Kërko: allahu eshte drita e qiejve dhe e tokes

Nur 24:35 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

- Allahu është Drita e qiejve dhe e tokës. - Ai është dritë fizike, konceptuale e shpirtërore. Allahu është Nur në veten e Tij. Sikur të mos ishte …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- Allahu është Drita e qiejve dhe e tokës. - Ai është dritë fizike, konceptuale e shpirtërore. Allahu është Nur në veten e Tij. Sikur të mos ishte butësia e mëshira ndaj krijesave, rrezatimi i dritës së fytyrës së Tij do të digjte çdo gjë ku shkon shikimi i Tij, pra, të gjitha krijesat. Ai është Dritë dhe me të është ndriçuar e shkëlqen Froni i Tij, Kursija, Dielli, Hëna. Ai është Dritë, me të cilën vezullon dhe shkëlqen përjetësisht Xheneti. Po kështu edhe drita shpirtërore, për të cilën ka nevojë njerëzimi, e ka burimin nga drita e Zotit. Librat e shpalljet e Tij janë dritë, edhe Sheriati i Tij është dritë. Imani dhe dituria e thellë që gjendet në zemrat e profetëve dhe adhuruesve të Tij besimtarë është dritë. Sikur të mos ishte kjo dritë nga Zoti, errësirat do të mbulonin gjithçka, duke u dendësuar njëra mbi tjetrën. Çdo gjë që është e privuar nga Nuri i Tij, është në errësirë të thellë, e ngushtuar e në mangësi të plotë. Allahu i Lartësuar thotë: - Shembulli i Dritës së Tij i ngjason një kandili... - Allahu i Lartësuar jep një shembull për dritën e Tij, pra, dritën e imanit e të Kur'anit në zemrat e besimtarëve. Shembulli i dritës së Tij i ngjason kandilit - ...të vendosur në një zgavër të errët. - Zgavra e mbledh dhe nuk e lë të humbasë e të largohet drita. Ai kandil ndodhet brenda një kristali, i cili, ngaqë është shumë i kthjellët e i pastër, duket sikur vezullon e shndrit. Allahu thotë: - Kandili është brenda një qelqi e qelqi, si të ishte yll i shndritshëm. Ai (kandili) ndizet prej (vajit të) një Druri të bekuar, - prej ullirit, që nuk mund të quhet as i Lidjes e as i Perëndimit e vaji i të cilit gati ndriçon edhe pa e prekur zjarri. - Pra, shndërrohet në një smerald vezullues. Ky kandil brenda llampës së kristaltë ndizet e ndriçon "...prej një druri të bekuar", pra, nga vaji i ullirit, i cili jep zjarrin me ndriçim. Allahu e përshkruan këtë pemë të begatshme duke thënë: "... nuk mund të quhet as i lindjes e as i perëndimit." Pra, atë e kap dielli jo vetëm në fillim të ditës, por edhe në fund të saj. Të tillë janë ullinjtë e Shamit. Ata janë shumë të këndshëm dhe vaji që del prej tyre është shumë i kulluar: "...e vaji i të cilit gati ndriçon edhe pa e prekur zjarri", ngaqë është shumë i kulluar. Kur digjet, ai lëshon shumë dritë. - Dritë mbi dritë! – Pra, ndriçimi i vajit dhe ai i zjarrit. Ky është një shembull që Allahu që jep për të treguar gjendjen e zemrës së besimtarit dhe dritës së Tij në këtë zemër. Kështu, natyrshmëria e pastër, në të cilën e krijoi Zoti njeriun është si ai vaji i kulluar e i pastër. E tillë është natyra në të cilën Zoti i krijoi njerëzit. Kur është e pastër dhe e kulluar, ajo është e gatshme që të mësojë udhëzimet hyjnore, të pranojë ligjin e Zotit e të jetojë sipas tij. Kur i vjen dituria dhe imani i pastër, asaj i ndizet drita, që e ndriçon fort. Kjo i ngjan ndezjes së fitilit të kandilit, që është i lagur me vaj të pastër e të kulluar. Zemra e robit është e kulluar dhe e pastër nga synimet e këqija. Nëse zemra është e pastër dhe e papërlyer, ajo i kupton qartë mesazhet e Zotit. Kur në këtë zemër të kulluar ndizet zjarri i imanit, ajo lëshon një dritë të fortë, që ndriçon edhe ata rreth e rrotull saj. Kjo i ngjan llambës, që shpërndan dritën që vezullon brenda saj. Tek ky njeri bashkohen drita e natyrshmërisë së pastër, drita e imanit, drita e diturisë së Shpalljes, drita e njohurisë së Zotit dhe pastërtia që ajo i sjell shpirtit. Dritë mbi dritë. Por duke qenë se të gjitha këto lloje dritash janë prej dritës së Zotit, që jo çdokush e meriton ta ketë, Allahu i Madhëruar dhe i Urtë thotë: - Allahu udhëzon drejt Dritës së Vet atë që do Ai. - Ai udhëzon në këtë Nur ata, pastërtinë dhe vlerat e të cilëve i di mirë. Ai u jep dritë, që të pastrohen dhe të rregullohen veprat e gjendja e tyre. - Ja kështu, Allahu sjell shembuj për njerëzit - Në mënyrë që njerëzit të logjikojnë e të kuptojnë mesazhet e Tij. Kjo është mëshira e butësia e Zotit me robërit, bamirësia e Tij ndaj tyre. Kështu ua sqaron Ai të vërtetën nga e kota, të drejtën nga e gabuara. Shembujt e sjellin njeriun më pranë kuptimit të gjërave. Përmes shembujve, çështjet konceptohen e bëhen të qarta, njëlloj si ato të prekshmet nga shqisat, dhe njeriu qetësohet plotësisht rreth tyre. - dhe Allahu Di gjithçka për çdo gjë. - Dituria e Allahut ka përfshirë gjithçka dhe shembujt që Ai sjell i di me hollësi. Ai e di mirë se shembujt janë të dobishëm për krijesat, të cilët duhet të përpiqen që të logjikojnë dhe meditojnë me kujdes rreth tyre e jo t’u kthejnë shpinën, t’i lënë në harresë ose t’i kundërshtojnë. Allahu e di dhe ata nuk e dinë.

Mus'haf Hape →
Nur 24:35 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

- “Allahu është Drita e qiejve dhe e tokës.” - Ali Ibn Ebu Talha tregon se Ibn Abasi ka shpjeguar: “Domethënë, është Udhëzuesi i banorëve të qiejve …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Allahu është Drita e qiejve dhe e tokës.” - Ali Ibn Ebu Talha tregon se Ibn Abasi ka shpjeguar: “Domethënë, është Udhëzuesi i banorëve të qiejve dhe të tokës.” Ibn Xheriri sjell thënien e Enesit (r.a.): “Allahu i Lartësuar thotë: “Drita Ime është udhëzimi Im.” Këtë mendim e ka përzgjedhur Ibn Xheriri. - “Shembulli i Dritës së Tij i ngjan një fitili të vendosur në një zgavër të errët.” - Domethënë, “shembulli i udhëzimit të Tij” është si ai besimtari, në zemrën e të cilit Allahu ka futur imanin dhe Kuranin. Ubej Ibn Keabi e lexonte këtë ajet në këtë mënyrë: “ Methelu n ûri men âmene bihi ”, pra, “shembulli i dritës së atij që beson Atë (Allahun)” është si ai besimtari, në zemrën e të cilit është futur imani dhe Kurani.” Seid Ibn Xhubejri dhe Kajs Ibn Sadi përcjellin nga Ibn Abasi se edhe ai e ka lexuar kështu ajetin: “ Methelu n ûri men âmene bil -lâhi”, pra: “shembulli i dritës së atij që beson Allahun.”. Ndërsa disa të tjerë e kanë lexuar: “Allahu muneu-uiru semâuâti uel erd”, pra: “Allahu është ndriçuesi i qiejve dhe i tokës.” Nga Dahhaku përcillet se e ka lexuar: “Allahu neu-uera semauâti uel erd”, domethënë: “Allahu ndriçoi qiejt dhe tokën” (pra, vjen si folje: ‘ neu-uera’ - ‘ndriçoi’.). Në dy Sahih-ët është hadithi nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili tregon: 1961. “Kur Profeti ﷺ zgjohej natën për t'u falur, thoshte: “Allahume, lekel ĥamdu, ente nûrus-semâuâti uel erdi, ue men fihine, ue lekel ĥamdu ente kaj-jimu semâuâti uel erdi ue men fihine, ue lekel ĥamdu entel ĥak -ku ue ua’duke ĥak -kun, ue kauluke ĥak -kun ue likâuke ĥak-kun, uel xhennetu ĥak -kun uennâru ĥakun, ues -sâatu ĥak -kun, ue nebij - jûne ĥak -kun, ue Muhamedun ĥak -kun, Allahume leke eslemtu ue alejke teuek keltu ue bike amentu ue ilejke enebtu, ue bike ħâsamtu, ue ilejke ĥâkemtu, fagfir li m â kaddemtu ue ma aħ ħartu, ue ma esrartu ue ma ea’lentu, ente el mukad dimu ue ente el muaħħiru, lâ il âhe il -lâ ente”, ose ka thënë: “lâ ilâhe gajruke.” (O Allah, Ty të takon falënderimi, Ti je Drita e qiejve dhe Tokës dhe ç'ka në to! Ty të takon lavdërimi, Ti je Kujdestari i qiejve dhe Tokës dhe ç'ka në to! Ty të takon lavdërimi! Ti je i Vërteti! Premtimi Yt është i vërtetë! Fjala Jote është e vërtetë! Takimi me Ty është i vërtetë! Xheneti është i vërtetë dhe Xhehenemi është i vërtetë! Kijameti është i vërtetë! Profetët janë të vërtetë dhe Muhamedi ﷺ është i vërtetë! O Allah, Ty të jam nënshtruar, te Ti jam mbështetur, në Ty kam besuar dhe te Ti jam kthyer! Për Ty armiqësohem, te Ti gjykohem, m'i fal gjynahet e kaluara, të tashmet, të fshehurat dhe të shfaqurat! Ti je i Pari dhe i Fundit, s'ka të adhuruar të denjë përveç Teje!) Në lidhje me fjalën e Allahut: “Shembulli i Dritës së Tij.” E pikërisht me përemrin “së tij” janë dhënë dy mendime. Njëri mendim thotë se nëkupton Allahun e Madhëruar. Kështu kuptimi i saj është: “shembulli i udhëzimit të Tij, pra udhëzimit të Allahut në zemrën e besimtarit, ...”. Kështu ka thënë Ibn Abasi. Sipas mendimit tjetër ai nënkupton besimtarin, për të cilin tregon edhe i gjithë konteksti. Kësisoj, kuptimi është: “Shembulli i Dritës së tij.” Pra, shembulli i dritës që është në zemrën e besimtarit, është si ai kandili...” Këtu kemi të bëjmë me një krahasim, që Zoti i bën zemrës së besimtarit, e cila përveç faktit që është e brymosur me një natyrshmëri të pastër, që e pranon udhëzimin e drejtë, ajo ndriçohet edhe nga ai udhëzim e dritë, që e merr nga Kurani, i cili gjithashtu është në përputhje të plotë me natyrshmërinë e pastër, siç thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “E kush mund të krahasohet me atë që mbështetet në argumentin e qartë nga Zoti i tij, i ndjekur nga dëshmues prej tij ...” [Hud 17].102 Kësisoj, Allahu i Madhëruar e përshkruan zemrën e besimtarit, me kthjelltësinë e pastërtinë e natyrshmërisë së saj, si një llambë qelqi të tejdukshëm, brenda së cilës është një fitil, që lëshon dritë prej vajit të pastër (pra, drita e Kuranit dhe e imanit të pastër e të vërtetë). Ndërsa dritën e Kuranit dhe Sheriatit përmes së cilës ai gjen rrugën e drejtë dhe e sheh qartë atë, e përshkruan si ai vaji i mirë i kulluar, pa papastërti. Sipas Ibn Abasit dhe një grupi tabiinësh, fjala “ Mishkât” tregon zgavrën, ku vendoset fitili që ndriçon. Ky është mendimi i përhapur mes tyre, prandaj i Lartësuari thotë më pas: “... i ngjason një fitili të vendosur në një zgavër të errët.” Pra, misbaĥ është fitili i vendosur në atë zgavër dhe që lëshon dritë. Ubej Ibn Keabi ka thënë: “ El misbaĥ është (fitili) drita. Pra, është drita e Kuranit dhe e imanit, që gjendet brenda në zemrën e besimtarit.” - “Fitili është brenda një qelqi ...” - Ky misbaĥ që ndriçon është vendosur në një llampë qelqi, të tejdukshëm e të kristaltë, të kthjellët, ashtu si zemtra e besimtarit, e pastër me natyrshmëri të papërlyer. - “... e qelqi, si të ishte yll i shndritshëm. ” - Vezullon si yll madhështor, prej një guri të çmuar, që jep një ndriçim të qartë. - “Ai (fitili) ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, - prej ullirit, që nuk mund të quhet as i lindjes e as i perëndimit ...” - Ndizet nga vaji i ullirit, i cili jep zjarr me ndriçim. Allahu e përshkruan këtë pemë të bekuar, duke thënë: "...nuk mund të quhet as i lindjes e as i perëndimit." Pra, ajo qëndron në një vend ku e kap dielli edhe paradite, edhe pasdite, prandaj vaji i saj është shumë i kulluar e kur digjet, ai lëshon shumë dritë. Shpjegim të ngjashëm kanë sjellë Ibn Abasi, Ikrime, Muxhahidi, Seid Ibn Xhubejri dhe Suddiju. Janë dhënë edhe mendime të tjera, por ky mendim është më i sakti. Pra, ajo pemë rritet në një rrafshnaltë të gjerë e të hapur, ku e kap dielli nga fillimi i ditës, deri në perëndim, kushte këto që e bëjnë vajin e saj të pastër, të kulluar. - “... e vaji i të cilit gati ndriçon edhe pa e prekur zjarri. ” - Për shkak të cilësisë së vajit të kulluar. - “Dritë mbi dritë! ” - Ibn Abasi shpjegon: “Domethënë, imani i njeriut dhe punët e tij të mira.” Po kështu janë edhe drita e Kuranit dhe drita e imanit. Ato janë gjithmonë bashkë me njëra-tjetrën. Nëse njëra prej tyre zë vend në zemër, me të duhet të jetë edhe tjetra. - “Allahu udhëzon drejt Dritës së Vet atë që do Ai. ” - Allahu i Madhëruar e drejton dhe ia mundëson që të marrë e të ndriçohet prej dritës së Tij atij që Ai e përzgjedh, siç thuhet në një hadith të saktë, që e sjell Imam Ahmedi nga Abdullah Ibn Amri, i cili rrëfen se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: 1962. “Allahu i Lavdëruar i krijoi krijesat në errësirë, pastaj hodhi mbi ta atë dritë prej dritës së (udhëzimit të) Tij. Ai të cilin e kapi drita e (udhëzimit të) Tij atë ditë, ai u udhëzua në rrugë të drejtë, ndërsa ai të cilin nuk e kapi ajo dritë, ai mbeti në humbje (errësirë).” 103 Prandaj po ju them se: Tashmë është tharë boja e lapsit (dhe asgjë nuk ndryshon) në atë që u shkrua sipas dijes së Zotit Krenar dhe të Lartë - suar.”. Pasi na tregoi një shembull të dritës së udhëzimit në zemrën e besimtarit, Allahu i Madhëruar e mbyll ajetin me fjalët: - “Kështu, Allahu sjell shembuj për njerëzit dhe Allahu di gjithçka për çdo gjë.” - Ai është i gjithëditur për ata që meritojnë udhëzimin në rrugën e drejtë dhe ata që nuk e meritojnë këtë, por meritojnë të mbetën në errësirë e humbje. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Seid el Hudriu, se Profeti i Allahut ka thënë: 1963. “Zemrat janë katër llojesh: Një zemër e pastër qelq (exhred), brenda së cilës ndodhet një kandil (siraxh) rrezatues; një zemër e mbështjellë, që i është lidhur fort gryka; një zemër e përmbysur dhe një zemër me dy faqe (museffaĥ). Për sa i përket zemrës së pastër qelq, ajo është zemra e besimtarit dhe kandili në të është drita e (imanit të) tij. Zemra që është e mbështjellë është zemra e mohuesit (të besimit). Zemra e përmbysur është zemra e munafikut, i cili e njeh të vërtetën dhe pastaj e braktis atë. Ndërsa zemra me dy faqe është ajo që ka edhe iman, edhe hipokrizi. Imani që ndodhet në të është si fruti, që rritet e forcohet nga uji i pastër, ndërsa hipokrizia që ndodhet në të është si plaga e mbuluar nga gjaku e qelbi. Ajo anon në varësi të asaj që mbizotëron në të (ose nga imani, ose nga hipokrizia).” Isnadi i hadithit është i mirë.104

Mus'haf Hape →
Fusilet 41:9–41:12 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… “Gjithçka që është në Tokë, Ai (Allahu) e krijoi për ju, pastaj iu drejtua qiellit dhe i përsosi ata shtatë qiej. Ai është i Gjithëditur për gjithçka.” [Bekare …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Thuaju: “Ju jeni ata që nuk i besoni Atij, që e krijoi Tokën për dy ditë dhe i shoqëroni Atij shok?! ” - Allahu i Lartë - suar i kërcënon dhe paralajmëron idhujtarët, të cilët adhuronin së bashku me Të idhuj dhe kotësira, ndërkohë që Ai është Krijuesi i gjithçkaje, i Vetmi në këtë pushtet. Ai është Nënshtruesi i çdo gjëje, i Plotpushtet - shmi për çdo gjë. I Lartësuari thotë: “... dhe i shoqëroni Atij shok?!” Pra, i shoqëroni Atij idhuj dhe trilloni ortakë, të cilët i adhuroni së bashku me Të?! - “Ai është Zoti i botëve.” - Ai është Krijuesi i gjithçkaje. Allahu i Lartësuar na sjell një shtjellim të hollësishëm të fjalës së Tij në ajetin tjetër, kur thotë: “Vërtet, Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj qëndroi mbi Fron.” [Ea’raf 54]. 23 Ndërsa këtu, Allahu i Lartësuar flet për krijimin e Tokës dhe krijimin e qiellit. I Lartësuari na tregon se fillimisht krijoi Tokën, si në ajetin vijues: “Gjithçka që është në Tokë, Ai (Allahu) e krijoi për ju, pastaj iu drejtua qiellit dhe i përsosi ata shtatë qiej. Ai është i Gjithëditur për gjithçka.” [Bekare 29]. Për sa i përket fjalës së Allahut: “A është më i rëndë krijimi juaj apo ai i qiellit? Ai e ndërtoi atë. E ngriti kupën e tij dhe e përsosi. Natën ia errësoi e ditën ia ndriçoi. Më pas, Tokën e sheshoi. Nxori prej saj ujin dhe kullotat e saj, kurse malet ia përforcoi, si furnizim për ju dhe për kafshët tuaja.” [Nazi’at 27 - 33], edhe pse prej saj mund të kuptohet se qielli është krijuar përpara Tokës, mund të themi me bindje se, po ta shikosh ajetin me kujdes, e kupton qartë se, pas krijimit të qiejve, ndodhi shtrimi i Tokës dhe plotësimi i krijesave të saj, e jo krijimi fillestar i saj. Domethënë, krijimi i Tokës ka ndodhur përpara krijimit të qiejve, sikurse është përmendur tekstualisht në ajetin e cituar më sipër. Të njëjtën përgjigje ka dhënë edhe Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), siç sjell Buhariu për tefsirin e këtij ajeti një hadith të gjatë në Sahih, prej të cilit do të shkëputim vetëm atë që ka lidhje me çështjen, për të cilën po flasim. Kështu, një burrë e pyeti Ibn Abasin rreth disa ajeteve, që duket se përmbajnë kundërthënie. Ndër to, ai përmendi edhe këto dy ajete, (ajetet e sures Naziat dhe Fussilet). Ibn Abasi iu përgjigj: “Allahu i Madhëruar krijoi Tokën në dy ditë. Pastaj krijoi qiejt, duke i përsosur në dy ditë të tjera. Pastaj, Ai bëri sheshimin dhe kompletimin e Tokës, pra, nxori ujin, kullotat, krijoi malet, sendet dhe lartësirat dhe gjithçka mes qiellit dhe Tokës në dy ditë të tjera. Për këtë flet fjala e Tij ‘dehaha’ (e sheshoi). ” Këtu mbaron fjala e Ibn Abasit. Pra, krijimi i Tokës dhe i gjithçkaje në të është bërë në katër ditë, ndërsa krijimi i qiejve është bërë në dy ditë. Allahu i Lartësuar thotë: “... e krijoi Tokën për dy ditë”, pra, ditën e diel dhe të hënë. - “Është Ai që vuri në Tokë male të fuqishme, e bekoi atë me të mira ...” - Allahu i Madhëruar e bëri Tokën të begatshme, që pranon dhe zhvillon të mirën, të mbjellat, jetën. Ai vendosi në të “ ekuât”, domethënë, gjithçka për të cilën kanë nevojë banorët e Tokës, si rizkun, habitatet e tyre, vendet që mbjellin dhe kultivojnë bimësinë etj. Këto u bënë dy ditët e tjera, të martën dhe të mërkurën, 24 prandaj i Lartësuari thotë në vijim: - “... dhe brenda katër ditëve përcaktoi të gjitha kushtet për të jetuar në të. ” - Në çdo vend bëri atë çka i përshtatet atij dhe nuk i përshtatet vendeve të tjera. Çdo vendi i dha cilësi të posaçme. - “Ky është shpjegimi për ata që pyesin. ” - Domethënë, për të gjithë ata që janë të interesuar rreth kësaj çështjeje. - “Më pas, Ai iu drejtua qiellit, i cili ishte mjegullnajë ...” - Qielli ishte mjegullnajë, nga uji i ngritur prej sipërfaqes së deteve, në kohën kur Allahu i Madhëruar krijoi Tokën. - “... dhe i tha atij dhe Tokës: “Bindjuni urdhrit Tim, me hir a me pahir!” – Përgjigjjuni urdhrit Tim vullnetarisht ose me detyrim. - “Të dy thanë: “Po, i bindemi me dëshirë.” - Qielli dhe Toka thanë: “Po, të përgjigjemi Ty vullnetarisht, ne dhe çdo krijesë brenda nesh.” - “Ai krijoi shtatë qiej brenda dy ditëve ...” - Pasi krijoi Tokën në dy ditë, Allahu i Lartësuar i përsosi shtatë qiej në dy ditë të tjera, të cilat ishin dita e enjte dhe dita e xhuma. - “... duke i caktuar secilit qiell detyrën dhe urdhrin e tij. ” - Caktoi çdo gjë që kanë nevojë krijesat, siç janë melekët apo të tjerë, për të cilët di vetëm Allahu i Lartësuar. - “Ne e zbukuruam qiellin më të afërt me drita dhe e bëmë të mbrojtur. ” - Këtu bëhet fjalë për “ El-Keuakib”, trupat qiellorë të shndritshëm, të cilët i bëjnë dritë banorëve të Tokës. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar na tregon se i bëri ato edhe si “Hifdha”, pra, si ruajtës nga shejtanët e mallkuar dhe goditës të tyre, që ata të mos arrijnë të dëgjojnë lajmet, që u vijnë melekëve lart në qiell. - “I tillë është krijimi i të Plotfuqishmit të Gjithëditur.” - Allahu është mbi gjithçka, Mposhtësi dhe Nënshtruesi i gjithçkaje. Ai di për të gjitha lëvizjet e krijesave të Tij ose qëndrimin në prehje të tyre. Askush nuk del jashtë diturisë dhe sundimit të Tij. I Pastër, i Dëlirë, i Lartësuar është Ai. Të pakufishme janë të mirat e Tij dhe vetëm Atij i takon lavdërimi dhe mirënjohja përherë.

Mus'haf Hape →
Naziat 79:27–79:33 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… më të afërt me drita dhe e bëmë të mbrojtur. I tillë është Krijimi (e përcaktimi) i të Plotfuqishmit të Gjithëditur.”Kështu, fillimisht, Allahu i Lartësuar krijoi tokën …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Allahu i Lartësuar u drejtohet atyre që nuk e besojnë ringjalljen e njerëzve me një argument shumë thjesht të kuptueshëm: - “A është më i rëndë krijimi juaj apo ai i qiellit? Ai e ndërtoi atë.” - O njerëz! Vallë, a mos jeni ju krijesa më madhështore apo qielli i lartë?! Ai që e ngriti qiellin dhe i vendosi atë rregullsi të përkryer është Allahu i Gjithëpushtetshëm dhe i Gjithëditur. - “E ngriti kupën e tij dhe e përsosi. Natën ia errësoi e ditën ia ndriçoi.” - Allahu e ngriti kupën e qiellit dhe e zbukuroi pamjen e tij. Ai i dha atë madhështi dhe rregullsi, që habit çdo të mençur dhe të urtë. Natën e bëri të errët, ndërsa ditën e bëri të shkëlqejë me diell, duke u mundësuar krijesave çdo gjë të dobishme për dynjanë dhe ahiretin e tyre. - “E pastaj tokën e sheshoi. Nxori prej saj ujin dhe kullotat e saj, kurse malet ia përforcoi,..” - Pasi krijoi qiellin, Allahu i Lartësuar sheshoi tokën dhe vendosi në të çdo gjë të dobishme dhe të nevojshme për jetën e krijesave, si për shembull, ujin, kullotat etj. Malet i bëri si shtylla përforcuese, që e mbajnë tokën të qëndrueshme. Nga këto ajete mësohet se shtrimi dhe kompletimi i tokës është bërë pas krijimit të qiejve. Ndërsa krijimi i vetë tokës është bërë para krijimit të qiejve, sikurse thotë i Lartësuari në suren Fusilet 9 - 12: “Thuaju: “A ju jeni ata që nuk i besoni Atij, që e krijoi Tokën për dy Ditë dhe i shoqëroni Atij shok?! Ai është Zoti i botëve. Është Ai që vuri në Tokë male të fuqishme, e bekoi atë (Tokën) me të mira dhe brenda katër Ditëve përcaktoi të gjitha kushtet për të jetuar në të.” Ky është shpjegimi për ata që pyesin. Më pas, Ai iu drejtua qiellit, i cili ishte si tym dhe i tha atij dhe Tokës: “Bindjuni urdhrit Tim, me hir a me pahir!” Të dy (Qielli dhe Toka) thanë: “Po, i bindemi me dëshirë.”Ai krijoi shtatë qiej brenda dy Ditëve, duke i caktuar secilit qiell detyrën dhe urdhrin e tij. Dhe Ne e zbukuruam Qiellin më të afërt me drita dhe e bëmë të mbrojtur. I tillë është Krijimi (e përcaktimi) i të Plotfuqishmit të Gjithëditur.”Kështu, fillimisht, Allahu i Lartësuar krijoi tokën për dy ditë, pastaj krijoi qiejt për dy ditë të tjera, dhe pas krijimit të qiellit, Ai e shtroi tokën dhe vendosi në të gjithçka të nevojshme dhe të dobishme për jetën. - “...si furnizim për ju dhe për kafshët tuaja.” - Të gjitha këto mirësi, Allahu i Lartësuar i krijoi dhe i lehtësoi për njerëzit dhe kafshët. E tërë kjo do të thotë që, Ai i Cili bëri gjithë këtë krijim madhështor dhe vendosi gjërat e domosdoshme për jetën në të, pa dyshim që do të ringjallë të përgjegjëshmit ligjërisht dhe do t’i marrë në llogari për veprat e tyre. Allahu i Lartësuar do të shpërblejë me drejtësi për çdo të mirë dhe të keqe që është punuar. Kush ka bërë mirë do të shpërblehet mirë, dhe kush ka bërë keq të mos fajësojë asnjë tjetër, veç vetes. Për këtë arsye, pas gjithë këtyre shenjave, i Madhëruari flet për Ditën e Ringjalljes dhe të Shpërblimit:

Mus'haf Hape →
Fusilet 41:9–41:12 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… i cili nuk ka as mangësi dhe as shtesa. Pas krijimit të Tokës, Allahu iu drejtua krijimit të qiellit, i cili ishte tym. Pastaj u tha qiellit dhe Tokës …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Thuaju: “A ju jeni ata që nuk i besoni Atij, që e krijoi Tokën për dy Ditë dhe i shoqëroni Atij shok?! Ai është Zoti i botëve. Është Ai që vuri në Tokë male të fuqishme, e bekoi atë (Tokën) me të mira dhe brenda katër Ditëve përcaktoi të gjitha kushtet për të jetuar në të.” Ky është shpjegimi për ata që pyesin.” – Kjo është një pyetje, që tregon habi, por edhe ndalesë nga krimi që bëjnë qafirët, të cilët adhurojnë idhuj, duke iu përulur e duke i barazuar me Allahun e Madhërishëm, Mbretëruesin Bujar, i Cili e krijoi Tokën vetëm për dy ditë, pastaj e sheshoi atë për dy ditë të tjera, duke vendosur malet si shtylla, të cilët e mbajnë Tokën të qëndrueshme nga dridhjet dhe lëvizjet. Krijimi i saj u plotësua më tej, duke nxjerrë bimësinë e çdo gjë tjetër. E gjithë kjo ndodhi në katër ditë, për ta ditur ata që pyesin rreth krijimit të saj. E kush mund të përgjigjet më mirë se i Gjithëdituri e i Plotpushtetshmi? Ky është një fakt i vërtetë, i cili nuk ka as mangësi dhe as shtesa. Pas krijimit të Tokës, Allahu iu drejtua krijimit të qiellit, i cili ishte tym. Pastaj u tha qiellit dhe Tokës: - “Më pas, Ai iu drejtua qiellit, i cili ishte si tym dhe i tha atij dhe Tokës: “Bindjuni urdhrit Tim, me hir a me pahir!” - Ky është një urdhër që duhet të shkojë në vend dhe të ekzekutohet në çdo mënyrë. - “Të dy (Qielli dhe Toka) thanë: “Po, i bindemi me dëshirë.” – Kuptimi: Ne kurrsesi nuk mund të dëshirojmë diçka që kundërshton dëshirën dhe urdhrin Tënd, o Zot. Ne nënshtrohemi vullnetarisht e me dëshirë. Kështu u kompletua krijimi i qiejve dhe Tokës në gjashtë ditë të plota, duke filluar nga dita e diel e duke përfunduar ditën e premte. Edhe pse fuqia e Zotit është aq e madhe sa të krijojë gjithçka në një çast të vetëm, edhe pse Ai është i Plotpushtetshëm për gjithçka, Ai gjithashtu është i Urtë, i Butë e i Mëshirshëm. Prej mëshirës dhe butësisë së Tij, Ai vendosi që krijimi i botës të jetë në këtë mënyrë dhe kohë. Nga ajeti: “Më pas, Ai iu drejtua qiellit, i cili ishte si tym dhe i tha atij dhe Tokës: “Bindjuni urdhrit Tim, me hir a me pahir!”, kuptohet se Allahu i Lartësuar e ka krijuar qiellin pas krijimit të Tokës. Ndërsa në suren Naziat, Allahu i Lartësuar thotë: “...e pastaj tokën e sheshoi....”. Në pamje të parë duket sikur këto dy ajete janë në kundërshtim me njëri -tjetrin. Por, pa dyshim, në Librin e Zotit nuk mund të gjesh kurrë kundërshtime e kundërthënie. Shpjegimi për këtë është se – ashtu siç thonë shumë komentues të Kur'anit, – vërtet që krijimi i Tokës si trup qiellor ka ndodhur para krijimit të qiejve, ashtu sikurse thuhet në këtë sure, por shtrimi dhe përgatitja e saj, duke e nxjerrë bimësinë, ujin etj., ka ndodhur pas krijimit të qiejve, sikurse thuhet në suren Naziat: “A është më i rëndë krijimi juaj apo ai i qiellit? Ai e ndërtoi atë. E ngriti kupën e tij dhe e përsosi. Natën ia errësoi e ditën ia ndriçoi. E pastaj tokën e sheshoi. Nxori prej saj ujin dhe kullotat e saj, kurse malet ia përforcoi, si furnizim për ju dhe për kafshët tuaja.”. Edhe në këtë ajet nuk thuhet: “E pastaj Tokën e krijoi”, por thuhet: “E pastaj Tokën e sheshoi....”. Pra, pas krijimit të qiellit, ka ndodhur shtrimi i tokës dhe jo krijimi i saj. - “Ai krijoi shtatë qiej brenda dy Ditëve, duke i caktuar secilit qiell detyrën dhe urdhrin e tij. Dhe Ne e zbukuruam Qiellin më të afërt me drita dhe e bëmë të mbrojtur. I tillë është Krijimi (e përcaktimi) i të Plotfuqishmit të Gjithëditur.” - Për çdo qiell u dhanë urdhra dhe u caktuan ato që ishin të nevojshme, ashtu sikurse di të vendosë më i Urti. Ndërsa qielli i dynjasë u zbukurua me yje, nëpërmjet të cilëve krijesat ndriçohen dhe udhëzohen në errësirë. Yjet janë zbukurim për qiellin e errët, por shërbejnë edhe si gjuajtës për shejtanët e mallkuar, për të mos i lejuar që të dëgjojnë dhe të vjedhin nga lajmet e qiellit. Toka dhe qielli me gjithçka mes tyre u krijuan sipas përcaktimit të Krenarit të Gjithëditur. Me krenarinë dhe pushtetin e Tij të plotë, Ai i nënshtroi krijesat e tashmë administron çështjet e tyre. Ndërsa me dijen e Tij, Allahu i ka përfshirë të gjitha krijesat, të dukshmet dhe të padukshmet. Megjithatë, politeistët i largohen përkushtimit me sinqeritet ndaj Zotit të Madhërishëm, që është i Vetëm dhe Ngadhënjimtar mbi gjithçka. Allahut i janë nënshtruar të gjitha krijesat dhe çdo gjë funksionon sipas përcaktimit dhe dëshirës së Tij, por, në vend të Tij, mushrikët adhurojnë idhuj. Ky shkëmbim është tepër i çuditshëm, kur dihet se idhujt e tyre kanë cilësi të mangëta e të ulëta. Sidoqoftë, nëse vazhdojnë në kundërshtimin dhe mohimin e tyre, për ta nuk ka shpagim tjetër veç ndëshkimit në këtë jetë dhe në jetën tjetër.

Mus'haf Hape →
Nur 24:43–24:44 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… Janë ata që e përmendin Allahun, kur janë në këmbë, kur janë ulur dhe kur janë shtrirë. Ata thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve dhe të Tokës (duke …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “A nuk e shikon ti se si Allahu i bën retë të lëvizin butësisht ...” - Allahu i Lartësuar na tregon se është Ai që i bën retë të lëvizin butësisht, me fuqinë e Tij. Në fillim, ato mblidhen ngadalë, janë të dobëta, të rralla, por më pas Allahu i Lartësuar thotë: - “... pastaj i afron dhe i bën grumbull? ” - Pastaj i afron retë e i bën grumbull, njëra mbi tjetrën. - “Pastaj do të shohësh shiun, se si pikon prej tyre.” - Shikon shiun, se si fillon që të rrjedhë nga mesi i reve. - “Ai lëshon breshër prej së larti nga retë e mëdha si male ...” - Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar i ka përshkruar retë si male, për të treguar madhësinë e tyre. - “... dhe me të godet atë që do dhe ia largon atij që do. ” - Me atë që del prej reve, Ai godet atë që do dhe ruan atë që Ai do. Ky ajet mund të kuptohet në dy mënyra: Allahu e lëshon shiun, duke ia dhënë atij që Ai dëshiron, si mëshirë për të, dhe ia largon atij që Ai dëshiron, pra, e privon nga kjo mëshirë. Gjithashtu, ka mundësi që ajeti të kuptohet dhe në mënyrë tjetër, nëse fjala: “fe jusibu bihi ” merret si: “godet me të”, pra, godet nëpërmjet breshërit, si formë zemërimi, duke ua dërguar krijesave që Ai dëshiron, duke shkatërruar kështu të mbjellat dhe pemët e tyre. Gjithashtu, Ai ia largon këtë ndëshkim atij që Ai dëshiron, me mëshirën e Tij. - “Shkëlqimi i dritës së vetëtimës së Tij gati sa nuk t'i merr sytë. ” - Drita e fortë e rrufesë thuajse i verbon ata që e shohin. - “Është Allahu Ai që bën ndërrimin e natës dhe të ditës.” - Allahu bën ndërrimin e natës dhe të ditës, duke zgjatur natën më shumë se ditën, pastaj ndryshojnë, derisa të bëhen të barabarta. Pastaj bën të kundërtën, duke e zgjatur atë që ishte e shkurtër dhe duke shkurtuar atë që ishte e gjatë. Është Allahu i Lartësuar Ai i Cili e bën të gjithë këtë me urdhrin e Tij, me fuqinë e Tij për të nënshtruar gjithçka, me krenarinë dhe diturinë e Tij. - “Në të gjitha këto ka fakte për ata që shohin qartë.” - Në të gjitha këto dukuri ka argumente, që tregojnë madhështinë e Allahut të Lartësuar, pushtetin e Tij gjithë përfshirës dhe absolut, siç thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në ndryshimin e natës e të ditës ka argumente të qarta për ata që kanë mend. Janë ata që e përmendin Allahun, kur janë në këmbë, kur janë ulur dhe kur janë shtrirë. Ata thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve dhe të Tokës (duke thënë): “Zoti ynë! Këtë nuk e ke krijuar kot. Ti je i pastër nga çdo e metë! Na ruaj prej dënimit të Zjarrit!” [Al Imran 190].

Mus'haf Hape →
Enam 6:1–6:2 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

- Të gjitha lavdërimet i qofshin vetëm Allahut, që krijoi qiejt dhe Tokën dhe bëri errësirat dhe dritën. ” - Ky është lavdërim i Allahut të …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- Të gjitha lavdërimet i qofshin vetëm Allahut, që krijoi qiejt dhe Tokën dhe bëri errësirat dhe dritën. ” - Ky është lavdërim i Allahut të Lartësuar, me atributet madhështore të Tij, duke përmendur posaçërisht krijimin e qiejve dhe të Tokës, të cilat janë treguese të pushtetit, diturisë dhe mëshirës së Tij të gjerë. Ato dëshmojnë për urtësinë gjithëpërfshirëse dhe për njëshmërinë e Tij në fuqinë dhe zotësinë për të krijuar, si edhe për t’u kujdesur mbi çështjet e krijesave. Allahu e lavdëron Veten edhe për krijimin e dritës dhe të errësirave. Është Ai që ka vendosur errësirat dhe dritën. Këtu është fjala si për errësirën dhe dritën fizike, për shembull nata dhe dita, ashtu edhe për ato konceptuale, si errësirat e injorancës, dyshimeve, idhujtarisë, poshtërsive, mosbindjes, pakujdesisë etj., dhe drita e imanit, e diturisë së vërtetë dhe e bindjes ndaj Allahut të Madhëruar. Kjo tregon se Allahu është i vetmi që meriton adhurimin, i vetmi që meriton përkushtimin e sinqertë. - Megjithatë, mohuesit sajojnë zota të tjerë si të barabartë me Zotin e tyre. - Ata konsiderojnë zota të tjerë si të barabartë me Allahun, duke iu përkushtuar atyre me adhurime. Ata adhurojnë krijesat njëlloj si Allahun, edhe pse krijesat nuk mund të krahasohen kurrë me Allahun e Madhërishëm, i Cili është absolut në çdo drejtim. Të krijuarit janë të varfër, të dobët, të mangët dhe nevojtarë në çdo aspekt. - “Është Ai që ju krijoi nga balta, pastaj caktoi një afat për ju...” - Balta ishte lënda nga e cila Allahu i Madhëruar krijoi njeriun e parë, Ademin (a.s.). Pastaj Ai vendosi një afat për vazhdimësinë e jetës së njerëzve në këtë botë, kur ata duhet të shfrytëzojnë e të shijojnë të mirat që Ai u dhuron. Gjithashtu, ata ndërkohë do të provohen për zbatimin e porosive që Allahu ka sjellë përmes profetëve. Ai e krijoi jetën dhe vdekjen pikërisht për t’i sprovuar robërit e Tij, sikurse thuhet në një ajet tjetër: “Është Ai që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është Ngadhënjimtari, Gjynahfalësi.” [Mulk 2]. Allahu u jep robve mundësi të jetojnë, aq sa çdokush të ketë mundësinë për të reflektuar dhe për të nxjerrë mësime. - “...dhe një afat tjetër (përfundimtar) që e di Ai.” - Ky afat është Dita e Gjykimit, atëherë kur të ringjallen të gjithë dhe të grumbullohen tek Allahu i Madhëruar, që të japin llogari dhe shpërblehen me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij, secili sipas asaj që ka punuar. - “Por sërish ju dyshoni!” - Me gjithë këto sqarime të plota, ju përsëri keni dyshime për premtimin e Allahut, për kërcënimet e Tij dhe për Ditën e Gjykimit. Po ta vërejmë me kujdes, shohim se Allahu i Madhëruar fjalën “errësira” e ka sjellë në numrin shumës, sepse errësirat janë të shumta dhe të llojllojshme. Ndërsa fjala “dritë” është në numrin njëjës, sepse drita që ndriçon rrugën për tek Allahu i Madhëruar është një e vetme. Ajo është dituria mbi të vërtetën dhe puna sipas saj, siç thotë i Madhëruari: “ Kjo është rruga Ime e drejtë. Prandaj përmbajuni asaj e mos ndiqni rrugë të tjera, të cilat ju largojnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, në mënyrë që ju të jeni të devotshëm.” [En’am 153].

Mus'haf Hape →
Tekvir 81:15–81:29 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… Sunduesi i qiejve dhe i tokës dërgoi këtë melek gjigand. Pas të dërguarit-melek, Allahu i Lartësuar përmend edhe të dërguarin-njeri dhe gradën e tij të …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Betohem për yjet që tërhiqen, që udhëtojnë e fshihen;…” - I Lartësuari betohet në yjet, të cilët lëvizin në një sistem preciz dhe të mrekullueshëm. - “...për natën, kur bie terri, dhe për agimin, kur zbardh!” - I Lartësuari betohet edhe në këto dy dukuri mahnitëse dhe të domosdoshme për jetën në tokë. Këto janë shenja shumë të mëdha, të cilat përmenden për një çështje shumë të madhe. I Lartësuari betohet në to për të treguar vërtetësinë dhe madhështinë e Kur'anit: - “S’ka dyshim se ai (Kur'ani) është fjalë e (sjellë përmes) të Dërguarit fisnik.” – Kur'ani është një libër shumë i rëndësishëm, i zbritur nga i Gjithëmëshirshmi, nëpërmjet një meleku shumë madhështor, Xhibrilit (a.s.). Ai është një libër i ruajtur, të cilit Shejtani i mallkuar as mund t’i afrohet, siç thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “Pa dyshim, ky (Kur'ani) është shpallje e Zotit të Botëve. Atë e solli Shpirti Besnik (Xhibrili) në zemrën tënde (o Muhamed) , për t’u bërë paralajmërues (i gjithë botës) , (Ai e solli) me një me gjuhë të kulluar arabe.” [Shuara 192 – 195]. - “Ai (Xhibrili) është i fortë dhe me pozitë të lartë te Zoti i Arshit” - Allahu i Lartësuar e përshkruan Xhibrilin (a.s.) me cilësi të larta, si “emîn” - besnik, “kerîm” - i nderuar, “ dhî ķuuetin ” - i fortë, që zbaton me përpikmëri çdo urdhër të të Plotpushtetshmit. Prej fuqisë së tij të madhe mund të përmendim që ai përmbysi qytetin e popullit të Lutit, duke i shkatërruar plotësisht ata. Xhibrili (a.s.) ka pozitën më të lartë pranë Allahut të Lartësuar. Pa dyshim, ai është meleku më i mirë dhe më i nderuar pranë të Plotpushtetshmit. - “Ai (Xhibrili) është i respektuar dhe besnik.” - Xhibrili është i respektuar mes melekëve dhe atij i dëgjohet urdhri. Ai ka nën komandë ushtri me melekë, madje edhe prej melekëve më të afruar të Zotit të Lartësuar. Ai është besnik, pra, zbatues i përpiktë i urdhrave të marra nga i Gjithëpushtetshmi. Ai nuk lë mangët dhe as nuk e tepron me zbatimin e urdhrave. Të gjitha këto tregojnë për rëndësinë dhe famën e lartë të Kur'anit. Për të sjellë këtë fjalë, Madhështori, Sunduesi i qiejve dhe i tokës dërgoi këtë melek gjigand. Pas të dërguarit-melek, Allahu i Lartësuar përmend edhe të dërguarin-njeri dhe gradën e tij të lartë: - “Shoku juaj (Muhammedi) nuk është i marrë!” - Muhamedi (a.s.) nuk është ashtu si e përshkruajnë armiqtë e profetëve, të cilët, me këto fyerje dhe shpifje ndaj tij, kërkojnë të shuajnë dritën që solli ai, me lejen e të Madhëruarit. Përkundrazi, ai është njeriu më i plotë në mendjen dhe moralin, që ia dhuroi Zoti i tij. Ai është më mendimdrejti dhe më fjalëmbli. - “Me të vërtetë, ai e pa atë (Xhibrilin) në horizontin e qartë lindor.” - Muhamedi (a.s.) e pa Xhibrilin (a.s.) në formën e tij të plotë, ashtu sikurse e ka krijuar Zoti i tij. Ai e pa atë tek fluturonte në horizontet e largëta. - “Ai (Muhammedi) kurrë nuk mund të jetë mbulues i së fshehtës, ...” - Ky profet i rëndësishëm nuk mund të jetë fshehës apo shtrembërues i të vërtetës së shpallur nga i Gjithëpushtetshmi. Ai është besniku i qiejve dhe i tokës dhe kurrsesi nuk mund të mendohet se mund të shtojë apo të pakësojë gjë prej Shpalljes. Profeti Muhamed (a.s.) e përcolli plotësisht Shpalljen dhe e çoi në vend amanetin e Zotit të tij. Ai ia kumtoi këtë të vërtetë të gjithëve: të pasurve dhe të varfërve, mbretërve dhe skllevërve, burrave dhe grave, të qytetëruarve dhe nomadëve. Ai u dërgua mes një populli të paditur, në skajet e injorancës, dhe nuk u largua nga kjo botë, derisa ata u shndërruan në dijetarë dhe edukatorë të njerëzimit. Ata u bënë udhëheqës dhe mësues të së mirës në botë. Bota nuk mundi të jetë më shumë se “nxënës” para popullit që edukoi ky profet i mëshirës dhe i mirësisë. Pasi lëvdoi me cilësitë më të larta të dy profetët e Tij, njëri melek dhe tjetri njeri, dhe pasi tregoi gradën e lartë të Kur'anit, Allahu i Lartësuar mohon çdo mangësi apo shpifje ndaj kësaj Shpalljeje të sigurt. I Lartësuari thotë: - “...dhe ai (Kur'ani) nuk është fjalë e Shejtanit të mallkuar,...” – Ky libër nuk mund të jetë kurrsesi fjalë e të Mallkuarit. Madje, i Mallkuari as që mund ta durojë këtë fjalë të madhe plot dritë dhe jetë. Ky është një mendim shumë i largët, që as duhet llogaritur fare. - “...prandaj, ku po shkoni?!” - Si është e mundur që t’ju shkojë kjo ndër mend?! Si mund të gjykoni në këtë mënyrë?! Si mund ta quani të vërtetën e sigurt nga Zoti i gjithësisë një gënjeshtër të trilluar nga Shejtani i mallkuar?! A nuk është ky një shtrembërim i paturpshëm i të vërtetës dhe realitetit?! Mësojeni dhe mbajeni mend mirë se kjo është shpallje e Atij që ka në dorë pushtetin e qiejve dhe të tokës. Kujtoni që në gjithësinë e krijuar prej Tij nuk ndodh asgjë pa lejen dhe vullnetin e Tij. Është vetë Ai që e ruan shpalljen e Tij të paprekshme dhe të pastër, ashtu si Ai dëshiron. - “Ai (Kur'ani) është veçse këshillë për njerëzit,...” – Kur'ani është këshillë dhe mësim për botët. Nëpërmjet tij, bota njeh Krijuesin dhe Sunduesin e saj me emrat e Tij të bukur, me cilësitë e Tij të larta dhe veprat e Tij të urta dhe plot mirësi e mëshirë. Nëpërmjet tij, njerëzit njohin Zotin, të Adhuruarin e tyre të pastër dhe të lartësuar nga çdo e metë. Në Kur'an, ata mësojnë si ta adhurojnë dhe ta madhërojnë Allahun e Lartësuar, duke zbatuar urdhrat e Tij. Kur'ani është drita, udhëzimi, mëshira dhe shërimi i tyre. Ai është udhërrëfyesi për të arritur mirësitë e dynjasë dhe të ahiretit dhe për të shpëtuar nga e keqja në dynja dhe ahiret. Ai është rruga drejt lumturisë në të dyja botët, rruga drejt Xhenetit të përjetësisë, pranë Zotit të gjithësisë. - “...për këdo prej jush që dëshiron të përqendrohet.” - Kjo ftesë është e vlefshme për të gjithë ata që dëshirojnë vërtet të mirën dhe lumturinë e tyre. Pas sqarimit të vërtetës nga e kota, të gjithë janë të barabartë në mundësinë për ta përqafuar atë, por kjo duhet që të kërkohet prej Allahut të Lartësuar. Çdokush që e kërkon udhëzimin prej Bujarit të Gjithëmëshirshëm, do ta arrijë atë. Besimi është dhuratë e Allahut të Lartësuar dhe vetëm Ai mund të udhëzojë tek e Vërteta. Për këtë arsye, Shpallja dhe i Dërguari i Allahut duhen trajtuar me respektin dhe dashurinë më të madhe, nëse duam që Ai të na udhëzojë në rrugën e drejtë. Më tej, i Madhëruari thotë: - “Po ju nuk mundeni të dëshironi, pa dëshiruar Allahu, Zoti i botëve!” - Dijeni se çfarë dëshiron Ai do të ndodhë patjetër dhe askush nuk mund të pengojë dëshirën e Tij. Allahu është i Urtë, i Gjithëditur dhe e vendos çdo gjë në vendin e vet. Ai udhëzon në rrugën e drejtë atë që e meriton udhëzimin dhe e lë në humbje atë që, me shpërfilljen e Shpalljes së Tij, e meriton humbjen. Ky ajet dhe të tjerë të ngjashëm me të, janë argumentet më të mira kundër xhebrive dhe kaderive 45.

Mus'haf Hape →
Junus 10:5–10:6 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… në qiej e në Tokë, ka fakte për njerëzit që i frikësohen (Allahut). - Allahu i Lartësuar përmend “ndërrimin e natës me ditën”. Kështu, kur vjen nata, …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- Është Ai që Diellin e bëri shndritës, ndërsa Hënën e bëri të shkëlqejë dhe i përcaktoi fazat e saj, që ju të dini numrin e viteve dhe të bëni përllogaritje (të kohës). - Allahu i Lartësuar flet rreth krijesave madhështore që ka krijuar, të cilat janë shenja të qarta treguese për pushtetin absolut dhe sundimin e Tij madhështor. Kështu, Ai e bëri Diellin të jetë shndritës, me rrezet që burojnë nga trupi i tij, ndërsa Hënën e bëri “të shkëlqejë”. Kështu, ndriçimi që vjen nga njëri është ndryshe nga ai që vjen nga tjetri. Allahu ka bërë dallime të dukshme mes tyre. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar përcaktoi fazat e Hënës. Fillimisht, ajo del e vogël, pastaj dalëngadalë zmadhohet e plotësohet, duke u forcuar edhe drita e saj, derisa bëhet si një rreth, plotësisht e rrumbullakët. Më pas, Hëna nis të hahet dalëngadalë, derisa kthehet përsëri në gjendjen e parë, ashtu sikurse ishte në përfundim të muajit. Ky ajet i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (përfundimtar). Ky është përcaktimi i Ngadhënjimtarit, i të Gjithëditurit. Edhe Hënës ia kemi caktuar fazat e saj, derisa të kthehet në formën e harkut (hurmës së tharë). As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata nuk mund ta kalojë ditën. Secili (trup qiellor) noton në orbitën e vet.” [Jasin 38 - 40]. Gjithashtu: “Ai është Krijuesi i dritës së mëngjesit. Natën e bëri për qetësi, kurse Diellin dhe Hënën për llogaritjen e kohës. Ky është caktim i Ngadhënjimtarit, të Gjithëditur.” [En'am 96]. Ndërsa në këtë ajet, Allahu i Lartësuar thotë: “...i përcaktoi fazat e saj, që ju të dini numrin e viteve dhe të bëni përllogaritje (të kohës).” Kështu, me lëvizjen e Diellit dhe të Hënës llogariten ditët, muajt, vitet. - Allahu e krijoi këtë veçse me të vërtetën e madhe. - Allahu i Madhëruar nuk i krijoi gjithë këto gjëra pa një qëllim, por i krijoi për një urtësi të madhe dhe si një argument të prerë dhe të pakundërshtueshëm, që tregon për madhështinë e pushtetin e Tij absolut. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Madhëruar: “Ne nuk e krijuam qiellin dhe tokën dhe ç'ka mes tyre, pa qëllim . Kështu mendojnë ata që nuk besojnë. Mjerë ata që nuk besojnë nga Zjarri (i Xhehenemit). ” Mos vallë, do t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira me ata që bëjnë shkatërrime në tokë? Apo mos vallë do t’i konsiderojmë njëlloj si të devotshmit dhe ata që janë gjynahqarë? ” [Sad 27 , 28], ose: “A menduat atëherë, ju se Ne ju patëm krijuar kot dhe se ju nuk do të ktheheshit te Ne (për llogari) ? I lartësuar qoftë Allahu, Sunduesi, i Vërteti! Nuk ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Tij. Ai është Zoti i Arshit të nderuar.” [Muminun 115, 116]. - Ai i sqaron argumentet për një popull të ditur. - Ne i qartësojmë argumentet dhe faktet për njerëzit. Por për cilët njerëz? Allahu i Lartësuar thotë: “... për një popull të ditur.” Domethënë, të diturit përfitojnë nga ajetet e qartësuara dhe argumentet e plota të sjella nga Allahu i Lartësuar. - Me të vërtetë, në ndërrimin e natës me ditën dhe në atë që krijoi Allahu në qiej e në Tokë, ka fakte për njerëzit që i frikësohen (Allahut). - Allahu i Lartësuar përmend “ndërrimin e natës me ditën”. Kështu, kur vjen nata, largohet dita, e kur vjen dita, largohet nata dhe nuk ndodh asnjë vonesë në kohën e ardhjes dhe largimit të tyre. Kjo ngjan me ajetin e Allahut të Lartësuar: “... Ai e mbulon ditën me natën, që me të shpejtë e kërkon atë sërish. Edhe Dielli, Hëna dhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. Vetëm Atij i takon Krijimi dhe Sundimi. I Madhëruar qoftë Allahu, Zoti i botëve! ” [ El ea’raf 54]. Ose: “ Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (përfundimtar). Ky është përcaktimi i Ngadhënjimtarit, i të Gjithëditurit. Edhe Hënës ia kemi caktuar fazat e saj, derisa të kthehet në formën e harkut (hurmës së tharë). As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata nuk mund ta kalojë ditën. Secili (trup qiellor) noton në orbitën e vet.” [Ja Sin 38 - 40], ose: “ Ai është Krijuesi i dritës së mëngjesit. Natën e bëri për qetësi, kurse Diellin dhe Hënën për llogaritjen e kohës. Ky është caktim i Ngadhënjimtarit, të Gjithëditur.” [En’am 96]. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: “... dhe në atë që krijoi Allahu në qiej e në Tokë, ka fakte për njerëzit që i frikësohen (Allahut).” Domethënë, edhe në këto ka shenja, që na tregojnë qartë madhështinë e Allahut të Lartësuar, siç thuhet në ajetin tjetër: “Sa e sa argumente ka në qiej e në tokë, pranë të cilave kalojnë, por u kthejnë shpinën.” [Jusuf 105], ose: “Thuaj: “Vështroni me vëmendje atë që ndodhet në qiej dhe në Tokë! Por, as argumentet dhe as qortimet nuk u bëjnë dobi atyre që nuk besojnë.” [Junus 101], ose: “A nuk shohin ata çfarë ka para dhe pas tyre në qiell dhe në tokë? Nëse do të dëshironim, Ne do t’ua shembnim tokën nën këmbë ose do të bënim që të binin copa (dënimi) nga qielli mbi ta. Me të vërtetë, në këtë ka argument për çdo rob që kthehet (tek Allahu) i penduar e i bindur. ” [Sebe’ 9], ose: “Në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në ndryshimin e natës e të ditës ka argumente të qarta për ata që kanë mend.” [Al Imran 190]. Ka argumente për ata që janë të ditur e të mençur. Ndërsa në këtë ajet, Allahu i Lartësuar thotë: “ ... ka fakte për njerëzit që i frikësohen (Allahut).” Pra, për ata që janë të pajisur me takua. Ata i frikësohen zemërimit dhe ndëshkimit të Allahut.

Mus'haf Hape →
Ali Imran 3:190–3:194 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… dhe i pafuqishëm kundrejt Zotit të qiejve dhe të tokës. - “...ka argumente të qarta për ata që kanë mend.” - Allahu i Lartësuar na thotë në këtë ajet se këto …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në ndryshimin e natës e të ditës ...” - Ky ajet është nxitje për adhuruesit, që ata të mendojnë thellë rreth këtyre shenjave madhështore, siç është krijimi i qiejve dhe i tokës dhe shenja të tjera. Në këtë ajet, fjala ‘âjât’ - argumente është në trajtën e pashquar, domethënë, nuk është përcaktuar se për çfarë drejtimi shërbejnë këto argumente. Kjo është bërë, së pari, për të treguar se argumentet e përfituara nga vrojtimi dhe meditimi mbi krijimin e qiejve dhe tokës janë të shumta dhe, së dyti, për të treguar se ato argumente janë gjithëpërfshirëse e jo vetëm për një lëmë të caktuar dijesh. Është e vërtetë se shenjat që shfaqen në qiej dhe në tokë mrekullojnë çdo vështrues. Ato janë shumë bindëse për ata që mendojnë thellë rreth tyre dhe janë tërheqëse e lumturuese për zemrën e çdo njeriu të sinqertë. Ato udhëzojnë mendjet e ndritura rreth qëllimeve dhe të vërtetave hyjnore. Krijesat mund të shohin në këto shenja aq sa u ka mundësuar i Urti, ndërsa për sa u përket imtësive që fshihen brenda tyre, krijesat nuk mund ta konceptojnë plotësisht, pasi të kuptuarit dhe njohuritë e tyre janë shumë të kufizuara. Megjithatë, diçka është shumë qartë: madhësia dhe gjerësia e qiejve dhe e Tokës, rregulli i përpiktë i çdo lëvizjeje të vendosur në të, dëshmojnë fort për madhështinë e Krijuesit të tyre dhe të pushtetit të Tij. Përpikmëria dhe rregulli fantastik që ekziston në qiej dhe në Tokë, bukuria e krijimit dhe detajet e mrekullueshme që shfaqen në çdo lëvizje brenda tyre janë dëshmues të padiskutueshëm për urtësinë e të Gjithëditurit, që vendos gjithçka në vendin që i takon, për dijen e Tij të pakufishme për gjithçka që ka krijuar. Çdo gjë e dobishme për krijesat që ndodhet në qiej në tokë dhe mes tyre, tregon për mëshirën dhe bujarinë e madhe të Mëshiruesit, si edhe për detyrën e falënderimit dhe të mirënjohjes ndaj Tij. Pa dyshim, të tilla përsiatje bëjnë që zemra e njeriut të lidhet ngushtë me Krijuesin e këtyre mrekullive, me Atë që i solli në ekzistencë pas inekzistencës, pa pasur nevojë për ndonjë shembull të mëparshëm. Këto shenja madhështore nxisin këdo që mendon drejt dhe me qetësi që të përpiqet maksimalisht për të kënaqur Allahun e Lartësuar, duke e adhuruar Atë si Një, të Vetëm e të Pashoq në çdo aspekt. Ato nxisin që robi t’i përkushtohet Allahut me dashuri, madhërim, frikërespekt, shpresë dhe bindje të plotë, duke iu larguar adhurimit dhe bindjes ndaj çdo krijese, e cila nuk ka asnjë pushtet dhe mundësi në qiej dhe në tokë. Çdo i krijuar është i varfër, i dobët dhe i pafuqishëm kundrejt Zotit të qiejve dhe të tokës. - “...ka argumente të qarta për ata që kanë mend.” - Allahu i Lartësuar na thotë në këtë ajet se këto shenja ndikojnë vetëm tek të mençurit, të urtët e të maturit. Ata që përfitojnë vërtet prej shenjave të Zotit janë njerëzit që vështrojnë drejt tyre me sytë e mendjes, jo vetëm me sytë e ballit. Pastaj Allahu i Lartësuar na përshkruan gjendjen e këtyre fatlumëve: - “Janë ata që e përmendin Allahun, kur janë në këmbë, kur janë ulur dhe kur janë shtrirë.” – Ata e kujtojnë Allahun në çdo gjendje: kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë shtrirë apo të mbështetur. Këtu bëhet fjalë edhe për namazin, pra, ata e falin namazin në këmbë, e nëse nuk munden, e falin ulur, e nëse nuk munden as ulur, e falin shtrirë. - “Ata thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve dhe të Tokës... ” – Ata meditojnë rreth qëllimit të krijimit të tyre dhe i shohin si argumente të qarta. Kjo tregon se meditimi për nxjerrjen e urtësive apo dobive të krijimit konsiderohet si adhurim, madje si një nga cilësitë më të spikatura të të dashurve të Allahut. Kur meditojnë rreth këtyre shenjave, ata dalin në përfundimin se çdo gjë nuk është krijuar kot e pa qëllim, prandaj thonë: - ““Zoti ynë! Këtë nuk e ke krijuar kot. Ti je i pastër nga çdo e mete.” – Kuptimi: Mangësia në emrat, cilësitë dhe veprat e Allahut është e pamundur. - “Na ruaj prej dënimit të Zjarrit! ” - Kuptimi: Na ruaj nga dënimi i Zjarrit, duke na ruajtur në këtë jetë nga mendimet, fjalët dhe veprat e këqija, si dhe duke na dhënë sukses për vepra të mira. Vetëm me suksesin dhe mëshirën e dhuruar prej Teje mund të shpëtojmë nga Zjarri. Kërkesa për të shpëtuar nga Zjarri është në vetvete edhe lutje për t'u futur në Xhenet. Kështu, frikërespekti në zemrat e medituesve i shtyn ata që të luten për gjërat më të rëndësishme. - “Zoti ynë! Atë që Ti e fut në Zjarr, e ke mbuluar me turp.” - Atë që i Gjithëdituri, i Urti e i Drejti e fut në Zjarr, ai do të jetë i poshtëruar, sepse meriton zemërimin dhe dënimin e të Gjithëmëshirshmit. Ai do të jetë i poshtëruar, për shkak të zemërimit të Allahut, të melekëve dhe të të dashurve të Allahut. Ata do të turpërohen përpara gjithë krijesave dhe kurrë nuk mund t'i shmangen këtij poshtërimi. Askush nuk do të mund t'i shpëtojë ata nga ky turp. I Madhëruari ua kujton atyre këtë fakt, kur thotë: - “Për keqbërësit nuk ka asnjë ndihmëtar.” - E kush mund t'i shpëtojë ata nga ndëshkimi i të Urtit, të Drejtit?! Fjala ‘dhalimin’ pra keqbërës dhe i padrejtë, tregon se ata do të hyjnë në Zjarr për shkak të ligësive dhe padrejtësisë së tyre. - “Zoti ynë ! Ne dëgjuam një thirrës që ftonte për Besim (e që thoshte) : “Besoni në Zotin! ”” - Këtu është fjala për Muhamedin (a.s.), sepse ai i ftoi njerëzit në besimin e pastër monotesit dhe i nxiti ata që ta pasojnë rrugën e shpëtimit. Ai i tregoi të gjitha piketat e kësaj rruge. Profeti (a.s.) sqaroi si themelet e besimit të vërtetë ashtu edhe degëzimet e tij. - “E ne besuam!” – Kuptimi: Ne iu përgjigjëm thirrjes së tij dhe shpejtuam drejt udhës së treguar prej tij. Në këtë lutje të mrekullueshme që këta fatlumë i drejtojnë Allahut të Lartësuar ka ngjyra të forta mirënjohjeje dhe dashurie për Atë që u dhuroi besimin. Ajo është gjithashtu një kërkesë me edukatë, përgjërim dhe përulje, që Allahu t'ua vazhdojë dritën që ua ka dhënë fillimisht. Ky është një ndërmjetësim i mrekullueshëm tek i Madhëruari me një nga mënyrat më të bukura të ndërmjetësimit: me veprat e mira të kryera për hir të Tij . Është vetëm suksesi i falur nga Bujari, që i bëri këta njerëz që të luten me të tilla fjalë. - “Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona, na i mbulo të metat, ” - Pra, pas kësaj hyrjeje me edukatë, vjen lutja për falje e mbulim gjynahesh dhe lutja për sukses në kryerjen e veprave të mira, të cilat i fshijnë të këqijat. Kjo është shprehje e bindjes së patundur se Ai që u dhuroi mirësinë e besimit të pastër dhe të vërtetë , po Ai do t'ua japë shpëtimin e përjetshëm. - “...ndërsa pas vdekjes na bashko me të mirët!” - Ata i luten Allahut që t’u japë sukses në kryerjen e të mirave dhe në lënien e të këqijave, sepse vetëm në këtë mënyrë robi mund të quhet ‘vepërmirë’. Kjo është, gjithashtu, lutje për të qenë i vazhdueshëm e sistematik në këtë rrugë të mirë, deri në vdekje. - “Zoti ynë! Na e dhuro atë që na e ke premtuar nëpërmjet të Dërguarve të Tu dhe mos na turpëro Ditën e Kijametit! Vërtet Ti nuk e shkel premtimin .” - Këta fatlumë, pasi kujtojnë me falënderim dhe mirënjohje të thellë suksesin që Allahu i Lartësuar u ka dhënë me udhëzimin në besim, dhe pasi i luten që t'ua plotësojë deri në fund këtë mirësi, ata kërkojnë shpërblimin që Allahu u ka premtuar nëpërmjet profetëve të Tij, - që t'i ndihmojë dhe t'i bëjë fitues në këtë jetë, ndërsa në jetën tjetër t’i shpëtojë nga çdo e keqe dhe t’u japë mirësitë e pafundme në Xhenet. Dhe Allahu i Lartësuar nuk e shkel kurrë premtimin, prandaj Ai i përgjigjet lutjes së tyre dhe i mëshiron ata.

Mus'haf Hape →
Shura 42:51–42:53 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… për t’u larguar prej tyre. Pastaj Allahu i Lartësuar përcakton më mirë se cila është rruga e drejtë: - “...Në rrugën e Allahut, të Cilit i takon ç'ka në qiej dhe ç'ka në Tokë …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Mohuesit e Zotit dhe të profetëve të Tij thoshin: “Pse të mos na flasë vetë Zoti, ose të na sjellë ndonjë shenjë të madhe?!” Kjo qe vërtet një arrogancë nga ana e tyre. Kësaj kërkese të paturpshme, Allahu i Lartësuar i përgjigjet duke treguar se cilat janë format e ardhjes së Shpalljes hyjnore: - “Allahu nuk i ka folur njerëzve përveçse me anë të (frymëzimit të) shpalljes,..” – Në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar e jep mesazhin e Tij duke e hedhur atë drejt e në zemrën e profetit, pa i folur drejtpërdrejt dhe pa ndërmjetësinë e Melekut të Shpalljes (Xhibrilit a.s.) apo të melekëve të tjerë. Kjo është njëra formë e Shpalljes. Forma e dytë është: - “...ose pas një perdeje ...” - Në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar i flet vetë profetit, por pas perdes. Pra, profeti e dëgjon Krijuesin e tij, por nuk e sheh Atë. Kështu iu shpall revelata Musait (a.s.), i cili u quajt edhe “ Kelîmur-rahmân” (ai të cilit Mëshiruesi i foli). Po këtë mënyrë iu shpall Muhamedit (a.s.) detyrimi i pesë namazeve ditore, kur u ngjit në qiell Natën e Israsë dhe të Mi’râxhit. Mënyra e tretë e Shpalljes është: - “....ose me anë të një të dërguari (meleku), që i shpall – me lejen e Tij – atë që Ai do..” - Allahu i Lartësuar dërgon te profeti një lajmëtar prej melekëve, si Xhibrili apo ndonjë melek tjetër, dhe i përcjell atij çfarë Ai dëshiron. Këtu, Allahu i Lartësuar bën dy cilësime shumë të rëndësishme, kur thotë, së pari: “ me lejen e Tij”, pra, jo kur dhe si dëshiron meleku apo njeriu, por kur dhe si dëshiron Allahu. Së dyti, Ai cilëson: “ atë që Ai do ”, pra, atë që do Zoti dhe jo atë që do meleku apo njeriu. - “Vërtet, Ai është më i Larti, më i Urti.” - Allahu i Madhërishëm është më i Larti në Qenien e Tij, më i Larti dhe i Madhërishmi në cilësitë dhe emrat e Tij, më i Larti dhe i Urti në veprat e Tij. Para krenarisë dhe madhështisë së Tij është nënshtruar çdo krijesë. Të gjithë janë krijesa të varfra, të nënshtruara dhe nevojtare për mëshirën dhe përkujdesin e Tij dhe vetëm Allahu është i Lartësuari, i Madhërishmi, që nuk ka nevojë për asgjë. Askush nuk është i përafërt apo i ngjashëm me Allahun. Ai është Urti, që gjithçka e vendos në vendin që i takon. Urtësia e Tij është absolutisht e plotë si në aspektin e krijimit, ashtu edhe në aspektin e ligjeve, që Ai u solli njerëzve përmes librave dhe profetëve të Tij. - “Po kështu Ne të shpallëm ty Libër (jetëdhënës) prej Nesh.” – Kuptimi: Ashtu sikurse u dhamë mesazhe profetëve para teje, edhe ty po të shpallim këtë Kur'an madhështor. Allahu i Lartësuar e ka quajtur Kur'anin Rûh - Shpirt, sepse ashtu sikurse trupi nuk jeton dot pa shpirtin, ashtu edhe zemrat e njerëzve nuk mund të jetojnë pa Kur'anin. Ky libër u jep jetë zemrave dhe, nëpërmjet tij, njerëzit përfitojnë nga mirësitë e dynjasë dhe të fesë. Kur'ani është një mirësi thjesht e dhuruar nga Zoti për profetin e Tij dhe për besimtarët, pa asnjë përpjekje prej tyre, prandaj i Lartësuari thotë: - “Ti nuk dije çfarë ishte Libri dhe as ç’ishte imani,...” - Kuptimi: Para Shpalljes së Kur'anit, ti nuk dije gjë rreth librave të mëparshëm të shpallur nga Allahu i Lartësuar. Ti nuk kishe dijeni për imanin dhe as për ligjet fetare të kaluara, të përcaktuara nga Zoti për profetë dhe popuj të ndryshëm. Ti ishe thjesht një ummij, që nuk dinte shkrim e lexim. Megjithatë, është Allahu Ai që të përzgjodhi ty për të të dhuruar këtë libër madhështor, këtë dritë, me të cilën njerëzit shohin dhe gjejnë rrugën e drejtë të adhurimit të një Zoti të vetëm. - “...por Ne e bëmë atë dritë, me të cilën e udhëzojmë në rrugë të drejtë atë që Ne dëshirojmë prej robve Tanë..” - Nëpërmjet Kur'anit, njerëzit shohin të ndriçuar rrugën për të shkuar tek Allahu i Dashur dhe i Lartësuar. Drita e Kur'anit largon errësirat e kufrit, të idhujtarisë dhe të çdo lloj devijimi. Ai është drita që e shpëton robin nga errësirat dhe greminat e dëshirave të shfrenuara dhe të poshtra, që sjellin veçse shkatërrim dhe dëshpërim. Nëpërmjet Kur'anit, adhuruesit e Allahut shohin qartë realitetin e kësaj bote dhe e trajtojnë gjithçka ashtu sikurse e meriton. Ai është rruga e drejtë e Allahut, dhe nuk ka rrugë tjetër që të afron tek Ai, veç asaj që është e ndriçuar nga ky libër. - “Pa dyshim, edhe ti udhëzon në rrugën e drejtë,..” - Allahu i Lartësuar e përgëzon dhe inkurajon Profetin e Tij, duke i kujtuar se edhe ai si profet është udhëzues për në rrugën e drejtë. Udhëzimi që bën një profet është qartësimi i plotë i rrugës së drejtë, me fakte dhe argumente të pakundërshtueshme, duke nxitur njerëzit për ta ndjekur këtë rrugë. Pjesë e udhëzimit që bën profeti është, gjithashtu, edhe sqarimi i rrugëve të së keqes dhe thirrja për t’u larguar prej tyre. Pastaj Allahu i Lartësuar përcakton më mirë se cila është rruga e drejtë: - “...Në rrugën e Allahut, të Cilit i takon ç'ka në qiej dhe ç'ka në Tokë.” - Rruga e drejtë është rruga që Allahu, Krijuesi dhe Sunduesi i qiejve dhe Tokës e solli dhe e bëri të qartë për njerëzit, nëpërmjet profetëve të Tij dhe librave të shenjtë. Vetëm kjo është rruga që të çon tek Ai dhe të fut në Xhenetin e mirësive. Për këtë arsye, le të zgjedhë gjithësecili rrugën dhe fjalët ku bazohet. Por le të kujtojë edhe një fakt shumë të rëndësishëm: - “ Ta dini, se tek Allahu kthehen të gjitha çështjet..” - Le të kujtojmë vazhdimisht se, do të vijë një ditë, kur të gjitha veprat tona do të llogariten nga i Drejti e i Gjithëdituri. Nëse kemi punuar mirë dhe sipas besimit të drejtë të bazuar në Librin e Allahut, shpërblimi ynë do të jetë Xheneti dhe kënaqësia e përjetshme pranë Krijuesit. Por nëse kemi shpërfillur Shpalljen e Allahut dhe nuk kemi punuar me sinqeritet, atëherë fundi do të jetë Xhehenemi - Allahu na ruajtë prej tij! Këtu përfundon tefsiri i sures Esh-shûrâ. Falënderimi dhe lavdia e plotë i qoftë Allahut të Madhërishëm, fillim e mbarim, haptas dhe fshehtas, për lehtësimet dhe dhuratat e Tij bujare!

Mus'haf Hape →
Ali Imran 3:190–3:194 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… Sa e sa argumente ka në qiej e në tokë, pranë të cilave kalojnë, por u kthejnë shpinën." [Jusuf 105]. Ose: "Shumica e tyre e besojnë Allahun veçse duke bërë …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- Në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në ndryshimin e natës e të ditës ka argumente të qarta për ata që kanë mend. - Vështroni qiejt, me lartësinë dhe gjerësinë e tyre! Vështroni edhe Tokën, se si Allahu e ka shtruar dhe e ka bërë të ngjeshur. Vështroni të gjitha ato shenja të dukshme madhështore, që Allahu i Madhëruar ka vendosur mes Tokës dhe qiejve: yjet dhe planetet që lëvizin apo ato që qëndrojnë; detet, tokën e thatë, kafshët, bimësinë, mineralet e shumta dhe dobitë e panumërta të llojllojshme, që janë të ndryshme në shijen, ngjyrat dhe aromat e tyre. Pastaj i Madhëruari thotë: "...dhe në ndryshimin e natës e të ditës...". Pra, vështroni ndërrimin e natës dhe të ditës dhe ndryshimet e shumta mes tyre. Shikoni se si ato zgjaten dhe shkurtohen apo edhe kur janë të barabarta me njëra tjetrën. Domethënë, të gjitha këto janë përcaktim i Allahut, që është Krenari, Ngadhënjimtari dhe Nënshtruesi i gjithçkaje. Ai është i Gjithëdituri për gjithçka që Ai ka krijuar dhe çdo rregull që ka vendosur. Allahu i Madhëruar thotë: "...ka argumente të qarta për ata që kanë mend." Në të gjitha këto shenja, ka dëshmi të qarta për ata që janë të ditur e që vështrojnë me kujdes. Përfituesit e vetëm janë mendjet e shëndosha e të pastra, të cilat arrijnë të shohin dhe konceptojnë drejt realitetin e gjërave. Këta nuk janë si shurdhët dhe memecët, të cilët nuk logjikojnë; nuk janë si ata për të cilët Allahu i Madhëruar thotë: "Sa e sa argumente ka në qiej e në tokë, pranë të cilave kalojnë, por u kthejnë shpinën." [Jusuf 105]. Ose: "Shumica e tyre e besojnë Allahun veçse duke bërë idhujtari." [Jusuf 106]. Në vijim, Allahu i Lartësuar përshkruan të urtët dhe të mençurit, duke thënë: - Janë ata që e përmendin Allahun, kur janë në këmbë, kur janë ulur dhe kur janë shtrirë. - Në dy Sahih-ët vjen hadithi nga Umran Ibn Husejni, se Profeti ﷺ ka thënë: 618 . “Falu në këmbë! Nëse nuk mundesh, falu ulur! Nëse nuk mundesh, atëherë falu i mbështetur në krah!” Kështu, ata nuk i sheh asnjëherë që ta ndërpresin përmendjen e Zotit në të gjitha gjendjet e tyre, qoftë në vetvete, me zemër dhe me mendje, qoftë me gjuhë. - Ata thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve dhe të Tokës (duke thënë): “Zoti ynë! Këtë nuk e ke krijuar kot. Ti je i pastër nga çdo e mete. Na ruaj prej dënimit të Zjarrit! - Ata arrijnë që ta kuptojnë qartë dhe ta shohin kthjell ët këtë krijim të qiejve dhe të Tokës, ato urtësi të mrekullueshme dhe madhështore, të cilat janë treguese të madhështisë së Krijuesit. Ato tregojnë, gjithashtu, diturinë absolute dhe urtësinë e gjerë dhe të pashembullt të Tij. Ato tregojnë se është Allahu i Lartësuar Ai që vendos dhe zgjedh për gjithçka që ekziston në këtë botë. Por ato dëshmojnë edhe për mëshirën e Tij gjithëpërfshirëse. Sufjan Ibn Ujejneh ka thënë: “Forca medituese dhe mprehtësia e të menduarit është dritë, që hyn në zemrën tënde. Ndoshta kjo dritë mund të shprehet ndryshe edhe me këto vargje. Kushdo që zotëron mprehtësi në mendim, çdo gjë që ai sheh, prej saj merr mësim. Përcillet se Ibn Abasi ka thënë: “Dy rekatë namaz, qoftë edhe të shkurtër, por duke medituar dhe duke qenë i përqendruar me mendjen, zemrën dhe shpirtin tënd, janë më të mirë se të falesh gjatë gjithë natës me zemër të shpërqendruar.” Kur dëshironte që të përmirësonte zemrën e vet, Ibn Umeri shkonte në një vend të shkretë (ose në varreza mbase), qëndronte në hyrje të tij dhe thërriste me një zë të trishtuar dhe të dhimbshëm: "Ku janë banorët e tu! Ku janë banorët e tu!" Pastaj i kthehej vetvetes dhe thoshte: " Çdo gjë, përveç Atij do të zhduket. Vetëm Atij i takon i gjithë Gjykimi dhe tek Ai do të ktheheni të gjithë!” [Kasas 88]. El Haseni përcjell se Amir Ibn Abdul Kajsi ka thënë: “Kam dëgjuar - jo një, as dy e as tre, - por shumë nga sahabët e Profetit ﷺ ,që thoshin: “Me të vërtetë, nuri i besimit është pikërisht ai që quhet tefekkur, pra, meditimi dhe përsiatja thellë me zemër.” Allahu i Madhëruar i ka qortuar rëndë ata të cilët nuk nxjerrin mësime nga krijesat e Tij, që janë dëshmi e qartë e ekzistencës së Tij, na tregojnë për cilësitë e Tij të mrekullueshme, na tregojnë për Sheriatin që Ai ka zgjedhur për ne dhe për kaderin e Tij, pra, për ligjin e ekzistencës dhe të funksionimit të saj. Krijesat janë shenjat madhështore të Allahut të Madhëruar: “Sa e sa argumente ka në qiej e në tokë, pranë të cilave kalojnë, por u kthejnë shpinën. Shumica e tyre e besojnë Allahun veçse duke bërë idhujtari.” [Jusuf 105, 106]. Nga ana tjetër, Ai i ka lavdëruar robërit e Tij besimtarë, duke thënë: " Ata thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve dhe të Tokës". Pra, meditojnë mbi krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe thonë: “Zoti ynë! Këtë nuk e ke krijuar kot, nuk e ke krijuar pa qëllim. Përkundrazi, e ke krijuar për një të vërtetë të madhe: për t’i ‘shpërblyer’ ata që bëjnë vepra të këqija me ndëshkim, dhe për t’i shpërblyer ata që bëjnë vepra të mira me mirësi të mëdha.” Pastaj këta të zgjedhur, që meditojnë mbi krijesat e Allahut, e dëlirësojnë Allahun e Madhëruar nga çdo mangësi dhe çdo vepër kotësie, duke thënë: "Ti je i pastër nga çdo e metë! I Dëliri je Ti, o Zot! Nuk ka mundësi që Ti të krijosh diçka, pa një qëllim të lartë, që të zbulojë të vërtetën dhe drejtësinë. Gjithçka që ke krijuar është e drejtë, tregon drejtësinë dhe është ndërtuar mbi drejtësinë. Ti je i Pastër dhe i Dëlirë nga të gjitha mangësitë dhe kotësitë.” 160 Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: "Na ruaj prej dënimit të Zjarrit!” Na ruaj me forcën dhe pushtetin tënd për të ndryshuar gjendjen! Me pushtetin Tënd për të dhuruar gjithçka, na e lehtëso që të bëjmë ato vepra me të cilat Ti je i kënaqur! Na udhëzo, o Zot, përmes këtyre veprave, në kopshtet e mirësive dhe na ruaj nga ndëshkimi Yt i dhembshëm! Pastaj ata thonë: - Zoti ynë! Atë që Ti e fut në Zjarr, e ke mbuluar me turp. Për keqbërësit nuk ka asnjë ndihmëtar. - Atë e ke poshtëruar përpara të gjithë krijesave, që do t’i tubosh Ditën e Gjykimit. Zullumqarët nuk kanë ndihmës atë ditë. Ata nuk mund të gjejnë mbrojtës, që t’i strehojë dhe mbrojë prej Teje dhe ndëshkimit Tënd, o Zot! Ata ata nuk mund t’i shpëtojnë dhe nuk mund t’i fshihen ndëshkimit Tënd! - Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës që ftonte për besim (e që thoshte): “Besoni në Zotin!” e ne besuam. - Ne dëgjuam një thirrës, që na ftonte të besonim, dhe ai ishte Profeti, i cili thoshte: “Besoni Zotin tuaj!” Dhe ne të besuam, o Zoti ynë! Kështu, ne iu përgjigjëm Profetit dhe pasuam rrugën dhe Sheriatin, që ai e solli prej Teje. - Zoti ynë, na i fal gjynahet tona, nai mbulo të metat, - Për hir të imanit tonë dhe meqë iu përgjigjëm thirrjes për të pasuar Profetin Tënd, na i fal gjynahet dhe na i mbulo ato, o Zoti ynë! Na i mbulo dhe na i fal të këqijat që kemi bërë në raportin tonë me Ty! - ndërsa pas vdekjes na bashko me të mirët! - Na bashko me ata që ishin punëmirë (es-sâlihin). - Zoti ynë! Na e dhuro atë që na e ke premtuar nëpërmjet të dërguarve të Tu - Përmes gjuhës së profetëve dhe shpalljeve, që sollën nga Zoti. - dhe mos na turpëro Ditën e Kijametit! Vërtet Ti nuk e shkel premtimin.” - Mos na poshtëro, o Zot, përpara të gjitha krijesave në Ditën e Gjykimit, ditë për të cilën ke premtuar se do të ndodhë, dhe kjo nuk ka dyshim. Na jep, o Zot, atë që na ke premtuar, sepse Ti nuk e thyen premtimin, që ke dhënë nëpërmjet profetëve të Tu! Qëndrimi para Teje do të ndodhë, dhe kjo nuk asnjë ka dyshim! Është përcjellë saktësisht fakti se Profeti ﷺ i lexonte këto ajete kur ngrihej për të falur namaz nate. Buhariu sjell këtë rrëfim nga Ibn Abasi (r.a): 619 . “Isha një ditë tek halla ime, Mejmunete. Atje, Profeti ﷺ ,pasi bisedoi me familjen e tij për njëfarë kohe, u shtri për të fjetur gjumë. Kur erdhi një e treta e fundit e natës, ai u ngrit, qëndroi ulur dhe duke vështruar drejt qiellit, tha: “Në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndryshimin e natës e të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë mend.” Pastaj u ngrit, mori abdes dhe përdori misvakun, pastaj fali 11 rekatë. Pastaj, Bilali thirri ezanin dhe ai fali edhe dy rekatë të tjerë. Më pas, ai doli dhe fali me njerëzit namazin e sabahut.” Kështu e ka sjellë Muslimi, ndërsa Ebu Daudi e sjell me versione të tjera përmes rrugës së Marhames. Ibn Merdevejhi përcjell nga Atau, i cili ka thënë: 620 . “Një ditë, së bashku me Ibn Umerin dhe Ubejd Ibn Umejrin, shkuam tek Aishja , - Allahu qoftë i kënaqur prej saj! -. Mes nesh dhe asaj ishte një perde. Ajo tha: “O Ubejd, përse nuk vjen më shpesh vizitë tek ne?” Ubejdi tha: "Si thonë fjalët e atij poeti: ‘Vizito më rrallë, që të kesh më shumë dashuri dhe që dashuria të jetë më e madhe.’ Ibn Umeri tha: “Na trego për gjënë më të çuditshme që ke parë nga Profeti i Allahut!” Atëherë, Aishja qau dhe tha: “E gjithë jeta e tij ishte e çuditshme. Erdhi njëherë vonë gjatë natës sime [radha ime], e m’u afrua aq sa lëkura e tij preku lëkurën time. Pastaj më tha: “Më lejo, të lutem, që të ngrihem dhe të adhuroj Zotin tim Krenar dhe të Lartësuar!” Unë i thashë: Për Zotin! Unë vërtet dëshiroj që të jem pranë teje, por dëshiroj, gjithashtu, edhe që ti ta adhurosh Zotin tënd!” Ai u shkoi tek ena me ujë dhe mori abdes, pa e tepruar me harxhimin e ujit, pastaj u ngrit dhe nisi të falej. Lotoi aq shumë gjatë namazit, saqë iu njom edhe mjekra, ndërsa kur ra në sexhde, lagu edhe tokën. Pastaj u shtri në krah, dhe sërish qante, derisa erdhi Bilali, që të thërriste ezanin për namazin e sabahut. Thotë Aishja: “O i Dërguari i Allahut, - tha Bilali -! Përse qan ti, kur dihet që Allahu të ka falur gjynahet e shkuara dhe ato të mëvonshmet?!” Profeti i Allahut i tha: “I gjori ti, o Bilal! E si të mos qaj, kur Allahu më zbriti sot këto ajete: “Në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndryshimin e natës e të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë mend. ...”” Pastaj tha: “Mjerë për atë që i lexon ato dhe nuk mediton rreth tyre!” Hasen Ibn Abdulazizi përcjell nga El Euzai se atë e kanë pyetur njëherë: “Cili është kutpimi, kur themi se duhet të meditojmë në këto ajete?” Ai u përgjigj: “Domethënë, ti lexosh ato me kujdes, që të mund t’i kuptosh qartë dhe meditosh rreth tyre. Ky është meditimi.”

Mus'haf Hape →
Kehf 18:25–18:26 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… së qiejve dhe të tokës dhe, si e tillë, dihet veçse nga Zoti. - Thuaj: “Allahu e di më së miri sa kanë qëndruar. Atij i takon fshehtësia e qiejve dhe e tokës …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Në ajetet e mësipërme, Allahu i Madhëruar e ndaloi Profetin e Tij që të pyeste ehli kitab-ët për këtë çështje, sepse ata flisnin pa fakte dhe vetëm hamendësonin. Allahu është i Gjithëdituri, që di çdo të fshehtë, prandaj Ai e njoftoi Profetin e Tij për kohën e qëndrimit të tyre në shpellë, duke bërë të qartë se vetëm Allahu e di më së miri: - Ata qëndruan në shpellën e tyre treqind vjet (diellorë) duke shtuar nëntë (për vitet hënore). - Kjo është një çështje prej fshehtësisë së qiejve dhe të tokës dhe, si e tillë, dihet veçse nga Zoti. - Thuaj: “Allahu e di më së miri sa kanë qëndruar. Atij i takon fshehtësia e qiejve dhe e tokës. - Këto të fshehta, nëse do Ai, i shfaq përmes të dërguarve të Tij. Gjithçka që profetët flasin në emër të Tij është e vërteta e sigurt, që nuk mund të vihet në dyshim. E nëse Allahu nuk ua ka treguar të dërguarve të Tij diçka, atëherë nuk ka krijesë tjetër që ta dijë. - Sa qartë shikon Ai (gjithçka) dhe sa mirë dëgjon Ai (gjithçka)! - Kjo është një fjali habitore, që tregon madhështinë dhe gjithëpërfshirjen e diturisë, shikimit dhe dëgjimit të Zotit. Allahu shikon dhe dëgjon gjithçka. Allahu e thotë këtë pasi na tregoi për dijen e Tij gjithëpërfshirëse dhe absolute. Pastaj i Madhëruari na njofton se Ai është mbrojtësi e rregulluesi i të gjitha çështjeve të botës. Ai është Mbrojtësi, Kujdestari dhe i Dashuri i besimtarëve, që kujdeset për ta në mënyrë të veçantë. Ai i nxjerr ata prej errësirave në dritë dhe ua lehtëson çështjet. Ai i ruan e i shpëton ata nga vështirësitë e vuajtjet dhe i ruan nga devijimet. Allahu i Madhëruar përmend këtu dy llojet e përkujdesjes: të përgjithshmen dhe të posaçmen. E dyta është vetëm për të zgjedhurit e Tij, siç thuhet në vijim: - Përveç Tij (Allahut) ata (njerëzit) nuk kanë asnjë Mbrojtës. – Ishte Allahu Ai që u kujdes për të rinjtë e shpellës, me butësinë, mëshirën dhe bujarinë e Tij. Këtë çështje nuk ia la në dorë asnjë krijese të Tij. - Në Vendimin e Tij nuk mund t’i përzihet askush. - Këtu bëhet fjalë për ligjin e Tij të vendosur për krijesat, që ata ta zbatojnë. Ai është i vetmi që i vendos ligjet e krijimit dhe të funksionimit të kësaj bote, por edhe ligjet e dispozitat, sipas të cilave krijesat duhet të jetojnë. Ai është Ligjvënësi për krijesat. Ai projekton gjithçka me kaderin e Tij, pastaj e krijon atë dhe e bën të ekzistojë dhe të funksionojë në krijimin e Tij. Allahu rregullon dhe mbikqyr funksionimin e gjithçkaje në këtë botë. Është Allahu, gjithashtu, që u vendos krijesave ligjin dhe rregullat e besimit dhe të fesë. Ai vendos urdhëresat dhe ndalesat, si dhe kufijtë ku duhet të qëndrojnë. Është Ai që ka vendosur ligjin e shpërblimit dhe të ndëshkimit, në varësi të zbatimit ose jo të dispozitave të Tij. Allahu na tregon se vetëm Ai i di fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës dhe se krijesat nuk mund të dinë asgjë rreth këtyre të fshehtave ndryshe, por veçse përmes rrugës që Ai ka dashur, pra, përmes shpalljeve dhe profetëve. Duke qenë se Kur’ani përmban shumë nga këto fshehtësi, Allahu i Madhëruar thotë:

Mus'haf Hape →
Rad 13:16 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

- Pyeti: “Kush është Zoti i qiejve dhe i tokës!” Thuaju: “Allahu!” - Drejtoju këtyre idhujtarëve, që, veç Allahut, adhurojnë puta dhe idhuj, të cilët i …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- Pyeti: “Kush është Zoti i qiejve dhe i tokës!” Thuaju: “Allahu!” - Drejtoju këtyre idhujtarëve, që, veç Allahut, adhurojnë puta dhe idhuj, të cilët i duan sikurse Allahun dhe u përkushtojnë atyre lloj-lloj adhurimesh dhe kurbanesh, dhe thuaju: “Vallë, e humbët logjikën kur i lejuat vetes që të merrni si mbrojtës këta idhuj dhe t’u përkushtonit atyre adhurime, edhe pse ata nuk meritojnë aspak adhurim? A nuk ia bëtë këtë pyetje vetes tuaj?! - Thuaj: “Mos, vallë, keni zgjedhur zota të tjerë veç Tij, që edhe vetes së tyre nuk mund t’i bëjnë as dobi e as dëm?” - Mendoni pak për ata që ju i adhuroni veç Allahut: - Thuaj: “A është i barabartë i verbri me atë që sheh, dhe a janë të njëjta errësirat me dritën?” - Allahu i Lartësuar është Absolut dhe i Plotë me emrat dhe cilësitë e Tij. Ai është Pronari i të gjallëve dhe të vdekurve. Në dorën e Tij është krijimi, administrimi i çështjeve të krijesave dhe vetëm në dorën e Tij është dëmi dhe dobia. Atëherë, si e lini adhurimin e Allahut dhe tregoheni mosmirënjohës ndaj përkujdesit dhe mirësive të Tij? Adhurimi i Zotit si një dhe i vetëm kurrë nuk mund të jetë njëlloj si adhurimi i idhujve, ashtu sikurse nuk mund të jenë njëlloj ai që shikon me të verbërin dhe as drita me errësirat. Idhujtarët pretendojnë se Allahu ka ortakë, të cilët mund të krijojnë e bëjnë ashtu si krijimi i Tij dhe kanë pushtet si pushteti i Tij, por këto pretendime janë fryt i dyshimeve dhe paqartësive të tyre. Atëherë, ti, o i dërguar, dhe çdokush që kryen misionin tënd, largojua këto dyshime dhe paqartësira! Mësoju atyre se Allahu është i vetmi i Adhuruar, përmes argumenteve dhe fakteve! - Apo, mos vallë, besojnë se Allahu ka ortakë, të cilët kanë krijuar ashtu siç krijoi Ai, dhe tashmë ky krijim iu ngjan njëlloj? - Është e pamundur që diçka të krijojë vetveten dhe po ashtu është e pamundur që të ekzistojë vetë, pa pasur një krijues. Atëherë, është e padiskutueshme që ekziston vetëm një Krijues, që nuk ka shokë në pushtetin për të krijuar dhe për rregulluar çështjet e krijesave të Tij. Vetëm Ai duhet të adhurohet, se Ai është Një dhe i Vetëm, dhe gjithashtu, Ai është El Kahar – domethënë, Nënshtruesi i gjithçkaje me pushtetin e Tij absolut. - Thuaj: “Allahu është i vetmi Krijues i çdo gjëje; Ai është i Vetmi dhe Ngadhënjimtari!” - Askush tjetër veç Allahut nuk i ka këto cilësi njëkohësisht: i Vetëm dhe Unik, si edhe Ngadhënjimtar dhe Nënshtrues i gjithçkaje. Krijesat nuk mund të jenë të tilla. Mbi çdo krijesë ka një krijesë tjetër më të fortë, që e nënshtron dhe e mposht atë; por edhe mbi këtë ka një tjetër më të fortë dhe të pushtetshëm, derisa të përfundojmë te Sunduesi absolut, te Nënshtruesi i gjithçkaje, që është Allahu i Lartësuar. Askush nuk është mbi Allahun. I plotpushtetshmi duhet të jetë domosdoshmërisht i vetëm e i pashoq, dhe i tillë është veçse Allahu i Madhëruar. Ky është një argumentim logjik, që tregon për njëshmërinë e Allahut të Lartësuar. Kjo tregon gjithashtu se çdo gjë që krijesat adhurojnë, veç Allahut të Lartësuar, është e pafuqishme e nuk ka në dorë asgjë prej krijimit dhe pushtetit të vërtetë, prandaj adhurimi i tyre është i kotë e i pavlerë.

Mus'haf Hape →
Rad 13:16 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

- Pyeti: “Kush është Zoti i qiejve dhe i Tokës!” Thuaju: “Allahu!” Thuaj: “Mos, vallë, keni zgjedhur zota të …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- Pyeti: “Kush është Zoti i qiejve dhe i Tokës!” Thuaju: “Allahu!” Thuaj: “Mos, vallë, keni zgjedhur zota të tjerë veç Tij, që edhe vetes së tyre nuk mund t’i bëjnë as dobi e as dëm?” - Idhujtarët e pranojnë faktin që Allahu i Madhëruar është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës. Ata e pranojnë se Allahu është Rab, pra, Krijuesi, Sunduesi, Administruesi dhe Ai që rregullon çështjet e gjithësisë. Megjithatë, ata zgjedhin kujdestarë e të adhuruar të tjerë, të cilëve iu përkushtohen me adhurime e u binden, edhe pse ato janë kotësira e trillime që nuk kanë në dorë as dëm e as dobi, as për veten e tyre, e aq më pak për të tjerët, që u përkushtojnë adhurime. Atëherë, a janë njëlloj, ai që adhuron idhuj e kotësira, me atë që e adhuron vetëm Allahun, pa i bërë ortak, i cili është i udhëzuar dhe në një dritë të qartë dhuruar nga Zoti i tij?! - Thuaj: “A është i barabartë i verbri me atë që sheh, dhe a janë të njëjta errësirat me dritën?” - Domethënë, çështja nuk qëndron aspak ashtu siç mendojnë njerëzit. Allahu nuk ka shembull e të ngjashëm me Të, nuk ka të barabartë dhe askush nuk mund ta kundërshtojë Atë; Ai nuk ka nevojë për partner e ndihmës, nuk ka bir e as bashkëshorte. - Apo, mos vallë, besojnë se Allahu ka ortakë, të cilët kanë krijuar ashtu siç krijoi Ai, dhe tashmë ky krijim iu ngjan njëlloj? Thuaj: “Allahu është i vetmi Krijues i çdo gjëje; Ai është i Vetmi dhe Ngadhënjimtari!” - Këta idhujtarë, në fakt, adhurojnë idhuj, që edhe vetë e pranojnë se janë krijesa e të varfra e nevojtare për Zotin, nën pushtetin dhe ligjin e Zotit. Allahu na tregon rreth fjalëve të idhujtarëve dhe arsyes përse ata i adhurojnë idhujt. Ai thotë: “Vetëm Allahut i takon adhurimi i sinqertë. Por ata që në vend të Tij (Allahut), marrin mbrojtës të tjerë, thonë: “Ne i adhurojmë ata vetëm që të na afrojnë më shumë tek Allahu.” [Zumer 3]. Por Allahu i Madhëruar i kërcënon ata për këtë besim të gabuar, për t’i bërë që ata të kthejnë rrugë e të largohen nga ky besim i trilluar dhe i kotë, sa nuk është vonë. Ai thotë: “Dhe asnjë ndërmjetësim nuk bën dobi tek Ai përveç atyre që Ai u jep leje (për të ndërmjetësu - ar). ...” [Sebe 23]. Dhe thotë: “Sa melekë ka në qiej, ndërmjetësimi i të cilëve nuk bën asnjë dobi, vetëm nëse Allahu i jep leje atij që Ai dëshiron dhe është i kënaqur me të.” [El nexhm 26]. Gjithashtu, Ai thotë: “Çdo qenie në qiej e në Tokë ka për t’iu paraqitur Të Gjithëmëshirshmit si rob. Me diturinë e vet, Ai i ka përfshirë të gjitha dhe i ka numëruar (e shënuar) të gjitha në mënyrë të saktë. Në Ditën e Kijametit çdokush do t’i paraqitet Atij i vetmuar.” [Merjem 93 - 95]. Duke qenë se të gjithë janë robër të Allahut, përse ndodh që krijesat të adhurojnë njëri tjetrin?! Ata nuk kanë për këtë asnjë argument nga Zoti, por e bëjnë thjesht dhe vetëm të bazuar në trillimet e mashtrimet e tyre. Allahu i Lartësuar dërgoi profetët e Tij dhe, që të gjithë ata, nga i pari deri tek i fundit, janë urdhëruar që të këshillojnë e paralajmërojnë popujt që të ruhen nga idhujtaria. Ai i dërgoi ata që të ndalojnë njerëzit nga adhurimi i gjithçkaje tjetër përveç Allahut. Por ata i mohuan profetët dhe iu kundërvunë rrugës së tyre. Për këtë, ata merituan që mbi ta të përmbushet vendimi dhe fjala e Allahut për ndëshkim, dhe kjo do të ndodhë e askush nuk mund ta shmangë. Allahu ka thënë: “Kur libri (i veprave) do t’u vihet përpara, ti do t’i shohësh gjynahqarët të frikësuar nga shënimet në të, që do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër, që nuk ka lënë asnjë vepër, - të madhe apo të vogël - , pa e shënuar.” Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë bërë. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” [Kehf 49].

Mus'haf Hape →
Hud 11:23–11:24 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… me të gjitha mirësitë që ndodhen në Xhenet, mirësi të cilat janë të përhershme dhe të pafundme. Gjithashtu, ata përgëzohen se do të shikojnë Krijuesin e Tokës dhe të qiejve …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- Ata të cilët besojnë, bëjnë vepra të mira dhe i përulen Zotit të tyre - ata do të jenë banorë të Xhenetit përjetë. - Pasi Allahu i Lartësuar përmendi gjendjen e fatkeqëve, vijon me gjendjen e fatbardhëve të lumtur. Këta janë ata të cilët besojnë dhe bëjnë punë të mira sipas këtij besimi. Ata iu largohen ndalesave të Zotit dhe ligësive dhe, për këtë, atyre iu lihen në trashëgim kopshtet e Xhenetit, të cilët janë të mbushur me dhoma të larta. Ata përgëzohen me të gjitha mirësitë që ndodhen në Xhenet, mirësi të cilat janë të përhershme dhe të pafundme. Gjithashtu, ata përgëzohen se do të shikojnë Krijuesin e Tokës dhe të qiejve. Në vijim, Allahu i Lartësuar jep një shembull për mohuesit dhe besimtarët: - Këta dy grupe (njerëzish) mund të krahasohen me të verbrin dhe shurdhin përkundër atyre që shohin e dëgjojnë. - Shembull i të dëshpëruarve e të humburve janë të verbërit dhe të shurdhërit. Ndërsa fatbardhët e lumtur janë si ai që shikon dhe dëgjon. Kështu, ai që refuzon të pranojë besimin është i verbër dhe nuk mund ta dallojë të vërtetën. Ai nuk mund ta shohë të vërtetën dhe të nënshtrohet sipas saj. Ai është, gjithashtu, i shurdhër, sepse nuk arrin të dëgjojë atë që i sjell dobi dhe që rregullon gjendjen e tij. Allahu i lartësuar ka thënë: “Nëse Allahu do të kishte parë tek ata ndonjë të mirë, do t’i kishte bërë, vërtet të dëgjonin. Por edhe sikur t’i bënte të dëgjonin, ata do të sprapseshin dhe do të kundërshtonin.” [Enfal 23]. Ndërsa besimtari është i zgjuar dhe i mençur. Ai arrin ta shohë qartë e mirë të vërtetën. Ai e dëgjon me kujdes e respekt atë dhe me synimin e çiltër për të qenë i nënshtruar ndaj saj. Besimtarin kurrsesi nuk mund ta mashtrojë kotësia. - A janë njëlloj këta? A nuk po kujtoheni?! - Atëherë, a mund të jenë njëlloj këta të dy? A nuk nxirrni mësim dhe të arrini të bëni dallimin mes këtyre dy llojeve të njerëzve?! Allahu i Lartësuar thotë: “Mos u bëni si ata që e harruan Allahun e prandaj Allahu i bëri që të harrojnë vetveten! Ata janë të shfrenuarit. Nuk janë njëlloj banorët e Xhenetit me banorët e Xhehenemit! Banorët e Xhenetit janë të fituarit. ” [Hashër 19, 20]. dhe thotë: “I verbri dhe ai që sheh nuk janë njëlloj. Dhe as errësirat dhe drita. Dhe as hija (e freskët) dhe nxehtësia. Dhe nuk janë njëlloj të gjallët dhe të vdekurit. Allahu bën të dëgjojë atë që Ai do, kurse ti nuk mund ta bësh të dëgjojë atë që është në varr. Ti je veçse një qortues. Ne të dërguam ty me të vërtetën, si përgëzues e qortues. Dhe në çdo popull Ne kemi dërguar qortues.” [Fatir 19 - 24].

Mus'haf Hape →
Enam 6:1–6:3 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

- Të gjitha lavdërimet i qofshin vetëm Allahut, që krijoi qiejt dhe Tokën dhe bëri errësirat dhe dritën. - Allahu i Lartësuar e …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- Të gjitha lavdërimet i qofshin vetëm Allahut, që krijoi qiejt dhe Tokën dhe bëri errësirat dhe dritën. - Allahu i Lartësuar e përlëvdon Veten e Tij të nderuar për krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe për faktin se i bëri ato “vend të qëndrueshëm” për robërit e Tij. Gjithashtu, Ai lavdëron Veten, sepse vendosi në këtë gjithësi dritën dhe errësirat për të qenë në dobi të robërve të Tij gjatë natës dhe ditës. Po të vërejmë me kujdes, fjala ‘errësirat’ ( dhulumât) vjen në numrin shumës, ndërsa fjala “dritë” (nur) është në numrin njëjës. Kjo është bërë për të treguar nderim dhe për të nxjerrë në pah rëndësinë e dritës, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “A nuk po shohin ata (mohuesit e Zotiti) se çdo gjë që e krijoi Allahu, e sjell hijen e vet djathtas dhe majtas, duke i bërë sexhde Allahut dhe duke qenë e përulur?” [En nahl 48]. Në këtë ajet, fjala “djathtas” ( jemin) vjen në numrin njëjës, ndërsa fjala “majtas” ( shemâil) është në numrin shumës. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Megjithatë, mohuesit sajojnë zota të tjerë si të barabartë me Zotin e tyre. - Me gjithë këto krijesa madhështore, që Allahu i Lartësuar ka krijuar dhe që tregojnë për madhështinë e Tij, disa prej robërve të Tij e mohojnë dhe i bëjnë Atij shok, duke trilluar se Ai ka bir dhe bashkëshorte! I lartësuar qoftë Allahu Krenar dhe i Madhëruar, nga të gjitha shpifjet e të paditurve! - Është Ai që ju krijoi nga balta.. - Bëhet fjalë për krijimin e babait të njerëzimit, Ademit (a.s). - pastaj caktoi një afat për ju dhe një afat tjetër (përfundimtar), që e di (vetëm) Ai. - Sehl Ibn Xhubejri përcjell shpjegimin e Ibn Abasit për këtë ajet: “...caktoi një afat për ju”, domethënë, “Ai përcaktoi vdekjen.” Ndërsa në lidhje me fjalën e Allahut: “dhe një afat tjetër (përfundimtar), që e di Ai”, ka thënë: “Domethënë, caktoi afatin dhe kohën e ahiretit, kur do të ndodhë Kijameti.” Allahut i Lartësuar thotë: “që e di (vetëm) Ai”: Pra, askush, përveç Allahut, nuk e di afatin përfundimtar. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar, kur thotë: “Të pyesin ty rreth Orës (së Kjametit) - kur do të ndodhë? Thuaj: “Atë e di vetëm Zoti im. Askush, veç Tij, nuk mund ta zbulojë kur do të ndodhë. Kjo barrë është shumë e rëndë për gjithçka në qiej dhe në tokë. Ajo ka për të ardhur veçse befas. Ata të pyesin ty, sikur ti të kishe zbuluar dijen rreth saj. Thuaj: “Për të di vetëm Allahu”, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” [ El ea’ raf 187]. Ose kur thotë: “ Të pyesin Ty për Kijametin: “Kur do të ndodhë ai?". Po, ku je në gjendje ti, që t’ua tregosh atë? Vetëm Zoti yt e ka dijen për të. ” [Naziat 42 - 44]. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Por sërish ju dyshoni! - Sidiju dhe të tjerë shpjegojnë: “Domethënë, keni dyshime rreth çështjes së Kijametit.” - Ai është Allahu (i vetmi i adhuruar) në qiej dhe në Tokë. - Mufesirët kanë dhënë mendime të ndryshme rreth këtij ajeti, por që të gjithë janë unanimisht dakord për pasaktësinë e mendimit të xhehmive të parë, të cilët thoshin se Allahu është në çdo vend (me Qenien e Tij) dhe pretendojnë se ky ajet tregon pikërisht për këtë kuptim. I lartësuar qoftë Allahu nga shpifjet dhe trillimet e të paditurve! Kuptimi i saktë i ajetit është se Ai është i Adhuruari në qiej dhe në Tokë, që do të thotë se Atë e adhurojnë, e njësojnë dhe ia njohin meritën e adhurimit gjithçka që është në qiej dhe gjithçka që është në Tokë. Të gjithë i drejtohen Atij me emrin Allah dhe vetëm Atij ia drejtojnë duatë, me shpresë dhe me frikë, përveç xhindëve dhe njerëzve mohues. Kështu, ky ajet, - sipas këtij kuptimi, - i ngjan ajetit tjetër: “Ai është i vetmi Zot (që e meriton të adhurohet) në qiell dhe i vetmi Zot (që e meriton të adhurohet) në Tokë. Ai është i Urti e i Gjithëdituri.” [Zuhruf 84]. Domethënë, Ai është i Adhuruari i gjithë atyre që janë në qiell dhe i gjithë atyre që janë në Tokë.1 - Ai i di të gjitha fshehtësitë tuaja dhe ato që i shfaqni haptazi; Ai di gjithçka që ju veproni. - Pra, të gjitha veprat tuaja, si të mirat, edhe të këqijat.

Mus'haf Hape →
Xhathije 45:27–45:29 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

- “Vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës.” - Allahu i Lartësuar na tregon se Ai është pronari i qiejve dhe i Tokës, Ai i Cili sundon dhe …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës.” - Allahu i Lartësuar na tregon se Ai është pronari i qiejve dhe i Tokës, Ai i Cili sundon dhe gjykon në të gjitha çështjet e dynjasë dhe të ahiretit. I Madhëruari, i Dëliri dhe i Pastri thotë: - “Atë ditë, kur të vijë Ora , refuzuesit do të dëshpërohen shumë.” - Mub’tilun-ët do të dështojnë Ditën e Kijametit. Bëhet fjalë për mohuesit e të vërtetës, refuzuesit e Shpalljes së Zotit dhe kundërshtarët e profetëve, që Ai dërgoi me shenja të qarta dhe mrekulli të dukshme. Më pas, i Lartësuari thotë: - “Çdo popull do ta shohësh të gjunjë - zuar.” - Do të jenë të gjunjëzuar, nga frika dhe tmerret e asaj dite. Thuhet se kjo do të ndodhë kur të sillet Xhehenemi, kohë në të cilën ai do të shfryjë me një zë të fuqishëm dhe të lemërishëm, aq sa nuk do të mbetet askush pa rënë në gjunjë, madje edhe Ibrahimi, i dashuri dhe i zgjedhuri i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të!) do të thotë: “Vetja ime, vetja ime, vetja ime! Po të lutem Ty sot, veçse për veten time!” Po kështu dhe Isai (paqja e Zotit qoftë mbi të!) do të thotë: “Po të lutem sot veçse për veten time. Nuk lutem as për nënën time, që më lindi.” - “Çdo popull do të thirret te libri i vet.” - Bën fjalë për librin e punëve të kryera prej tyre, sikurse thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Toka do të ndriçohet me dritën e Zotit të saj dhe libri (i veprave) do të hapet. Gjithashtu, do të sillen për të dëshmuar profetët e dëshmitarët. Mes tyre do të gjykohet me të vërtetën dhe atyre nuk do t'u bëhet asnjë padrejtësi.” [Zumer 69]. - “Sot do të shpërbleheni për ato që keni punuar.” - Do të shpërbleheni sipas punëve tuaja, të mira apo të këqija qofshin ato. Kjo është e ngjashme me ajetin tjetër, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Atë ditë, njeriu do të njihet me atë që ka bërë dhe me atë që ka lënë pa bërë. Madje, njeriu do të jetë dëshmitar i vetvetes, edhe nëse paraqet arsyetime.” [Kijame 13 – 15]. - “Ky është Libri Ynë, që dëshmon të vërtetën rreth jush.” - Kështu do të risillen të gjitha punët tuaja, pa shtuar apo pakësuar asgjë. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Kur libri (i veprave) do t’u vihet përpara, ti do t’i shohësh gjynahqarët të frikësuar nga shënimet në të, që do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër, që nuk ka lënë asnjë vepër - të madhe apo të vogël -, pa e shënuar.” Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë bërë. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” [Kehf 49]. - “Ne kemi urdhëruar të shkruhet gjithçka që ju vepronit”. - Ne urdhëronim ruajtësit që të shkruanin veprat tuaja me përpikmëri.

Mus'haf Hape →
Isra 17:49–17:51 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… të Zotit, Krijuesit të qiejve dhe të Tokës. Me mendjelehtësinë e tyre, ata krahasojnë pushtetin e Krijuesit të qiejve dhe të tokës me fuqitë e tyre të …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Allahu i Madhëruar na tregon rreth fjalëve të mashtruesve e mohuesve të ringjalljes, të cilët e shohin atë si diçka të largët dhe jo të vërtetë. - Ata thanë: “Mos vallë pasi të bëhemi eshtra të kalbura, dhé e pluhur, do të ringjallemi në një krijim të ri?” – Ata, të çuditur, sjellin si shembull trupat e të vdekurve, që janë tretur, për të treguar që është e pamundur ringjallja e tyre. Kështu ata tregojnë injorancën e tyre të thellë rreth argumenteve të Zotit. Ata tregojnë në këtë mënyrë se kanë mohuar Profetin, duke e quajtur atë gënjeshtar. Ata kështu kanë shpërfillur argumentet dhe faktet e shumta që tregojnë pushtetin absolut të Zotit, Krijuesit të qiejve dhe të Tokës. Me mendjelehtësinë e tyre, ata krahasojnë pushtetin e Krijuesit të qiejve dhe të tokës me fuqitë e tyre të dobëta dhe me pamundësinë e tyre si krijesa. Duke qenë se ringjallja është e pamundur të arrihet nga krijesat, atëherë edhe pushteti i Zotit duhet të jetë i tillë. Sa i dëlirë dhe i lartësuar është Zoti i gjithësisë! Si i afatizon këto krijesa që pretendojnë se janë të ditur e të mençur dhe sjellin të tillë shembuj, që në fakt janë tregues të injorancës së thellë, që nuk arrin të dallojë edhe çështjet më të shfaqura, më të qarta dhe faktet më të dukshme. Le ta shohin dhe le ta dinë të mençurit se asgjë nuk mund t’ua hapë sytë e ballit dhe të zemrës, përveç dritës së udhëzimit, që vetëm Zoti e ofron dhe e mundëson! Nëse të ka dhënë Zoti dritë, je i ndriçuar dhe i udhëzuar, e nëse jo, je i humbur dhe i devijuar. Prandaj duhet të lutemi vazhdimisht: "Rabena, la tuzig kulubena, bea'de idh hedejtena! Ue heb lena min ledunke rahmeten! Inneke entel Ueh -hab! (Zoti ynë, mos lejo që zemrat tona të devijojnë, pasi na drejtove! Na dhuro mëshirën Tënde! Pa dyshim, Ti je Dhuruesi i madh!). [Al Imran 8]. Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin e Tij që t’u thotë mohuesve të ringjalljes: - Thuaju: “Po. Edhe sikur të ishit gurë a hekur, ose ndonjë krijesë që ju duket e madhe (ju do të ringjalleni) .” – Mendojeni veten si të dëshironi, prej çfarëdo gjëje që pandehni se nuk mund ta prekë fuqia e Zotit! Në çfarëdo gjëje të shndërroheni dhe çfarëdo gjendjeje të jeni, ju kurrë nuk keni për t’i shpëtuar kontrollit të Zotit. Madje, ju të mjerë nuk keni në dorë asnjë çështje, as në këtë botë e as në ahiret. Atëherë dëshmoni se pushteti dhe përkujdesja për çdo çështje është vetëm në dorën e Allahut, që është i plotpushtetshëm për gjithçka dhe ka përfshirë në diturinë e pushtetin e Tij gjithçka! Kur ti u sjell argumentet për vërtetësinë e ringjalljes, ata pyesin e thonë: - “Kush do të na rikthejë (në jetë) ?” Thuaj: “Ai që ju krijoi për të parën herë.” - Thuaju atyre se Ai që ju krijoi nga hiçi, pa asnjë shembull të mëparshëm dhe kur nuk ekzistonit fare, Ai ka për t’ju rikthyer me një krijim të ri. Ai thotë: “ Atë Ditë, Ne e palosim qiellin, siç palosen fletët e një libri. Ashtu siç e filluam krijimin, ashtu e rikthejmë atë. Ky është premtimi Ynë dhe Ne do ta përmbushim atë. ” [Enbija 104]. Por duke shprehur habinë dhe mosbesimin për atë që u thua rreth ringjalljes, ata thonë: - Por ata do të tundin kokën e do të thonë: “Kur do të ndodhë ajo (Ringjallja)?” - Kur do të ndodhë kjo ringjallje, që pretendon? Sigurisht, kjo është një shprehje e mendjelehtësisë së tyre, dhe jo një tregues se ata e pranojnë që ringjallja do të ndodhë. Ata e shtrojnë këtë pyetje nga pamundësia për ta mohuar të vërtetën, që është e thjeshtë për t’u kuptuar. - Thuaj: “Ndoshta është afër.” - Nuk ka ndonjë rëndësi në përcaktimin ose jo të kohës se kur do të ndodhë ajo. Ajo që është e rëndësishsme, është besimi se ringjallja do të ndodhë, dhe për të duhet përgatitje. Çdo gjë që ka për të ardhur është afër.

Mus'haf Hape →
Nuh 71:10–71:20 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… të qiejve dhe të tokës: - “A nuk e shihni se si Allahu ka krijuar shtatë qiej, palë -palë.” - Ai i krijoi qiejt me kate, njëri mbi tjetrin. - “Dhe në ta, …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Unë u thashë: “Kërkojini falje Zotit tuaj! Ai vërtet është Falës i Madh. – Kuptimi: Lërini gjynahet dhe kërkojini falje Allahut të Lartësuar. Nëse e bëni këtë, ta dini dhe të jeni të sigurt se Allahu i Lartësuar fal shumë. Ai e fal atë që pendohet dhe i kërkon faljen Atij. Pra, Nuhu (a.s.) i ftoi ata që pendoheshin dhe premtoi se Allahu do t’ua falte gjynahet dhe do t’u jepte shumë të mira, të cilat ua ka premtuar të gjithë atyre që u largohen gjynaheve, që pendohen dhe kërkojnë falje. Nuhu (a.s.) u premtoi, gjithashtu, edhe shumë mirësi të kësaj jete, me shpresë që ata të ktheheshin te lumturia që sjell besimi dhe pendimi tek i Madhëruari. Ai u tha: - “Ai do t’ju lëshojë nga qielli shi me mbushulli,...” - Do t’ju dhurojë shi të vazhdueshëm, kohë pas kohe, që të mbushë rezervat tuaja ujore dhe të shtojë prodhimet tuaja. Me të, Ai i jep jetë tokës suaj. - “...Do t’ju begatojë me pasuri dhe me djem,...” – Do t’ju shtojë pasurinë, fëmijët e çdo mirësi të kësaj dynjaje. - “...do t’ju mundësojë të keni kopshte dhe lumenj.” - Të gjitha këto që u përmendën janë mirësitë më të mëdha që mund të synojë dhe arrijë njeriu në dynja. - “Ç’është kështu me ju, që nuk i shprehni Allahut madhërinë që e meriton...” - Ç’është me ju, që nuk e kuptoni madhështinë e të Lartësuarit dhe nuk frikësoheni prej Tij? A nuk keni në zemrat tuaja asnjë shenjë të madhërimit të Allahut të Lartësuar?! A nuk mendoni pak në fazat e krijimit tuaj?! - “...kur Ai ju krijoi në disa etapa?!” - Është Allahu i Lartësuar Ai që ju krijoi dhe që përkujdeset për ju në çdo moment të jetës tuaj. Ai ju krijoi dhe formësoi në barkun e nënës. Pastaj vjen koha e mëkimit në gji, më pas fëmijëria, pastaj adoleshenca, mosha e pjekurisë, e kështu me radhë; në çdo kohë, është i Lartësuari që përkujdeset e që ju mëshiron. Ai është i vetmi që krijon dhe që përkujdeset për krijesat, me mëshirën e Tij gjithëpërfshirëse dhe madhështore. Për këtë arsye, Ai duhet të jetë i vetmi që duhet të njësohet në përkushtimin e adhurimeve. Duke u kujtuar krijesave krijimin e tyre të parë, Allahu i Lartësuar u tërheq vërejtjen se Ai është i plotfuqishëm që t’i ringjallë dhe t’i rikrijojë sikurse kanë qenë. Ai që i krijoi nga hiçi, kur nuk ekzistonin fare, është i plotfuqishëm që t’i krijojë nga mbetjet e tyre në tokë, pasi të kenë vdekur. Më pas, Allahu i Lartësuar u argumenton atyre për ringjalljen edhe me madhështinë e krijimit të qiejve dhe të tokës: - “A nuk e shihni se si Allahu ka krijuar shtatë qiej, palë -palë.” - Ai i krijoi qiejt me kate, njëri mbi tjetrin. - “Dhe në ta, hënën e bëri dritë e diellin e bëri ndriçues.” – Këtu flitet për madhështinë e krijimit dhe për dobitë e shumta që Allahu i Lartësuar u ka dhuruar krijesave me këto trupa qiellorë. Dielli dhe hëna janë shumë të nevojshëm për tokën dhe jetën në të. Kjo tregon për mëshirën e Allahut të Lartësuar dhe Bujar, për bamirësinë e Tij të gjerë. Kësisoj, Ai që është Madhështor, i Gjithëmëshirshëm dhe Bamirës është detyrë që të njësohet me adhurim, dashuri, mirënjohje, por edhe me frikërespekt për llogarinë e Tij të drejtë dhe shpresë për shpërblimin e Tij të madh. - “Allahu ju nxori ju prej tokës, si bimë. Pastaj ju kthen në të, për t’ju nxjerrë sërish.” – Kuptimi: Allahu ju krijoi prej tokës, sikurse bari mbin prej tokës. (Këtu bëhet fjalë për Ademin, pasardhës i të cilit është i gjithë njerëzimi). Pastaj përsëri do të ktheheni në tokë, kur të vdisni. Pas vdekjes, Ditën e Gjykimit, Allahu do t’ju nxjerrë përsëri të gjallë, për t’ju gjykuar me drejtësi. - “Allahu e bëri tokën shtrojë për ju, që të ecni nëpër rrugët e saj të gjera”.” - Është Allahu i Lartësuar që e bëri tokën të përshtatshme për ju dhe lehtësisht të shfrytëzueshme, që të përfitoni prej saj. Nëse nuk do ta bënte të tillë, ju nuk do të mund të lëviznit lehtësisht nëpër të, nuk mund të punonit, plugonit, mbillnit, ndërtonit apo edhe të qëndronit mbi të. Pas përmendjes së këtyre argumenteve, Nuhu ankohet te Zoti i tij:

Mus'haf Hape →