Rijadus-Salihin · Hadithi 350

Respekti ndaj familjes së të dërguarit të all-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. dhe sqarimi i vlerës së tyre
350 Transmeton Muslimi

Transmetohet nga Jezid Hajjani se ka thënë: “U nisëm unë, Husajn ibn Sebre dhe Amr ibn Muslimi për te Zejd ibn Erkami r.a. dhe pasi u ulëm, i tha atij Husajni: “O Zejd, ti ke arritur shumë të mira; e ke parë të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., i ke dëgjuar fjalët e tij, ke luftuar bashkë me të dhe je falur pas tij. Ti, vërtet o Zejd, ke përjetuar shumë të mira, andaj na thuaj diçka nga ajo që ke dëgjuar nga i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.?” Tha: “O djali i vëllait, pasha All-llahun, tashmë jam plakur, ka kaluar koha ime, diçka edhe kam harruar nga ajo që mbaja në mend nga i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., andaj atë që jua them, pranojeni, kurse për atë që nuk jua them, mos më obligoni”, e pastaj tha: “Një ditë, u ngrit i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. dhe na mbajti një fjalim te një ujë që quhet “Humma” në mes të Mekes dhe Medines. Aty ai e falënderoi dhe lavdëroi All-llahun, pastaj këshilloi dhe tërhoqi vërejtje e pastaj tha: “O njerëz, kujdes, vërtet unë jam njeri, është afruar që të vijë i dërguari i Krijuesit tim dhe unë do t’i përgjigjem, andaj po ua lë dy gjëra madhështore: e para është Libri i All-llahut, në të cilin gjendet udhëzimi dhe drita, andaj merreni Librin e All-llahut dhe përmbajuni atij.” Nxiti dhe inkurajoi për Librin e All-llahut e pastaj tha: “Dhe familja ime; ua përkujtoj (ua tërheq vërejtjen) All-llahun për familjen time, ua përkujtoj All-llahun për familjen time!” Atëherë Husajni i tha: “E kush janë familja e tij, o Zejd? A nuk janë gratë e tij prej familjes së tij?” (Zejdi) tha: “Gratë e tij janë prej familjes së tij, por edhe të gjithë ata të cilëve u është ndaluar marrja e sadakasë pas tij janë të familjes së tij.” Tha: “E kush janë ata?” (Zejdi) Tha: “Ata janë familja e Aliut, fami-lja e Akilit, familja e Xhaferit dhe familja e Abbasit.” Tha: “Të gjithë këtyre u është e ndaluar marrja e sadakas?” Tha: “Po.”

Sipas një transmetimi tjetër, ky hadith citohet kështu: “Kujdes, unë po ua lë dy gjëra madhështore: E para është Libri i All-llahut. Ai është lidhja (litar) e All-llahut, kush e pason atë, është i përudhur, ndërsa kush e braktis, do të jetë në laj-thitje.”