Rijadus-Salihin · Për urtësinë, tolerancën dhe butësinë

Argumentet nga Kurani

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Ata të cilët e mposhtin hidhërimin dhe i falin njerëzit. Edhe All-llahu i do bamirësit.”

(Ali Imran:134)

All-llahu i Madhëruar gjithashtu thotë:

“Ti merri me të mirë! Urdhëro për vepra të mira dhe largohu nga injorantët.”

(el-A’raf:199)

All-llahu i Madhëruar prapë thotë:

“E mira dhe e keqja nuk janë të barabarta. Të keqen ktheje me të mirë, andaj armiku yt do të bëhet mik i sinqertë. Atë nuk mund ta arrijë tjetërkush veçse durimtarët, dhe atë nuk mund ta arrijë tjetër veçse ai që ka shumë fat.”

(Fussilet:34-35)

All-llahu xh.sh. thotë:

“Vërtet ai që duron dhe fal, posedon virtyte më të larta.”

(esh-Shûrâ:43)

638 Muttefekun alejhi

Aishja r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Vërtet All-llahu është i Butë dhe Ai e do butësinë në të gjitha sendet.”

639 Transmeton Muslimi

Aishja r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Vërtet All-llahu është i Butë dhe Ai e do butësinë dhe me butësi fitohet ajo që nuk fitohet me vrazhdësi si dhe ajo që nuk fitohet ndryshe.”

641 Transmeton Buhariu

Ebu Hurejra r.a. thotë: “Një beduin arab hyri në xhami dhe filloi ta kryejë nevojën e vogël. Njerëzit u çuan në këmbë që ta sulmojnë për këtë vepër të tij, ndërsa Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. tha: “Lëreni, e në vendin e urinës së tij hidhni një kovë me ujë ose një kusi me ujë. Vërtet ju jeni dërguar për lehtësim e jo për vështirësim (komplikim).”

642 Muttefekun alejhi

Nga Enesi r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni e mos tmerroni.”

643 Transmeton Muslimi

Xherir ibni Abdull-llahu r.a. thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: “Atij të cilit i mungon butësia, i mungojnë të gjitha të mirat”, ose “Ai që është i ndaluar nga butësia, është i ndaluar nga të gjitha të mirat.”

644 Transmeton Buhariu

Ebu Hurejra r.a. thotë se një njeri i ka thënë Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “Më këshillo!” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. i tha: “Mos u hidhëro!” Njeriu këtë e përsëriti disa herë për këshillë, por Pejgamberi s.a. v.s. çdo herë ia përsëriste: “Mos u hidhëro!”

645 Transmeton Muslimi

Nga Ebu Ja’la Sheddad bin Evs r.a. tregohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Vërtet All-llahu ka obliguar mirësinë për çdo gjë, prandaj kur të vritni, vritni me njerëzi dhe kur të preni, preni me njerëzi. Çdokush prej jush duhet së pari ta mprehë thikën dhe ta qetësojë kafshën për therje.”

646 Muttefekun alejhi

Aishja r.a. thotë: “Asnjëherë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. nuk ka zgjedhur në mes dy gjërave e të mos ketë zgjedhur më të lehtën, nëse nuk ishte mëkat. Nëse një gjë ishte mëkat, atëherë Pejgamberi s.a. v.s. ishte njeriu më i largët prej saj. I Dërguari i All-llahut asnjëherë nuk i është hakmarrë askujt për vetveten (nuk e ka dënuar askend për vetveten), përveç atëherë kur janë shkelur urdhrat e All-llahut, atëherë është hakmarrë për hir të All-llahut.”

647 Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se është hadith hasen

Ibnu Mes’udi r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “A doni t’ju tregoj se kush ndalohet prej zjarrit ose kujt i është zjarri i ndaluar? Zjarri i është ndaluar atij që është njeri i afërt, i lehtë, i dashur, i sjellshëm dhe i butë.”