… - Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë bërë. - Ata nuk do të mund të mbulojnë e fshehin asgjë. - Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt. - Ajo është …
▾ Teksti i plotë▴ Mbyll
Allahu i Madhëruar na tregon rreth ndodhive dhe skenave të tmerrshme të Ditës së Gjykimit: - Një Ditë Ne do t'i shkulim malet dhe do ta shohësh Tokën të sheshtë (e të shkretë) dhe Ne do t'i tubojmë të gjithë, pa lënë askënd pas. - Allahu do t’i shkulë malet nga vendi dhe do t’i bëjë si lesh i shprishur, që shpërndahet në ajër. Toka do të bëhet e sheshtë, e lëmuar, pa gropa apo male. Atëherë, Zoti do t’i ringjallë e do t'i nxjerrë sipër tokës të gjitha krijesat. Ai ka për t’i mbledhur të parët dhe të fundit. Do t’i nxjerrë nga barku i tokës apo shkretëtirave të humbura, nga fund i oqeaneve dhe skutat më të errëta. Do t’i bashkojë trupat e tretur pasi të jenë përhapur dhe zhdukur nëpër tokë. Ai do t’i rikrijojë, duke bashkuar çdo pjesë të tyre në një krijim të ri. - Ata do të sillen të gjithë para Zotit tënd të rreshtuar... – Krijesat do të qëndrojnë të rreshtuar para Zotit, duke pritur gjyqin e Tij. Veprat e tyre do të dalin para Zotit, i Cili do të japë për ta gjykimin më të drejtë. Ai do t’u thotë: - (e do t'u thuhet) : “Tashmë keni ardhur para Nesh ashtu, siç ju patëm krijuar herën e parë. – Tashmë jeni pa pasuri, pa familje, pa fis e ndihmëtarë. Asgjë nuk i shoqëron ata, përveç veprave të tyre të mira ose të këqija, që bëjnë në këtë botë, siç thuhet në Kur'an: ‘Tashmë, ju na vini të vetmuar, ashtu si ju krijuam së pari, duke lënë pas vetes gjithçka që ju patëm dhënë. Nuk po shohim të jenë me ju ndërmjetësit tuaj, për të cilët mëtonit se ishin ortakët e Allahut. Pa dyshim, sot është këputur çdo lidhje mes jush dhe ka humbur gjithçka që ju shpresonit.” [En'am 94]. Ndërsa në këtë ajet, Allahu u drejtohet mohuesve të ringjalljes dhe u thotë: - Por ju (o mohues) mendonit se Ne nuk do të caktonim për ju një Ditë takimi (për gjykim).” - Ju e mohonit shpërblimin për veprat tuaja dhe nuk besonit premtimin e Zotit për shpërblim apo ndëshkim. Tani ju po e dëshmoni këtë realitet me gjithë qenien tuaj. - “Kur Libri (i punëve) do t’u vihet përpara, ti do t’i shohësh gjynahqarët të frikësuar nga shënimet në të,... – Është çasti kur hapen regjistrat e veprave, të shkruar me besnikëri nga melekët e Zotit. Ky është një moment kur zemrat dridhen nga frika dhe ankthi është i madh. Edhe shkëmbinjtë do të shkriheshin nga ky moment. Keqbërësit do të përjetojnë një tmerr të paprovuar kurrë më parë. Kur të shohin të shënuara të gjitha fjalët dhe veprat që kanë bërë, do të thonë: - që do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër, që nuk ka lënë asnjë vepër - të madhe apo të vogël -, pa e shënuar.” - Nuk ka lënë asnjë gjynah, të vogël a të madh, pa e shënuar. Asnjë fjalë apo vepër e bërë haptas apo fshehtas, natën apo ditën, nuk është harruar, por është ruajtur me korrektësi. - Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë bërë. - Ata nuk do të mund të mbulojnë e fshehin asgjë. - Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt. - Ajo është dita kur ata do të ndëshkohen për veprat që kanë bërë. Atyre do t'u paraqiten veprat, të cilat do t’i pranojnë të gjitha. Ajo është dita kur do të bëhet realitet ndëshkimi, që ata nuk e besonin. Ky është përfundimi që merituan, sepse Allahu nuk i bën padrejtësi askujt. Ai do t’i trajtojë krijesat ose me drejtësi, ose me bamirësi dhe mëshirë.