Umu Seleme, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të), tregon: "I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Do të vijnë prijës të cilët do të veprojnë gjëra të lejuara dhe të ndaluara, andaj, ai që i dallon ato, i ka ikur mëkatit, e ai që i kundërshton ato, ka shpëtuar, kurse ai që pajtohet me to dhe i pason (nuk ka shpëtuar).” Thanë: "A t'i luftojmë?" Tha: “Jo, përderisa e falin namazin.”
Enciklopedia e Haditheve · Kryengritja kundër prijësit
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Kush refuzon t'i bindet prijësit dhe largohet nga muslimanët e unifikuar (në të vërtetën) e pastaj vdes në këtë gjendje, vdekja e tij i ngjan vdekjes së periudhës (së injorancës) paraislame. Kush lufton nën një flamur të lajthitur, hidhërohet për shkak të fanatizmit fisnor dhe thërret në këtë fanatizëm, ose e përkrah fanatizmin, pastaj vritet në këtë gjendje, vrasja e tij i ngjan vrasjes së periudhës (së injorancës) paraislame. Kush ngrihet kundër umetit tim (të unifikuar që i janë besatuar prijësit), duke sulmuar e vrarë si të keqin ashtu dhe të mirin, duke mos e kursyer fare besimtarin dhe duke mos e mbajtur besatimin me atë (prijës) që i janë besatuar, të tillët nuk janë në mësimet dhe udhëzimin tim, si dhe mësimet e udhëzimi im s'janë me ta.”
Arfexhe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Nëse dikush vjen, pasi të jeni bashkuar rreth një prijësi dhe dëshiron që të thyejë boshtin tuaj ose të shpartallojë unitetin tuaj, vriteni.”
Othman Shehami tregon: “Së bashku me Ferkad Sebehiun, shkuam te Muslim ibn Ebu Bekrete, i cili ishte në arën e vet. Hymë tek ai dhe i thamë: “A e ke dëgjuar babanë tënd duke treguar ndonjë hadith rreth trazirave (fitneve)?” Ai tha: “Po, e kam dëgjuar Ebu Bekreten (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke treguar se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Do të ketë shumë trazira (fitne). Vini re, se pastaj do të jenë disa trazira të tjera. Ai që qëndron ulur në kohën e tyre është më i mirë se ai që ecën. Ai që ecën, është më i mirë se ai që vrapon drejt saj. Vini re, kur të zbresin ose kur të ndodhin trazirat, ai që ka deve, le të shkojë larg trazirave, për te devetë e veta. Ai që ka dele, le të shkojë te delet e veta. Ai që ka arë, le të shkojë tek ara e vet!” Një burrë pyeti: “O i Dërguari i Allahut, nëse dikush s'ka as deve, as dele e as arë të veten?” Profeti ﷺ tha: “Le t'ia mësyjë shpatës së vet dhe t'ia shtypë të mprehtët e saj me gur, e pastaj le të shpëtojë, nëse ka mundësi të shpëtojë. O Allah, a e kumtova?! O Allah, a e kumtova?! O Allah, a e kumtova?!” Një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut, nëse më detyrojnë të shkoj me njërën palë ose me njërin grup dhe në atë rast një njeri më godet me shpatë ose më vjen ndonjë shigjetë e më vret?” Profeti ﷺ tha: “Ai e bart mëkatin e vet dhe mëkatin tënd, e pastaj bëhet prej banorëve të Zjarrit.”