… ka edhe të tillë që e besojnë Kuranin e të pasojnë ty. Ata gjejnë dobi të madhe në Shpalljen që të dhuroi Zoti yt. Por pastaj Ai …
▾ Teksti i plotë▴ Mbyll
Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na qartëson aspektin sfidues të Kur 'anit dhe faktit se ai është një mrekulli, të cilën, edhe nëse mblidhet i gjithë njerëzimi, nuk do të kishin mundësi të sjellin diçka të ngjashme me të, dhe as 10 sure të ngjashme me suret e Tij, madje as edhe një sure të vetme. Ai është një libër i sjellë me elokuencën më të lartë, bukurinë e të shprehurit dhe forcën më të pashembullt të shpjegimit të çështjeve. Edhe pse është i përmbledhur e konciz, ai përmban kuptime të gjera dhe mesazhe të panumërta. Përveç kësaj, Kur'ani është fjalë
e ëmbël, e cila të kënaq shpirtin dhe që përmban dobi të vyera dhe të shumta. Kumtet e tij janë të dobishme për njerëzit qoftë për dynjanë, qoftë për ahiretin e tyre. Një libër i tillë mund të jetë veçse fjalë e Allahut, fjalë së cilës nuk i përngjan asgjë. Ashtu sikurse Allahut nuk i përngjet asgjë dhe askush në Qenien, cilësitë, veprat dhe fjalët e Tij, po kështu, edhe fjalës së Tij nuk i ngjan asnjë fjalë e krijesave. - Ky Kur'an nuk është i tillë që të mund të bëhet nga dikush tjetër veç Allahut, - Një libër i tillë nuk mund të vijë nga dikush tjetër, përveçse prej Allahut. Asnjë krijesë nuk ka mundësinë të sjellë një fjalë të tillë. - por është vërtetues i asaj që ishte më parë - Kur'ani është vërtetues i librave hyjnorë të shkuar, madje është garantuesi i vetëm i saktësisë së tyre. Ai është qartësues për çdo transformim apo ndryshim, për çdo keq interpretim dhe shpjegim të gabuar, që njerëzit kanë bërë në shpalljet e shkuara. - dhe shtjellues i qartë i Librit (Ligjit të Zotit). - Kur'ani është qartësues i dispozitave dhe rregullave të domosdoshme të hallallit dhe haramit, që duhet t’i dijë çdo njeri. Në të gjendet një qartësim shterues, shërues dhe i plotë, i sjellë në formën më të saktë dhe të drejtë. - Nuk ka dyshim se ai është (zbritur) nga Zoti i botëve. - Nuk ka asnjë dyshim që ai është prej Allahut, Zotit të botëve. - Mos, vallë, po thonë se atë e trilloi ai? Thuaju: “Sillni ju një sure të ngjashme me të dhe thërrisni në ndihmë kë të doni, veç Allahut, nëse - jeni të sinqertë në atë që thoni!”! - Nëse ju keni dyshim e e mëtoni se ky libër nuk është prej Allahut dhe pretendoni duke shpifur se ai është thjesht një trillim i Muhamedit ﷺ kundër Zotit, atëherë logjikoni pak me kujdes! Muhamedi është një njeri, ashtu si dhe ju, atëherë, - sipas pretendimit tuaj, - meqë ai e hartoi vetë Kur'anin, përse nuk bëni edhe ju një libër të ngjashëm me të?! Madje, për këtë projekt, thirrni për ndihmë kë të doni, qoftë prej njerëzve, qoftë prej xhindëve. Allahu i Lartësuar thotë: “ Thuaj (o Muhamed): “Sikur njerëzit dhe xhindet të bashkoheshin të gjithë bashkë, për të sjellë një Kur’ân si ky, nuk do të mund t’ia arrinin kurrë të sillnin as një të ngjashëm me të edhe po ta ndihmonin njëri tjetrin. ” [Isra 88]. Më pas, Allahu i Lartësuar e forcon sfidën, duke u dhënë mundësinë që të sjellin qoftë edhe 10 sure të ngjashme me Kur'anin. Kështu, në fillim të sures Hud, Allahu i Lartësuar thotë: “Mos, vallë, po thonë: “Ai e ka trilluar atë”? Thuaju: “Sillni dhjetë sure të ngjashme me të, të trilluara (ashtu siç thoni) , dhe thirrni për ndihmë kë të mundeni, veç Allahut, nëse thoni të vërtetën!” [Hud 13]. Allahu i Lartësuar i sfidon ata edhe më shumë, duke u lënë mundësinë të sjellin qoftë edhe një sure të vetme si të Kur 'anit: “Thuaju: “Sillni ju një sure të ngjashme me të dhe thërrisni në ndihmë kë të doni, veç Allahut, nëse jeni të sinqertë në atë që thoni!”! Ky është niveli i tretë i sfidës, që Allahu i Lartësuar i drejton gjithë njerëzimit për të bërë një libër të ngjashëm me Kur 'anin e Tij. Po kështu, edhe në suren Bekare, e cila është një sure medinase, Allahu i Lartësuar sfidon njerëzit për të sjellë një kapitull të ngjashëm me suret e Kur 'anit dhe bën të qartë se ata nuk do të kenë mundësi kurrë të bëjnë diçka të tillë: “Nëse jeni në dyshim rreth asaj që Ne ia shpallëm robit Tonë, atëherë bëjeni ju një sure të ngjashme, si ajo (e Kur'anit), madje i ftoni (për ndihmë) të gjithë idhujt që ju adhuroni përveç Allahut, nëse vërtet jeni të sinqertë. E në mos e paçit bërë (deri tani), e as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmen), atëherë ruajuni Zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët i cili është përgatitur për jobesimtarët!” [Bekare 23, 24]. Duhet theksuar se kjo sfidë iu drejtua fillimisht disa njerëzve që ishin të përkushtuar dhe të njohur për oratorinë dhe elokuencën e lartë. Krijimtaria e tyre në poezi apo në gjini të tjera letrare ishte e famshme. Ata ishin të aftë dhe e bënin këtë pa mundimin më të vogël dhe, pa dyshim, ata ishin më të njohurit në këtë fushë. Megjithatë, prej Allahut u erdhi një libër,
me të cilin ata kurrë nuk do të mund të bënin diçka të ngjashme, që të krahasohej me madhështinë e tij. Madje, ky fakt u bë shkak që shumë prej këtyre njerëzve, me oratori të lartë dhe krijimtari të spikatur, të pranonin Isla min. Ata e pranuan Islamin pikërisht për shkak se panë stilin e lartë, ëmbëlsinë dhe bukurinë e pashembullt të Kur'anit. Duke qenë se ata e njihnin mirë gjuhën arabe dhe disiplinat e saj, ata e kuptonin shumë mirë Kur 'anin dhe mesazhet që ai përcillte. Për këtë arsye, ata ishin njerëzit që u nënshtruan më së shumti për ta zbatuar atë. Kjo është e ngjashme me ndodhinë e magjistarëve në kohën e Faraonit. Magjistarët e kuptuan se vepra e Musait nuk i ngjante magjisë së tyre. Madje, dukej qartë se ajo ishte një vepër e dikujt që ishte i mbështetur, i udhëzuar dhe i dërguar nga Allahu i L artësuar. Po kështu, edhe Isai ﷺ solli si mrekulli diçka që nuk i ngjante aspak aftësive dhe shkencës së mjekësisë, të përhapura në atë kohë. Ai ngjallte të vdekurit, shëronte ata që ishin me lebrozë, ata që kishin lindur të verbër etj. Këto gjëra ishin të pamundura nga mjekësia e asaj kohe. Për këtë arsye, çdokush që e njihte fushën e mjekësisë e kuptonte se ato gjëra ishin prej Allahut dhe se Isai ishte i dërguari i Tij. Një hadith i saktë nga Profeti ﷺ thotë: 1458. “Çdo profeti të Allahut i është dhënë si mrekulli diçka e mjaftueshme, që njerëzit ta besojnë. Ajo që m'u dha mua ishte Shpallja, që Allahu ma zbriti, prandaj shpresoj se unë do të jem Profeti me më shumë pasues.” - Ata e mohuan atë (Kur'anin) pa marrë dituri të plotë rreth tij dhe pa u ardhur plotësisht shpjegimi i tij. - Mohuesit e refuzuan Kur 'anin, edhe pse nuk e kishin kuptuar dhe as nuk kishin as diturinë më minimale rreth tij. Allahu thotë gjithashtu: “... dhe pa u ardhur plotësisht shpjegimi i tij ...” Domethënë, ata nuk arritën që të merrnin udhëzimin dhe fenë e vërtetë, që gjendet brenda Kur 'anit, pikërisht nga padituria dhe mendjelehtësia e tyre, që i bëri ta shpërfillin. - Ja, kështu mohonin edhe ata që ishin përpara tyre. - Po kështu mohuan edhe popujt para tyre. - Por shih se si qe përfundimi i keqbërësve. - Le të kenë kujdes ata që e konsiderojnë si gënjeshtër Shpalljen e Allahut, se edhe ata do t’i godasë i njëjti ndëshkim si popujt e shkuar. - Ka prej tyre që e besojnë atë, ashtu siç ka prej tyre që nuk e besojnë. - Prej tyre, o Muhamed, ka edhe të tillë që e besojnë Kuranin e të pasojnë ty. Ata gjejnë dobi të madhe në Shpalljen që të dhuroi Zoti yt. Por pastaj Ai thotë: “... ashtu siç ka prej tyre që nuk e besojnë.” Pra, ka prej tyre, të cilët nuk besojnë. Ata që vdesin në këtë gjendje, ashtu do të ringjallen. - Zoti yt i di më mirë ata që përhapin shkatërrimin. - Allahu i Lartësuar i jep gjithësecilit atë që meriton: udhëzimin ose lënien në humbje dhe dëshpërim. Ai është i Drejti, që kurrë nuk i bën padrejtësi askujt. I pastër dhe i dëlirë, i lartësuar qoftë Ai nga çdo e metë! Nuk ka të adhuruar me meritë veç Tij dhe nuk ka Zot dhe kujdestar për krijesat, veç Tij.