… unë kurrë nuk kam për ta zgjatur mbi ty dorën time për të të vrarë, sepse unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve.” - Ky njeri i mirë, që Allahu ia pranoi blatimin, për …
▾ Teksti i plotë▴ Mbyll
Allahu i Madhëruar na tregon qartë përfundimin e tmerrshëm e të dhimbshëm të padrejtësisë, armiqësisë dhe smirës, përmes historisë së dy bijve të Ademit, Habilit dhe Kabilit. Smira e shtyu njërin prej tyre që të vriste vëllanë e vet, padrejtësisht e me urrejtje. Mjaftoi që Habilit t'i pranohej kurbani nga Allahu dhe t'i dhurohej mirësi prej Tij, që në zemrën e vëllait tjetër, Kabilit, të ndizej smira. Por Habili nuk kishte asnjë faj; ai thjesht ia përkushtoi me sinqeritet kurbanin Zotit të tij, dhe me këtë fitoi shpërblimin e mrekullueshëm të Zotit, që ia fali të gjitha gjynahet dhe e futi në Xhenet. Ndërsa Kabili u dëshpërua dhe doli i humbur në të dyja botët. Allahu i Madhëruar thotë: - Lexoju (o Muhamed!) atyre me vërtetësi ngjarjen e dy djemve të Ademit – Lexojua, o Profet, këtë ngjarje atij populli armiqësor e të padrejtë, jehudë e të ngjashëm, vëllezër të atyre njerëzve që Allahu i shndërroi në derra e majmunë! Allahu thotë: “Lexoju (o Muhamed!) me vërtetësi...”, pra, me fakte të vërteta, në të cilat nuk ka asnjë ndryshim e tjetërsim, as mashtrime, hamendësime a trillime. Ky është një rrëfim pa asnjë shtesë e mangësi nga realiteti që ka ndodhur. Ky ngjan me ajetin tjetër: “Nuk ka dyshim se këto janë rrëfime të vërteta...” [Al Imran 62]. Shumë nga dijetarët e hershëm ( selefë) dhe të mëvonshëm shpjegojnë se, në fillim, Allahu i Lartësuar e kishte bërë të lejueshme martesën e vëllait me motrën, por me kushtin që të mos ishin të një shtatzënie. Me fjalë të tjera, në çdo shtatzëni, Ademit i lindnin binjakë, një djalë e një vajzë, për të cilët ishte e ndaluar të martoheshin me njëri-tjetrin. Mashkulli i kësaj shtatzënie mund të martohej vetëm me femrën e shtatzënisë tjetër. Kështu, ndodhi që motra binjake (e një barku) e Habilit të mos ishte shumë e bukur, ndërsa motra binjake e Kabilit të ishte e bukur. Atëherë Habili duhej të martohej me motrën binjake të Kabilit, që ishte e bukur, ndërsa Kabili duhej të martohej me motrën binjake të Habilit, që nuk ishte e bukur. Atëherë, Kabili nuk pranoi diçka të tillë dhe e donte për vete vajzën e bukur, që të mos ia jepte Habilit. Por Ademi ﷺ ,nuk e pranoi diçka të tillë dhe, për të shuar konfliktin, i udhëzoi që secili prej tyre të paraqiste një kurban Zotit: atij që do t’i pranohej kurbani, ai do të martohej me femrën e bukur. Allahu i Madhëruar ia pranoi kurbanin Habilit, dhe kështu ndodhi ajo që Allahu e shtjellon në Librin e Tij. Ibn Ebu Hatimi sjell shpjegimin e Ibn Abasit: “Martesa mes vëllait dhe motrës binjake (të një shtatzënie) ishte e ndaluar, por lejohej martesa mes vëllait e motrës nga shtatzëni të ndryshme. Ademit në çdo shtatzëni i lindnin binjakë, një djalë e një vajzë. Ndodhi që motra e njërit nga vëllezërit ishte e bukur, ndërsa motra e tjetrit ishte e shëmtuar. Vëllai i të shëmtuarës i tha tjetrit: “Ma jep për grua motrën tënde dhe unë të jap për grua motrën time!” Por ai tha: “Jo. Unë e dua për vete motrën time.” Atëherë, ata bënë nga një kurban për Zotin. Allahu ia pranoi atij që bëri kurban dashin dhe nuk ia pranoi atij që ofroi si kurban prodhime nga toka e tij. Atëherë, ai (që nuk iu pranua kurbani) e vrau të vëllanë.” Isnadi i këtij hadithi është i mirë. Aufi sjell hadithin gjithashtu nga Ibn
Abasi që ka thënë: “Në atë kohë nuk kishte nevojtarë e të varfër, që t’u shpërndahej blata ose kurbani. Kështu, nëse Allahu kënaqej me blatën e ofruar prej dikujt, dërgonte një zjarr nga qielli, që e digjte blatën e ofruar. E nëse Allahu nuk kënaqej me blatën e ofruar, zjarri shuhej dhe blata nuk digjej, gjë që tregonte se ajo nuk ishte pranuar. Kështu, të dy vëllezërit bënë nga një kurban. Njëri prej tyre, që ishte bari, ofroi dashin më të mirë e më të majmë nga bagëtitë e tij. Ndërsa tjetri, që ishte bujk, ofroi diçka prej prodhimeve të veta. Zjarri zbriti mes dy kurbaneve dhe dogji dashin dhe e la prodhimet e tokës. Biri i Ademit i tha të vëllait: “S’mund të të lë të ecësh mes njerëzve dhe ata të thonë se ti je më i mirë se unë, se ty t’u pranua kurbani e mua jo . Jo, për Zotin, nuk mund të të lë të gjallë dhe njerëzit të të shohin se je më i mirë se unë . Do të të vras .” Vëllai i tha: “Por çfarë faji kam bërë unë?! Allahu e pranon blatën veçse prej të devotshmëve .” . Këtë hadith sjell Ibn Xheriri. Ky rrëfim na tregon se ofrimi i kurbaneve nuk u bë për ndonjë shkak specifik dhe as për zgjidhjen e konfliktit për çështjen e martesës me gruan e bukur, sikundër u përmend më sipër. Ky rrëfim është më afër me kuptimin e dukshëm të ajetit kuranor, i cili gjithashtu nuk përmend çështjen e konfliktit në fjalë. - kur të dy flijuan nga një kurban. Njërit iu pranua kurbani, ndërsa tjetrit nuk iu pranua. Ai i tha tjetrit: “Unë do të të vras ty”. - Konteksti kuranor përmend se ai u zemërua, për shkak se Allahu e pranoi kurbanin prej vëllait e nuk e pranoi prej tij. Mendimi më i përhapur është se vëllai i mirë, i cili ofroi dashin dhe që iu pranua nga Zoti, ishte Habili, ndërsa tjetri ishte Kabili. Ibn Abasi e të tjerë kanë thënë: “ Flitet për një dash, prej të cilit shpëtoi e u shpërblye ai që e përkushtoi si kurban për Zotin.” Megjithatë, Allahu është më i ditur. - Tjetri i tha: “Allahu pranon (kurban) vetëm prej të devotshmëve. – Domethënë, nga ata që i frikësohen Zotit, duke i përmbushur me përunjësi ato që Ai kërkon prej tyre. Ibn Ebu Hatimi sjell rrëfimin prej Temim Ibn Malik el Mukriut, që tregon se e ka dëgjuar Ebu Dardanë të thotë: “Nëse më jepet siguri se Allahu më ka pranuar qoftë edhe një namaz të vetëm prej meje, kjo do të ishte për mua më e mirë se e gjithë dynjaja, me çka në të, sepse Allahu i Madhëruar ka thënë: “Allahu pranon (kurban) vetëm prej të devotshmëve!”. Ibn Ebu Hatimi sjell gjithashtu rrëfimin prej Mejmun Ibn Ebu Hamsete, që thotë: “Unë isha ulur pranë Abi Uailit, kur pranë nesh erdhi një burrë, që i thoshin Ebu Afif, nga shokët e Muadhit. Shekik Ibn Selemete i tha atij: “O Ebu Afif, a na tregon diçka nga Muadh Ibn Xhebeli?” Ai tha: “Po. Unë e kam dëgjuar atë të thotë: “Njerëzit do të tubohen në një vend, kur një zë do të dëgjohet të thotë: “Ku janë të devotshmit?”” Atëherë, ata ngrihen për të qëndruar në praninë e Rrahmanit. Atje Allahu nuk fshihet prej (shikimit të) tyre e as u ka vënë mbulesë (mes Tij dhe tyre).” Unë i thashë: “E kush janë të devotshmit?” - “Janë njerëzit që ruhen nga shirku dhe adhurimi i idhujve, që përkushtohen në zbatimin me përpikmëri e sinqeritet të fesë dhe adhurimeve për Zotin. Ata do të urdhërohet të futen në Xhenet.” Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Nëse ti e zgjat mbi mua dorën tënde për të më vrarë, unë kurrë nuk kam për ta zgjatur mbi ty dorën time për të të vrarë, sepse unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve.” - Ky njeri i mirë, që Allahu ia pranoi blatimin, për shkak të devotshmërisë së tij, kur e kërcënoi i vëllai se do ta vriste, edhe pse nuk kishte bërë asnjë faj, tha: “Unë nuk do t’i përgjigjem kësaj vepre të tmerrshme e të dënueshme me të njëjtën mënyrë. Nëse do të veproja kështu, do të isha njëlloj dhe i barabartë me ty në ndëshkimin për këtë vepër. Unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve. Frika ndaj Tij më bën që të frenohem nga vepra që t’i po synon. Unë do të bëj durim e do të pres shpërblimin e Allahut!” Abdullah Ibn Amri ka thënë: “Betohem në Allah, se ai
ishte më i fortë se tjetri, por droja prej Allahut e bëri të mos i kthehej me të njëjtën monedhë.” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Bishr Ibn Sadi, se Sad Ibn Ebu Uekkasi, gjatë konfliktit e sprovës së vrasjes së Uthmanit, tha: “Dëshmoj se e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: 990. “Do të vijnë fitne të mëdha, gjatë së cilave, ai që qëndron ulur është më i mirë se ai që është në këmbë; ai që është në këmbë është më i mirë se ai që ecën; ai që ecën është më i mirë se ai që vrapon.” - “Po nëse tjetri hyn në shtëpinë time dhe e ngre dorën që të më vrasë?” Profeti ﷺ tha: “Atëherë, bëhu si biri (i mirë) i Ademit.” Në këtë formë e ka sjellë Tirmidhiu, që e ka gjykuar si hadith ĥasen. Ebu Daudi sjell hadithin nga Husejn Ibn Abdurrahman el Eshxhei, se e ka dëgjuar Sad Ibn Ebu Uekkasin të tregojë nga Profeti i Allahut këtë hadith, ku ndër të tjera thuhet: 991. “O i Dërguari i Allahut! Po nëse hyn në shtëpinë time dhe ai ngre dorën, që të më vrasë?” - “Bëhu si biri (i mirë) i Ademit.”, Pastaj lexoi fjalën e Allahut: “Nëse ti e zgjat mbi mua dorën tënde për të më vrarë, unë kurrë nuk kam për ta zgjatur mbi ty dorën time për të të vrarë, sepse unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve.” Në vijim, i Lartësuari thotë: - Unë dua që ti të bartësh barrën e gjynahut tim dhe të gjynahut tënd e kështu të bëhesh prej banorëve të Zjarrit. Ai është dënimi i keqbërsve”. - Nuk dua që ti të ngarkohesh me gjynahun e vrasjes time dhe me gjynahet që ke bërë më përpara. Muxhahidi shpjegon: “Me fjalën “gjynahun tim” ka për qëllim “gjynahun e vrasjes”, ndërsa me “gjynahun tënd” ka për qëllim “gjynahet që ke bërë përpara këtij”. - Egoizmi e nxiti atë për vrasjen e të vëllait. Ai e vrau atë dhe kështu u bë prej të humburve. - Egoizmi e shtyu, ia hijeshoi dhe i dha guxim për ta vrarë vëllanë e vet. Ai e vrau atë, me gjithë këshillën e paralajmërimin e të vëllait. Allahu thotë: “... dhe kështu u bë prej të humburve.” Domethënë, i humbur në të dyja jetët. E ku ka humbje më të madhe se kjo?! Imam Ahmedi sjell hadithin nga Abdullah Ibn Mesudi, se Profeti i Allahut ka thënë: 992. “Nuk ndodh që dikush të vritet padrejtësisht në këtë botë e që një pjesë e këtij gjynahu të mos rëndojë mbi birin e parë të Ademit . Ai ishte i pari që bëri vrasje në këtë botë.” Këtë hadith e kanë transmetuar të gjithë autorët e 6 librave,249 përveç Ebu Daudit. - Allahu dërgoi një sorrë, e cila gërmonte në dhé, për t’ia treguar atij se si ta mbulonte trupin e të vëllait. - Essediu përcjell me isnadin e tij prej sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), se: “Kur djaloshi vdiq, ai e la atë në shkretëtirë dhe nuk e dinte si ta varroste e çfarë të bënte me të. Atëherë, Allahu dërgoi dy korba vëllezër, që luftonin e sulmonin njëri-tjetrin. Njëri korb e vrau tjetrin, dhe pastaj hapi një gropë, e futi atë brenda, pastaj i hodhi dhe përsipër, duke u mbuluar. Kur ai e pa këtë skenë, tha: - “I mjeri unë! Nuk qeshë i aftë as edhe sa kjo sorrë e ta mbuloja trupin e (vdekur të) vëllait tim?” - Më pas, Allahu i Lartësuar thotë:
- Ashtu mbeti i penduar. - Hasan el Basriu thotë: “Allahu e ngriti atë, prej keqardhjes e pendimit që ndjeu, pasi tha se ishte nga të humburit. Sipas një hadithi, Profeti ﷺ ka thënë: 993. “Nuk ka ndonjë gjynah që të jetë më i meritueshëm e ta ketë hak që Allahu t'ia përshpejtojë ndëshkimin vepruesit të tij që në këtë dynja, përveç ndëshkimit që i ka përgatitur në ahiret, sesa padrejtësia dhe këputja e lidhjes farefisnore.” Dhe Kabili i kreu të dyja këto krime. Të Allahut jemi e tek Ai do të kthehemi të gjithë!”