… pjesëmarrjen në gjueti, ndihmesën në të, qoftë edhe duke treguar prenë apo duke dhënë armën, madje ndalohet edhe ngrënia e gjahut, nëse është …
▾ Teksti i plotë▴ Mbyll
Një ndër mirësitë e shumta që Allahu i Madhëruar u ka bërë robve të Tij është që i ka përgatitur ata për sprovat me të cilat do t’i godasë, me gjykimin dhe caktimin e Tij. Ai u tregon në Librin e Tij mënyrat e sprovimit, që ata të binden dhe të rrinë të përgatitur për çdo rast. Pas këtij paralajmërimi, çdokush do të zgjedhë shpëtimin ose humbjen, i vetëdijshëm dhe i qartë për atë që bën. Kështu, thotë i Madhëruari: - “O ju që keni besuar! Allahu ka për t’ju provuar duke ju ndaluar nga një gjueti që e arrijnë duart dhe shigjetat tuaja,...” - Allahu i Madhëruar ka për ta vënë në provë besimin tuaj. Ai do t’ju sprovojë me diçka të vogël e të lehtë, jo me diçka të madhe e të rëndë. Kjo sprovë do të jetë si lehtësim nga Allahu i Madhëruar. Është vetë Zoti që jua mundëson gjuetinë, me shtiza dhe me duar. Pastaj Allahu i Madhëruar tregon urtësinë e këtij sprovimi: “...që Allahu ta dallojë atë që i frikësohet Atij, kur askush nuk e sheh. ” - Pra, që Allahu i Madhëruar t’jua shfaqë krijesave haptazi atë që fshihet në zemrat e tyre, dhe kështu shpërblimi dhe ndëshkimi të ngrihen mbi fakte të dukshme dhe jo thjesht mbi dijen e Allahut të Madhëruar. Kështu, Allahu i Madhëruar do t’i shfaqë ata që i frikësohen Atij edhe fshehtazi dhe që largohen nga ndalesat e Tij edhe kur e kanë mundësinë që t’i kryejnë ato, dhe më pas do t’i shpërblejë me mirësi të shumta. Ai do t’i shfaqë edhe ata të cilët nuk i frikësohen Atij, të cilët sa herë që u jepet mundësia që të gjuajnë edhe kur e kanë të ndaluar, ata e bëjnë, pa u drojtur nga Zoti dhe përgjegjësia para Tij. - “Kushdo që e kalon kufirin pas këtij qartësimi, do të ketë një dënim të dhembshëm.” - Çdokush që i kalon kufijtë e Zotit, pasi i janë sqaruar, ai meriton dhe do të marrë një ndëshkim të dh embshëm, realitetin e të cilit e di veçse Allahu i Madhëruar. Ky ndëshkim është i meritueshëm, sepse ata nuk kanë asnjë justifikim për veprat e tyre. Devotshmëria e
shpërblyeshme është ajo e fshehta, kur asnjë krijesë nuk të sheh dhe dëshmon. Ndërsa shfaqja e devotshmërisë në praninë e njerëzve, mund të jetë sa për sy e faqe, dhe njeriu nuk meriton shpërblim për këtë vepër. Pastaj Allahu i Lartësuar e shpreh qartë ndalimin e gjuetisë gjatë kohës së ihramit (për haxh ose umre). Ai thotë: - “O ju që keni besuar! Mos gjuani duke qenë në ihram.” - Kjo ndalesë përfshin gjithçka që lidhet me gjuetinë, si: veprimet përgatitore për gjueti, pjesëmarrjen në gjueti, ndihmesën në të, qoftë edhe duke treguar prenë apo duke dhënë armën, madje ndalohet edhe ngrënia e gjahut, nëse është gjuajtur për atë që është në ihram. Ky është respekt për adhurimet e rëndësishme dhe madhështore të haxhit dhe umres. Pra, gjuetia që në kohët e tjera është e lejuar, gjatë kohës së ihramit është e ndaluar. - “Kushdo që kryen gjueti me paramendim, si dënim duhet të therë një kafshë shtëpiake të ngjashme me kafshën që ka vrarë, për të cilën vendosin dy njerëz të drejtë nga mesi juaj, duke e kushtuar atë si kurban në Qabe, ...” - Ai që bën gjueti dhe e vret kafshën e gjuetisë me qëllim, ai detyrohet që ta kompensojë këtë veprim duke bërë kurban një kafshë të përafërt me kafshën që ka vrarë (si lopë, dele, deve etj.). Domethënë, ai duhet të shohë se cilës kafshë shtëpiake i ngjan dhe i përafrohet më shumë për nga vlera kafsha që ka vrarë. Është detyrë, pra, të gjendet dhe përcaktohet përafërsia dhe ngjashmëria e duhur. Ky përcaktim bëhet nga ata që Zoti i ka quajtur “ dheuej adlin”- të drejtët. Pra, dy njerëz të drejtë, të cilët dinë të përcaktojnë ngjashmërinë dhe përafërsinë. Kështu vepruan sahabët, të cilët, për gjuajtjen dhe vrasjen e një pëllumbi bënë të detyrueshëm kurbanin e një deleje, për vrasjen e një struci bënë të detyrueshëm kurbanin e një budneje, ndërsa për vrasjen e lopëve të egra, bënë të detyrueshme kurbanin e një lope të butë. Megjithatë, nëse nuk ka kafshë të butë shtëpiake që i përngjan apo i përafrohet gjahut të paligjshëm, atëherë shikohet vlera e tij monetare, ashtu sikurse thotë rregulli bazë për dëmshpërblimin e të dëmtuarve. Më tej, Allahu i Madhëruar na udhëzon që kurbanin e kompensimit ta çojmë në Qabe. - “...ose të ushqejë të varfër si kompensim, ose të agjërojë në atë masë, që ta ndiejë ndëshkimin për gjynahun e bërë. Allahu e ka falur atë që ka kaluar. ” - Dëmshpërblimi për gjahun e ndaluar mund të nxirret edhe në formë ushqimi për të varfërit, me të njëjtën vlerë sa bagëtia e kurbanit të kompensimit. Shumë dijetarë kanë thënë që, pasi përcaktohet lloji i bagëtisë që do të bëhet kurban, përcaktohet vlera e saj monetare, me të cilën do të blihet ushqim për të varfërit. Pastaj, çdo të varfëri i jepet nga një mudde (dy grushta) grurë ose gjysmë sa-i me lloje të tjera ushqimi, si oriz etj. Kjo është një mënyrë kompensimi, pra, duke ushqyer të varfërit. Mënyra tjetër është duke agjëruar nga një ditë për çdo të varfër që duhej të ushqehej. Për shembull, për dhjetë të varfër është detyrë që të agjërohet dhjetë ditë. Allahu i Madhëruar bëri të detyrueshme këto shlyerje për gjuetinë e ndaluar, me qëllim që gabimtari t’i ndjejë pasojat e mosbindjes së tij. Por ai që i kthehet përsëri kësaj vepre të ndaluar ka për t’u ndëshkuar nga Allahu i Madhëruar: - “Ndërsa atë që i kthehet (gjynahut) pas ndalimit, Allahu do ta ndëshkojë. Allahu është Ngadhnjimtar dhe Zoti i shpagimit.” - Shtrohet pyetja: A është i detyruar për kompensim dhe a është i kërcënuar me këtë ndëshkim si ai që e bën gjuetinë me dashje, edhe ai që e bën pa dashje? Ndërkohë, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Kushdo që kryen gjueti me paramendim...”. Në lidhje me këtë, shumica e dijetarëve kanë thënë se ai që vret gjahun pa dashje çlirohet vetëm nga ndëshkimi i Allahut të Lartësuar, por jo nga përgjegjësia për kompensim. Rregulli për kompensimin e dëmeve thotë qartë se çdokush që dëmton jetën dhe pasurinë e atyre që nuk lejohet t’i cenosh, ai është i detyruar që t’i kompensojë, sido që të jetë, me qëllim apo
pa qëllim. Allahu i Lartësuar ka përcaktuar tri lloje masash për çdo dëmtim: shpagimin, ndëshkimin në dynja dhe ndëshkimin në ahiret. Ai që e bën me qëllim dëmtimin i meriton të trija masat ndëshkimore. Ndërsa ai që e bën pa qëllim mund të çlirohet nga ndëshkimi në dynja dhe ndëshkimi në ahiret, por jo nga detyrimi për kompensim. Kësisoj, përcaktimi në ajet: “Kushdo që kryen gjueti me paramendim...”, është bërë për të përjashtuar nga dënimi i Zotit veprën e bërë pa dashje, por jo nga detyrimi për kompensim. Ky ishte mendimi i shumicës së dijetarëve. Disa dijetarë të tjerë janë të mendimit se ai që e bën këtë vepër pa dashje përjashtohet edhe nga detyrimi për kompensim. Thënë ndryshe, kompensimi është detyrim vetëm për atë që e ka bërë me qëllim, sepse këtë e tregon qartë ajeti, me kuptimin e drejtpërdrejtë të tij. Edhe rregulli për kompensimin e dëmeve në jetë dhe pasuri është i saktë, por ka një ndryshim mes rasteve të zakonshme dhe rastit të gjahut të ndaluar. Ndryshimi është se në rastet e zakonshme kemi të bëjmë me shkelje të hakut të krijesave, prandaj është i detyrueshëm kompensimi i dëmit. Ndërsa në rastin e gjuetisë së ndaluar kemi të bëjmë me hakun e Allahut, dhe përderisa ai që e bën pa dashje çlirohet nga gjynahu dhe ndëshkimi i Zotit, duhet të jetë i çliruar edhe nga detyrimi për kompensim. Fjala “gjueti” në ajet nënkupton si gjuetinë tokësore, ashtu edhe atë të detit. Pra, ndalesa i përfshin të dyja llojet e gjahut, prandaj Allahu i Madhëruar veçon gjahun e detit, që është hallall. I Lartësuari thotë: - “Juve ju është lejuar gjuetia e detit dhe çdo ushqim i tij, për t’u kënaqur ju dhe udhëtarët,...” - Pra, gjuetia në det është lejuar edhe gjatë kohës së ihramit. Lejohet si ushqimi që del i gjallë prej detit, ashtu dhe kafshët e detit të ngordhura në të. Allahu i Lartësuar i lejoi këto ushqime, gjithashtu, me qëllim që bashkë me ne, të përfitojnë edhe shoqëruesit tanë të udhëtimit në det. - “...por ju është ndaluar gjahu i tokës, sa të jeni në ihram!” - Nga fjala “sajd” (gjah) nënkuptohet që, së pari, gjahu të jetë kafshë e egër dhe jo e zbutur. Pra, vrasja e kafshëve të buta për ushqim nuk konsiderohet gjah. Së dyti, gjahu duhet të jetë i ngrënshëm, domethënë që lejohet të hahet. Kësisoj, vrasja e kafshëve jo të ngrënshme nuk konsiderohet si gjah për të cilin je i detyruar të kompensosh. - “Kijeni frikë Allahun, para të Cilit do të grumbulloheni!” - Frika ndaj Allahut tregohet duke zbatuar ato gjëra të cilat Ai i ka urdhëruar dhe duke iu larguar atyre të cilat Ai i ka ndaluar. Për të qenë sa më e lehtë arritja e kësaj, duhet të kujtojmë shpesh se do të ringjallemi dhe do të grumbullohemi para Allahut, për t’u llogaritur dhe shpërblyer sipas veprave tona. Nëse tregohemi të devotshëm, të gëzohemi, se shpërblimi do të jetë i madh. Por nëse nuk jemi të tillë dhe nuk përpiqemi për të arritur frikën ndaj Allahut, atëherë do të jemi të rrezikuar nga ndëshkimi i të Drejtit.