Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 94:1–94:8

Muhammedit i thuhet: "A nuk ta hapëm zemrën tënde me dritën e Kur'anit, me mundësinë e pranimit të shpalljes, me udhëzimin dhe me besimin, se ajo më parë ishte e mbyllur, e shtrënguar, meqë nuk dinte për realitetin e së vërtetës, nuk kishte udhëzues edukativ. Ta hoqëm barrën e rëndë prej shpine, që të bënte të gjëmosh ashtu si kërset shpina e deves prej barrës. Pejgamberët nuk bëjnë mëkate, andaj kjo barrë nuk ka për qëllim faljen e mëkatit, por përpjekjet e Muhammedit për ta nxjerrë atë popull prej errësirës në dritë. Ndonjëherë kishte teprime përtej masës, andaj për të mirën e tij qortohej si, kur u dha leje disave të mos shkojnë në luftë, kur mori kompensim për robërit e Bedrit, kur u mrrol pse i foli i verbëri. Ky qortim edhe pse i lehtë, për Pejgamberin ishte i rëndë, andaj konsiderohej barrë, e Zoti ia fali.

Ngritja më e madhe e famës dhe e autoritetit të tij duket kur emri i tij përmendet pranë emrit të Zotit, në shehadet, në ezan, në ikamet, në et-tehijjat, në hutbe e gjetiu. Është marrë premtimi edhe prej pejgamberëve të tjerë se do ta besojnë si vulë të të gjithë pejgamberëve.

Pejgamberi ishte i shtrënguar pse nuk kishte fuqi sa ishte në Meke, ishte në vështirësi si edhe shokët e tij, pse idhujtarët i mundonin, i shtrëngonin, e në këtë sure, pasi që Zoti ia numëron të mirat e veta që ia dhuroi, ia kënaq shpirtin duke i premtuar se pas vështirësisë do të ketë lehtësim të madh, pse Ai ka për ta ndihmuar në përhapjen dhe në ngadhënjimin e fesë islame. Këtë e përsërit dy herë në shenjë përforcimi.

E pas përpjekjve për thirrjen e njerëzve në besim e në rrugë të drejtë, Ai i thotë të kthehet e të lutet për Zotin e vet dhe tërë synimin e qëllimin ta orientojë te Ai.

Në Sahihun e Muslimit përmendet një hadith, sipas të cilit Xhibrili i kishte ardhur Muhammedit qysh kur ai ishte fëmijë te nëna e tij për gjini, te Halimja dhe ia kishte hapur gjoksin dhe larë zemrën..., andaj disa mufesirinë hapjen e zemrës që përmendet në fillim të sures e lidhin me atë ngjarje.

Falënderoj Zotin e madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 94:1–94:8

Surja Inshirah ose Sherh është sure mekase dhe ka 8 ajete. Ajo është shpallur pas sures Duha. Allahu i Lartësuar thotë: - “A nuk ta zgjeruam gjoksin tënd?” - Domethënë, Ne ta zgjeruam dhe ndriçuam gjoksin, duke futur mëshirë, dhembshuri dhe butësi brenda tij, siç thotë Allahu i Lartësuar në ajetin tjetër: “Atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron gjoksin për Islamin. Ndërsa atë që dëshiron ta lërë të humbur, ia bën gjoksin të ngushtë e të rënduar, si të ishte duke u ngjitur në qiell. Kështu e zbret Allahu dënimin mbi ata që nuk besojnë.” [En’am 125]. Në një shpjegim tjetër, që i është bërë këtij ajeti, thuhet se ai i referohet hapjes së gjoksit të Profetit ﷺ ,që u bë Natën e Israsë, siç e kemi përmendur më herët bashkë me rrëfimin e Malik Ibn Sasa ’a. Sidoqoftë, dy shpjegimet nuk kanë kundërthënie, pasi mund të thuhet se pjesë e zgjerimit të gjoksit të tij ishte edhe ajo që ndodhi Natën e Israsë. Abdullahi, i biri i Imam Ahmedit, sjell me senedi një hadith nga Ubej Ibn Keabi, i cili rrëfen: “Ebu Hurejra kishte mjaft guxim që të pye - ste të Dërguarin e Zotit (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) për gjëra, për të cilat askush tjetër nuk e pyeste. Njëherë, ai tha: “O i Dërguari i Zotit, cila është gjëja e parë që ke parë nga profetësia?” Atëherë, i Dër - guari i Zotit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) u ul dhe tha: "Meqë pyete, o Ebu Hurejra, po të tregoj. Njëherë, kur isha 10 vjeç e disa muaj, ndodhesha në shkretë - tirë. Papritmas, dëgjova disa fjalë të thuhe - shin sipër meje. Aty pashë një njeri, që po i thoshte një tjetri: "A është vërtet ai?” - “Po, - tha tjetri. Ata u afruan tek unë dhe pashë që secili prej tyre më kapi për krahu, por unë nuk e ndieja prekjen e tyre. Pastaj njëri i tha tjetrit: “Shtrije poshtë!” Ai më shtriu, pa më shtyrë me forcë dhe pa më tërhequr. Pastaj i tha shokut të tij: "Hapja gjoksin!’ Kështu, njëri prej tyre m’u afrua mbi gjoks dhe e hapi atë, siç arrita ta shoh, pa gjak dhe pa dhimbje". Pastaj i tha: "Nxirre prej andej urrejtjen dhe zilinë!". Dhe vërtet, nxori diçka si gjak i mpiksur, të cilën e flaku tej. Pastaj i tha: “Fut në të dhembshurinë dhe mëshirën!” Dhe ashtu siç bëri kur nxori diçka, ai futi diçka që i ngjante ngjyrës së argjendtë. Pastaj më kapi dhe e shkundi fort gishtin e madh të këmbës time të djathtë dhe tha: "Ngrihu me shëndet!” Kështu, unë u largova i mbushur me dhembshuri për të vegjlit dhe mëshirë për të rriturit.” 239 Ashtu sikurse Allahu ia zgjeroi gjoksin Profetit ﷺ dhe ia mbushi me mëshirë dhe butësi, të tillë e bëri dhe Sheriatin e Tij, ligjin e mre - kullueshëm, që i shpalli njerëzimit nëpër - mjet të Dërguarit ﷺ . Allahu i Madhëruar e bëri atë një ligj madhështor në mëshirën që dhuron, të lehtë për t’u zbatuar, pa vështi - rësi dhe rëndesa, pa ngushtime dhe mbi - ngarkesa. - “A nuk ta hoqëm barrën ...” - Kuptimi i këtij ajeti shpjegohet me fjalën e Allahut të Lartësuar në ajetin tjetër, kur thotë: “ Ne të dhamë ty (o Muhamed) një fitore të madhe, që Allahu të t’i falë gabimet e kaluara dhe ato të mëvonshme, ta plotësojë mirësinë e Tij ndaj teje dhe të të udhëzojë në rrugë të drejtë.” [Fet’h 2]. - “... e cila të rëndonte mbi shpinë?” - Pra, atë barrë që të rëndonte. - “A nuk e ngritëm lart famën tënde?” - Sa herë që do të përmendem Unë, do të përmendesh edhe ti së bashku me Mua, sikurse është shehadeti: “ Esh-hedu en l â ilahe il -l’Allah ue eshhedu en -ne Muha - meden Resulullah. (Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër (që meriton adhurimet) përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.)” Katade ka thënë: “Zoti e ka lartësuar përmendjen e Muhamedit në këtë botë dhe në ahiret. Nuk ka ligjërues, dekla -

rues shehadeti dhe falës namazi që nuk thotë: “ Esh-hedu en l â ilahe il -l’Allah ue eshhedu en -ne Muhameden Resulullah .” Nga Abdullah Ibn Abasi përcillet se Profeti ka thënë: “Unë i kërkova diçka Zotit tim, do të doja të mos ia kisha kërkuar. Unë i tha - shë: “O Zot! Para meje pati shumë të dër - guar. Për disa, Ti nënshtrove erërat, kurse disa ringjallën të vdekurit [dhe Musait i fole drejtpërdrejt]” Zoti tha: “A nuk të gjeta ty jetim e të strehova? A nuk të gjeta të paudhëzuar dhe të udhëzova? A nuk të gjeta të varfër dhe të begatova? A nuk ta zgjerova gjoksin tënd? A nuk ta hoqa barrën ...?” Unë thashë: “Po, o Zot!” Sa do të doja të mos e kisha bërë këtë kërkesë ...” 240 Të tjerë kanë thënë se: Zoti e lartësoi përme - ndjen e Muhamedit në popujt e hershëm dhe të fundit dhe e lavdëroi atë, kur mori besën nga të gjithë profetët, që ta besonin si profetin e zgjedhur dhe të urdhëronin popujt e tyre që ta besonin, kur ai të vinte në botë. Pastaj përkujtimi i Muhamedit ﷺ u përhap në umetin e tij, saqë aq herë që përmendet Zoti, edhe Muhamedi do të përmendet së bashku me Të. - “Pa dyshim, bashkë me vështirësinë vjen lehtësimi. Vërtet, bashkë me vështi - rësinë vjen lehtësimi.” - Kështu, Allahu i Lartësuar na njofton se, së bashku me çdo vështirësi që vjen, do të vijë lehtësimi. Pastaj, i Lartësuari e përforcon edhe një herë këtë pohim, për të sjellë siguri të plotë në zemrat tona. Ibn Ebu Hatimi sjell hadi - thin nga Aid Ibn Shurajhi, që tregon se e ka dëgjuar Enes Ibn Malikun që të thotë se: 2891. “Njëherë, Profeti i Allahut ishte ulur dhe tha: “Sikur të vinin aq shumë vështirësi dhe ta mbushnin plot këtë luginë, menjëherë pas tyre do të vinte lehtësimi, që do ta largonte tutje vështirësinë. “ Atëherë Allahu i Lartësuar zbriti: “Pa dyshim, bashkë me vështirësinë vjen lehtësimi. Vërtet, bashkë me vështirësinë vjen lehtësimi.”” - “Pasi të kesh përfunduar, atëherë, për hir të Zotit tënd, përpiqu (me adhurime), dhe vetëm ndaj Zotit tënd përkushtohu!” - Pasi të përfundosh angazhimet e dynjasë, atëherë përpiqu përsëri duke iu përkushtuar adhurimit të Allahut. Përkushtohu që adhu - rimin ta kryesh me gjallëri, duke shkëputur mendjen dhe zemrën nga çështjet e dynjasë, si dhe duke patur nijet të sinqertë vetëm për Allahun, duke shpresuar në mëshirën dhe mirësinë e Tij. Të njëjtin mesazh kumton edhe fjala e Profetit ﷺ në hadithin që sjell Buhariu dhe Muslimi: 2892. “Nuk ka namaz në prani të ushqimit të shtruar dhe as për atë që shtrëngohet nga nevojat personale.” Gjithashtu: 2893. “Nëse thirret ikameti për namaz dhe ushqimi është shtruar (për t’u ngrënë), atëherë në fillim hani ushqimin!” Pra, gjithmonë të synohet që zemra të jetë e përkushtuar tërësisht në adhurimin e Zotit. Ndërsa nga Ibn Mesudi vjen shpjegimi: “Pasi të kesh përmbushur farzet, atëherë përkushtohu në namazin e natës.”. Nga Zejd Ibn Eslemi vjen shpjegimi: “Pasi të kesh përfunduar xhihadin, atëherë përkushtoju adhurimit të Zotit tënd.”

Kjo është përmbledhja e tefsirit të sures Inshirah. Vetëm Allahut i takon lavdërimi dhe mirënjohja për të gjitha mirësitë!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 94:1–94:8

Duke përmendur mirësitë më të cilat e begatoi dhe dalloi Profetin e Tij, Allahu i Lartësuar thotë: - “A nuk ta zgjeruam gjoksin tënd? ” - Zgjerimi i gjoksit nënkupton:

1. Bërjen e Profetit të denjë dhe të aftë për të pranuar dispozitat e fesë dhe për të ftuar njerëzit në rrugën e Allahut, në Islam. 2. Zbukurimin e shpirtit të tij me moralin më të lartë dhe me cilësitë më të vyera. 3. Aftësimin për devotshmëri, për të fituar ahiretin nëpërmjet adhurimeve të mrekullueshme. 4. Lehtësimin e çdo të mire dhe aftësimin e shpirtit të Profetit për t’i pranuar dhe kultivuar ato, ndryshe nga ç’ndodh me gjokset e ngushtuara dhe të rënduara, të cilët kurrsesi nuk nënshtrohen për të vërtetën dhe të mirën. Ata gjithmonë janë të shtrënguar ndaj mirësisë që u ofrohet. - “A nuk ta hoqëm barrën, e cila të rëndonte mbi shpinë?” - Barra e përmendur këtu është pesha e gjynaheve. Pra, Allahu i Madhërueshëm e shkarkoi dhe lehtësoi Profetin e Tij nga barra e gjynaheve, duke ia falur të gjitha, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “Ne të dhamë ty (o Muhamed) një fitore të madhe, që Allahu të t’i falë gabimet e kaluara dhe ato të mëvonshme, ta plotësojë mirësinë e Tij ndaj teje dhe të të udhëzojë në rrugë të drejtë. Dhe që Allahu të të dhurojë ty një mbështetje të fuqishme.” [El fet’h 1 - 3]. - “A nuk e ngritëm lart emrin tënde?” - Kuptimi: Ne e lartësuam gradën dhe famën tënde. Ti do të lëvdohesh dhe përkujtohesh gjithmonë me mirësi ndër njerëz në botë. Asnjë krijesë tjetër nuk do të gëzojë famën dhe lavdinë tënde. Sa herë që do të kujtohet Allahu i Madhëruar, së bashku me të do të kujtohet edhe Profeti dhe adhuruesi i Tij i sinqertë, Muhamedi (a.s.). Kur pranon Islamin, njeriu shpreh shehadetin, kur thirret ezani dhe ikameti, përmendet shehadeti, nëpër hytbe përmendet shehadeti, e shumë e shumë raste të tjera. Domethënë, sa herë dëshmohet që Allahu është i vetmi i Adhuruar me meritë, dëshmohet gjithashtu se Muhamedi është Profeti dhe adhuruesi i sinqertë i Allahut. Dashuria e umetit për Profetin është një dashuri që askush nuk e ka për udhëheqësin e vet. Allahu e shpërbleftë, e nderoftë dhe e shtoftë lavdinë e Muhamedit (a.s.)! - “Pa dyshim, bashkë me vështirësinë, vjen lehtësimi. Vërtet, bashkë me vështirësinë, vjen lehtësimi.” - Ky është një përgëzim i madh dhe i mrekullueshëm. Sa herë që të ekzistojnë vështirësia dhe ngushtia, së bashku me to do të vijnë lehtësimi dhe zgjerimi. Edhe sikur vështirësia të struket dhe të fshihet në vrimën e hardhucës, edhe lehtësimi do të hyjë bashkë me të, për ta nxjerrë jashtë dhe për ta larguar, sikurse thuhet në një ajet tjetër: “Allahu, pas vështirësisë, do të sjellë lehtësim”. Apo sikurse ka thënë edhe Profeti (a.s.): “Me të vërtetë, çlirimi vjen së bashku me ngushtinë dhe, së bashku me vështirësinë, vjen lehtësimi.”. Po të shohim me kujdes në ajet, fjala “ el usr ” – “vështirësi” është (në arabisht) në trajtën e shquar, që e nënkupton atë si një të vetme, ndërsa fjala “lehtësim” është (në arabisht) në trajtën e pashquar, që nënkupton se ai përsëritet. Pra, për çdo vështirësi, Zoti i Lartësuar sjell lehtësim pas lehtësimi. Kësisoj, një vështirësi nuk mund të jetë

asnjëherë më e madhe se dy lehtësime. Gjithashtu, duhet të theksojmë se fjala “ el usr”, e shoqëruar me nyjen ‘ el’, sipas rregullave të arabishtes, ajo i përfshin të gjitha llojet e vështirësive, sado të mëdha dhe të pazgjithshme të mund të duken. Kështu, sido që të jetë, në fund të fundit, vështirësia do t’ia lërë vendin lehtësimit dhe çlirimit. Kjo është diçka e pashmangshme. Më pas, Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin dhe popullin e tij që të tregohen mirënjohës për mirësitë që Ai u ka dhuruar: - “Pasi të kesh përfunduar (preokupimet), atëherë, për hir të Zotit tënd, përpiqu (me adhurime), dhe vetëm ndaj Zotit tënd përkushtohu!” - Kuptimi: Pasi të kesh përfunduar veprat dhe angazhimet e tua të shumta e të përditshme dhe kur të mos kesh pengesë për zemrën tënde, atëherë përqendrohu thellësisht në adhurim dhe në lutjet drejtuar Zotit tënd. Vetëm Zotit tënd përkushtoju dhe vetëm kënaqësinë e Tij syno! Ky është kusht, që adhurimet dhe lutjet e tua të pranohen nga i Madhëruari. Mos u bëj si ata që, kur mbarojnë angazhimet e tyre, zhyten në argëtime dhe pakujdesi, duke u larguar nga Zoti i tyre dhe përmendja e Tij. Kjo është rruga e të dështuarve dhe e humbësve. Disa janë të mendimit se ajeti kuptohet kështu: “Pasi të kesh mbaruar namazin tënd, përkushtohu dhe përqendrohu në lutjen drejtuar Allahut të Madhëruar. Vetëm Allahut përkushtoja lutjet dhe drejtoja kërkesat e tua”. Në këtë ajet mbështeten ata që quajnë të lejuar bërjen e dua-së pas namazit farz, por Allahu është më i ditur për të vërtetën. Këtu përfundon edhe komenti i sures Inshirah. Falënderimi i takon vetëm Allahut!