhe bërjen e kurbanit, do të jetë i tillë edhe në adhurimet e tjera. Çdo gjë që merr robi në këtë jetë dhe pas vdekjes është vetëm në dorën e Allahut, Zotit të botëve, prandaj dhe vetëm Atij i dedikohen ato. - “Ai është i Pashoq.” - Ashtu sikurse Allahu është i Pashoq, i Vetëm dhe Absolut në zotërimin, krijimin administrimin dhe përkujdesjen e Tij për krijesat, ashtu është dhe duhet të trajtohet si i vetëm edhe në aspektin e meritës së adhurimit që krijesat duhet t’ia përkujshtojnë Atij. Ky sinqeritet që duhet treguar ndaj Zotit në adhurimet përkushtuar Atij nuk është një shpikje nga ana ime dhe diçka e panjohur më parë, por është urdhër dhe porosi e Zotit dhënë të gjithë popujve të mëparshëm nëpërmjet profetëve të tyre. - Për këto jam urdhëruar dhe unë jam i pari i atyre që i nënshtrohen Atij.” - Këto janë urdhra të cilët nuk lejohet në asnjë mënyrë që t’u shmangesh dhe t’i shpërfillësh. Ndërsa unë jam i pari i të bindurve dhe i të nënshtruarve ndaj Zotit, domethënë i muslimanëve, për sa i përket këtij umeti. - “Thuaj: “A të kërkoj tjetër zot veç Allahut, kur Ai është Zoti i gjithçkaje?!” - E si mund të pritet prej meje që të zgjedh ndonjë krijesë si zot, si kujdestar për mua dhe të cilit t’ia besoj të gjitha çështjet e mia? E si mund ta bëj këtë, kur Allahu është Krijuesi i të gjitha krijesave dhe të gjithë janë nën përkujdesin dhe sundimin e Tij, kur të gjithë i janë nënshtruar ligjit të Tij? Kështu, është detyrë për mua dhe për të gjitha krijesat që, si Zot të tyre, që ka në dorë sundimin dhe përkujdesjen për krijesat, që ka të drejtën për të vendosur ligjin mbi ta dhe për t’i marrë në përgjegjësi, të konsiderojnë dhe besojnë vetëm Allahun e Madhëruar. Është detyrë për ta që të kënaqen me Allahun si Zotin e tyre, dhe jo me krijesat e dobëta, të varfra, të pafuqishme dhe të nënshtruara nga Zoti i Madhërishëm. Në vijim, i Lartësuari paralajmëron dhe inkurajon njerëzit për t’iu larguar ligësive dhe për të bërë mirë, duke u përmendur ligjin e shpërblimit dhe shpagimit nga Ai, që është i Gjithëdituri. - “Secilit i rëndon e keqja e vet dhe askush nuk do ta mbartë barrën e tjetrit.” - Çdo vepër, e mirë apo e keqe qoftë, do të shënohet veçse në llogarinë e atij që e ka bërë dhe askush nuk do të jetë përgjegjës për veprat e tjetërkujt. Kjo i ngjan thënies tjetër të Allahut të Madhëruar: “Kush bën mirë, bën mirë për veten e vet e kush bën keq, ai vepron kundër vetes së vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robve. ” [Fussilet 46]. Çdokush do të bartë në shpinë vetëm barrën e punëve të tij. Gjithashtu, edhe ai që është bërë shkaktar për veprimin e të këqijave nga një tjetër do të bartë në shpinë barrën e asaj që ka shkaktuar, duke mos i pakësuar asgjë atij që i ka vepruar me zgjedhjen e vet të lirë. - “Kthimi juaj është te Zoti juaj. Ai do t’jua tregojë të vërtetën e asaj për të cilën kundërshtoheshit.” - Ditën e Kijametit të gjithë do të ktheheni tek Allahu i Gjithëditur dhe i Urtë dhe Ai do t’ju paraqesë të gjitha kundërshtitë mes jush, për qëndrimet e drejta dhe ato të padrejta, për veprat e mira dhe ato të këqija, duke shpërblyer secilin me meritë. - “Është Ai që ju ka bërë zëvendësues (të njëri tjetrit) në Tokë....” - Allahu ju ka vendosur në tokë, në mënyrë të tillë që një brez i ri të zëvendësojë një brez të vjetër, dhe kështu të vazhdoni të jeni zëvendësues të njëri tjetrit, deri në afatin e caktuar për fundin e kësaj bote. Allahu i Madhëruar ju ka vendosur në këtë tokë dhe ju sprovon në të, për të parë se si do të veproni. - “...Ai i ka ngritur disa nga ju në një shkallë më lart se të tjerët, për t’ju sprovuar në atë që ju ka dhënë.” - Ai dalloi disa njerëz mbi disa të tjerë në drejtim të fuqisë, shëndetit, bukurisë, moralit e në shumë aspekte të tjera. Këto
ndryshime i bëri për t’ju sprovuar me ato që ju ka dhuruar dhe që ka përcaktuar për ju. Kështu do të ndryshojnë edhe veprat tuaja dhe ju do të merreni në përgjegjësi për çfarëdo gjëje që bëni në këtë botë sprove. Asnjëherë mos harroni, por gjithmonë kujtoni se: - Allahu është Ndëshkues i shpejtë por Ai është edhe Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Allahu është ndëshkues i ashpër për ata që nuk i binden dhe që refuzojnë porositë e Tij. Por Ai është Falës e Mëshirëplotë për ata që e besojnë ashtu si duhet, që bëjnë vepra të mira sipas këtij besimi dhe që pendohen sinqerisht për çdo gjynah shkatërrimtar. Këtu përfundon tefsiri i sures En’am. Vetëm Allahut i takon falënderimi, lavdia e plotë dhe mirënjohja e thellë . Paqja, bekimet dhe mëshira e Allahut të Madhëruar qoftë mbi Muhamedin (a.s.)., familjen e tij, shokët e tij dhe pasuesit e rrugës së tij deri në Ditën e Gjykimit!