Kërko: nese falenderoni do t'ua shtoj

Tur 52:44–52:49 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… e Tij! Gjithashtu, Allahu i Lartësuar e urdhëron të shtojë dhikr-in dhe adhurimet e tjera: - “Madhëroje me falënderim Zotin tënd, kur të ngrihesh!” – Ky është …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na bën të ditur se idhujtarët, të cilët e mohuan të vërtetën e qartë, edhe sikur t’u sillje çfarëdolloj argumenti e prove, kurrë nuk do ta pranonin dhe nuk do ta pasonin atë. Përkundrazi, ata do të vazhdonin me kokëfortësi në kotësinë e tyre dhe do të përdornin çdo lloj justifikimi për të mos e pranuar. Kështu, i Lartësuari thotë: - “Edhe sikur të shihnin ndonjë send duke rënë nga qielli, ata do të thoshin: “Është veç një grumbull resh!”” - Edhe sikur nga qielli të lëshoheshin sende të mëdha ndëshkuese, ata përsëri nuk do të besonin, por do të vazhdonin në verbërinë e tyre e do të thoshin: “Është veç një grumbull resh! Janë thjesht disa re të mëdha dhe të zakonshme.” Ata do t’i kalonin si pa të keq këto shenja, duke mos nxjerrë mësime prej tyre. Për të tillët, ilaçi i vetëm është ndëshkimi, siç thotë i Lartësuari më pas: - “Prandaj, lëri ata derisa të përjetojnë ditën kur ata të shtangin...” - Ajo është Dita e Kijametit, kur ata do të ballafaqohen me ndëshkimin, dhimbjen dhe dëshpërimin, që kurrë nuk mund të përshkruhen me fjalë. - “...ditën kur dredhitë e tyre nuk u bëjnë më asnjë dobi e kur nuk do të ndihmohen.” – Atyre nuk do t’u bëjnë më asnjë dobi dredhitë e nuk do të ndihmohen aspak. Në dynja, ata mund t’i mundësojnë vetes ndonjë të mirë dhe të shpëtojnë nga ndonjë e keqe nëpërmjet intrigave dhe hileve të tyre, por kjo nuk ka për të funksionuar Ditën e Kijametit. Atë ditë, dredhitë e tyre nuk kanë për t’u bërë dobi dhe nuk mund t’i shpëtojnë dot nga ndëshkimi i Allahut. - “Është e vërtetë se për ata që bëjnë padrejtësi, ka një dënim më të afërt se ai, por shumica e tyre nuk e dinë.” - Pasi foli për ndëshkimin që i pret zullumqarët Ditën e Kijametit, Allahu i Lartësuar tregon se ata do të përballen me ndëshkimin qysh në jetën e berzah-ut, në varr, para se të ndodhë Kijameti. Madje kjo thënie përfshin edhe vuajtjet që Zoti u jep në jetën e dynjasë, me katastrofa, luftëra dhe dënime të ndryshme. Megjithatë, shumica e njerëzve nuk e dinë, prandaj vazhdojnë rrugën e tyre të humbjes dhe mosbesimit, e cila e ka përfundimin në ndëshkim të rëndë. Kështu, i Lartësuari pasi argumentoi me fakte kotësinë e fjalëve dhe besimeve të mohuesve, urdhëron Profetin e Tij që të mos u kushtojë vëmendje atyre të humburve, por të bëjë durim dhe të presë për gjykimin e Zotit dhe urdhrat e Tij. Ai duhej të përkushtohej në zbatimin e porosive të Zotit, i Cili i premtonte ndihmë dhe sukses, siç thuhet më pas: - “Bëj durim me gjykimin e Zotit tënd, se ti je nën mbikëqyrjen Tonë!” - Ti je nën vëzhgimin, përkujdesjen dhe ruajtjen Tonë. Është Allahu i Madhëruar Ai që të mbështet dhe të udhëzon ty në çdo çështje, prandaj bëhu i durueshëm me vendimet e Tij! Gjithashtu, Allahu i Lartësuar e urdhëron të shtojë dhikr-in dhe adhurimet e tjera: - “Madhëroje me falënderim Zotin tënd, kur të ngrihesh!” – Ky është urdhër për namaz nate. Pra, kur të ngrihesh për të falur namaz nate, përmende Zotin tënd duke i bërë tesbih. Ose ka kuptimin: Kur ngrihesh për të falur pesë namazet farze. Mbase ky është më i saktë, sepse i Lartësuari përmend në vijim edhe dhikr-in gjatë natës, kur thotë: - “Edhe gjatë natës adhuroje Atë, si edhe kur yjet nuk duken më.” – Adhuroje Allahun në fundin e natës, ku bën pjesë edhe namazi i sabahut. Sidoqoftë, Allahu është më i dituri për gjithçka.

Mus'haf Hape →
Hadid 57:22–57:24 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… Kështu që, le të punojnë për t’i shprehur Atij mirënjohjen dhe lavdinë që e meriton! Le ta falënderojë Dhuruesin e çdo të mire dhe Shpëtuesin nga çdo e keqe, …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Allahu i Madhëruar na tregon në këto ajete për kaderin e Tij, që përfshin gjithçka e çdo çështje: - “Nuk ndodh asnjë sprovë në Tokë e as në veten tuaj, që të mos jetë (e rregjistruar) në Libër para se të ndodhë. Kjo për Allahun është e lehtë.” - Këtu bëhet fjalë për të gjithë sprovat që bien mbi krijesat, qofshin në formë mirësie apo fatkeqësie. Të gjitha janë shënuar në librin Leuhi Mahfudh, të vogla e të mëdha. Kjo është vërtet madhështore, që nuk mund ta perceptojnë mendjet dhe që i çorodit edhe më të mençurit. Por, gjithsesi, ajo për Allahun është e lehtë. Allahu i Lartësuar i njoftoi robtë e Tij për këtë të vërtetë, që ata të jenë të qartë, të kthjellët dhe të dinë si të veprojnë e sillen në çdo situatë. Ata duhet të mos trishtohen dhe të mos humbasin tërësisht shpresat nëse u ikën ndonjë mirësi, të cilën aq shumë e kanë dashur. Për t’ia lehtësuar vetes diçka të tillë, le të kujtojnë se kështu ka qenë e shkruar në Leuhi Mahfudh, prandaj do të kryhej se s’bën dhe ishte e pamundur që të shmangej apo të ndalej. Por edhe të mos gëzohen shumë, të shfrenuar e me arrogancë, për atë që Allahu u ka dhuruar. Për këtë, thjesht le të kujtojnë se asgjë nuk e kanë arritur me forcën dhe aftësinë e tyre, por vetëm me mirësinë dhe bujarinë e Allahut të Lartësuar. Kështu që, le të punojnë për t’i shprehur Atij mirënjohjen dhe lavdinë që e meriton! Le ta falënderojë Dhuruesin e çdo të mire dhe Shpëtuesin nga çdo e keqe, Allahun e Lartësuar! - “Kështu, të mos dëshpëroheni tepër për atë që ju ka kaluar, e as të mos gëzoheni tepër (e të mburreni) me atë që Ai ju ka dhënë. Allahu, me të vërtetë, nuk e do asnjë arrogant, që u lavdërohet të tjerëve,...” - Allahu nuk i do ata që janë mendjemëdhenj të vrazhdë, që mburren e fryhen me mirësitë që i ka dhënë Ai, sikur t’i kenë fituar vetë ato, me forcën e aftësië e tyre. Në vend që t’ua shtojnë nënshtrimin dhe modestinë, ato mirësi i bëjnë të kalojnë kufijtë edhe më shumë, të harrohen edhe më shumë në gjynahe e shkujdesje, sikurse thotë i Madhëruari: “Kur njeriun e godet ndonjë e keqe, ai na lutet Neve. Por, kur Ne i japim ndonjë të mirë, ai thotë: “Këtë e kam arritur në saje të diturisë sime!” Jo! Ajo është veçse një sprovë, por shumica prej tyre nuk e dinë.” [Zumer 49]. - “...Që tregohet koprrac dhe po për koprraci i porosit njerëzit.” - Ata bëjnë dy gjëra të shëmtuara, vetëm njëra prej të cilave do të mjaftonte për të kuptuar ligësinë e shpirtit të tyre: janë koprracë, duke mos kryer detyrimet që u takojnë, dhe porosisin edhe të tjerët për koprraci. Nuk u mjafton që janë vetë koprracë, por inkurajojnë edhe të tjerët me fjalë e me vepra që të përvetësojnë këtë ves të ulët dhe të shëmtuar. Këto veprime janë mosbindje ndaj Allahut dhe devijim nga rruga e Tij. Por ata që refuzojnë t’i binden Allahut do të dëmtojnë veçse vetveten dhe aspak Allahun e Madhëruar, i Cili thotë: - “E kush kthen shpinën (porosive të Zotit), le ta dijë se Allahu është i Pasur e i Lavdëruar.” - Allahu është i Pasur dhe nuk ka nevojë për askënd. Ai ka pushtetin dhe sundimin e qiejve dhe të Tokës. Është Ai që u jep pasuri robve të Tij, duke i kënaqur e ngopur ata me gjërat që u mundëson. Ai është El Hamidu - i Lavdëruari, që ka çdo emër të bukur e çdo cilësi të plotë. Emrat, cilësitë dhe veprat e Tij janë të bukura dhe të plota, për të cilat meriton lavdërimin, mirënjohjen dhe madhërimin.

Mus'haf Hape →
Kadr 97:1–97:5 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… në muajin e Ramazanit, pikërisht natën e Kadrit. Kështu, Zoti i përfshiu robtë me një mëshirë të gjerë, për të cilën ata kurrë nuk do të mund ta falënderojnë …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Duke treguar mirësinë dhe gradën e lartë të Kur'anit, Allahu i Madhëruar thotë: - “Ne e zbritëm atë (Kur'anin) në Natën e Kadrit.” - Në suren Duhan, ajetet 3 dhe 4, Allahu i Madhëruar e përshkruan këtë natë si “ mubârake” - të begatshme e të bekuar. Ai thotë: “Ne e zbritëm atë në një Natë të bekuar. Ne gjithmonë kemi paralajmëruar (popujt). Atë Natë vendoset në mënyrë të prerë çdo çështje e urtë,…” Dhe është shumë e vërtetë që Allahu i Madhëruar e filloi shpalljen e Kur'anit në muajin e Ramazanit, pikërisht natën e Kadrit. Kështu, Zoti i përfshiu robtë me një mëshirë të gjerë, për të cilën ata kurrë nuk do të mund ta falënderojnë dhe t’i shprehin mirënjohjen ashtu si e meriton. Ajo është quajtur Nata e Kadrit, për shkak të vlerës së madhe të saj. Në këtë natë, Allahu përcakton gjithçka do të ndodhë gjatë vitit, si afatin e jetës, rizkun e fëmijës etj. Më tej, për t’i dhënë më shumë rëndësi çështjes së Natës së Kadrit, Allahu bën një pyetje: - "E ku mund ta dish ti se ç’është Nata e Kadrit?!” - Ajo është një natë shumë e rëndësishme dhe dobia e saj është e jashtëzakonshme. - “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj!” - Ajo është më e vlefshme se një mijë muaj. Edhe veprat e mira të kryera gjatë saj janë më të vlefshme dhe më të mira se puna në një mijë muaj, në të cilat nuk do të ishte ajo natë. Ky fakt çorodit arsyen e të mençurve dhe të urtëve, për bujarinë dhe mirësinë e madhe që Allahu i Madhëruar i ka dhuruar këtij umeti. Me bujarinë e Tij, Ai ka bërë një natë, puna në të cilën është më e mirë dhe më e shpërblyeshme se puna në një mijë muaj, pa atë natë mes tyre. Pra, çdo pjesëtar i këtij umeti, nëse e kërkon atë natë, mund të marrë shpërblim për një vepër që as për 80 vjet jetë të mbushur me adhurime e vepra të mira nuk do t’ia arrinte. - “Në të zbresin melekët dhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre, me çdo çështje (të përcaktuar nga Zoti). ” - Gjatë kësaj nate, duke filluar që nga perëndimi i diellit e deri në agim, melekët dhe Xhibrili shpeshtojnë zbritjen në tokë dhe ngjitjen prej saj. Zoti e ka përshkruar dhe emërtuar atë natë si selam - paqe, për shkak se ajo është e pastër nga sherri dhe është e mbushur me mirësi dhe bekime: - “Paqe është ajo (natë) deri në agim.” - Janë të shumta hadithet rreth mirësisë dhe dobisë së madhe të kësaj nate dhe faktit që ajo është në muajin e Ramazanit, madje në dhjetënetëshin e fundit të tij, e pikërisht në netët teke. Ajo përsëritet çdo vit, deri në Ditën e Gjykimit. Për këtë arsye, gjatë këtyre dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, Profeti (a.s.) hynte në itikaf dhe shtonte adhurimet, me shpresë që të arrinte shpërblimin e mrekullueshëm të kësaj nate. Por Allahu është më i ditur për gjithçka.

Mus'haf Hape →
Neml 27:15–27:44 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… [Enbija 78, 79]. Ata u treguan mirënjohës dhe falënderues për mirësitë e Zotit të tyre dhe thanë: ...dhe ata të dy thanë: “Të gjitha lavdërimet …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- Ne u dhamë Da udit dhe Sulejmanit dituri - Allahu i Madhëruar na tregon në Kur'an rreth Daudit dhe birit të tij, Sulejmanit. Allahu u pati dhënë atyre dituri të madhe dhe të gjerë. Thotë i Lartësuari: “Daudi e Sulejmani gjykonin për çështjen e tokës së mbjellë, në të cilën kishin kullotur natën delet e disa njerëzve! Ne e dëshmuam gjykimin e tyre. Ne ia mundësuam Sulejmanit të kuptonte (përgjigjen e saktë) për çështjen . Secilit (prej tyre) u patëm dhënë urtësi e dituri." [Enbija 78, 79]. Ata u treguan mirënjohës dhe falënderues për mirësitë e Zotit të tyre dhe thanë: ...dhe ata të dy thanë: “Të gjitha lavdërimet qofshin vetëm për Allahun, që na dalloi mbi shumë rob të Tij besimtarë!”. - Ata e falënderuan dhe e lavdëruan Zotin, sepse, së pari, i bëri besimtarë dhe, së dyti, i bëri besimtarë nga më të zgjedhurit. Allahu i dalloi me shumë veçori mes besimtarëve të mirë e të lumtur. Nuk ka dyshim se besimtarët ndahen në katër grada: 1. Salihun - punëmirë. 2. Shuheda - dëshmorët. 3. Sidikinët - të sinqertët. 4. Profetët. Daudi dhe Sulejmani ishin nga profetët më të zgjedhur, edhe pse pak më poshtë se Ulul Azmi (5 profetët më të dalluar). Nuk ka dyshim se ata ishin nga profetët më të dalluar, që Zoti i ka përmendur dhe lavdëruar shpesh në Librin e Tij. Kështu, ata e lavdëruan Allahun, që i ngriti në këtë gradë. Kjo është shenja e lumturisë së robit: që ai të tregojë mirënjohje ndaj Allahut për të gjitha mirësitë, të fesë e besimit dhe ato të dynjasë, dhe të shohë dhe besojë se të gjitha mirësitë vijnë prej Allahut; të mos lëvdohet e vetëkënaqet, por përkundrazi, të shohë mangësitë e veta dhe të besojë se ato mirësi meritojnë shumë e më shumë mirënjohje e lavdërim të Allahut. Pasi i lëvdoi të dy, Allahu i Madhëruar vijoi të lëvdojë në mënyrë të veçantë Sulejmanin (a.s), për vetë faktin se i kishte dhuruar një pushtet dhe mbretërim të madh, veçori që nuk ia kishte dhënë të atit. Ai thotë: - Sulejmani qe trashëgimtari i Daudit. - Ai trashëgoi profetësinë dhe diturinë nga i ati, por Zoti i shtoi edhe dituri tjetër. Sulejmani përfitoi nga dituria e të atit, por Zoti e dalloi duke i mësuar diçka tjetër, sikurse tregon për këtë ajeti në vijim: - Ai tha: “O njerëz! Neve na ka mësuar Allahu gjuhën e shpendëve - Duke lavdëruar Allahun dhe i gëzuar për këtë mirësi që Ai i kishte dhënë, Sulejmani u drejtohet njerëzve dhe u thotë: “O njerëz! Neve na ka mësuar Allahu gjuhën e shpendëve...". Sulejmani (a.s) e kuptonte çfarë flisnin shpendët dhe e fliste gjuhën e tyre, siç foli me pupëzën, ose siç kuptoi fjalët e milingonës, që do të tregohet më pas. Kjo mirësi nuk i ishte dhënë askujt, përveç Sulejmanit (a.s). - ...e na ka dhuruar nga çdo mirësi. - Allahu na dhuroi nga çdo mirësi dhe të gjitha mjetet e kushtet për një pushtet dhe mbretërim, që askush nuk e ka pasur. Në fakt, Sulejmani ishte lutur për diçka të tillë, kur tha: “O Zoti im! Më fal (gabimin) dhe më dhuro një pushtet të tillë, që askush pas meje nuk do ta ketë! Vërtet, Ti je dhuruesi më i madh!" [Sad 35]. Kështu, ndër të tjera, Allahu i Lavdëruar ia nënshtroi atij shejtanët (xhindët), që bënin për të çdo gjë që ai dëshironte dhe punë që askush tjetër nuk mund t'i kryente. Allahu i Lartësuar i nënshtroi gjithashtu erën, me të cilën udhëtimin e një muaji e bënte brenda paradites dhe kthimin e bënte brenda një pasditeje. - Vërtet kjo është një mirësi e madhe (nga Allahu) ”. - Kjo mirësi që na dhuroi Zoti dhe na dalloi mbi shumë e shumë të tjerë është jë bekim i madh. Kështu, Sulejmani e pranoi me përunjësi e mirënjohje se të gjitha këto ishin mirësi prej Allahut të Lartësuar. - Sulejmanit i ishin rreshtuar ushtritë e veta, - xhindët, njerëzit dhe shpendët, - dhe të gjitha mbanin rregull dhe disiplinë. - U grumbulluan përpara tij ushtritë e përbëra nga lloje të ndryshme krijesash, - njerëz, xhindë, shejtanë dhe zogj. Ata rreshtoheshin me një rregull të jashtëzakonshëm, kur lëviznin dhe kur qëndronin. Të gjithë ishin gati për luftë në çdo moment kur u kërkohej. Të gjithë merrnin urdhër direkt nga Sulejmani dhe askush nuk mund të dilte jashtë rregullave të vendosura nga komandanti apo të rebeloheshin. I Lavdëruari thotë: "Kjo është dhurata Jonë (për ty). Dhe ti jep (prej pasurisë) ose mos jep (prej saj), se për këtë nuk do të merresh në përgjegjësi." [Sad 39]. Pra, ishte ai që vendoste në çdo çështje. Kështu, Sulejmani (a.s) u nis në një nga udhëtimet e tij ushtarake me disa prej këtyre ushtrive të mëdha. - Më në fund, kur mbërritën në Luginën e Milingonave, një milingonë tha: “O ju milingona, hyni në foletë tuaja, që të mos ju shtypin Sulejmani dhe ushtria e tij pa dashje!”. - Milingona paralajmëroi llojin e saj, që kishin mbushur atë luginë, që të ruheshin nga ushtria e Sulejmanit, se mos i shkelte. Kjo ka mundësi të ketë ndodhur ose me një mrekulli nga Zoti, që fjalët e asaj milingone të dëgjoheshin për të gjitha milingonat e luginës, ose milingona njoftoi ato rreth saj dhe lajmi u përhap mes tyre me shpejtësi. Mënyra e ruajtjes nga ushtria e Sulejmanit do të ishte duke u fshehur në vendbanimet e tyre. Milingona e dinte mirë madhështinë e Sulejmanit dhe të ushtrive të tij, por e dinte edhe drejtësinë e tij, prandaj edhe e justifikoi Sulejmanin duke thënë se ai mund t’i dëmtonte pa dashje. Sulejmani (a.s) dëgjoi fjalët e saj dhe i kuptoi. - Sulejmani buzëqeshi me fjalët e saj dhe tha: “O Zoti im! më jep forcë, që të të falënderoj për të mirat e Tua që m’i ke dhuruar mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, që Ti i pëlqen! Gjithashtu, me mëshirën Tënde, më fut në mesin e robve të Tu të mirë!” - Atij i pëlqyen shumë fjalët e milingonës dhe kujdesi i saj për popullin e vet. Subhanallah! Sa të mirë dhe me moral kanë qenë profetët e Zotit! Çuditeshin kur duhej dhe gëzimi i tyre ishte me masë. Asnjëherë nuk e kalonin masën e buzëqeshjes. I tillë ishte edhe Profeti ynë (a.s), që buzëqeshte dhe gjithmonë e shihje buzagaz. Të qeshurit me të madhe dhe me zë të lartë tregon mendjelehtësi dhe mangësi, si dhe një edukatë të ulët. Nga ana tjetër, të qëndruarit i vrenjtur dhe pa buzëqeshur kurrë është shumë e çuditshme dhe jo e këndshme. Ai tregon gjithashtu vrazhdësi morali dhe natyrë të ashpër. Profetët kanë qenë të ruajtur nga të tilla mangësi. Pastaj Sulejmani e falënderon Allahun për këtë mirësi që i pati dhuruar dhe tha: “O Zoti im! më jep forcë..." Pra, më frymëzo dhe më jep forcë e udhëzim që: "...të të falënderoj për të mirat e Tua, që m’i ke dhuruar mua dhe prindërve të mi..." Sigurisht që mirësitë ndaj prindërve janë mirësi edhe për fëmijën, për të cilat fëmija duhet të falënderojë Zotin. Kështu, Sulejmani u lut që Zoti t’i jepte frymëzim e forcë, që të mund të tregohej mirënjohës për mirësitë e besimit dhe mirësitë e dynjasë, që i kishte dhënë atij dhe prindërve të tij. Ai u lut gjithashtu dhe tha: "...dhe që të bëj vepra të mira, që Ti i pëlqen!" Pra, më jep forcë e sukses, më bëj të aftë që të bëj punë të mira, që Ti i do dhe je i kënaqur! Dhe dihet se Zoti kënaqet me ato punë që plotësojnë dy kushte: së pari, ato punë janë në përputhje me porositë e Tij dhe, së dyti, kryhen me sinqeritet dhe janë të pastra nga mangësitë dhe gjërat që i prishin ato. Pastaj u lut për mëshirë nga Zoti dhe për ta bërë prej besimtarëve të mirë, duke thënë: "Me mëshirën Tënde, më fut në mesin e robve të Tu të mirë!”. Mëshira e posaçme është bërë për të mirët, me gjithë gradat dhe nivelet e tyre. Ky ishte një shembull që na tregon reagimin e Sulejmanit, kur dëgjoi milingonën. Në vijim, Allahu i Lavdëruar na tregon një tjetër shembull dhe sjellje të Sulejmanit gjatë bisedës me zogjtë. - Ai bëri shikimin rreshtor të shpendëve e tha: “Përse nuk po e shoh pupëzën? Apo, vallë, mungon?! - Kjo tregon për rigorozitetin e Sulejmanit në ndjekjen me përkushtim të çështjeve të ushtrisë, qofshin ato të vogla në dukje, qofshin të mëdha. Atij nuk i shpëtonte asgjë nga lëvizjet e ushtarëve të tij. Aq i vëmendshëm ishte, saqë nuk la pas dore edhe çështjen e kësaj pjesëtareje të vogël të ushtrisë, pupëzës. Ai tha: “Përse nuk po e shoh pupëzën? Apo mungon?” Pra, shikoni a është prezent dhe në vendin e caktuar? A është e gjithë ushtria prezent apo mungon dikush? Ky është kuptimi i ajetit dhe jo siç thonë disa që nuk kanë asnjë argument dhe pretendojnë se Sulejmani pyeti për pupëzën sepse kishte nevojë që ajo t’i tregonte ku ishin burimet e ujit. Sipas tyre, pupëza mund të shohë ujin edhe nën tokën e ngjeshur dhe të fortë. Por ky mendim nuk ka asnjë argument ku të mbështetet. Madje argumentet logjike tregojnë për pavërtetësinë e saj. Sa për argumentin logjik, është e ditur nga përvoja dhe njohuritë e njerëzve se nuk ka ndonjë gjallesë që të arrijë të shohë poshtë shtresave të tokës. Nëse do të ishte kështu, do ta përmende Zoti, sepse kjo do të ishte nga shenjat më të mëdha dhe të veçanta. Ndërsa nga ajeti mund të themi se, nëse do të ishte e vërtetë ai pretendim, do të thuhej shprehimisht se Sulejmani kërkoi pupëzën që t’i tregonte për vendndodhjen e ujit. Por e vërteta është se Sulejmani kërkoi për pupëzën thjesht për të parë e kontrolluar ushtrinë e tij. Pastaj Sulejmani (a.s) nuk kishte nevojë që të pyeste dhe të priste ndihmën e një zogu për të gjetur ujë. Ai kishte në shërbimin e tij ifritë e shejtanë që mund t’i gërmonin e gjenin ujë, edhe sikur të ishte shumë thellë në tokë, mjaft që ai t'i urdhëronte. Gjithashtu, Allahu i kishte vënë në shërbim erën, që ishte shumë e shpejtë. Atëherë, si mund të kishte nevojë për pupëzën?! Në shumë tefsirë sillen të tilla shpjegime, që, në fakt, i marrin nga gojëdhënat e çifutëve, të ashtuquajtura israilijate, duke harruar dhe duke u treguar të pavëmendshëm që mund të bien ndesh me kuptimin e saktë të ajeteve. Kjo është shumë e keqe, sepse brezat i transmetojnë fjalët nga njëri tjetri, dhe kështu brezat pasardhës i mendojnë si të vërteta. Kështu mbushen tefsiret me fjalë të tilla të pabazuara. I dituri e di mirë se ky është një libër madhështor, që Zoti e ka sjellë në gjuhë arabe të pastër, nëpërmjet të cilit Zoti u foli të gjithë njerëzisë, si të diturve, ashtu edhe të paditurve dhe i urdhëroi që të meditojnë në kuptimet dhe kumtet e tij dhe t’i kuptojnë ato sipas rregullave dhe kuptimeve të sakta të arabishtes, që e kuptojnë arabët. Nëse dikush gjen fjalë nga popuj të tjerë, atëherë i kthen këto kuptime dhe i sheh nën dritën e kuptimeve të qarta të arabishtes. Nëse u përputhen atyre kuptimeve dhe nuk bien ndesh me to, pranohen. Por nëse bien ndesh me termat dhe kuptimet që ato sjellin, ose me njërin nga dy drejtimet, atëherë refuzohet, madje mund të dëshmohet për papranueshmërinë e tyre, sepse kemi një themel që e dëshmon këtë, që është gjuha arabe dhe kuptimet e saj. E rëndësishme, shkaku që Sulejmani e kërkoi pupëzën ishte përkushtimi dhe rregullsia e tij në kontrollin mbi ushtrinë e tij. Ai ishte aq i kujdesshëm saqë kontrollonte edhe një zog si pupëza kur thotë: “Përse nuk po e shoh pupëzën? Apo mungon? Mos, vallë, unë jam i pakujdesshëm dhe më shpëtoi, apo unë kam të drejtë dhe ajo ende nuk është rreshtuar, duke thyer urdhrin tim dhe duke vepruar pa lejen time?” Prandaj shprehu zemërim dhe e kërcënoi më pas për dënim, duke thënë: - Unë do ta dënoj atë ashpër ose do ta ther, në qoftë se nuk më sjell arsye të fortë (për mungesën) !” - Pra, ose do ta dënoj rëndë, ose do ta vras fare, në qoftë se nuk më sjell arsye të fortë për mungesën. Pra, ose do të më sjellë argument të qartë dhe të justifikueshëm për moskryerjen e urdhrit, ose e pret ky dënim. Kjo tregon ndër të tjera për drejtësinë dhe mosnxitimin e Sulejmanit. Ai nuk nxitohet që të kërcënojë me ndëshkim ata që thyejnë urdhrin e tij, por tregon se u jep mundësi që të arsyetohen. - Por nuk zgjati shumë dhe ajo (pupëza) erdhi. - Kjo tregon për respektin e madh të ushtarëve dhe se sa të kujdesshëm ishin ata për përmbushjen e urdhrave të Sulejmanit. Madje edhe pupëza, që ishte e justifikuar për vonesën e saj, nuk ia lejoi vetes të vonohej shumë, por erdhi me të shpejtë dhe i tha: - Unë isha në vende që ti nuk ke qenë... - Unë kam një informacion që ti nuk e di, me gjithë diturinë e gjerë dhe gradën tënde të lartë. - ...dhe vij nga Sebei me lajme të vërteta. - Po të sjell një lajm të sigurt nga Sebei, një mbretëri e njohur ne Jemen. Pastaj filloi t’i shtjellonte këtë lajm: - Atje pashë se ata i sundonte një grua. - Një grua ishte në krye të popullit të saj. Ajo ishte një grua e mençur që: - Asaj i ishte dhënë nga çdo gjë dhe kishte një fron madhështor. - Asaj i ishte dhënë gjithçka që mund të kishte një mbret, si pasuri, armë, ushtri, kështjella etj. Mes të tjerash, asaj i ishte dhënë: "...një fron madhështor." Froni i mbretërisë së saj ishte i jashtëzakonshëm. Madhështia e fronit tregonte madhështinë e mbretërimit dhe këshilltarët e shumtë. - Gjithashtu, pashë që ajo dhe populli i saj adhuronin Diellin e jo Allahun. - Ata ishin popull idhujtar, që adhuronin diellin. - Shejtani ua kishte hijeshuar veprat në sytë e tyre dhe i kishte larguar nga rruga... - Ata pandehnin se ishin në të drejtën. - ... kështu që ata nuk e kishin gjetur udhën e drejtë. - Sepse ai që mendon se është në të drejtën nuk ia hedh sytë asnjë ftese tjetër dhe nuk ka shpresë në udhëzimin e tij, derisa të mendojë seriozisht dhe me objektivitet. - (Shejtani i kishte mashtruar) Që të mos i përuleshin Allahut, i Cili zbulon çdo të fshehtë në qiej e në Tokë dhe që e di atë që fshihni dhe atë që e shfaqni haptazi. - Allahu i di të gjitha fshehtësitë në lartësitë e qiejve dhe thellësitë e tokës, edhe krijesat më të vogla, farat e bimëve dhe fshehtësitë e gjokseve e shpirtrave. Ai e nxjerr atë që fshihet në qiell dhe në tokë, duke lëshuar shiun dhe duke bërë farat e fshehura të mbijnë dhe të rriten. Allahu do të nxjerrë ato që fshihen në tokë kur t’i fryhet Surit Ditën e Ringjalljes dhe kur të vdekurit të dalin të gjithë dhe të llogariten e të shpërblehen sipas punëve të tyre. Ai e di mirë atë që e fshehin dhe atë që e shfaqin haptazi. - Është Allahu! Nuk ka zot tjetër (që e meriton të adhurohet) përveç Tij! Ai është Zoti i Fronit të Madh. - Vetëm Atij i duhet dedikuar adhurimi, dashuria e plotë, pendimi i sinqertë dhe dorëzimi. Ai është i Vetmi i Adhuruar për vetë cilësitë dhe përshkrimet e Tij të plota dhe absolute dhe për mirësitë e Tij të shumta, që e bëjnë detyrë mirënjohjen ndaj Tij dhe dashurinë e plotë për Të. Ai është Zoti i Fronit të madh, i cili është mbulesa e të gjithë krijimit të Zotit dhe ka përfshirë qiejt dhe Tokën. Ai është Mbreti dhe Sunduesi me pushtetin madhështor, i Lartësuari dhe i Lavdëruari. Ai është Zoti i Vetëm, para të Cilit duhet të përulesh, t’i biesh në ruku dhe në sexhde. Kështu pupëza shpëtoi nga ndëshkimi duke i sjellë këtë lajm të madh. Sulejmani u çudit si nuk kishte patur informacion për këtë lajm. Duke treguar maturinë dhe kujdesin që të mos pranonte çdo lajm pa e vërtetuar, ai tha: - “Do të shohim shpejt, nëse ke thënë të vërtetën apo ke gënjyer! Shko me këtë letrën time dhe jepua tyre! Pastaj largohu (pak) nga ata dhe përgjo se çfarë do të thonë!” - Pra, e ngarkoi me misionin e ri që të dërgonte atje letrën e tij dhe të shihte se si do të vepronin. Dhe ashtu veproi Pupëza. Atëherë, mbretëresha Belkisë i thotë rrethit të saj të ngushtë: - Ajo (mbretëresha) tha: “O fisnikë! Mua më ka ardhur një mesazh i rëndësishëm.” - Sapo më ra në dorë një mesazh i rëndësishëm dhe shumë i vlefshëm nga mbreti më i madh dhe më i njohur në botë. - Ai është prej Sulejmanit dhe (thotë): “Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit.” (Bismil-lahir-Rahmanir-Rahim.) - Pastaj sqaroi përmbajtjen e këtij mesazhi: - Mos ngrini krye kundër meje, por ejani të bindur në fenë e vërtetë!” - Mos ngrini krye kundër meje, por duhet të pranoni të jeni nën pushtetin Tim. Nënshtrohuni nën urdhrat e mi dhe të më vini si muslimanë. Një mesazh i shkurtër dhe i qartë në përmbajtjen e tij. I ndaloi nga arroganca dhe rebelimi, i ndaloi që të vazhdonin në gjendjen që ishin, i urdhëroi që të nënshtroheshin nën sundimin dhe urdhrat e Tij dhe të pranonin ftesën e tij në Islam. Nga kjo kuptohet se është e pëlqyeshme që letrat të fillohen me “ Bismilah” dhe të vendoset emri i autorit në fillim të mesazhit. - Ajo tha: “O fisnikë! Më këshilloni për këtë çështje!” - Ngaqë ishte një grua e mençur dhe e urtë, ajo mblodhi të mëdhenjtë e mbretërisë së saj dhe tha: “O fisnikë! Më këshilloni për këtë çështje!" Pra, më këshilloni çfarë përgjigje t’i japim këtij mesazhi? A të hyjmë nën mbretërimin e tij dhe të nënshtrohemi, apo si të veprojmë? - “Për asnjë çështje nuk kam vendosur pa ju (pa pëlqimin tuaj)!” - Kurrë nuk kam vendosur vetëm, pa marrë fillimisht mendimin, këshillimin dhe arsyetimin tuaj. - Ata (paria) i thanë: “Ne jemi të fuqishëm dhe jemi luftëtarë të rreptë, por vendimi të takon ty.” - Nëse vendos ta refuzosh urdhrin e tij, dije se ne jemi luftëtarë të sprovuar dhe të fortë. Me sa duket, ata anonin më shumë në këtë mendim që, nëse do të merrej për bazë do të shënonte fundin e tyre. Sidoqoftë, nuk e dhanë si një version përfundimtar, por e lanë të hapur mundësinë, duke thënë: - “Prandaj vendos se çfarë urdhri do të na japësh!” - Je ti ajo që vendos. - E thanë këtë, sepse ishin të bindur për urtësinë dhe mençurinë e Belkisës në vendimet që merrte. Pra mendohu dhe vendos me urtësi dhe qetësi se çfarë do të veprojmë. Kështu, ajo filloi t’u fliste dhe t’i bindte për saktësinë e mendimit dhe vendimit të saj, si dhe për rrezikshmërinë e mendimit të tyre. Ajo tha: - “Mbretërit – kur e pushtojnë një vend, e shkatërrojnë atë dhe i poshtërojnë fisnikët e atij vendi. Kështu veprojnë ata.” - Kështu veprojnë mbretërit kur hyjnë me luftë: ata vrasin, skllavërojnë dhe marrin pasuritë e njerëzve. Ata shkatërrojnë vendin dhe i shndërrojnë udhëheqësit në robër e të poshtëruar, prandaj vendimi për luftë nuk është shumë i urtë dhe i dobishëm. Gjithashtu, nuk kam për t’iu bindur atij menjëherë, derisa të zbuloj qëllimet e tij. Do të bëjmë edhe një lëvizje të fundit, që pastaj të jemi të qartë në çdo gjë që do të vendosim. Më pas. Belkisa zbuloi planin e saj të veprimit: - Po unë do t’i dërgoj atij një dhuratë të madhe dhe do të shoh se çfarë (përgjigje) do të më sjellin të dërguarit (e mi).” - Do të shoh, a do të vazhdojë me qëndrimin e tij të mëparshëm apo do të ndryshojë? Pastaj do të shohim edhe reagimin e ushtrisë së tij. Kështu, ajo i dërgoi Sulejmanit shumë dhurata, nëpërmjet një delegacioni me burra të mençur dhe të urtë nga rrethi i saj. - Kur (të dërguarit) shkuan te Sulejmani, ai tha: “Vallë, me pasuri do të më joshni mua?! - Kur të dërguarit e mbretëreshës shkuan tek Sulejmani me dhuratat e saj Sulejmani e refuzoi i zemëruar, sepse ata nuk i qenë përgjigjur ftesës. Ai u tha: - Ajo që ma ka dhënë Allahu mua, është shumë më e mirë se ajo që jua ka dhënë juve. - Këto dhurata nuk më bëjnë asnjë përshtypje, sepse ato që më ka dhuruar Allahu janë shumë më të mira se ajo që keni ju. - Jeni ju ata që gëzoheni me dhurata! - Ju gëzoheni e mashtroheni me dhurata, sepse ju e doni këtë dynja. Ato që keni në duart tuaja janë shumë më të pakta se ato që Zoti më ka dhënë me bujarinë e Tij. Pastaj i dha korrierit këtë mesazh gojarisht, pa e shkruar, duke vërejtur se ishte i mençur dhe do ta përcillte me saktësi: - Kthehuni atje, - u tha të dërguarve - dhe të jeni të sigurt se ne do t’u shkojmë me ushtri të papërballueshme nga ata dhe do t’i dëbojmë prej andej të poshtëruar e të përulur! - Shko tek ata dhe jepu mesazhin e Sulejmanit. Ai i urdhëroi që të niseshin me në krye mbretëreshën e të vinin tek Sulejmani. Ai e dinte se atyre nuk u mbetej gjë tjetër veçse të vinin tek ai të dorëzuar. - Pastaj Sulejmani tha: “O fisnikë! Cili prej jush do të ma sjellë fronin e saj (Belkisës), para se ata të më vijnë të dorëzuar?” - Ai u tha xhindëve dhe njerëzve që uleshin pranë tij: “O fisnikë! Cili prej jush do të ma sjellë fronin e saj (Belkisës), para se ata të më vijnë të dorëzuar? Pra, të bëjmë diçka me pasurinë e tyre, para se të vijnë, sepse kur të bëhen muslimanë, pasuria e tyre do të jetë e paprekshme. - Ifriti, - një prej xhindëve - tha: “Unë do të ta sjell atë para se të ngrihesh nga vendi ku je ulur. Unë kam fuqi të plotë për këtë (detyrë) dhe jam besnik (i sprovuar).”” - El-Ifrit është një xhind shumë i fortë dhe i shkathët. Ai tha: “Unë do të ta sjell atë para se të ngrihesh nga vendi ku je ulur. Unë kam fuqi të plotë për këtë (detyrë) dhe jam besnik (i sprovuar).” Në atë kohë Sulejmani ishte në Sham dhe për të shkuar në Jemen do t’i duhej dy muaj që të shkonte e dy muaj që të kthehej. Megjithatë, ky Ifrit jep fjalën që, megjithëse ishte një fron i madh dhe i rëndë: “unë do të ta sjell para se të ngrihesh nga ky vend në të cilin je ulur”. Zakonisht kuvendet mund të zgjasin 3-5 orë. Mendo pak për këtë mbret madhështor, që kishte në popullin e tij dikë me një forcë dhe aftësi të tilla të pashembullta! - Ndërsa një që kishte dituri nga Libri tha: “Unë ta sjell atë ty sa hap e mbyll sytë.” - Mufesirët kanë thënë se ai ishte një burrë besimtar dhe i ditur pranë Sulejmanit, që quhej Asif ibn Burhije. Thuhej se ai dinte emrin më të madh të Allahut, atë emër që, nëse e lusje Allahun me të, Ai të përgjigjej dhe nuk ta kthente duanë. Ky i tha: “Unë ta sjell atë ty sa hap e mbyll sytë.” Pra, ai do ta luste Allahun me emrin e Tij më të madh dhe Ai do t’i përgjigjej. Si përfundim, ai e luti Zotin dhe e kreu atë detyrë. Allahu e di më mirë se si ndodhi. A ndodhi sepse dinte emrin e Allahut dhe iu realizua menjëherë ajo që kërkoi, apo ai kishte një lloj njohurie nga Libri nëpërmjet së cilës mund të transportonte pesha të rënda? E rëndësishme është që Sulejmani e pa atë fron madhështor para syve të vet. - Kur Sulejmani e pa atë (fron) para vetes, tha: “Kjo është mirësia e Zotit tim, që të më sprovojë mua a do të jem mirënjohës apo mosmirënjohës.” - Allahu dëshiron të më sprovojë, a do jem një besimtar i mirë e mirënjohës për dhuntitë e dhuruara nga Ai, apo një mohues, mosmirënjohës dhe arrogant, siç janë mbretërit tiranë të kësaj bote? Sigurisht, Sulejmani nuk ishte i vetëmashtruar nga pushteti dhe forca e madhe që i ishte dhuruar, por e kuptoi mirë dhe e lexoi si duhet gjendjen ku ndodhej. Ai ishte në sprovë nga Zoti dhe u frikësua se a do t’i jepte Atij hakun e falënderimit, mirënjohjes dhe lavdërimit Allahut? Pastaj ai qartësoi faktin se kjo lloj mirënjohjeje nuk i sjell asnjë dobi Allahut, por vetë njeriut që e ka: - Kush është mirënjohës, është për të mirën e vet dhe kush është mosmirënjohës (ta dijë se), Zoti im është i Pasur e Bujar!” - Ai është El Ganij - i Pasuri, Jonevojtari për krijesat dhe punët e tyre. Ai nuk ka nevojë për asgjë dhe gjithçka ka nevojë për Të. Ai është El Kerim - Bujari me mirësi të shumta, mirësi që përfshijnë mohuesin dhe besimtarin, mirënjohësin dhe mosmirënjohësin. Pra, pa dyshim që mirënjohja për mirësitë e Tij sjell shtim të të mirave dhe mohimi i tyre sjell largimin e mirësive. - Pastaj tha: “Ndryshojeni fronin, që ta shohim a do ta dallojë atë, apo është njeri që nuk kupton.” - I tha rrethit të tij që ta ndryshonin pamjen e fronit, duke shtuar ose hequr ndonjë gjë prej tij: "...që ta shohim a do (do të ketë mprehtësinë) ta dallojë atë, apo është njeri që nuk kupton. A është vërtet një mbretëreshë e urtë dhe e mprehtë apo është e pavëmendshme dhe jo në nivelin që thonë se është? - Kur ajo (Belkisa) erdhi, e pyetën: “I tillë është froni yt?” Ajo tha: “Si të ishte vetë ai?!” - Kjo përgjigje tregonte për mprehtësinë dhe urtësinë e Belkisës. Ajo nuk tha është “Ai është ”, sepse atij i ishin bëra disa ndryshime. Por edhe nuk tha që nuk ishte ai, sepse e njihte mirë fronin e saj. Kështu dha një përgjigje që i përmbante të dyja mundësitë. Sulejmanit i pëlqeu përgjigjja e kujdesshme e mbretëreshës dhe mençuria e saj në analizën e çështjeve. Më pas, duke shprehur edhe mirënjohjen për begatitë e mëdha që i kishte dhuruar Zoti, tha: - Neve na është dhënë dituria përpara kësaj... - Ne na është dhuruar udhëzimi, mençuria dhe strategjia për çdo çështje, para kësaj mbretëreshe. - ...dhe jemi besimtarë të nënshtruar (ndaj Zotit) . - Mbi të gjitha, na është dhuruar udhëzimi në besimin e pastër, që është baza e çdo mirësie. Por ka mundësi që këto fjalë të jenë të mbretëreshës Belkisë. Pra ajo tha: "Neve na është dhënë dija dhe informacioni për mbretërimin dhe pushtetin e Sulejmanit dhe aftësive të tij të jashtëzakonshme që para këtij rasti që e pamë me sytë tanë, kur ai e solli fronin tonë nga ajo distancë e largët, prandaj dhe kemi ardhur si muslimanë të nënshtruar dhe të bindur. Ne pranojmë të jemi nën mbretërimin dhe pushtetin e Sulejmanit." Allahu i Madhëruar thotë: - Atë (Belkisën) e kishte penguar (nga besimi i drejtë) ajo që adhuronte përveç Allahut. - Ajo ishte vërtet një grua e zgjuar e urtë dhe e mençur, por e kishin penguar nga pranimi i Islamit ato besime të kota, që e largojnë dritën nga zemra për të dalluar. Me mendjen e saj ishte e aftë të dallonte të mirën nga e keqja, të drejtën nga kotësia, por kur besimet e kota të verbojnë zemrën, njeriu vazhdon në të kotën, derisa t’i vijë drita e të ndriçohet. - Ajo ishte nga një popull jobesimtar. - Prandaj edhe ajo kishte fenë e humbjes. Është shumë e vështirë për një njeri që të kundërshtojë gjithë popullin e vet që janë në humbje dhe kotësi, prandaj nuk është e çuditshme që ajo kishte fenë e tyre, sidomos kur nuk kishte shtytje nga e mira dhe ftesë të qartë drejt saj. Sulejmani (a.s) deshi që t’i tregonte Belkisës diçka prej pushtetit të tij, që ajo të kuptonte më mirë mbretërimin dhe pasuritë e mëdha që ai zotëronte. Ai e ftoi atë në sallonin madhështor të pritjes, i cili ishte shumë i gjerë dhe i lartë. Dyshemeja e tij ishte prej xhami dhe poshtë xhamit kishte ujë që lëvizte, prandaj të jepte përshtypjen se po shkelje mbi ujë. - Pastaj i thanë: “Hyr në pallat!”. Kur e pa atë (dyshemenë e kristaltë) , mendoi se ishte ujë (që dallgëzonte), prandaj i zbuloi kërcinjtë e saj (duke ngritur fustanin) . - Kur u fut brenda, Belkisa pandehu se po ecte mbi ujë, sepse dyshemeja ishte xham i kristaltë dhe mund të shihje ujin poshtë saj, që rridhte. Për këtë shkak, ajo ngriti rrobën, aq sazbuloi kërcinjtë e saj, për t’u ruajtur nga uji. Edhe kjo tregon për edukatën dhe maturinë e saj. Belkisa nuk refuzoi të hynte në pallat kur pa këtë gjendje, por me kujdes vijoi të ecte, sepse ajo e dinte mirë se ishte ftuar për ta nderuar. Ajo e dinte mirë se ky mbret madhështor kishte rregulluar çdo aspekt të pritjes së saj dhe asgjë e keqe nuk do të ndodhte. Kur ajo u fut në sallon, ai i tha: - “Ky është pallat i shtruar me pllaka xhami të lëmuara.” - Është dysheme prej xhami të lëmuar, prandaj nuk ka nevojë që të ngresh rrobën dhe të zbulosh këmbët. Kështu, kur pa ato çudira dhe mësoi rreth profetësisë së Sulejmanit, Belkisa u pendua dhe u kthye nga kufri, në besimin e pastër dhe të natyrshëm. Ajo tha: - “O Zoti im! Unë kam qenë vërtet e padrejtë ndaj vetes sime dhe tani, së bashku me Sulejmanin, po i dorëzohem Allahut, Zotit të Botëve!”. - Kjo është ajo që na ka treguar Allahu i Lartësuar rreth mbretëreshës së Sebeit dhe asaj çfarë ndodhi mes asaj dhe Sulejmanit. Ndërsa çdo zgjatim e hollësi tjetër rreth kësaj historie, që na vjen nga historitë e bijve të Izraeilit, nuk ka lidhje me tefsirin e Fjalës së Allahut. Ato informacione pranohen veçse nëse shoqërohen me argumente të sakta nga Sheriati i Zotit. Në fakt, të gjitha ato histori, ose shumica e tyre, nuk janë të bazuara në argumente të sakta. Këshilloj që të bëjmë shumë kujdes që të mos fusim këto histori të pasigurta në tefsirin e Librit të Allahut të Lartësuar. Në fund, Allahu e di më mirë.

Mus'haf Hape →
Ali Imran 3:102–3:103 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… “Kjo do të thotë që t’i bindesh Allahut dhe të mos e kundërshtosh Atë, ta përkujtosh dhe të mos e harrosh Atë, ta falënderosh e të mos e mohosh Atë.”Ky ajet …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “O ju që keni besuar! Kijeni frikë Allahun ashtu siç duhet të kihet frikë Ai, dhe mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë! ” - Ky është një urdhër nga Allahu i Lartësuar drejtuar besimtarëve, që ata t’i frikësohen dhe ta respektojnë Atë me një devotshmëri ( taķuâ) të vërtetë. Ai i këshillon ata që të jenë të vazhdueshëm në këtë rrugë dhe të jenë të përqendruar në ruajtjen e kufijve të Tij deri në vdekje, sepse çdokush që jeton në një gjendje të caktuar, do të vdesë po në atë gjendje. Për shembull, një njeri që në kohën e rinisë, fuqisë dhe shëndetit të plotë tregon devotshmëri të vazhdueshme ndaj Zotit të tij, duke iu bindur urdhrave të Tij dhe duke u kthyer gjithmonë tek Ai për gjithçka e në çdo gjendje, pa dyshim që Allahu i Lartësuar ka për ta forcuar atë në momentin e vdekjes dhe ka për t’ia mundësuar atij një mbyllje të mirë. Por çfarë do të thotë që t’i frikësohesh Zotit me një devotshmëri të vërtetë?! Ibn Mesudi shpjegon: “Kjo do të thotë që t’i bindesh Allahut dhe të mos e kundërshtosh Atë, ta përkujtosh dhe të mos e harrosh Atë, ta falënderosh e të mos e mohosh Atë.”Ky ajet flet për devotshmërinë, që Allahu i Lartësuar e meriton t’ia përkushtosh. Ndërsa për sa i përket masës së devotshmërisë që adhuruesi e ka të detyrueshme ta ketë, atë e sqaron ajeti tjetër kur’ânor, që thotë: “Kini taķuâ ndaj Allahut aq sa të mundeni!” Për taķuâ-n ka shumë shpjegime, që janë të lidhura me veprat e zemrës dhe të gjymtyrëve, por më bukur i përmbledh përkufizimi se: “ Taķuâ është kryerja e urdhrave të Allahut dhe largimi nga ndalesat e Tij.” Pastaj Allahu i Lartësuar urdhëron besimtarët për diçka, që është një ndihmë e domosdoshme për të ruajtur devotshmërinë. Kështu, devotshmëria e tyre do të jetë gjithmonë e paluhatshme nëse ata i përmbahen kësaj këshille të Zotit të tyre: - “Dhe kapuni fort që të gjithë pas “litarit” (fesë) të Allahut e mos u përçani!” – Pra, i Lartësuari na urdhëron që të mblidhemi të gjithë rreth fesë së Tij, duke zbatuar porositë dhe udhëzimet e Tij. Ne duhet të njësojmë radhët tona, duke u bashkuar dhe duke iu larguar përçarjes mes nesh. Nëse ndjekim udhëzimet dhe fenë e Zotit të gjithësisë dhe nëse ndihmojmë e mbështesim njëri -tjetrin, sigurisht që do të rregullohen çështjet e dynjasë dhe të fesë tonë. Suksesi i shumë çështjeve është i lidhur ngushtë me bashkimin e zemrave të këtij umeti. Për t’i qëndruar sfidave të kësaj bote, është e domosdoshme që ne të bashkëpunojnë me njëri -tjetrin për të kryer vepra të mira dhe për devotshmëri ndaj Zotit. Vetëm duke mbështetur dhe mbajtur njëri-tjetrin mund të ecim të sigurt dhe të bëjmë hapa të mëdha në rrugën e Zotit. Por nëse përçahemi dhe braktisim njëri -tjetrin, duke shfaqur armiqësi dhe urrejtje, atëherë çdokush do të punojë sipas qejfit dhe, sigurisht, sistemi ynë do të shkatërrohet. Kështu do të jemi të pafuqishëm në përballjen me armiqtë tanë, që janë aq të shumtë dhe të pamëshirshëm. Pastaj Allahu i Lartësuar u përkujton besimtarëve mirësinë e Tij ndaj tyre dhe i urdhëron ata që gjithmonë ta përmendin dhe ta çmojnë këtë mirësi të mrekullueshme që u ka dhurar: - “Dhe kujtojeni (me mirënjohje) mirësinë e Allahut ndaj jush, kur ju ishit të armiqësuar me njëri -tjetrin e Ai i bashkoi zemrat tuaja, ...” - Kuptimi: Dikur, ju vrisnit dhe plaçkisnit njëri -tjetrin. Brenda fiseve, qyteteve e fshatrave tuaja kishte luftëra të ashpra e të përhershme. Vërtet, ju ishit në një gjendje tepër të rëndë para shfaqjes së Profetit të mëshirës. Pasi Allahu i Lartësuar e dërgoi Profetin tek ju, Ai ju dha sukses që ta besoni dhe të bashkoheni të gjithë rreth Islamit, rreth fesë së paqes. Kështu, ju u bëtë si një trup i vetëm, që e doni dhe e ndihmoni njëri - tjetrin. Më pas, thotë i Lartësuari: - “...dhe kështu, me mirësinë e Tij u bëtë vëllezër.” - Mirësia e Tij është besimi. Pra, me mirësinë e Zotit tuaj, ju u bëtë vëllezër për hir të Tij dhe të bashkuar, sikur të kishit një zemër të vetme. - “Ju ishit buzë Gropës së Zjarrit dhe Ai ju shpëtoi prej saj. ” - Me gjendjen tuaj para besimit, ju ishit gati për të rënë në zjarrin e Xhehenemit. Asgjë nuk qëndronte mes jush dhe Xhehenemit, veçse vdekja. Pra, nëse do të vdisnit në atë gjendje, pa besim dhe me armiqësi me njëri -tjetrin, ju do të hynit pashmangshmërisht në Zjarr. Porse Allahu i Lartësuar ju shpëtoi prej Zjarrit, duke ju dhënë sukses që të besoni dhe të pasoni udhëzimin e qartë dhe të sigurt, të sjellë nëpërmjet Muhamedit (s.a.u.s.). - “Kështu jua sqaron Allahu Argumentet e Veta, që ju ta gjeni udhëzimin e sigurt.” - Kuptimi: Allahu i Lartësuar jua sqaron juve të vërtetën nga e gabuara, udhëzimin e drejtë nga rruga e shtrembër, me argumente të kuptueshme, që ju të gjeni rrugën dhe ta shihni qartë atë. Allahu i Lartësuar na i qartëson të vërtetën, që ne ta njohim atë, të krijojmë siguri të plotë rreth saj dhe të punojmë me sinqeritet për ta kënaqur Atë, Zotin tonë, sipas ligjeve të Tij. Ky ajet tregon se Allahu i Lartësuar e dëshiron dhe kënaqet që adhuruesit e Tij të kujtojnë dhe t’i përmendin me zemër dhe me fjalë mirësitë që Ai u ka dhuruar. Duke i kujtuar ato vazhdimisht, besimtarët do ta shtojnë mirënjohjen dhe dashurinë për Allahun. Pastaj, duke qenë mirënjohës ndaj Tij dhe duke e dashur Atë, atëherë, sikurse ka premtuar vetë Allahu, Ai do t’ua shtojë edhe më shumë mirësitë atyre. Pa dyshim që nga mirësitë më të mëdha që duhen kujtuar është mirësia e udhëzimit në rrugën e drejtë, në fenë Islame, është ndjekja e udhëzimeve të sakta e të qarta të Profetit (s.a.u.s.), është bashkimi i zemrave dhe i radhëve tona dhe mospërçarja midis nesh.

Mus'haf Hape →
Shura 42:19–42:20 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… “Me pranimin tuaj të Islamit, mos më thoni se ma dini për faleminderit mua, sepse Ai që e meriton falënderimin tuaj për udhëzimin në besim, është vetëm …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Allahu është Bamirës me robtë e Vet .” – Këtu Allahu i Lartësuar na tregon se Ai është Bamirës, Bujar e i Dashur me robtë e Vet. Ai përkujdeset për ta, që ata ta njohin, ta duan, ta kërkojnë bamirësinë e Tij dhe ta arrijnë atë. Bamirësia është një nga cilësitë e Allahut të Lartësuar, që tregon për dijen e Tij të thellë dhe të gjerë, për butësinë, mëshirën dhe përkujdesjen e Tij të madhe për krijesat. Është Ai që di në imtësi se çfarë fshehin gjokset dhe çdo të fshehtë tjetër. Është Allahu që i udhëzon dhe ua lehtëson robve, në veçanti besimtarëve, rrugët e mirësive, rrugë që ata nuk i dinë dhe as nuk i mendojnë. Pikërisht prej bamirësisë së Tij, Ai i ka udhëzuar besimtarët, adhuruesit e Tij, ashtu si atyre kurrë nuk u shkonte ndër mend më parë, duke ua lehtësuar çdo shkak dhe ndihmues udhëzimi. Allahu u ka dhuruar atyre një natyrë të pastër. Ai i ka pajisur besimtarët me një dashuri të natyrshme për të vërtetën dhe me vullnet të mjaftueshëm për ta pasuar këtë të vërtetë. Është Allahu që i bën melekët e Tij të mbështesin e ndihmojnë besimtarët, t’i nxisin ata për vepra të mira dhe për bindje ndaj Tij, të hedhin në zemrat e tyre dashuri të mjaftueshme për fenë, punët e mira dhe për bindjen ndaj Tij, duke ua zbukuruar e lehtësuar të gjitha këto. Thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “…por është Allahu Ai që jua bën të dashur besimin dhe jua zbukuron atë në zemrat tuaja, ndërsa mosbesimin, shfrenimin dhe kundërshtimin, jua bën që t’i urreni. Këta dhe vetëm këta janë të udhëzuarit (në Rrugën e Drejtë). ” [Huxhuratë 7]. Ose: “Ata të lavdërohen ty që u bënë muslimanë. Thuaju: “Me pranimin tuaj të Islamit, mos më thoni se ma dini për faleminderit mua, sepse Ai që e meriton falënderimin tuaj për udhëzimin në besim, është vetëm Allahu, nëse jeni të sinqertë” .”. [Huxhuratë 17]. Prej bamirësisë së Allahut janë edhe rregullat e dispozitat e mrekullueshme, me të cilat Ai ndihmon besimtarët në plotësimin dhe ruajtjen e udhëzimit, që po Ai ua jep. Me këtë qëllim, për shembull, Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët për disa adhurime kolektive, të cilat forcojnë vullnetin e tyre për të punuar, madje tek ta lind natyrshëm dëshira për të garuar në vepra të mira dhe për të përfituar nga virtytet e njëri -tjetrit. Prej bamirësisë së Allahut është edhe fakti që Ai, me bujarinë dhe mëshirën e Tij, u mundëson robve forcën, mundësinë, mjetet e kushtet e nevojshme për t’i penguar nga rruga e keqe dhe gjynahet. Kështu, Allahu i Gjithëditur e i Gjithëmëshirshëm e di mirë se dynjaja, pasuria dhe pushteti, për arritjen e të cilave garojnë njerëzit në përgjithësi, mund të bëhet pengesë për ndonjë adhurues, madje mund ta çojë atë në pakujdesi, poshtërsi dhe në largimin nga bindja dhe nënshtrimi ndaj Atij, prandaj me urtësinë dhe butësinë e Tij, Allahu ia largon ose ia pakëson ato. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë në vazhdim: - “... dhe begaton atë që Ai do. Ai është i Gjithëfuqishmi, Ngadhnjimtari.” - Allahu u dhuron rizk robve aq sa kërkon urtësia dhe bamirësia e Tij. Është Ai që zotëron begatitë e qiejve dhe të tokës, të dynjasë dhe ahiretit. Nuk ka fuqi për robin dhe ndryshim të gjendjes së tij pa ndihmën e të Plotfuqishmit e Ngadhënjimtarit. Të gjithë janë të nënshtruar para pushtetit dhe sundimit të Tij gjithëpërfshirës. Pastaj i Lartësuari thotë: - “Atij që dëshiron të fitojë Botën Tjetër, Ne do t’ia shtojmë shpërblimet (e punëve të tij), ...” - Çdokush që synon shpërblimin dhe mirësitë e ahiretit, duke i besuar ato dhe duke u përpjekur ashtu si duhet për arritjen e tyre, ka premtimin e pakthyeshëm se Allahu i Lartësuar do t’ia shtojë dhe shumëfishojë shpërblimin e punëve të tij. Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “Ndërsa ai që ka për qëllim Botën Tjetër, duke qenë besimtar dhe përpiqet për të ashtu si i takon asaj, përpjekjet e tij do të jenë të shpërblyeshme. [Isra 19]. Një njeri i tillë, edhe pse angazhohet me çështjet e ahiretit, nuk do humbë gjë nga pjesa e dynjasë, por do t’i jepet me bujari dhe mirësi. - “...ndërsa atij që dëshiron vetëm këtë botë, Ne kemi për t'i dhënë (diçka) prej saj, por në Botën Tjetër ai nuk ka pjesë (në shpërblimin e Zotit). ” - Ndërsa ata që duan vetëm jetën e dynjasë, ata që me përpjekjet dhe mundin e tyre kanë qëllim vetëm këtë jetë, ata që nuk e besojnë ahiretin dhe nuk përpiqen për të, ata që nuk shpresojnë për shpërblimin në ahiret dhe nuk i ruhen ndëshkimit në të, ata kanë për të marrë prej kësaj dynjaje, – siç thotë Allahu i Lartësuar, – veçse atë që e kanë për pjesë nga ajo. Ndërsa në ahiret, ata nuk do ta shijojnë kurrë Xhenetin, nuk do të jetojnë mes mirësive të tij. Ata e kanë të ndaluar hyrjen në të, por do të ndëshkohen në Xhehenem. Ata, me mosbesimin dhe me veprat e tyre, do ta meritojnë Zjarrin dhe ndëshkimin në të. Ky ajet u përngjan shumë disa ajeteve të tjera, si: “Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe shkëlqimin e saj, Ne do t’ua japim të plotë shpërblimin e veprave të tyre në të, pa u lënë asgjë mangët. Këta janë ata për të cilët në jetën tjetër s'ka asgjë tjetër veç Zjarrit. Veprat e tyre në të u shkatërruan, ndërsa punët e tyre u asgjësuan.” [Hud 15, 16]. Ose: “Atij, që ka për qëllim vetëm këtë botë, Ne do t'i japim në të aq sa duam dhe pastaj ai do të hyjë në Xhehenem i përçmuar dhe i përbuzur.” [Isra 18].

Mus'haf Hape →
Bejine 98:1–98:8 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… por për shkak të prirjeve të sëmura që kanë, atyre u shtohet edhe më shumë devijimi; drita e argumenteve të qarta ua shton edhe më shumë …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Mohuesit prej ithtarëve të Librit dhe idhujtarët kurrë nuk do të shpëtonin (nga rruga e humbjes) , derisa t'u vinte argumenti i qartë....” - Ithtarët e Librit, të krishterë apo jehudë qofshin, dhe idhujtarët e çdo kategorie, do të vazhdonin të mos i ndaheshin rrugës së tyre të gabuar të idhujtarisë dhe mohimit të Zotit, derisa Ai t’u sillte fakte të qarta dhe argumente bindëse. Pastaj i Madhëruari tregon se çfarë argumenti u solli popujve për të gjetur rrugën e drejtë: - “...I Dërguari prej Allahut, që lexon Fletë të Pastra. Në to ka shkrime (plot ligje të drejta e) të urta. ” - Argumenti i qartë që udhëzon në rrugën e drejtë ishte një profet, të cilit Zoti do t’i shpallte një libër e që do t’i ftonte njerëzit në të vërtetën dhe të drejtën. Këtë libër ai do t’ua lexonte njerëzve, për t’u mësuar atyre Urtësinë, për të pastruar shpirtrat e tyre dhe për t’i nxjerrë nga errësirat në dritë. I Madhëruari e ka cilësuar Librin e Tij si “ Suĥufen Mutahherah” - Fletë të Pastra. Pra, ai është një libër i pastër nga çdo e metë dhe atij nuk mund t’i afrohen shejtanët. Atë e prekin veçse të pastrit, sepse është fjala e më të Lartit, që asgjë nuk mund t’i afrohet për nga madhështia, rëndësia dhe begatia. I Madhëruari thotë gjithashtu për librin e Tij që: "Në to ka shkrime (plot ligje të drejta e) të urta.”. Të vërteta janë historitë e tij, të padiskutueshme janë parashikimet e tij, të drejta janë dispozitat e tij. Ai udhëzon në rrugën e drejtë. Me ardhjen e këtij libri, do të dallohej qartë kërkuesi i sinqertë i së vërtetës nga mashtruesi dhe shtiracaku. Pas dërgimit të Profetit dhe shpalljes së librit të Tij, çdokush do të mësojë të vërtetën dhe nuk do të ketë më justifikim tek i Madhëruari. Ai që do të besojë do ta bëjë këtë me dije e siguri të plotë, ndërsa ai që do të mohojë do ta bëjë këtë me vetëdije të plotë, jo për shkak të paditurisë dhe paqartësisë, sepse ky libër nuk lë asgjë pa shpjeguar dhe qartësuar prej çështjeve të besimit dhe udhëzimit. Nëse ndodh që ithtarët e Librit nuk e besojnë Kur'anin, dijeni se kjo nuk është ndonjë gjë e re. Devijimi që ata preferojnë dhe inati i tyre gjithmonë i ka çuar në përçarje dhe armiqësi, edhe pas qartësimit të së vërtetës me fakte të qarta dhe argumente bindëse. I Madhëruari thotë: - “Por ata të cilëve iu dha Libri u përçanë edhe pasi u erdhi Argumenti i Qartë.” - Argumentet e qarta normalisht duhet të sjellin unitet, por për shkak të prirjeve të sëmura që kanë, atyre u shtohet edhe më shumë devijimi; drita e argumenteve të qarta ua shton edhe më shumë verbërinë. Ky është shpjegimi i vetëm i refuzimit të tyre, sepse librat hyjnorë kanë të gjithë të njëjtin burim, Zotin e gjithësisë. Në çdo shpallje të Tij, Zoti ka urdhëruar për fenë dhe besimin e drejtë, që çojnë në bashkimin e njerëzve. Të gjithë profetët kanë dhënë të njëjtat udhëzime dhe kanë predikuar të njëjtën fe, siç thotë i Lartësuari më pas: - “Ata nuk qenë urdhëruar për gjë tjetër, përveçse që të adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë e me përkushtim ndaj Tij duke qenë besimdrejtë (hunefae), si dhe të falnin namazin dhe të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë.” - Urdhri i parë dhe i përhershëm është: adhurim i sinqertë dhe me përkushtim veçse për Allahun e Madhëruar. Të gjitha adhurimet t’i përkushtohen vetëm Allahut dhe askujt tjetër, në shenjë dashurie e përunjësie, me frikërespekt dhe duke shpresuar kënaqësinë dhe shpërblimin e Tij bujar në të dyja jetët. Urdhri i dytë është për të qenë hunefa, pra, besimtarë të vërtetë në njësimin e Zotit, të distancuar nga çdo besim që largohet nga teuhidi dhe praktikon idhujtarinë. Urdhri i tretë është për namazin dhe zekatin. Edhe pse këto dy adhurime i përfshin edhe urdhri i parë, ato janë përmendur veçmas, për shkak të rëndësisë dhe vlerës së tyre të lartë dhe sepse mbi këto dy adhurime mbështeten të gjitha adhurimet e tjera të Islamit. Atëherë, kjo është feja e drejtë, kjo është udha e sigurt, që të shpie në Xhenetin e mirësive të përjetëshme. Çdo rrugë tjetër veç saj të çon në humbje, të çon në zjarrin e Xhehenemit. Më pas, Allahu i Madhëruar tregon për ndëshkimin e mohuesve dhe të pabindurve, të cilët e shpërfillin të vërtetën, edhe pas qartësimit të saj: - “S’ka dyshim se ata ithtarë të Librit dhe idhujtarë, të cilët nuk besuan (Islamin, Kur'anin, Muhammedin a.s), do të futen në zjarrin e Xhehenemit, ku do të jenë përgjithmonë.” - Ata do të ndëshkohen në zjarrin e Xhehenemit, i cili do t’i përfshijë dhe mbulojë tërësisht brenda tij dhe do t’i stërmundojë me përvëlimin e tij. Atje do të qëndrojnë përgjithmonë dhe kurrë nuk do t’u lehtësohet ndëshkimi. Ata do të jenë të përjetshëm në ndëshkim dhe të pashpresë për shpëtim apo lehtësim. - “Ata janë krijesat më të këqija.” – Janë të tillë, sepse pasi e kanë njohur të vërtetën, e shpërfillin dhe e refuzojnë atë, duke shkatërruar në këtë mënyrë dynjanë dhe ahiretin e tyre. - “Ndërsa ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata janë krijesat më të mira.” - Janë të tillë, sepse ata e njohin Allahun dhe e adhurojnë Atë, duke fituar kështu mirësitë dhe lumturinë e dynjasë dhe të ahiretit. - “Shpërblimi për ta është te Zoti i tyre, në Xhenetet e Adnit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Atje do të jenë të përjetshëm..” - Ata do të jenë në Xhenete të përjetshme, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Atje nuk do të kenë lodhje dhe kurrë nuk do të largohen. Atje do të jenë në mirësi, nga të cilat kurrë nuk do të velen dhe nuk do të dinë të kërkojnë më shumë e më mirë sesa janë. Nëpër kopshtet e tyre do të rrjedhin lumenj dhe ata do të shijojnë të lumtur çdo mirësi të dhuruar nga Bujari i Madh. - “Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Kjo është për ata që i druhen Zotit të tyre. ” - Allahu është i kënaqur me ta, për bindjen dhe adhurimin e tyre të sinqertë për Të, sikurse Ai i mësoi dhe i udhëzoi nëpërmjet profetëve. Edhe ata janë të kënaqur me Allahun, për mirësitë dhe dhuratat e shumta që Ai u jep. Këto shpërblime të mrekullueshme u premtohen vetëm atyre që i druhen Zotit të tyre dhe i nënshtrohen Atij me respekt, duke zbatuar porositë e Tij, në shenjë dashurie dhe madhërimi për Të, dhe duke u larguar nga haramet që ka caktuar Ai. Këtu përfundon komenti i sures Bejjine. Falënderimi dhe lavdërimet i qofshin vetëm Allahut të Madhëruar!

Mus'haf Hape →
Nur 24:11 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… thashethemet e akuzatorëve shpifës. Mua m’u shtua e m’u rëndua sëmundja. Kur u ktheva në shtëpi, erdhi edhe i Dërguari i Allahut. Pasi përshëndeti, ai …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Këto ajete u shpallën dhe flasin në lidhje me Aishen, nënën e besimtarëve, dhe kohën kur munafikët, trilluesit e intrigave dhe mashtrimeve, shpifën për nderin e saj. Ata trilluan mashtrime e shpifje shumë të shëmtuar, në lidhje me atë grua të pastër e të dëlirë, nderin e të cilës dhe të Profetit të nderuar e m ori në mbrojtje vetë Zoti i Madhëruar. Kështu, për të mbrojtur nderin e Profetit të Tij të dashur, Allahu i Madhëruar zbriti ajetet që flasin për pastërtinë morale të Aishes. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që e sajuan shpifjen janë një grup brenda jush.” Ata janë një grup njerëzish, që jetojnë mes jush. Pra, nuk janë një ose dy vetë, por një grup i tërë. Pa dyshim, që i pari që meritoi mallkimin dhe këtë kërcënim për dënim të madh ishte kreu i munafikëve, Abdullah Ibn Ubej Ibn Ebu Selul. Ishte ai që më së shumti e përhapte këtë shpifje dhe e përfliste shumë ndër njerëz, aq sa kjo shpifje zuri vend edhe në mendjen e disa besimtarëve dhe filluan edhe ata të flasin e përflasin rreth saj. Ndërsa shumë të tjerë heshtën dhe e kaluan këtë shpifje , pa u bërë pjesë e saj . Kështu vazhdoi kjo fitne për rreth një muaj, derisa zbritën ajetet. Kjo është sjellë hollësisht në hadithe të sakta. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Zuhriu, i cili thotë: “Më ka treguar Seid Ibn Musejibi, Uruetu Ibn Zbejri, Alkametu Ibn Uekkas, Ubejdullahu, Ibn Abdilah Ibn Utbe Ibn Mesudi, rreth hadithit të Aishes, gruas së Profetit, rreth shpifjes së madhe kundër saj, atëherë kur autorët e kësaj shpifjeje përhapën ndër njerëz atë që folën dhe Allahu i Madhëruar zbriti pastërtinë e saj , secili prej tyre më tregoi nga një pjesë prej hadithit të saj. Dikush e mbante mend më hollësisht se dikush tjetër. Por nga të gjithë unë e kuptova dhe mora të plotë hadithin që e tregon Aishja r.a. (bashkëshorte e Profetit a.s.): 1927. “Sa herë që i Dërguari i Allahut a.s. donte të nisej për udhëtim, ai hidhte short ndërmjet grave të tij dhe merrte me vete atë që i binte shorti. Kur doli për një betejë, ai hodhi short mes nesh dhe shorti më ra mua. Kështu, u nisa bashkë me të në kohën kur Allahu e kishte urdhëruar mbulesën për gratë. Mua më hipnin dhe më zbrisnin nga deveja me gjithë koçinë (lloj kabine). Kështu, ne ecëm, derisa i Dërguari i Allahut mbaroi fushatën dhe u kthyem për në shtëpi. Kur iu afruam Medinës, i Dërguari i Allahut urdhëroi që të udhëtonim edhe natën. Kur u dha urdhri për t’u nisur, unë u largova pak nga kampi për nevoja personale. Pasi mbarova dhe u ktheva te kampi, për t’u nisur me të tjerët, papritur vura re se më kishte rënë gjerdani, kështu që u ktheva ta kërkoja, dhe për këtë u vonova. Njerëzit që më ndihmonin në deve, e ngritën koçinë ku rrija dhe e vendosën mbi devenë me të cilën udhëtoja, duke menduar se isha brenda. Atë kohë, gratë ishin të lehta dhe elegante, dhe jo të shëndosha dhe hanin pak, kështu që ata nuk e kishin ndier shumë ndryshimin e peshës së koçisë. Thjesht e ngritën atë dhe e vendosën mbi deve. Ndërkohë unë isha shumë e re (rreth 15 vjeç). Kështu, ata e ngritën devenë dhe u nisën. Unë e gjeta varësen vetëm pasi ushtria kishte ikur. Kur u ktheva te kampi, nuk gjeta askënd, kështu që shkova te vendi im dhe ndenja aty, gjithnjë duke menduar se ata do ta ndjenin mungesën time dhe do të ktheheshin prapë të më kërkonin. Në këtë gjendje, më erdhi gjumi dhe fjeta. Safuan Dhekuani, i cili kishte mbetur pas ushtrisë, kalon në mëngjes pikërisht në vendin ku isha unë. Kur pa hijen e një njeriu që flinte, ai u afrua. Ai më kishte parë mua para kohës së detyrimit të mbulesës për gratë. Kësisoj, unë u ngrita kur dëgjova atë të thoshte: “Inna lil-lahi ve inna Ilejhi raxhiun – Vërtet, të Allahut jemi dhe, pa dyshim, tek Ai do të kthehemi!” (lutje kjo që thuhet në rast fatkeqësie). Ai e uli devenë e tij, zbriti prej saj dhe vuri këmbën e tij te këmbët e para të devesë. Unë hipa në të, ndërsa Safvani u nis në këmbë, duke tërhequr devenë për dore, derisa arritëm ushtrinë, që kishte ndaluar për të pushuar në mesditë. Atëherë pra, kush ishte caktuar për t’u shkatërruar, ra në shkatërrim (duke shpifur), dhe i pari i shpifësve ishte Abdullah Ibn Seluli (prijësi i munafikëve në Medinë). Pasi mbërritëm në Medinë, unë u sëmura për rreth një muaj. Ndërkohë, te njerëzit po përhapeshin fjalët shpifëse të akuzuesve gënjeshtarë. Gjatë kohës së sëmundjes, më dukej sikur nuk po shihja te Profeti ﷺ atë ndjenjë dhe dashamirësi të zakonshme të tij, që tregonte sidomos kur isha sëmurë. Ai vetëm vinte, përshëndeste dhe thoshte: “Si është ajo?” Unë nuk dija asgjë se ç’po ndodhte, derisa u përmirësova. Pasi u bëra më mirë, dola njëherë me Ummu Mistahin në Mesasi, vend ku dilnim për nevojë. Atëherë dilnim për nevojë veçse natën, përpara se t’i kishim banjot afër shtëpive. Kështu e kishim zakon atëherë, ashtu si bënin arabët më parë, në vend të hapur ose larg shtëpive. Pra, isha duke ecur me Ummu Mistahin. Befas, ajo u pengua nga fustani i gjatë (dhe u rrëzua) dhe tha: “Plaç, o Mistah!” - “Ç’janë këto fjalë! - thashë. - Si e fyen një njeri që ka marrë pjesë në luftën e Bedrit?!” Ajo tha: “E shkreta ti, a nuk i ke dëgjuar se çfarë thonë për ty?!” Më pas, ajo më tregoi thashethemet e akuzatorëve shpifës. Mua m’u shtua e m’u rëndua sëmundja. Kur u ktheva në shtëpi, erdhi edhe i Dërguari i Allahut. Pasi përshëndeti, ai sërish vetëm pyeti (shërbëtoren): “Si është ajo?” Unë i kërkova leje që të shkoja te prindërit e mi. Doja që të sigurohesha prej tyre për lajmet e përhapura. I Dërguari i Allahut më lejoi dhe unë shkova te prindërit e mi. Menjëherë pyeta nënën: “Çfarë po përflasin njerëzit?” Ajo më tha: “O bijëza ime! Mos u shqetëso shumë për këtë! Për Allah! Nuk ka grua të shkëlqyer e joshëse, që burri i saj - i cili ka edhe gra të tjera, - e do shumë, që ata të mos shpifin.” - “Lavdia i qoftë Allahut! - thashë. - Vërtet po përgojojnë për këtë gjë?!” Atë natë qava deri në agim dhe nuk vura gjumë në sy.” Përcjellësi i dytë i hadithit shton: “Kur pa se iu vonua Shpallja Hyjnore, i Dërguari i Allahut thirri në mëngjes Aliun dhe Usama Ibn Zejdin, për t’u këshilluar me ta për ta ndarë gruan e tij (Aishen). Usama i tregoi atij atë që ai dinte për emrin e mirë të grave të tij dhe shtoi: “O i Dërguari i Allahut, mbaje gruan tënde, pasi, për Allah, ne nuk dimë për të, veçse të mira!” Ndërsa Aliu i tha: “O i Dërguari i Allahut, Allahu nuk të ka vendosur kufizime! Ka edhe shumë gra të tjera veç asaj. Megjithatë, pyet shërbëtoren, të të flasë të vërtetën!” Atëherë, i Dërguari i Allahut thirri Beriran dhe e pyeti: “O Berira! A ke parë ndonjëherë diçka tek ajo, që të ngjall dyshime?” Berira i tha: “Jo, për Allahun, i Cili të ka dërguar ty me të Vërtetën! Kurrë nuk kam parë tek ajo ndonjë gjë të keqe e të gabuar, përveç faktit se ajo është vajzë shumë e re dhe, kur fle, harron dhe e lë brumin pa kujdes, kështu që vijnë dhe e hanë dhitë!” Po atë ditë, i Dërguari i Allahut u ngjit në minber dhe kërkoi që dikush ta mbështeste atë për të ndëshkuar Abdullah Ibn Selulin. I Dërguari i Allahut tha: “Kush do të më ndihmojë, për të ndëshkuar atë njeri, i cili më ka lënduar rëndë, duke shpifur për emrin e familjes sime? Për Allah! Unë di vetëm të mira për familjen time! Ata kanë akuzuar një burrë, për të cilin unë di vetëm të mira dhe që ai nuk ka hyrë kurrë në shtëpinë time, përveçse me mua!” Ngrihet Saad Ibn Muadhi dhe thotë: “O i Dërguari i Allahut! Për Allah! Unë do të të çliroj prej tij: në qoftë se ai njeri është nga fisi Aus, atëherë ne do t’ia këpusim qafën dhe, në qoftë se është nga vëllezërit tanë, nga fisi Hazrexh, atëherë na urdhëro dhe ne do ta përmbushim urdhrin tënd!” Nga kjo ngrihet Saad Ibn Ubad e, kreu i fisit Hazrexh, që përpara kësaj kishte qenë njeri i shquar dhe i përkushtuar, i shtyrë edhe nga zelli i tij për fisin e vet. Ai tha: “Për Allah! Ti gënjen, se ti nuk e vret dot atë dhe nuk do të mundesh ta vrasësh!” Usaid Ibn Hudein ngrihet dhe ia kthen (Saad Ibn Ubades): “Për Allah! Ti je gënjeshtar! Për Allah! Ne do ta vrasim atë dhe ti je hipokrit, je duke mbajtur hipokritët!” Për këtë, dy fiset Aus dhe Hazrexh u acaruan shumë dhe ishin gati të luftonin me njëri -tjetrin, ndërsa i Dërguari i Allahut po qëndronte në minber. Ai zbriti dhe i qetësoi, derisa ata pushuan. Pastaj ra në heshtje.” Aishja vazhdon: “Kam qarë gjithë ditën, pa vënë gjumë në sy. Në mëngjes, prindërit e mi ishin me mua. Kisha qarë dy net dhe një ditë, aq sa m’u duk se do të më plaste mëlçia nga e qara. Kur prindërit ishin ulur me mua, që qaja, një grua ensare më kërkoi leje që të hynte, dhe unë e lashë të hynte. Ajo u ul dhe filloi të qante me mua. Ndërkohë që të gjithë ne ishim në këtë gjendje, hyn i Dërguari i Allahut dhe ulet. Ai nuk ishte ulur tek unë qysh ditën që ata më akuzuan duke shpifur. Kaloi një muaj dhe asnjë Shpallje Hyjnore nuk i zbriti atij për çështjen time. Në fillim tha shehadetin, pastaj shtoi: ‘O Aishe! Kështu e ashtu fjalësh më kanë thënë për ty. Në qoftë se ti je e pafajshme dhe e dëlirë, atëherë Allahu shpejt do ta shpallë pastërtinë tënde dhe, në qoftë se ke bërë gjynah, atëherë lutju Allahut të të falë dhe pendohu tek Ai, pasi, kur robi pranon fajin e bërë dhe i lutet Allahut për falje, Allahu ia pranon atij pendimin!” Kur i Dërguari i Allahut mbaroi fjalën, mua m’u ndalën lotët, aq sa nuk më mbeti asnjë pikë në sy. I kërkova babait që t’i përgjigjej për mua të Dërguarit të Allahut, por ai më tha: “Betohem për Allahun! Nuk di se ç’ti them të Dërguarit të Allahut!” I thashë nënës që t’i fliste për mua të Dërguarit të Allahut, por edhe ajo më tha: ‘Për Allah! Nuk di se ç’ti them të Dërguarit të Allahut!” Ndërsa vetë unë isha e re dhe nuk kisha shumë dije nga Kurani. Atëherë, thashë: “Për Allah! Unë tani e di vërtet se ju keni dëgjuar se ç’po thonë njerëzit, dhe ajo ju është ngulitur në veten tuaj, aq sa e keni marrë atë si të vërtetë. Tani, nëse unë ju them juve se jam e pastër, dhe Allahu e di që unë jam e pastër dhe e pafajshme, ju nuk do të më besoni mua. Në qoftë se unë ju dëshmoj duke gënjyer se jam fajtore, dhe Allahu e di se unë jam e pastër dhe e pafajshme, atëherë ju do të më besoni. Betohem për Allahun! Unë nuk gjej dot për ju dhe për mua shembull tjetër, veçse atë të babait të Jusufit a.s. (Jakubit a.s.), i cili tha: Durimi është gjëja më e mirë për mua. Allahut i kërkoj të më ndihmojë në këtë q ë ju po trilloni.” (Jusuf 18). Pastaj u ktheva siç isha në shtrat nga ana tjetër, gjithnjë duke shpresuar se Allahu do të provonte pafajësinë time, por, për Allah, kurrë nuk kisha menduar se Allahu do të zbriste Shpallje Hyjnore për çështjen time, pasi nuk e quaja veten time aq të denjë, që të flitej për mua në Kuran. Unë shpresoja se i Dërguari i Allahut mbase do të shihte ndonjë ëndërr, me të cilën Allahu do të qartësonte pa fajësinë dhe pastërtinë time. Betohem për Allah! Pa u ngritur i Dërguari i Allahut nga vendi ku ishte dhe pa dalë askush nga dhoma, atij i erdhi Shpallja Hyjnore! Atë e kapi ajo gjendje, si zakonisht (kur i zbriste Shpallje Hyjnore). Ai djersiste aq shumë, saqë pikat e djersës i kullonin si perla, edhe pse ishte ditë e ftohtë dimri. Kur i Dërguari i Allahut u lirua nga ajo gjendje, duke qeshur, fjalën e parë që foli, ma tha mua: “O Aishe! Falëndero Allahun! Ai tashmë ka shpallur pafajësinë dhe dëlirësinë tënde!” Nëna ime më tha që të afrohesha tek i Dërguari i Allahut, por unë i thashë: ‘Jo, për Allah! Nuk do t’i afrohem dhe nuk falënderoj tjetër veçse Allahun!” Kësisoj, Allahu i Lartësuar shpalli ajetin: “Ata që e trilluan shpifjen, janë një grup brenda jush...”‘ (Nur 11). Kur Allahu zbriti këtë Shpallje për pafajësinë dhe dëlirësinë time, Ebu Bekr Siddiku (babai), që gjithnjë e kishte ndihmuar me bamirësi Mistahin, sepse ai ishte i afërm i tij, tha: “Për Allah, nuk do t’i japë më asgjë Mistahit, për shkak të asaj që tha për Aishen!” Por më vonë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Bamirësit dhe të pasurit të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe atyre që i lanë shtëpitë e tyre për hir të Allahut, por le t’ua falin (gabimin) dhe të mos ua vënë re. A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë ju? Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” (Nur 22) . Pas kësaj, Ebu Bekri tha: ‘Po! Për Allah! Unë dua që Allahu të më falë!’ Dhe e ndihmoi përsëri Mistahin, të cilin e kishte ndihmuar vazhdimisht më parë.” Aishja shton: “Ndërkohë, i Dërguari i Allahut kishte pyetur edhe Zejneb Bintun Xhahshin (bashkëshortja tjetër: “O Zejneb! Çfarë di dhe çfarë ke parë?” Ajo i kishte thënë: “O i Dërguari i Allahut, unë ruhem të them se kam dëgjuar ose kam parë diçka që as e kam dëgjuar dhe as e kam parë. Për Allah! Unë nuk di gjë tjetër, por veçse të mira për Aishen.” Asokohe Zejnebi ishte rivalja ime (për bukuri dhe për dashurinë e Profetit a.s.), megjithatë Allahu e ruajti atë (nga mëria dhe ligësia), sepse ajo qe e drejtë dhe e përkushtuar.” Hadithin e ka përnxjerrë Buhariu dhe Muslimi në Sahih-ët e tyre prej Zuhrit. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Aishja, e cila ka thënë: 1928. “Kur zbritën ajete rreth ndershmërisë time, Profeti i Allahut u ngrit (në mimber) i përmendi ato ajete dhe këndoi Kuran. Pastaj zbriti dhe urdhëroi që të ndëshkoheshin për shpifje me dënimin përkatës, dy burra dhe një grua.” Këtë e kanë transmetuar autorët e katër Sunen-eve dhe Tirmidhiu ka thënë se ky është një hadith hasen. Në transmetimin e Ebu Daudit janë përmendur edhe emrat e tyre: Hasan Ibn Thabit, Mistah Ibn Uthathe dhe Hamnetu bintu Xhahsh. - “Ata që e sajuan shpifjen janë një grup brenda jush. ” - Pra, ata që sollën këtë shpifje të madhe e të shëmtuar, janë një grup që jetojnë mes jush. - “Sidoqoftë, mos mendoni se është gjë e keqe për ju! ” - Kjo fjalë i drejtohet familjes së Ebu Bekrit. Pra, ju, o familja e Ebu Bekrit, kurrë mos e mendoni se kjo ndodhi ishte një e keqe për ju! - “Përkundrazi, ajo është për të mirën tuaj.” - E mirë si në këtë jetë, ashtu edhe në ahiret. Në këtë dynja do të jeni në gradën më të lartë të moralit dhe me emrin më të mirë e të nderuar ndër njerëz. Ndërsa në ahiret do të jeni në nivelet më të larta të Xhenetit. Kjo ngjarje u bë shkak që të dilte në pah qartë ndershmëria juaj, si dhe përkujdesi i madh i Zotit të Madhëruar për Aishen, nënën e besimtarëve, - Allahu qoftë i kënaqur prej saj! Vetë Allahu i Madhëruar u kujdes për të dëshmuar dëlirësinë e pastërtinë e saj, duke shpallur këto ajete në Kuranin madhështor, në këtë Libër të cilit nuk mund t’i atribuohet e pavërteta nga asnjë anë. Ai është Shpallje prej të Urtit, të Lavdëruarit. Kur Ibn Abasi shkoi të vizitonte Aishen në kohën e vdekjes së saj, i tha: “Gëzohu, sepse ti je bashkëshortja e Profetit të Allahut dhe ai të donte fort. Ai nuk u martua me ndonjë vajzë tjetër të virgjër, përveç teje. Allahu i Madhëruar e zbriti nga qielli vërtetimin për dëlirësinë dhe pastërtinë tënde.” Muhamed Ibn Abdilah Ibn Xhahshi tregon: “Po bisedonin njëherë Aishja dhe Zejnebja, - Allahu qoftë i kënaqur me to! Zejnebja tha: “Unë jam ajo, martesa e të cilës zbriti nga qielli.” Kurse Aishja tha: “Unë jam ajo, dëlirësia e të cilës u shpall në Librin e Allahut!” - “Secili prej tyre do të dënohet sipas pjesëmarrjes në këtë gjynah.” - Pra, secili prej atyre që morën pjesë në këtë shpifje për Aishen, ka pjesën e vet të ndëshkimit. - Kurse flamurtari i saj do të ketë një dënim të madh. - Thuhet se kuptimi i këtij ajeti është: Ai i cili e filloi këtë shpifje i pari. Gjithashtu, thuhet: “Ai i cili e formulonte dhe e përcillte atë ndër njerëz, e hapte si bisedë ndër njerëz dhe nxiste përfoljen e saj. Pra, për këta është përgatitur një dënim i madh. Në fakt, kjo i refrohet Abdullah Ibn Ubej Ibn Selulit, - Allahu e shëmtoftë dhe e mallkoftë!”

Mus'haf Hape →
Huxhurat 49:14–49:18 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… për këtë mirësi që ju ka dhuruar: - “Ai që e meriton falënderimin tuaj për udhëzimin në besim, është vetëm Allahu, nëse jeni të sinqertë.” - Nëse …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Allahu i Lartësuar i qorton beduinët të cilët, sapo pranuan Islamin dhe pretenduan se kishin arritur gradën e imanit të sinqertë e të plotë, ndërkohë që besimi ende nuk kishte zënë vend mirë në zemrat e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: - “Beduinët thanë: “Ne kemi besuar.” Thuaju: “Ju ende nuk keni besuar, pra - ndaj thoni ‘Hymë në Islam’, sepse besimi nuk ka hyrë ende në zemrat tuaja.” - Nga ky ajet i bekuar është nxjerrë si mësim se imani ka një kupti m më specifik sesa Islami. Ky është mendimi dhe shpjegimi i dijetarëve të Ehli Sunetit dhe Xhematit. Për këtë na tregon hadithi i Xhibrilit (a.s.), ku Profeti u pyet rreth Islamit, pastaj rreth imanit, dhe pastaj rreth ihsanit. Pra, fillimisht u pyet për Islamin, që ka një kuptim të gjerë, pastaj rreth imanit, që ka një kuptim më specifi k se Islami, dhe më pas u pyet rreth ihsanit, që është edhe më specifik se dy të parët. Kështu, kur beduinët pretenduan se kishin iman, që është një gradë më lart se pranimi i Islamit, atyre iu dha një mësim: “Thuaju: “Ju ende nuk keni besuar, prandaj thoni ‘Hymë në Islam’, sepse besimi nuk ka hyrë ende në zemrat tuaja.”” Këta nuk ishin munafikë, ndryshe nga çfarë thonë disa. Nëse do të ishin munafikë, ajeti do t’i demaskonte, ashtu sikurse ka ndodhur në vende të tjera në Kuran, si ajetet e sures Berae (Teube). Ajeti thjesht i edukoi këta njerëz, duke u thënë: “Ju ende nuk keni besuar, prandaj thoni ‘Hymë në Islam’”. Pra, ju ende nuk keni arritur në besimin real dhe të vërtetë, për të cilin pretenduat. - “Nëse i bindeni Allahut dhe të Dërgua - rit të Tij, Ai nuk ju pakëson asgjë nga veprat tuaja.” - Ai nuk do t’jua ulë aspak shpërblimin për veprat tuaja, siç thuhet në ajetin tjetër: “ Besimtarët e vërtetë do t’i bashkojmë me ata pasardhës të tyre që i pasojnë në besim, duke mos u pakësuar asgjë nga veprat e veta. Çdokush është peng i punës së vet.” [Tur 21]. - “Allahu është Falës i madh e Mëshirë - plotë.” - Për ata që pendohen sinqerisht dhe kthehen të bindur tek Ai. - “Besimtarë janë vetëm ata që i besojnë Allahut, të Dërguarit e Tij, e pastaj nuk luhaten ...” - Besimtarë të vërtetë e të plotë në imanin e tyre janë ata të cilët kurrë nuk lëkunden a të dyshojnë në vërtetësinë e asaj që besojnë, por qëndrojnë të patundur në fe. Ky besim i konsoliduar e i patundur i bëri që të: - “... luftojnë me pasurinë dhe me jetën e tyre në rrugën e Allahut. ” – Ata sakrifi - kojnë çdo gjë të vyer e të shtrenjtë, për hir të Zotit. - “Këta janë besimtarët e vërtetë. ” - Këta janë të vërtetë në fjalën e tyre, nëse thonë se janë besimtarë, e jo disa beduinë, që thjesht janë dorëzuar së jashtmi, por zemrat e tyre ende nuk kanë besuar. Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Seid el Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti i Allahut ka thënë: 2465. “Në jetën e dynjasë, besimtarët janë në tri kategori: 1. Ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe pastaj nuk lëkunden ose dyshojnë, por luftojnë me pasurinë dhe jet ën e tyre në rrugën e Zotit; 2. ata që njerëzit u beso jnë pasurinë e jetën e tyre; 3. ata të cilët, kur joshen nga dëshirat e pangopura, i lënë ato për hir të Allahut Krenar dhe të Madhëruar.” 66 Në vijim, i Lartësuari thotë: - “Thuaju: “Vallë, ju do t’i tregoni Allahut për fenë tuaj ...” - Mos vallë, ju do t’i tregoni Allahut të Madhëruar për atë që gjendet e fshihet brenda zemrave tuaja?! - “... ndërkohë që Allahu di ç’ka në qiej dhe ç’ka në Tokë dhe kur Allahu di gjithçka?!” - Allahut nuk i fshihet asnjë thërmijë në tokë e në qiell, qoftë edhe më e vogël se ajo. - “Ata të lavdërohen ty që u bënë musli - manë.” - Disa beduinë iu lëvduan Profetit dhe ia quajtën sikur i kishin bërë nder atij që pranuan Islamin, që pasuan rrugën e tij dhe që po ndihmonin kauzën e tij. Allahu i Madhëruar ua hedh poshtë këtë pretendim: - “Thuaju: “Me pranimin tuaj të Islamit, mos më thoni se më keni bërë nder mua!” - Dobia e Islamit kthehet tek vetë ju. Nëse keni pranuar Islamin, thjesht i keni bërë mirë vetes suaj dhe vetëm Allahut i takon lavdërimi dhe mirënjohja për këtë mirësi që ju ka dhuruar: - “Ai që e meriton falënderimin tuaj për udhëzimin në besim, është vetëm Allahu, nëse jeni të sinqertë.” - Nëse pretendimi se keni besuar është i vërtetë, dijeni se është Allahu Ai që duhet t’ia dini për falemi - nderit, ta lavdëroni dhe t’i jeni mirënjohës Atij për këtë mirësi që ju dhuroi. Kështu u tha Profeti ensarëve Ditën e Hunejnit: 2466. “O populli i ensarëve! A nuk ju gjeta të humbur dhe Allahu ju udhëzoi në rrugën e drejtë nëpërmjet meje? A nuk ishit të përçarë dhe Allahu ju bashkoi nëpërmjet meje? A nuk ishit të varfër dhe Allahu ju pasuroi nëpërmjet meje? ...” Sa herë që Profeti thoshte këto pyetje, ata përgjigjeshin: “Allahu dhe i Dërguari i tij janë më meritorë për mirënjohje.” 67 Hafizi Ebu Bekër el Bezzar sjell prej Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej atyre të dyve!) rëfimin: 2467. “Fisi Benu Esed erdhën tek Profeti dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut, ne kemi pranuar Islamin. Kur arabët të luftuan, ne nuk të luftuam.” Profeti ﷺ u tha: “Ju jeni njerëz dijepakët dhe shejtani po flet nëpërmjet gojës suaj.” Atëherë zbriti ky ajet: “Ata të lavdërohen ty që u bënë musli - manë. Thuaju: “Me pranimin tuaj të Islamit, mos më thoni se më keni bërë nder mua! Ai që e meriton falënderimin tuaj për udhëzi - min në besim, është vetëm Allahu, nëse jeni të sinqertë.”. Ky rrëfim, - shton Bezzari - ka ardhur vetëm përmes kësaj rruge transme - timi. Në vijim, Allahu i Lavdëruar pohon sërish faktin se Ai është i gjithëditur për të gjitha krijesat dhe se asgjë që ekziston dhe asnjë vepër e krijesave nuk i fshihet shikimit të Tij. I Madhëruari thotë: - “S’ka dyshim se Allahu i di të fshehtat e qiejve e të Tokës. Allahu sheh gjithçka që ju punoni.” Ky është fundi i përmbledhjes së tefsirit të sures Huxhurat. Vetëm Allahut i takon lavdërimi e mirënjohja dhe vetëm në dorën e Tij është suksesi për gjithçka. E lus të Madhëruarin që t’i udhëzojë drejt hapat tanë dhe të na prijë drejt të saktës dhe të vërtetës. Vetëm tek Ai e kemi shpresën që ta përfundojmë këtë punë, në formën që Ai e dëshiron dhe kënaqet!

Mus'haf Hape →
Tur 52:44–52:49 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… - “Madhëroje me falënderim Zotin tënd, kur të ngrihesh! ” - Kanë ardhur tri shpje - gime për këtë ajet. Dahaku thotë se këtu bëhet fjalë për lutjen e hapjes së …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Allahu i Lartësuar na tregon rreth idhujtarëve, të cilët, vetëm prej kokëfortësisë, refuzojnë edhe ato fakte që janë të prekshme nga shqisat: - “Edhe sikur të shihnin ndonjë send duke rënë nga qielli, ata do të thoshin: “Është veç një grumbull resh.” - Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar kur thotë: “Kështu e fusim atë (mosbesimin) në zemrat e keqbërësve. Ata nuk e besojnë (shpalljen) dhe ky është një ligji i pandry - shueshëm që në popujt e hershëm (keqbë - rës). Edhe sikur Ne t’u hapnim atyre një derë në qiell, që ata të ngjiteshin vazhdi - misht lart, ata do të thoshin: “Neve na kanë qenë bllokuar sytë, madje kemi qenë të magjepsur.”.” [Hixhr 12 - 15]. - “Prandaj, lëri ata derisa të përjetojnë ditën kur ata të shtangin ...” - Pra, lëri ata, o Muhamed, deri kur të vijë Dita e Kija - metit. - “Ditën kur dredhitë e tyre nuk u bëjnë më asnjë dobi ...” - Ditën e Kijametit, intrigat e tyre nuk kanë asnjë vlerë e funksion. - “... e kur nuk do të ndihmohen. ” - Askush nuk ka për t’i ndihmuar që të shpë - tojnë atë ditë. - “Është e vërtetë se për ata që bëjnë padrejtësi, ka një dënim më të afërt se ai ...” - Përpara ndëshkimit në ahiret, kanë edhe një tjetër në dynja, sikurse thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “ Ne do t'i bëjmë ata që të shijojnë një pjesë prej dënimit më të afërt, para dënimit të madh (në Zjarr), me qëllim që (të mund të pendohen dhe) të tërhiqen (prej të këqijave).” [Sexhde 21]. - “... por shumica e tyre nuk e dinë. ” - Ata nuk e kuptojnë se çfarë ndodh me ta, por kur t’u shfaqet gjendja në të cilën ndo - dheshin, atëherë ajo do të jetë dëshpëruese dhe gjendja më e keqe që mund të imagji - nohet, më e keqe se gjendja në të cilën ndodheshin më herët. Në disa transmetime vjen hadithi: 2496. “Besimtari, kur sëmuret dhe më pas Allahu e shëron, kjo shërben si falje e gjynaheve të shkuara, por edhe si mësim e këshillë për më pas. Ndërsa kur sëmuret munafiku dhe pastaj shërohet, është si ajo deveja, që nuk e di përse njëherë e mbajnë lidhur dhe njëherë e lëshojnë.” 72 - “Bëj durim me gjykimin e Zotit tënd, se t’i je nën mbikëqyrjen Tonë!” - Bëj durim përballë këtyre mundimeve që të japin dhe mos u kushto shumë rëndësi, sepse ti je nën vëzhgimin Tonë, nën mbrojtjen Tonë të plotë. - “Madhëroje me falënderim Zotin tënd, kur të ngrihesh! ” - Kanë ardhur tri shpje - gime për këtë ajet. Dahaku thotë se këtu bëhet fjalë për lutjen e hapjes së namazit: 2497. “Sub’ĥânekell-llâhum-me ue bi ĥamdike, ue tebâreke-smuke, ue teâlâ xhed - duke, ue lâ ilâhe ĝajruke. (I lavdëruar dhe larg çdo të mete je, o i Adhuruari im në lavdinë Tënde. I lartësuar, i madhëruar dhe begatisjellës është emri Yt! E lartësuar është madhëria Jote! Nuk ka të adhuruar tjetër të meritueshëm veç Teje!)” Muslimi e sjell këtë në Sahih-un e tij nga Umeri, i cili e thoshte këtë lutje në fillim të namazit. Ahmedi dhe autorët e Sunen-eve përcjellin nga Ebu Saidi dhe të tjerë, se Profeti ﷺ e thoshte këtë lutje në hapje të namazit. Ebu El Xheuzâ thotë: “Madhëroje me falënde - rim Zotin tënd, kur të ngrihesh!”, dome - thënë, kur ngrihesh nga gjumi, nga shtrojet e tua. Ky është shpjegimi i dytë, që e ka përzgjedhur Ibn Xheriri. Në pohim të këtij, imam Ahmedi sjell hadithin nga Ubada Ibn Samiti, se Profeti i Allahut ka thënë: 2498. “Ai që zgjohet natën dhe thotë: “Lâ ilâhe illAll-llâhu ueĥdehû lâ sherike lehu , lehul mulku ue lehul ĥamdu ue hue alâ kul -li shej’in kadir. Subĥânallah, El ĥamdu lil - lâh, Lâ ilâhe il -l’Allah, Allahu ekber, Lâ ĥaule ue lâ ku -uete il -lâ bil -lah.” (S’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një dhe të Pashoq. Vetëm Atij i përket sundimi dhe lavdia, dhe Ai është i Plotfuqi - shëm për çdo gjë! I pastër e i lartësuar është Allahu, të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut, S’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Allahu është më i Madhi, Nuk ka ndryshim të gjendjes dhe nuk ka forcë, pa ndihmën e Allahut!”. Pastaj thotë: Rabi’gfir li (O Zot, më fal mua!)”, (Ose) Pastaj lutet, lutja e tij do të marrë përgjigje. Dhe nëse i jep forcë vetes dhe merr abdes, dhe pastaj fal namaz, i pranohet namazi i tij.” Kështu e ka përnxjerrë Buhariu në Sahih-un e tij. Edhe autorët e Sunen-eve sjellin version të ngjashëm prej Uelid Ibn Muslimit. Ndërsa Muxhahidi vjen me një shpjegim tjetër: “Madhëroje me falënderim Zotin tënd, kur të ngrihesh!”, domethënë, bëje këtë sa herë që të ngrihesh për të ikur nga një takim. Ebu Ehuasi thotë: “Para se të ngriheni nga një tubim, thoni: “ Subĥânekell-llâhum-me ue bi ĥamdike! ” (I lartësuar dhe larg çdo të mete je, o Zoti im, në lavdinë Tënde!) Ndërsa nga Ata Ibn Ebi Rabah përcillet se, duke folur për këtë ajet, tha: “Domethënë, kur ngrihesh nga një mexhlis, nëse atje ke folur mirë, do të të shtohen mirësitë; nëse ke bërë diçka tjetër, kjo do të jetë falje për ty.” Ebu Daudi sjell një hadith, - dhe ky është teksti i sjellë prej tij, - që e transmeton gjithashtu, Nesaiu dhe El-Hakimi në Mustedrak, nga Ebu Berzede el Eslemi, se: 2499. “Profeti ﷺ ,në kohën e fundit të jetës së tij, sa herë që donte të ngrihej prej ndonjë mexhlisi, thoshte: “Subĥânekell-llâhum-me ue bi ĥamdike ue eshhedu en lâ ilâhe il -lâ ente estagfiruke ue etûbu ilejke !” (I lartësuar dhe larg çdo të mete je, o Zoti im, në lavdinë Tënde! Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç teje. Ty të kërkoj falje dhe tek ti kthehem i penduar!). Atëherë një burrë i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ti tani po thua disa fjalë, që nuk i thoje më përpara.” Ai tha: “Kjo është falje për atë që mund të ketë qenë në mexhlis.” - “Edhe gjatë natës adhuroje Atë ...” - Përmende Atë, adhuroje duke kënduar Kuran, duke falur namaz gjatë natës, sikurse thotë i Lartësuari: “ Fale namazin kur nis e ulet dielli dhe kur erret nata. Gjithashtu, lexoje Kur'anin e agimit. Vërtet, leximi i Kur'anit të agimit është i dëshmuar. Dhe në një pjesë të natës falu me të (me këndimin e Kur’anit)! Zoti yt do të të ngrejë në një gradë të lavdishme.” [Isra 78, 79]. - “... si edhe kur yjet nuk duken më. ” - Përmendëm më parë, në hadithin e Ibn Abasit, se flitet për dy rekatë namaz, që Profeti ﷺ i falte përpara namazit të sabahut (pra, sunetet e sabahut). Ato janë caktuar që të falen kur yjet fillojnë të mos duken më, pra, në kohën kur bëhet gati të dalë drita dhe yjet fillojnë të fshihen. Siç vjen në dy Sahih-ët, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: 2500. “Profeti i Allahut nuk ishte më i përkushtuar në ruajtjen e ndonjë vepre sunet, sesa për dy rekatët sunet të sabahut.” Sipas versionit të Muslimit: 2501. “Dy rekatët e sabahut janë më të mirë se e gjithë dynjaja, me gjithçka në të.” Ky është fundi i shkurtesës së tefsirit të sures Tur. Vetëm Allahut i takon lavdërimi e mirënjohja. Vetëm Ai të ruan nga të këqijat, devijimi dhe vetëm Atij i mbështetemi dhe i kërkojmë ndihmë.

Mus'haf Hape →
Bekare 2:243–2:245 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… se në një vend është përhapur një epidemi, dhe ju nuk keni hyrë në atë vend, atëherë mos shkoni atje!” Atëherë, Umeri falënderoi dhe lavdëroi Allahun dhe u largua mbrapsht.” Këtë …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- A nuk i ke parë ata që, edhe pse ishin me mijëra, u larguan prej atdheut të vet për t'i shpëtuar vdekjes? Allahu u tha atyre: “Vdisni!” E pastaj Ai i ringjalli. Allahu është Bamirës i madh ndaj njerëzve, por shumica e tyre nuk janë mirënjohës. - Nga Ibn Abasi përcillet se ka thënë: "Ishin katër mijë njerëz, të cilët u larguan nga ai vend për t’i shpëtuar kolerës, që ishte përhapur. Ata thanë: "Le të shkojmë në një vend tjetër, ku të shpëtojmë nga vdekja!” Kur ata mbërritën në atë vend, Allahu i Lartësuar u tha atyre: “Vdisni!” Dhe ata vdiqën. Ndërkohë atje kalon një profet i Zotit, i cili e luti Zotin që t’i ringjallte përsëri ata. Atëherë, Allahu i Lartësuar i ringjalli të gjithë. Për këtë flet ajeti: "A nuk i ke parë ata që, edhe pse ishin me mijëra, u larguan prej atdheut të vet për t'i shpëtuar vdekjes?" Në ringjalljen e tyre kishte një argument të prerë, të dukshëm, të pamohueshëm se ringjallja e trupave në Ditën e Gjykimit është e padiskutueshme që do të ndodhë. Ajo është tërësisht e mundur dhe e zbatueshme për fuqinë e Allahut të Lartësuar, i Cili thotë: "Allahu është Bamirës i madh ndaj njerëzve...". Ai është bamirës i madh me njerëzit, në lidhje me atë se çfarë shenjash të jashtëzakonshme, argumente të prera dhe fakte të qarta, të cilat nuk të lënë asnjë dyshim, iu mundëson që të shohin. Më pas, Allahu i Madhëruar thotë: "... por shumica e tyre nuk janë mirënjohës." Pra, nuk janë mirënjohës sa duhet për ato që u ka dhuruar Allahu i Lartësuar, qoftë në fenë, apo edhe në dynjanë e tyre. Në këtë histori ka argument dhe mësim që na tregon se çfarëdolloj mase që mund të marrë njeriu ajo është e pafuqishme kundër kaderit të Zotit. I vetmi shpëtim i robit është nëse kthehet me pendim, nënshtrim e bindje tek Allahu i Lartësuar. Kështu, këta njerëz dolën nga vendi i tyre, me qëllimin për t’i shpëtuar epidemisë shfarosëse, duke synuar që të jetonin më gjatë. Por ja që ndodhi ndryshe nga ajo që dëshironin! Madje, u erdhi e kundërta e asaj që patën për qëllim. Ata i rrëmbeu vdekja më shpejt sesa e prisnin dhe vdiqën të gjithë në një çast. Për të njëjtën çështje flet dhe hadithi i saktë, të cilin e sjell Imam Ahmedi nga Abdullah Ibn Abasi: 396. “Umer Ibn Hatabi u nis për të shkuar në Sham. Kur mbërriti në zonën e quajtur Serg, atë e takuan komandanti i ushtrisë Ebu Ubejde Ibn Xherah dhe shoqëruesit e tij, që e njoftuan për epideminë e kolerës, që kishte zaptuar Shamin. Këtu ai përmend hadithin në vijim, ku, ndër të tjera, thuhet se Abdurrahman Ibn Aufi, i cili nuk dukej gjëkundi për disa ditë për disa nevoja të veta, shkoi tek Umer Ibn Hatabi dhe tha: “Unë e di se si duhet të veprohet në të tilla raste! Unë kam dëgjuar Profetin e Allahut ﷺ të thotë: “Nëse ka rënë epidemia në një vend, dhe ju gjendeni aty, mos u largoni prej atij vendi, me mendimin se mund të shpëtoni prej Tij. Megjithatë, nëse dëgjoni se në një vend është përhapur një epidemi, dhe ju nuk keni hyrë në atë vend, atëherë mos shkoni atje!” Atëherë, Umeri falënderoi dhe lavdëroi Allahun dhe u largua mbrapsht.” Këtë hadith e kanë përnxjerrë Buhariu dhe Muslimi në dy Sahih-ët e tyre prej Zuhriut. - Atëherë, luftoni për hir të Allahut, dhe ta dini se Allahu dëgjon dhe di gjithçka. - Ashtu sikurse thamë, se çdo lloj mase që mund të marrë njeriu nuk mund të ndryshojë kaderin e Zotit, domethënë, është e pafuqishme që të ndryshojë atë që Zoti ka përcaktuar me pushtetin dhe urtësinë e Tij, po kështu edhe largimi nga lufta nuk mund të largojë kohën e vdekjes së njeriut. Afati i jetës së njeriut është i vendosur dhe rizku i Zotit është ndarë dhe përcaktuar. Kjo është bërë sipas një rregulli, në të cilin nuk mund të shtosh dhe nuk mund të pakësosh asgjë. Allahu i Lartësuar thotë: "Atyre që nuk luftuan dhe që thanë për vëllezërit e vet “Sikur të na kishin dëgjuar ne, nuk do të vriteshin”, thuaju: “Largojeni vdekjen prej vetes suaj, nëse thoni të vërtetën!” [Al Imran 168]. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: "Kudo që të jeni, vdekja do t’ju arrijë - edhe në qofshi në kështjellat më të forta." [Nisa 78]. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Kush është ai që do t’i japë Allahut një “hua” të mirë, që Ai t’ia shtojë atë shumëfish? - Allahu i Lartësuar i nxit besimtarët që të shpenzojnë në rrugën e Tij. Ibn Ebu Hatimi përcjell nga Abdullah Ibn Mesud një hadith, në të cilin thuhet: “Kur zbriti ky ajet, Ebu Dahdah el Ensari i tha Profetit ﷺ: 397. “O i Dërguari i Allahut! Vërtet, Allahu i Lartësuar pranon që t’i japim borxh Atij?!” - “Po, o Ebu Dahdah!” - tha Profeti ﷺ . Atëherë ai tha: “Ma jep dorën, o i Dërguari i Allahut!” Dhe ai ia dha dorën. Atëherë ai tha: “Dëshmo, atëherë, se unë ia kam dhënë Zotit tim si hua kopshtin tim (me hurma)!” Transmetuesi i hadithit thotë: “Në atë kopsht kishte 600 rrënjë hurmash. Aty (në shtëpinë brenda në kopsht) ishte dhe e shoqja e Ebu Dahdahit, Umu Dahdah, së bashku fëmijët dhe familjen e Ebu Dahdahit. Atëherë, Ebu Dahdah shkon dhe i thërret gruas së vet: “O Ummu Dahdah!” “Urdhëro!” “Dil prej aty, sepse unë ia kam dhënë kopshtin Zotit tim Krenar dhe të Lartësuar!” Vëreni me kujdes, se si Allahu i Lartësuar e përshkruan si hua të mirë. Është përcjellë se, Umeri dhe selefë e të tjerë, duke shpjeguar këtë fjalë, kanë thënë që është fjala për: “shpenzimin e pasurisë në rrugë të Allahut”. Për këtë hua të mirë, Allahu i Madhëruar thotë: "...që Ai t’ia shtojë atë shumëfish" Kjo ngjan me ajetin 261, po në këtë sure: "Pasuria e atyre që e shpenzojnë atë në rrugë të Allahut përngjan me një farë, prej së cilës mbijnë shtatë kallinj, ku në secilin kalli ka njëqind kokrra. Allahu ia shumëfishon atij që Ai dëshiron. Allahu është Bujar i madh e i Gjithëditur." Do të vijë edhe shpjegimi i këtij ajeti, në dashtë Allahu! Gjithashtu, ky ajet i përngjan edhe një hadithi të sjellë nga Ibn Ebu Hatimi, me senedin e tij, nga Ebu Hurejra, në të cilin thuhet: “Betohem në Atë, në dorë të të Cilit është shpirti im, se unë kam dëgjuar të Profetin e Allahut ﷺ të thotë: 398. “Allahu e shumëfishon një të mirë në dy milion të mira.” - Allahu e pakëson rizkun dhe po Ai jep me mbushulli. - Pra, shpenzoni në rrugë të Allahut dhe mos u shqetësoni, sepse Allahu i Lartësuar është Err- Rrazak, domethënë, Ai që furnizon. Është Allahu që ia ngushton rrizkun atij që Ai do dhe ia zgjeron atij që Ai do, sipas urtësisë së Tij absolute dhe të gjerë. Pastaj i Lartësuari thotë: - Vetëm tek Ai është kthimi juaj. - Ditën e jykimit do të ktheheni tek Ai, për ta marrë të plotë shpërblimin për çdo vepër që keni bërë në këtë jetë.

Mus'haf Hape →
Bekare 2:267–2:268 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… një pjesë të tyre, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për Atë, por edhe në shenjë solidariteti dhe plotësimi të disa detyrimeve që keni kundrejt vëllezërve …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “O ju që keni besuar! Jepni nga më e mira e asaj që keni fituar dhe nga ajo që Ne e nxjerrim prej tokës për ju!” - Allahu i Lartësuar i urdhëron adhuruesit e Tij, besimtarët e vërtetë, që të shpenzojnë për hir të Tij. Por Allahu i Lartësuar e ka përcaktuar se si duhet të jenë këto shpenzime. Ata duhet të shpenzojnë pasurinë që është e mirë, e pastër dhe e dobishme. Pra, nga larmia e gjërave të mira, të këndshme e të dobishme që Zoti jua mundësoi t'i zotëroni, jepni një pjesë të tyre, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për Atë, por edhe në shenjë solidariteti dhe plotësimi të disa detyrimeve që keni kundrejt vëllezërve tuaj në nevojë ! Shpenzoni nga këto mirësi, që kjo të shërbejë si pastrim për pasuritë që zotëroni ! Mes mirësive që Zoti ju ka dhuruar dhe prej të cilave kërkon që të shpenzoni, përzgjidhni gjithmonë atë që është e mirë dhe e këndshme, ashtu sikurse do të zgjidhnit për veten tuaj ! Më tej, i Madhëruari na ndalon nga e kundërta e asaj që u tha më lart: - “Mos nxitoni të jepni më të pavlefshmen nga ajo, të cilën nuk do ta pranonit asnjëherë për veten tuaj, veçse po të ishit symbyllur !” – Pra, kurrë mos synoni ta “hiqni qafe” detyrimin, duke dhënë pjesën më të keqe dhe më të pavlefshme të pasurisë tuaj ! Mos jepni atë pjesë të pasurisë që edhe vetë nuk do të pranonit ta merrnit ndryshe, veç symbyllurazi! - “Dijeni se Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Lavdëruar !” - Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për asgjë prej jush. Ai nuk përfiton asgjë prej sadakave tuaja. Çdo vepër e juaja kthehet pikërisht tek ju. Ai është edhe i Lavdëruar, sepse të lavdëruara dhe madhështore janë të gjitha ato për të cilat ju urdhëron. Urdhrat e Tij janë të lavdërueshëm, virtytet në të cilat ju fton janë të larta e të drejta. Juve nuk ju takon të bëni gjë tjetër, përveçse t'i zbatoni urdhrat dhe porositë e Tij, sepse ato janë ushqim i domosdoshëm për zemrën tuaj dhe jetë e lumturi për shpirtin tuaj. Më pas, kujdes! Ruajuni që të mos ndiqni hapat e shejtanit, armikut tuaj: - “Shejtani ju frikëson me varfëri dhe ju urdhëron për të këqija...” – Kuptimi: Shejtani ju fton që të mos i bindeni urdhrit të Zotit tuaj për të shpenzuar. Ai ju urdhëron për koprraci. Që t'ia arrijë qëllimit të tij, ai ju frikëson duke ju thënë që, nëse e shpenzoni pasurinë tuaj, ju do të varfëroheni dhe do të bëheni nevojtarë për vete. Porse këto nuk janë këshilla të një miku që të do të mirën. Përkundrazi, ato janë këshilla mashtruese. Ja cili është qëllimi i vërtetë i shejtanit, siç thotë i Lartësuari: “Ai i fton p asuesit e tij që të bëhen ban orë të Zjarrit të ndezur fort .”. Kurrsesi mos iu bindni atij që ka të tilla qëllime ogurzeza, por bindjuni Zotit tuaj, i Cili ju urdhëron që të shpenzoni aq sa të keni mundësi, pa u dëmtuar. Bëjeni këtë, sepse Allahu ju premton diçka më të mirë: - “...ndërsa Allahu ju garanton falje e begati.” – Pra, Allahu u premton falje gjynahesh atyre që shpenzojnë për hir të Tij. Ai premton edhe diçka tjetër, që quhet begati ( fađlen). Begatia nënkupton çdo mirësi që synon njeriu në jetën e dynjasë dhe ahiretit. Begatia është zëvendësimi i shpejtë i pasurisë që shpenzohet dhe shumëfishimi i saj. Begatia është qetësia shpirtërore, që të lumturon dhe gëzon. Begatia është mirësia që robi do të përjetojë kur të jetë vetëm në varr. Begatia është shpërblimi i premtuar për veprën e mirë, që do të jetë i shumëfishuar e që do të merret në një ditë shumë të vështirë e në çaste shumë të nevojshme, pikërisht Ditën e Gjykimit dhe të shpërblimit me drejtësi. Të gjitha këto nuk janë aspak shumë për Allahun e Lartësuar. Ato janë shumë të vogla e shumë të thjeshta për t'u përmbushur nga ana e Tij, sepse Ai thotë: - “Allahu është Bujar i madh e i Gjithëditur.” – Pra, Allahu është Bujar i madh me mirësitë që dhuron. Ai është edhe i Gjithëditur. Ai i njeh me hollësi të gjitha shpenzimet që bëjnë njerëzit, të vogla qofshin apo të mëdha, të fshehta apo të hapura. Sigurisht, i Gjithëdi turi do të shpërblejë me mëshirë dhe me bujari për çdo gjë që shpenzohet dhe i përkushtohet Atij me sinqeritet. Le të shohë, pra, njeriu se cilës ftesë duhet t'i përgjigjet. Këto ajete flasin për çështje shumë të rëndësishme. Ato nxisin për të shpenzuar për hir të Allahut, ashtu sikurse na porosit Ai. Në to shpjegohet se çfarë e shtyn njeriun që të shpenzojë: besimi dhe shpërblimi i madh nga Allahu. Ato vërtetojnë se zekati i floririt, i argjendit dhe i mallrave tregtare është detyrim ligjor, që duhet të jepet. Ky gjykim përfitohet pikërisht nga fragmenti: “Jepni nga më e mira e asaj që keni fituar...”. Zekati është detyrim ligjor edhe për prodhimet që nxirren nga toka, qofshin ato bimë, farëra, drithëra apo thesare e minerale, sepse Allahu thotë: ue mim -mã aħrexhnâ lekum- minel erđi / dhe nga ajo që e nxorrëm për ju prej tokës. Ky ajet tregon se zekati është detyrë të jepet nga ai që zotëron, bimësinë, drithërat apo siç quhet, "dobitë" e tokës, jo për pronarin e tokës. Sepse Allahu i Lartësuar thotë: “...dhe nga ajo që Ne e nxjerrim prej tokës për ju!”. Për ato pasuri që nuk përdoren për t'u kultivuar dhe për t'u shtuar, nuk është detyrë të jepet zekat, siç mund të jenë pasuritë e paluajtshme: toka, makina, shtëpia etj., ose edhe enët dhe mjetet e jetesës që njeriu i përdor dhe përfiton prej tyre. Të njëjtin gjykim ka edhe pasuria që njeriu nuk e ka në kontroll të tij, siç mund të jetë pasuria që ia kanë grabitur dhe nuk dihet se cili ia ka grabitur, ose një borxh i dhënë, që nuk e di se a do ta marrë mbrapsht apo jo. Pra, edhe për këtë lloj pasurie nuk kërkohet që të jepet zekat, sepse Allahu i Lartësuar e ka bërë të detyrueshëm zekatin për atë pasuri që përdoret për t'u shtuar dhe kultivuar, siç janë prodhimet e tokës apo pasuria që shtohet nga mallrat e tregtisë. Ndërsa pasuritë që nuk e kanë këtë qëllim, nuk llogariten për zekat. Ajeti tregon se pasuria me cilësi të ulët nuk është e vlefshme për t'u dhënë si zekat. Thënë ndryshe, zekati i dhënë me të tillë mall është i pavlefshëm, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Jepni nga më e mira e asaj që keni fituar...”.

Mus'haf Hape →
Enfal 8:64–8:71 Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim)

… ndihmën e Zotit, prandaj një i mundi dhjetë. Në ajetin vijues flitet për myslimanët e mëvonshëm, kur numri i tyre shtohet, ndërsa përgjegjësia për …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Ndihma e Allahut i mjafton Pejgamberit, u mjafton edhe besimtarëve. Ka mendime të interpretuesve se: ndihma e Allahut dhe besimtarët janë mjaftë për Pejgamberin. Ibni Tejmijje është shumë kundër interpretimit të dytë, bile e konsideron të ngjashëm me kufrin. Gjithashtu ka mendime se ky ajet ka të bëjë me pranimin e fesë islame të Ymerit të Hatabit. Para tij kishin pranuar fenë islame tridhjetë e tre burra e gjashtë gra, Ymeri ishte i katërdhjeti, pra deri diku ishte siguruar situata e myslimanëve. Rreth çështjes se një myslim duhet t'i mundë dhjetë armiq siç thuhet në ajetin e parë, dhe një myslim mjafton t'i mundë dy armiq, siç thuhet në ajetin vijues, interpetuesit e Kur'anit kanë dhënë interpretime të ndryshme. Edhe njëri edhe tjetri ajet kanë vlerën e vet. Me ajetin e parë fjala është për myslimanët e fortë, të qëndrueshëm e trima dhe të mbështetur kryekëput në ndihmën e Zotit. Të tillë ishin myslimanët e parë, kur ishin pak në numër dhe dinin se pos përpjekjeve të tyre për luftë në maksimum, nuk ka kush t'u ndihmojë pos Allahut. Andaj, shfrytëzuan të gjitha fuqitë e veta dhe sinqerisht e kërkuan ndihmën e Zotit, prandaj një i mundi dhjetë. Në ajetin vijues flitet për myslimanët e mëvonshëm, kur numri i tyre shtohet, ndërsa përgjegjësia për luftë kundër armikut mendohet se bie në një rreth më të gjerë, pra atë përgjegjësi nuk e ndien secili individ. Edhe mbështetja në ndihmën e Zotit ishte prezente, por jo si ndër të parët, ngase ajo mbështetje është bartur mjaft në shpresë të turmës, se gjërë myslimane pra morali luftarak nuk ishte si te grupi i parë, andaj një ka mund t'i mundë vetëm dy. Pejgamberit dhe myslimanëve u tërhiqet vërejtja pse i liruan robërit e zënë në luftën e Bedrit me kompensim. Shkak i zbritjes së këtij ajeti, sipas një varianti më të sigurt ishte: Në Bedër mbytën shtatëdhjetë idhujtarë dhe po aq zihen robër. Pejgamberi konsultohet me Ebu Bekrin, e ai i thotë: o i dërguar i Zotit, ata janë kushërinj E e të fisit tonë, nëse u marrim kompensim, ne forcohemi, e ndoshta edhe ata e pranojnë fenë islame dhe ashtu e forcojmë krahun tonë, pra, liroji me kompensim. Pejgamberi thotë: si ta merr mendja ty o bir i Hatabit (Ymeri)7 Ai, Ymeri tha: nuk pëlqej me Ebu Bekrin. Ndërsa unë them: Unë ia shkurtoj kokën të afërmit tim, Aliu le t'ia shkurtojë Ukajlit (djalit të axhës), Hamza vëllait (Abasit), e le të kuptohet se ne nuk na dhimbsen mushrikët, e këta ishin pari e tyre! Pejgamberi anoi kah propozimi i Ebu Bekrit dhe i liroi me kompensim. Sipas Kur'anit, myslimanët do të duhej ta nënshtrojnë me luftë armikun, ta kuptojë armiku se fuqia islame është e fortë, e më vonë do t'u lejohej lirimi i robërve me kompensim. Abasit, axhës së Pejgamberit iu caktua një shumë e madhe për kompensim, prandaj ai i tha Pejgamberit: a po më bën që t'ua shtrijë dorën kurejshitëve sa të jemë gjallë" Pejgamberi e pyeti: ku është ari që ia dhe nënës së Fadilit kur u nise për këndej Abasi u përgjegj: e, ku e di ti" Pejgamberi tha: Zoti im më lajmëroi! Abasi: pra, vërtetoj se je Pejgamber dhe e tha shehadetin. Me ndihmën e Allahut përfundoi përkthimi dhe komentimi për kaptinën "El Enfalu" - Falënderoj Zotin!

Mus'haf Hape →
Alak 96:1–96:19 Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim)

… ai u tha: "Pasha Latin dhe Uzanë, nëse e shoh kah falet, kam për ta shkelur në qafë e për t'ia shtënë fytyrën në dhë". Shkoi një ditë dhe e gjeti …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Pesë ajetet e para të kësaj sure, janë pjesa e parë e Kur'anit që filloi t'i shpallej Muhammedit për herë të parë, kur gjendej në shpellën Hira dhe kur i erdhi Xhibrili e i tha: "Ikre..!" Muhammedi u urdhërua të lexojë i ndihmuar prej Zotit, që krijoi çdo send e çdo qenie në ekzistencë: njeriun e krijoi prej një pike uji, që më vonë bëhet si gjak i ngjizur e i ngjitur për mitrën e nënës, qelizë aq e vogël, sa që nuk mund të shihet ndryshe, pos me ndonjë mikroskop shumë preciz. Lexo e mos u frikëso, se je në dorë të Zotit tënd që është i butë, i mëshirshëm, dhurues i madh, i cili e mësoi njeriun të shkruajë me laps dhe e mësoi për të gjitha çështjet që janë në dobi të tij. Shihet qartë se penda e dituria janë simbole të fesë islame e tjetër gjë është se sa i përmbahen njerëzit kësaj begatije. Rreziku më i madh për njeriun është se kur ai e ndien veten të pavarur për shkak se ka pasuri, fëmijë, pozitë etj., ai e lëshon rrugën e drejtë, kalon normat e moralit njerëzor dhe bëhet arrogant, mendjemadh, pra, në vend që të bëhet edhe më inteligjent, ai shndërrohet në rrebel. Kuptohet, jo secili, por duhet ruajtur nga gjendja e tillë dhe duhet ditur se patjetër do të kthehen te Zoti e jo diku tjetër. Robi që përmendet duke u falur, është Muhammedi, e ai që e pengonte është Ebu Xhehli. mallkuari Ebu Xhehli një ditë u thotë shokëve të vet: "A po e shihni Muhammedin duke ulur fytyrën pranë jush?" Ata i thanë: "Po", Atëherë ai u tha: "Pasha Latin dhe Uzanë, nëse e shoh kah falet, kam për ta shkelur në qafë e për t'ia shtënë fytyrën në dhë". Shkoi një ditë dhe e gjeti Muhammedin duke u falur: iu afrua ta shkelë, kur ja, e panë duke u zbrapsur e duke u mbrojtur me duar. Shokët e pyetën: "Ç'të gjeti?" ai u tha: "Gati rashë në një humnerë plot zjarr". Pejgamberi tha: "Sikur të më afrohej do ta shkyenin engjëjt" Pejgamberi i lutej Zotit, ftonte për në rrugë të drejtë, mësonte për moral të lartë, e ai Ebu Xhehli, edhe përgënjeshtronte edhe nuk besonte. Dënimi për të do të jetë i veçantë, do të rrëmbehet për flokësh dhe me vrull do të hidhet në zjarr, e atëherë le t'i thërret ithtarët e vet për ta shpëtuar, por aty do të jenë zebanitë, engjëjt më të ashpër, kujdestarë të zjarrit të xhehenemit. Edhe njëherë paska kaluar pranë Muhammedit kur ai ishte duke u falur, e ai, Ebu Xhehli i paska thënë: "A nuk të kam thënë që të mos falesh haptas?" Pejgamberi i përgjigjet ashpër, e Ebu Xhehli tha: "Ku merr guxim të folish aq rëndë kur e di se mexhlisi im, parlamenti im është më i madhi?" Atëbotë, Pejgamberi i tha: "E kam Zotin tim'" Kështu, ai nuk pati guxim t'i kundërvihet në këtë rast. S'është për t'u habitur pse sureja e parë është radhitur në këtë vend. Së pari duhet ditur se radhitja e Kur'anit është në pajtim me porosinë e Zotit, e jo mendim i ndokujt tjetër. Vendin se ku e ka një ajet, një sure, a disa ajete, e di Ai që e ka thënë, ashtu si e ka parë të arsyeshme. Çdo orendi e shtëpisë e ka vendin e vet, e jo sipas ardhjes së tyre në shtëpi. Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures El Alak, Falënderuar qoftë Allahu i madhëruar!

Mus'haf Hape →
Ali Imran 3:26–3:27 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… këto fjalë, duke e madhëruar Zotin tënd, duke i shprehur Atij mirënjohjen dhe falënderimin, duke ia dorëzuar Atij të gjitha çështjet e tua dhe duke iu …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- Thuaj: “O Allah! O Sundues i gjithçkaje! Ti ia jep Pushtetin atij që do, dhe ia heq pushtetin atij që do. Ti e lartëson atë që do dhe e poshtëron atë që do. Vetëm në dorën Tënde është çdo e mirë. Vërtet, Ti je i Fuqishëm për gjithçka.” - Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të tij dhe i thotë: Thuaj, o Muhamed, këto fjalë, duke e madhëruar Zotin tënd, duke i shprehur Atij mirënjohjen dhe falënderimin, duke ia dorëzuar Atij të gjitha çështjet e tua dhe duke iu mbështetur tërësisht vetëm Atij! Thuaji me këto ndjenja në zemrën tënde: “ Allahumme malikel mulk!” Pra, ti, o Zot, je Ai që vepron dhe administron të gjitha çështjet e krijesave të tua! Ti vepron gjithçka që dëshiron e në dorën Tënde është mbretërimi, sundimi dhe i gjithë pushteti. Thuaj: Ti ia jep pushtetin atij që do dhe ia heq pushtetin atij që do! Ti e lartëson atë që do dhe e poshtëron atë që do! Vetëm në dorën Tënde është çdo e mirë. Vërtet, Ti je i Fuqishëm për gjithçka. Ti je Ai që jep dhe Ai që privon. Ajo që Ti do të ekzistojë, ajo ekziston, dhe ajo që Ti nuk do që të ekzistojë, ajo kurrë nuk ka për të ekzistuar. Në këtë ajet kemi një shenjë dhe udhëzim, që të tregohemi mirënjohës ndaj Allahut të Lartësuar për mirësinë e madhe që i bëri këtij umeti duke e zhvendosur profetësinë nga mesi i bijve të Izraelit, për t'ia dhënë atë profetit arab nga mesi i Kurejshëve të Mekës, i cili është vula e të gjithë profetëve dhe të dërguarve të Zotit. Ai është i Dërguari i Allahut për të gjithë njerëzit dhe xhinët. Allahu i Madhëruar e veçoi atë me veçori të shumta, të cilat nuk ia pati dhënë askujt prej profetëve përpara tij. Asnjë profet nuk pati pasues të përkushtuar, të sinqertë dhe korrektë, siç pati ky Profet. Ata u shpërndanë nëpër të gjitha anët e globit, për të përhapur fenë dhe ligjin e Zotit, duke e bërë atë t ë triumfojë mbi të gjitha fetë, besimet dhe ligjet që kanë ekzistuar në këtë botë. Salavatet dhe paqja e Allahut qofshin mbi këtë Profet! Kështu, Allahu i Madhëruar ia jep profetësinë atij që ai dëshiron, siç thuhet në një ajet tjetër: “Allahu e di më së miri se kujt ia dhuron Shpalljen e Vet.” [En'am 128]. Në vijim, Allahu i Madhëruar thotë: - Ti e fut natën në ditë dhe e fut ditën në natë. - Ai shkurton natën, për t’ia shtuar atë kohë ditës, derisa nata dhe dita barazohen. Pastaj, Ai merr prej ditës, për t'ia dhënë natës, derisa përsëri ato barazohen. Kështu ndodh gjatë katër stinëve të vitit. - Ti nxjerr nga i vdekuri të gjallin dhe nga i gjalli të vdekurin. - Ti e nxjerr bimën nga fara, dhe pastaj nga kjo bimë dalin përsëri fara të shumta. Ti nxjerr një palmë hurme nga një farë e vogël, dhe pastaj nga kjo pemë e madhe dalin fara të shumta. Ti e nxjerr besimtarin nga ai që është mohues, si edhe mohuesin nga ai që është besimtar. Ti e nxjer pulën nga veza dhe vezën nga pula. Kështu vepron në të gjitha rastet e ngjashme në këtë botë. - Ti e begaton pa masë atë që do. - Ti i jep atij që Ti dëshiron dhe privon atë që Ti dëshiron. Të gjithë këtë e bën me urtësinë absolute dhe diturine Tënde të gjerë dhe të pakufishme, e cila është udhëzuese dhe treguese e dëshirës dhe vullnetit tënd. Taberaniu sjell hadithin nga Ibn Abasi, - Allahu qoftë i kënaqur nga ata të dy! - se Profeti ka thënë: 490. “Emri i madh i Allahut, - me të cilin, nëse i lutesh, Ai të përgjigjet, - ndodhet pikërisht në këtë ajet të sures Al Imran “Thuaj: “O Allah! O Sundues i gjithçkaje! Ti ia jep Pushtetin atij që do, dhe ia heq pushtetin atij që do. Ti e lartëson atë që do dhe e poshtëron atë që do. Vetëm në dorën Tënde është çdo e mirë. Vërtet, Ti je i Fuqishëm për gjithçka.”.”

Mus'haf Hape →
Hud 11:120–11:123 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… e saj shtohen. - “Në këtë Shpallje të ka ardhur e vërteta, këshilla dhe kujtimi për ata që besojnë.” - Në këto ajete të ka ardhur e vërteta e sigurt. …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Pasi përmendi disa nga historitë e profetëve, Allahu i Lartësuar tregon qëllimin dhe urtësinë e tyre: - “Gjithçka që po ta rrëfejmë nga historitë e profetëve – me të forcojmë zemrën tënde.” - Allahu i Lartësuar i tregoi të gjitha këto histori që zemra jote të forcohet, të qetësohet dhe të jetë e qëndrueshme në rrugën e drejtë, ashtu sikurse ndodhi me më të përzgjedhurit e profetëve të Zotit. Nuk ka dyshim se shpirti qetësohet duke marrë si shembull të ngjashmin e tij dhe bëhet më optimist për të kryer punë të mira, që të garojë dhe të afrohet tek Allahu. Duke përmendur gjithë këto histori, e vërteta qartësohet dhe pasuesit e saj shtohen. - “Në këtë Shpallje të ka ardhur e vërteta, këshilla dhe kujtimi për ata që besojnë.” - Në këto ajete të ka ardhur e vërteta e sigurt. Ngjarjet e përmendura këtu nuk kanë asnjë lloj dyshimi. E vërteta e sigurt është ndër mirësitë më të mëdha që mund t’i dhurohet njeriut. Nga ana tjetër, këto ajete janë këshilla dhe kujtim për besimtarët, sepse ata qortohen dhe këshillohen, nxjerrin mësime dhe përvojë. Në këtë mënyrë, ata largohen nga punët e ndaluara dhe nxiten për të kryer punë të mira, në bindje ndaj Allahut të Lartësuar. Nëpërmjet këtyre historive ata mësojnë se cilat janë punët e dashura për Allahun e Lartësuar dhe cilat janë ato që Ai i ka ndaluar. Edhe ata mund të sprovohen, prandaj vazhdimisht kanë nevojë t’i kujtojnë këto vepra të mira, të cilat Zoti i do dhe ato vepra të këqija që Zoti nuk i do. Kjo është një ndihmë e madhe për të jetuar sipas porosive të Allahut të Lartësuar. Por nga këto ajete mund të përfitojnë veçse ata që e besojnë Allahun e Lartësuar dhe Shpalljen e Tij. Ndërsa jobesimtarët nuk mund të përfitojnë kurrsesi nga këshillat dhe paralajmërimet e Kur'anit madhështor, prandaj Allahu i Lartësuar thotë më pas: - “Thuaju atyre që nuk besojnë: “Bëni çfarë të mundeni në tuajën, se edhe ne do të bëjmë tonën.”.” - Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin (a.s.) që t’u thotë atyre të cilët nuk besojnë, edhe pse atyre u kanë ardhur shumë argumente dhe shenja për vërtetësinë e kësaj Shpalljeje: “Bëni çfarë të mundeni në tuajën, se edhe ne do të bëjmë tonën.”. Domethënë, punoni sipas asaj që ju besoni, sepse edhe ne do të punojmë sipas asaj që na urdhëron Zoti ynë. Vazhdoni të prisni atë që na pret ne, se dhe ne do të vazhdojmë të presim atë që do të ngjajë me ju. Allahu i Lartësuar ka bërë dallimin mes dy grupeve dhe u tregon besimtarëve të Tij të sinqertë ndëshkimin e të këqijve dhe shpërblimin e të mirëve. Allahu i Lartësuar i ndihmon besimtarët e Tij të sinqertë dhe u jep sukses atyre që në këtë jetë. Ndërsa jobesimtarët i ndëshkon dhe ata vazhdojnë të jenë të çoroditur në mosbesimin e tyre. Secili do ta marrë shpërblimin të plotë Ditën e Gjykimit, kur të dalë para Allahut të Lartësuar. - “Vetëm Allahut i takon dija për fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës dhe vetëm tek Ai kthehet çdo çështje.” - Allahu i Lartësuar i di të gjitha të fshehtat e qiejve dhe të Tokës. Qoftë veprat, qoftë ata që i bëjnë veprat, të gjithë do të dalin para Allahut të Lartësuar, atëherë kur do të dallohet qartë i miri nga i keqi. - “Atëherë vetëm Atë adhuroje dhe vetëm tek Ai kërko mbështetje!” - Përkushtohu në adhurimin ndaj Allahut. Adhurimi i sinqertë është plotësimi i gjithçkaje që Ai na ka urdhëruar dhe largimi nga gjithçka që Ai na e ka ndaluar. Allahu i Lartësuar na urdhëron që ne të përkushtohemi në adhurimin ndaj Tij, duke kryer të gjitha urdhëresat me sinqeritet ndaj Tij dhe duke u larguar nga të gjitha ndalesat me vazhdimësi. Të përkushtohemi në adhurim duke shpenzuar të gjitha energjitë dhe kapacitetet tona, por duke mos harruar atë që është më e rëndësishmja: mbështetjen tek Allahu dhe jo në forcat tona. - “Zoti yt nuk është i shkujdesur ndaj veprave tuaja.” - Gjithmonë kujtoni këtë fakt, i cili do t'ju freskojë dhe gjallërojë në rrugën drejt Tij: Allahu i Lartësuar nuk është i pavëmendshëm ndaj punëve tuaja të mira apo të këqija. Ai di gjithçka që ju bëni. Ai ka shkruar çdo vepër tuajën dhe ka për t’ju shpërblyer me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij. Këtu përfundon tefsiri i sures Hud. Vetëm Allahut i takon falënderimi, lavdia e plotë dhe mirënjohja e thellë! Paqja, bekimet dhe mëshira e Allahut të Madhëruar qoftë mbi Muhamedin (a.s.)., familjen e tij, shokët e tij dhe pasuesit e rrugës së tij deri në Ditën e Gjykimit!

Mus'haf Hape →
Fusilet 41:40–41:42 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… e pavërteta nga asnjë anë.” – Kur'anit nuk mund t’i afrohen shejtanët, njerëz apo xhindë qofshin ata, për t’i hequr apo për t’i shtuar …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Ata që i shtrembërojnë ajetet Tona, nuk munden kurrë të na fshihen.” – Këtu flitet për shtrembërimin e të vërtetës së ajeteve të Allahut, me çfarëdolloj mënyre qoftë ajo. Mënyrat e shtrembërimit të së vërtetës që sjellin ajetet e Zotit janë të shumta, si për shembull: - mohimi dhe refuzimi i plotë i ajeteve; - mohimi i përcjellësve të këtyre ajeteve ose konsiderimi i tyre si gënjeshtarë; - tjetërsimi i ajeteve, ndryshe nga ç’janë në realitet; - shpjegimi i tyre me kuptime që Zoti kurrë nuk ka dashur apo synuar prej tyre. Të gjithë ata që cenojnë ajetet e Tij në këto mënyra, Allahu i Madhëruar i kërcënon duke u kujtuar se ata nuk mund t’i fshihen kurrë Atij. Ai është Mbikëqyrësi i përhershëm i tyre, i cili u di dhe u sheh të jashtmen dhe të brendshmen. Le ta dinë ata se Ai do t’i shpagojë me drejtësi, për cenimin e ajeteve të Tij dhe për çdo gjë tjetër që kanë bërë. - “Si mendoni, a është më i mirë ai që hidhet në Zjarr, apo ai që në Ditën e Gjykimit vjen i sigurt?” - A janë njëlloj ata që do të hidhen në Zjarr - siç janë cenuesit e ajeteve të Zotit - me ata që në Ditën e Gjykimit do të vijnë të sigurt nga ndëshkimi i Zotit, duke merituar shpërblimin dhe begatitë e Tij? Sigurisht që dihet se cila është përgjigjja. Më tej, Allahu i Madhëruar i paralajmëron robtë duke u thënë: - “Veproni si të dëshironi,” – Bëni si të dëshironi: ose ndiqni rrugën e drejtë, e cila ju çon në kënaqësinë e Allahut dhe te Xheneti i Tij, ose ndiqni rrugën e mashtrimit, që ju çon në zemërimin e Allahut dhe në ndëshkim. Por gjithmonë kujtoni një të vërtetë të përhershme: - “...por ta dini se Ai shikon gjithçka që ju bëni."- Allahu shikon dhe di gjithçka që ju veproni dhe synoni, dhe për këtë do t’ju shpërblejë me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij, secilin sipas veprave të veta. Pastaj i Lartësuari thotë: - “Ata që e mohojnë Mesazhin (Kur'anin), kur ai u vjen, do të dënohen rëndë.” - “Mesazhi” është Kur'ani; kështu e ka quajtur Allahu i Madhëruar. Kur'ani është një libër e një Mesazh që u kujton dhe u mëson njerëzve çdo të mirë, në lidhje me fenë, dynjanë dhe ahiretin e tyre. Ai e lehtëson këdo që pason dhe zbaton udhëzimet dhe dritën e Tij. Sjellja e Kur'anit është mirësi dhe begati e madhe nga Zoti. Atë e përcolli tek ne më i miri i krijesave të Zotit, Muhamedi (a.s.). - “Ai është vërtet një Libër madhështor.” – Kur'ani është një libër me cilësi të mrekullueshme. Ai është i pacenueshëm, i ruajtur nga çdo mundësi tjetërsimi e ndryshimi. Për të përforcuar këtë fakt, i Lartësuari thotë më tej: - “Atij (Kur'anit) nuk mund t’i atribuohet e pavërteta nga asnjë anë.” – Kur'anit nuk mund t’i afrohen shejtanët, njerëz apo xhindë qofshin ata, për t’i hequr apo për t’i shtuar diçka që s’është e tij. Ai nuk mund të tjetërsohet dhe ndryshohet. Kur'ani është i sigurt dhe i ruajtur si në aspektin e tekstit, edhe në kuptimet që përcjell. Allahu që e shpalli këtë Kur'an ka premtuar: “Ne e shpallëm Kur'anin dhe Ne jemi mbrojtës të tij.” [Hixhër 9]. Dhe, vërtet, Ai e ka ruajtur tekstin e këtij libri nga ndryshimet e tjetërsimet, ashtu siç ka ruajtur kuptimet dhe shpjegimet e tij nëpërmjet traditës dhe Sunetit të profetit Muhamed. Kështu është përcjellë ky Kur'an nga zanafilla e tij, brez pas brezi, nën kujdesin e të Madhërishmit. - “Ai është Shpallje prej të Urtit, të Lavdëruarit.” - Ai që e shpalli dhe e ruan këtë Kur'an është Hakim - i Urtë. Ai është i Urtë si në krijimin, ashtu edhe në ligjin e urdhrat e Tij. Çdo gjë që Allahu ka krijuar dhe çdo ligj që ka vendosur është në vendin e vet. Allahu është Hamid - i Lavdëruar për të gjithë ato cilësi të mrekullueshme dhe atribute të shkëlqyera, për drejtësinë dhe bamirësinë e Tij. Ai është Allahu i Vetëm e Absolut dhe e tillë është edhe fjala e Tij, Kur'ani madhështor. Kur'ani është fjala e Allahut, prandaj është i mbushur me urtësi të plotë. Nëpërmjet tij arrihet çdo mirësi dhe begati, e largohet çdo e keqe dhe fatkeqësi. Fjala e Tij është mirësia më e madhe për krijesat, për të cilën Ai duhet të lavdërohet e falënderohet.

Mus'haf Hape →
Ahkaf 46:34–46:35 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… me Zjarrin dhe dënimin, të cilin nuk e besonin se do të ndodhte dhe madje talleshin me ata që i këshillonin për t’u ruajtur prej tij. Atyre do t’u shtohet …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Ditën kur jobesimtarët të përballen me Zjarrin,...” - Allahu i Madhëruar na njofton për gjendjen e tmerrshme dhe të shëmtuar të qafirëve kur përballen me Zjarrin dhe dënimin, të cilin nuk e besonin se do të ndodhte dhe madje talleshin me ata që i këshillonin për t’u ruajtur prej tij. Atyre do t’u shtohet dëshpërimi dhe dhimbja kur t’u thuhet: - “do t'u thuhet: “A nuk është ky (Zjarr që po shihni) i vërtetë?!”” – Kuptimi: Si ju duket ky dënim, të cilin e merrnit për tallje? A e besoni tani, që e shihni dhe e vuani me gjithë qenien tuaj?! - “Ata do të thonë: “Po, për Zotin tonë! ”” - Kështu i pranojnë ata gjynahet dhe krimet e tyre. Kështu del në pah edhe mashtrimi i tyre. Atëherë u thuhet: - “Atëherë do t’u thuhet: “Vuani dënimin që e merituat për shkak të mohimit tuaj!”” - Ky ndëshkim nuk do t’ju ndahet kurrë. Ashtu sikurse mohimi juaj i të vërtetës në jetën e dynjasë ishte i përhershëm nga ana juaj, ashtu do të jetë edhe ndëshkimi juaj në ahiret. Në vijim, Allahu i Madhëruar e porosit Profetin e Tij që të tregojë durim ndaj mundimeve dhe fyerjeve që i bëjnë mohuesit dhe armiqtë e të vërtetës, si edhe të mos reshtë së ftuari në rrugën e Tij. Ai e porosit, gjithashtu, që të marrë shembull durimin e profetëve më të zgjedhur dhe të dalluar, të krijesave më të përkryera dhe më të mira. - “Prandaj, t’i bëhu i durueshëm, ashtu sikurse duruan të dërguarit e vendosur...” - Profetët ishin të gjithë të paepur. Durimi i tyre ushqehej vazhdimisht nga siguria në premtimin e Zotit. Ata ishin shembull e dritë edhe për rrugën e Profetit të fundit. Dhe, me të vërtetë, Profeti (a.s.) e zbatoi me korrektësi porosinë e Zotit të tij. Ai bëri një durim, që askush para tij nuk e kishte bërë. Të gjithë armiqtë e të vërtetës u mblodhën si grusht i vetëm për ta gjunjëzuar dhe penguar nga përhapja e mesazhit të Zotit. Ata përdorën çdo mënyrë dhe mjet luftimi për ta zbrapsur, ndërsa ai qëndronte i patundur në zbatimin e porosive të Zotit të tij dhe në luftën kundër të keqes. Ai nuk u lëkund asnjëherë nga mundimet dhe vuajtjet që i shkaktoheshin në rrugën e përhapjes së të vërtetës, derisa Zoti e bëri t’i vinte përfund armiqtë e tij. Kështu, mesazhi i Zotit u përhap në të gjithë botën anembanë dhe feja e Tij triumfoi mbi të gjitha fetë e tjera. Allahu i Madhëruar e bëri ymetin e Muhamedit më të mirin ymet të dalë për të mirën e njerëzimit. Paqja bekimet e mirësitë e Zotit qofshin mbi të Dërguarin e Tij! - “...dhe mos kërko shpejtimin e dënimit për ta!” - Mos u ngut për ndëshkimin e këtyre mohuesve, të cilët e kërkojnë vetë përshpejtimin e ndëshkimit, sepse kjo vjen nga injoranca dhe mendjelehtësia e tyre. Mos bjer në nivelin e këtyre të mjerëve dhe mos u nxito të lutesh kundër tyre! Ata janë krejt të parëndësishëm, aq sa edhe për t’u lutur kundër tyre nuk ia vlen. Çdo gjë që pritet të ndodhë, do të ndodhë, prandaj nuk ka nevojë të nxitohesh për ta. - “Ditën kur të shohin atë që u është premtuar, atyre do t’u duket sikur kanë jetuar (në Tokë) vetëm se një çast të ditës.” - Kur ta shohin atë që u është premtuar, atëherë do ta kuptojnë se në dynja kanë kaluar veçse një kohë të shkurtër. Për këtë arsye, t’i mos u gënje nga luksi i tyre në këtë jetë! Këto kënaqësi të shkurtra të tyre janë të papërfillshme, në krahasim me ndëshkimin e rëndë që i pret, të cilin ata e shpërfillin, por nga i cili nuk do të shpëtojnë dot. - “Ky (Kur'an) është kumtim i qartë.” – Kuptimi: Është njoftim i qartë se kjo dynja, me bukuritë e saj, është një kënaqësi që të ngec në fyt, e lodhshme për t’u arritur dhe brengosëse pasi arrihet. Ajo është thjesht harxhim ose humbje e kohës së shkurtër që të është dhënë për ta jetuar. Ky qe njëri nga kuptimet e kësaj fjalie. Kuptimi tjetër është: Kur'ani madhështor, në të cilin ju kemi shpjeguar gjithçka në mënyrë të plotë, është udhërrëfyesi dhe furnizimi juaj, që ju duhet për të arritur lumturinë në ahiret. Ai të çon në vendin e mirësive dhe të mbron nga ndëshkimi i dhembshëm. Ai është udhërrëfyesi dhe furnizimi më i mirë që kanë pasur ndonjëherë krijesat dhe mirësia më e madhe që Krijuesi u ka dhuruar atyre. - “E kush tjetër meriton të shkatërrohet, përveç atyre që janë të pabindur?” - Ndëshkimet godasin veç të pabindurit, të cilët i kalojnë kufijtë e Allahut dhe nuk kanë asnjë të mirë. Ata i janë larguar bindjes ndaj Allahut dhe nuk e pranojnë të vërtetën që kanë përcjellë profetët. Allahu i Lartësuar u ka sjellë udhëzime e paralajmërime, por ata e shpërfillin thirrjen e Tij. E lusim Allahun të na ruajë dhe mbrojë nga çdo rrugë humbjeje e devijimi! Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

Mus'haf Hape →
Munafikun 63:9–63:11 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… që të shtojnë dhe shpeshtojnë kujtimin e Tij. Fitorja e çdo të mire, shpëtimi nga çdo e keqe dhe arritja e çdo suksesi në dynja dhe ahiret janë të lidhura …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “O ju që keni besuar! As pasuria e as fëmijët tuaj të mos ju shmangin prej kujtimit të Allahut! - Allahu i Lartësuar i urdhëron adhuresit e Tij besimtarë që të shtojnë dhe shpeshtojnë kujtimin e Tij. Fitorja e çdo të mire, shpëtimi nga çdo e keqe dhe arritja e çdo suksesi në dynja dhe ahiret janë të lidhura ngushtë me kujtimin e shpeshtë të Allahut të Lartësuar. Allahu i Madhëruar i këshillon ata që të bëjnë kujdes dhe të mos hutohen nga fëmijët e tyre dhe pasuria. Nuk ka dyshim se interesi i njeriut për fëmijët dhe pasurinë e tij është diçka e natyrshme, por shumica e njerëzve u japin përparësi këtyre gjërave kundrejt dashurisë për Allahun e Lartësuar, dhe kjo është një humbje e madhe. Allahu i Lartësuar thotë: - “Ata që veprojnë kështu janë të humbur.” – Ata që i pengon pasuria dhe fëmijët prej kujtimit të Allahut të Lartësuar dhe plotësimit të detyrimeve ndaj Tij, ata e kanë shpërfillur të mirën dhe janë në humbje të madhe. Ata e kanë privuar veten nga mirësia e pafundme, sepse i japin përparësi kësaj jete të shkurtër, që do të zhduket shumë shpejt, kundrejt asaj që do të mbetet përgjithmonë. Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk ka dyshim se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë veçse sprovë, ndërsa tek Allahu është shpërblimi i madh.” [Tegabun 15]. - “Shpenzoni nga ajo që Ne ju kemi dhënë,...” - Këtu flitet për të gjitha llojet e shpenzimeve, qofshin të detyrueshme, qofshin të pëlqyeshme. Ndër shpenzimet e domosdoshme mund të përmendim zekatin, kompensime të ndryshme për vepra të caktuara, shpenzimet për gruan, fëmijët, shërbëtorët, robërit etj. Ndërsa shpenzimet e pëlqyeshme e vullnetare janë të shumëllojshme e me gamë të gjerë. Ato duhen kryer duke synuar dobinë e fesë së Allahut të Lartësuar dhe bamirësinë ndaj krijesave, sipas rëndësisë dhe meritës së tyre. Allahu i Lartësuar na urdhëron që të shpenzojmë “prej asaj që Ai na ka dhënë”, për të treguar se nuk kërkon prej nesh të shpenzojmë të gjithë pasurinë tonë, nuk kërkon të na rëndojë me këtë detyrim të vështirë. Ai urdhëron që të shpenzojmë vetëm një pjesë të pasurisë, aq sa të na vijë më lehtë, pa u dëmtuar. Në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar i udhëzon besimtarët që të tregohen mirënjohës ndaj Tij, që ua ka dhuruar pasurinë që kanë, por, gjithashtu, i porosit që të ndihmojnë vëllezërit e tyre në nevojë. Kështu, ata do të jenë bamirës qoftë në aspektin e përkryerjes së adhurimit ndaj Allahut të Lartësuar, qoftë në aspektin e ndihmës ndaj krijesave, para se t’i kapë vdekja në befasi. Me vdekjen, njeriut i ndërpritet mundësia për të kryer më vepra të mira, prandaj Allahu i Lartësuar na e kujton këtë fakt, duke na nxitur që të rendim në kryerjen e veprave të mira: - “...para se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja...” - Kur i vjen vdekja njeriut që nuk ka bërë vepra të mira, ai, i dëshpëruar nga shpërfillja e mundësive të tij të shumta për të kryer vepra të mira, dëshiron të kthehet edhe një herë në dynja, por kjo është e pamundur. Atëherë, ky njeri do të thotë: - “O Zoti im, përse nuk ma shtyve edhe pak afatin, që të jepja sadaka e të bëhesha prej të mirëve?”!” – Kuptimi: Më lër të jetoj edhe ca, që të mund të rregulloj ato që shpërfilla deri tani: të besoj drejt, të punoj me sinqeritet sipas këtij besimi dhe të shpenzoj prej pasurisë time, që të shpëtoj nga ndëshkimi dhe të arrij shpërblimin e madh të premtuar nga Allahu për vepërmirët. Por koha për të tilla qëllime tashmë ka përfunduar dhe nuk mund të kthehet më pas, siç thotë Allahu i Lartësuar tha: - “Por Allahu asnjërit nuk ia shtyn afatin, kur ai i vjen.” - Nëse njeriut i vjen çasti i vdekjes, i vendosur nga Allahu i Lartësuar, ai nuk mund të shtyhet për më vonë. - “Allahu është i Gjithëditur për ato që ju punoni.” – Allahu ka për t’ju shpërblyer në bazë të diturisë së Tij të plotë për veprat që keni kryer, qofshin ato të mira apo të këqija. Këtu përfundon tefsiri i sures Munafikun. Vetëm Allahut i takon falënderimi dhe lavdërimi!

Mus'haf Hape →
Gafir 40:61–40:65 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… nga kjo, në zemrën e besimtarit, do të lindë njohja e thellë për Zotin dhe shtimi i diturisë rreth Tij, do të lindë dashuria, frikërespekti, …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Medito pak në këto ajete të mrekullueshme, që flasin për mëshirën e gjerë të Allahut dhe për mirësinë e bujarinë e Tij të pakufishme. Ato tregojnë se është detyrim mirënjohja ndaj Atij që na i dhuroi këto mirësi. E si të mos e lavdërosh e t’i tregosh mirënjohje Atij, që është absolut në pushtetin dhe mbretërimin e Tij. Allahu është Krijuesi i gjithçkaje dhe përkujdeset Vetë për krijesat e Tij. Ai është i Plotë, Absolut, i Gjallë e i Përjetshëm. Ai ka cilësi të plota e absolute në çdo aspekt, prandaj edhe meriton të lavdërohet, të madhërohet, të duhet me gjithë shpirt dhe t’i nënshtrohesh plotësisht. Ai është i lavdëruar për cilësitë e Tij të plota e të bukura, për veprat e Tij, të cilat janë të gjitha të mira. Ai është i lavdëruar edhe për krijimin, sundimin e përkujdesjen e Tij të plotë mbi krijesat e Tij. Ai është i vetëm në këtë pozitë dhe lartësi. Allahu është i vetmi Krijues, Sundues, Zotërues dhe Administrues i çështjeve të krijesave të Tij. Çdo gjë që ndodh në botën qiellore e atë tokësore, në të shkuarën, të tashmen e të ardhmen janë tërësisht dhe vetëm në dorën e Zotit e nën pushtetin e Tij. Askush tjetër nuk ka në dorë ndonjë grimcë pushteti në dynja apo në ahiret. Të gjithë janë krijesa të dobëta, nevojtare, të nënshtruara e të përulura nën pushtetin e Absolutit. Atëherë, duke qenë i vetmi me këto atribute, Allahu duhet të jetë i vetmi i Adhuruar. Vetëm Allahu duhet të adhurohet, pra, të duhet, të madhërohet dhe vetëm Atij duhet t’i nënshtrohesh e t’i përulesh tërësisht, me bindje e përkushtim. Nëse vërtet ia njohim këto cilësi dhe merita Zotit, nga kjo, në zemrën e besimtarit, do të lindë njohja e thellë për Zotin dhe shtimi i diturisë rreth Tij, do të lindë dashuria, frikërespekti, madhërimi për Të, ashtu si do të ndriçojë shpresa për takimin me Të. Medito pak mbi këtë çështje! Njohja e drejtë e Zotit dhe adhurimi i Tij janë dy qëllimet kryesore për të cilat Zoti i krijoi njerëzit e krijesat në përgjithësi. Me fjalë të tjera, Allahu i ka krijuar robtë e Tij thjesht që ta njohin dhe t’i shprehin Atij adhurimin e plotë. 7 Angazhimi për arritjen e këtyre dy qëllimeve të larta garanton mirësi, sukses e fitore në dynja e në ahiret. Ato janë dhurata më e madhe që Zoti u ka ofruar dhe mundësuar krijesave. Ato janë lumturia më e madhe që mund të shijojë dikush në këtë dynja dhe, pa dyshim, rruga e vetme drejt mirësisë së përjetshme në ahiret. Nëse i ke ato të dyja, ke arritur çdo mirësi e begati, e nëse nuk i ke, atëherë të ka ikur prej duarsh mirësia dhe ke rënë në humnerën e të këqijave. E lus Allahun e Lartësuar që të na i mbushë zemrat me njohje të thella dhe të vërteta rreth Tij dhe me dashurinë për Të. Le të bëjë Allahu i Madhëruar që të gjitha lëvizjet e ndjenjat tona, të dukshmet dhe të fshehtat, të jenë tërësisht dhe sinqerisht vetëm për Të dhe për kënaqësinë e Tij! Le t’i bëjë veprat tona të sinqerta për Të dhe sipas porosive të Tij dhe të Profetit të Tij. Me të vërtetë, asnjë kërkesë nuk është e madhe për Allahun dhe askush nuk zhgënjehet kur troket në portën e Tij dhe i përgjërohet Atij. Më tej, i Madhëruari thotë: - “Është Allahu Ai që natën e bëri për ju për të pushuar...” – Kuptimi: Allahu i Madhëruar e bëri të errët natën, për të mirën tuaj e si mëshirë për ju, me qëllim që ju të pushoni pas aktivitetit të ditës, i cili, nëse do të ishte i pandërprerë, do t’ju shkatërronte. Ju shkoni natën në shtrat dhe Allahu i Madhëruar hedh mbi ju gjumin, që trupi dhe zemrat tuaja të qetësohen. Gjumi është një domosdoshmëri e jetës së njeriut, pa të cilin ai nuk mund të jetojë. Gjatë natës, gjithashtu, të dashurit gjejnë prehjen tek njëri tjetri. Nata u shërben të gjithëve për t’u çlodhur dhe për të rimarrë forcat që u nevojiten që të jetojnë ditën në vazhdim. - “...dhe ditën e bëri të ndritshme (për të parë).” - Kuptimi: Allahu i Madhëruar e bëri ditën të ndritshme nëpërmjet diellit, që lëviz në orbitën e tij. Kur rrezet e diellit shkëlqejnë, ju ngriheni nga shtrati, për t’u marrë me angazhimet e fesë dhe të kësaj dynjaje. Dikush e fillon ditën duke përkujtuar Zotin dhe duke lexuar Librin e Tij, dikush duke falur namaz, dikush duke studiuar, dikush me tregti, dikush me zanatin e vet. Shumë të tjerë nisen për udhëtim, në tokë a në det, të tjerë kujdesen për bujqësinë e bagëtinë e tyre etj. - “Allahu është Bamirës i madh për njerëzit,...” - Allahu u ka dhuruar shumë mirësi njerëzve. Është Ai që u ka mundësuar atyre mirësitë e përmendura në këto ajete dhe shumë e shumë të tjera. Allahu i Madhëruar përkujdeset për ta edhe duke larguar prej tyre shumë rreziqe e fatkeqësi. Ky fakt duhet t’i bëjë njerëzit që të jenë mirënjohës ndaj Tij dhe ta kujtojnë e lavdërojnë Dhuruesin e madh e Bujar. Por, megjithatë: - “...por shumica e njerëzve nuk falënderojnë.” - Ata nuk tregohen mirënjohës, për shkak të injorancës dhe padrejtësisë, që ka zënë vend brenda tyre. Të pakët janë mirënjohësit, ashtu sikurse thotë i Madhëruari: “Pak nga robtë e Mi janë mirënjohës.” [Sebe’e 13]. Mirënjohës janë vetëm njerëzit e vetëdijshëm për mirësitë e dhuruara nga i Madhëruari. Ata i nënshtrohen me përunjësi Allahut, duke i shprehur dashurinë dhe madhërimin e tyre për Të. Mirësitë që u ka dhënë Zoti i tyre Bujar, ata i shfrytëzojnë e shpenzojnë vetëm për ta adhuruar Atë, për t’iu bindur Atij dhe për ta kënaqur Atë. Fjalët, veprat dhe sjellja e tyre shprehin mirënjohje ndaj të Adhuruarit. - “I tillë është Allahu, Zoti juaj, Krijuesi i çdo gjëje. Nuk ka të adhuruar me meritë përveç Tij.” - Ai i Cili ju ka falur të gjitha mirësitë dhe përkujdeset për ju është vetëm Allahu i Madhëruar. Ai është i vetmi Krijues, Furnizues, Sundues e Përkujdesës dhe i vetmi që meriton adhurimin e përkushtimin tuaj të plotë. Mirësitë e shumta të dhuruara prej Tij janë shenjë se Ai është i vetmi Zot, ndërsa mirënjohja dhe lavdërimi që Ai meriton për këto mirësi dhe për cilësitë e Tij të mrekullueshme tregojnë se Ai është i vetmi që meriton adhurimin. - “Atëherë, si i largoheni së vërtetës?” – Pasi i Madhëruari pohoi zotërimin dhe sundimin absolut të Tij, Ai urdhëron që ta adhurojmë si Një të vetëm, duke thënë: Si i largoheni adhurimit të Tij, pa i bërë shok e ortak?! Si nuk i përkushtoheni vetëm Atij, pasi ju solli argumente dhe jua ndriçoi rrugën?! - “Kështu sprapsen ata që i mohojnë argumentet e Allahut.” - Largimi prej adhurimit të Allahut të Madhëruar ndodh si një ndëshkim i drejtë për ata që shpërfillin dhe refuzojnë të pranojnë ajetet dhe argumentet e Tij, apo që luftojnë profetët e Tij. Me fjalë të tjera, për shkak të mohimit të Shpalljes së Zotit dhe armiqësisë ndaj profetëve e përhapësve të së vërtetës, ata devijohen dhe privohen nga teuhidi dhe nga sinqeriteti ndaj Allahut, sikurse thuhet në një ajet tjetër: “Sa herë që zbret ndonjë sure, ata shikojnë njëri -tjetrin në sy e thonë: “A ju pa ndokush?” Pastaj largohen. Allahu ua ka larguar zemrat (nga drita) , sepse ata qenë njerëz që nuk kuptonin.” [Teube 127]. - “Është Allahu Ai që jua bëri Tokën vendbanim...” – Allahu i Madhëruar e bëri Tokën një vend të qëndrueshëm dhe të përshtatshëm, që njerëzit të plotësojnë nevojat e tyre. Ata mund ta punojnë tokën, ta plugojnë, ta mbjellin, të ndërtojnë banesat mbi të ose të udhëtojnë dhe të qëndrojnë në të. “...e qiellin çati.” – Domethënë, e bëri qiellin si çati mbrojtëse për tokën, ku ju qëndroni e jetoni. Allahu i Madhëruar ka vendosur në qiell çdo gjë të domosdoshme për jetën në tokë. Ai i ka bërë yjet e qiellit si orientues, nëpërmjet të cilëve ju udhëzoheni kur është errësirë në tokë apo në det. - “Ai ju dha formë. Ai e përkreu formën tuaj...” – Asnjë krijesë e gjallë nuk ka pamje më të bukur e më të mirë se njeriu, sikurse thotë i Madhëruari në ajetin tjetër: “Ne e kemi krijuar njeriun në formën më të mirë.” [Tin 4]. Nëse dëshiron të njohësh dhe të kuptosh bukurinë dhe plotësimin e njeriut, si dhe urtësitë e Allahut të Lartësuar në krijimin e Tij, vështroje atë me kujdes, gjymtyrë për gjymtyrë. A mund të gjesh ndonjë prej tyre që nuk është në vendin e vet apo të papërshtatshme për atë pozicion? Medito pak edhe për tërheqjen e zemrave të njerëzve kundrejt njëra -tjetrës: a ndodh kjo me krijesat e tjera? Shiko se si e ka dalluar Zoti njeriun mbi të tjerët, duke i dhënë mendje, forcë, arsyetim, iman, dashuri për Zotin dhe aftësi për të nxënë dituri. Këto janë disa nga dhuntitë që i Madhëruari u ka falur njerëzve, krijesave më të bukura. - “...dhe ju begatoi me të mira.” - Këtu përfshihen të gjitha mirësitë: ushqimi, pija, veshja, marrëdhëniet intime, kënaqësitë e shikueshme, të dëgjueshme etj., të cilat Zoti ua mundësoi robve të Tij për t’i patur dhe shfrytëzuar. Është Ai që ua lehtësoi edhe rrugët e arritjes së këtyre mirësive. Prej mirësive të Allahut është edhe fakti që Ai i ndaloi ata nga çdo ligësi e dëmshme dhe e pisët, që u cenon apo prish mirësitë e tyre, që u dëmton trupin, zemrën, shpirtin, fenë dhe besimin e tyre. - “I tillë është Allahu, Zoti juaj.” - Ai i Cili kujdeset për ju, Ai që ju fal gjithë këto mirësi dhe Ai që rregullon të gjitha çështjet tuaja është vetëm Allahu. Ai është i vetmi i Adhuruar, i vetmi Krijues dhe Zotërues i çështjeve. - “I Lartësuar qoftë Allahu, Zoti i botëve!” - U madhëroftë dhe u shtofshin mbi ne mirësitë dhe begatitë e Tij! Ai kujdeset për të gjithë botën me bujarinë dhe bamirësinë e Tij. - “Ai është i Gjalli (i Përjetshmi) .” - Allahu është i Gjalli, të Cilit i takon jeta e plotë dhe absolute, e cila presupozon që Ai të jetë i plotë në cilësitë e Qenien e Tij, pa të cilat nuk do të konsiderohej si i Gjallë me jetë të plotë dhe absolute. Ai është i Plotë e Absolut në të gjitha atributet e Tij, si shikimi, dëgjimi, pushteti, dituria, të folurit etj. - “Askush nuk meriton të adhurohet veç Tij. Prandaj vetëm Atij lutjuni, duke iu përkushtuar me adhurime të sinqerta! ” - Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet veç Allahut të Madhërishëm e të Lavdëruar, prandaj vetëm Atij lutjuni! Lutja është adhurim dhe adhurimi nuk lejohet t’i përkushtohet dikujt tjetër veç Allahut. Qoftë lutjet që shprehen me kërkesa të drejtpërdrejta, qoftë lutjet që shprehen me adhurim, të dyja llojet e lutjes i drejtohen veçse Allahut të Madhëruar. Allahu i Madhëruar thotë: “...vetëm Atij lutjuni, duke iu përkushtuar me adhurime të sinqerta!” - pra, duke ia përkushtuar tërësisht dhe vetëm Atij fenë e besimin. Me çdo adhurim e lutje, me çdo fjalë e vepër, duhet të synohet kënaqësia e Allahut të Madhëruar, sikurse ka thënë Ai në një ajet tjetër: “Ata nuk qenë urdhëruar për gjë tjetër, përveçse që të adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë e me përkushtim ndaj Tij duke qenë besimdrejtë (hunefae), si dhe të falnin namazin dhe të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë.” [Bejjine 5]. - “I Lavdëruar qoftë Allahu, Zoti i Gjithësisë!” - Të gjitha lëvdatat, mirënjohja dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut. Lavdërimi dhe mirënjohja ndaj Tij bëhen me fjalë, duke e lavdëruar dhe kujtuar Atë me llojet e ndryshme të dhikrit, si edhe me vepra. Të gjitha llojet e adhurimeve duhet t’i përkushtohen veçse Allahut të Madhëruar, që është i Vetëm dhe i Pashoq në meritën e adhurimit. Ai është i vetmi që meriton adhurimet dhe lavdërimet, sepse Ai ka emrat dhe cilësitë më të plota dhe më të larta, dhe sepse veprat e Tij janë të gjitha të drejta, plot mëshirë, bamirësi e bujari. Allahu është Dhuruesi i të gjitha mirësive të dynjasë dhe të ahiretit.

Mus'haf Hape →