… janë ata të shpëtuarit. Thuaj: “O njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut për të gjithë ju. Jam i dërguari i Allahut, në dorën e të Cilit është sundimi i qiejve e i tokës …
▾ Teksti i plotë▴ Mbyll
Është përmendur shumë herë në këtë tefsir se adhuruesi duhet patjetër që t'i kushtojë rëndësi të madhe urdhrave dhe ndalesave të Allahut të Lartësuar, që kanë lidhje me Allahun vetë, por edhe me krijesat. Nëse Allahu i Lartësuar jep një urdhër të caktuar, adhuruesi ka detyrë parësore që ta njohë hollësisht dhe ta kuptojë mirë atë për të cilën urdhërohet. Pasi ta njohë dhe kuptojë mirë urdhrin, besimtari përpiqet maksimalisht dhe kërkon
ndihmën e Allahut që ta plotësojë sa më mirë detyrimin. Përveç kësaj, ai përpiqet me të gjitha mënyrat që edhe të tjerët ta zbatojnë urdhrin e të Adhuruarit. Në të njëjtën mënyrë vepron besimtari edhe me ndalesat e përcaktuara nga Allahu i Lartësuar. Fillimisht, ai përpiqet që ta kuptojë qartë atë për të cilën ndalohet. Ai mundohet ta përkufizojë saktë të ndaluarën dhe përpiqet të kuptojë se çfarë bën pjesë në atë ndalesë, prej të cilës duhet të largohet në shenjë adhurimi për Allahun e Lartësuar. Besimtari nuk e tepron dhe të fusë në rrethin e të ndaluarave atë që nuk është e tillë, por edhe është i kujdesshëm që të mos neglizhojë asgjë që hyn tek të ndaluarat dhe të mos e konsiderojë si të tillë. Pas qartësimit, ai përpiqet që, jo vetëm ai, por edhe të tjerët të distancohen nga ato gjëra që i Adhuruari i ka ndaluar. Edhe kësaj here, ai kurrë nuk harron që të kërkojë ndihmën dhe mbështetjen e plotë të të Adhuruarit, që ta ndihmojë dhe t'ia lehtësojë largimin nga haramet. Kështu duhet vepruar me të gjitha urdhrat dhe ndalesat e ligjëruara nga Allahu i Lartësuar. Asnj ë nga ato nuk duhet neglizhuar. Këto ajete të mrekullueshme përmbajnë këshilla të çmuara dhe nxisin adhuruesit që t’i zbatojnë ato. Këtu përmendet edhe shpërblimi i njerëzve që përpiqen sinqerisht t'i zbatojnë porositë e Zotit të tyre. Ajetet përmbajnë edhe ndalesa nga disa vepra të këqija, duke i nxitur adhuruesit që të largohen prej tyre. Ndërfutja në historinë e Uhudit e ajeteve të mbushura me urdhra dhe ndalesa ka urtësinë e saj. Ndoshta qëllimi është pikërisht përforcimi i atyre mësimeve të vyera që Allahu i Lartësuar u dha besimtarëve në luftën e Uhudit. Sikurse u përmend më parë, Allahu i Lartësuar u premtoi adhuruesve të Tij të sinqertë se, nëse do të tregohen gjithmonë të duruar e të qëndrueshëm, nëse do të jenë të pajisur me devotshmëri dhe nëse do të kenë sistematikisht këto cilësi, Ai do t'i ndihmojë kundër armiqve të tyre dhe do t'u falë fitoren. Nëse ata i përmbushin porositë e Tij, Ai do t’i poshtërojë dhe shpartallojë armiqtë e tyre. Kështu, me sa duket, pas përmendjes së devotshmërisë, nëpërmjet së cilës zbret ndihma, suksesi, lumturia dhe mirësia nga Zoti, shpirtrat duan të dëgjojnë me shumë kureshtje se cilat janë ato cilësi kaq të mrekullueshme, që të bëjnë të jesh i devotshëm. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar përmend në vijim cilësitë më të rëndësishme të devotshmërisë. Nëse adhuruesi pajiset me to, atëherë ai duhet t’i ketë edhe cilësitë e tjera plotësuese, që nuk janë përmendur, por që janë pjesë e atyre të përmendurave. Për rëndësinë e madhe të devotshmërisë tregon fakti që Allahu i Lartësuar e ka përsëritur tri herë gjatë këtyre ajeteve porosinë për të qenë të devotshëm. - “O ju që keni besuar!” - Dijeni se çdo ajet në Kur’ân që fillon me thirrjen: “O ju që keni besuar” tregon se është pikërisht besimi forca shtytëse e kryerjes së urdhrit apo ndalesës që vijon më pas. Të besosh do të thotë të pohosh dhe të pranosh sinqerisht, pa dyshime, gjithçka që duhet besuar dhe pranuar. Ky besim është nxitës për të kryer veprat që e konkretizojnë dhe e shprehin hapur atë. Në vazhdim, Allahu i Lartësuar i ndalon besimtarët që të merren me fajde ose me kamatë. Pasuria e mbledhur me fajde është haram të hahet. Allahu i Lartësuar përmend në këtë ajet një lloj fajdeje që përdorej shumë në kohën e injorancës paraislamike, kur njerëzit nuk shqetësoheshin aspak për dispozitat dhe porositë e Zotit. Asokohe, nëse dikujt i afrohej koha e shlyerjes së borxhit dhe ai nuk ishte në gjendje ta shlyente atë, huadhënësi i jepte atij dy mundësi: ose ta shlyente borxhin në afatin e caktuar, ose ta shlyente më vonë, por shuma e borxhit do të shtohej. Pra, po të zgjatej afati, shtohej shuma për të shlyer. I varfëri i shkretë, për t’i shpëtuar situatës së ngushtë të momentit, detyrohej që të pranonte mundësinë e dytë, të shlyerjes së borxhit bashkë me fajdenë. Kur na ka udhëzuar nga ndalimi i fajdeve ka thënë:
- “Mos e hani kamatën që ju vazhdimisht e shumfishoni!” - Pra, mos hani fajdetë, që janë disa herë të shumëfishuara. Nga cilësimi: “ eđ'âfem-muđâ'afeh” - “që ju vazhdimisht e shumfishoni” kuptojmë se sa i shëmtuar dhe i padrejtë është ky veprim. Ne kuptojmë nga ky cilësim edhe urtësinë e ligjërimit të kësaj ndalese nga Allahu i Lartësuar e i Mëshirshëm. Kjo ndalesë shërben që t’i mbyllet porta kësaj vepre të ulët, të pamëshirshme dhe të padrejtë ndaj krijesave. Allahu i Lartësuar e ka bërë të detyrueshme afatizimin e atij që është ngushtë dhe nuk ka mundësi që ta lajë borxhin, por e ka ndaluar rreptësisht që, për shkak të zgjatjes së afatit, të rritet edhe masa e borxhit. Këtë shtesë mbi shumën e borxhit Allahu i Lartësuar e ka konsideruar si padrejtësi të shumëfishtë. Për besimtarin e devotshëm nuk duhet të ketë mëdyshje për largimin nga një vepër e tillë e shëmtuar dhe e poshtër. Largimi nga padrejtësitë është kusht për të qenë i devotshëm. Nuk ka mundësi që të jesh i devotshëm, pa u larguar nga padrejtësitë e çdo lloji. Qëllimi i çdo njeriu është arritja e gjithçkaje të mirë e të dobishme dhe ruajtja nga çdo gjë e keqe dhe e dëmshme. Por ky sukses është i pamundur nëse mungon devotshmëria. Prandaj i Lartësuari thotë: - “Kini frikë Allahun, që të gjeni shpëtim!” - Është shumë e kuptueshme se arritja e shpëtimit dhe suksesit kërkon devotshmëri. Edhe urdhri për t’u larguar nga fajdetë, është në kuadër të udhëzimit të adhuruesve për të arritur shpëtimin dhe suksesin. Pastaj Allahu i Lartësuar na sjell edhe një arsye më shumë për t’u pajisur me devotshmëri: - “Ruajuni Zjarrit, që është përgatitur për jobesimtarët!” – Pra, kur Allahu i Lartësuar na porosit që t'i ruheni Zjarrit që është përgatitur për mohuesit, kjo nënkupton që, fillimisht, ne duhet të besojmë, dhe pastaj të largohemi n ga gjithçka që të fut në Zjarr. Veprat që çojnë në Xhehenem janë të shumta dhe të larmishme, duke filluar nga kufri e shirku, dhe duke vazhduar me gjynahet dhe padrejtësitë e të gjitha llojeve. Të gjitha gjynahet pa përjashtim, sidomos ato të mëdhatë, të çojnë drejt kufrit. Ato janë tipare dalluese ose elementë të kufrit, dhe Zjarri është përgatitur për ata që kanë cilësitë e kufrit. Ata që kryejnë gjynahe afrohen ngadalë -ngadalë drejt Zjarrit, që është përgatitur për qafirët. Ndërsa largimi nga gjynahet të shpëton nga Xhehenemi dhe të ruan nga zemërimi i të Plotfuqishmit Madhështor dhe Krenar. Veprat e mira dhe bindja ndaj Allahut të Lartësuar sjellin kënaqësinë e Tij dhe hyrjen në Xhenetin e përjetësisë dhe të mëshirës. Prandaj i Lartësuari, menjëherë pas kërcënimit me Zjarr, sjell një përgëzim dhe shkakun që e bën atë të mundur: - “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, që të mëshiroheni!” - Kështu, bindja ndaj Allahut të Lartësuar dhe bindja ndaj Profetit të Tij përbëjnë shkaqet që të çojnë drejt mëshirës së Rrahmanit, i Cili thotë në disa ajete të tjera: “ Cakto për ne atë që është e mirë në këtë Botë dhe në Botën tjetër! Ne jemi kthyer (të penduar) tek Ti!” Ai tha: “Me ndëshkimin Tim godas atë që Unë dëshiroj, ndërsa mëshira Ime ka përfshirë gjithçka. Atë (mëshirë) e kam caktuar për ata që janë të devotshëm, e japin zekatin dhe për ata që besojnë në argumentet Tona, për ata që pranojnë të Dërguarin, Profetin "ummij" që nuk shkruan e nuk lexon , të cilin e gjejnë të cilësuar në Teurat dhe në Ungjill, që i urdhëron ata për të mirë dhe i ndalon nga e keqja, që u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, që u heq barrën e rëndë dhe prangat. Ata që besojnë në të, që e nderojnë atë, që e ndihmojnë atë dhe që veprojnë me Dritën që iu zbrit atij – këta janë ata të shpëtuarit. Thuaj: “O njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut për të gjithë ju. Jam i dërguari i Allahut, në dorën e të Cilit është sundimi i qiejve e i tokës. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje. Besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin "ummij" që nuk
shkruan e nuk lexon, që beson Allahun dhe Shpalljet e Tij! Ndiqeni rrugën e tij, që të jeni të udhëzuar! ” [Araf 156 -158]. Më pas, Allahu i Lartësuar vazhdon me porosi të mrekullueshme për të arritur devotshmërinë dhe suksesin: - “Nxitoni për faljen e gjynaheve nga Zoti juaj dhe për një Xhenet, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe e tokës!” - I Lartësuari na udhëzon që të nxitojmë pa vonesë në kërkimin e faljes prej Allahut të Lartësuar dhe drejt Xhenetit të Tij të mirësisë dhe bujarisë. Për ta bërë sa më të dashur dhe të dëshirueshëm këtë nxitim, Allahu i Lartësuar na tregon për gjerësinë e madhe të Xhenetit. Kur gjerësia e tij është sa ajo e qiejve dhe e tokës, atëherë po gjatësia e tij, sa do të jetë?! Pastaj i Lartësuari sjell përsëri një nxitës shumë të fortë për t'u pajisur me devotshmëri, kur na tregon se Xheneti dhe falja e Tij është për të devotshmit: - “Ai është përgatitur për të devotshmit” - Pra, për të devotshmit, që i zbatojnë urdhrat e Zotit të tyre dhe iu largohen ndalesave të Tij, është gati falja dhe mëshira e Tij në Xhenetin e përjetësisë. Më poshtë, Allahu i Lartësuar vijon me disa cilësi dalluese të të devotshmëve, për ata që dëshirojnë suksesin. - “Për ata që japin kur janë në bollëk dhe kur janë në vështirësi. ” – Pra, ata shpenzojnë, në çdo gjendje qofshin: në gjendje të mirë apo në gjendje të vështirë. Nëse janë në kohë bollëku, ata japin shumë për fenë e Allahut nga pasuria e tyre. E nëse janë në kohë vështirësie, ata përsëri dinë të jenë bamirës, qoftë edhe me gjëra shumë të vogla. Ata nuk nënvleftësojnë asnjë lloj bamirësie, sado e vogël qoftë ajo. - “Ata e përmbajnë zemërimin ...” - Nëse dikush u bën ndonjë padrejtësi dhe i mbush zemrat e tyre me zemërim e urrejtje, ata nuk nxitohen që të veprojnë dhe të hakmerren kundër tij, sikurse të shtyn nefsi. Por ata dinë ta shtypin zemërimin e ndezur në kraharor, ata dinë ta nënshtrojnë veten, për të qenë të durueshëm dhe tolerantë, për të mos e kthyer të keqen nxitimthi dhe me ashpërsi. Madje, cilësia e tyre mbizotëruese është: - “...dhe i falin njerëzit. ” - Ata janë falës ndaj njerëzve, falës ndaj fjalëve dhe veprave të tyre. Falja është më e çmuar dhe më e vështirë sesa thjesht frenimi i zemërimit. Falja është largim nga hakmarrja kundrejt atij që të ka bërë keq. Sigurisht, kjo pritet veçse nga njerëzit me moral të lartë, që janë larg cilësive të ulëta. Kjo është veti e atyre që kanë bërë ‘tregti’ me Allahun, prandaj i falin adhuruesit e Allahut, të motivuar nga mëshira dhe bamirësia ndaj tyre. Ata përpiqen që të mos i dëmtojnë të tjerët me zjarrin që ndez hakmarrja dhe urrejtja, dhe kështu kërkojnë dhe shpresojnë faljen e Allahut. Ata shpresojnë që Allahu i Lartësuar t'i falë dhe t'u dhurojë shpërblim të madh nga bujaria e Tij. Ata nuk presin shpërblime nga krijesat, të cilat janë të vogla, të dobëta dhe të pamundura, por e presin shpërblimin vetëm nga Allahu i Pasur, Bujar dhe Dhurues i madh. Ata kujtojnë gjithmonë fjalën e Allahut të
Lartësuar: “Ai që fal dhe rregullon çështjet e ka shpërblimin tek Allahu i Lartësuar." Pastaj Allahu i Lartësuar përmend një gradë më të lartë të besimit dhe të edukatës me njerëzit, që është bamirësia, ose iĥsân-i. Thotë i Lartësuari: - “Allahu i do bamirësit” - Bamirësia është dy llojesh: bamirësi në adhurimin ndaj Krijuesit dhe bamirësi ndaj krijesave. Bamirësia në adhurim është shpjeguar nga Profeti (a.s.) në një hadith të saktë, që thotë: “Bamirësia në adhurim është: Ta adhurosh Allahun sikur ta shihje Atë. Nëse nuk e sheh Atë, Ai pa dyshim që të sheh ty”. Ndërsa bamirësia ndaj krijesave bëhet duke u dhuruar atyre të mira, që kanë të bëjnë me fenë dhe dynjanë, dhe përpjekja për largimin e të këqijave prej tyre, qoftë në aspektin e fesë, qoftë në atë të dynjasë. Kështu, koncepti i bamirësisë ndaj krijesave është tepër i gjerë, ku futen shumë fjalë dhe vepra, si për shembull: t’i urdhërosh për vepra të mira dhe t’i ndalosh nga veprat e këqija, t’u mësosh se çfarë është e mira dhe të largosh prej tyre injorancën, t’i përkujtosh vazhdimisht dhe t'i përmendësh nga pakujdesia, që aq shpesh i kaplon; t’i këshillosh ata vazhdimisht, qoftë njerëzit e thjeshtë, qoftë ata me pozitë; të përpiqesh të bashkosh radhët e tyre, ta shpërndash sadakanë dhe zekatin atje ku nevojitet, të shpenzosh në dobi të tyre çfarëdolloj të mire, sado e vogël qoftë ajo, apo edhe sikur thjesht të mos i dëmtosh dhe të largosh të këqijat prej tyre, qofshin ato fjalë apo vepra. Madje edhe të tregohesh i durueshëm ndaj injorancës dhe ashpërsisë së krijesave, është bamirësi ndaj tyre, dhe kjo shpërblehet nga Allahu i Lartësuar. Kështu i përshkruan Allahu i Lartësuar të devotshmit në këtë ajet. Kush i ka të tilla cilësi, e ka respektuar dhe plotësuar të drejtën e Allahut dhe të drejtat e krijesave ndaj tij. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë se të devotshmit i kërkojnë falje vazhdimisht Allahut të Lartësuar për gabimet dhe mangësitë e tyre: - “Edhe ata që kur bëjnë ndonjë gjë të shëmtuar, ose kur i bëjnë padrejtësi vetvetes, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për gjynahet e tyre. E kush i fal tjetër gjynahet, përveç Allahut? ” - Sa herë që ata bëjnë ndonjë gabim të madh apo dëmtojnë veten me pakujdesinë e tyre, shpejtojnë të pendohen dhe t'i kërkojnë Allahut falje dhe mëshirë. Ata i kërkojnë Atij që t'ua mbulojë të metat e tyre dhe gabimet që kanë bërë. Ata nxitojnë të pendohen dhe të kërkojnë falje, sepse ata kujtojnë Allahun e Lartësuar që sheh dhe di gjithçka, kujtojnë kërcënimin e Tij të hapur dhe të qartë për ata që thyejnë porositë e Tij dhe shkelin kufijtë e Tij, kujtojnë premtimet e dashura që Allahu i Lartësuar u ka dhënë të devotshmëve, të cilët i ruajnë kufijtë e Tij. Të gjitha këto përkujtime bëjnë që ata, me të shpejtë, t’i kërkojnë Allahut falje për gabimet e tyre dhe që t'ua mbulojë të metat dhe turpet e tyre. Ata heqin dorë menjëherë nga ato vepra të këqija, pendohen dhe trishtohen sinqerisht për gjynahet që kanë bërë. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë: - “Ata nuk vazhdojnë më me atë gjë që kanë bërë më parë, sepse e dinë. ” – Pra, nuk vazhdojnë sërish me një gjynah, pasi e kanë mësuar se çfarë gabimi kanë bërë, por vazhdimisht kthehen të penduar tek Allahu dhe i kërkojnë Atij falje dhe udhëzim. - “Shpërblimi për ata është falja nga Zoti i tyre...” Të përshkruarit me këto cilësi do të kenë si shpërblim ‘ maĝfiratun’, pra, mbulimin e të metave dhe faljen e gjynaheve të tyre, që do të thotë se ata do të shpëtojnë nga çdo e keqe që i druhen. Përveçse janë të sigurt nga çdo e keqe, prej faljes nga Zoti i tyre, ata kanë edhe shpërblime të tjera: - “...dhe Xhenetet, nëpër të cilët rrjedhin lumenj...” - Në Xhenet ka mirësi të shumta e të përhershme, ka gëzim e lumturi, kështjella madhështore, ndërtesa të pastra dhe të larta, pemë e fruta të mrekullueshme, lumenj që rrjedhin vazhdimisht mes vendbanimeve etj. Të gjithë kësaj panorame ia shton bukurinë fakti që ata do të jenë përjetësisht në këtë vend, siç thotë i Lartësuari:
- “...dhe ku ata do të jenë përjetësisht.” - Ata do të jenë përgjithmonë në këtë vend të mrekullueshëm. Ata kurrë nuk do të dëshirojnë të largohen nga ato mirësi dhe kurrë nuk do të velen a mërziten prej tyre e të kërkojnë të tjera. Mirësitë do të jenë gjithmonë në rritje dhe kurrë nuk do të largohen apo pakësohen. - “Sa i mirë është shpërblimi i atyre që punojnë (punë të mira)!” - Ata punuan pak për hir të Allahut të Lartësuar, por u shpërblyen shumë. Siç ka thënë dikush: në kohën e agimit, kur drita u shkëlqen në fytyrë, udhëtarët e natës kënaqen, edhe pse rruga e natës ka qenë e lodhshme. Në momentet e shpërblimit, punëtori ndien gëzim të plotë për punën që ka bërë. Këto ajete të mrekullueshme janë argument shumë i fortë për Ehli Sunetin, të cilët besojnë se veprat bëjnë pjesë në iman, ndryshe nga qëndrimi i murxhi-ve. Ky qëndrim përforcohet në një ajet tjetër shumë të ngjashëm në suren Hadidë: “Shpejtoni drejt faljes prej Zotit tuaj dhe drejt Xhenetit, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiellit dhe e tokës dhe që u përgatit për ata që i besojnë Allahut dhe profetëve të Tij. Kjo është mirësia e Allahut, që ia jep kujt të dojë. Allahu është Dhurues i madh.” [Hadidë 21]. Në këtë ajet përmendet si shkak për futjen në Xhenet besimi tek Allahu dhe te Profeti i Tij. Ndërsa në ajetin e sures Al Imran, që po komentojmë, thuhet se Xheneti është përgatitur për të devotshmit, dhe më pas tregohen cilësitë, veprat dhe fjalët e këtyre të devotshmëve. Nëse i vendos paralel të dy ajetet, kupton se besimtarët e pajisur me iman janë ata që quhen ‘ muttekin’ - të devotshëm, të cilët bëjnë edhe ato vepra të mrekullueshme. Mendo pak dhe gjyko!