▾ Teksti i plotë▴ Mbyll
Gratë e Profetit (a.s) ranë në ujdi që t'i kërkonin Profetit (a.s) të shtonte shpenzimet për to në ushqim dhe veshje. Kështu, ato kërkuan prej tij diçka që ai nuk mund t'ua plotësonte. Ato vazhduan për njëfarë kohe të ishin në një fjalë me njëra tjetrën, që të kërkonin me këmbëngulje nga Profeti a.s. që të plotësonte kërkesat e tyre. Kjo çështje e rëndoi Profetin (a.s), aq sa ai për një muaj rresht u largua prej tyre. Kështu, Allahu i Madhëruar dëshiroi që t'ia lehtësonte çështjen Profetit të Tij dhe ta ngrinte edhe gradën e grave të tij. Ai donte t’i pastronte ato nga çdo gjë që e cenonte figurën e tyre të nderuar dhe e pakësonte shpërblimin e tyre. Për këtë arsye, zbritën këto ajete me këto mesazhe të rëndësishme: - O Profet! Thuaju grave të tua: “Në qoftë se lakmoni jetën e kësaj bote dhe shkëlqimin e saj, atëherë unë do t'jua siguroj kënaqësinë dhe do t'ju ndaj (divorcoj) si është më mirë. - Nëse ju dëshironi veçse kënaqësitë e kësaj dynjaje dhe gëzoheni e zemëroheni për hir të saj, atëherë unë nuk kam nevojë për ju. Atëherë unë po përmbush çdo detyrim ndaj jush (për divorcin) dhe po ju ndaj me mënyrën më të bukur. Ejani t'ju jap atë që kam mundësi, dhe të ndahemi (divorcohemi) pa zemërim dhe qejfmbetje. Le të ndahemi me kënaqësi
dhe mirëkuptim, para se të arrijë gjendja atje ku nuk duhet. - Por, në qoftë se e doni Allahun, të Dërguarin e Tij dhe Botën Tjetër, atëherë të jeni të sigurta se Allahu ka përgatiur shpërblim të madh për cilëndo prej jush që bën punë të mira. - Nëse ky është qëllimi juaj në jetë, atëherë puna qëndron ndryshe. Nëse synoni kënaqësinë e Allahut, të Profetit dhe nëse synoni Xhenetin e Zotit, megjithë lehtësitë dhe vështirësitë e kësaj jete; nëse kënaqeni me Profetin e Allahut dhe atë që ju ofron ai prej dynjasë, pa i kërkuar atij diçka që atë e rëndon dhe e vështirëson, "...atëherë të jeni të sigurta se Allahu ka përgatiur shpërblim të madh për cilëndo prej jush që bën punë të mira." Vëreni me kujdes! Allahu e lidh ngushtë shpërblimin e tyre me bamirësinë. Është bamirësia e veprat e mira që e mundësojnë shpërblimin e Allahut e jo statusi si gra të Profetit. Përkatësia farefisnore apo bashkëshortore nuk sjell asnjë dobi për shpërblimin apo dënimin e njeriut, nëse ai nuk bën vetë vepra të mira. Kështu, Profeti (a.s) u parashtroi atyre dy mundësi zgjidhjeje në këtë çështje. Ato zgjodhën Allahun dhe Profetin e Tij dhe shpërblimin në ahiret. Të gjitha bënë këtë zgjidhje, pa përjashtim, - Allahu qoftë i kënaqur me to! Në këtë propozim që Profeti (a.s) u parashtroi atyre, kishte shumë dobi: 1. Në të tregohet përkujdesi i madh që Zoti tregoi për Profetin e Tij. Allahu nuk kënaqej që Profeti të vihej në pozitë nga gratë e tij, duke shtuar kërkesat e tyre. 2. Me këtë përzgjedhjeje, Profeti (a.s) u la i lirë që të vendoste si të dëshironte dhe nuk do të kishte asnjë qortim për zgjedhjen e tij, a do t’i mbante apo jo ato, a do t'u jepte e plotësonte kërkesat e tyre apo jo, siç thotë i Lartësuar: "Për Profetin nuk ka asnjë qortim kur bën atë që ia ka urdhëruar vetë Allahu." [Ahzab 38]. 3. Kjo do të nxirte në pah dhe largonte nga shtëpia e Profetit ato gra që do t’i jepnin përparësi dynjasë kundrejt ahiretit, nëse do të kishte. 4. Kjo është një dëshmi që tregon se gratë e Profetit (a.s) ishin të pastra, pasi ato treguan se e donin Allahun dhe Profetin (a.s) më shumë sesa dynjanë, - Allahu qoftë i kënaqur prej tyre. Grave iu mundësua që të mos bëheshin shkaktare për zemërimin e Profetit, dhe kështu të zemëronin Zotin dhe të merrnin dënim. 5. Duke u mundësuar që të bënin zgjedhjen e duhur, Allahu i Madhëruar tregoi gradën e lartë të atyre grave dhe vullnetin dhe durimin e tyre të spikatur dhe tregoi se ato e donin Allahun dhe Profetin e Tij dhe se ato synonin ahiretin dhe kënaqësinë e Allahut, e jo dynjanë. 6. Kjo përzgjedhje tregon se ato e meritonin që të ishin gratë e Profetit në dynja, ndërsa në ahiret jenë në grada të larta të Xhenetit. 7. Nëpërmjet kësaj sprove, Allahu i dëshiroi që t'i lartësonte ato gra. Bashkëshorti i tyre ishte njeriu më i lartë dhe kështu duhej të ishin edhe bashkëshortet e tij. Për këtë arsye, edhe kjo sprovë përfundoi aq bukur, sepse nxori në pah se ato gra ishin të mira, të plota dhe të devotshme, siç thotë i Madhëruari: "Gratë e këqija janë për burra të këqij dhe burrat e këqij janë për gratë e këqija, ndërsa të ndershmet janë për të ndershmit dhe të ndershmit janë për të ndershmet." [Nur 26]. 8. Kjo përzgjedhje edukoi tek gratë e Profetiti (a.s) atë që quhet el-kaneatu, pra, kënaqësia me atë që të ka dhënë Zoti, pa patur lakmi e pa shkuar pas dëshirave të nefsit. Ai që ka el-kaneatu, ai është i qetë e i lumtur, kurse tahmaqari që dëshiron të përmbushë çdo dëshirë që i kalon nëpër mend nuk është i qetë, por gjithmonë i pakënaqur. Ai është i dëshpëruar dhe asnjëherë nuk kënaqet me gjendjen që ka. 9. Me këtë përzgjedhje, Allahu i Madhëruar bëri që atyre t'u shtohet shpërblimi, si dhe të lartësohet grada e tyre, duke u bërë ashtu siç i përshkroi Zoti: si asnjë grua tjetër në botë. - O gratë e Profetit! Në qoftë se ndonjëra prej jush do të bënte ndonjë të keqe, do t'i shtohej Dënimi dyfish. Dhe kjo për Allahun është shumë e lehtë. - Duke
zgjedhur Allahun dhe botën tjetër, atëherë shpërblimi i tyre do të jetë i shumëfishtë, por edhe pesha e gabimeve do të jetë edhe më e madhe nëse gabojnë. Kështu tha Zoti, në mënyrë që kujdesi i atyre zemrave të pastra dhe të devotshme të shtohej dhe të ishte edhe më i madh në të ardhmen. Në këtë mënyrë, jo vetëm do të ishin më të kujdesshme, por edhe më mirënjohëse për Allahun e Lartësuar. Tashmë, çdokush nga ato që do të bënte ndonjë gabim, do t'i dyfishohej dënimi. Por gjithashtu: - Kurse cilësdo prej jush, që i përkushtohet adhurimit të Allahut, bindjes ndaj të dërguarit të Tij dhe bën punë të mira, Ne do t’i japim shpërblim të dyfishtë - Çfarëdo pune të mirë që do të bëjnë në bindje ndaj Allahut dhe Profetit, atje do t'u jepet shpërblim i dyfishtë. - ...dhe për të kemi përgatitur një Shpërblim bujar. - Do t'u dhurojë Xhenetin. Me bindje ndaj Allahut dhe Profetit dhe me vepra të mira, ato do të kenë Xhenetin dhe shpërblim të shumëfishuar. Më pas, Allahu i Madhëruar thotë: - O gratë e Profetit! Ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse e keni frikë Allahun. - Kjo fjalë u drejtohet të gjitha grave të Profetit (a.s). Ai u thotë: "Ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse jeni të devotshme." Nëse tregoheni të devotshme ndaj Allahut, keni për t'u lartësuar mbi të gjitha gratë e botës, pra, askush prej tyre nuk ka për ta arritur gradën tuaj. Për këtë arsye, punoni për ta kompletuar devotshmërinë ndaj Allahut me të gjitha mënyrat dhe pastrojeni nijetin, duke qenë ai veçse kënaqësia e Allahut. Për këtë arsye, ai i udhëzoi që të jenë të kujdesshme dhe t'i largoheshin çdo rruge që të çon në haram dhe cenon devotshmërinë. - Prandaj mos u llastoni në të folur që t'ju lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, por flisni me fjalë të matura. - Të jenë të kujdesshme kur u flasin burrave me zërin e tyre dhe me përzgjedhjen e fjalëve, në mënyrë që të mos joshet ai që, siç thotë Zoti, ka sëmundje në zemrën e vet, që të mos joshen zemrat e sëmura nga epshet dhe dëshira për imoralitet. Të tillë njerëz janë gati dhe mezi presin çdo shenjë, qoftë edhe të vogël. Kështu janë zemrat e sëmura. Ndërsa zemrat e shëndetshme nuk joshen nga diçka që është haram nga Zoti. Këto lloj zemrash të ndriçuara janë të palëkundura dhe nuk tronditen aspak nga joshjet haram. Ndryshe ndodh me zemrën e sëmurë. Ajo nuk mund të përballojë atë që e përballon aq mirë zemra e shëndetshme, siç janë joshjet dhe tundimet haram. Mjafton një tundim i vogël, dhe ajo i përgjigjet, pa gjetur forcë që të refuzojë. Ky ajet tregon se edhe mjetet kanë të njëjtin gjykim si qëllimet. Kështu të folurit me butësi e fjalë të buta me armikun është i lejuar. Por nëse ato janë shkak për haram dhe të çojnë në haram, ato gjykohen si të ndaluara. Për këtë arsye, femra duhet të jetë shumë e kujdesshme kur flet me burrat. Ajo nuk duhet t’u flasë butësisht dhe me fjalë që lënë hapësira të padëshiruara. Duke qenë se Allahu i ndaloi gratë që të flasin butësisht, ndoshta dikush mund të mendojë se ky është një urdhër për të folur me ashpërsi e vrazhdësi. Por Allahu e largon këtë keqkuptim duke i udhëzuar ato që të thonë gjithmonë fjalë të matura. Nuk ka nevojë që fjala të jetë e ashpër apo e vrazhdë, por mjafton të jetë brenda kufijve të mirësjelljes së njohur mes njerëzve. Vëreni me kujdes fjalën e Allahut kur thotë: Për këtë arsye, mos u llastoni në të folur, që të mund të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij..". Llastimi në të folur tregon njëfarë nënshtrimi e dorëzimi. Kur gruaja i flet burrave të huaj, nuk duhet të ndihet në të folurën e saj asnjë lloj dorëzimi apo animi tek bashkëfolësi. Kjo është e rëndësishme. Domethënë, nuk është për qëllim këtu që gruaja të flasë në mënyrë të vrazhdë e të ashpër. Gruaja mund të jetë e mirësjellshme, por nuk duhet t'i japë bashkëfolësit të kuptojë dorëzim apo anim, që ai të joshet e t'i provokohen dëshirat. Gruaja mund të flasë butësisht e me fjalë jo të vrazhda dhe, në të njëjtën kohë, të tregojë
lartësi e krenari, në mënyrë që bashkëfolësi të mos ketë tërheqje drejt saj. Madje, Allahu i Madhëruar e lëvdoi Profetin e Tij për butësinë e tij dhe tha: "Në sajë të mëshirës së Allahut, ti u solle me butësi me ta. Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do largoheshin prej teje. Fali dhe kërko falje (nga Allahu) për ta! Këshillohu me ta për të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetju Allahut! Allahu i do ata që i mbështeten Atij." [Al Imran 159]. Musain dhe Harunin e dërgoi tek Faraoni dhe i porositi të thonë fjalë të buta: "Shkoni që të dy te Faraoni, sepse ai vërtet e ka tepruar! Por i flisni me fjalë të buta! Ndoshta ai mendohet e frikësohet." [Ta ha 43, 44]. Nga fjala e Allahut: "Për këtë arsye, mos u llastoni në të folur që të mund të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thoni gjithmonë fjalë të matura", nxjerrim një mësim shumë të rëndësishëm. Ne kuptojmë një mënyrë për të zbuluar nëse e kemi zemrën të sëmurë apo të shëndetshme. Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që të ruajmë ndershmërinë dhe i ka lavdëruar ata që e ruajnë ndershmërinë. Ai na ka ndaluar që edhe të i afrohemi imoralitetit dhe na porosit të ulim shikimet. Nga të gjitha këto kuptohet se, nëse robi sheh në veten e tij se e dëshiron gjynahun kur sheh ose dëgjon diçka haram, dhe vëren se i përgjigjet dhe vepron për të përmbushur atë gjynah, atëherë le ta dijë se e ka zemrën të sëmurë. Për këtë arsye, le të përpiqet shumë që ta shërojë këtë sëmundje dhe ta zbusë ndikimin e saj, duke e frenuar veten dhe duke e ruajtur atë nga çdo portë joshjeje dhe tundimi, që e lidhin me ato dëshira të ulta. Prej tij kërkohet një luftë dhe përpjekje e madhe për të shëruar veten dhe lutje të shumta dhe me përunjësi drejtuar Allahut që ta shërojë zemrën e tij dhe t'ia bëjë mbarë që të pastrohet. Të gjitha këto përpjekje janë detyrë për çdo njeri dhe bëjnë pjesë në urdhrin e Allahut të Madhëruar për të ruajtur ndershmërinë. - Dhe rrini qetësisht në shtëpitë tuaja... - Qëndroni në to, sepse kjo është mbrojtje më e mirë e nderit dhe moralit tuaj. - .... dhe mos e shfaqni bukurinë tuaj ashtu siç shfaqej në injorancën e hershme! Faleni namazin, jepeni zekatin dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij! - Mos dilni shpesh nga shtëpia dhe mos dilni të zbukuruara dhe të parfumosura, siç vepronin në kohën e injorancës ata njerëz që nuk kishin as dituri e as fe. Ky urdhër është një ligj që parandalon ligësinë me të gjitha rrugët dhe shkaqet e saj. Në ajetet më lart, Allahu i Madhëruar urdhëroi gratë për devotshmëri në mënyrë të përgjithshme dhe për veprat e devotshmërisë në mënyrë të veçantë, për vetë nevojën e madhe të grave për diçka të tillë. Po kështu, i urdhëroi ato për bindje ndaj Allahut dhe Profetit, në mënyrë të veçantë për namaz e zekat, vepra këto për të cilat ka nevojë çdo njeri. Këto janë nga adhurimet më madhështore, sepse falja e namazit tregon për sinqeritetin ndaj Allahut, ndërsa dhënia e zekatit është bamirësi ndaj krijesave. Në vijim, Allahu i Madhëruar u jep një urdhër të përgjithshëm për bindje ndaj Allahut dhe Profetit (a.s). Ai thotë:"…dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij!" Këtu futet bindja për çdo urdhër që ka dhënë Allahu dhe Profeti i Tij, qoftë ato kategorikë, qoftë ato jo kategorikë, pra, për gjërat e pëlqyeshme e vullnetare. Lum ajo grua që i bindet Allahut e Profetit në të gjitha këto urdhra! - Allahu dëshiron që të largojë nga ju, o familja e shtëpisë (së Profetit) papastërtinë e gjynaheve dhe t’ju pastrojë me një pastrim të madh. - Me gjithë këto urdhëresa dhe ndalesa, Allahu i Madhëruar dëshiron që: "...të largojë nga ju, o familja e Shtëpisë (së Profetit), ndyrësinë e gjynaheve dhe t’ju bëjë një pastrim të madh, duke ju larguar nga çdo ligësi dhe paudhësi. Kështu, ju do të jeni të pastruara nga çdo e keqe, prandaj duhet ta falënderoni dhe lavdëroni Zotin tuaj, për gjithë këto urdhëresa dhe ndalesa dhe për dobitë e shumta të tyre, që Ai jua qartësoi. Me këto
ligje, Allahu i Lartësuar nuk dëshiron që t’ju rëndojë, por do që të pastrojë dhe lartësojë shpirtrat tuaj, të përmirësojë dhe ta përkryejë moralin tuaj, t'i rregullojë dhe zbukurojë veprat dhe sjelljen tuaj, dhe kështu ta zmadhojë dhe shumëfishojë shpërblimin tuaj. Pasi i urdhëroi për vepra të mira që, në fakt, janë përmbushje e urdhëresave e lënie e ndalesave, Allahu i Madhëruar urdhëron për dituri të dobishme, duke treguar rrugën e arritjes së kësaj diturie. Ai thotë: - Kujtojeni atë që lexohet në shtëpitë tuaja nga ajetet e Allahut dhe urtësisë (traditës profetike dhe dispozitat e fesë) ! - Shprehja “ajetet e Allahut” përshin Kur'anin, ndërsa “urtësinë” nënkupton fshehtësitë e Librit të Zotit dhe traditën e Profetit. Kështu, Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar gratë që të kujtojnë ajetet e Kur'anit, dhe ky urdhër përfshin qoftë leximin e ajeteve, qoftë meditimin dhe kuptimin e këtyre ajeteve. Ato duhet të lexojnë ajetet e Kur'anit dhe Sunetit, duhet të meditojnë dhe të nxjerin mësimet prej tyre, të përfitojnë dhe të nxjerrin ligjet e urtësitë, si edhe të punojnë sipas diturisë që përfitojnë dhe ta jetësojnë atë që e lexojnë. - Me të vërtetë, Allahu është shumë i Mëshirshëm dhe i Gjithëditur. - Allahu di çdo hollësi të çështjeve dhe të fshehtat e gjokseve, fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës. Ai i sheh të gjitha veprat, si ato që bëhen haptazi dhe ato që bëhen fshehtazi. Përmendja e emrit të Tij Latif, njëri nga kuptimet e të cilit është “i Gjithëdituri për të gjitha të fshehtat”, është një nxitës për të qenë i sinqertë dhe për fshehjen e veprave të mira, për arsye se është Allahu që i sheh dhe që do të shpërblejë për to. Ndër kuptimet e emrit El -Latif është edhe ajo që Allahu e ndihmon dhe e drejton robin e Tij drejt mirësive dhe e mbron prej ligësive përmes mënyrave të fshehta, që robi as që i ndien dhe kupton. Allahu i Lartësuar ia sjell robit të mirat andej nga ai nuk e di dhe nuk e pret, pa asnjë mund e lodhje. Madje, ndonjëherë, nga rrugë që mund të jenë të urryera për nefsin, Ai e ngre robin në grada të larta të Xhenetit.