… Sidoqoftë, Allahu është më i ditur! - “Ne i forcuam zemrat e tyre (me besim të qëndrueshëm), derisa ata u ngritën dhe thanë: “Zoti ynë është Zoti i qiejve dhe i …
▾ Teksti i plotë▴ Mbyll
- “Ne po të tregojmë historinë e tyre me saktësi. Ata qenë të rinj që kishin besuar Zotin e tyre dhe Ne ua shtuam atyre udhëzimin.” - Tashmë kemi një shtjellim të hollësishëm nga Allahu i Lartësuar të historisë së të rinjve të shpellës. Së pari, Allahu i Lartësuar na tregon se ata ishin të rinj në moshë. Në fakt, të rinjtë janë më të prirur që të pranojnë të vërtetën sesa të shtyrët në moshë, kur janë zhytur në besime dhe fe të kota. Shumica e atyre që iu përgjigjën ftesës së Allahut të Lartësuar dhe Profetit të Tij ishin të rinj, ndërsa pleqtë, të moshuarit e kurejshve mbetën më së shumti në fenë e trilluar të të parëve të tyre; një numër i vogël i tyre pranuan Islamin. Kështu, Allahu i Lartësuar na tregon se ata ishin djem në lulen e rinisë, të cilët besuan me sinqeritet Zotin e tyre. Ata besuan se Zoti është një i vetëm dhe pa ortak dhe dëshmuan se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë, veç Allahut. Allahu i Lartësuar thotë për ta: “...Ata qenë të rinj që kishin besuar në Zotin e tyre, dhe Ne ua shtuam atyre udhëzimin.” Me këtë ajet dhe të ngjashëm me të, shumë dijetarë dhe imamë të mëdhenj si imam Buhariu, janë argumentu - ar për të thënë se imani shtohet dhe pakësohet dhe njerëzit nuk janë në të njëjtën gradë të imanit gjithmonë. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Kurse atyre që ndjekin rrugën e drejtë, Ai (Allahu) ua shton edhe më shumë udhëzimin në rrugën e drejtë dhe i bën të devotshëm.” [Muhamed 17]. Ose: “Sa herë që shpallet ndonjë sure, disa prej tyre thonë: “Kujt ia shtoi besimin kjo sure?” Po. Besimtarëve ua shton besimin dhe ata gëzohen. E, sa u përket atyre, që kanë sëmundje në zemër, ajo ua shton edhe më shumë dyshimin që kanë, dhe ata do të vdesin si mohues.” [Teube 124]. Gjithashtu: “Është (Allahu) Ai që zbriti prehjen në zemrat e besimtarëve, për t’ua shtuar edhe më shumë besimin. ...” [Fet’h 4]. Të gjitha këto ajete, e të tjera të ngjashme, tregojnë për vërtetësinë e kësaj qasjeje. Është thënë se djemtë e Shpellës ishin të kohës dhe fesë së Isait. Megjithatë, më e qartë dhe më e dukshme është se ata kanë qenë përpara Isait (a.s), dhe për këtë tregon pikërisht përkujdesi që jehudët tregonin në ruajtjen e historisë së tyre dhe transmetimit të saj ndër breza. Më parë përmendëm një rrëfim nga Ibn Abasi, që tregon se kurejshët shkuan tek priftërinjtë e jehudëve në Medinë për disa përgjigje që kërkonin, me të cilat mund të sfidonin Profetin e Allahut. Kështu, ata pyetën rreth historisë së këtyre të rinjve, për çështjen e Dhul Karnejnit dhe për shpirtin. Kjo tregon se historia e të rinjve të Shpellës ka qenë e ruajtur dhe e transmetuar ndër ta brez pas brezi, madje e shënuar në librat e tyre. Kjo tregon se ngjarja i përket një kohe përpara Isait. Sidoqoftë, Allahu është më i ditur! - “Ne i forcuam zemrat e tyre (me besim të qëndrueshëm), derisa ata u ngritën dhe thanë: “Zoti ynë është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Ne kurrë nuk do të adhurojmë asnjë zot tjetër përveç Tij. Po ta bënim këtë do të thoshim një gënjeshtër të shëmtuar.” - Allahu i Lartësuar na tregon se i bëri ata të durueshëm, të qëndrueshëm dhe të pathyeshëm përballë kundërshtimit që hasën nga populli i tyre. Në emër të ruajtjes së besimit të tyre, ata duruan privimin nga çdo mirësi e jetës, nga komoditeti dhe kënaqësitë, që shijonin më parë. Shumë selefë dhe dijetarë të mëvonshëm kanë treguar se, në fakt, ata ishin të gjithë pinjollë të familjeve aristokrate romake. Ata braktisën popullin e tyre, të cilët adhuronin tiranët dhe tagutët, u bënin fli idhujve dhe të adhuruarve të tyre. Thuhet se ata kishin një mbret tiran, i cili i detyronte njerëzit të bënin të tilla padrejtësi.
Tregohet se, kur njerëzit dolën një ditë për të kremtuar një nga festat e tyre, edhe këta të rinj dolën për të parë se çfarë bënin njerëzit. Ata vunë re se populli u falej idhujve dhe u përkushtonin kurbane, duke i bërë shirk Allahut të Lartësuar. Ata e kuptuan dhe gjykuan qartë se të tilla adhurime i duhen përkushtuar vetëm Allahut, që është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës. Kështu, të rinjtë nisën të distancohe - shin nga njerëzit e vet. I pari prej tyre shkoi dhe u ul nën hijen e një peme. Më pas shkoi një tjetër pranë tij, një tjetër dhe të gjithë me radhë. Ata nuk e njihnin njëri tjetrin, por ajo që i bashkoi zemrat e tyre në hijen e asaj peme ishte besimi i pastër. Në një hadith, që Buhariu e sjell talikan nga Aishja (r.a), thuhet se Profeti i Allahut ka thënë: 1723. “Shpirtrat janë si ushtarët e rekrutuar. Ata të cilët e njohin njëri -tjetrin bëhen miq të ngushtë, ndërsa ata që nuk njihen bëhen të largët për njëri-tjetrin.” Gjithashtu, Muslimi sjell në Sahih-un e tij një hadith merfu prej Ebu Hurejras, të ngjashëm me këtë. Fillimisht, secili prej tyre e fshehu prej shokëve të tjerë atë që mendonte dhe besonte, nga frika se mos zbulohej dhe sepse nuk e dinte që secili prej tyre kishte po të njëjtin besim në Zotin e Vetëm, derisa njëri prej tyre mori guximin dhe foli i pari: “Ju e dini dhe betohem në Zotin, o vëllezër, që shkaku i veçimit të gjithësecilit prej nesh nga njerëzit tanë është diçka që ne po e mbajmë fshehtë! Le të shprehet qartë secili!” Atëherë, foli njëri prej tyre dhe tha: “Betohem në Allah se veprimet që pashë te populli im janë pa kuptim dhe të pavlera! Unë besoj se është vetëm një Zot, që meriton të adhurohet i vetëm, pa i bërë ortakë! Ai është Allahu, i Cili i ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe gjithçka mes tyre.” Secili prej tyre tha fjalë të ngjashme dhe atëherë të gjithë u bashkuan në një qëndrim. Ata u bënë si një grusht i vetëm, vëllezër të sinqertë në besimin që i bashkonte. Menjëherë ata vendosën për një vend të veçuar, ku të mund adhuronin Allahun larg idhujtarisë e kotësirave. Nuk zgjati shumë dhe populli mësoi për ta dhe vendndodhjen e tyre, derisa lajmi mbërriti tek mbreti. Sapo e dëgjoi, mbreti urdhëroi t’i sillnin përpara tij dhe i pyeti rreth besimit të tyre. Ata i thanë të vërtetën, madje e ftuan atë në adhurimin e Allahut Krenar dhe të Lartësuar si një të vetëm. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne i forcuam zemrat e tyre (me besim të qëndrueshëm) dhe ja ata u ngritën dhe thanë: “Zoti ynë është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Ne kurrë nuk do të adhurojmë asnjë zot tjetër përveç Tij. Po ta bënim këtë, do të thoshim një gënjeshtër të shëmtuar.” Pra, kështu ne do të thoshnim fjalë të kota, gjëra të paqena për Zotin e qiejve dhe të Tokës. - “Këta njerëzit tanë kanë adhuruar zota të tjerë përveç Atij. Përse nuk sjellin ata një argument të qartë e bindës për atë që bëjnë?” - Përse nuk sjellin këta të humbur ndonjë argument për saktësinë e asaj që besojnë dhe praktikojnë?! Le të sjellin fakte dhe ndonjë argument, që të jetë i qartë, i saktë dhe i shpallur nga Zoti! - “A ka më keqbërës se ai që shpif gënjeshtra ndaj Allahut?” - Nuk ka më të padrejtë dhe keqbërës se ai që thotë dhe sajon gënjeshtra për Allahun. Pasi ata thanë këto fjalë, mbreti u zemërua me ta dhe urdhëroi që t’u hiqnin rrobat e bukura që vishnin, të cilat tregonin sërën e lartë shoqërore të tyre dhe i kërcënoi ata se, nëse do të vazhdonin dhe nuk do të ktheheshin në fenë e popullit të tyre, ai do t’i ndëshkonte. Ai u dha një afat, me qëllim që të shihte se si do të reagonin, me shpresën se ata do të kthenin rrugë dhe do të braktisnin besimin e tyre. Kjo, në fakt, ishte butësia e Allahut me ta, i Cili u mundësoi me këtë afatizim që të gjenin mënyrën për t’u larguar, për të ruajtur besimin e tyre dhe për të shpëtuar nga kjo sprovë e madhe, me të cilën po përballeshin. Pikërisht kështu duhet vepruar në kohë sprovash, siç thuhet në hadithin nga Profeti ﷺ 1724. “Do të vijë një kohë, kur më e mira pasuri e njeriut do të jetë një tufë delesh, që ai t’i kullosë nëpër male e pranë burimeve ujore. Në këtë mënyrë, ai do të largohet nga fitnet, për të
ruajtur fenë e vet.” Megjithatë, largimi dhe veçimi nga njerëzit lejohet vetëm në raste të tilla. Kështu, ata vendosën për t’u larguar nga populli i tyre. Allahu na tregon se ishte Ai që e zgjodhi këtë për ta: - “Përderisa jeni larguar prej tyre dhe prej asaj që ata adhurojnë përveç Allahut, atëherë strehohuni në shpellë!” - Duke qenë se ju jeni larguar shpirtërisht nga besimet e tyre të kota, me besimin tuaj të pastër, atëherë distancohuni edhe fizikisht prej tyre! - “Zoti juaj do t'ju dhurojë nga mëshira e Tij e gjerë ...” - Ai do t’ju mëshirojë dhe do t’ju mbrojë nga përndjekja e popullit tuaj. - “... dhe do t'jua lehtësojë çështjen tuaj dhe çdo gjë që është në dobinë tuaj.” - Në këtë gjendje, Ai do t’ju sjellë mirfeka, pra, çdo gjë që është në dobinë tuaj. Kështu, ata shkuan larg dhe u strehuan në një shpellë. Më vonë, populli po e ndiente mungesën e tyre, prandaj mbreti dërgoi njerëz për t’i gjetur. Por Allahu i Lartësuar i pengoi dhe ua bëri të pamundur që të binin në gjurmë të të rinjve. Po kështu veproi Allahu i Lartësuar kur mbrojti Profetin e Tij të dashur Muhamed dhe shokun e tij, Sidikun e këtij umeti, Ebu Bekrin, kur ata u strehuan në shpellë. Allahu i Lartësuar bëri që idhujtarët të mos e gjenin shpellën, ku ata ishin strehuar. Madje, kur idhujtarët ishin shumë pranë tyre, Profeti i Allahut i drejtohet Ebu Bekër Sidikut dhe i thotë: 1725. “O Ebu Bekër! Si mendon për dy njerëz, i treti i të cilëve është Allahu?” Allahu i Lartësuar thotë: “Edhe nëse ju nuk e ndihmoni, atë e ndihmon Allahu, si ditën kur mohuesit e dëbuan atë dhe ai kishte vetëm një shok. Të dy ata ishin në shpellë, kur ai i tha shokut: “Mos u trishto, se Allahu është me ne.” Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të dhe e fuqizoi me forca, që ju nuk i patë. Ai e poshtëroi fjalën e mohuesve, kurse fjala e Allahut është më e larta. Allahu është Ngadhënjimtar dhe i Urtë.” [Teube 40]. Nuk ka dyshim se ngjarja me të Dërguarin e Allahut është shumë më tepër e mahnitshme sesa historia e të rinjve të Shpellës.