▾ Teksti i plotë▴ Mbyll
Allahu i Madhëruar na flet për Kelim-in, siç quhet Musai, biri i Imranit. Ai na tregon se si Musai u kujton popullit të vet, mirësitë dhe begatitë e Allahut. Allahu u kishte premtuar atyre mirësi në të dyja jetët, nëse do të përqendroheshin të palëkundur në rrugën e Zotit të drejtë dhe të qartë. Allahu i Madhëruar thotë: - Kujto (o i Dërguar) kur Musai i tha popullit të vet: “O popull im, kujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush kur nga mesi juaj nxori profetë... - Sa herë që vdiste një profet, për ta vinte një profet tjetër. Kështu ndodhte që nga koha e Ibrahimit, deri në kohën e Isait, birit të Merjemes, i cili ishte profeti i fundit nga mesi i bijve të Izraelit. Pastaj Allahu i Madhëruar i zbriti revelatë profetit të fundit dhe vulës së të gjithë profetëve dhe të dërguarve, Muhamedit, të birit të Abdullahit, pasardhësi i Ismailit, birit të Ibrahimit. Ky profet i fundit do të ishte më i zgjedhuri dhe më i nderuari ndër gjithë profetët e botës. - ju bëri të jeni sundues (në Tokë) - Abdurrezaku citon Ibn Abasin, i cili, duke shpjeguar këtë fjalë, ka thënë: “Ai u dha nën zotërim shërbëtorë, gra e shtëpi.” Mejmun Ibn Mehrani përcjell se Ibn Abasi ka thënë: “Nëse një burrë nga bijtë e Izraelit kishte grua, shërbëtor dhe shtëpi, ai konsiderohej si mbret”. Ibn Sheudhebi ka thënë: “Nëse një burrë prej bijve të Izraelit kishte shtëpi dhe shërbëtorë dhe atij i kërkohej leje për të hyrë në shtëpinë e tij, ai ishte mbret.” Katade ka thënë: “Ata (bijtë e Izraelit) janë të parët që kanë përdorur shërbëtorë.” Maliku ka thënë: “Kështu quhej ai që kishte shtëpi, shërbëtorë dhe grua.” Në hadith është thënë: 987 . “Ai që gdhin i shëndetshëm në trupin e tij, i sigurt në shtëpinë e tij dhe zotëron ushqimin e ditës, është si t’i jetë dhënë e gjithë bota, me gjithëçka të saj.” - dhe ju dha atë që nuk i kishte dhënë asnjë populli (tjetër). - Domethënë, asnjë populli tjetër në epokën tuaj. Kështu, ata ishin njerëzit më të zgjedhur dhe të nderuar të kohës së tyre, mbi të gjithë popujt e tjerë, si grekët, egjiptianët e kombet e tjera, sikurse ka thënë Allahu i Lartësuar: “Ne u dhamë bijve të Izraelit Librin, gjykimin me drejtësi dhe profetësinë. Ne i furnizuam ata me të mira, duke i dalluar mbi të gjithë njerëzit (e asaj kohe) .” [Xhathije 16]. Kështu, qëllimi është të tregohet se ata ishin më të zgjedhurit në kohën e tyre, pasi tashmë më i miri i të gjithë popujve, në të gjitha vendet dhe kohërat, pa asnjë përjashtim, është umeti i fundit . Ata janë më të dalluar tek Allahu, kanë Sheriatin më të plotë, rrugën më të qartë e të drejtë, Profetin më të zgjedhur, mbretërit më të mëdhenj, rrizkun dhe begatitë më të mëdha,
pasuritë dhe fëmijët më të shumtë, mbretërim e sundim më të gjerë dhe krenari të pacenueshme. Allahu i Lartësuar ka thënë për këtë umet: “Ne ju bëmë ju një popull të ekuilibruar, për të qenë dëshmitarë (Ditën e Gjykimit) për popujt.” [Bekare 143]. Në vijim, Allahu i Madhëruar na tregon se si Musai nxiti popullin e tij që të nisnin xhihadin dhe të hynin në Bejt el Makdes, tokë kjo e cila ishte në duart e tyre në kohën e babait të Jakubit (Izraelit). Më pas, ai së bashku me familjen e tij shkuan në Egjipt, kur Jusufi ishte atje. Ata qëndruan në Egjipt, deri kur Musai i urdhëroi për t’u kthyer në Bejt el Makdes. Kur arritën atje, ata panë se vendin e tyre e kishin pushtuar amalikët, një popull i ashpër e i pamëshirshëm në luftë. Musai e urdhëroi popullin e tij që të hynin me luftë në atë vend dhe u premtoi se, nëse hynin me luftë, do të fitonin. Por ata refuzuan të luftonin, duke mos iu bindur kështu urdhrit të Musait. Për këtë vepër, ata u mallkuan që të endeshin të humbur nëpër shkretëtirë. Ata endeshin, pa ditur se ku të shkonin, për dyzet vite rresht. Ata e merituan këtë, për shkak të shpërfilljes dhe thyerjes së urdhrit të Allahut. Allahu i Madhëruar na tregon për fjalët që u tha Musai atyre: - O populli im! Hyni në tokën e shenjtë... – Toka e pastër Bejt el Makdes. - të cilën Allahu jua premtoi... - Allahu i Madhëruar ua premtoi, përmes fjalës së atit tuaj, Izraelit, atyre që besonin. - dhe mos u sprapsni (nga lufta në rrugën e Zotit) sepse atëherë do të jeni të humbur!” - Mos i bëni bisht xhihadit në rrugën e Zotit, sepse atëherë do të jeni të humbur! - Ata (populli i Musait) thanë: “O Musa! Në këtë tokë është një popull shumë i fuqishëm e ne nuk do të hyjmë aty kurrë, derisa ata të largohen prej andej. Kur ata të largohen, ne do të hyjmë” - Kështu u justifikuan kur i bënë bisht urdhrit për luftë: “Në këtë tokë është një popull shumë i fuqishëm...”, domethënë, janë njerëz të pamëshirshëm, të ashpër e me fuqi të madhe luftarake. Ne nuk kemi forcë që t’i luftojmë ata, prandaj nuk kemi mundësi të hyjmë, për sa kohë ata vazhdojnë të jenë në të. Ne do të hyjmë vetëm nëse ata largohen prej andej. Në të kundërt, ne nuk kemi forcë kundër tyre. - Dy burra, prej atyre që i frikësoheshin Allahut e të cilët Allahu i kishte nderuar (me besim të fortë), thanë: “U hyni atyre nga Porta! Sapo të hyni në të (në qytet), ju do të ngadhënjeni. Dhe vetëm Allahut mbështetjuni, nëse jeni besimtarë (të vërtetë)”. - Kur bijtë e Izraelit i bënë bisht bindjes ndaj Allahut dhe pasimit të Profetit të tyre, ndërhynë dy burra, për t’i nxitur për xhihad. Allahu i përshkruan ata si burra, që Ai u kishte bërë mirësi të madhe dhe i kishte nderuar me iman të fortë dhe me frikë-respekt për të. Ata i frikësoheshin Allahut dhe ndëshkimit të Tij. Thuhet se ata quheshin Jushea Ibn Nun dhe Kalib Ibn Jufenna. Kështu ka thënë Ibn Abasi dhe dijetarë të hershëm dhe të mëvonshëm, - Allahu i mëshiroftë! Ata u thanë: “Hyni nga porta e tyre! Sapo të hyni (në qytet), ju
do të ngadhënjeni! Vetëm Allahut mbështetjuni, nëse jeni besimtarë (të vërtetë)”. Pra, nëse i mbështeteni plotësisht Allahut, zbatoni urdhrin e Tij dhe pasoni të Dërguarin e Tij, Allahu ka për t’ju dhuruar fitoren mbi armikun tuaj. Kështu do të hyni në atë vend, që Allahu jua ka premtuar. Por edhe nxitja e këtyre dy burrave nuk u vlejti atyre, prandaj, duke vazhduar me refuzimin e tyre, thanë: - Ata thanë: “O Musa! Ne kurrë nuk hyjmë atje, përderisa ata të jenë aty, prandaj shko ti dhe Zoti yt e luftoni, se ne po rrimë (e po presim) këtu!” – Kështu i bënë bisht xhihadit në rrugën e Zotit. Ky ishte kundërshtimi i Profetit të tyre. Çfarë ndryshimi i madh me mes popullit të Musait dhe shokëve të Profetit tonë, Muhamedit! Sa e bukur ishte përgjigjja që i dhanë në Betejën e Bedrit, kur ai u këshillua me ta për të luftuar kundër përforcimeve të ardhura nga Meka, në ndihmë të karvanit të Ebu Sufjanit! Kur muslimanët nuk arritën ta merrnin karvanin me mallra të Ebu Sufjanit dhe tashmë po dukej sheshit se lufta ishte gati të fillonte, ata nuk i bënë bisht asaj, edhe pse ishin të pakët në numër, ndërsa pala tjetër kishte rreth 900 deri në 1000 luftëtarë të armatosur rëndë. Foli Ebu Bekri, i cili tha fjalë të mira. Pastaj folën edhe muhaxhirë të tjerë. Por Profeti nguli këmbë: “Më tregoni, o muslimanë, atë që mendoni!” Dhe këtë e thoshte që të mësonte edhe mendimin e ensarëve, sepse ata ishin shumica. Atëherë u foli Sad Ibn Muadhi dhe tha: ‘Me sa duket, ti po kërkon mendimin tonë, o i Dërguari i Allahut. Betohem në Atë që të dërgoi ty me të vërtetën se, nëse ti i hyn detit në këmbë, edhe ne do të hyjmë së bashku me ty dhe nga ne nuk do të mbetet pas as edhe një burrë i vetëm! Nuk i frikësohemi aspak takimit me armikun nesër! Ne jemi të durueshëm në luftë dhe të sinqertë në përmballjen me armikun. Shpresojmë tek Allahu që të shohësh prej nesh atë që ty të qetëson sytë e zemrën! Na udhëhiq nën bekimin e Zotit!” Profeti i Allahut u gëzua shumë me fjalën e Sadit dhe u gatit për luftë. Ndër burrat që folën atë ditë ishte edhe Mikdad Ibn Amr el Kendij, sikurse thotë hadithi që sjell imam Ahmedi nga Tariku, pra, Ibn Shihabi: 988. “Mikdadi i tha Profetit të Allahut ditën e Bedrit: “O i Dërguari i Allahut! Ne nuk do të themi kurrë ashtu si i thanë Musait shokët e tij: “Shko ti dhe Zoti yt dhe luftoni, se ne do rrimë këtu!” Por ne themi: “Shko ti dhe Zoti yt luftoni, sepse edhe ne do të vijmë së bashku me ju të luftojmë!” Gjithashtu, ai (Imam Ahmedi) sjell hadithin nga Abdullah Ibn Mesudi, i cili ka thënë: 989. “Pashë te Mikdadi një qëndrim burrash, që do të jepja gjithçka, veç të isha unë ai që i tha ato fjalë! Ai shkoi tek Profeti kur ai po lutej kundër idhujtarëve, dhe i tha: “Vallahi, o i Dërguari i Allahut! Ne nuk do të themi kurrë ashtu si i thanë Musait shokët e tij: “Shko ti dhe Zoti yt dhe luftoni, se ne do rrimë këtu!” Por ne do të luftojmë djathtas dhe majtas teje, para e pas teje!” Unë e pashë fytyrën e të Dërguarit të Allahut se si ndriçoi, pasi ai u gëzua me këto fjalë.” Kështu e ka sjellë Buhariu në kapitullin “Betejat” dhe në Tefsir. - Ai (Musai) tha: “O Zoti im! Unë nuk kam fuqi mbi asnjë tjetër veçse mbi veten dhe vëllanë tim. - Kur bijtë e Izraelit i bënë bisht urdhrit për luftë, Musai u zemërua dhe filloi të lutej: “O Zoti im! Unë nuk kam fuqi mbi asnjë tjetër, veçse mbi veten dhe vëllanë tim!” Kuptimi: Nuk ka mes tyre ndonjë që t’i bindet urdhrit Tënd dhe të më përgjigjet mua, përveç meje dhe vëllait tim Harunit. Pastaj tha: - Prandaj, na veço ne prej këtij populli të pabindur!” - Aufi sjell shpjegimin e Ibn Abasit: “Pra, gjyko me drejtësinë Tënde mes meje dhe atyre!” Po kështu ka thënë edhe Dahhaku: “Gjyko dhe bëj ndarjen mes nesh dhe atyre!” - Allahu tha: “Ajo (tokë) është e ndaluar për ta. Për dyzet vjet, ata do të enden nëpër tokë. - Kur Musai u lut kundër tyre, për shkak të bishtnimit të xhihadit, Allahu gjykoi që atyre t’u ndalohej hyrja në atë vend për dyzet vjet. Kështu, ata humbën në
shkretëtirë, ku vetëm ecnin e ecnin, pa gjetur dot rrugën e daljes. Gjatë kësaj kohe, ata panë e dëshmuan ngjarje të çuditshme, si: retë që u bënin hije, ushqimet mena dhe selva, burimet e ujit nga një gur, që e mbartnin me vete në kafshë; kur Musai e godiste atë gur me shkopin e tij, prej tij shpërthenin 12 burime uji, domethënë, nga një për secilin fis, e shumë mrekulli të tjera, që Allahu i solli në mbështetje të Profetit të Tij. Pikërisht gjatë kësaj kohe, Musait iu shpall Teurati dhe ligje të rëndësishme. Gjatë kësaj kohe vdiq Haruni, ndërsa tre vjet pas tij vdiq edhe Musai. Pas vdekjes së Musait, Allahu la si zëvendës të tij Jushea Ibn Nun si profet. Gjatë kësaj kohe vdiqën shumica e bijve të Izraelit. Madje, thuhet se nuk mbeti askush, përveç Jushea Ibn Nunit dhe Kalibit. Sidoqoftë, pasi kaluan dyzet vite, Jushea, së bashku me ata që kishin mbetur, - ose me brezin tjetër të bijve të Izraelit - iu drejtuan drejt Bejt el Makdesit dhe e rrethuan atë. Ai arriti që ta çlirojë atë ditën e xhuma, pas ikindije. Kur dielli po bëhej gati të perëndonte, ata patën frikë se tashmë po hynte dita e shtunë, e cila ishte ditë pushimi për ta, kur nuk iu lejohej të kryenin asnjë punë. Por Jushea Ibn Nuni iu drejtua diellit dhe i tha: “Ti je i urdhëruar, por edhe unë jam i urdhëruar! O Zot, mbaje atë (diellin të mos perëndojë)!” Dhe Allahu e mbajti atë, derisa ata e çliruan vendin. Allahu i Madhëruar e urdhëroi Jushea Ibn Nunin që të urdhëronte bijtë e Izraelit që të hynin në portat e Bejt el Makdes të përulur, duke bërë sexhde e duke kërkuar falje. Ata duhej të thoshin: “ Hittatun”, pra, “fshiji gjynahet tona!” Por ata hynë në portat e qytetit duke tërhequr zvarrë të pasmet e tyre e duke thënë: “ Hintatun”, që do të thotë “kokërr elbi”. Kjo ngjarje është shtjelluar më parë në suren Bekare.248 - Por ti mos u ligështo për popullin e pabindur! – Kjo fjalë ishte një ngushëllim për Musain, që të mos shqetësohej për ata, sepse ata e merituan gjykimin që Zoti dha për ta. Në këto ajete ka qortim të rëndë për bijtë e Izraelit. Këtu dalin në pah punët e tyre të shëmtuara, si edhe kundërshtimi nga ana e tyre i urdhrave të Allahut dhe Profetit të Tij, kur ata i bënë bisht urdhrit për xhihad. Tregohet, gjithashtu, dobësia e shpirtrave të tyre për t’u përballur me armikun e për të qenë të durueshëm në luftë, edhe pse mes tyre ishte Profeti i Allahut, ai që u quajt Kelimu Rahman, i zgjedhuri dhe ndër më të dalluarit profetë të Zotit , Ai të cilit Zoti i foli me fjalë . Madje, ky profet madhështor u premtoi fitore të sigurt, veç të nisnin luftën. E gjitha kjo ndodhi pas gjithë atyre shenjave e mrekullive madhështore që ata dëshmuan. Madje, Zoti u mundësoi të shihnin me sytë e tyre vetë vdekjen e armikut të tyre më tiran e më të pamëshirshëm dhe të ushtrisë së tij të pashembullt, në kushte të jashtëzakonshme dhe të papërsëritshme. Kjo ngjarje nuk ishte larg kujtesës së tyre e, megjithatë, ata u trembën për të luftuar kundër një vendi e një ushtrie që, në krahasim me ushtrinë e Faraonit dhe të një vendi të madh si Egjipti, ishin thuajse të papërfillshëm. Ata nuk ishin as sa një e dhjeta e asaj ushtrie, nga e cila Zoti i shpëtoi, e përsëri i bënë bisht luftës. Kështu u shfaqën veprimet e shëmtuara dhe të turpshme të tyre. Kjo ishte vazhdimësia e përhumbjes së tyre në injorancë dhe punë të urryera. Ata janë të urryer për Zotin, madje janë armiq të Tij. E, megjithatë, ata përsëri thonë: “Ne jemi të dashurit e Allahut dhe bijtë e tij.” Allahu ua shëmtoftë ato fytyra, prej të cilave pati edhe të tillë që Ai i shndërroi në derra e majmunë! Ata i pret zjarri i ndezur fort, ku Ai ka për t’i lënë përjetë e pafundësisht. Allahu qoftë i lavdëruar! Vetëm në dorën e Tij janë të gjitha mirësitë!