Rijadus-Salihin · Detyrimi i agjërimit të ramazanit dhe vlera e tij

Argumentet nga Kurani

All-llahu i madhëruar thotë:

“O besimtarë! Agjërimin e keni detyrë të detyrueshme, siç e kishin detyrë edhe ata që ishin para jush, ndoshta do të bëheni të devotshëm. Në ditë të caktuara me numër, por ai nga ju i cili është i sëmurë ose në udhëtim - atëherë tjera ditë me të njëjtin numër. Ndërsa ata që nuk mund ta mbajnë - kompensimi është të ushqejë një varfënjak. Dhe kush jep më tepër, vullnetarisht, ajo është mirë për të. Por, të agjëroni është më mirë, ta dini.”

(el-Bekare:183-184)

1224 Muttefekun alejhi

Ebu Hurejra r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: “Kush i ndihmon dy shokë në rrugën e All-llahut, do të thirret nga të gjitha dyert e Xhenetit: ‘O rob i All-llahut, eja këtu, këtu është mirë.” Kush është prej atyre që bëjnë namaz, do të thirret nga dera e namazit. Kush është luftëtar i xhihadit, do të thirret nga dera e xhihadit. Kush është prej atyre që agjërojnë, do të thirret nga dera Rejjan (Xhenet i posaçëm, në të cilin hyjnë ata që agjërojnë). Kush është prej atyre që japin sadaka (lëmoshë), do të thirret nga dera e sadakasë.” Atëherë, Ebu Bekri r.a. tha: “O i Dërguari i All-llahut, je më i afërt se babai dhe nëna ime! Për atë që thirret prej atyre dyerve nuk do të ketë më mundime por do të jetë ndokush që do të thirret nga të gjitha ato dyer?” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. tha: “Po, dhe shpresoj që edhe ti do të jesh prej tyre!”

1225 Muttefekun alejhi

Sehl ibni Sa’di r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Vërtet në Xhenet është një derë, e cila quhet Rejjan, nëpër të cilën do të hyjnë Ditën e Gjykimit vetëm ata që agjërojnë, nëpër atë derë të tjerët nuk do të hyjnë. Do të thirret në atë derë:”Ku janë agjëruesit?” Do të çohen agjëruesit dhe nuk do të mund të hyjë tjetër-kush nga kjo derë, e pasi të hyjnë agjëruesit dera do të mbyllet e nuk do të mund të hyjë askush tjetër.”

1227 Muttefekun alejhi

Ebu Hurejra r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit, duke qenë i bindur në besimin islam dhe duke i kryer obligimet islame, do t’i falen gabimet e tij të mëparshme.”

1228 Muttefekun alejhi

Ebu Hurejra r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Kur të vijë muaji i Ramazanit, hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit dhe shejtanët lidhen me zinxhir.”

1229 Muttefekun alejhi

Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Agjëroni me shikimin e Hënës dhe bëni bajram me shikimin e Hënës. E nëse është vranësirë, atëherë plotësoni tridhjetë ditë të Shaba-nit!”