▾ Teksti i plotë▴ Mbyll
- Ne u dhamë Da udit dhe Sulejmanit dituri - Allahu i Madhëruar na tregon në Kur'an rreth Daudit dhe birit të tij, Sulejmanit. Allahu u pati dhënë atyre dituri të madhe dhe të gjerë. Thotë i Lartësuari: “Daudi e Sulejmani gjykonin për çështjen e tokës së mbjellë, në të cilën kishin kullotur natën delet e disa njerëzve! Ne e dëshmuam gjykimin e tyre. Ne ia mundësuam Sulejmanit të kuptonte (përgjigjen e saktë) për çështjen . Secilit (prej tyre) u patëm dhënë urtësi e dituri." [Enbija 78, 79]. Ata u treguan mirënjohës dhe falënderues për mirësitë e Zotit të tyre dhe thanë: ...dhe ata të dy thanë: “Të gjitha lavdërimet qofshin vetëm për Allahun, që na dalloi mbi shumë rob të Tij besimtarë!”. - Ata e falënderuan dhe e lavdëruan Zotin, sepse, së pari, i bëri besimtarë dhe, së dyti, i bëri besimtarë nga më të zgjedhurit. Allahu i dalloi me shumë veçori mes besimtarëve të mirë e të lumtur. Nuk ka dyshim se besimtarët ndahen në katër grada: 1. Salihun - punëmirë. 2. Shuheda - dëshmorët. 3. Sidikinët - të sinqertët. 4. Profetët. Daudi dhe Sulejmani ishin nga profetët më të zgjedhur, edhe pse pak më poshtë se Ulul Azmi (5 profetët më të dalluar). Nuk ka
dyshim se ata ishin nga profetët më të dalluar, që Zoti i ka përmendur dhe lavdëruar shpesh në Librin e Tij. Kështu, ata e lavdëruan Allahun, që i ngriti në këtë gradë. Kjo është shenja e lumturisë së robit: që ai të tregojë mirënjohje ndaj Allahut për të gjitha mirësitë, të fesë e besimit dhe ato të dynjasë, dhe të shohë dhe besojë se të gjitha mirësitë vijnë prej Allahut; të mos lëvdohet e vetëkënaqet, por përkundrazi, të shohë mangësitë e veta dhe të besojë se ato mirësi meritojnë shumë e më shumë mirënjohje e lavdërim të Allahut. Pasi i lëvdoi të dy, Allahu i Madhëruar vijoi të lëvdojë në mënyrë të veçantë Sulejmanin (a.s), për vetë faktin se i kishte dhuruar një pushtet dhe mbretërim të madh, veçori që nuk ia kishte dhënë të atit. Ai thotë: - Sulejmani qe trashëgimtari i Daudit. - Ai trashëgoi profetësinë dhe diturinë nga i ati, por Zoti i shtoi edhe dituri tjetër. Sulejmani përfitoi nga dituria e të atit, por Zoti e dalloi duke i mësuar diçka tjetër, sikurse tregon për këtë ajeti në vijim: - Ai tha: “O njerëz! Neve na ka mësuar Allahu gjuhën e shpendëve - Duke lavdëruar Allahun dhe i gëzuar për këtë mirësi që Ai i kishte dhënë, Sulejmani u drejtohet njerëzve dhe u thotë: “O njerëz! Neve na ka mësuar Allahu gjuhën e shpendëve...". Sulejmani (a.s) e kuptonte çfarë flisnin shpendët dhe e fliste gjuhën e tyre, siç foli me pupëzën, ose siç kuptoi fjalët e milingonës, që do të tregohet më pas. Kjo mirësi nuk i ishte dhënë askujt, përveç Sulejmanit (a.s). - ...e na ka dhuruar nga çdo mirësi. - Allahu na dhuroi nga çdo mirësi dhe të gjitha mjetet e kushtet për një pushtet dhe mbretërim, që askush nuk e ka pasur. Në fakt, Sulejmani ishte lutur për diçka të tillë, kur tha: “O Zoti im! Më fal (gabimin) dhe më dhuro një pushtet të tillë, që askush pas meje nuk do ta ketë! Vërtet, Ti je dhuruesi më i madh!" [Sad 35]. Kështu, ndër të tjera, Allahu i Lavdëruar ia nënshtroi atij shejtanët (xhindët), që bënin për të çdo gjë që ai dëshironte dhe punë që askush tjetër nuk mund t'i kryente. Allahu i Lartësuar i nënshtroi gjithashtu erën, me të cilën udhëtimin e një muaji e bënte brenda paradites dhe kthimin e bënte brenda një pasditeje. - Vërtet kjo është një mirësi e madhe (nga Allahu) ”. - Kjo mirësi që na dhuroi Zoti dhe na dalloi mbi shumë e shumë të tjerë është jë bekim i madh. Kështu, Sulejmani e pranoi me përunjësi e mirënjohje se të gjitha këto ishin mirësi prej Allahut të Lartësuar. - Sulejmanit i ishin rreshtuar ushtritë e veta, - xhindët, njerëzit dhe shpendët, - dhe të gjitha mbanin rregull dhe disiplinë. - U grumbulluan përpara tij ushtritë e përbëra nga lloje të ndryshme krijesash, - njerëz, xhindë, shejtanë dhe zogj. Ata rreshtoheshin me një rregull të jashtëzakonshëm, kur lëviznin dhe kur qëndronin. Të gjithë ishin gati për luftë në çdo moment kur u kërkohej. Të gjithë merrnin urdhër direkt nga Sulejmani dhe askush nuk mund të dilte jashtë rregullave
të vendosura nga komandanti apo të rebeloheshin. I Lavdëruari thotë: "Kjo është dhurata Jonë (për ty). Dhe ti jep (prej pasurisë) ose mos jep (prej saj), se për këtë nuk do të merresh në përgjegjësi." [Sad 39]. Pra, ishte ai që vendoste në çdo çështje. Kështu, Sulejmani (a.s) u nis në një nga udhëtimet e tij ushtarake me disa prej këtyre ushtrive të mëdha. - Më në fund, kur mbërritën në Luginën e Milingonave, një milingonë tha: “O ju milingona, hyni në foletë tuaja, që të mos ju shtypin Sulejmani dhe ushtria e tij pa dashje!”. - Milingona paralajmëroi llojin e saj, që kishin mbushur atë luginë, që të ruheshin nga ushtria e Sulejmanit, se mos i shkelte. Kjo ka mundësi të ketë ndodhur ose me një mrekulli nga Zoti, që fjalët e asaj milingone të dëgjoheshin për të gjitha milingonat e luginës, ose milingona njoftoi ato rreth saj dhe lajmi u përhap mes tyre me shpejtësi. Mënyra e ruajtjes nga ushtria e Sulejmanit do të ishte duke u fshehur në vendbanimet e tyre. Milingona e dinte mirë madhështinë e Sulejmanit dhe të ushtrive të tij, por e dinte edhe drejtësinë e tij, prandaj edhe e justifikoi Sulejmanin duke thënë se ai mund t’i dëmtonte pa dashje. Sulejmani (a.s) dëgjoi fjalët e saj dhe i kuptoi. - Sulejmani buzëqeshi me fjalët e saj dhe tha: “O Zoti im! më jep forcë, që të të falënderoj për të mirat e Tua që m’i ke dhuruar mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, që Ti i pëlqen! Gjithashtu, me mëshirën Tënde, më fut në mesin e robve të Tu të mirë!” - Atij i pëlqyen shumë fjalët e milingonës dhe kujdesi i saj për popullin e vet. Subhanallah! Sa të mirë dhe me moral kanë qenë profetët e Zotit! Çuditeshin kur duhej dhe gëzimi i tyre ishte me masë. Asnjëherë nuk e kalonin masën e buzëqeshjes. I tillë ishte edhe Profeti ynë (a.s), që buzëqeshte dhe gjithmonë e shihje buzagaz. Të qeshurit me të madhe dhe me zë të lartë tregon mendjelehtësi dhe mangësi, si dhe një edukatë të ulët. Nga ana tjetër, të qëndruarit i vrenjtur dhe pa buzëqeshur kurrë është shumë e çuditshme dhe jo e këndshme. Ai tregon gjithashtu vrazhdësi morali dhe natyrë të ashpër. Profetët kanë qenë të ruajtur nga të tilla mangësi. Pastaj Sulejmani e falënderon Allahun për këtë mirësi që i pati dhuruar dhe tha: “O Zoti im! më jep forcë..." Pra, më frymëzo dhe më jep forcë e udhëzim që: "...të të falënderoj për të mirat e Tua, që m’i ke dhuruar mua dhe prindërve të mi..." Sigurisht që mirësitë ndaj prindërve janë mirësi edhe për fëmijën, për të cilat fëmija duhet të falënderojë Zotin. Kështu, Sulejmani u lut që Zoti t’i jepte frymëzim e forcë, që të mund të tregohej mirënjohës për mirësitë e besimit dhe mirësitë e dynjasë, që i kishte dhënë atij dhe prindërve të tij. Ai u lut gjithashtu dhe tha: "...dhe që të bëj vepra të mira, që Ti i pëlqen!" Pra, më jep forcë e sukses, më bëj të aftë që të bëj punë të mira, që Ti i do dhe je i kënaqur! Dhe dihet se Zoti kënaqet me ato punë që plotësojnë dy kushte: së pari, ato punë janë në përputhje me porositë e Tij dhe, së dyti, kryhen me sinqeritet dhe janë të pastra nga mangësitë dhe gjërat që i prishin ato. Pastaj u lut për mëshirë nga Zoti dhe për ta bërë prej besimtarëve të mirë, duke thënë: "Me mëshirën Tënde, më fut në mesin e robve të Tu të mirë!”. Mëshira e posaçme është bërë për të mirët, me gjithë gradat dhe nivelet e tyre. Ky ishte një shembull që na tregon reagimin e Sulejmanit, kur dëgjoi milingonën. Në vijim, Allahu i Lavdëruar na tregon një tjetër shembull dhe sjellje të Sulejmanit gjatë bisedës me zogjtë. - Ai bëri shikimin rreshtor të shpendëve e tha: “Përse nuk po e shoh pupëzën? Apo, vallë, mungon?! - Kjo tregon për rigorozitetin e Sulejmanit në ndjekjen me përkushtim të çështjeve të ushtrisë, qofshin ato të vogla në dukje, qofshin të mëdha. Atij nuk i shpëtonte asgjë nga lëvizjet e ushtarëve të tij. Aq i vëmendshëm ishte, saqë nuk la pas dore edhe çështjen e kësaj pjesëtareje të vogël të ushtrisë, pupëzës. Ai tha: “Përse nuk po e shoh pupëzën? Apo mungon?” Pra, shikoni a është prezent dhe
në vendin e caktuar? A është e gjithë ushtria prezent apo mungon dikush? Ky është kuptimi i ajetit dhe jo siç thonë disa që nuk kanë asnjë argument dhe pretendojnë se Sulejmani pyeti për pupëzën sepse kishte nevojë që ajo t’i tregonte ku ishin burimet e ujit. Sipas tyre, pupëza mund të shohë ujin edhe nën tokën e ngjeshur dhe të fortë. Por ky mendim nuk ka asnjë argument ku të mbështetet. Madje argumentet logjike tregojnë për pavërtetësinë e saj. Sa për argumentin logjik, është e ditur nga përvoja dhe njohuritë e njerëzve se nuk ka ndonjë gjallesë që të arrijë të shohë poshtë shtresave të tokës. Nëse do të ishte kështu, do ta përmende Zoti, sepse kjo do të ishte nga shenjat më të mëdha dhe të veçanta. Ndërsa nga ajeti mund të themi se, nëse do të ishte e vërtetë ai pretendim, do të thuhej shprehimisht se Sulejmani kërkoi pupëzën që t’i tregonte për vendndodhjen e ujit. Por e vërteta është se Sulejmani kërkoi për pupëzën thjesht për të parë e kontrolluar ushtrinë e tij. Pastaj Sulejmani (a.s) nuk kishte nevojë që të pyeste dhe të priste ndihmën e një zogu për të gjetur ujë. Ai kishte në shërbimin e tij ifritë e shejtanë që mund t’i gërmonin e gjenin ujë, edhe sikur të ishte shumë thellë në tokë, mjaft që ai t'i urdhëronte. Gjithashtu, Allahu i kishte vënë në shërbim erën, që ishte shumë e shpejtë. Atëherë, si mund të kishte nevojë për pupëzën?! Në shumë tefsirë sillen të tilla shpjegime, që, në fakt, i marrin nga gojëdhënat e çifutëve, të ashtuquajtura israilijate, duke harruar dhe duke u treguar të pavëmendshëm që mund të bien ndesh me kuptimin e saktë të ajeteve. Kjo është shumë e keqe, sepse brezat i transmetojnë fjalët nga njëri tjetri, dhe kështu brezat pasardhës i mendojnë si të vërteta. Kështu mbushen tefsiret me fjalë të tilla të pabazuara. I dituri e di mirë se ky është një libër madhështor, që Zoti e ka sjellë në gjuhë arabe të pastër, nëpërmjet të cilit Zoti u foli të gjithë njerëzisë, si të diturve, ashtu edhe të paditurve dhe i urdhëroi që të meditojnë në kuptimet dhe kumtet e tij dhe t’i kuptojnë ato sipas rregullave dhe kuptimeve të sakta të arabishtes, që e kuptojnë arabët. Nëse dikush gjen fjalë nga popuj të tjerë, atëherë i kthen këto kuptime dhe i sheh nën dritën e kuptimeve të qarta të arabishtes. Nëse u përputhen atyre kuptimeve dhe nuk bien ndesh me to, pranohen. Por nëse bien ndesh me termat dhe kuptimet që ato sjellin, ose me njërin nga dy drejtimet, atëherë refuzohet, madje mund të dëshmohet për papranueshmërinë e tyre, sepse kemi një themel që e dëshmon këtë, që është gjuha arabe dhe kuptimet e saj. E rëndësishme, shkaku që Sulejmani e kërkoi pupëzën ishte përkushtimi dhe rregullsia e tij në kontrollin mbi ushtrinë e tij. Ai ishte aq i kujdesshëm saqë kontrollonte edhe një zog si pupëza kur thotë: “Përse nuk po e shoh pupëzën? Apo mungon? Mos, vallë, unë jam i pakujdesshëm dhe më shpëtoi, apo unë kam të drejtë dhe ajo ende nuk është rreshtuar, duke thyer urdhrin tim dhe duke vepruar pa lejen time?” Prandaj shprehu zemërim dhe e kërcënoi më pas për dënim, duke thënë: - Unë do ta dënoj atë ashpër ose do ta ther, në qoftë se nuk më sjell arsye të fortë (për mungesën) !” - Pra, ose do ta dënoj rëndë, ose do ta vras fare, në qoftë se nuk më sjell arsye të fortë për mungesën. Pra, ose do të më sjellë argument të qartë dhe të justifikueshëm për moskryerjen e urdhrit, ose e pret ky dënim. Kjo tregon ndër të tjera për drejtësinë dhe mosnxitimin e Sulejmanit. Ai nuk nxitohet që të kërcënojë me ndëshkim ata që thyejnë urdhrin e tij, por tregon se u jep mundësi që të arsyetohen. - Por nuk zgjati shumë dhe ajo (pupëza) erdhi. - Kjo tregon për respektin e madh të ushtarëve dhe se sa të kujdesshëm ishin ata për përmbushjen e urdhrave të Sulejmanit. Madje edhe pupëza, që ishte e justifikuar për vonesën e saj, nuk ia lejoi vetes të vonohej shumë, por erdhi me të shpejtë dhe i tha: - Unë isha në vende që ti nuk ke qenë... - Unë kam një informacion që ti nuk e di, me
gjithë diturinë e gjerë dhe gradën tënde të lartë. - ...dhe vij nga Sebei me lajme të vërteta. - Po të sjell një lajm të sigurt nga Sebei, një mbretëri e njohur ne Jemen. Pastaj filloi t’i shtjellonte këtë lajm: - Atje pashë se ata i sundonte një grua. - Një grua ishte në krye të popullit të saj. Ajo ishte një grua e mençur që: - Asaj i ishte dhënë nga çdo gjë dhe kishte një fron madhështor. - Asaj i ishte dhënë gjithçka që mund të kishte një mbret, si pasuri, armë, ushtri, kështjella etj. Mes të tjerash, asaj i ishte dhënë: "...një fron madhështor." Froni i mbretërisë së saj ishte i jashtëzakonshëm. Madhështia e fronit tregonte madhështinë e mbretërimit dhe këshilltarët e shumtë. - Gjithashtu, pashë që ajo dhe populli i saj adhuronin Diellin e jo Allahun. - Ata ishin popull idhujtar, që adhuronin diellin. - Shejtani ua kishte hijeshuar veprat në sytë e tyre dhe i kishte larguar nga rruga... - Ata pandehnin se ishin në të drejtën. - ... kështu që ata nuk e kishin gjetur udhën e drejtë. - Sepse ai që mendon se është në të drejtën nuk ia hedh sytë asnjë ftese tjetër dhe nuk ka shpresë në udhëzimin e tij, derisa të mendojë seriozisht dhe me objektivitet. - (Shejtani i kishte mashtruar) Që të mos i përuleshin Allahut, i Cili zbulon çdo të fshehtë në qiej e në Tokë dhe që e di atë që fshihni dhe atë që e shfaqni haptazi. - Allahu i di të gjitha fshehtësitë në lartësitë e qiejve dhe thellësitë e tokës, edhe krijesat më të vogla, farat e bimëve dhe fshehtësitë e gjokseve e shpirtrave. Ai e nxjerr atë që fshihet në qiell dhe në tokë, duke lëshuar shiun dhe duke bërë farat e fshehura të mbijnë dhe të rriten. Allahu do të nxjerrë ato që fshihen në tokë kur t’i fryhet Surit Ditën e Ringjalljes dhe kur të vdekurit të dalin të gjithë dhe të llogariten e të shpërblehen sipas punëve të tyre. Ai e di mirë atë që e fshehin dhe atë që e shfaqin haptazi. - Është Allahu! Nuk ka zot tjetër (që e meriton të adhurohet) përveç Tij! Ai është Zoti i Fronit të Madh. - Vetëm Atij i duhet dedikuar adhurimi, dashuria e plotë, pendimi i sinqertë dhe dorëzimi. Ai është i Vetmi i Adhuruar për vetë cilësitë dhe përshkrimet e Tij të plota dhe absolute dhe për mirësitë e Tij të shumta, që e bëjnë detyrë mirënjohjen ndaj Tij dhe dashurinë e plotë për Të. Ai është Zoti i Fronit të madh, i cili është mbulesa e të gjithë krijimit të Zotit dhe ka përfshirë qiejt dhe Tokën. Ai është Mbreti dhe Sunduesi me pushtetin madhështor, i Lartësuari dhe i Lavdëruari. Ai është Zoti i Vetëm, para të Cilit duhet të përulesh, t’i biesh në ruku dhe në sexhde. Kështu pupëza shpëtoi nga ndëshkimi duke i sjellë këtë lajm të madh. Sulejmani u çudit si nuk kishte patur informacion për këtë lajm. Duke treguar maturinë dhe kujdesin që të mos pranonte çdo lajm pa e vërtetuar, ai tha: - “Do të shohim shpejt, nëse ke thënë të vërtetën apo ke gënjyer! Shko me këtë letrën time dhe jepua tyre! Pastaj largohu (pak) nga ata dhe përgjo se çfarë do të thonë!” - Pra, e ngarkoi me misionin e ri që të dërgonte atje letrën e tij dhe të shihte se si do të vepronin. Dhe ashtu veproi Pupëza. Atëherë, mbretëresha Belkisë i thotë rrethit të saj të ngushtë: - Ajo (mbretëresha) tha: “O fisnikë! Mua më ka ardhur një mesazh i rëndësishëm.” - Sapo më ra në dorë një mesazh i rëndësishëm dhe shumë i vlefshëm nga mbreti më i madh dhe më i njohur në botë. - Ai është prej Sulejmanit dhe (thotë): “Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit.” (Bismil-lahir-Rahmanir-Rahim.) - Pastaj sqaroi përmbajtjen e këtij mesazhi: - Mos ngrini krye kundër meje, por ejani të bindur në fenë e vërtetë!” - Mos ngrini krye kundër meje, por duhet të pranoni të jeni nën pushtetin Tim. Nënshtrohuni nën urdhrat e mi dhe të më vini si muslimanë. Një mesazh i shkurtër dhe i qartë në përmbajtjen e tij. I ndaloi nga arroganca dhe
rebelimi, i ndaloi që të vazhdonin në gjendjen që ishin, i urdhëroi që të nënshtroheshin nën sundimin dhe urdhrat e Tij dhe të pranonin ftesën e tij në Islam. Nga kjo kuptohet se është e pëlqyeshme që letrat të fillohen me “ Bismilah” dhe të vendoset emri i autorit në fillim të mesazhit. - Ajo tha: “O fisnikë! Më këshilloni për këtë çështje!” - Ngaqë ishte një grua e mençur dhe e urtë, ajo mblodhi të mëdhenjtë e mbretërisë së saj dhe tha: “O fisnikë! Më këshilloni për këtë çështje!" Pra, më këshilloni çfarë përgjigje t’i japim këtij mesazhi? A të hyjmë nën mbretërimin e tij dhe të nënshtrohemi, apo si të veprojmë? - “Për asnjë çështje nuk kam vendosur pa ju (pa pëlqimin tuaj)!” - Kurrë nuk kam vendosur vetëm, pa marrë fillimisht mendimin, këshillimin dhe arsyetimin tuaj. - Ata (paria) i thanë: “Ne jemi të fuqishëm dhe jemi luftëtarë të rreptë, por vendimi të takon ty.” - Nëse vendos ta refuzosh urdhrin e tij, dije se ne jemi luftëtarë të sprovuar dhe të fortë. Me sa duket, ata anonin më shumë në këtë mendim që, nëse do të merrej për bazë do të shënonte fundin e tyre. Sidoqoftë, nuk e dhanë si një version përfundimtar, por e lanë të hapur mundësinë, duke thënë: - “Prandaj vendos se çfarë urdhri do të na japësh!” - Je ti ajo që vendos. - E thanë këtë, sepse ishin të bindur për urtësinë dhe mençurinë e Belkisës në vendimet që merrte. Pra mendohu dhe vendos me urtësi dhe qetësi se çfarë do të veprojmë. Kështu, ajo filloi t’u fliste dhe t’i bindte për saktësinë e mendimit dhe vendimit të saj, si dhe për rrezikshmërinë e mendimit të tyre. Ajo tha: - “Mbretërit – kur e pushtojnë një vend, e shkatërrojnë atë dhe i poshtërojnë fisnikët e atij vendi. Kështu veprojnë ata.” - Kështu veprojnë mbretërit kur hyjnë me luftë: ata vrasin, skllavërojnë dhe marrin pasuritë e njerëzve. Ata shkatërrojnë vendin dhe i shndërrojnë udhëheqësit në robër e të poshtëruar, prandaj vendimi për luftë nuk është shumë i urtë dhe i dobishëm. Gjithashtu, nuk kam për t’iu bindur atij menjëherë, derisa të zbuloj qëllimet e tij. Do të bëjmë edhe një lëvizje të fundit, që pastaj të jemi të qartë në çdo gjë që do të vendosim. Më pas. Belkisa zbuloi planin e saj të veprimit: - Po unë do t’i dërgoj atij një dhuratë të madhe dhe do të shoh se çfarë (përgjigje) do të më sjellin të dërguarit (e mi).” - Do të shoh, a do të vazhdojë me qëndrimin e tij të mëparshëm apo do të ndryshojë? Pastaj do të shohim edhe reagimin e ushtrisë së tij. Kështu, ajo i dërgoi Sulejmanit shumë dhurata, nëpërmjet një delegacioni me burra të mençur dhe të urtë nga rrethi i saj. - Kur (të dërguarit) shkuan te Sulejmani, ai tha: “Vallë, me pasuri do të më joshni mua?! - Kur të dërguarit e mbretëreshës shkuan tek Sulejmani me dhuratat e saj Sulejmani e refuzoi i zemëruar, sepse ata nuk i qenë përgjigjur ftesës. Ai u tha: - Ajo që ma ka dhënë Allahu mua, është shumë më e mirë se ajo që jua ka dhënë juve. - Këto dhurata nuk më bëjnë asnjë
përshtypje, sepse ato që më ka dhuruar Allahu janë shumë më të mira se ajo që keni ju. - Jeni ju ata që gëzoheni me dhurata! - Ju gëzoheni e mashtroheni me dhurata, sepse ju e doni këtë dynja. Ato që keni në duart tuaja janë shumë më të pakta se ato që Zoti më ka dhënë me bujarinë e Tij. Pastaj i dha korrierit këtë mesazh gojarisht, pa e shkruar, duke vërejtur se ishte i mençur dhe do ta përcillte me saktësi: - Kthehuni atje, - u tha të dërguarve - dhe të jeni të sigurt se ne do t’u shkojmë me ushtri të papërballueshme nga ata dhe do t’i dëbojmë prej andej të poshtëruar e të përulur! - Shko tek ata dhe jepu mesazhin e Sulejmanit. Ai i urdhëroi që të niseshin me në krye mbretëreshën e të vinin tek Sulejmani. Ai e dinte se atyre nuk u mbetej gjë tjetër veçse të vinin tek ai të dorëzuar. - Pastaj Sulejmani tha: “O fisnikë! Cili prej jush do të ma sjellë fronin e saj (Belkisës), para se ata të më vijnë të dorëzuar?” - Ai u tha xhindëve dhe njerëzve që uleshin pranë tij: “O fisnikë! Cili prej jush do të ma sjellë fronin e saj (Belkisës), para se ata të më vijnë të dorëzuar? Pra, të bëjmë diçka me pasurinë e tyre, para se të vijnë, sepse kur të bëhen muslimanë, pasuria e tyre do të jetë e paprekshme. - Ifriti, - një prej xhindëve - tha: “Unë do të ta sjell atë para se të ngrihesh nga vendi ku je ulur. Unë kam fuqi të plotë për këtë (detyrë) dhe jam besnik (i sprovuar).”” - El-Ifrit është një xhind shumë i fortë dhe i shkathët. Ai tha: “Unë do të ta sjell atë para se të ngrihesh nga vendi ku je ulur. Unë kam fuqi të plotë për këtë (detyrë) dhe jam besnik (i sprovuar).” Në atë kohë Sulejmani ishte në Sham dhe për të shkuar në Jemen do t’i duhej dy muaj që të shkonte e dy muaj që të kthehej. Megjithatë, ky Ifrit jep fjalën që, megjithëse ishte një fron i madh dhe i rëndë: “unë do të ta sjell para se të ngrihesh nga ky vend në të cilin je ulur”. Zakonisht kuvendet mund të zgjasin 3-5 orë. Mendo pak për këtë mbret madhështor, që kishte në popullin e tij dikë me një forcë dhe aftësi të tilla të pashembullta! - Ndërsa një që kishte dituri nga Libri tha: “Unë ta sjell atë ty sa hap e mbyll sytë.” - Mufesirët kanë thënë se ai ishte një burrë besimtar dhe i ditur pranë Sulejmanit, që quhej Asif ibn Burhije. Thuhej se ai dinte emrin më të madh të Allahut, atë emër që, nëse e lusje Allahun me të, Ai të përgjigjej dhe nuk ta kthente duanë. Ky i tha: “Unë ta sjell atë ty sa hap e mbyll sytë.” Pra, ai do ta luste Allahun me emrin e Tij më të madh dhe Ai do t’i përgjigjej. Si përfundim, ai e luti Zotin dhe e kreu atë detyrë. Allahu e di më mirë se si ndodhi. A ndodhi sepse dinte emrin e Allahut dhe iu realizua menjëherë ajo që kërkoi, apo ai kishte një lloj njohurie nga Libri nëpërmjet së cilës mund të transportonte pesha të rënda? E rëndësishme është që Sulejmani e pa atë fron madhështor para syve të vet. - Kur Sulejmani e pa atë (fron) para vetes, tha: “Kjo është mirësia e Zotit tim, që të më sprovojë mua a do të jem mirënjohës apo mosmirënjohës.” - Allahu dëshiron të më sprovojë, a do jem një besimtar i mirë e mirënjohës për dhuntitë e dhuruara nga Ai, apo një mohues, mosmirënjohës dhe arrogant, siç janë mbretërit tiranë të kësaj bote? Sigurisht, Sulejmani nuk ishte i vetëmashtruar nga pushteti dhe forca e madhe që i ishte dhuruar, por e kuptoi mirë dhe e lexoi si duhet gjendjen ku ndodhej. Ai ishte në sprovë nga Zoti dhe u frikësua se a do t’i jepte Atij hakun e falënderimit, mirënjohjes dhe lavdërimit Allahut? Pastaj ai qartësoi faktin se kjo lloj mirënjohjeje nuk i sjell asnjë dobi Allahut, por vetë njeriut që e ka: - Kush është mirënjohës, është për të mirën e vet dhe kush është mosmirënjohës (ta dijë se), Zoti im është i Pasur e Bujar!” - Ai është El Ganij - i Pasuri, Jonevojtari për krijesat dhe punët e tyre. Ai nuk ka nevojë për asgjë dhe gjithçka ka nevojë për Të. Ai është El
Kerim - Bujari me mirësi të shumta, mirësi që përfshijnë mohuesin dhe besimtarin, mirënjohësin dhe mosmirënjohësin. Pra, pa dyshim që mirënjohja për mirësitë e Tij sjell shtim të të mirave dhe mohimi i tyre sjell largimin e mirësive. - Pastaj tha: “Ndryshojeni fronin, që ta shohim a do ta dallojë atë, apo është njeri që nuk kupton.” - I tha rrethit të tij që ta ndryshonin pamjen e fronit, duke shtuar ose hequr ndonjë gjë prej tij: "...që ta shohim a do (do të ketë mprehtësinë) ta dallojë atë, apo është njeri që nuk kupton. A është vërtet një mbretëreshë e urtë dhe e mprehtë apo është e pavëmendshme dhe jo në nivelin që thonë se është? - Kur ajo (Belkisa) erdhi, e pyetën: “I tillë është froni yt?” Ajo tha: “Si të ishte vetë ai?!” - Kjo përgjigje tregonte për mprehtësinë dhe urtësinë e Belkisës. Ajo nuk tha është “Ai është ”, sepse atij i ishin bëra disa ndryshime. Por edhe nuk tha që nuk ishte ai, sepse e njihte mirë fronin e saj. Kështu dha një përgjigje që i përmbante të dyja mundësitë. Sulejmanit i pëlqeu përgjigjja e kujdesshme e mbretëreshës dhe mençuria e saj në analizën e çështjeve. Më pas, duke shprehur edhe mirënjohjen për begatitë e mëdha që i kishte dhuruar Zoti, tha: - Neve na është dhënë dituria përpara kësaj... - Ne na është dhuruar udhëzimi, mençuria dhe strategjia për çdo çështje, para kësaj mbretëreshe. - ...dhe jemi besimtarë të nënshtruar (ndaj Zotit) . - Mbi të gjitha, na është dhuruar udhëzimi në besimin e pastër, që është baza e çdo mirësie. Por ka mundësi që këto fjalë të jenë të mbretëreshës Belkisë. Pra ajo tha: "Neve na është dhënë dija dhe informacioni për mbretërimin dhe pushtetin e Sulejmanit dhe aftësive të tij të jashtëzakonshme që para këtij rasti që e pamë me sytë tanë, kur ai e solli fronin tonë nga ajo distancë e largët, prandaj dhe kemi ardhur si muslimanë të nënshtruar dhe të bindur. Ne pranojmë të jemi nën mbretërimin dhe pushtetin e Sulejmanit." Allahu i Madhëruar thotë: - Atë (Belkisën) e kishte penguar (nga besimi i drejtë) ajo që adhuronte përveç Allahut. - Ajo ishte vërtet një grua e zgjuar e urtë dhe e mençur, por e kishin penguar nga pranimi i Islamit ato besime të kota, që e largojnë dritën nga zemra për të dalluar. Me mendjen e saj ishte e aftë të dallonte të mirën nga e keqja, të drejtën nga kotësia, por kur besimet e kota të verbojnë zemrën, njeriu vazhdon në të kotën, derisa t’i vijë drita e të ndriçohet. - Ajo ishte nga një popull jobesimtar. - Prandaj edhe ajo kishte fenë e humbjes. Është shumë e vështirë për një njeri që të kundërshtojë gjithë popullin e vet që janë në humbje dhe kotësi, prandaj nuk është e çuditshme që ajo kishte fenë e tyre, sidomos kur nuk kishte shtytje nga e mira dhe ftesë të qartë drejt saj. Sulejmani (a.s) deshi që t’i tregonte Belkisës diçka prej pushtetit të tij, që ajo të kuptonte më mirë mbretërimin dhe pasuritë e mëdha që ai zotëronte. Ai e ftoi atë në sallonin madhështor të pritjes, i cili ishte shumë i gjerë dhe i lartë. Dyshemeja e tij ishte prej xhami dhe poshtë xhamit kishte ujë që lëvizte, prandaj të jepte përshtypjen se po shkelje mbi ujë. - Pastaj i thanë: “Hyr në pallat!”. Kur e pa atë (dyshemenë e kristaltë) , mendoi se ishte ujë (që dallgëzonte), prandaj i zbuloi kërcinjtë e saj (duke ngritur fustanin) . - Kur u fut brenda, Belkisa pandehu se po ecte mbi ujë, sepse dyshemeja ishte xham i kristaltë dhe mund të shihje ujin poshtë saj, që rridhte. Për këtë shkak, ajo ngriti rrobën, aq sazbuloi kërcinjtë e saj, për t’u ruajtur nga uji. Edhe kjo tregon për edukatën dhe maturinë e saj. Belkisa nuk refuzoi të hynte në pallat kur pa këtë gjendje, por me kujdes vijoi të ecte, sepse ajo e dinte mirë se ishte ftuar për ta nderuar. Ajo e dinte mirë se ky mbret madhështor kishte rregulluar çdo aspekt të pritjes së saj dhe asgjë e keqe nuk do të ndodhte. Kur ajo u fut në sallon, ai i tha:
- “Ky është pallat i shtruar me pllaka xhami të lëmuara.” - Është dysheme prej xhami të lëmuar, prandaj nuk ka nevojë që të ngresh rrobën dhe të zbulosh këmbët. Kështu, kur pa ato çudira dhe mësoi rreth profetësisë së Sulejmanit, Belkisa u pendua dhe u kthye nga kufri, në besimin e pastër dhe të natyrshëm. Ajo tha: - “O Zoti im! Unë kam qenë vërtet e padrejtë ndaj vetes sime dhe tani, së bashku me Sulejmanin, po i dorëzohem Allahut, Zotit të Botëve!”. - Kjo është ajo që na ka treguar Allahu i Lartësuar rreth mbretëreshës së Sebeit dhe asaj çfarë ndodhi mes asaj dhe Sulejmanit. Ndërsa çdo zgjatim e hollësi tjetër rreth kësaj historie, që na vjen nga historitë e bijve të Izraeilit, nuk ka lidhje me tefsirin e Fjalës së Allahut. Ato informacione pranohen veçse nëse shoqërohen me argumente të sakta nga Sheriati i Zotit. Në fakt, të gjitha ato histori, ose shumica e tyre, nuk janë të bazuara në argumente të sakta. Këshilloj që të bëjmë shumë kujdes që të mos fusim këto histori të pasigurta në tefsirin e Librit të Allahut të Lartësuar. Në fund, Allahu e di më mirë.