▾ Teksti i plotë▴ Mbyll
- Është Ai (Allahu) që ta zbriti ty (o Muhamed) Librin (Kur'anin). Në të ka ajete të qarta (muhkematun), të cilat janë baza e Librit. Në të ka ajete të tjera, që janë jo krejtësisht të qarta (muteshabihat).- Allahu i Lartësuar tregon se në Kur 'an ka ajete “ muhkemat”, të cilat janë baza e Librit. Ato janë ajete të kthjellëta, që nuk lënë paqartësi për asnjë. Megjithatë, në Kur 'an ka edhe ajete që janë muteshabihat, pra, që janë jo krejtësisht të qarta e të cilat keqkuptohen nga shumë njerëz ose disa prej tyre. Detyra e njeriut është që ajetet e paqarta t’i shohë e kuptojë nën dritën e ajeteve të qarta. Ai që bën këtë, ka gjetur udhën e drejtë dhe të vërtetën. Ndërsa ai që bën të kundërtën është zhytur në humbje të thellë e të largët. I Madhëruari i përshkruan ajetet e qarta si “baza e Librit”, pra, themeli, mbi të cilin duhet të ndërtohen të gjitha gjykimet. Ato përbëjnë shumicën e ajeteve kuranore dhe nën dritën e tyre duhet të shpjegohen e kuptohen edhe ajetet e tjera (pra muteshabihatet), që kanë nevojë të sqarohen. Ndërsa “ muteshabihat” janë ato ajete, të cilat keqkuptohen nga disa mendje, sepse ato përmbajnë shumë kuptime, për sa i përket formulimit dhe termave të përdorur, edhe pse e vërteta që është dashur të shprehet me to është një e vetme. Por cilat janë ato ajete që konsiderohen “ muhkemat” dhe cilat “ muteshabihat”? Për këtë ka mendime të ndryshme. Kështu, Ibn Abasi ka thënë se: “ muhkemat” janë ajetet abroguese, ajetet që shtjellojnë hallallin dhe haramin, ajetet që shtjellojnë ligjet e
dispozitat e Zotit, ato rregulla dhe urdhëresa me të cilat jemi porositur që të punojmë dhe që përmes tyre të adhurojmë Zotin. Po nga Ibn Abasi përcillet se ai, si shembull të ajeteve muhkemat, ka sjellë ajetet: “ Thuaju: “Ejani t’ju kumtoj ato që vërtet jua ka ndaluar Zoti juaj: Të mos adhuroni (askënd e) asgjë tjetër përveç Tij; të silleni mirë me prindërit; të mos i vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju furnizojmë ju dhe ata; të mos u afroheni gjynaheve - të hapura apo të fshehta qofshin; dhe të mos vrisni atë që Allahu e ka ndaluar të vritet, veçse kur e do drejtësia. Këto janë porositë e Tij, që ju të mendoni thellë. Mos iu afroni pasurisë së jetimit, veçse në mënyrën më të mirë, derisa ai të arrijë pjekurinë! Masni dhe peshoni me drejtësi! Ne nuk ngarkojmë asnjë njeri përtej mundësive të veta. Kur të flisni, duhet të jeni të drejtë, edhe kur çështja është për të afërmit tuaj. Plotësojini zotimet që i bëni Allahut! Këto janë porositë e Tij, me qëllim që ju të kujtoni. Kjo është rruga Ime e drejtë. Prandaj përmbajuni asaj e mos ndiqni rrugë të tjera, të cilat ju largojnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, në mënyrë që ju të jeni të devotshëm.” El en'am [151 - 153], dhe ajetet: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni asnjë (dhe asgjë) tjetër përveç Tij dhe të silleni mirë ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of” e as mos u sill vrazhdë ndaj tyre, por thuaju vetëm fjalë të mira! Dhe shtrije mbi ta krahun e butësisë dhe të mëshirës dhe thuaj (lutu): “Zoti im! Mëshiroji ata të dy, siç më edukuan mua kur isha i vogël!”. Zoti juaj e di më së miri atë që fshihni brenda shpirtit tuaj. Nëse jeni bamirës, atëherë (dijeni se) Ai është Falës i Madh ndaj atyre që pendohen. Jepi të afërmit, të varfrit dhe udhëtarit të drejtën që i takon, por mos shpenzo tepër e më kot! Pa dyshim, ata që e teprojnë janë vëllezër të shejtanëve dhe shejtani është mohues i madh i Zotit të Tij. Nëse nuk mund t'i ndihmosh (të afërmit, të varfrit etj.) dhe i kthen ata, duke shpresuar mëshirë nga Zoti yt, atëherë thuaju atyre fjalë të mira! Mos e shtrëngo dorën tënde e as mos e lësho atë pa fre dhe të mbetesh i qortuar dhe duarthatë! S’ka dyshim se është Zoti yt Ai që i jep me mbushulli atij, që do dhe ia kufizon atij, që do. Ai di dhe sheh gjithçka mbi robërit e Tij. Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve! Vrasja e tyre është, vërtet një krim i madh. Mos iu afroni imoralitetit! Ai është, vërtet një vepër e shëmtuar dhe një rrugë shumë e keqe. Mos e vrisni njeriun, që Allahu e ka ndaluar të vritet, përveç se me drejtësi (sipas Ligjit). Nëse dikush vritet pa të drejtë, Ne i kemi dhënë të drejtë kujdestarit të tij (të kërkojë drejtësi) . Por edhe ai të mos e kalojë kufirin në (shpagimin për) vrasje, sepse ai është i ndihmuar (prej Zotit). Mos iu afroni pasurisë së jetimit, përveçse kur keni qëllim të mirë (për t’ia shtuar), derisa ai ta arrijë pjekurinë e vet! Zbatojini premtimet tuaja, sepse për premtimin ka përgjegjësi! mbusheni mirë masën kur matni (me enë) dhe peshoni me peshore të saktë! Kjo është më e dobishme për ju dhe ka përfundim më të mirë. Mos iu afro asaj për të cilën nuk ke njohuri! Dëgjimi, shikimi dhe zemra – për të gjitha ato ka përgjegjësi. Mos ec nëpër tokë me mburrje, sepse ti as nuk mund ta çash tokën, as nuk mund të arrish lartësinë e maleve! E keqja e të gjitha këtyre është e urryer nga Zoti yt. Këto (ajete) janë nga urtësia, që Zoti yt ta shpalli ty. Mos adhuro veç Allahut ndonjë zot tjetër që pastaj të hidhesh në Xhehenem si fajtor dhe i dëbuar.” [Isra 23 - 39]. Ndërsa Jahja Ibn Jeameri ka thënë se ato janë: detyrat, farzet, urdhëresat, ndalesat, hallalli e harami. Ebu Fahteh ka thënë se muteshabihat janë ajetet që hapin suret (si "Elif, Lam, Mim ", "Ha, Mim", etj). Disa të tjerë janë të mendimit se muteshabihat janë ajetet e abroguara, ose ajetet e ashtuquajtura “ el mukaddem ” dhe “el muahhar”, shembujt e ndryshëm e sjellë në Kur'an, ose ato të cilat duhet të besohen si ajete të shpallura nga Allahu, por që nuk
është detyrë të punohet me to. Kështu thotë Ibn Ebu Talha nga Ibn Abasi. Muhamed Ibn Is'haku ka thënë se: muhkemat janë argumentet e prera e të qarta të Zotit, janë siguria e ruajtja e robërve , janë ato që shuajnë kundërshtitë e kota e të padrejta, janë ato të cilat nuk mund të shtrembërohen e të keqinterpretohen për t'u dhënë kuptime të paqena dhe të pavërteta, si edhe kuptimet e drejtpërdrejta. Në fakt, edhe ajetet muteshabihat nuk duhet të shtrembërohen e të keqinterpretohen, duke u dhënë kuptime të paqena dhe të pavërteta, por duke qenë se ato përmbajnë më shumë se një kuptim, Allahu sprovon me të tilla ajete, duke i porositur njerëzit që të mos shkojnë te devijimi dhe e pavërteta, por t’i shohin nën dritën e ajeteve të qarta dhe në harmoni me to. Kjo ngjan me sprovën përmes hallallit e haramit si dhe kufijve që Ai ka vendosur, të cilat robërit duhet t'u përmbahen dhe të mos i shkelin. Më pas, i Madhëruari thotë: - “Por ata zemrat e të cilëve anojnë nga e shtrembra...” - Domethënë, ata që e braktisin të vërtetën dhe preferojnë humbjen e devijimin, - “...gjurmojnë ato që janë jo shumë të qarta...”. - Aa i gjurmojnë të tilla ajete, me qëllimin që t’i shtrembërojnë sipas oreksit dhe për të arritur synimet e tyre të mbrapshta. Ata shfrytëzojnë hapësirën që ajetet “ muteshabihat” lënë për interpretim dhe e përdorin për qëllimet e këqija, që fshehin në zemër. Ndërsa për muhkemat-et, ata nuk kanë asnjë mundësi keqinterpretimi, pasi ato ajete i shpartallojnë keqinterpretimet e tyre. Ato janë argument i pathyeshëm, përballë këtyre të prishurve. Duke treguar qëllimet e tyre të errëta në keqpërdorimin e ajeteve muteshabihat, Allahu i Madhëruar thotë: - “...për të shkaktuar hutim...” - E bëjnë për të hutuar e devijuar pasuesit e tyre, duke u dhënë të kuptojnë se janë duke argumentuar me Kur'an, ndërkohë që, në fakt, Kur'ani është argument kundër tyre, e jo pro tyre. Kjo vepër është si ajo e një të krishteri që, me faktin se Allahu e ka quajtur Isain në Kur 'an si “Fjala e Tij (Allahut), që ia drejtoi Merjemes, si dhe shpirt (i krijuar) nga Ai”, mbështet besimin e tij të gabuar rreth Zotit dhe Isait, por, nga ana tjetër, e lë mënjanë ajetin: “Ai (Isai) ka qenë veçse një adhurues, të cilit i dhuruam mirësi dhe e bëmë shembull (mrekulli) për bijtë e Israilit.” [Zuhruf 59]. Ose: “Rasti i Isait tek Allahu, është si rasti i Ademit, të cilin Ai e krijoi nga dheu, e pastaj i thotë: “Bëhu!” dhe ai u bë.” Si edhe shumë ajete të tjera, që janë “ muhkemate” në mesazhin se Isai ishte thjesht një krijesë, si gjithë krijesat e Allahut dhe ishte thjesht rob dhe profet i zgjedhur i Tij. Allahu na tregon qëllimin e tyre të vërtetë me të tilla hile, kur thotë: - “...gjoja sikur kërkojnë komentin e tyre.” - Në fakt, ata kërkojnë shtrembërimin e ajeteve, për t'u dhënë kuptimet që ata dëshirojnë. Buhariu, Muslimi dhe Ebu Daudi sjellin një hadith nga Aishja, - Allahu qoftë i kënaqur me të! - , që ka thënë: 465. “I Dërguari i Allahut përmendi ajetin: “Është Ai (Allahu) që ta zbriti ty (o Muhamed) Librin (Kur'anin). Në të ka ajete të qarta (muhkematun), të cilat janë baza e Librit. Në të ka ajete të tjera, që janë jo krejtësisht të qarta (muteshabihat). Por ata zemrat e të cilëve anojnë nga e shtrembra, gjurmojnë ato që janë jo shumë të qarta, për të shkaktuar hutim, gjoja sikur kërkojnë komentin e tyre. Por, përveç Allahut, askush nuk e di domethënien e tyre. Dijetarët e pajisur me dituri të thellë thonë: “Ne i besojmë atij (Kur 'anit). Të gjitha (ajetet) janë nga Zoti ynë!” Por këtë e kuptojnë vetëm ata që janë të mençur.”. Pastaj, - tregon Aishja - Profeti tha: “Nëse shihni nga ata që kërkojnë e “ gjurmojnë ato (ajete) që janë jo shumë të qarta ”, dijeni se janë ata që Allahu i ka cilësuar në këtë ajet (pra, se “...zemrat e të cilëve anojnë nga e shtrembra”), prandaj ruhuni prej tyre!” Ky është teksti i sjellë nga Buhariu, e po kështu e ka sjellë edhe Tirmidhiu. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Umame i cili na tregon se : 466. "Profeti ﷺ duke folur për
fjalën e Allahut: “Por ata zemrat e të cilëve anojnë nga e shtrembra, gjurmojnë ato që janë jo shumë të qarta, për të shkaktuar hutim...”, ka thënë: “Ata janë ha uârixhët.” Më e pakta, ky është një hadith meukuf, pra, fjalë e një sahabi të Profetit ﷺ .Kuptimi i tij është i saktë, sepse i pari bidat në fenë e Allahut ishte belaja e madhe e ha uarixhëve. Shkaku i shfaqjes së ha uarixhëve ishte një çështje pasurie materiale, e ndodhi pikërisht pas Betejës së Hunejnit, kur Profeti po ndante plaçkën e luftës mes luftëtarëve. Me sa duket, disa zemrave të tyre të prishura nuk u pëlqeu ndarja që Profeti i bëri plaçkës së luftës, ndaj i thanë paturpësisht se ai nuk po mbante drejtësi. Profeti u befasua nga fjalët e tyre. Kështu, Dhul Huejsira 135 i tha: “Mbaj drejtësi, se nuk po tregohesh i drejtë!” Profeti i tha: 467. “Unë do të isha i humbur dhe i dëshpëruar, nëse nuk do të mbaja drejtësi . Mua më besoi Allahu çështjen e Tij për banorët e të gjithë Tokës, kurse ju nuk më pranokeni?!”. Kur u largua, Umer Ibn Hatabi, - e në një transmetim tjetër Halid Ibn Uelidi, - i kërkoi leje Profetit për ta vrarë, por Profeti i tha: “Jo, lëre! Ju do të shihni se, nga lloji i tij do të dalin njerëz të tillë që, adhurimet dhe veprat tuaja të mira do të jenë shumë të pakta dhe të papërfillshme, në krahasim me namazet, agjërimin apo leximin e Kur 'anit nga ana e tyre. Por ata do të dalin nga feja e Allahut (e nuk kthehen më në të), ashtu siç del shigjeta nga harku. Kudo që t’i zini, vritini sepse ka shpërblim të madh për atë që i vret ata.” Më pas, ata u përhapën dhe u shtuan shumë në kohën e Ali Ibn Ebu Talibit, - Allahu qoftë i kënaqur me të! -. Ai luftoi ashpër kundër tyre në krahinën e Nehrauânit. Më vonë, ata u shpërndanë nëpër popuj e vende të tjera. Në këtë mënyrë, u shtuan edhe përçarjet e fraksionet që rodhën prej tyre. Më pas u shfaqën kaderitë, mutezilitë, xhehmitë 136 e grupe të tjera të devijuara e të humbura, për të cilat na ka njoftuar Profeti i Allahut, që thotë vetëm të vërtetën: 468 “Ky ymet do të ndahet në 73 grupe. Të gjitha do të jenë në zjarr, përveç një grupi.” - “Po kush janë ata, o Profeti i Allahut?” - e pyetën. Ai u përgjigj: “Janë ata që pasojnë udhën time dhe të sahabëve të mi!” Hadithin e ka sjellë Hakimi në Mustedrak-un e tij, me këtë shtesë. Lexuesit e Kur 'anit kanë dhënë mendime të ndryshme rreth leximit të këtij ajeti dhe fjalës se ku duhet bërë pauzë. Dy janë mendimet e tyre: 1. Mënyra e parë e leximit udhëzon që të qëndrojmë tek fjala “ il-lell-llâhu”, në këtë mënyrë: “Ue m â jea'lemu te'uîlehũ il -lellllâhu / Uer-râsiħûne fil ilmi jeķûlûne âmen - nâ bihî” (Por, përveç Allahut, askush nuk e di domethënien e tyre. Dijetarët e pajisur me dituri të thellë thonë: “Ne i besojmë atij”). Kjo është mënyra e leximit që bëhet nga shumica e dijetarëve të Kur'anit. Përcillet se Ibn Abasi ka thënë: “Tefsiri i Kur'anit është në katër nivele: 1. Tefsir që askush nuk mund të justifikohet se nuk e di. 2. Tefsir që mund ta njohin dhe kuptojnë arabët nga gjuha e tyre arabe. 3. Tefsir që mund ta njohin dijetarët e pajisur me dituri të thellë. 4. Tefsir që e di veçse Allahu i Madhëruar. Ibn Merdeuejhi sjell hadithin me senedin e tij deri tek Ibn Asi, se Profeti i Allahut ka thënë: 469 “Kur 'ani nuk është zbritur kurrsesi i tillë që të përgënjeshtrojë vetveten. Atë që arrini ta kuptoni prej tij, vëreni në zbatim dhe punoni sipas saj! Ndërsa ato ajete që janë jo krejtësisht të qarta (muteshabihat) thjesht besojini (ashtu siç janë)!” Abdurrezaku përcjell nga Tausi, e ky nga i ati, që ka thënë: “Ibn Abasi e lexonte këtë ajet në këtë mënyrë: “ Ue m â jea'lemu te'uîlehũ il -lell-llâhu / Ue jeķûlur - râsiħûne âmen-nâ bihî. (Por, përveç Allahut, askush nuk e di domethënien e tyre. Dijetarët e pajisur me dituri të thellë thonë: “Ne i besojmë atij”). Ibn Xheriri tregon për Umer Ibn Abdul Azizin dhe Malik Ibn Enesin të njëjtin lexim: “Ata i besojnë ato dhe nuk e dinë kuptimin e tyre”. Gjithashtu, Ibn Xheriri përcjell se leximi i Kur'anit (në këtë ajet) nga Ibn Mesudi ishte: “Domethënia e tyre është tek Allahu.
Ndërsa dijetarët e pajisur me dituri të thellë thonë: “Ne i besojmë atij (Kur'anit).” Është pikërisht ky, mendimi i përzgjedhur edhe nga vetë Ibn Xheriri. 2. Mënyra e dytë e leximit udhëzon që të qëndrojmë tek fjala “ uer-râsiħûne fil ilmi “. Pra: “ Ue mâ jea 'lemu te' uîlehû il -lell-llâhu uer-râsiħûne fil ilmi ” (Dhe shpjegimin e tyre e di veçse Allahu dhe të thelluarit në dije.) Në këtë rast, shprehja “ te’uîlehû” ka kuptimin: “Pra, shpjegimin e ajeteve të paqarta, që kanë nevojë për sh tjellim, e di veçse Allahu i Lartësuar dhe dijetarët e mëdhenj, të cilët dinë t’i kuptojë ato nën dritën e ajeteve muhkemat. Këtë mendim e mbështesin një numër mufesirësh dhe dijetarë të usulit (bazave të jurispudencës islame), të cilët arsyetojnë se nuk mund të pranohet se Allahu i Lartësuar u thotë krijesave diçka që ata nuk arrijnë ta kuptojnë, sepse qëllimi i Shpalljes është që ajo të jetë e kuptueshme nga krijesat. Ibn Ebu Nexhih përcjell nga Muxhahidi shpjegimin: “Dijetarët e pajisur me dituri të thellë e dinë shpjegimin e tyre dhe thonë: “Ne i besojmë atij (Kur'anit)”. Muhamed Ibn Is'hak përcjell nga Muhamed Ibn Xhafer Ibn Zubejri, i cili shpjegon e thotë: “Shpjegimin e tyre dhe atë që është dashur të shprehet konkretisht me to e di veçse Allahu. Të thelluarit në dije thonë: “Ne i besojmë atij (Kur'anit)”, dhe pastaj i analizojnë ajetet “muteshabihat” me kujdes, duke i shpjeguar e kuptuar ato nën dritën e ajeteve “ muhkemat” (të qarta), të cilave ua dinë mirë kuptimin dhe askush nuk mund t'u japë atyre kuptim tjetër. Në këtë mënyrë, të gjitha kuptimet e librit janë në harmoni të plotë me njëra -tjetrën, argumentimi me to bëhet i detyrueshëm për t'u pranuar dhe askujt nuk i mbetet më justifikim për mospranimin e të vërtetës, ndjekjen e të kotës dhe refuzimin e besimit të drejtë.” Në një hadith vjen se Profeti i Allahut është lutur për Ibn Abasin dhe ka thënë: 470 “O Allah! Mësoja atij diturinë fetare dhe mësoja te'uilin”, pra shpjegimin e Kur'anit!” Duke na përshkruar dijetarët e pajisur me dituri të thellë, Allahu i Lartësuar thotë: - Dijetarët e pajisur me dituri të thellë thonë: “Ne i besojmë atij (Kuranit). - Ata thonë: “I besojmë si ajetet “ muhkemat”, ashtu edhe ajetet “muteshabihat”. - Të gjitha (ajetet) janë nga Zoti ynë.” - Pra, si ajetet “ muhkemat”, ashtu edhe ato “muteshabihat” janë të vërteta dhe tregojnë të vërtetën dhe të drejtën. Çdo ajet vërteton ajetin tjetër dhe është në harmoni të plotë me të, sepse të gjitha janë nga Allahu dhe, si të tilla, mes tyre nuk ka kundërshti e përplasje. Allahu i Lartësuar ka thënë: “A nuk meditojnë ata rreth Kur 'anit? Sikur të ishte prej dikujt tjetër e jo prej Allahut, do të kishin gjetur në të shumë kundërthënie.” [Nisa 82]. Por ata që i kuptojnë ajetet me mënyrën e saktë dhe korrekte janë njerëzit e ditur dhe të urtë, prandaj i Lartësuari thotë: - Por këtë e kuptojnë vetëm ata që janë të mençur. - Këta dinë t’i kuptojnë ajetet me mënyrën korrekte dhe arrijnë të shohin aspektin e saktë të lidhjes mes tyre, duke na dhënë kështu një harmonizim të qartë mes ajeteve të librit dhe duke larguar çdo keqkuptim e përplasje të supozuar mes tyre. Është Allahu i Madhëruar që i ka bekuar ata me këtë aftësi dhe forcë mendore dhe këtë logjikë të shëndetshme dhe të mprehtë, që të jenë udhërrëfyes për në rrugën e drejtë. Imam Ahmedi përcjell nga Umer Ibn Shuajb, ky nga i ati, ky nga gjyshi i vet, i cili ka thënë: 471 “Kur Profeti i Allahut dëgjoi njëherë disa njerëz që po kundërshtoheshin rreth Kur'anit, tha: “Popuj para jush janë shkatërruar, për shkak të këtyre kundërshtimeve. Ata përplasnin ajetet e librit kundër njëri tjetrit. Allahu i zbriti librat, në mënyrë të tillë që ajetet e tyre të vërtetojnë e mbështesin njëri tjetrin, prandaj mos trilloni përplasje mes tyre! Ato që i kuptoni, flisni për to, ndërsa ato që nuk i kuptoni, ua lini atyre që i dinë!” 137 Në vijim, Allahu i Madhëruar na tregon se si luten dijetarët e thelluar në dituri. Ata thonë:
- Zoti ynë, mos lejo që zemrat tona të devijojnë, pasi na drejtove! - Mos i lejo që të devijojnë e të largohen nga udhëzimi i drejtë, pasi ua dhurove atë dhe i bëre që të jetojnë sipas tij. Mos na bëj si ata që kanë sëmundje në zemra dhe gjurmojnë në Kur'an ato çështje që janë jo shumë të qarta, por na forco në rrugën tënde të drejtë! - Na dhuro mëshirën Tënde!”. - Forcoji e përqendroji zemrat tona në të vërtetën, me mëshirën Tënde! Rregulloji çështjet tona dhe na jep siguri të plotë dhe iman të palëkundur! - Pa dyshim, Ti je Dhuruesi i madh. - Ibn Merdauejhi sjell hadithin nga Aishja , - Allahu qoftë i kënaqur prej saj! - , e cila thotë se: 472. “Profeti lutej shpesh me këto fjalë: 'Jâ mukal -libel kulûb! Theb -bit kalbi alâ dinik ! (O Ti që rrotullon zemrat! Përqendroje (e forcoje) zemrën time në fenë tënde!) Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Sa shpesh që e bën këtë dua?!” Ai tha: “Çdo zemër është mes dy gishtave të Rahmanit. Nëse dëshiron ta bëjë të qëndrueshme në besim, e bën të tillë! E nëse dëshiron ta devijojë, e devijon atë! A nuk e ke dëgjuar fjalën e Allahut: “ Zoti ynë, mos lejo që zemrat tona të devijojnë, pasi na drejtove! Na dhuro mëshirën Tënde! Pa dyshim, Ti je Dhuruesi i madh .”?” Ky hadith i sjellë në këtë version është garib,138 por pjesa kryesore e këtij hadithi është sjellë edhe në dy Sahih-ët dhe në referenca të tjera, por pa shtesën në fund, ku përmendet ajeti kuranor. - “Zoti ynë, Ti je Ai që do t’i tubosh njerëzit në një Ditë, për të cilën nuk ka dyshim. Allahu nuk e shkel asnjëherë premtimin e Vet”. - Gjatë lutjes së tyre, ata kujtojnë edhe këtë fakt shumë të rëndësishëm, duke thënë: “O Zoti ynë! Ti ke për t’i ringjallur e tubuar robërit në Ditën e Premtuar. Ajo është dita kur do të bësh ndarjen e tyre tyre me drejtësi dhe do të gjykosh rreth çdo gjëje për të cilën ata kanë rënë në kundërshti. Me dijen Tënde të plotë, do t’i japësh çdokujt shpërblimin e merituar, sipas asaj që ka bërë në këtë botë, punë të mira apo të këqija qofshin.