… mësime, duke medituar thellë në të. I Lartësuari thotë gjithashtu: ““Pa dyshim, ky (Kur'ani) është shpallje e Zotit të Botëve. Atë e solli Shpirti …
▾ Teksti i plotë▴ Mbyll
- “Ha, Mim. Betohem në Librin e qartë.” - Ky është një libër i qartë, kuptimet e të cilit janë shtjelluar plotësisht. Të qarta janë shprehjet dhe fjalët e tij. Ai është i tillë, sepse u shpall në gjuhën arabe, e cila është gjuha më shprehëse dhe më e lartë e komunikimit mes njerëzve. - “Ne e shpallëm Kuranin në arabisht ...” - E zbritëm atë në gjuhën arabe. - “... që ju ta kuptoni.” - Pra, që ju të kuptoni kumtet e tij në mënyrë të qartë dhe të saktë dhe të mund të nxirrni mësime, duke medituar thellë në të. I Lartësuari thotë gjithashtu: ““Pa dyshim, ky (Kur'ani) është shpallje e Zotit të Botëve. Atë e solli Shpirti Besnik (Xhibrili) në zemrën tënde (o Muhamed), për t’u bërë paralajmërues (i gjithë botës), (Ai e solli) me një gjuhë të kulluar arabe. ” [Shuara 192 - 195]. - “Nuk ka dyshim se në Pllakën e Ruajtur (Levhi Mahfudh ) te Ne, ai (Kurani) është i lartë dhe plot urtësi.” - Nderimi dhe lartësia e tij është e qartë mes banorëve të qiellit. I Lartësuari thotë se Kurani ka mirësi të madhe, gradë dhe vlerë të lartë në Librin e Ruajtur në qiell, pra, në Leuhi Mahfudh. Ai libër është ‘plot urtësi’. Ai është libër i mirështjelluar e larg çdo paqartësie dhe devijimi. Të gjitha këto tregojnë madhështinë dhe mirësinë e Kuranit, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në ajetin tjetër: “... me të vërtetë, ai është Kurani i nderuar në Librin e Ruajtur. Atë nuk e prek kush, përveç atyre që janë të pastër. Ai është Shpallje prej Zotit të botëve.” [Uakia 77 - 80]. Ose: “Ai (Kurani) ndodhet në faqe të çmueshme, të lartësuara e të pastra, në duar të udhëtuesve (melekë), të ndershëm e punëmirë.” [Abese 13 – 16]. Prej këtyre dy ajeteve, dijetarët kanë nxjerrë si gjykim që: ai i cili është i papastër ritualisht (pra, që nuk ka abdes ose gusul), të mos e prekë mus’hafin (librin e Kuranit) me dorë, - sikurse thuhet edhe në disa hadithe, nëse ato janë të sakta, - sepse melekët e respektojnë librin ku është shkruar Kurani mes banorëve të qiellit. Për këtë arsye, për banorët e Tokës është më parësore që ta nderojnë këtë libër, sepse ai iu zbrit pikërisht atyre dhe mesazhet e tij u drejtohen pikërisht banorëve të Tokës. Kështu, është mëse e meritueshme që ata ta trajtojnë atë me nderimin më të lartë. Gjithashtu, është detyrë që ata t’iu dorëzo - hen mësimeve dhe mesazheve të tij, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk ka dyshim se në Pllakën e Ruajtur ( Levhi Mahfudh) te Ne, ai (Kurani) është i lartë dhe plot urtësi.”. - “Vallë, a do ta ndalim Ne paralajmë - rimin tuaj (përmes shpalljes) , ngaqë jeni popull i shfrenuar?!” - Mufesirët kanë dhënë mendime të ndryshme për kuptimin e këtij ajeti, por nga fjalët më të veçanta dhe më të spikatura është shpjegimi se Allahu i Lartësuar, prej mëshirës së Tij të madhe, përkujdesit e butësisë së Tij gjithëpërfshi - rëse, kurrsesi nuk do t’i braktiste krijesat dhe t’i linte ata pa i ftuar drejt së mirës dhe drejt këtij përkujtimi të mbushur plot urtësi dhe të përkryer në mesazhet e qarta që përcjell, pra, Kuranit, edhe pse krijesat kalojnë çdo kufi me gjynahet e tyre dhe i kthejnë shpinën Atij. Allahu i Lartësuar urdhëroi për përhapjen e Kuranit, në mënyrë që me të të udhëzohet çdokush që Zoti e ka përcaktuar me urtësinë dhe diturinë e Tij absolute e gjithëpërfshirëse që ai të udhë - zohet. Ndërsa ata për të cilët është shkruar të jenë fatzinj, atyre, nëpërmjet Kuranit, argumenti do t’u vijë i qartë, në mënyrë të tillë, që ata të mos kenë asnjë justifikim për mohimin dhe refuzimin e tyre të padrejtë. Më pas, i Lartësuari ngushëllon profetin e Tij të dashur Muhamed ﷺ: - “Sa e sa profetë kemi dërguar në popujt e mëparshëm?!” – Domethënë, profetët që u dërguan ndër popujt e hershëm ishin të shumtë, por: - “Por sa herë që u vinte një profet, ata talleshin me të. ” - Të gjithë vepronin njëlloj, duke kundërshtuar profetët e tyre dhe duke u tallur me ta dhe me mesazhin, që ata përcillnin prej Zotit. - “Ne kemi shkatërruar edhe më të fuqishëm se këta. ” - Ne i shkatërruam dhe shfarosëm ata që i quanin profetët e Zotit si gënjeshtarë dhe trillues të pavërtetash, edhe pse ata ishin popuj shumë më të fuqishëm se populli yt, o Muhamed. I Lartësuari thotë në ajetin tjetër: “A nuk udhëtojnë ata nëpër Tokë dhe të shohin se si qe fundi i atyre që jetuan më parë? Ata qenë më shumë dhe më të fortë për gjurmët që kanë lënë në tokë, por atyre nuk u bënë aspak dobi ato që kishin fituar. Kur u erdhën të dërguarit me shenja të qarta, ata u mburrën me diturinë e vet, por atëherë i goditi ai (dënimi i Zotit) me të cilin talleshin.” [Gafir 82, 83] . Ajete të tilla janë të shumta në Kuran. Më pas Allahu Krenar dhe i Lartësuar thotë: - “Tashmë jua kemi treguar shembullin e popujve të shkuar. ” - Ne i bëmë ata që të jenë mësim për të gjithë popujt që do të vijnë më pas dhe për të gjithë ata që do të guxojnë përsëri të refuzojnë profetët dhe shpalljet, se edhe ata do t’i godasë i njëjti ndëshkim dhe përfundim i hidhur, si popujt para tyre. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar në fund të kësaj sureje, ku thotë: “Kur ata shkaktuan zemërimin Tonë, Ne i ndëshkuam, duke i përmbytur të gjithë. Kështu, Ne i bëmë ata shembull e mësim për të tjerët.” [Zuhruf 55, 56]. Ose: “... I tillë është ligji i Allahut që ka vepruar ndaj robërve të Tij. Dhe kështu u shkatërruan mohuesit e Allahut.”” [Gafir 85]. “Ky qe Ligji i Allahut edhe ndër popujt e hershëm. Ligjin e Allahut askush nuk mund ta ndryshojë.” [Ahzab 62].