Kërko: sikur deri te ishte ngre

Bekare 2:177 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… për të, ai vuan. Kur ndien ftohtë dhe nuk gjen me çfarë të ngrohet, ai përsëri vuan. Të gjitha këto, pra, janë sprova, të cilat jemi urdhëruar t’i …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Nuk është e tërë mirësia që thjesht t’i ktheni fytyrat tuaja drejt lindjes ose perëndimit.” – Kuptimi: Bamirësia që u kërkohet adhuruesve nuk është thjesht kthimi drejt lindjes apo perëndimit, që të lodheni aq shumë me të tilla diskutime e polemika të gjata, shumica e të cilave sjellin veçse përçarje dhe armiqësi. Kjo fjali i ngjan shumë për nga ndërtimi thënies së Profetit (s.a.u.s.): “I fortë nuk është ai që arrin të mundë tjetrin me forcë. I fortë është ai që e përmban veten gjatë zemërimit.” - “…Mirësi e vërtetë është të besosh në Allahun,…” – Pra, të besosh se Ai është i Vetëm dhe Absolut, me cilësitë më të larta, larg çdo mangësie që i përshkruajnë krijesat. - “…Ditën e Fundit …” – Ky nocion përfshin, në fakt, gjithçka që do të ndodhë pas vdekjes, ashtu siç na e ka përshkruar Allahu dhe Profeti i Tij. - “…melekët…” – për vërtetësinë e të cilëve na ka dëshmuar Allahu dhe Profeti i Tij, në Kur’ân dhe në Sunet. - “…Librat (e Zotit) …” – Domethënë, të gjithë librat që Zoti ia ka zbritur njerëzimit, nëpërmjet profetëve. Më madhështori i tyre është Kur’âni, prandaj çdokush duhet të besojë në vërtetësinë e gjithçkaje që përmendet në të, dhe duhet ta marrë seriozisht çdo dispozitë e ligj të sjellë në të, për të rregulluar jetën njerëzore. - “…dhe profetët…” – Pra, duhen besuar të gjithë profetët në përgjithësi, dhe në mënyrë të veçantë Vula e tyre, Profeti i fundit, Profeti i mëshirës, Muhamedi (s.a.u.s.). - “…të shpenzosh prej pasurisë që e do e t'u japësh të afërmve, jetimëve, të varfërve, udhëtarëve të mbetur në rrugë, lypsave dhe për lirimin e robërve; ” – “El mâle” quhet çdo pasuri që është nën pronësinë e njeriut, qoftë ajo e madhe apo e vogël. Pra, shprehja e bamirësisë së njeriut është shpenzimi i pasurisë që ai zotëron, në fushat në të cilat na ka nxitur Allahu i Lartësuar që të shpenzojmë. Madje, njeriu duhet të shpenzojë nga kjo pasuri edhe atëherë kur pasuria është shumë e nevojshme dhe robi e ka të vështirë që të japë. Allahu i Lartësuar thotë: “…prej pasurisë që e do”. Pra, shenjë e bamirësisë është edhe shpenzimi i asaj pasurie që robi e dëshiron ta ketë pranë dhe të mos e shpenzojë. Dihet që pasuria është shumë e dashur për njeriun dhe ai e ka shumë të vështirë që ta japë atë, prandaj shpenzimi i saj është tregues bamirësie. Në të njëjtën kohë, ai që e shpenzon pasurinë e tij, edhe pse e do shumë atë, duke synuar që të afrohet tek Allahu i Lartësuar, ka dëshmuar për imanin e tij të pastër. Por cili konsiderohet si shpenzues i pasurisë nën presionin e dashurisë për të? I tillë konsiderohet ai që shpenzon atë pjesë të pasurisë që e do më shumë dhe ai që jep ndërkohë kur rrezikon varfërinë. I pari, edhe pse ka pasuri tjetër për ta shpenzuar, jep pikërisht atë pjesë që është më e dashura dhe më e çmuara për të, sikurse thotë i Lartësuari në suren Al imran, ajeti 92: “Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë në besim, në qoftë se nuk jepni prej pasurisë më të shtrenjtë. ” Ndërsa i dyti, është njeriu që jep sadaka, ndërkohë që ka shumë pak pasuri, sepse ai jep nën trysninë e frikës nga varfëria dhe skamja. Pastaj Allahu i Lartësuar tregon se kujt i jepen këto pasuri: - “…të afërmve…” - Pra, të parët njerëz që e meritojnë bamirësinë me pasuri, me vepra, me ndjenja dhe me fjalë, janë të afërmit. Të afërmit janë njerëzit që, kur ata lumturohen, edhe ti gëzohesh, e kur ata trishtohen, edhe ti trishtohesh. Të afërmit janë ata që të gjenden pranë në kohë nevoje. Kështu, ndër bamirësitë më të mëdha është ruajtja e lidhjeve me të afërmit, duke i ndihmuar me pasuri apo duke u thënë fjalë të mira e ngushëlluese. Sigurisht, kjo bëhet në varësi me nevojat e tyre dhe të shkallës së afrimitetit me ta. - “…jetimëve…” - Ndër njerëzit që meritojnë më së shumti bamirësi janë jetimët,5 të cilët nuk kanë mundësi që të sigurojnë jetesën e tyre dhe të jenë të pavarur. Kjo është një shprehje e mëshirës së madhe të Allahut të Lartësuar për krijesat e Tij. Ai është më i kujdesshëm, më i dashur e më i mëshirshëm për robin, sesa prindi për fëmijën e tij. Allahu i Lartësuar i urdhëron njerëzit që të shpenzojnë pasurinë e tyre për fëmijët që nuk i kanë prindërit, në mënyrë që ata të mos e ndiejnë mungesën e përkujdesjes së tyre. Një gjë është e sigurt: Kush e mëshiron jetimin e tjetrit, ta dijë se edhe jetimi i tij do të mëshirohet. - “…të varfërve…” – Të varfërit kanë të drejta në pasurinë e të pasurve, sepse këta të fundit duhet të ndihmojnë që t’ua largojnë varfërinë atyre, ose, së paku, t'ua lehtësojnë atë. Pra, të pasurit duhet të japin çfarë të munden, për të ndihmuar vëllezërit e tyre të varfër. - “…udhëtarëve të mbetur në rrugë…” - Prej atyre që duhen ndihmuar, janë edhe udhëtarët që kanë mbetur në mes të rrugës për shkaqe të ndryshme dhe janë larg vendit dhe pasurisë së tyre. Allahu i Lartësuar na nxit që ne të japim prej pasurisë sonë, me qëllim që t'i ndihmojmë këta nevojtarë të përfundojnë udhëtimin e tyre. Dihet shumë mirë se udhëtimi ka të papritura dhe nevoja të shumta. Për këtë arsye, ata të cilët Allahu i Lartësuar i ka begatuar me të mira materiale dhe me qetësinë pranë vendit dhe pasurisë së tyre, duhet të tregohen mëshirues e bamirës ndaj atij që gjendet larg vendit, pasurisë dhe njerëzve të tij. Ndihma jepet sipas rastit, për shembull, duke e furnizuar me ushqim për udhëtimin e tij, duke i mundësuar mjetin e transportit, duke e ndihmuar të plotësojë detyrimet që e pengojnë të kthehet në vendin e tij etj. - “…lypsave…” – Kështu quhen ata të cilët nevoja i shtyn që të kërkojnë. I tillë është, për shembull, edhe dikush që nuk arrin të paguajë ndonjë gjobë të detyrueshme ndaj shtetit, ose dikush që u kërkon njerëzve që të japin për ndërtimin e një xhamie, shkolle, për shërbime të përgjithshme etj. Këta duhen ndihmuar, edhe pse mund të jenë të pasur, porse nevoja urgjente i shtyn që të kërkojnë. - “…dhe për lirimin e robërve…” – Domethënë, për çlirimin nga skllavëria, në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose duke ndihmuar skllavin që ka bërë marrëveshje me zotërinë për të blerë lirinë e tij. Këtu hyn edhe çlirimi i muslimanëve të burgosur ose të kapur rob nga qafirët ose nga tiranët. - “…të përkryesh namazin e të japësh zekatin…” – Një shprehje e bamirësisë, të cilën jemi urdhëruar ta kryejmë, është edhe falja e namazit e dhënia e zekatit. Tashmë është përmendur disa herë që Allahu i Lartësuar e përmend faljen e namazit bashkë me dhënien e zekatit, për shkak se janë dy adhurimet më të mira dhe dy mënyrat më efikase për t'iu afruar Zotit të botëve. Ato janë adhurime që përfshijnë zemrën, trupin dhe pasurinë e robit. Namazi dhe zekati janë matësit e imanit dhe treguesit e sigurisë që gjendet në zemrën e robit për vërtetësinë e premtimit të Zotit. - “…të plotësosh fjalën e dhënë…” – Këtu flitet për premtimin për të kryer diçka që Allahu e ka bërë të detyrueshme, ose që vetë robi ia bën të detyrueshme vetvetes. Në fakt, në këtë përkufizim hyjnë të gjitha të drejtat e Allahut të Lartësuar mbi robërit e Tij, sepse Allahu i Lartësuar ua ka bërë të detyrueshme adhuruesve që të plotësojnë detyrimet ndaj Tij, të cilat ata me vetëdije i kanë pranuar, duke premtuar se do t'i plotësojnë. Këtu përfshihen edhe të drejtat e krijesave, të përcaktuara nga Allahu i Lartësuar, që të plotësohen në marrëdhëniet mes tyre. Këtu bëjnë pjesë edhe përbetimet e robit, të cilat nuk i ka bërë të detyrueshme Allahu i Lartësuar, por vetë robi ia bën detyrim vetvetes; edhe këto, pra, duhet të çohen në vend dhe të plotësohen. - “…të jesh i durueshëm në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. ” – Bamirësi tjetër që është urdhëruar të kryhet, është edhe durimi i shprehur në tri momentet e përshkruara në ajet. - “…në skamje” – Pra, bamirës të vërtetë janë ata që tregohen të durueshëm në gjendje varfërie. I varfri ka nevojë për durim, për shumë arsye dhe në shumë drejtime. Ai ka nevojë për durim të madh që të përballojë dhimbjet trupore dhe psikologjike, të cilat i përjetojnë veç të varfërit. Nëse të pasurit gëzojnë dhe shijojnë kënaqësi të ndryshme, i varfëri vuan. Kur ha një ushqim që nuk i pëlqen, ai vuan. Kur ndien nevojën të vishet mirë dhe nuk mundet, ai vuan. Kur shikon të tashmen dhe të ardhmen që e pret, dhe ndihet i pasigurt për të, ai vuan. Kur ndien ftohtë dhe nuk gjen me çfarë të ngrohet, ai përsëri vuan. Të gjitha këto, pra, janë sprova, të cilat jemi urdhëruar t’i durojmë, duke llogaritur shpërblimin e Allahut të Lartësuar për to. - “…në sëmundje” - Pra, të duruarit gjatë sëmundjeve të të gjitha llojeve. Për çdo sëmundje që godet njeriun është i nevojshëm durimi. Kur njeriu është sëmurë, shpirti dobësohet dhe trupi ndien dhimbje. Sëmundjet janë shumë të vështira për t'u përballuar, sidomos kur ato zgjasin. Në të tilla kushte, njeriu është i urdhëruar të tregohet i durueshëm, që të arrijë shpërblimin e pamasë, të përgatitur nga Allahu i Lartësuar për durimtarët. - “…në flakën e luftës” – Një nga situatat që kërkon durimin më të madh është koha gjatë betejës kundër armiqve, për të cilët jemi urdhëruar që t'i luftojmë. Durimi në këtë rast është nga veprat më të vështira për shpirtin, sepse janë momente kur njeriu e ndien afër frikën nga vrasja, plagosja apo kapja rob. Për këtë arsye, durimi në luftime është shumë i nevojshëm. Në fakt, luftëtarit në rrugën e Zotit të Madhëruar i lehtësohet durimi kur llogarit shpërblimin e Allahut të Lartësuar dhe faktin që ndihma vjen prej Zotit të gjithësisë, i Cili ka premtuar fitore dhe ndihmë për durimtarët. - “Vetëm këta janë me të vërtetë të sinqertë dhe vetëm këta janë të devotshëm.” – Pra, vetëm ata që kanë cilësitë e lartpërmendura janë të sinqertë, që e vërtetojnë besimin e tyre me vepra. Ata kanë besim të drejtë, vepra të mira dhe moral të lartë. Ata janë të sinqertë, që e vërtetojnë besi min, me anë të veprave të tyre. Por ata meritojnë të quhen edhe “të devotshëm”, sepse ata i largohen haramit dhe i zbatojnë me përpikmëri urdhrat e Zotit të tyre. E si të mos u përmbahen dispozitave të vendosura nga Zoti i tyre, kur dihet se ato janë kultivuese të çdo cilësie të lartë. Mbajtja e premtimeve dhe e përgjegjësive i përfshin të gjitha fushat e jetës dhe të fesë, ndërsa adhurimet e cituara në këtë ajet janë adhurimet më të mëdha të Islamit. Ai që tregohet rigoroz në zbatimin e tyre, me siguri që në adhurimet e tjera do të jetë shumë i rregullt. Këta janë bamirësit, të sinqertët e të devotshmit. Shpërblimi që Allahu i Lartësuar ka përgatitur për të tillë njerëz, në këtë jetë dhe në jetën tjetër, është i pamundur të tregohet e përshkruhet në një libër të vetëm si ky, me të tilla përmasa.

Mus'haf Hape →
Zumer 39:1–39:3 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… një majë gjilpëre kur zhytet në oqean. Të gjithë ata që mund të ndërmjetësojnë i frikësohen Allahut dhe askush prej tyre nuk merr guximin të ngrejë …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Allahu i Madhëruar na njofton për madhështinë e këtij Kur'ani dhe për rëndësinë e tij të madhe. Ai na njofton se Kur'ani është fjala e Tij, që Ai e ka folur, dhe Shpallje e zbritur nga i Madhërishmi. Ai thotë: - Shpallja e këtij Libri është prej Allahut, Ngadhënjimtarit, të Urtit. – Kur'ani është shpallja e Allahut, që është i vetmi i Adhuruar me meritë nga krijesat. Ai është i vetmi i Adhuruar me meritë, sepse është i Plotë, Absolut dhe i Madhëruar në të gjitha emrat dhe cilësitë e Tij. Ai është Krenari, Ngadhënjimtari e i Plotfuqishmi, që ka nënshtruar çdo krijesë me fuqinë dhe krenarinë e Tij. Para Tij është përulur çdo gjë. Ai është i Urti dhe urtësia e Tij shpaloset qartë në krijimin dhe në ligjin e Tij. Ky Kur'an është shpallur nga Allahu, që është i përshkruar me të tilla cilësi. Ai është fjala e Allahut. Të folurit është cilësi e atij që flet dhe cilësia e tij vlerësohet sipas atij që e ka folur. Kështu, duke qenë se Allahu është i plotë dhe absolut në çdo aspekt dhe nuk ka shembull dhe të ngjashëm me të, po kështu edhe Fjala e Tij është e plotë dhe absolute në çdo këndvështrim dhe nuk ka të ngjashme ose si shembulli i saj. Vetëm ky detaj do të mjaftonte në përshkrimin e Kur'anit, për të treguar gradën dhe rëndësinë e tij të lartë dhe të jashtëzakonshme. Por Allahu i Madhëruar na sjell edhe më shumë sqarime dhe lëvdata për Kur'anin. Ai na përmend faktin se kujt iu zbrit ky libër. Ndër faktet që e shtojnë edhe më shumë mirësinë dhe gradën e Kur'anit është edhe fakti ai që iu shpall Muhamedit (a.s), më të nderuarit të krijesave. E si mund të ndodhte ndryshe, kur ky libër është fjala më e nderuar dhe më e rëndësishme! Ndër faktet që tregojnë madhështinë dhe rëndësinë e Kur'anit është edhe përmbajtja e tij. - Jemi Ne që ta shpallëm ty Librin me të Vërtetën (e sigurt). - Ky është libër në të cilin u tregua dhe ndriçua e vërteta e sigurt dhe në të nuk ka asnjë dyshim dhe pasiguri. Nëpërmjet të vërtetës, krijesat do të shpëtojnë dhe nxirren nga errësirat në dritë. Lajmet e sjella në të janë të vërteta dhe të sigurta, ndërsa ligjet dhe dispozitat janë të drejta dhe plot mirësi e bekime. Çdo kumt i sjellë në të përmban të vërtetën më të lartë. Çdo udhëzim i tij të drejton në qëllimet më të larta dhe mirësinë e të dy botëve. E çfarë mund të presësh pas të vërtetës, veç humbjes dhe errësirës? Kur'ani është drita dhe e vërteta dhe çdo gjë që bie ndesh me të është errësirë dhe humbje. - Prandaj adhuroje Allahun, duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij! - Duke qenë se ky libër zbriti nga Ai që është Zoti i vërtetë, duke qenë se përmban kumte të vërteta për të udhëzuar dhe ndriçuar rrugën e krijesave dhe duke qenë se iu dha më të mirit të krijesave, Muhamedit (a.s), atëherë ai është një mirësi dhe bekim i pashembullt, që duhet vlerësuar dhe respektuar shumë, me mirënjohje dhe përunjësi. Kjo bëhet veçse me një mënyrë, që nuk pranon ndryshim: sinqeritet i plotë në zbatimin e fesë së Zotit të kumtuar në këtë libër. I Madhëruari thotë: "Prandaj adhuroje Allahun, duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij!" Përkushtoji Allahut të gjitha adhurimet dhe zbatimin e kësaj feje, që e zbriti për ty, qofshin ato ligje dhe dispozita që lidhen me veprat e jashtme dhe të shfaqura dukshëm, qofshin çështjet e besimit dhe punët e zemrës dhe të shpirtit. Me fjalë të tjera, ajo që kërkohet është plotësimi i të gjitha gradave të besimit: islamin, imanin dhe ihsanin. 3 Mirënjohësi e beson dhe dëshmon se i vetmi i Adhuruar me meritë është Allahu, që adhurohet sipas asaj që Ai e ka shpallur në këtë libër. Të gjitha adhurimet bëhen veçse për të kënaqur Zotin. Kjo është mënyra për t'i treguar mirënjohjen për këtë libër madhështor që na dhuroi. Të tilla çështje vijnë të shtjelluara në ajetet në vazhdim. Allahu i Madhëruar thotë: - Vetëm Allahut i takon adhurimi i sinqertë. - Kjo është një nxitje për sinqeritet në zbatimin e fesë së Zotit dhe përmbushjen e saj në veten tonë. Allahu i Lartësuar na qartëson se, ashtu sikurse Ai është i Plotë, Absolut në të gjitha emrat, cilësitë, përshkrimet dhe veprat e Tij, ashtu sikurse Ai është i vetmi që kujdeset dhe dhuron mirësi krijesave në çdo çështje, po kështu Atij dhe vetëm Atij i duhen përkushtuar të gjitha adhurimet dhe zbatimi i fesë së Tij duhet të bëhet i pastër dhe i patrazuar nga asnjë ndërhyrje e ndryshim. Islami është feja që Ai e pëlqen dhe e ka zgjedhur për Veten e Tij, që krijesat ta adhurojnë përmes zbatimit të saj. Islami është feja që Ai e zgjodhi për të dashurit dhe të zgjedhurit e Tij, që Ai urdhëroi që t'i përmbahen dhe të zbatojnë me korrektësi dhe besnikëri. Allahu e deshi Islamin për ne, sepse përmes kësaj feje, ne mësojmë si të adhurojmë Atë, si t'i shprehim dashurinë për Të, fikën ndaj Tij dhe shpresën tek Ai. Kurani na mëson si të pendohemi e t'i kthehemi Zotit sa herë që gabojmë. Ai na mëson madje si t'i kërkojmë ndihmë Zotit që të na udhëzojë dhe që të përmbushim adhurimin e Tij sa më mirë, ashtu siç Ai kënaqet dhe e dëshiron prej nesh. Ai na mëson si t'ia kërkojmë ndihmën dhe udhëzimin e Tij të plotë, për të realizuar të gjitha synimet e larta që kanë robtë, qoftë në jetën e dynjasë, qoftë në ahiretin e tyre. Feja e zbritur në këtë libër madhështor është e vetmja rrugë për të pastruar dhe ndriçuar shpirtrat dhe zemrat e robve, dhe jo idhujtaria. Çdokush që e cënon teuhidin e Zotit dhe ia përkushton ndonjë adhurim dikujt tjetër veç Allahut, ai është i refuzuar dhe i privuar nga mirësia. Allahu është larg tij, e braktis atë. Allahu është më i pasuri, që nuk ka nevojë për shirkun dhe idhujtarët e as për punët e tyre. Cënimi i njëshmërisë së Zotit dhe i pastërtisë së Islamit i prish zemrat dhe shkatërron dynjanë dhe ahiretin e njeriut. Madje, ajo bëhet shkak për dëshpërimin dhe fatkeqësitë më të mëdha. Kjo vepër ka për t'i sjell mundime të mëdha robit. Pasi urdhëroi për teuhid dhe sinqeritet ndaj Tij, Allahu i Madhëruar vijon të na ndalojë nga e kundërta, pra, nga shirku dhe na tregoi se sa të ulët dhe të përçmuar janë ata që i bëjnë shokë në adhurim: - Por ata që, në vend të Tij (Allahut), marrin mbrojtës të tjerë, thonë: "Ne i adhurojmë ata vetëm që të na afrojnë më shumë tek Allahu.". - Këta të mjerë u afrohen dhe përulen idhujve të tyre me adhurime dhe lutje, me blatime dhe përkushtime, të cilat i meriton veçse Allahu, si një dhe i vetëm. Por ata e justifikojnë këtë krim ndaj Allahut me fjalët: "Ne i adhurojmë ata vetëm që të na afrojnë më shumë tek Allahu. Ne u përkushtohemi dhe lutemi atyre, që ata t'i paraqesin lutjet dhe nevojat tona tek Zoti, duke ndërmjetësuar për ne tek Ai. Ky është qëllimi ynë, sepse ne e dimë mirë se ata as krijojnë, as furnizojnë dhe nuk kanë gjë në dorë, për asnjë çështje.” Në këtë mënyrë, këta të mjerë e hedhin poshtë urdhërin për sinqeritet të plotë dhe adhurim të Zotit si një dhe të vetëm dhe marrin guximin që të bëjnë padrejtësinë dhe krimin më të madh që ekziston, idhujtarinë. Ata e kryejnë këtë krim të shëmtuar sepse bëjnë një krahasim të gabuar dhe të padrejtë me mendjet e tyre të sëmura dhe të prishura. Ata e mendojnë Zotin e Plotfuqishëm të Madhërishëm ashtu si mbretërit e kësaj bote. Sipas mendjeve të këtyre kokëboshëve, meqë tek mbretërit e kësaj bote nuk mund të afrohesh dhe dërgosh kërkesat e tua, veçse nëpërmjet ndërmjetësve dhe të afruarve në oborrin e tyre, atëherë edhe me Zotin duhet të jetë njëlloj. Sipas tyre, mbretërit e këtushëm nuk i dinë hallet tona, prandaj është e nevojshme që diksh t'ua paraqesë në mënyrë sa më të shtjelluar. Gjithashtu, ndoshta ata as nuk duan t'ia dinë për ata që i parashtrojnë nevojat e tyre, prandaj është e nevojshme që dikush të nxisë tek ata mëshirën e keqardhjen për nevojtarin. Gjithashtu, ndodh që ndërmjetësit dhe interesat e tyre të jenë të fuqishme, aq sa mbreti të shohë veten të detyruar që t'i plotësojë kërkesat e tyre, për t'i kënaqur dhe mbajtur në anën e tij. Mbretërit kanë frikë se varfërohen, prandaj dhe nuk pranojnë lutjen dhe kërkesat e çdokujt. Kështu, një kërkesë nga një i afërt është më e pranueshme. Kështu e mendojnë këta të mjerë mendjelehtë edhe Zotin e botëve. Por Zoti i botëve është i Gjithëdituri, që me diturinë e Tij ka përfshirë atë që duket dhe atë që fshihet. Ai nuk ka nevojë që dikush ta njoftojë për kërkesat e popullit të Tij apo t'ia shpjegojnë dhe vënë në dukje nevojat dhe gjendjen e tyre. Allahu është më i mëshirshmi i gjithë të mëshirshmëve, më i miri që dhuron dhe kujdeset me dashuri për robtë. Ai nuk ka nevojë që dikush nga krijesat e Tij ta bëjë të mëshirshëm apo të nxisë mëshirën e Tij. Madje Ai është më i mëshirshëm për ta se ata vetë për veten e vet apo sesa prindërit e tyre për ta. Ai i nxit ata që të kryejnë ato punë, nëpërmjet të cilave të arrijnë mirësinë e Tij. Madje, Ai dëshiron të mirën dhe dobinë e tyre më shumë sesa mund të kërkojnë robtë. Allahu është i Pasuri, të Cilit i takon pasuria e plotë dhe absolute, pa asnjë mangësi apo nevojë. Nëse të gjitha krijesat, nga e para deri tek e fundit, të mblidheshin në një vend të gjithë dhe t'i luteshin për kërkesat e tyre dhe Ai t'i jepte çdokujt atë që kërkon dhe e ëndërron, kjo nuk do ta pakësonte pasurinë e Tij aspak, as aq sa mund të pakësojë një majë gjilpëre kur zhytet në oqean. Të gjithë ata që mund të ndërmjetësojnë i frikësohen Allahut dhe askush prej tyre nuk merr guximin të ngrejë zërin dhe të ndërmjetësojë pa lejen e Tij, sepse e gjithë e drejta për ndërmjetësimin është në dorë të Zotit. Ai i jep leje të ndërmjetësojë vetëm atij që Ai dëshiron dhe është i kënaqur që të ndërmjetësojë. Është vetë Zoti që vendos se për kë duhet ndërmjetësuar. Për këtë arsye, këto ndërmjetësime janë treguese të injorancës dhe mendjelehtësisë së idhujtarëve. Kjo tregon se sa të padrejtë dhe të ulët tregohen kur kanë guximin t'i shoqërojnë Zotit shokë në adhurim. Nga kjo kuptohet edhe urtësia e vendimit të Zotit që të mos e falë shirkun, që është cënim i madhështisë së Zotit, si dhe shpifja e trillimi më i ulët. Allahu i Madhëruar, duke kërcënuar idhujtarët, u kujton atyre se do të vijë dita kur Ai të gjykojë mes dy grupeve, njësuesve të sinqertë dhe idhujtarëve: - Nuk ka dyshim se Allahu do t’i gjykojë për atë çështje që ata ishin në kundërshtim. - Dihet mirë se për besimtarët do të vendoset që të jenë në kopshtet e mirësive. Ndërsa gjykimi për mohuesit dhe idhujtarët është se: "Kushdo që adhuron zota të tjerë përveç Allahut, Allahu do t'ia ndalojë Xhenetin dhe Zjarri do të jetë vendbanimi i tij. Për keqbërësit nuk ka asnjë ndihmëtar." [Maide 72]. Atëherë, le ta dinë këta zullumqarë e të padrejtë, të cilët trillojnë për Zotin gjëra të paqena, se: - Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë ata që janë gënjeshtarë e refuzues (të besimit të drejtë). - Allahu nuk u jep sukses që udhëzimi në rrugën e drejtë të zërë vend në zemrat e tyre dhe t'i ndriçojë e lartësojë, sepse ata janë gënjeshtarë e refuzues . Ata janë mashtrues, mohues e refuzues të së vërtetës. Ata nuk e pranojë të vërtetën kur u vjen. Sa herë që u vijnë këshilla, paralajmërime e kërcënime, ose shenja dhe argumente nga Zoti për ta pranuar udhëzimin dhe dritën e tij dhe për t'ia hapur zemrën, ata i refuzojnë me forcë dhe i quajnë gënjeshtra. Atëherë, si mund të hyjë udhëzimi e drita e Zotit në zemrën e tyre, kur ata vetë ia kanë mbyllur portat dhe rrugët këtij udhëzimi? Për këtë arsye, njerëz të tillë ndëshkohen me të drejtë nga Zoti, duke ua vulosur zemrat, që ata të mos besojnë më kurrë.

Mus'haf Hape →
Vakia 56:1–56:40 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… në një vend që nuk ka asnjë të ngritur, sikurse thotë i Madhëruari në një sure tjetër: “Të pyesin ty për malet. Thuaj: “Zoti im do t’i shkulë ato dhe do t'i shpërndajë si …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Kur të ndodhë Ngjarja,...” - Allahu i Madhëruar na flet për ngjarjen e madhe, për Kijametin, që do të ndodhë patjetër. - “Askush nuk do ta mohojë ardhjen e saj.” – Për të nuk ka dyshim se do të ndodhë, sepse faktet e vërtetësisë së saj janë të shumta, të qarta dhe të kuptueshme. Kijameti është një ndodhi të cilën e kërkon edhe urtësia e Allahut të Madhëruar. - “Disa do t’i ulë e disa do t’i lartësojë.” - Për disa, ajo ditë ka për të qenë poshtërim dhe zhytje në humnerat më të thella të Zjarrit, ndërsa për disa të tjerë ka për të qenë lartësuese në më të lartat grada të Ilijin-it. Ky është njëri nga kuptimet e ajetit. Kuptimi tjetër është: Ajo është ditë e dëgjueshme për ata që janë afër dhe për ata që janë larg. Në fakt, bëhet fjalë për ushtimën e Kijametit, të cilën do ta dëgjojnë ata që janë pranë dhe ata që janë larg, banorët e Tokës dhe ata të qiellit. - “Kur toka të tundet me dridhje të forta...” - Kur toka të tronditet fort. - “Kur malet të thërrmohen e të bëhen copë-copë,...” - Kur malet të bëhen thërrime. - “Kur ato të bëhen si pluhur i shpërndarë,” - Toka do të shndërrohet në një vend që nuk ka asnjë të ngritur, sikurse thotë i Madhëruari në një sure tjetër: “Të pyesin ty për malet. Thuaj: “Zoti im do t’i shkulë ato dhe do t'i shpërndajë si pluhur.”. Dhe vendin e tyre ta bëjë rrafsh e pa kurfarë bimësie. As ultësira e as lartësira nuk do të shohësh në vendin e tyre. ” [Ta He 105 – 107]. - “...atëherë ju do të ndaheni në tri grupe...” - Krijesat do të ndahen në tri grupe, në varësi të veprave të tyre, të mira apo të këqija. I Madhëruari na i shtjellon më pas gjendjen e këtyre tri grupeve: - “Njerëzit e të djathtës. E cilët do të jenë ata të djathtët se?!” - Kjo pyetje tregon rëndësinë e madhe dhe gjendjen e tyre të mrekullueshme. - “Njerëzit e të majtës. E cilët do të jenë ata të majtët se?!” – Forma pyetëse nënkupton tmerrin e madh dhe gjendjen e tyre të mjerueshme. - “Pastaj janë të dalluarit (në besim). Ata do të jenë të dalluarit (edhe në shpërblim). Ata janë më të afruarit (te Zoti). Ata do të jenë në kopshtet e mirësive. ” - Sabikun-ët janë të përparuarit, garuesit në dynja për kryerjen e veprave të mira. Ata do të jenë të përparuarit edhe në ahiret, sepse do të hyjnë të parët në mirësitë e Xhenetit. Ata janë të afruarit dhe të zgjedhurit e Allahut, për të qenë në vendet më të larta të Ilijjin-it, në Xhenet, ku askush nuk do të jetë më lart se ata. Për këta, Allahu i Madhëruar thotë gjithashtu: - “(Nga ata) Shumë janë prej të hershmëve, e pak prej të mëvonshmëve.” – Shumica e tyre janë nga brezat e shkuara të këtij umeti dhe të umeteve të tjera. Kjo dëshmon për gradën e lartë të brezave të parë të këtij umeti, në krahasim me brezat e mëvonshëm. Mukarrabun-ët janë më të zgjedhurit dhe më të përkryerit e krijesave. Zoti ka përgatitur mrekullira për ta. Ja një përshkrim i këtyre mirësive: - “Ata janë në shtretër të qëndisur me ar e gurë të çmuar.” – Shtretër me flori, argjend diamante, smeralde e stoli të tjera, bukurinë e të cilave vetëm Allahu i Lartësuar e di. - “Të mbështetur qëndrojnë në ta, përballë njëri -tjetrit.” - Ata ulen dhe mbështeten mirë në ato shtretër, të rehatuar dhe të lumturuar. Ata qëndrojnë përballë njëri-tjetrit me fytyrë, me shpirtra të kulluar, me moral të pastër dhe zemra të afruara. - “Atyre u shërbejnë djelmosha të përjetshëm (në rininë e tyre) ,...” – Këta djem të rinj vërtiten mes banorëve të Xhenetit për t’u shërbyer dhe përmbushur çdo kërkesë dhe dëshirë të tyre. Ata janë djelmosha shumë të bukur dhe të hijshëm. Ata janë ashtu si i përshkruan i Madhëruari, që i krijoi: “si diamantë të ruajtur”, pra, si diamantë të fshehur, që nuk i ka dëmtuar apo cenuar gjë. Ata janë krijuar që të jenë të përjetshëm: nuk plaken, nuk ndryshojnë dhe nuk rriten më shumë nga mosha e vogël që Zoti i ka krijuar. Ata vërtiten mes xhenetlinjve me enët e tyre plot pije të mrekullueshme: - “...Me kupa, ibrikë dhe me gota plot me pije të kulluar, prej një burimi që rrjedh,...” - Me kupa ( ekuab), që nuk kanë bisht, dhe ibrikë ( ebarik). Enët janë të mbushura me pije të shijshme, që nuk të sjellin ndonjë dëm, sikurse thotë i lavdëruari: - “...Pije prej së cilës as nuk u dhemb koka, as nuk dehen;...” - Prej atyre pijeve nuk të dhemb koka dhe as të ikën mendja, sikurse ndodh me ndodh me pijet dehëse të dynjasë. Me fjalë të tjera, çdo mirësi që gjendet në Xhenet, lloji i të cilave gjendet edhe në dynja, do të jetë e pastër nga çdo mangësi që ato kanë patur në dynja, sikurse thotë i Madhëruari: “Ja përshkrimi i Xhenetit, i cili u është premtuar të devotshmëve: Në të ka lumenj me ujë gjithmonë të pastër e të freskët, lumenj me qumësht që nuk prishet, lumenj me verë të këndshme për ata që pinë dhe lumenj me mjaltë të kulluar. Ata do të kenë aty lloj -lloj frutash dhe do të jenë të falur nga Zoti i tyre. A mund të konsiderohen këta njëlloj me ata që do të rrinë përgjithmonë në Zjarr, ku etja do t’u shuhet me ujë të valë, që ua copëton zorrët?!” [Muhamed 15]. - “Dhe me fruta sipas përzgjedhjes së tyre,” - Çdo frut që ua tërheq shikimin dhe ua dëshiron shpirti, atyre do t’u ofrohet në formën më të bukur. - “Dhe me mish shpendësh, si ua ka ënda.” – Mish nga çdo lloj shpendi që dëshirojnë, madje çdo lloj mishi që e duan do t’u jepet: të pjekur, të skuqur apo të zier, sipas dëshirës. - “Atje do të kenë edhe hyri symëdha. Ato duken si diamante të ruajtura. ” – Ato janë gra të bukura, me sy të mëdhenj e shumë të bukur. Ato janë, sikurse thotë i Madhëruari: si xhevahirë të rrallë, të shkëlqyeshëm dhe vezullues, të ruajtur dhe të fshehur, që nuk i kap era, sytë apo dielli, me ngjyrat e nuancat më të bukura. Sado t’i kundrosh, nuk mund të gjesh asnjë mangësi, por vetëm perfeksion. Kështu janë edhe hyritë sybukura. Tek ato nuk mund të gjesh asnjë mangësi, sepse janë të plota në çdo detaj. Çdo gjë që vështron tek ato të sjell kënaqësi për sytë dhe zemrën. - “Ky është shpërblimi për veprat e tyre.” - Për veprat e mira të tyre, Allahu Bujar e i Gjithëmëshirshëm i shpërblen shumëfish. Ai u dhuron mirësi, begati dhe fitoren më të madhe, që është shpëtimi nga çdo e keqe dhe përjetësia në Xhenet. - “Atje nuk dëgjojnë fjalë të kota e as fjalë gjynahesh.” - Në Xhenet nuk do të dëgjojnë fjalë të padobishme dhe as fjalë që të ngarkojnë me gjynahe. Ajo që do të gjëjnë në të është: - “Por vetëm fjalë të mira, selam pas selami.” - Veç fjalë të ëmbla, të buta dhe lumturuese, sepse ai është vendi ku ka vetëm mirësi dhe kënaqësi. Kjo tregon për edukatën e banorëve të Xhenetit me njëri - tjetrin, që shprehet edhe në fjalët e tyre. E lusim Allahun të na dhurojë nga mirësitë e bujaria e Tij! Pastaj i Madhëruari përmend mirësitë e të djathtëve: - “Po njerëzit e të djathtës? E kush janë të djathtët se?!” – Ata janë shumë të rëndësishëm dhe me gradë të lartë. - “Ata qëndrojnë mes lotusve pa gjemba,...” – Lotus pa gjemba dhe pa degë të shumëta e të dëmshme. Madje, në vend të gjembave, janë vendosur fruta. Veçori e këtij lotusi është hija e madhe që bën, nga vjen edhe rehatia e qëndrimit poshtë tij. - “...bananeve me fruta palë -palë...” – Bananet që qëndrojnë njëra mbi tjetrën në degë. - “...nën hije të gjera...” – Në hije ku ata rehatohen, duke shijuar çdo mirësi që ua kënaq syrin dhe shpirtin. - “...pranë një uji që rrjedh...” - Ujë i shumtë, që buron e rrjedh lumë, me bukuri të veçantë. - “...mes frutave të shumëllojshme, që as nuk mbarohen, as nuk janë të ndaluara.” - Ato nuk janë si frutat e dynjasë, që u ndërpritet prodhimi dhe është e vështirë t’i gjesh ndonjëherë. Ato janë gjithmonë të pranishme, mbi degët e rënduara të pemëve, që robi i Zotit të mund t’i marrë në çdo gjendje qoftë: në këmbë, ulur apo shtrirë. - “Ata qëndrojnë në shtretër të lartë (me hyritë symëdha) .” – Me shtroje që qëndrojnë shumë sipër shtretërve dhe që janë prej mëndafshi, të qëndisura dhe të zbukuruara me flori, diamante e të tjera, që vetëm Zoti i di. - “Ne i kemi bërë ato (hyritë e Xhenetit) me një krijim të ri (të përjetshme) ,...” - Gratë e Xhenetit janë të një krijimi të ri, ndryshe nga ai i kësaj dynjaje. Ai është krijim i plotë, që nuk ka fund dhe shkatërrim. - “Ne i kemi bërë ato virgjëresha, të dashura për bashkëshortët e tyre dhe të një moshe,” – Të tilla janë si gratë besimtare që kanë vdekur të mëdha, ashtu edhe ato që kanë vdekur të vogla. Ky përshkrim përfshin gjithashtu si hyritë që Zoti i krijoi në Xhenet, ashtu edhe gratë besimtare të dynjasë, që Zoti i nderon dhe i fut në Xhenet. Virgjëria i shoqëron ato në të gjitha gjendjet. Edhe dashuria për burrat e tyre është e vazhdueshme, duke e shprehur këtë me fjalë të ëmbla e përkëdhelje. Kur ato flasin, dëgjuesi nuk do dëshironte kurrë që të heshtnin. Zëri dhe këndimi i tyre është i mahnitshëm. Kur qëndrojnë në heshtje, e mbushin zemrën e burrit të tyre me gëzim e lumturi. Kur ato shfaqen diku, e mbushin atë vend me aromë, freski dhe dritë. Ato dinë të shprehin me fjalë kënaqësinë që ndiejnë dhe të kënaqin me fjalë burrin gjatë marrëdhënieve. Gratë e Xhenetit janë në të njëjtën moshë, të gjitha tridhjetë e tre vjeçe, në kulmin e rinisë dhe kënaqësisë. Ato janë të afruara, të dashura, të kënaqura dhe që dhurojnë kënaqësi. Ato nuk trishtohen dhe kurrë nuk shkaktojnë trishtim, Ato janë shpirtrat më të lumtur e më lumturues, që të kënaqin syrin dhe shpirtin. - “...Për njerëzit e së djathtës,...” - Ky shpërblim është përgatitur për të djathtët. - “...Ata janë shumë nga të hershmit, e shumë nga më të vonshmit.” – Nga të djathtët, shumë janë prej brezave të parë dhe shumë prej të mëvonshmëve.

Mus'haf Hape →
Jusuf 12:110–12:111 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… të tjera, ndërsa për shkak të diturisë, ai u nderua dhe u ngrit në pozitë të lartë që në këtë botë. Çdo mirësi në këtë dynja vjen për shkak të diturisë dhe …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Allahu i Madhëruar na tregon se kur Ai i dërgonte profetët e Tij të nderuar, njerëzit e këqij dhe kriminelë nuk i besonin ata, por i quanin gënjeshtarë. Ai i afatizonte ata, që të kishin mundësi të kthenin rrugë dhe të besonin të vërtetën e sjellë nga të dërguarit. Por refuzimi i tyre zgjaste aq shumë, saqë edhe profetët - me besimin dhe sigurinë e tyre të plotë në premtimin dhe ndihmën e Allahut, - ndoshta në zemrat e tyre gati e humbnin shpresën dhe mendonin me pesimizëm se ishin refuzuar përfundimisht nga popujt e tyre. Por pikërisht në këtë gjendje, atyre u vinte ndihma e Zotit: - “Atëherë kur të dërguarit gati e humbin shpresën dhe mendojnë se janë trajtuar si gënjeshtarë, atëherë u ven ndihma Jonë. Dhe, ata që i duam, ne i shpëtojmë. Por, dënimi Ynë kurrë nuk mund zbrapset nga një popull keqbërës.” - Të shpëtuarit ishin profetët dhe pasuesit e tyre. Ndërsa ata që ishin kriminelë dhe guxonin të mos i përuleshin të Madhërishmit, ata nuk mund të gjenin forcë ku mund të mbështeteshin apo ndihm ëtar që mund t’i shpëtonte. - “Në historitë e tyre ka mësime për të mençurit.” - Në këto rrëfime ka mësime për vepërmirët, por edhe paralajmërim për punëkëqijtë. Çdokush, sipas punëve që bën, do të marrë atë që i takon: shpërblimin ose ndëshkimin e poshtërimin. Në këto rrëfime ka, gjithashtu, mësime të mrekullueshme për cilësitë e plota të Allahut të Madhëruar, që ka urtësinë absolute. Allahu është i vetmi që meriton të adhurohet ashtu sikurse Ai e dëshiron dhe siç e ka urdhëruar në shpalljet e Tij. - “Ky (Kur'an) nuk është fjalë e trilluar, por është vërtetues i asaj që ishte (shpallur) para tij dhe shpjegues i hollësishëm i gjithçkaje.” - Ky libër, përmes të cilit Allahu i Madhëruar ju ka treguar shumë histori të mrekullueshme, nuk është një fjalë e trilluar, e shpikur nga mendja njerëzore, por është vërtetues i shpalljeve të mëparshme. Ai i pohon dhe dëshmon për vërtetësinë e tyre dhe të profetëve që i sollën ato prej Zotit. Gjithashtu, ky Kur'an është sqarues i çdo gjëje, për të cilën krijesat kanë nevojë të dinë. Ai sqaron themelet e fesë dhe degëzimet e saj. Në të, ata gjejnë çdo argument e fakt të nevojshëm për të rregulluar besimin dhe për të arritur lumturinë e tyre në dynja dhe në ahiret. - “Ai është udhërrëfyes e mëshirë për këdo që beson.” - Me diturinë e vërtetë dhe të saktë që Kur'ani u ofron njerëzve, bëhet për ta udhërrëfyes drejt së mirës. Ndërsa me shpërblimet e shumta të kësaj jete dhe të jetës tjetër të amshuar që ai u premton aktivistëve dhe atyre që jetojnë sipas tij, ai bëhet mëshirë lumturisjellëse. Kjo gjë u ofrohet besimtarëve në këtë libër madhështor dhe të mrekullueshëm. Mësime nga historia e Jusufit Le të përmendim disa mësime të përftuara nga kjo histori e mrekullueshme, për të cilën i Madhëruari tha në fillim të sures: "Ne po të përcjellim ty më të bukurën e historive në këtë Kur'an që të kemi shpallur." Gjithashtu, Allahu i Madhëruar tha: "Në historinë e Jusufit dhe të vëllezërve të tij ka, vërtet shumë mësime për të gjithë ata që pyesin (për të vërtetën) . Ndërsa në fund të sures, Ai thotë: "Në historitë e tyre ka mësime për të mençurit." Kështu, përveç dobive që u përmendëm mes rreshtave të kësaj historie, ka edhe shumë mësime të tjera. Është e vërtetë që kjo histori është nga më të bukurat, më të qartat dhe më të shtjelluarat në Kur'an. Bukuria e saj shtohet nga larmishmëria e ngjarjeve dhe zhvendosja e tyre në kohë dhe në vende të ndryshme. Në të shohim kalime nga një gjendje në tjetrën, nga një sprovë në një tjetër, nga fatkeqësia në çlirim e gëzim, nga vuajtja, skllavëria dhe përndjekja në krenari, mbretërim dhe pushtet, nga përçarja dhe armiqësia në afërsi, falje dhe dashuri, nga dëshpërimi e trishtimi në kënaqësi e lumturi, nga bollëku e pasuria në varfëri e në vuajtje dhe anasjelltas. I lavdëruar qoftë i Madhërishmi, që e tregoi këtë histori në formën më të qartë dhe më të shtjelluar! 1. Ne këto ajete gjen një nga bazat më të rëndësishme të shpjegimit të ëndrrave ose të mesazheve që ato përçojnë. Gjithashtu, kuptojmë se shpjegimi i ëndrrave është një aftësi e rëndësishme, që Allahu i Madhëruar ia dhuron atij që Ai dëshiron. Kështu, ky parim themelor është mbështetja te ngjashmëria mes gjërave, në emërtimet dhe cilësitë e tyre. Jusufi pa diellin, hënën dhe 11 yje, që i binin në sexhde. Këta trupa qiellorë janë zbukurues të qiellit dhe shumë të dobishëm. Gjithashtu, prindërit dhe vëllezërit janë stoli dhe ndihmë e madhe për njeriun. Të tillë janë edhe profetët dhe dijetarët. Ata janë stoli dhe tepër të dobishëm për krijesat. Ashtu sikurse orientohesh në det nëpërmjet yjeve, po ashtu nëpërmjet profetëve dhe dijetarëve njerëzit orientohen për të gjetur rrugën e drejtë. Sigurisht që dobia e diellit dhe hënës është jetike, ndërsa yjet vijnë pas tyre, prandaj dielli dhe hëna simbolizonin nënën dhe babain e tij, ndërsa yjet simbolizonin vëllezërit. 2. Një aspekt i rëndësishëm në shpjegimin e ëndrrës është edhe fakti që ‘dielli’ në gjuhën arabe është në gjininë femërore, prandaj simbolizonte nënën; ndërsa ‘hëna’, që në gjuhën arabe është emër i gjinisë mashkullore, simbolizonte babain. Po ashtu, ‘yjet’, që në gjuhën arabe është emër mashkullor në numrin shumës, simbolizonin vëllezërit. 3. Një aspekt i rëndësishëm në shpjegimin e ëndrrës është edhe fakti që rënia në sexhde tregon nderim e respekt të madh për atë që i kushtohet. Nga ky detaj kuptohet se Jusufi ishte i nderuar dhe i respektuar nga prindërit dhe vëllezërit e tij, për shkak të diturisë, virtyteve dhe vlerave që kishte. Prandaj edhe pas tregimit të ëndrrës, Jakubi tha: "Kështu, Zoti yt të ka zgjedhur ty që të të mësojë shpjegimin e ëndrrave. Ai do ta plotësojë mirësinë e Vet ndaj teje dhe ndaj familjes së Jakubit, sikurse bëri më parë ndaj etërve të tu, Ibrahimit dhe Is’hakut. Zoti yt është i Gjithëditur dhe i Urtë.”” 4. Le të shohim pak aspektet e rëndësishme të ëndrrës së dy djemve të burgut. I pari pa se po shtrydhte fruta për pije. Zakonisht, këtë gjë bën shërbëtori për zotërinë e vet. Kjo i dha Jusufit (a.s.) të kuptonte se si do të përfundonte çështja. Duke qenë se ai do ta bënte këtë për zotërinë e tij, nevojitej që ai së pari të nxirrej nga burgu. Tjetri pa në ëndërr se mbi kokën e tij mbante një bukë, nga e cila hanin disa shpendë. Në fakt, ‘buka’ ishte lëkura, mishi, sytë, truri etj., ushqimi i zogjve grabitqarë. Kjo tregonte se ai njeri do të vritej dhe pastaj do të lihej i shfaqur për shpendët, domethënë nuk do të varrosej pas vdekjes. 5. Rasti i tretë ishte ëndrra e Mbretit. Së pari, ai që pa ëndrrën ishte mbret, dhe dihet se lumturia e popullit është e lidhur ngushtë me çështjen e Mbretit. Nëse është e mirë gjendja e tij, do të thotë se do të jetë e mirë edhe gjendja e popullit. Kështu, ajo ëndërr kishte të bënte me të ardhmen dhe lumturinë e popullit. Nga ana tjetër, mirëqenia e popullit lidhet ngushtë me prodhimtarinë e atij vendi. Sa më të begatshme të jenë prodhimet, aq më e mirë është gjendja e popullit. Sa më të pakta prodhimet, aq më e dobët dhe e varfër është gjendja e popullit. Lopët përdoreshin për punimin dhe vaditjen e tokës. Nëse prodhimet e tokës janë të mira, lopët janë të shëndosha e, në të kundërt, ato janë të dobëta. Po kështu, kallinjtë e gjelbër plot fara tregojnë për një vit të mbarë, ndërsa të tharët tregojnë për një vit varfërie. Të gjitha këto të dhëna sollën atë shpjegim të hollësishëm dhe të saktë. 6. Mësim tjetër është se kjo histori është një tregues i mrekullueshëm për vërtetë sinë e profetësisë së Muhamedit . Ai e tregoi këtë histori në mënyrë të detajuar, ndërkohë që nuk kishte lexuar në librat e mëparshëm dhe nuk kishte studiuar për diçka tillë. Popul li i tij e kishte parë Profetin mëngjes e mbrëmje në mesin e tyre, dhe ishin të vetëdijshëm që ai nuk dinte shkrim e lexim. Megjithatë, Profeti ﷺe solli këtë histori kaq të gjatë, me detajet më të imëta, në harmoni të çuditshme me shpalljet e mëparshme. E si mund ta bënte ai diçka të tillë, kur nuk ishte mes tyre, sikurse thotë i Madhëruari: “Këto janë nga ato ngjarje të panjohura, që Ne po t’i shpallim ty. Ti nuk ishe pranë tyre kur ata vendosën për çështjen e tyre dhe kur thurën intrigat e tyre.” 7. Është detyrë largimi nga të gjitha rrugët që të çojnë në ligësi dhe fshehja e çdo gjëje që i frikësohesh se të dëmton nëse e nxjerr haptaz. Kështu e porositi Jakubi (a.s.) birin e tij të dashur: “Ai (babai) tha: “O biri im (i dashur)! Mos ua trego ëndrrën vëllezërve të tu, se ndoshta të bëjnë ndonjë dredhi. Shejtani është, vërtet armik i betuar për njeriun.” 8. Përkufizimi i përgojimit është: “Të thuash për një person diçka që ai nuk e pëlqen po ta dëgjojë.” Kjo, nëse ai vërtet e ka atë gjë që po ia përmend. Nëse nuk e ka, atëherë kjo quhet shpifje, që është gjynah edhe më i rëndë. Sidoqoftë, edhe përgojimi është gabim shumë i rëndë. Megjithatë, është e lejueshme që të thuash për dikë diçka që ai e urren, në rast se ke për qëllim këshillimin e një personi tjetër për t’u ruajtur nga e keqja e të parit. Kjo përftohet nga ajeti i sipërcituar, ku Jakubi (a.s.) këshillon dhe porosit Jusufin që të ruhet nga dredhitë e vëllezërve të tij. 9. Mirësitë e Allahut të Madhëruar mbi një person konsiderohen të tilla edhe për familjen dhe miqtë e tij. Madje, edhe ata mund të përfshihen në mirësinë e Allahut, për shkak të gradës së tij. Këtë e konstatoi edhe Jakubi (a.s.), kur tha: “Kështu, Zoti yt të ka zgjedhur ty që të të mësojë shpjegimin e ëndrrave. Ai do ta plotësojë mirësinë e Vet ndaj teje dhe ndaj familjes së Jakubit, sikurse bëri më parë ndaj etërve të tu, Ibrahimit dhe Is’hakut. Zoti yt është i Gjithëditur dhe i Urtë.”. Dhe vërtet, kur i Madhërishmi e plotësoi mirësinë e Vet ndaj Jusufit, edhe për familjen e farefisin e tij zbriti begatia, lumturia, gëzimi dhe krenaria. E kjo ndodhi për shkak të Jusufit. 10. Mbajtja e drejtësisë është një detyrë e domosdoshme në të gjitha çështjet e jetës, qoftë në marrëdhëniet e pushtetarit me ata që ka nën vete, qoftë në të gjitha rastet e tjera. Edhe prindi duhet të jetë i drejtë me fëmijët e tij, në drejtim të dashurisë dhe trajtimit të tyre. Çdo cenim në këto aspekte sjell probleme të rënda. Kur Jakubi shfaqi një preferencë më të madhe për Jusufin kundrejt fëmijëve të tjerë, atëherë ndodhën gjithë ato që ndodhën. Të gjitha erdhën si pasojë e reagimit të vëllezërve për dashurinë më të spikatur të babait të tyre për Jusufin. 11. Është detyrë përkujdesja e madhe për t’u ruajtur nga pasojat dhe fatkeqësitë që sjellin gjynahet. Asnjëherë të mos harrojmë se kryerja e një gjynahu sjell me vete edhe shumë gjynahe të tjera, madje shpesh të detyron të biesh në to. Kështu, edhe vëllezërit e Jusufit, kur vendosën për të ndarë atin nga i biri, filluan të thurnin lloj - lloj planesh dhe intrigash për ta realizuar atë qëllim. Pra të gjitha ishin gjynahe të njëpasnjëshme. Atyre iu desh të gënjenin disa herë, derisa sollën edhe këmishën e Jusufit me gjak të rrejshëm. Ata u shtirën kur shkuan në mbrëmje tek i ati duke qarë. Të mos harrojmë, gjithashtu, se gjatë kësaj kohe, për shkak të këtij mashtrimi, njerëzit u lodhën një kohë të gjatë duke kërkuar për Jusufin. Jo vetëm kaq, por edhe pas ngjarjes, sa herë që flitej për Jusufin, atyre u duhej të përsërisnin trillime për të mbuluar realitetin. I tillë është gjynahu: ligësi, që prodhon veçse ligësi pandërprerë, prandaj duhet të ruhesh prej tij që në momentin e parë, për të shpëtuar nga pasojat e tjera më të këqija. 12. E rëndësishme për njeriun është përfundimi i mirë, dhe jo fillimi i keq. Bijtë e Jakubit gabuan në fillim, gjë kjo shumë e qortueshme për nivelin e tyre. Por më pas u penduan sinqerisht, duke marrë edhe falje të plotë nga Jusufi dhe babai, përveç lutjes për falje dhe mëshirë nga Zoti i Madhëruar. Pa dyshim, nëse njeriu arrin të falë për hakun e tij, atëherë dihet se Allahu i Madhëruar është më i Mëshirshmi i mëshiruesve. Për këtë arsye, mendimi më i saktë i dijetarëve është se edhe ata ishin profetë. Këtë e përforcon fjala e Allahut të Madhëruar në suren Bekare, kur flet për ‘ esbat-ët’, dhe dihet që “ el esbat ” ishin 12 djemtë e Jakubut (a.s.) dhe pasardhësit e tyre. Gjithashtu, diçka tregon edhe ëndrra e Jusufit, ku ata u shfaqën si yje të shndritshme. Yjet japin ndriçim dhe udhëzim, cilësi këto që i kanë profetët. Por edhe nëse nuk ishin profetë, ata ishin dijetarë, edukatorë dhe udhëzues në rrugën e drejtë. 13. Mirësitë e Allahut ndaj Jusufit ishin të shumta. Allahu e dalloi atë me dituri të thellë dhe butësi, mëshirë dhe falje të madhe. Ai e krijoi me një bukuri fizike të jashtëzakonshme, por i dhuroi edhe bukuri shpirtërore, duke e bërë me moral të lartë. Jusufi ishte një ftues i dashur dhe i përkushtuar i njerëzve në besimin e pastër në një Zot të vetëm dhe në të jetuarit sipas ligjit dhe fesë së Tij. Ishte ai që nxitoi t’u shprehte faljen e tij vëllezërve gabimtarë, ende pa ia kërkuar ata. Ajo ishte një falje e plotë, që kurrë nuk do t’ua përmendte më vonë dhe as do t’i qorto nte më. Jusufi ishte një bamirës i pashoq për prindërit, vëllezërit, fisin e tij dhe për njerëzit e tjerë. 14. Gjynahet dhe ligësitë nuk janë të gjitha të një grade. Disa janë më të lehta se disa të tjera. Pa dyshim, në një situatë përzgjedhjeje, gjynahu më i vogël dhe më pak i dëmshëm zgjidhet para atij që është më i rëndë. Kështu, kur vëllezërit e Jusufit ranë dakord që ose ta vrisnin, ose ta çonin në ndonjë vend të largët, njëri prej tyre tha: “Mos e vrisni Jusufin por, nëse doni të bëni diçka me të, hidheni në pus, që ta gjejë e ta marrë ndonjë karvan udhëtarësh.”. Sigurisht që ky vendim ishte më i lehti dhe më i miri mes të tjerëve. Kjo përzgjedhje i shpëtoi vëllezërit nga gjynahu i madh, vrasja. 15. Nëse diçka kalon nëpër duar të ndryshme, si një mall tregtie, dhe nuk ka ndonjë informacion të sigurt se është fituar jo në mënyrë të rregullt, nuk ka gjynah për atë që e ble atë pasuri, e tregton apo e shfrytëzon me mënyra të lejueshme. Vëllezërit e shitën Jusufin padrejtësisht, me një akt të padrejtë shitjeje. Pastaj karvani e shiti përsëri atë në Egjipt, ku qëndroi si shërbëtor tek zotëria i tij. Jusufi qëndroi e shërbeu tek zotëria i tij, i cili e trajtoi shumë mirë. Kështu, Allahu i Lartësuar e quajti këtë si një akt shitblerje të saktë, edhe pse fillimisht ishte i paligjshëm, por karvani dhe zotëria në Egjipt nuk dinin gjë për zanafillën e çështjes. 16. Këto ajete janë këshillë e fortë për të qenë shumë të kujdesshëm që të mos veçohemi me gjininë tjetër, sepse kjo mund të çojë në tundime shkatërruese. Gjithashtu, të ruajmë veten dhe ta frenojmë atë nga çdo lidhje dhe dashuri e dëmshme dhe e palejueshme. Gruas së Ministrit i ndodhi ajo sprovë, për shkak se ajo u veçua me Jusufin dhe ushqeu për të një dashuri të palejueshme dhe të dëmshme, si një grua e martuar qe ishte. Kështu, nën trysninë e vazhdueshme të kësaj sprove, ajo nuk reshti së ushqyeri këtë tërheqje të gabuar, derisa filloi ta tundonte Jusufin kundër dëshirës së tij. Pastaj e gjendur nën trysninë e turpit dhe gabimit të zbuluar, gënjeu kundër tij, gjë që solli burgimin e padrejtë të Jusufit. Të tilla janë ndikimet e përzierjes dhe veçimit të palejuar mes gjinive. 17. Animi që Jusufi pati drejt asaj gruaje, që pastaj e la për hir të Allahut, është nga ato vepra të mrekullueshme, me të cilat robi afrohet dhe ngrihet lart tek Allahu i Madhëruar. Animi drejt gjynahut është sprovë e provokuar nga nefsi, që është nxitës për ligësi e shfrenim. Madje, kjo është e natyrshme për shumicën e njerëzve. Por kur ky njeri i zgjedhur i vendosi përballë njëra tjetrës dy tërheqjet, diti të bëjë zgjedhjen e duhur. Ai i dha përparësi dashurisë për Allahun dhe frikërespektit për Të, kundrejt shfrenimit dhe plotësimit të dëshirave te pakontrolluara dhe të ndaluara nga Zoti. Kështu, Jusufi u bë nga ata për të cilët Allahu i Madhëruar thotë: "E për atë që i është druajtur daljes para Zotit të vet dhe e ka ndaluar veten prej lakmisë, Xheneti do të jetë vendi i tij.". Ai u bë, gjithashtu, njëri prej atyre shtatë kategorive që do të jenë nën hijen e Arshit të Allahut atë ditë kur nuk do të ketë hije tjetër veç hijes së Tij. Njëri prej tyre është një djalosh i ri, të cilin e ka ftuar për imoralitet një grua me autoritet dhe e bukur, por ai i thotë: "Unë i frikësohem Allahut". Ndërsa tërheqja e qortueshme është ajo që zgjat dhe njeriu ndien qetësi me të, e cila pastaj kthehet në dëshirë të fortë, që ndoshta kthehet edhe në vepër. 18. Atë që ka në zemër besim të rrënjosur thellë dhe tregohet i sinqertë me Allahun në të gjitha çështjet, Allahu i Madhëruar ka për ta ruajtur atë përmes dritës së imanit të tij dhe pastërtisë së sinqeritetit të tij. Ai do të jetë i ruajtur nga ligësitë dhe poshtërsitë dhe nga çdo rrugë që bëhet shkak për devijim e gabim. Ky është një nga shpërblimet e mrekullueshme të imanit dhe sinqeritetit me Zotin. Prandaj dhe Allahu i Madhëruar thotë: "Ajo e dëshiroi fort atë, aq sa edhe ai do ta kishte lakmuar atë, sikur të mos shihte provën e Zotit të vet. Kështu, Ne vendosëm që të largonim prej tij të keqen dhe poshtërsinë. Vërtet, ai ishte nga robërit Tanë të sinqertë." Duke qenë se Jusufi e mbajti të pastër sinqeritetin me Allahun, Allahu e ruajti atë nga rënia në gjynah dhe poshtërsi. 19. Njeriu duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe i vëmendshëm kur përballet me një situatë të ngarkuar me provokime për të rënë në gjynah. Në të tilla raste, ai e ka për detyrë që menjëherë të largohet. Vetëm kështu mund të ruhet nga gjynahet dhe kurthi i tyre. Kur gruaja e Ministrit ftoi Jusufin për poshtërsi në atë ambient të ngarkuar me faktorë joshës, ai nxitoi të largohej, duke shprehur dobësinë për t’u përballur me atë fitne dhe për të qenë sa më i ruajtur prej saj. 20. Për të vërtetuar saktësinë apo pasaktësinë e pretendimeve, lejohet të merren në konsideratë shenjat dhe provat logjike të çështjes, nëse nuk ka fakte të qarta. Kështu, në çështjen e Jusufit, gjykatësi, që ishte nga familja e gruas, u mbështet në prova logjike ( karain). Ai gjykoi se Jusufi thoshte të vërtetën, ndërsa gruaja ishte fajtore, duke marrë si provë këmishën e Jusufit, e cila ishte grisur nga pas dhe jo nga para, sikurse mund t’i ndodhte një përdhunuesi. Ai gjykoi se ishte ajo që e kishte dëshiruar Jusufin dhe ndjekur atë deri te porta, duke i grisur dhe këmishën nga prapa, pas rezistencës së tij. Bashkëshorti, por dhe familja e saj, e pranuan këtë gjykim si të drejtë. Madje, ai i kërkoi gruas të kërkonte falje e të pendohej për gabimin dhe kurthin e saj. Edhe Allahu i Lartësuar e solli këtë histori, duke e miratuar gjykimin në fjalë. Për këto arsye, lejohet marrja e këtij gjykimi si precedent dhe pranimi i tij si i drejtë. Po kështu, merret në konsideratë edhe gjykimi i fizionomistëve, në mungesë të provave dhe mundësive të tjera të gjykimit. 21. Për lejueshmërinë e marrjes për bazë të provave logjike tregojnë edhe raste të tjera. Për shembull, po në historinë e Jusufit, gjetja e tasit të Mbretit në barrën e Beniaminit, u konsiderua si e mjaftueshme për të gjykuar, pa qenë e nevojshme të sillej ndonjë dëshmi, fakt apo të pranohej krimi. Kështu, në raste të tjera, nëse sendi i vjedhur gjendet në dorë të një personi, sidomos nëse njihet për hajdut, kjo do të mjaftonte për të gjykuar për vjedhje. Kapja në flagrancë është më e fortë sesa dëshmia. 22. Po kështu, nëse një burrë gjendet duke vjellë pije dehëse, sigurisht që mbi të zbatohet dënimi për konsumimin e pijeve dehëse, nëse nuk ka ndonjë faktor tjetër ligjor që pengon nga një gjykim i tillë. Po ta vëresh me kujdes, Allahu i Madhëruar e ka quajtur ‘ shahid’ (dëshmitar) atë që gjykoi për pastërtinë e Jusufit, a thua se ai e pa me sy atë që ndodhi. Përfundimisht, gjykimi përmes shenjave dhe provave logjike konsiderohet pothuajse si një dëshmi, prandaj merret për bazë. 63 23. Në këtë sure del qartë bukuria e rrallë dhe e pashembullt e Jusufit. Bukuria e tij ishte e jashtme dhe e brendshme. Për bukurinë e jashtme mjafton të kujtojmë ndikimin aq të fuqishëm të tij në zemrën e gruas së Ministrit, por edhe të grave të qytetit, të cilat, pasi e panë, prenë duart e tyre pa e ndier fare, dhe thanë: “Allahut i qofshim falë! Ky nuk është njeri. Ky duhet të jetë ndonjë melek fisnik.”. Ndërsa për bukurinë morale dhe shpirtërore të Jusufit, mjafton të shohim ndershmërinë dhe dëlirësinë e tij përballë sprovës në kushtet me të pabesueshme. Kjo duket qartë në dëshminë e vetë gruas së Ministrit, kur tha: “Unë u përpoqa ta tundoja atë, po ai u përmbajt fort." Madje edhe më pas, në dëshminë para Mbretit, ajo tha: “Tani do të dalë në shesh e vërteta! Isha unë ajo që ngulmova ta tundoj atë, kundër dëshirës së tij. Ai është vërtet njeri i drejtë!”. Ndërsa gratë e qytetit, duke dëshmuar për Jusufin, thanë: “Zoti na ruajt! Nuk dimë që ai të ketë bërë ndonjë të keqe.”. 24. Jusufi preferoi burgun kundrejt poshtërsisë dhe gjynahut. I tillë duhet të jetë besimtari kur sprovohet për të zgjedhur mes dy gjërave: ose zhytje në gjynahe, ose ndëshkim të dynjasë. Ai duhet të zgjedhë durimin e ndëshkimit të përkohshëm dhe kurrë poshtërsinë, e cila sjell ndëshkimin e ashpër të dynjasë dhe të ahiretit. Prandaj ndër shenjat më të spikatura të imanit është edhe që njeriu të urrejë të kthehet në mosbesim pasi Allahu e ka shpëtuar prej tij, ashtu sikurse e urren të hidhet në zjarr. 25. Besimtari duhet t’i drejtohet dhe mbështetet tërësisht Allahut dhe të këkojë strehim vetëm tek Ai, në momentet e përballjes me fitnet. Ai nuk duhet të ketë shpresë te forcat dhe aftësitë e veta, por t’i dorëzohet tërësisht Allahut, duke i kërkuar forcë e shpëtim veçse Atij. Mendo me kujdes në fjalën e Jusufit: "Nëse Ti nuk e largon kurthin e tyre prej meje, unë mund të prirem drejt tyre e të hyj në rradhën e të paditurve”. 26. Dituria dhe urtësia e udhëzojnë njeriun drejt mirësisë dhe e ndalojnë nga ligësia. E kundërta ndodh me injorancën dhe shfrenimin. Ato e nxisin njeriun në përmbushjen e epshit dhe dëshirave, edhe pse mund të jenë shkatërruese për të. 27. Njeriu, ashtu sikurse e ka detyrë adhurimin e Allahut të Madhëruar në kohë begatie e mirësie, po ashtu e ka detyrë që ta adhurojë Atë në kohë vështirësie dhe sprove. Jusufi vazhdoi të jetë një ftues në rrugën e Zotit si jashtë burgut, ashtu edhe pasi hyri në burg. Ai i ftoi dy djemtë në burg në teuhidin e pastër dhe nënshtrimin ndaj një Zoti të vetëm. Nga ana tjetër, ai i ndaloi ata nga idhujtaria e çdo forme. Me zgjuarsinë dhe urtësinë e tij, kur vërejti se ata e respektonin dhe e shihnin si një njeri të mirë, Jusufi e përdori për mirë këtë situatë, duke i ftuar ata në adhurimin e Allahut të Lartësuar. Ata i kërkuan që të interpretonte ëndrrat e tyre, duke bërë të kuptohej se ia dëgjonin fjalën. Atëherë, Jusufi e shfrytëzoi për mirë këtë rast, prandaj para se t’u shpjegonte ëndrrat, i ftoi me butësi dhe urtësi në adhurimin e Allahut të Lartësuar si Një të vetëm. Ai zgjodhi mënyrën më të mirë, që ftesa e tij të ishte sa më dobiprurëse dhe e pranueshme. Fillimisht, Jusufi (a.s.) u sqaroi se dituria dhe aftësia e madhe që kishte, për të cilat ata e respektonin, kishte një shkak dhe ai ishte besimi i pastër e i saktë tek Allahu i vetëm, ishte distancimi nga adhurimet dhe besimet e devijuara të njerëzve, të cilët nuk e besojnë siç duhet Allahun dhe nuk besojnë në Ditën e Ringjalljes dhe Llogarisë së drejtë para Allahut. Kjo thirrje u bë përmes veprave dhe gjendjes së tij. Pastaj Jusufi (a.s.) i ftoi ata edhe me fjalë, duke u qartësuar atyrë teuhidin dhe argumentet rreth tij. 28. Është detyrë që në një çështje të fillohet me atë që është më e rëndësishme, pastaj me të tjerat poshtë saj. Kështu, nëse një myfti pyetet nga dikush për një çështje të caktuar, ndërkohë që ai ka nevojë për një çështje tjetër shumë më të rendësishme, urtësia e kërkon që myftiu të fillojë me më të rëndësishmen dhe pastaj me çështjen që pyetet. Kjo mënyrë është treguese e urtësisë, zgjuarsisë dhe dashamirësisë së dijetarit me atë që pyet. Kur Jusufi u pyet nga dy djemtë e burgut rreth shpjegimit të ëndrrës, ai nuk nxitoi t’u përgjigjej menjëherë, por me dashamirësi, mëshirë dhe ngrohtësi, u mësoi atë që ishte shumë më e dobishme për ta: teuhidin e pastër dhe përkushtimin ndaj Allahut të Madhëruar në adhurim, si Një dhe i vetëm. 29. Ai që ndodhet në vështirësi nuk bën gabim nëse kërkon ndihmë nga dikush që e ka mundësinë për ta ndihmuar vetë ose për të njoftuar të tjerët rreth gjendjes së tij. Kjo nuk konsiderohet si ankesë tek krijesat. Është e vërtetë që të gjitha ankesat ne ia parashtrojmë Allahut të Madhëruar, por në disa çështje është e natyrshme dhe e zakonshme që njerëzit të ndihmojnë njëri - tjetrin. Prandaj edhe Jusufi (a.s.) i tha djalit që mendonte se do të shpëtonte: “Më kujto te zotëria yt!”. 30. Është detyrë shumë e rëndësishme për mësuesin që të jetë tërësisht i sinqertë në mësimin e së mirës, duke mos synuar me të asgjë tjetër veç kënaqësisë së Allahut të Lartësuar. Ai nuk duhet ta shohë mësimdhënien si mjet për të përfituar pasuri, famë e të tjera. Dijetari nuk duhet të heqë dorë nga mësimi dhe përhapja e të mirës nëse dikush nuk përmbush ndonjë kërkesë të tij. Jusufi e porositi djaloshin që shpëtoi nga burgu që ta përmendte tek zotëria i tij, por ai e harroi këtë porosi. Më pas, kur patën nevojë për Jusufin dhe diturinë e tij, njerëzit dërguan tek ai po atë djalosh për t’i kërkuar shpjegim për çështjen e tyre. Megjithatë, Jusufi nuk e qortoi atë dhe as mbajti qëndrim ndaj atij djaloshi për harresën e tij, por iu përgjigj me një përgjigje të plotë për pyetjen e tij. 31. Mësuesi duhet që jo vetëm t’u kthejë përgjigje direkte pyetjeve, por të tregojë edhe mënyrat më të mira të realizimit të tyre, sepse kjo shpreh dashamirësinë dhe urtësinë e tij. Kështu, Jusufi nuk u mjaftua thjesht me shpjegimin e ëndrrës së Mbretit, por i udhëzoi njerëzit se si duhet të vepronin gjatë atyre viteve. 32. Nuk është aspak e qortueshme që njeriu të përpiqet për të larguar akuzat e padrejta nga vetja dhe për të pastruar figurën e tij, madje kjo është diçka e vlerësueshme dhe e mirë. Jusufi nuk pranoi të linte burgun, derisa të dilte në pah pafajësia e tij. 33. Dituria është mirësia më e madhe për njeriun. Dituria rreth ligjit të Zotit dhe gjykimit të Tij, dituria e shpjegimit të ëndrave, dituria e administrimit dhe edukimit, janë nga mirësitë më të mëdha që i jepen njeriut. Dituria është tregues i bukurisë së brendshme të njeriut dhe është shumë herë më e vlefshme se bukuria e jashtme, qoftë edhe kur bëhet fjalë për bukurinë e Jusufit. Për shkak të bukurisë së jashtme, profeti Jusuf u burgos dhe kaloi një mori sprovash të tjera, ndërsa për shkak të diturisë, ai u nderua dhe u ngrit në pozitë të lartë që në këtë botë. Çdo mirësi në këtë dynja vjen për shkak të diturisë dhe fryteve të saj. 34. Dituria e shpjegimit të ëndrrave është pjesë e Sheriatit, prandaj njeriu shpërblehet për studimin dhe përhapjen e saj. Shpjegimi i ëndrrave është në nivelin e dhënies së fetvave, ashtu sikurse e quajti Jusufi kur tha: "Kështu është përcaktuar çështja për të cilën kërkuat shpjegim ( fetva).". Edhe Mbreti, kur kërkoi shpjegimin e ëndrrës, tha: “Më jepni fetva (shpjegim) rreth ëndrrës sime!". Kur iu drejtuan Jusufit për t’u shpjeguar ëndrrën e Mbretit, njerëzit i thanë: “Na jep fetva (shpjegim e përgjigje) rreth shtatë lopëve... .". Siç shihet, në të gjitha këto raste është përdorur termi "fetva". Kjo të thotë që është e ndaluar të flasësh në këtë fushë pa pasur diturinë përkatëse. 35. Nuk është e gabuar që njeriu të shprehë haptazi cilësitë e tij të mira në drejtim të diturisë dhe korrektësisë në punë, nëse kjo ka dobi dhe nëse nuk është për qëllim mburrja e shtirja. Sigurisht, është e palejueshme që njeriu të shtiret si i ditur dhe i aftë, kur nuk është i tillë. Jusufi i tha Mbretit: “Më cakto mua si përgjegjës të depove të vendit! Unë të ofroj besnikërinë dhe diturinë time.”. Gjithashtu, kjo tregon se sipërmarrja e çështjeve është e lejueshme, nëse njeriu merr të gjitha masat për të plotësuar të drejtat dhe përgjegjësitë ndaj Allahut të Madhëruar dhe ndaj njerëzve. Nuk është gabim ta kërkosh postin nëse je më i aftë dhe më i denjë se të tjerët për të. E qortueshme është ta kërkosh atë nëse nuk je i aftë ose kur është dikush tjetër më i aftë se ti, apo kur nuk synon me të plotësimin e urdhrave të Zotit. 36. Bamirësia dhe bujaria e Allahut të Lartësuar është e gjerë dhe e paanë. Ai tregohet bamirës me robërit e Tij duke u dhuruar mirësi të kësaj dynjaje dhe të ahiretit. Përfitimin e mirësive të ahiretit e bëjnë të mundur dy shkaqe: besimi i pastër dhe devotshmëria. Pa dyshim, mirësitë e ahiretit janë shumë më të çmuara sesa të gjitha mirësitë e dynjasë. Njeriu duhet ta ushqejë veten e vet vazhdimisht me mall e dashuri për shpërblimin e Zotit dhe mirësitë që Ai premton. Ai nuk duhet ta lërë vetveten të trishtohet dhe plogështohet kur sheh njerëzit e kësaj bote të vrapojnë të hutuar pas stolive mashtruese dhe të përkohshme të dynjasë. Nëse e sheh se je i pafuqishëm dhe nuk i arrin dot stolitë e kësaj bote, ngushëlloje veten me shpërblimet e pafund të Allahut të Madhëruar në ahiret! Premtimi dhe mirësitë e Allahut të Lartësuar janë madhështore dhe të pakrahasueshme. Kujtoje gjithmonë fjalën e Tij kur thotë: "S’ka dyshim se jeta e ardhshme është shumë më e mirë për ata të cilët ishin të devotshëm. A nuk po logjikoni, atëherë?” 37. Kufizimi dhe shkurtimi i shpenzimeve për të magazinuar dhe ruajtur të mirat materiale, si mënyrë për të bërë ekonomi të dobishme, pa u shkaktuar dëmtime njerëzve, është e lejueshme dhe diçka e mirë. Jusufi urdhëroi për grumbullimin dhe magazinimin e bazës ushqimore gjatë viteve me prodhim të lartë, për t’u gatitur për vitet e vështira dhe me prodhim të pakët. Kjo lloj parapërgatitje nuk bie aspak ndesh me mbështetjen tek Allahu i Lartësuar. Është e vërtetë që besimtari i mbështetet Allahut të Madhëruar dhe vetëm tek Ai i mban shpresat, por kjo bëhet pasi t’i kesh marrë të gjitha masat për të përfituar nga mirësitë e dynjasë dhe të ahiretit. Të pretendosh se i mbështetesh Zotit pa i përmbushur detyrimet dhe pa përkushtim, është diçka e gabuar. 38. Në këtë sure del në pah aftësia e mrekullueshme e Jusufit për të administruar drejt dhe me mençuri ekonominë dhe pasurinë e vendit. Prej këtij menaxhimi të mirë u shtuan pasuritë e mbretërisë aq shumë, saqë njerëzia filluan të shkonin në Misir nga të katër anët, për të marrë furnizime e ndihma ushqimore. Si pjesë e menaxhimit të drejtë të kësaj pasurie ishte edhe fakti që Jusufi nuk i jepte askujt prej të ardhurve më shumë sesa barra e një deveje. 39. Mikpritja është një virtyt i mrekullueshëm dhe traditë e të gjithë profetëve të Zotit. Nderimi dhe respekti i mikut është vepër shumë e shpërblyeshme. I tillë ishte edhe Jusufi. Ai u tha vëllezërve: “A nuk e shikoni se unë jua jap ngarkesën të plotë dhe ju pres mirë?”. 40. Mendimi i keq për dikë, i bazuar në shenja dhe fakte reale, nuk është diçka e ndaluar dhe as e padrejtë. Kështu, kur djemtë i kërkuan që ta lejonte Beniaminin të shkonte me ta, Jakubi u tha: “A t’jua besoj juve (Beniaminin), sikurse bëra më parë me vëllain e tij (Jusufin)?!” Gjithashtu, kur ata nuk ia kthyen Jusufin në mbrëmje, pasi i kishin kërkuar me këmbëngulje në fillim që ta lejonte të shkonte me ta, u tha: “Jo. Nuk është kështu, por ju keni sajuar diçka mes jush. ". Në rastin e fundit, ai nuk bëri aspak padrejtësi, edhe pse ata nuk ishin fajtorë, por shkaku ishin ndodhitë e mëparshme. 41. Jakubi i këshilloi djemtë e tij duke u thënë: “Ai tha: “O bijtë e mi! Mos hyni atje nga e njëjta portë, por nga porta të ndryshme. Por (me këshillën time), unë nuk mund të shmang prej jush asgjë prej caktimit të Allahut. I gjithë pushteti i përket vetëm Allahut. Unë vetëm Atij i mbështetem dhe vetëm Atij le t’i mbështeten besimtarët.” Kjo tregon se marrja e masave mbrojtëse dhe ndjekja e rrugëve të lejuara që të ruajnë nga smira dhe mësyshi apo që të kurojnë dhe shërbejnë për t’u shëruar nga ato, lejohen dhe nuk bien ndesh me besimin në kaderin e Zotit të Lartësuar. Çdo gjë ndodh veçse me caktimin e Zotit, por duhet kuptuar mirë se edhe sebepet janë prej caktimit të Zotit. Prandaj Jakubi i porositi djemtë e tij të ishin të kujdesshëm. 42. Lejohet përdorimi i planeve dhe intrigave për të arritur të drejtat legjitime. Dituria dhe aftësia rreth këtyre rrugëve të fshehta që të çojnë në realizimin e qëllimeve të drejta, janë të lëvdueshme. I ndaluar është përdorimi i intrigave për të kryer harame ose për të mos plotësuar detyrime dhe përgjegjësi të drejta. 43. Dikush që dëshiron t’i shmanget vëzhgimit të të tjerëve dhe kërkon të mbulojë qëllimet e veta nga ata, nuk ka nevojë që të gënjejë, por mund të përdorë atë që quhet " mearid" - domethënë, lojë fjalësh dhe veprimesh që të japin të kuptosh dika tjetër nga ajo që ke për qëllim. Kjo mënyrë e zgjuar e ruan besimtarin nga gënjeshtra dhe e shpëton nga situata vërtet të ngushta, pa rënë në gjynahun e gënjeshtrës. Kështu veproi Jusufi kur vendosi kupën në ngarkesën e të vëllait, duke dhënë të kuptohej se ai ishte vjedhës. Ai kurrsesi nuk e tha shprehimisht se Beniamini ishte vjedhës, por kjo kuptohej nga gjetja e sendit të vjedhur në kafshën e tij. Madje, edhe në të shprehur ai u tregua shumë i kujdesshëm, kur tha: “Allahu na ruajtë! E si të marrim dikë tjetër dhe jo atë tek i cili u gjet sendi ynë?! Ne atëherë do të bënim padrejtësi.” Pra, Jusufi nuk tha: "...atë që vodhi sendin tonë". Gjithashtu, ai nuk tha: "Ne e gjetëm sendin e vjedhur në ngarkesën e tij", por përdori fjalë të përgjithshme, që përfshinin rastin e të vëllait dhe të të tjerëve. Kjo është një mënyrë e zgjuar për të arritur në një qëllim të lejuar. Aty po supozohej se kishin të bënin me një vjedhës, për të arritur që Beniamini të qëndronte tek Jusufi (a.s.) . Ky supozim u hoq menjëherë nga Beniamini menjëherë pasi Jusufi ia shpjegoi atij situatën, dhe kështu ai u qetësua. 44. Njeriut i lejohet të dëshmojë për diçka veç nëse ka dije të sigurt për të, ose ka qenë vetë dëshmitar, ose përmes lajmit të dikujt që është i besueshëm. Prandaj edhe vëllezërit e Jusufit thanë: "Ne dëshmojmë vetëm për atë që dimë. " 45. Kjo sure na tregon imtësisht sprovën e madhe që Allahu i Madhëruar bëri për të dashurin d he të zgjedhurin e Tij, Jakubin . Me urtësinë e Tij të pakufishme Allahu i Madhëruar përcaktoi që Jakubi të ndahej nga djali i tij i dashur, për të cilin ai nuk mund të duronte asnjë çast të shkurtër pa e parë dhe pasur pranë vetes. Kjo ndarje do të ishte shumë e gjatë, jo më pak se 15 vjet. Gjatë gjithë kësaj kohe, trishtimi dhe dhimbja nuk iu ndanë për asnjë çast, aq sa më në fund iu zbardhën sytë e u verbua nga trishtimi dhe dhimbja e madhe. Dhimbja u bë edhe më e madhe kur Jakubi u nda edhe nga djali tjetër, Beniamini. Me gjithë këtë dhimbje, ai përsëri bënte durim dhe llogariste shpërblimin e Allahut të Madhëruar. Ai ia vuri detyrë vetes që të bënte një durim të mirë dhe, pa dyshim, që e plotësoi këtë premtim në formën më të mirë. Është e vërtetë që Jakubi tha: “Unë hidhërimin tim ia parashtroj vetëm Allahut. Unë di për Allahun atë që nuk e dini ju.”. Por ankesa dhe paraqitja e hidhërimit tek Allahu i Madhëruar nuk bie ndesh me durimin. Ajo që bie ndesh është ankesa drejtuar krijesave. 46. Çlirimi vjen pas vështirësive dhe dëshpërimit. Dhimbja e Jakubit zgjati vërtet shumë, deri në skaj. Më pas, të gjithë familjen e tij e përfshinë vështirësitë dhe vuajtjet, por pikërisht në këtë kohë Allahu i Madhëruar zbriti lehtësimin dhe çlirimin. E gjithë familja u bashkua pikërisht në kohët më të vështira dhe më të nevojshme për bashkimin, duke u plotësuar në këtë mënyrë shpërblimi i vepërmirëve dhe pastrimi nga gjynahet i të penduarve sinqerisht. Nga kjo kuptohet se Allahu i Madhëruar i sprovon të dashurit e Tij me kohë vështirësie dhe begatie, në kohë ngushtie dhe lehtësie, duke nxjerrë në pah durimin dhe mirënjohjen e tyre. Kështu u shtohet e u forcohet atyre imani, siguria dhe dituria rreth Zotit. 47. Lejohet që njeriu të tregojë ose të shprehë sëmundjen, varfërinë apo çështje të ngjashme, por jo me tone ankese apo me shprehje zemërimi ndaj caktimit të Allahut të Madhëruar. Vëllezërit e Jusufit thanë: “O zotëri! Ne dhe familjen tonë na ka goditur skamje e rëndë, prandaj kemi ardhur me pak mall (për shkëmbim) . Na e jep të plotë ngarkesën dhe na dhuro diçka më shumë! Allahu i shpërblen ata që dhurojnë”. 48. Dobia e madhe e devotshmërisë dhe durimit. Çdo mirësi e dynjasë dhe e ahiretit është rrjedhojë e devotshmërisë dhe durimit. Përfundimi i të devotshmëve durimtarë është përfundimi më i bukur dhe i mirë. Allahu i Madhëruar vendosi në gojën e Jusufit këto fjalë: "Allahu na dhuroi mirësi. Me të vërtetë, ai që e ka frikë Allahun dhe bën durim, të jetë i sigurt se Allahu kurrë nuk ua humb shpërblimin punëmirëve.”. Çdokush që Allahu i Madhëruar e ka nderuar duke i dhuruar mirësi e çlirim pas vështirësisë, sëmundjes, varfërisë e sprovave, duhet të shprehë mirënjohjen ndaj Tij për këto mirësi. Ai duhet të vazhdojë të kujtojë gjithmonë gjendjen e tij të hershme mes fatkeqësisë dhe vuajtjeve, që kjo të prodhojë mirënjohje sa herë që e kujton. Për këtë tregon edhe fjala e Jusufit kur thotë: "Ai më dhuroi mirësi kur më nxori prej burgut dhe ju solli ju të gjithëve këtu nga shkretëtira, edhe pasi shejtani pati futur përçarje ndërmjet meje dhe vëllezërve të mi. Zoti im është i butë dhe i mëshirshëm me atë që do. Ai është, vërtet i Gjithëdituri dhe i Urti." 49. Kjo sure tregon mirësinë e madhe të Allahut të Madhëruar ndaj Jusufit (a.s.). I Lartësuari u kujdes për të përgjatë gjithë atyre sprovave dhe periudhave të vështira, të cilat vetë i kishte përcaktuar që të binin mbi Jusufin. Qëllimi ishte për ta ngritur atë në gradat më të larta dhe për t’i dhuruar shpërblimet më të mrekullueshme. 50. Besimtari duhet që vazhdimisht të shprehë nevojën dhe varfërinë e tij para Allahut të Madhëruar, për t’i forcuar besimin dhe për t’i dhuruar qëndrueshmëri në rrugën e tij. Por, nga ana tjetër, ai duhet të përpiqet me të gjitha rrugët e caktuara nga Zoti për të bërë çdo vepër që mundëson forcimin e imanit dhe qëndrueshmërinë në besim. 51. Njeriu duhet ta lusë gjithmonë Allahun që t’i mundësojë një mbyllje të mirë, ashtu sikurse tha Jusufi: "Zoti im! Ti më dhurove mua pushtet dhe më mësove komentimin e ëndrrave. O Krijues i qiejve dhe i tokës! Ti je Kujdestari im në dynja e në ahiret. Më bëj të vdes si musliman dhe më bashko me të mirët!”. Këto ishin disa dobitë dhe mësimet e nxjerra nga kjo histori e begatshme, që Allahu i Madhëruar na i lehtësoi dhe mundësoi. Nuk ka dyshim se çdokush që mediton dhe përsiatet thellë në të, ka për të nxjerrë edhe shumë mësime të tjera. E lusim Allahun e Madhëruar të na dhurojë dije të dobishme dhe vepra të sinqerta dhe të pranuara tek Ai! Ai vërtet është Bamirës dhe Bujar! Këtu përfundon edhe surja e Jusufit, të atit dhe vëllezërve të tij, - paqja dhe bekimet e Allahut të Madhëruar qofshin mbi ta! Lavdia e plotë i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve!

Mus'haf Hape →
Nur 24:36–24:38 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… qoftë i kënaqur me të) tregon se, një ditë, pasi Profeti ﷺ e kreu namazin, një burrë u ngrit dhe tha: Mos e ka gjetur ndokush një deve të kuqe?! Profeti …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “(Ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë), që Allahu i lejoi të ngrihen, ... ” - Allahu i madhëruar pasi na solli shembullin e zemrës së besimtarit dhe dritës së udhëzimit dhe diturisë që gjendet në të, si shembulli i atij kandilit brenda një xhami të pastër e të kristaltë, i cili ndizet e jep dritë nga një vaj i kulluar i mirë dhe i bekuar, vijoi të përmendë edhe vendin e adhurimit ku meret ajo dritë dhe udhëzim. Ato janë xhamitë e Allahut, vendet më të dashura të Tij në tokë. Ato janë shtëpitë e Tij, ku Ai adhurohet prej besimtarëve si një i vetëm e i pashoq. I lartësuari tha: “(Ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë), që Allahu i lejoi të ngrihen, ...” pra Allahu i madhëruar urdhëroi e porositi që të kujdesemi për xhamitë e Tij duke i pastruar dhe ruajtur nga çdo papastërti dhe veprim i ulët në to, që bie ndesh me rëndësinë e vlerën e tyre të lartë. Sikurse tregon Alij ibnu Ebi Talhate nga Ibnu Abasi i cili ka thënë: “Ka n daluar Allahu i lavdëruar nga fjalët e kota në xhami.” Po kështu kanë thënë edhe një grup dijetarësh të tefsirit. Në dy sahihët transmetohet se Uthman ibn Afani (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka thënë: 334. “... e kam dëgjuar Profetin ﷺ të thotë: “Atij që ndërton një xhami, - Bukejri (njëri nga transmetuesit) thotë: Më duket se ka thënë: me të cilën e kërkon kënaqësinë e Allahut -, Allahu i ndërton një të tillë në Xhenet.” [Buhariu dhe Muslimi] Nga Aishja transmetohet të ketë thënë: 335. “Profeti i Allahut na urdhëroi të ndërtojmë faltore nëpër shtëpi dhe ti pastrojmë e parfumosim ato.” 105 El buhari sjell një transmetim tea’likan se: “Umeri ka urdhëruar të ndërtohej xhamia dhe ka thënë: Mbuloji njerëzit nga shiu dhe mos përdor ngjyrime të kuqe ose të verdha, se mund të shpërqendrohen.” Enesi ka thënë: “Krenohen me to, e, në anën tjetër, nuk i frekuentojnë, dhe nuk i gjallërojnë (me adhurim), përveçse pak.” Ibn Abasi ka thënë: Do t’i zbukuroni ato (xhamitë) sikurse çifutët dhe të krishterët (faltoret e tyre).” Nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij! - , përcillet se Profeti i Allahut ka thënë: 336. “Nuk ka për të ndodhur kjameti derisa njerëzit të krenohen me xhamitë.” E transmeton Ahmedi dhe autorët e suneneve, përveç Termidhiut. Imam Muslimi transmeton: “Burejde (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se, një ditë, pasi Profeti ﷺ e kreu namazin, një burrë u ngrit dhe tha: Mos e ka gjetur ndokush një deve të kuqe?! Profeti ﷺ i tha: “Mos e gjetsh! Xhamitë janë ndërtuar për tjetër qëllim.” Nga Eb Hurejra, - Allahu qoftë i kënaqur prej tij! , përcillet se Profeti i Allahut ka thënë: 337. “Nëse shihni dikë që shet ose tregëton në xhami, i thoni: “Mos të dhëntë fitim Zoti në tregëtinë tënde!” dhe nëse shihni dikë që njofton për një send që i ka humbur në xhami, i thoni: “Allahu mos ta ktheftë (sendin e humbur)!” Termidhiu dhe tha: Ky është hasenun garib . Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: 338. “Namazi i atij që falet në xhemat është më i vlefshëm se i atij që falet në shtëpi apo në treg, për njëzet e ca shkallë. Kjo, ngase, kur dikush merr abdes mirë dhe shkon në xhami, duke synuar vetëm namazin, për çdo hap që bën ngrihet një gradë dhe i fshihet një gjynah derisa të hyjë në xhami. Kur të hyjë në xhami, llogaritet se është në namaz, përderisa e pret namazin. Melekët bëjnë dua për personin që rri në vendin ku është falur dhe thonë: “O Allah, mëshiroje! O Allah, fale! O Allah, pranoja pendimin!” përderisa nuk e shqetëson askënd dhe nuk e prish abdesin.” 106 Në sunen vjen hadithi: 339. “Përgëzoi ata që ecin nëpër erësira (për të shkuar në xhami) se do të kenë dritë të plotë në ditën e kjametit.” Muslimi përcjell nga Ebu Humejdi apo Ebu Usejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të) që ka thënë: I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: 340. “Kur ndonjëri prej jush hyn në xhami, le të thotë: Allahum-me iftah li ebuâbe rahmetik (O Allah, mi hap mua dyert e Mëshirës Sate). E kur të del le të thotë: Allahum-me ini es’eluke min fadlike (O Allah, unë kërkoj nga Ti, begatitë Tua).” - “... e të përmendet emri i Tij. ” - pra, thotë ibnu Abasi - të këndohe n ajetet (dhe pasohen udhëzimet) e Librit të tij. - “Në to lavdërohet emri i Tij mëngjes e mbrëmje.” - nga ibnu Abasi transmetohet të ketë thënë se Me fjalën “tesbih” (që është përkthyer “Lavdërohet e mri i Tij) në Kuran ka për qëllim faljen e namazit. Nëse ajeti lexohet në këtë mënyrë pra ku folja “Lavdërohet” sillet në formën joveprore, atëherë kënduesi i ajetit qëndron në fjalën e “Mbrëmje”. Dhe pastaj fillon fjali e re: “Ata janë burra që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend, për ta përmendur Allahun, ...” pra kjo fjali vjen si shpjegim e sqarim për të treguar se cilët janë ata që lavdërojnë emrin e Allahut. Pra sikur dikush pyet se cilët janë ata që e lavdërojnë emrin e Tij mëngjes e mbrëmje dhe më pas sillet përgjigja: ““Ata janë burra që ... “ Por nëse këtë ajet e lexojmë: “Në to e lavdërojnë emrin e Tij mëngjes e mbrëmje, ...” ku folja e lavdërojnë vjen në formën veprore, nuk mund të qëndrojmë tek fjala “e mbrëmje”, por duhet të përmendim edhe kryefjalën, e çfarë vjen më pas, në mënyrë që fjalia të jetë e plotë. Pra f jalia do të vazhdonte kështu: “ Në to e lavdërojnë emrin e Tij mëngjes e mbrëmje burra që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend, për ta përmendur Allahun, ...”. Vërej dhe mendo me kujdes në fjalën e tij për ata të zgjedhur kur thotë: “Ata janë burra...” kjo tregon për ambicjet dhe vullnetin e tyre të fortë, për qëllimet e motivet e tyre të larta. Me këto cilësi të larta e merituan që të jenë burra me plot kuptimin e fjalës dhe të jenë shtyllat dhe jetëdhënësit e xhamive të cilat janë shtëpitë e Allahut në tokë dhe vendet e pastra e të zgjedhura të përcaktuara për adhurimin e Tij si një i vetëm, për ti shprehur Atij mirënjohjen e lavdërimin e për ta madhëruar lavdëruar e dëlirësuar nga çdo mangësi dhe trillim i mohuesve. Sikurse ka thënë i lartësuari: “Prej besimtarëve pati burra të tillë që e mbajtën besën e dhënë Allahut. Disa prej tyre e përmbushën premtimin duke dhënë jetën dhe ka të tjerë që janë duke pritur (për ta përmbushur) dhe ata kurrë nuk sprapsen aspak (nga rruga e Allahut).” [Ahzab 23]. Ndërsa për gratë, namazi i tyre në shtëpitë e tyre është më i vlefshëm se sa namazi në xhami. Sikurse transmeton Imam Ahmedi nga Ummu Humejd, gruaja e Ebu Humejd El saidij, e cila shkoi tek Profeti a.s. dhe tha: 1971. “Unë e dëshiroj shumë që të falem (në xhami) me ty. - Ai i tha: E di që ke dëshirë të falesh (në xhami) me mua. Por namazi yt në dhomën tënde është më i mirë se namazi yt në koridorin e shtëpisë tënde, namazi yt në koridorin e shtëpisë tënde është më i mirë se namazi yt në hapësirën e shtëpisë tënde, namazi yt në hapësirën e shtëpisë tënde është më i mirë se namazi yt në xhaminë e fisit tënd, namazi yt në xhaminë e fisit tënd është më i mirë se namazi yt në xhaminë time.” Ajo urdhëroi (njerëzit e saj) dhe i ndërtuan një faltore në pjesën më të futur të shtëpisë së saj dhe, betohem në Allahun! - atje vazhdoi të falet, derisa ndërroi jetë.] 107 Asaj i lejohet që të marrë pjesë në namazet me xhemat në xhami, por me kusht që të mos përbëjë shqetësim për burrat, duke shfaqur zbukurime të saj, ose parfum e gjëra të tjera të ngjashme. Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: 1972. “Mos i ndalni robëreshat e Allahut prej xhamive të Allahut.” [Buhariu dhe Muslimi]. Ndërsa Ahmedi dhe Ebu Daudi shtojnë: 1973. “... por shtëpitë e tyre janë më mirë për to.” Muslimi sjell hadithin nga Abdullah ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili transmeton se Profeti i Allahut ka t hënë: “Nëse gruaja i kërkon burrit të saj leje për të shkuar në xhami, mos ta ndalë .” Abdullah ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Mos i ndaloni gratë prej xhamive kur ju kërkojnë leje për të shkuar në to.” Bilal ibn Abdullahu tha: Vallahi do t'i ndalim! Abdullah ibn Omeri iu kthye dhe e qortoi rëndë, si kurrë më parë, dhe i tha: Unë po të tregoj se çfarë ka thënë i Dërguari i Allahut, e ti po më thua: Vallahi do t'i ndalim!? Muslimi sjell hadithin nga Zejnebja, gruaja e Abdullah it, e cila ka thënë: “I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur ndonjëra prej jush të shkojë në xhami, le të mos parfumoset.” Buhariu tregon se: “Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon: “Gratë besimtare shkonin për ta falur namazin e sabahut me të Dërguarin e Allahut duke qenë të mbështjella me rroba. Pas namazit, kthe-heshin në shtëpitë e tyre e askush nuk mund t'i shquante (cilat ishin) për shkak të errësirës.” Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të), gruaja e Profetit ﷺ ka thënë: 1974. “Po ta shihte i Dërguari i Allahut ﷺ se çfarë bëjnë gratë e sotit, do t'i ndalonte prej xhamive, siç janë ndaluar gratë e benu israilëve. Jahja ibn Seidi ka thënë: E pyeta Amrën: Vallë, gratë e benu israilëve janë ndaluar prej xhamive? - Po, - më tha.”] - “Ata janë burra që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend, për ta përmendur Allahun, për ta falur rregullisht namazin dhe për ta dhënë zekatin.” - Allahu i madhëruar ka thënë: “O ju që keni besuar! As pasuria e as fëmijët tuaj të mos ju shmangin prej kujtimit të Allahut! Ata që veprojnë kështu janë të humbur.” [Munafikun 9], Ose: “ O ju që keni besuar, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhuma, nxitoni (e drejtohuni) për atje, ku përmendet Allahu dhe lëreni shitblerjen! Kjo është shumë më e dobishme për ju, nëse e dini. Pasi të falet namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë dhe kërkoni nga begatitë e Allahut, por përmendeni shpesh Allahun, që të gjeni shpëtim!” [Xhumua 9]. Këta të zgjedhur nuk i preokupon dynjaja me stolitë dhe bukuritë e saj, me joshjen e fitimeve dhe mashtrimeve të saj, nga përmendja e Zotit të tyre, i cili është Krijuesi dhe Ai që kujdeset dhe u jep furnizimin e çdo të mirë të dynjasë dhe të ahiretit. Ata e dinë mirë se ajo për të cilën porosit e urdhëron Allahu i madhëruar dhe në të cilën fton ai, është shumë më e mirë dhe e dobishme për ta se e gjithë kjo dynja. Ja kështu e shohin sepse kjo dynja është e përkohshme dhe shumë shpejt do të përfundojë, ndërsa ajo që është tek Allahu do të mbetet përgjithmonë. Prandaj dhe tha se: “... nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend, për ta përmendur Allahun, për ta falur rregullisht namazin dhe për ta dhënë zekatin.” Pra ata i japin përparësi bindjes ndaj Tij, asaj që Ai e dëshiron prej tyre. Ata synojnë të arrijnë dashurinë e Tij edhe nëse kjo kërkon që të heqin dorë nga dëshirat e tyre për stolitë e kësaj dynjaje. Hushejm ibnu Shejban ka thënë: “Më kanë treguar se njëherë Ibnu Mesudi pa disa prej tregëtarëve në treg të cilët kur u thir ezani për namaz, brofën për të shkuar në namaz dhe i lanë tregëtizat e tyre. Abdullahi tha: “Këta janë prej atyre për të cilët Allahu i lartësuar ka thënë në Librin e Tij: “Ata janë burra që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend, për ta përmendur Allahun, për ta falur rregullisht namazin dhe për ta dhënë ze katin.” Ibnu Abasi shpjegon ajetin e thotë: “... pra për të falur namazin e detyrueshëm.” Ndërsa Mukatil ibnu Hajan shpjegon e thotë: “... pra për të falur namazin në kohën e vet.” - “Ata i frikësohen një Dite kur do të tronditen zemrat dhe sytë. ” - Pra i frikësohen ditës së kjametit kur “... do të tronditen zemrat dhe sytë.” Nga tmerri i madh dhe ato ngjarje të lemerishme. Sikurse thotë i madhëruari: “Paralajmëroji ata për Ditën që afrohet gjithnjë e më shumë, kur zemrat do të vijnë në fyt për t'u zënë frymën. Për keqbërësit nuk ka mik të afërt e as ndërmjetësues që i shkon fjala.” [Gafir 18], ose: “Kurrsesi mos mendo se Allahu është i pakujdesshëm ndaj veprimeve të keqbërësve! Ai vetëm është duke u dhënë afat deri në Ditën, kur sytë të shtangen nga tmerri. Ata janë duke vrapuar me kokat lart, me sytë e tyre të hapur e të papulitur me zemrat e tyre të zbrazëta.” [Ibrahim 42, 43], ose: “Janë ata që, për hir të Tij, prej pasurisë që e duan shumë, u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe robërve. “Ne (thonë të devotshmit) po ju ushqejmë veçse për hir të Allahut dhe nuk kërkojmë prej jush ndonjë shpërblim e as falënderim. Ne i frikësohemi Zotit tonë për atë Ditë, që fytyrat i bën të zymta dhe është e llahtarshme”. Allahu i ka ruajtur ata prej sherrit të asaj dite dhe u ka dhuruar shkëlqim e lumturi në fytyra. Për shkak se ata bëjnë durim, Ai i shpërblen me Xhenet dhe me veshje mëndafshi. Ata do jenë atje, të mbështetur në kolltukë dhe nuk të do ndiejnë as të nxehtë e as të ftohtë. Hijet do t’u bien sipër dhe degët e pemëve (plot fruta) do t’u afrohen pranë. Atyre do t’u shërbehet me enë të argjendta dhe me gota të kristalta, Me gota të tejdukshme prej argjendi, që ata vetë do t’i përcaktojnë si të duan. Do t’u jepen gota me pije të përziera me xhenxhefil, Ai vjen prej një burimi aty, që quhet Selsebil. Mes tyre lëvizin duke shërbyer djelmosha, që do jenë përherë të tillë e që, kur i kundron, duken si margaritarë të shpërndarë. Kur hedh shikimin atje (në xhennet) , sheh begati e pasuri të mëdha, Ata (besimtarët) janë të veshur me mëndafsh të hollë e të gjelbër dhe me mëndafsh të trashë, të stolisur me bylyzykë të argjendtë. Dhe Zoti i tyre u jep të pinë pije të kulluar. (Atyre do t'u thuhet) Ky është shpërblimi për ju, sepse e keni merituar me përpjekjet tuaja.” [Insan 8 - 22]. Ndërsa në këtë ajet Ai tha: - “(Ata luten) që Allahu t’i shpërblejë më së miri për veprat e tyre ...” - Këta janë njerëzit, të cilëve Allahu i madhëruar do t’ua pranojmë veprat në mënyrën më të mirë e do t’ua mbulojë të këqijat. - “... dhe për t’ua shtuar të mirat prej (bujarisë së) Tij.” - pra Ai ua pranon punët e mira të kryera prej tyre dhe ua jep shpërblimin shumëfish, sikurse thotë i lartësuari: “S’ka dyshim se Allahu nuk bën padrejtësi as sa një grimcë. Nëse është vepër e mirë, Ai e shumëfishon atë dhe dhuron shpërblim të madh nga ana e Tij.” [Nisa 40], ose: “Kush bën një të mirë, ai do të shpërblehet dhjetëfish, e kush bën një të keqe, ai do të ndëshkohet vetëm për të. Askujt nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi.” [Enam 160], ose: “Pasuria e atyre që e shpenzojnë atë në rrugë të Allahut përngjan me një farë, prej së cilës mbijnë shtatë kallinj, ku në secilin kalli ka njëqind kokrra. Allahu ia shumëfishon atij që Ai dëshiron. Allahu është Bujar i madh e i Gjithëditur.” [Bekare 261]. Ndërsa në këtë ajet Ai tha: - Allahu i dhuron pa masë atij që do.

Mus'haf Hape →
Bekare 2:142–2:143 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… nëpërmjet së cilës Ai e shtoi edhe më tepër besimin dhe bindjen e tyre. Me mëshirën e Tij, Ai ua ngriti gradat shumë lart, duke i urdhëruar ata që të drejtoheshin për nga Faltorja më e nderuar që ekziston mbi Tokë, e cila është Qabja.

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Këto ajete përmbajnë disa çështje. Në to përmendet një prej mrekullive të Profetit (s.a.u.s.). Ato përmbajnë gjithashtu një ngushëllim, i cili i qetësoi zemrat e besimtarëve. Ajetet tregojnë kundërshtimin e qafirëve ndaj caktimit të Zotit dhe urdhrave të Tij, si edhe përgjigjen ndaj këtij kundërshtimi me tri pika. Në ajete paraqiten cilësitë e atyre që kundërshtojnë ligjet e Zotit, nga njëra anë, si edhe cilësitë e atyre që i pranojnë plotësisht këto ligje, nga ana tjetër. Allahu i Lartësuar në këto ajete flet për një kategori njerëzish, të cilët i quan ‘sufehâ’ -mendjelehtë. Këta mendjelehtë kundërshtojnë dispozitat e shpallura prej Allahut të Lartësuar. Sufehâ quhen ata të cilët nuk dinë të dallojnë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për ta. Madje, ata janë aq të paqëndrueshëm dhe të nxituar, saqë për hir të gjërave më të ulëta, janë gati të shesin të mirat më të mëdha që mund të ketë një njeri. Njerëzit mendjelehtë për të cilët flet ajeti janë çifutët, të krishterët dhe të gjithë ata që kundërshtojnë dispozitat e shpallura nga Zoti. Në rastin konkret, kundërshtimi ishte për shkak të ndryshimit të Kiblës. Gjatë kohës kur jetonin në Mekë, muslimanët ishin të urdhëruar të drejtoheshin për nga Xhamia e Shenjtë në Palestinë, kur ata falnin namazin. Po kështu vazhduan të faleshin edhe pas emigrimit në Medinë, për afro një vit e gjysmë. Në këtë caktim të Tij, Allahu i Lartësuar kishte fshehur mjaft urtësi, disa prej të cilave do të tregohen më poshtë. Një vit e gjysmë pas vajtjes në Medinë, Allahu i Lartësuar, me urtësinë e Tij, i urdhëroi besimtarët që të drejtoheshin për nga Qabja. Allahu i Lartësuar i lajmëroi besimtarët se mendjelehtët patjetër që do ta kundërshtonin urdhrin e Tij, duke thënë: - “Njerëzit mendjelehtë do të thonë: “Çfarë i ktheu ata (muslimanët) prej Kibles së mëparshme ?”” – Pra, cili qe shkaku që muslimanët e ndryshuan Kiblën nga Bejtul Mukadesi, Xhamia e Shenjtë në Palestinë, në drejtim të Qabesë? Çfarë i shtyu ata të bënin këtë ndryshim? Kjo pyetje e tyre shprehte kundërshtim të hapur dhe pakënaqësi ndaj caktimit të Zotit dhe ndaj ligjeve të shpallura prej Tij. Ajo qe një shprehje e poshtër e mosmirënjohjes ndaj dhuratave dhe mirësive të falura prej Allahut Bujar dhe të Urtë. Por Allahu i Madhëruar i qetësoi besimtarët, fillimisht, duke i paralajmëruar ata për fjalët që do të dëgjonin prej mendjelehtëve. Ai u tregoi se të tilla fjalë kundërshtuese buronin veçse prej njerëzve mendjelehtë, të paditur dhe të pafe. Urdhrat e Zotit i kundërshtojnë veçse mendjecekëtit. Kështu, nuk ia vlen që të shqetësohesh për hir të këtyre mendjelehtëve. Të urtët dhe të diturit nuk duhet të merakosen për fjalët e atyre, sepse është shumë e qartë se nga vijnë ato. Ky ajet tregon, pra, se urdhrat dhe dispozitat e shpallura prej Allahut i kundërshtojnë veçse ata që janë mendjelehtë, injorantë dhe inatçorë. Ndërsa të diturit, të urtët, të udhëzuarit dhe besimtarët i pranojnë pa mëdyshje këto urdhra dhe dispozita. Ata jo vetëm që i pranojnë, por edhe nënshtrohen plotësisht për zbatimin e tyre. I Lartësuari thotë në suren Ahzabë, ajeti 36: “ Kur Allahu ose i dërguari i Tij kanë vendosur për një çështje, nuk i takon (nuk i lejohet) besimtarit dhe besimtares që të gjejnë ndonjë gjykim tjetër në të. Kush e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, është në rrugë krejt të gabuar.” Dhe thotë në suren Nisa, ajeti 65: “Për Zotin tënd, jo. Ata nuk janë besimtarë, përderisa nuk të zgjedhin ty për të gjykuar në konfliktet mes tyre dhe pastaj të mos ndiejnë kurrfarë pakënaqësie nga gjykimi yt, por të të binden sinqerisht.” Dhe thotë në suren Nur, ajetet 51, 52: “Kur besimtarët ftohen, që ndërmjet tyre të gjykojë Allahu dhe i dërguari i Tij, e vetmja fjalë që thonë, është: “Dëgjuam dhe bindemi.” Ata janë të shpëtuarit. Kush i bindet Allahun dhe të dërguarit të Tij dhe kush ka frikë Allahun dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, - ata do të jenë fitimtarët (që do të arrijnë çdo të mirë). ” Duke i përshkruar ata si “mendjelehtë”, është e panevojshme që t’i jepet ndonjë përgjigje pyetjes së tyre të kotë. Nuk ia vlen që atyre t'u kushtohet vëmendje më shumë se kaq. Megjithatë, edhe në këtë rast, Allahu i Lartësuar nuk do të lejonte që ky dyshim dhe kundërshtim i hedhur prej sufehâ-ve të kalonte pa u sqaruar dhe pa përgjigje. Allahu i Lartësuar e bëri këtë, me qëllim që në zemrat e njerëzve të mos mbetej asnjë lloj paqartësie. Ai thotë: - “Thuaju: “Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi. - Kështu pra, nëse Lindja dhe Perëndimi janë pronë e Allahut, atëherë kjo do të thotë që nuk ka asnjë drejtim tjetër në gjithësi që të mos jetë pronë e Tij. Edhe udhëzimi për të kuptuar të vërtetën është në dorën e Tij. Ai udhëzon në rrugën e drejtë kë dëshiron. Ndryshimi i Kiblës është, gjithashtu, udhëzim i urtë i dhuruar prej Tij, që ju njerëz të faleni drejt Kiblës së babait tuaj, Ibrahimit (a.s.). Atëherë, kur çështja qëndron kështu, përse kundërshtojnë ata? Përse e kundërshtojnë urdhrin për t'u drejtuar në njërin nga kahet që është, gjithsesi, pronë e Allahut të Lartësuar? Vetëm fakti që drejtimi i ri i faljes, sikurse të gjitha drejtimet e tjera, është pronë e Allahut, do të mjaftonte që ai të respektohej pa ngurruar. Atëherë, si duhet të veprohet kur dihet se ai vjen si dhuratë nga Allahu i Lartësuar, si një udhëzim drejt rrugës së lumturisë dhe mirësisë?! Përgjigjja është e qartë. Nënshtrimi duhet të jetë i plotë dhe me kënaqësinë më të madhe. Ata që i kundërshtojnë të tilla urdhra i shtyn veçse zilia kundër besimtarëve, për dhuratat dhe mirësitë që Zoti u jep atyre . - “Ai udhëzon në rrugën e drejtë atë që do”. – Sipas kuptimit të drejtpërdrejtë të ajetit, udhëzimi i njerëzve është i kushtëzuar nga dëshira absolute e Allahut të Urtë dhe të Drejtë për t’i udhëzuar ose jo ata. Ky kuptim është t epër i saktë dhe i pakundërshtueshëm. Me fjalë të tjera, nuk ka dyshim se askush nuk mund ta gjejë udhëzimin e drejtë nëse këtë nuk e dëshiron Allahu i Lartësuar dhe i Drejtë. Por ky fakt nuk i bën të pavlefshme shkaqet njerëzore që bëjnë të meritueshëm udhëzimin ose humbjen, sepse si udhëzimi, ashtu edhe humbja e rrugës së drejtë, kanë shkaqe që i bëjnë të meritueshme ato. Vërtet Allahu i Lartësuar udhëzon atë që Ai dëshiron, por këtë e bën në përputhje të plotë me urtësinë dhe drejtësinë e Tij. Po me urtësinë dhe drejtësinë e Tij, Ai i lë në humbje ata që dëshiron. Nëse robi i zbaton dhe u nënshtrohet shkaqeve që të çojnë në udhëzim, atëherë Allahu i Lartësuar, me urtësinë, dijen dhe drejtësinë e Tij, i jep sukses atij për të ecur në rrugën e udhëzimit. E njëjta gjë vlen edhe për devijimin. Ajetet e Kur’ânit shpjegojnë njëri-tjetrin. Kështu, në një prej tyre thuhet: “Allahu fton për në Shtëpinë e Paqes (Xhenet) dhe udhëzon në rrugë të drejtë atë që Ai dëshiron . Atyre, që bëjnë vepra të mira u takon e mira, madje edhe më shumë. Fytyrat e tyre nuk i mbulon pluhuri i zi e as nënçmimi. Ata janë banorë të Xhenetit. Ata do të jenë atje përjetësisht. Për ata që bënë të këqija, (le ta dinë se) dënimi i të keqes është aq sa e keqja. Ata do t’i mbulojë poshtërimi. Ata nuk mund t’i mbrojë kush nga Allahu. Fytyrat e tyre do të jenë sikur t’i ketë mbuluar një pjesë nga terri i natës. Ata janë banorë të Zjarrit. Ata do të jenë atje përjetësisht.” [Junus 25-27]. Diku tjetër, Allahu thotë: “ Thuaj: “A ka ndonjë prej idhujve tuaj që ta drejtojë ndonjë të humbur tek e Vërteta? Thuaj: “Vetëm Allahu udhëzon për tek e Vërteta. Atëherë, a është më e drejtë të shkohet pas atij që udhëzon për tek e Vërteta, apo pas atij që nuk mund të udhëzojë, vetëm nëse udhëzohet prej dikujt tjetër? Atëherë ç’është me ju, si gjykoni kështu?!” Shumica e tyre pasojnë veçse hamendësime; por hamendësimi nuk është asgjë ndaj së vërtetës. Allahu di gjithçka që ata bëjnë .” [Junus 35 -36]. Allahu thotë gjithashtu: “ Betohem për natën, që me errësirë mbulon gjithësinë, për ditën, kur ajo shkëlqen dhe për Atë që krijoi mashkullin e femrën. Vërtet, veprat tuaja janë të ndryshme. Atij, që jep dhe ruhet, që e beson me bindje të plotë më të mirën, Ne do t'ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit. Atij që tregohet koprrac dhe e ndien veten të panevojë (për Zotin), dhe që mohon më të mirën, Ne do t'ia lehtësojmë atij rrugën drejt dënimit. Pasuria nuk do t’i bëjë dobi, kur ai të shkatërrohet. Është detyra Jonë udhëzimi. Vetëm e Jona është Bota tjetër edhe kjo. ” [Lejl 1 -13]. Në ajetet e mëposhtme, Allahu i Lartësuar tregon shkakun e udhëzimit të këtij umeti (muslimanëve) në gjithçka të mirë dhe të drejtë: - “Dhe kështu, Ne ju bëmë ju një popull të ekuilibruar…” – Kuptimi: Ju bëmë të ekuilibruar, ju mbushëm me mirësi, e kështu ju shpëtuam. Ekstremet janë gjithmonë në rrezik, dhe ky është një fakt. Ndërsa muslimanët Allahu i Lartësuar i ka udhëzuar të gjejnë ekuilibrin e artë në të gjitha çështjet, të fesë apo të jetës qofshin. Kështu për shembull, nëse flasim për qëndrimin ndaj profetëve, ata i qëndrojnë besnikë mesit të artë. Ata nuk e teprojnë në lëvdimin dhe madhërimin e tyre, sikurse bëjnë krishterët, të cilët e konsiderojnë Isain si Zot dhe si bir të Zotit. Por ata as nuk tregohen të padrejtë, duke shpërfillur profetët e duke shkuar në ekstremin tjetër, sikurse vepruan çifutët, të cilët mohuan shumë profetë dhe shumë të tjerë i vranë. Muslimanët i besojnë të gjithë profetët, pa dallim, duke mos lejuar asnjë prishje të ekuilibrit të caktuar nga Zoti i gjithësisë. Ata i besojnë profetët ashtu sikurse janë në të vërtetë: si njerëz, si krijesa, si adhurues të Zotit të tyre, të cilët përçonin mesazhin e Tij ndër njerëz. Edhe ligjet që ata zbatojnë në jetën dhe në fenë e tyre janë të ekuilibruar, sepse ato nuk janë të ashpra dhe të vështira, sikurse janë ato të çifutëve. Por, nga ana tjetër, muslimanët nuk lejohen të kalojnë në ekstrem, duke i shpërfillur këto ligje, sikurse bëjnë krishterët, që pothuajse nuk kanë kufij që t’u përmbahen. Çifutët, sipas ligjit të tyre, lejohen të falen veçse nëpër sinagogat e tyre. Po sipas fesë së tyre, papastërtia në rroba nuk mund të pastrohet me ujë. Atyre iu bënë të ndaluara shumë nga ushqimet e mira, si ndëshkim për poshtërsitë e tyre. Ky është njëri ekstrem. Ndërsa në ekstremin tjetër qëndrojnë të krishterët, të cilët nuk njohin ndonjë gjë si të papastër apo të ndaluar. Ata lejojnë gjithçka që ka kjo botë. Ndërsa të ekuilibruarit janë të tillë në të gjitha çështjet e fesë dhe të jetës. Allahu i Lartësuar u ka lejuar atyre çdo gjë të pastër, të dobishme dhe të mirë, qofshin këto në ushqime, pije, veshje apo në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Ai u ka ndaluar atyre veçse gjërat që janë të papastra, të dëmshme dhe të këqija. Ky popull (muslimanët) ka fenë më të ekuilibruar dhe moralin më të lartë. Veprat e tyre kanë vetëm një synim: përmirësimin. Allahu i Lartësuar i dhuroi këtij populli dituri, butësi, drejtësi dhe mëshirë, në atë masë që nuk ia ka dhuruar asnjë bashkësie të mëparshme. Allahu i Lartësuar i bëri muslimanët një popull të ekuilibruar në drejtësinë dhe urtësinë e tyre, për një arsye të caktuar, siç e thotë në vijim: - “…për të qenë dëshmitarë (Ditën e Gjykimit) për popujt …” - Për shkak të drejtësisë dhe urtësisë së tyre të madhe, ata do të dëshmojnë për popujt e tjerë dhe kurrë nuk do të ndodhë e kundërta. Ata që ky popull i quan “të pranuar tek Zoti”, ata do të jenë vërtet të tillë. Ndërsa ata të cilët janë “të papranueshëm” në gjykimin e muslimanëve, ata do të jenë të tillë edhe për Allahun e Lartësuar. Dikush mund të thotë: Si mund të pranohet dëshmia e njërës palë për tjetrën, kur ato do t’i nënshtrohen të dyja të njëjtit gjykues? Aq më tepër që gjykimi i njërës palë kundër tjetrës është i papranueshëm, kur ato janë në konflikt me njëra tjetrën. Atëherë, si është e mundur që, Ditën e Gjykimit, do të pranohet gjykimi i muslimanëve kundër popujve të tjerë? Përgjigja: Është e vërtetë që, gjykimi i ndërsjelltë i palëve në konflikt me njëra - tjetrën nuk lejohet dhe nuk merret në konsideratë. Por kjo ndalesë vlen vetëm për rastet kur të dyja palët janë të akuzuara dhe të përlyera. Ndërsa kur njëra palë nuk është e akuzuar apo e përlyer, çështja ndryshon. Kështu shpjegohet edhe dëshmia e umetit islam Ditën e Gjykimit. Duke qenë se muslimanët janë të pajisur me drejtësi dhe dituri, ata e meritojnë që të gjykojnë dhe të dëshmojnë për popujt e tjerë, sepse kushte të dëshmisë dhe gjykimit janë që ato të kryhen me dije dhe me drejtësi. Si rrjedhojë, ato do të jenë të pranueshme Ditën e Gjykimit. Nëse dikush do ta kundërshtonte këtë gjykim dhe do të kërkonte ndonjë argument për drejtësinë e këtij umeti (muslimanëve) në dëshminë e tyre, Allahu i Lartësuar e ka plotësuar edhe këtë kërkesë. Për të gjykuar dhe dëshmuar mbi drejtësinë dhe dijen e muslimanëve, Ai ka zgjedhur dëshmitarin më të ditur dhe më të drejtë, krijesën më të mirë, Profetin e fundit, Muhamedin (a.s.): - “Edhe i Dërguari ka për të qenë dëshmitar për ju.” - Ndër dëshmitë e këtij umeti ndaj popujve të tjerë, mund të përmendim se, Ditën e Gjykimit, Allahu i Lartësuar do t’i pyesë profetët: A e përçuat mesazhin Tim ndër popujt tuaj? Ata, sigurisht, do të përgjigjen se e kryen detyrën e ngarkuar. Por, kur Allahu i Lartësuar do t’i pyesë popujt në të cilët ata u dërguan si profetë, popujt do ta mohojnë këtë fakt. Ata nuk do ta pranojnë që profetët e përcollën mesazhin e Zotit. Atëherë, profetët do të kërkojnë dëshminë e popullit të fundit, muslimanëve, të cilët do të dëshmojnë se çdo profet e kreu me përkushtim dhe totalisht detyrën e ngarkuar prej Allahut. Për vërtetësinë dhe saktësinë e kësaj dëshmie, do të dëshmojë edhe Profeti i umetit të fundit, Muhamedi (s.a.u.s.). Ky ajet provon se mendimi unanim i këtij umeti është argument i sigurt, i tillë që është detyrë të besohet, të pranohet dhe të zbatohet. Ky umet nuk mund të bjerë në pajtueshmëri mendimi për diçka të gabuar. Ai nuk mund të pranojë një gjë të gabuar si të saktë, sepse Allahu i Lartësuar e ka cilësuar atë si “ ueseţa” (të ekuilibruar) në dije dhe drejtësi. Nëse muslimanët do të binin të gjithë në konsensus për diçka të gabuar, atëherë nuk do të meritonin të quheshin të tillë. Këtë qëndrim e përforcon edhe fjala e Allahut të Madhëruar: “…për të qenë dëshmitarë (Ditën e Gjykimit) për popujt”. Nëse ky umet dëshmon se diçka është hallall apo haram, sipas gjykimit të Zotit, atëherë kjo dëshmi është e pakundërshtueshme, sepse ata janë të pagabueshëm në këtë dre jtim. Muslimanët janë të pagabu eshëm në qëndrimet e tyre unanime, sepse përndryshe nuk do të meritonin të përzgjidheshin që të dëshmonin mbi të gjithë popujt e tjerë. Nga ky ajet mësojmë, gjithashtu, se dëshmia, gjykimi dhe dhënia e fetvave janë të papranueshme, nëse ai që i kryen nuk e gëzon cilësinë “adâle” 4. - “Dhe Ne e ndryshuam Kiblen nga e cila ti drejtoheshe…” – Fjala është për kiblën e parë, që ishte drejt Xhamisë së Shenjtë në Palestinë. Sigurisht që ky vendim kishte urtësi në vetvete. Allahu i Lartësuar ka dituri absolute dhe nuk ka nevojë që, për të ditur diçka, të provokojë krijesat që ta shfaqin atë të cilën e mbajnë të fshehur brenda shpirtit të tyre. Ai i sjell sprovat me qëllim që krijesat ta shfaqin qëndrimin që e mbajnë të fshehur dhe, në këtë mënyrë, të bëjnë të meritueshëm shpërblimin ose ndëshkimin e Tij. Allahu i Lartësuar nuk do të gjykonte kurrë për të dhënë shpërblime dhe ndëshkime, duke u bazuar thjesht në dijen e Tij absolute për të fshehtat. Shpërblimi ose ndëshkimi janë të lidhur ngushtë me veprat, të cilat shfaqen dhe lënë gjurmë. Kjo është drejtësia absolute e të Madhërishmit. Ai ndëshkon veçse pas sqarimit të argumenteve dhe qartësimit të së vërtetës nga ana e Tij. Ai nuk ndëshkon thjesht dhe vetëm duke u bazuar në dijen e Tij të fshehtë rreth krijesave, por sipas veprave të kryera prej tyre, pasi kështu ato nuk do të kenë asnjë justifikim para Krijuesit. Allahu i Lartësuar thotë: - “…vetëm për t'u dalluar ata që pasojnë sinqerisht të Dërguarin, nga ata që kthehen pas …” – Domethënë, për t'u dalluar qartë ata që e pasojnë rrugën e Profetit, pasi e njohën mirë atë. Njeriu e ka detyrë që, pasi ta ketë njohur të vërtetën, ta pasojë atë rigorozisht në të gjitha rastet, sepse ai është thjesht një krijesë, e cila duhet me domosdo t’i nënshtrohet ligjeve të Krijuesit të saj dhe të zbatojë urdhrat e Tij. Aq më tepër që, edhe në librat e para të Zotit sqarohej qartë që Profeti i fundit do të drejtohej nga një kah tjetër për të kryer faljen e namazit dhe, më konkretisht, drejt Qabes. Ai që realisht e kërkon rrugën e drejtë nuk ia lejon vetes që të mos bindet dhe të mos pasojë të vërtetën e sigurt. Përkundrazi, argumentet ia shtojnë edhe më shumë atij besimin dhe bindjen ndaj Profetit të fundit të Allahut. Ndërsa ata që ia kthejnë shpinën të vërtetës së qartë dhe të sigurt, duke ndjekur pasionin dhe mendjemadhësinë e vet, pa dyshim që do të zhyten edhe më shumë në mosbesimin e tyre. Më shumë do të çoroditen e turbullohen. Të tillët, si fatkeqë e të pashpresë, vazhdimisht do të sjellin argumente të pabaza dhe të pafaktuara. Justifikimet e tyre do të jenë gjithmonë të ndërtuara mbi dyshime e hamendësi. - “Vërtet, kjo provë qe e rëndë,” - Kjo dispozitë për ndryshimin e Kiblës ishte shumë e vështirë për t'u pranuar. I Madhëruari thotë se ajo ishte sprovë e madhe. - “…por jo për ata që Allahu i ka udhëzuar” - Ai i ka udhëzuar ata që ta kuptojnë drejt se kjo dispozitë është një mirësi e madhe nga Zoti i tyre. Kjo është një mirësi, ndaj së cilës duhet të tregohesh mirënjohës. E si të mos tregohesh mirënjohës ndaj Allahut të Lartësuar, kur Ai na drejtoi drejt kësaj Shtëpie madhështore, të cilën e dalloi mbi të gjitha vendet e tjera. Vizita e kësaj Faltoreje për haxh dhe umre është një nga kushtet e Islamit dhe shkak për fshirjen e të gjitha gjynaheve të robit. Këto mirësi e lehtësojnë shumë pranimin, madje me kënaqësi, të dispozitës së zbritur prej Allahut të Lartësuar. Ndërsa të tjerët, të cilët nuk janë udhëzuar të kuptojnë mirësitë që fsheh kjo dispozitë, sigurisht që do ta kenë të vështirë t’i përballojnë ndryshime të tilla kaq të mëdha. Pastaj i Madhëruari thotë: - “Dijeni se Allahu nuk jua humb kurrë besimin (namazin) tuaj”. - Është e pamundur të mendohet një gjë e tillë për Allahun e Lartësuar. Është jashtë çdo mundësie që Allahu t'ua humbasë dhe t'ua çojë dëm veprat dhe besimin e të mirëve. Ky është një përgëzim shumë i madh për këdo që Allahu i Lartësuar e ka begatuar me besim të sinqertë dhe me fenë Islame: Ai do t'ia mbrojë besimin dhe do ta ruajë nga devijimi. Ruajtja që jep Allahu i Lartësuar në këtë aspekt është dy llojesh: 1. Që adhuruesi të mos e humbasë besimin e tij prej shumë faktorëve që e shkaktojnë një gjë të tillë, siç janë, për shembull, sprovat, fatkeqësitë, dëshirat apo pasionet e shfrenuara. 2. Ndërsa lloji i dytë i ruajtjes së Allahut të Lartësuar është suksesi që Ai i jep adhuruesit për ta shtuar e plotësuar imanin e tij. Ai i jep sukses atij të cilit dëshiron t’ia ruajë imanin besimin, duke i krijuar çdo mundësi për këtë gjë. Ashtu sikurse e udhëzon që të gjejë rrugën e besimit fillimisht, në të njëjtën mënyrë e ndihmon që ta përsosë dhe ta ruajë atë më tej, të pacënuar. Kësisoj, Allahu e plotëson mirësinë e Tij ndaj adhuruesit, duke ia shtuar imanin, por edhe shpërblimin për veprat që kryhen në emër të këtij imani, sepse besimtarin e vërtetë nuk mund ta devijojnë kurrë sprovat, sado të mëdha qofshin ato. Nga Fjala e Allahut të Lartësuar: “ Ne e ndryshuam Kiblen nga e cila ti drejtoheshe vetëm për t'u dalluar ata që pasojnë sinqerisht të Dërguarin, nga ata që kthehen pas …” dikush mund të kuptojë gabimisht se, sprova mund të bëhet shkak që, edhe disa besimtarë të kthehen mbrapa dhe të braktisin besimin e tyre. Por Allahu i Lartësuar, në ajetin që vjen më poshtë, e mohon kategorikisht këtë mendim të gabuar, kur thotë: “Dijeni se Allahu nuk jua humb kurrë besimin (namazin) tuaj.”. Kështu, Ai deklaron që, sprovat, sado të mëdha qofshin, nuk mund ta devijojnë besimtarin dhe nuk m und t’ia humbasin besimin atij. Ky premtim përfshin edhe ata të cilët vdiqën para se të ndryshohej Kibla. Pra, Allahu i Lartësuar nuk do t'ua humbasë besimin edhe asaj kategorie njerëzish, sepse ata nuk bënë gjë tjetër, por veçse zbatuan urdhrat e Allahut dhe të Profetit të Tij. Bindje ndaj Allahut quhet zbatimi i përpiktë i urdhrave të Tij, në çdo kohë qofshin ato. Ky ajet dëshmon, gjithashtu, për saktësinë e mendimit të Ehli Sunetit, se: edhe veprat janë pjesë e imanit, pasi Allahu i ka quajtur punët e gjymtyrëve (namazin) “iman”. - “Vërtet, Allahu është Përdëllimtar dhe Mëshirëplotë me njerëzit. ” - Allahu i mëshiron shumë njerëzit. Prej kësaj mëshire shumë të madhe është edhe plotësimi i mirësive të Tij ndaj tyre, duke ua ruajtur dhe shtuar besimin që ua dhuron fillimisht. Është pikërisht mëshira e Tij që i dallon ata mbi njerëzit që shtiren si besimtarë dhe mashtrojnë. Po prej mëshirës së Tij ishte edhe sprova e mësipërme, nëpërmjet së cilës Ai e shtoi edhe më tepër besimin dhe bindjen e tyre. Me mëshirën e Tij, Ai ua ngriti gradat shumë lart, duke i urdhëruar ata që të drejtoheshin për nga Faltorja më e nderuar që ekziston mbi Tokë, e cila është Qabja.

Mus'haf Hape →
Ahkaf 46:29–46:32 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… ishte duke falur namazin e darkës, ndodhi ajo që Zoti thotë në ajetin tjetër: “Dhe, vërtet, kur robi i Allahut u ngrit ta adhuronte Atë, ata gati sa hipën …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Kujto, kur drejtuam disa xhinde tek ti, që të dëgjonin Kuranin. Kur u afruan, thanë: “Heshtni!” Në përfundim, ata u kthyen te populli i vet si këshillues” - Imam Ahmedi sjell një transmetim nga Zubejri, që thotë se: 2375. “... ngjarja për të cilën flet ajeti ka ndodhur në Nahleh. Ndërsa kur Profeti i Allahut ishte duke falur namazin e darkës, ndodhi ajo që Zoti thotë në ajetin tjetër: “Dhe, vërtet, kur robi i Allahut u ngrit ta adhuronte Atë, ata gati sa hipën njëri mbi tjetrin, për ta dëgjuar.” [Xhin 19]. Sufjani shpjegon dhe thotë: “Pra, hipën njëri mbi tjetrin.” Imam Ebu Bekër el Bejhaki, në librin e tij “ Delail En-Nubueh” (Argumentet e profetësisë), sjell rrëfimin nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), që thotë se: 2376. “Profeti i Allahut nuk u lexoi xhindëve dhe as nuk i pa ata, por ai thjesht ishte duke shkuar me një grup shokësh në tregun e Ukadhit”. Ndërkohë, (me shfaqjen e Muhamedit si Profet) shejtanëve u ishte prerë rruga e marrjes së lajmeve nga qielli dhe tashmë ata goditeshin me shkëndija të zjarrta. Kur shejtanët u kthyen në popullin e tyre, ata i pyetën se përse nuk po sillnin më lajme. Ata thanë: “Është vendosur një barrierë mes nesh dhe lajmeve të qiellit dhe ne goditemi me shkë - ndija të zjarrta.” Atëherë ata thanë: “Duhet të ketë ndodhur diçka, që është vendosur kjo barrierë, prandaj shkoni dhe kontrolloni nga lindja e deri në perëndim, për të gjetur çfarë ka ndodhur që është vendosur kjo pengesë mes jush dhe lajmeve të qiellit.” Kështu, ata u nisën në kërkim nga lindja në perëndim. Një grup shkoi drejt El Tuhames, për të arritur më pas tek Profeti i Allahut, ndërkohë që ai ishte në Nahleh, rrugës drejt tregut të Ukadhit. Në atë moment, ai ishte duke falur namazin e sabahut, së bashku me shokët e tij. Atëh erë, atyre u zuri veshi Kuranin dhe ndaluan, që ta dëgjonin me vëmendje. Pastaj thanë: “Për Allah, ky është shkaku i pengimit të lajmeve të qiellit (që ata mundoheshin që të vidhnin dhe rrëmbe - nin)!” Kështu, ata u kthyen në popullin e tyre dhe u thanë: “Ne kemi dëgjuar një Kuran të mahnitshëm. Ai udhëzon tek e vërteta, prandaj i besuam atij dhe kurrë nuk do të adhurojmë askënd tjetër, veç Zotit tonë!” Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti Profetit të Tij: “Thuaj: “Mua më është shpallur se një grup xhindësh mbajtën vesh dhe thanë: 'Ne kemi dëgjuar një Kuran të mahnitshëm. ...”. Pra, këto fjalë të xhindëve thjesht iu shpallën Profetit ﷺ nga Allahu i Madhëruar.” Kështu e sjell Buhariu nga Musededi, me një version të përafërt. Një version të ngjashëm e sjell Muslimi nga Shejban Ibn Faruk nga Ebu Auaneh. Hadi - thin e sjellin edhe Tirmidhiu me Nesain, në kapitullin e tefsirit, prej Ebu Auanaes. Ndërsa Ebu Bekër Ibn Shejbeh përcjell nga Abdullah Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: 2377. “Ata u lëshuan drejt Profetit ﷺ , ndërkohë që ai ishte duke lexuar Kuran në brendësi të zonës së Nahles. Kur e dëgjuan, thanë: “Heshtni!” Ata ishin nëntë vetë, njëri prej të cilëve ishte Zeubaate. Atëherë, Allahu i Lartësuar dhe Krenar zbriti: “Kujto, kur drejtuam disa xhindë tek ti, që të dëgjonin Kuranin. Kur u afruan, thanë: “Heshtni!” Në përfundim, ata u kthyen te populli i vet si këshillues. Ata thanë: “O populli ynë! Ne dëgjuam një Libër të shpallur pas Musait, që vërteton Shpalljet para tij, që udhëzon tek e Vërteta dhe tregon rrugën e drejtë! O populli ynë! Përgjigjjuni thirrësit të Allahut dhe besojini atij! Allahu ju fal gjynahet dhe ju shpëton prej ndëshkimit të dhembshëm. Ata, që nuk i përgjigjen thirrësit në rrugën e Allahut, nuk kanë për t’i shpëtuar dënimit në Tokë dhe askush nuk mund t’u mbrojë nga ndëshkimi i Tij. Këta janë në humbje të sigurt.” Ky hadith së bashku me transme - timin e sjellë nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregojnë që Profeti i Allahut nuk e ndjeu praninë e xhindëve, në këtë rast të ardhjes së tyre, por ata thjesht dëgjuan me vëmendje leximin e tij dhe u kthyen drejt popullit të tyre. Më pas, tek ai shkuan dele - gacione, të dërguar pikërisht nga populli i tyre. Kështu, erdhën tek ai, popull pas populli, grupe pas grupesh, sikurse do të shtjellohet në vendin e vet. Hafidh el Bejhakiu shpjegon se, Ibn Abasi flet për rastin e parë kur xhindët dëgjuan Kuranin nga Profeti i Allahut. Në këtë përballje të parë të tyre me Profetin, ai nuk u lexoi atyre dhe as nuk i pa ata. Më pas, tek ai shkoi një i dërguar prej xhindëve dhe atëherë ai u lexoi atyre Kuran dhe i ftoi në adhurimin e Allahut Krenar dhe të Lartësuar, ashtu siç përcjell Abdullah Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Imam Ahmedi sjell nga Alkameh këtë rrëfim: 2378. “Unë e pyeta Abdullah Ibn Mesudin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “A e shoqëroi ndonjë prej jush të Dërguarin e Allahut natën e xhindëve?” Ai tha: “Askush prej nesh nuk e shoqëroi atë, por e ndiem mungesën e tij atë natë në Mekë dhe u trembëm se mos e kishin sulmuar. Ajo - vazhdon Ibn Mesudi - ishte nata më e keqe që mund të kalojë dikush. Kur u afrua koha e syfyrit, e pamë që po vinte nga ana e Haraes. Ne i treguan për ankthin dhe natën e vështirë, që kishim kaluar. Atëherë, ai na tha: “Më erdhi një ftues nga xhindët, prandaj shkova tek ata dhe u lexova Kuran.” Ibn Mesudi vazhdon: “Atëherë, ne shkuam së bashku me të dhe ai na tregoi të gjithëve gjurmët e tyre dhe gjurmët e zjarreve, që kishin ndezur.” Shabiu ka thënë se xhindët i kërkuan furnizim Profetit të Allahut. Ndërsa Amiri thotë: “Ata xhindë që i kërkuan Profetit furnizim e ushqim për vete dhe për kafshët e tyre, ia kërkuan në Mekë dhe ishin prej xhindëve të Gadishullit Arab. Atyre, Profeti i Allahut u tha: “Çdo kockë e hedhur dhe është përmendur emri i Allahut në të, në duart tuaja do të bjerë e mbushur me mish; po ashtu, çdo bajgë e kafshëve të njerëzve, do të jetë ushqim për kafshët tuaja.” Prandaj, - porositi Profeti ﷺ muslimanët, - ju mos i përdorni kockat dhe bajgat e kafshëve për tu pastruar pas kryerjes së nevojave, sepse ato janë ushqim për vëllezërit tuaj xhindë.”. Kështu e ka sjellë Muslimi në Sahih-un e tij. Në një tjetër rrugë transmetimi, përmendet se Ibn Mesudi ishte së bashku me të natën e takimit me xhindët. Ibn Xheriri (Allahu e mëshiroftë!) sjell rrëfimin nga Ebu Uthman Ibn Ebu Shejbeh el Khuzai, i cili ishte banor i Shamit dhe tregon që Abdullah Ibn Mesudi ka thënë se, kur Profeti i Allahut kur ishte në Mekë, u tha njëherë shokëve të tij: 2379. “Kushdo që dëshiron të jetë në takimin me xhindët gjatë kësaj nate, le të vijë.” “Por askush vajti, përveç meje”, - thotë Ibn Mesudi. - “Atëherë, ne u nisëm, derisa mbërritëm në pikën më të lartë të Mekës, ku Profeti bëri me këmbë një vijë rreth meje. Pastaj më urdhëroi që të ulem. Kur filloi këndimin e Kuranit, rreth tij u mblodhën shumë grupe. Unë nuk mund ta shihja më atë, madje edhe zërin nuk po ia dëgjoja më. Pastaj, hija e asaj turme të madhe filloi të davaritej, siç davaritet reja, ndërkohë që ata largoheshin. Kështu vazhduan, derisa mbeti vetëm një grup. Profeti i Allahut e përfu - ndoi këtë takim afër agimit. Më pas shkoi të kryente nevojat. Pastaj erdhi tek unë dhe më tha: “Ku iku ai grup?” Unë i thashë: “Ja ku janë, o i Dërguari i Allahut.” Atëherë, Profeti i Allahut u dha atyre kocka dhe bajga, si furnizim për rrugën e tyre dhe e ndaloi që njerëzit të pastrohen me bajga dhe me kocka pas kryerjes së nevojave. Në gjithë këto hadithe që u përmendën bëhet e qartë se Profeti i Allahut nuk dinte gjë që grupi i xhindëve dëgjuan këndimin e tij, por ai u njoftua më pas rreth tyre (ky ishte rasti i parë i vizitës së xhindëve). Ndërsa prej Alkames dhe Uthman Ibn Ebu Shejbeh el Khuzai, që të dy me hadith nga Ibn Mesudi, qartësohet se Profeti i Allahut shkoi tek xhindët, duke e planifikuar takimin me ta dhe u lexoi atyre Kuran dhe i ftoi në adhurimin e Allahut Krenar dhe të Lartë - suar. Ibn Mesudi ishte së bashku me të, por Profeti ﷺ e urdhëroi që të ulej larg, madje i bëri një vijë dhe e urdhëroi që të mos e kalonte atë, nga frika se mos e rrëmbenin xhindët. E gjitha kjo ka ndodhur në Mekë. Xhindët që e takuan atë në Nakhleh vinin prej Nejnevas. Ndërsa xhindët që e takuan në Mekë në El Haxhun ishin xhindë prej Nesabiinit. Sidoqoftë, prej Ibn Abasit është transmetuar, gjithashtu, edhe informacioni se Profeti ﷺ organizoi një takim me xhindët. Ibn Xheriri sjell shpjegimin e Ibn Abasit për fjalën e Allahut: “Kujto, kur drejtuam disa xhinde tek ti, që të dëgjonin Kuranin”, se ata ishin shtatë veta prej Nasibinit dhe Profeti i Allahut i dërgoi ata si misionarë në popullin e tyre. Kjo tregon se Ibn Abasi i ka treguar të dyja historitë, si të parën, në të cilën mohon faktin se Profeti dinte gjë rreth xhindëve që ishin duke e dëgjuar kur ai lexonte Kuran, por edhe pohimin se ai është takuar dhe ka komunikuar me ta. Mendime të ndryshme janë sjellë edhe në lidhje me numrin e xhindëve që shkuan si delegacion tek Profeti i Allahut. Disa thonë që ishin nëntë veta që dëgjuan prej tij Kuran në Nakhleh. Disa të tjerë thonë pesëmbëdhjetë, disa treqind, madje disa thonë se ishin dymbëdhjetë mijë. Këto mendime të ndry - shme mund të shërbejnë si tregues se takimi me xhindët të jetë përsëritur disa herë, me delegacione të ndryshme. Po kështu, dihet se delegacione xhindësh vinin tek ai në edhe Medinë, sikurse është transmetuar nga Ibn Mesudi dhe Zubejr Ibn Auami.46 - “Kujto, kur drejtuam disa xhindë tek ti, që të dëgjonin Kuran. ” - Ishin një grup prej tyre, të cilët erdhën që të dëgjonin Kuranin. - “Kur u afruan, thanë: “Heshtni!” - Pra, dëgjoni me vëmendje. Kjo ishte shprehje e edukatës së tyre kundrejt dëgjimit të Kuranit. Hafidh el Bejheki transmeton nga Xhabir Ibn Abdilah, (Allahu qoftë i kënaqur prej atyre të dyve!) i cili ka thënë: 23 80. “Profeti i Allahut u lexoi suren Rahman, derisa e përfundoi atë. Pastaj tha: “Përse jeni kaq të heshtur?” Profeti ﷺ vazhdon: “Xhindët kishin një reagim më të mirë se i juaji. Sa herë që u lexoja këtë ajet, që përsëritet në suren Rahman: “ Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?! ”, ata vazhdimisht thoshin: “Asgjë nga të mirat dhe begatitë e tua, o Zoti ynë, nuk mohojmë. Vetëm Ty të takon lavdërimi.” Kështu e sjell Tirmidhiu. - “Në përfundim, ata u kthyen te populli i vet si këshillues.” - Domethënë, kur përfundoi leximi. Ky është kuptimi i fjalës ‘kudije’ (përfundoj) edhe në një ajet tjetër në Kuran, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Pasi të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë dhe kërkoni nga begatitë e Allahut, por përmendeni shpesh Allahun, që të gjeni shpëtim!” [Xhumua 10]. Ose: “Ai e përfundoi krijimin e shtatë qiejve brenda dy ditëve, duke i caktuar secilit qiell detyrën dhe urdhrin e tij.” [Fussilet 12]. Ose: “E kur t’i përfundoni ritet, përmendeni Allahun sikurse përkujtoni prindërit tuaj, madje edhe më shumë.” [Bekare 200]. Në të gjitha këto ajete, fjala ‘ kudije’ vjen me kuptimin “përfundon, plotësohet’ . Pasi përfundoi leximi i Kuranit, “... ata u kthyen te populli i vet si këshillues”, domethënë, u kthyen tek populli i tyre për t’i paralajmëruar në lidhje me Kuranin, që dëgjuan nga goja e të Dërguarit të Allahut. Kështu, ata u kthyen në mësues të së vërtetës dhe të mirës, sikurse porosit i Lartësuari në ajete të tjera, ku thotë: “Nuk është e nevojshme që besimtarët të dalin në luftë të gjithë bashkë. E përse të mos shkojë një pjesë nga çdo grup i tyre, për të marrë diturinë fetare dhe për t’ia mësuar atë popullit të vet kur të kthehen, në mënyrë që të ruhen (nga e keqja).” [Teube 122] . Ky ajet provon, gjithashtu, se mes xhindëve ka paralajmë - rues dhe këshillues dhe nuk ka profetë dhe lajmëtarë nga Zoti. Nuk ka dyshim se Allahu i Madhëruar nuk ka dërguar profetë prej xhindëve. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Ne dërguam para teje si të dërguar vetëm se burra nga banorët e qyteteve, të cilët i pajisëm me shpallje.” [Jusuf 109]. Ose: “Ne edhe para teje çuam të dërguar, por edhe ata ishin njerëz, që hanin ushqim dhe ecnin nëpër tregje.” [Furkan 20]. “Ne i dhuruam Ibrahimit Is’hakun dhe Jakubin dhe ndër pasardhësit e tij zgjodhëm Profetët dhe shpallëm Librat e Shenjtë.” [Ankebut 27]. Për sa i përket fjalës së Allahut të Lartësuar: ““O bashkësi të xhindëve dhe të njerëzve! A nuk ju erdhën nga mesi juaj të dërguar, që t’ju tregonin shpalljet e Mia dhe t’ju paralajmë - ronin për takimin e kësaj dite?” [En’am 130], këtu bëhet fjalë për të dyja bashkësitë, edhe pse të dërguarit u zgjodhën prej njerëzve. Allahu i Lartësuar dërgoi mes tyre profetë, që gjithmonë kanë qenë prej njerëzve. Në vijim, Allahu i Lartësuar na tregon më hollësisht rreth paralajmërimit që xhindët i bënë popullit të tyre dhe fjalët që ata thanë: - “Ata thanë: “O populli ynë! Ne dëgjuam një Libër të shpallur pas Musait ...” - Po ta vërejmë me kujdes, nuk kanë përmendur Isain, por Musain. Arsyeja është se Isait (paqja e Zotit qoftë mbi të!) iu shpall Ungjilli, në të cilin ka këshilla e përkujtime të shumta, por rregullat, dispo - zitat dhe ligjet rreth hallallit dhe haramit janë të pakta. Në fakt, shpallja që iu dha Isait ishte si plotësuese e Ligjit të Musait dhe realisht për atë popull, baza e ligjeve dhe dispozitave ishte sërish Teurati. - “... që udhëzon tek e vërteta ... ” - Udhëzon tek e vërteta, qoftë sa i përket besimit, qoftë në përmbajtjen e tij. - “... dhe tregon rrugën e drejtë! ” – Tregon një rrugë të drejtë, të ndërtuar mbi vepra të mira dhe të dobishme. Kështu, Kurani përfshin dy elementë: Të dhëna e rrëfime, nga njëra anë, dhe urdhëresa, ligje dhe porosi nga ana tjetër. Të dhënat e Tij janë të vërteta, kurse urdhëresat, ligjet dhe porositë e Tij janë të drejta, mbarësi dhe mirësi. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Fjala e Zotit tënd është plot vërtetësi dhe plot drejŧësi. Askush nuk mund t'i ndryshojë Fjalët e Tij. Ai është Gjithëdëgjues e Gjithëshikues.” [En’am 115]. - “O populli ynë! Përgjigjjuni thirrësit të Allahut dhe besojini atij! - Në këtë ajet kuptohet se Allahu i Lartësuar e dërgoi Muhamedin ﷺ si të dërguar edhe tek njerëzit, edhe tek xhindët, sepse ai i ftoi në adhurimin e Allahut të Lartësuar dhe u lexoi atyre një sure, në të cilën na tregohet se ai u drejtohet të dyja krijesave, edhe xhindëve, edhe njerëzve, ku i ngarkon me zbatimin e urdhëresave, u premton shpërblim dhe i paralajmëron për ndëshkim, dhe ajo është pikërisht surja Rahman. - “Allahu ju fal gjynahet dhe ju shpëton prej ndëshkimit të dhembshëm.” - Allahu ju mbron prej ndëshkimit të Tij. Disa dijetarë janë mbështetur në këtë ajet, për të thënë se xhindët besimtarë nuk kanë për të hyrë në Xhenet, por shpërblimi i tyre është thjesht shpëtimi nga zjarri, në Ditën e Kijametit. Gjithsesi, ky mendim ka nevojë të rishqyrtohet. Mendimi më i saktë është që besimtarët xhindë do të vlerësohen njëlloj si besimtarët njerëz. Ata do të hyjnë në Xhenet dhe ky është mendimi i një numri të madh selefësh, bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Për atë që i është druajtur daljes para Zotit të vet, janë përgatitur dy Xhenete. Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?!” [Rahman 46, 47]. Ky është një premtim i dhënë të dyja bashkësive. Allahu i Lartësuar u tregon mirësinë e Tij të dy llojeve të krijesave, xhindëve dhe njerëzve, dhe se shpërblimi i atyre që bëjnë punë të mira do të jetë Xheneti. Gjithashtu, në hadith thuhet se xhindët e falënderonin Allahun sa herë që Profeti lexonte ajetin kuranor: “Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po mohoni?!” Madje, Profeti vetë tha se reagimi i xhindëve, sa herë që u lexohej ky ajet, ishte më i mirë sesa reagimi i njerëzve. Xhindët thoshin: “Asgjë prej të mirave dhe begative të Tua, o Zot, nuk mohojmë. Vetëm Ty të takon lavdërimi e mirënjohja!” Atëherë, si është e mundur që Allahu i Ma - dhëruar t’u tregojë mirësitë që ka përgatitur për besimtarët punëmirë, dhe pastaj atyre të mos u jepet gjë në xhenet? Gjithashtu, nëse Ai do të ndëshkojë xhindët mohues me zjarr, - dhe kjo vjen prej drejtësisë së Tij - atëherë është më parësore që Ai të shpërblejë besimtarët xhindë me Xhenet, veprim ky, që tregon bamirësinë dhe buja - rinë e Tij. Pa dyshim, bamirësia, bujaria dhe mirësia e premtuar prej Allahut është më parësore që të përmbushet. Diçka tjetër që tregon për saktësinë e këtij mendimi është edhe gjithëpërfshirja e fjalës së Allahut të Lartësuar: “Nuk ka dyshim se për ata që besojnë dhe bëjnë punë të mira, vendpritës janë kopshtet e Firdeusit. Aty do të jenë përgjithmonë dhe kurrë nuk do të kërkojnë të largohen nga ai.” [Kehf 107, 108]. Ajete të tilla, që përfshijnë të gjithë ata që besojnë dhe bëjnë punë të mira, janë të shumta. - “Ata, që nuk i përgjigjen thirrësit në rrugën e Allahut, nuk kanë për t’i shpëtuar dënimit në Tokë ...” - Pushteti i Allahut është gjithëpërfshirës dhe askush nuk mund t’i shmanget atij. - “... dhe askush nuk mund t’i mbrojë nga ndëshkimi i Tij. ” - Askush nuk ka për t’i shpëtuar dhe mbrojtur prej tij. - “Këta janë në humbje të sigurt. ” - Ky është një paralajmërim për ata që shpërfillin ftesën e Zotit. Kështu, xhindët e ftuan popullin e tyre edhe duke i dhënë shpresë për shpërblim, por edhe duke i paralajmëruar për ndëshkimin. Shumë prej tyre u vlejti kjo këshillë dhe më pas shkuan tek Profeti i Allahut grupe -grupe, në delegacione të ndryshme, sikurse u përmend më sipër. Vetëm Allahut i takon lavdërimi, mirënjo - hja për çdo mirësi. Allahu është më i ditur.

Mus'haf Hape →
Bekare 2:136–2:138 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… e Allahut të Lartësuar: ‘ Ķûlû’ (Thoni…) tregon një urdhër, një nxitje për të ngritur zërin lart në shfaqjen haptazi të besimit të drejtë, në …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Thoni: “Ne besojmë në Allahun,…” – Kjo fjali i përmbledh të gjitha çështjet e parimet që janë të detyrueshme të besohen. Iman-i është pranimi i plotë dhe i sigurt me zemër i themeleve të fesë, pranim i cili duhet të shfaqet në aktet e zemrës (si: frika, shpresa dhe dashuria ndaj Allahut) dhe në veprimet konkrete të trupit. Kësisoj, zemra dhe gjymtyrët e njeriut duhet të sillen dhe punojnë të diktuara nga besimi. Sipas këtij përkufizmi, në iman hyjnë jo vetëm pesë shtyllat kryesore të Islamit, por edhe të gjitha veprat e mira, të cilat nxiten nga imani. Kështu, kur në Kur’ân dhe Sunet përmendet në një kontekst vetëm fjala ‘iman’ (e pashoqëruar me fjalën “Islam”), ajo nënkupton të gjitha ato që sapo i përmendëm. Po kështu thuhet edhe për fjalën ‘Islam’, e cila vërtet i nënkupton pesë shtyllat e njohura të fesë, që janë Shehadeti, falja e namazit, agjërimi i Ramazanit, dhënia e zekatit dhe kryerja e haxhit, por , kur ajo përmendet e vetme në kontekst, e pashoqëruar me fjalën “ iman”, atëherë ajo përfshin në kuptimin e saj edhe çështjet e imanit. Nga ana tjetër, nëse në një tekst të caktuar përmenden së bashku edhe fjala ‘Islam’, edhe fjala ‘ iman’, atëherë secila prej tyre shihet me kuptimin e vet specifik, domethënë: “Islami" nënkupton veprat të jashtme ose të dukshme, ndërsa "Imani" tregon pranimin me zemër të çështjeve themelore të fesë. Po kështu thuhet edhe kur në një tekst përmenden të shoqëruar bashkë termat ‘ Iman’ dhe ‘ vepra të mira’ , ku me “vepra të mira ”, nënkuptohen punët e dukshme, të shfaqura me gjymtyrë dhe me gjuhë. Më konkretisht, kur Allahu i Lartësuar thotë: “Thoni: “Ne besojmë…””, ky nuk është një urdhër për të thënë vetëm një fjalë goje, por është urdhër për të shprehur me fjalë diçka që është në përputhje të plotë me atë që ndien zemra. Fjalët duhet të jenë zëdhënëse të zemrës, dhe vetëm ato lloj fjalësh e meritojnë shpërblimin. Kurse fjalët që thuhen të pashoqëruara nga besimi me zemër, konsiderohen hipokrizi dhe kufër. Fjalët e thëna thjesht me gojë, duke mos u shoqëruar me akte zemre, kanë pak dobi dhe nuk janë ndikuese tek të tjerët. Megjithatë, njeriu mund të shpërblehet ndonjëherë për to, nëse janë fjalë të mira dhe nëse ai ka në zemër themelet e besimit. Kësisoj, ka një ndryshim shumë të madh mes një fjale të thënë me gojë, të pashoqëruar me akte zemre, dhe një fjale të thënë me gojë, të shoqëruar me akte zemre. Fjala e Allahut të Lartësuar: ‘ Ķûlû’ (Thoni…) tregon një urdhër, një nxitje për të ngritur zërin lart në shfaqjen haptazi të besimit të drejtë, në ushtrimin e tij dhe në ftesën e të tjerëve për ta pranuar dhe përqafuar të vërtetën, sepse besimi i drejtë është themeli i kësaj feje, mbi të cilin ajo ngrihet. Më tej, Allahu i Lartësuar na urdhëron të themi: “Ne besojmë…”. Edhe nga ky fragment mund të përfitojmë diçka shumë të vlefshme. Allahu i Lartësuar na urdhëron ta themi këtë fjalë jo në vetën e parë të numrit njëjës, por në shumës: “Ne besojmë…”. Kjo është një këshillë shumë e vlefshme, që na e dhuron Zoti ynë. Forma e saj na tregon se ne duhet të jemi si një trup i vetëm. Umeti duhet të bashkohet kur vjen çështja te besimi. Të gjithë duhet ta shtrëngojmë fort ‘litarin’ e Allahut dhe duhet të nxisim njëri tjetrin për bashkëpunim. Vetëm kur ne të mblidhemi rreth besimit të pastër dhe autentik, mund ta kemi të drejtën të themi: “Ne besojmë…”. Vetëm kur punët tona të synojnë kënaqësinë e Allahut dhe të jenë të mbështetura në fe, do të jemi një trup i vetëm, ku të gjithë thonë njëzëri: “Ne besojmë…”. Ky urdhër për bashkim dhe unitet përmban edhe ndalesën nga e kundërta e tij, që është përçarja dhe kundërshtimi mes njëri -tjetrit. Besimtarët duhet të jenë si një trup i vetëm, ku secili kujdeset për tërësinë e quajtur ‘umet’. Fjala e Allahut të Lartësuar: “Thoni: “Ne besojmë në Allahun…” dëshmon se lejohet të pohojmë dhe të deklarojmë për vetet tona që ne besojmë. Madje, kjo është e detyrueshme dhe nuk konsiderohet si mburrje, nga e cila jemi ndaluar. Ndërsa te deklarata tjetër: “Unë jam besimtar” vërehet një lloj lëvdimi i vetvetes, prandaj duhet që, pas saj, të themi: “Inshâ Allâh ” (Në dashtë Allahu). Pra, duhet të themi: “Unë jam besimtar, në dashtë Allahu”. Në këtë mënyrë, largohet edhe ajo nuancë vetëmburrjeje që ndihet në këtë fjali. Po çfarë kuptimesh përmbledh në vetvete shprehja: “Ne besojmë në Allahun…”? Kjo shprehje do të thotë: Ne besojmë që Ai ekziston dhe është Një i vetëm e i Pashoq. Ne besojmë se Ai është absolut në të gjitha atributet e Tij dhe larg çdo mangësie apo dobësie. Allahu meriton të adhurohet i vetëm, me të gjitha llojet e adhurimit. Asnjë lloj adhurimi nuk lejohet t’i përkushtohet dikujt tjetër, veç Tij. - “…në atë që na u shpall neve” – Shpallja hyjnore, të cilën jemi të detyruar ta besojmë, përfshin në kuptimin e saj jo vetëm Kur’ânin, por dhe Sunetin e Profetit (a.s.), sikurse thotë Allahu i Lartësuar në suren Nisa: “Dhe Allahu të shpalli ty Librin (Kur’ânin) dhe Urtësinë (Sunetin).” Kështu, Allahu i Lartësuar na urdhëron që të deklarojmë besimin në gjithçka që përmban Libri i Allahut dhe Tradita profetike, duke filluar nga cilësitë e Krijuesit, cilësitë e profetëve të Tij, e duke vazhduar me lajmet rreth Ditës së Gjykimit, përshkrimet e ngjarjeve të së kaluarës dhe të së ardhmes, e pastaj me dispozitat ligjore, të cilat vijnë nga urdhrat e Krijuesit dhe nga ndalesat e Tij. Kur’âni dhe Suneti përmbajnë gjithashtu përshkrime të dënimit dhe të shpërblimit në ahiret, por edhe shumë e shumë gjëra të tjera, të cilat duhen besuar në mënyrën që u tha më sipër, pra: duke i besuar me zemër, duke i deklaruar me gojë, duke i zbatuar në jetë dhe duke i ftuar të tjerët në të. - “…dhe në atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve (dymbëdhjetë bijve të Jakubit) dhe në atë që iu dha Musait e Isait …” – Pra, ne jemi urdhëruar të deklarojmë hapur edhe besimin në të dërguarit e Zotit dhe në të tëra shpalljet hynore në përgjithësi. Ne i besojmë të gjithë profetët përgjithësisht, por në mënyrë të veçantë duhet të besojmë profetët e cilësuar në këtë ajet, sepse ata u pajisën nga Zoti i tyre me ligjet më të urta e të mrekullueshme. - “Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre” – Pra, ne i besojmë të gjithë profetët, sepse ata kanë qenë të gjithë prej Allahut të Lartësuar. Ky element është ai që i karakterizon muslimanët dhe i dallon ata nga të tjerët, si: çifutët, të krishterët, sabijinët etj., të cilët, duke mëtuar që besojnë librat dhe profetët e tyre, ata mohojnë të tjerët, duke bërë, në këtë mënyrë, dallim mes të dërguarve të Allahut. Ata bëjnë dallime mes profetëve dhe shpalljeve të Allahut, duke pranuar disa prej tyre dhe duke mohuar disa të tjera. Këto veprime të tyre e hedhin poshtë pretendimin se ata i besojnë librat dhe profetët e Zotit. Madje, edhe vetë Profeti të cilin ata pretendojnë se e besojnë dhe e ndjekin, edhe ai vetë i ka besuar dhe pranuar të gjithë të dërguarit e Zotit dhe, në mënyrë të veçantë, të Dërguarin e fundit, Muhamedin (a.s.). Kështu ata, duke mohuar dhe duke mos besuar Muhamedin (a.s.), kanë mohuar edhe Profetin e tyre, i cili i ka lajmëruar qartë rreth tij. - “…dhe në gjithçka që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre ” - Dhurata e përmendur këtu është feja që iu dha profetëve nga Zoti i tyre. Kjo është dhurata më e madhe, që garanton lumturinë në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Allahu i Lartësuar na urdhëron që ne të besojmë dhe të pasojmë diturinë e dobishme dhe mirësitë me të cilat Ai i pajisi profetët. Ai na urdhëron që të besojmë dhe të pasojmë dhuratën më madhështore që u bëri atyre, Shpalljen hyjnore. Gjithashtu, nga ky fragment kuptojmë se profetët janë veçse përçues të qartë të mesazhit të Zotit, e asgjë më tepër. Ata nuk kanë në dorë asnjë mundësi që t’i bëjnë dobi dikujt, sepse gjithçka është në dorën e Krijuesit. Pjesa: “…nga Zoti i tyre” tregon se Allahu i Lartësuar është absolut në rububije-n e Tij (pra, në pozitën e Tij si Zot, Krijues dhe Kujdestar i krijesave të Tij). Në rububije-n e Tij përfshihet edhe shpallja e librave dhe dërgimi i profetëve, sepse Ai nuk do ta lejonte kurrë lënien e krijesave në çoroditje, pa orientim dhe pa ditur se ku shkojnë dhe si jetojnë. Ky fragment tregon edhe dallimin e qartë mes profetëve të vërtetë dhe profetëve të rremë, sepse ajo që u është dhënë profetëve është “…nga Zoti i tyre”. Mjafton të shohësh me vëmendje se çfarë kanë thënë ata dhe se për çfarë i kanë ftuar njerëzit, për të kuptuar ndryshimin mes tyre. Profetët e Zotit kanë ftuar veçse në ato gjëra që janë të mira dhe të dobishme dhe kanë ndaluar veçse nga ato gjëra që janë të këqija dhe të dëmshme. Secili prej tyre ka pranuar dhe miratuar profetët e tjerë të Zotit, duke dëshmuar për vërtetësinë e tyre. Mes mësimeve të tyre nuk ka ndryshime dhe kundërshtime esenciale, sepse të gjitha ato kanë patur një burim të vetëm, Zotin e botëve. I Lartësuari thotë: “Sikur Shpallja të ishte prej dikujt tjetër veç Allahut, do të gjeje në të kundërshti të shumta”. [Nisa 82]. Ndërsa ata që hiqen si profetë të Zotit, janë kontradiktorë në ato që thonë. Ata kundërshtojnë profetët e tjerë, madje edhe vetveten, në mesazhet që sjellin dhe në dispozitat që ligjërojnë. Urdhrat dhe ndalesat e tyre janë larg Ligjit të përhershëm të Zotit. Këtë mund ta kuptojë shumë thjesht çdokush që lexon fjalët e të gjithë profetëve, kumtet e tyre dhe dispozitat ligjore që ata kanë sjellë. Pasi sqarohet se çfarë duhet besuar në mënyrë të përgjithshme dhe çfarë duhet besuar në mënyrë të shtjelluar, ajeti vijon me një thënie tjetër, e cila nënkupton se, përveç besimit, të cilin duhet ta shfaqim dhe ta deklarojmë, duhet që edhe të punojmë sipas rrugës që kushtëzon ky besim: - “Ne vetëm Atij i jemi nënshtruar.” – Pra, nuk mjafton vetëm besimi, por duhet deklaruar edhe nënshtrimi i plotë ndaj Allahut të madhëruar me vepra, sipas rrugës që na udhëzon besimi. Pra, thoni: Ne vetëm ndaj Tij jemi të nënshtruar, vetëm para madhështisë së Tij dhe duke adhuruar vetëm Atë. Ne e adhurojmë Atë me adhurime të shfaqura e të dukshme dhe me adhurime të fshehura e të padukshme. Në fakt, Allahu i Lartësuar nuk ka thënë: “Ne i jemi nënshtruar Atij” (Ue naĥnu muslimûne lehû), por ka thënë me rend të ndryshëm të fjalëve: “Ne Atij i jemi nënshtruar” ( Ue naĥnu lehû muslimûn ), pra, ndaj askujt tjetër veç Tij. Kjo ka kuptimin: Ne jemi të sinqertë në adhurimin tonë ndaj Tij dhe nuk adhurojmë asnjë tjetër veç Tij. Ky ajet, edhe pse i shkurtër, përmban në vetvete shumë mësime dhe këshilla. Kështu, së pari, ai nxit për njësimin e Allahut me të trija llojet e teuhidit: rububije, uluhije dhe esma ue sif at. Së dyti, ajeti nxit për të besuar të gjithë profetët dhe të gjitha shpalljet e Allahut, por në mënyrë të veçantë ata profetë që përmenden aty dhe shpalljet që u zbritën atyre. Ky veçim i tyre në ajet tregon për rëndësinë e madhe të tyre. Besimi i tyre duhet të jetë patjetër me zemër dhe i shprehur me gojë e me gjymtyrë. Me fjalë të tjera, ajeti nxit për të qenë të sinqertë në këtë besim dhe në veprat që duhen kryer. Së treti, ajeti tregon kriterin për të dalluar profetët e vërtetë të Allahut nga profetët e rremë. Së katërti, ai tregon mëshirën e Allahut të Lartësuar, i Cili i mëson adhuruesit e Tij se si të shprehen drejt, për të shfaqur besimin e tyre. Së pesti, në këtë ajet shfaqen dhuratat dhe mirësitë e mëdha të Tij në sqarimin e fesë së drejtë, e cila i udhëzon adhuruesit e Tij drejt lumturisë në këtë jetë dhe në jetën tjetër. I lavdëruar qoftë Allahu i Lartësuar, që në Librin e Tij ka sqaruar gjithçka dhe që e solli atë si udhëzim dhe si mëshirë për ata që besojnë sinqerisht tek Ai! - “Kështu, nëse ata do të besojnë siç besoni ju, …” – Kuptimi: Nëse ithtarët e Librit do të besonin në të njëjtën mënyrë siç besuat edhe ju, ata do të ishin të udhëzuar drejt. Nëse ata do të besonin të gjithë profetët, të gjithë librat e Zotit dhe, në mënyrë të veçantë, sikur të besonin Muhamedin (a.s.) dhe Kur’ânin; pra, nëse ata do t'i dorëzoheshin dhe nënshtroheshin vetëm Allahut, Një të vetëm dhe të Pashoq dhe nuk do të bënin asnjë dallim mes profetëve të Allahut, atëherë për ta do të thuhej me të drejtë se: - “…atëherë do të jenë në rrugën e drejtë.” – Pra, do të konsideroheshin të udhëzuar në rrugën e drejtë. Vetëm kjo është rruga që të çon në Kopshtet e mirësive. Me fjalë të tjera, ata nuk kanë asnjë mundësi tjetër të gjejnë udhën e saktë, përveçse duke ndjekur mënyrën e besimit që ka umeti i fundit (muslimanët). Ata thonë: “Bëhuni çifutë ose të krishterë, që të gjeni rrugën e drejtë!”. Por ky pretendim hidhet poshtë, sepse ‘udhëzim’ quhet vetëm pranimi i dijes së saktë, të vërtetë dhe të sigurt, i shoqëruar me punën sipas asaj që ajo dikton. Kësisoj, e kundërta e udhëzimit shfaqet në dy forma: me mospranim të dijes së saktë, të vërtetë dhe të sigurt, dhe me moszbatim të asaj çfarë dikton kjo dije e saktë. Këto janë dhe shkaqet e fjalëve dhe veprave të tyre kontradiktore. Ata gjithmonë janë në kundërshti me njëri tjetrin, madje edhe me vetveten. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë: - “Por nëse refuzojnë, atëherë ata gjithmonë do të jenë kundërshtarë. ”. - Nëse ata i kthejnë shpinën udhëzimit, me të dyja mënyrat e lartpërmendura, atëherë ata do të jenë gjithnjë të zhytur në kontradikta pa fund e pa krye. - “ata gjithmonë do të jenë kundërshtarë” - Domethënë, do të jenë kundër së vërtetës, kundër Allahut dhe kundër Profetit të Tij. Ky lloj pozicionimi i tyre shoqërohet gjithmonë me një armiqësi të ashpër, e cila i nxit ata vazhdimisht që të tallen me figurën e Profetit (s.a.u.s.). Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar premton se do ta ruajë Profetin dhe figurën e tij të nderuar, të respektuar e të dashur. - “Por Allahu ju mjafton kundër tyre. Ai dëgjon dhe di gjithçka. ” – Pra, Allahu i Lartësuar do të jetë i mjaftueshëm kundër çdo përpjekjeje të tyre për të ulur figurën e Profetit, të nxitur nga pozicionimi i tyre i keq, në anën e kundërt të udhëzimit. Allahu i Lartësuar është i mjaftueshëm, sepse Ai është El semiu Gjithëd ëgjuesi, që dëgjon të gjitha zërat e krijesave, në çfarëdo gjuhe të thuhen, për të gjitha nevojat që paraqesin, dhe Ai është El alimu i Gjithëdituri, që di gjithçka: të fshehtat dhe të shfaqurat. Në fakt, Allahu i Lartësuar e mbajti premtimin e Tij dhe e ndihmoi Profetin e Tij kundër çdo armiku që qëndronte me palën tjetër. Shumë prej tyre u vranë dhe shumë u dëbuan. Secili mori atë që meritonte. Kjo është një mrekulli e Kur’ânit, sepse Allahu i Lartësuar ka lajmëruar për diçka para se ajo të ndodhte, dhe ngjarja ka ndodhur pikërisht ashtu sikurse është paralajmëruar. - “Kjo (fe) është ngjyra e Allahut.” - Kuptimi: Qëndrojini besnikë “ngjyrës” së Allahut, domethënë fesë së Tij. Jepini përkujdesjen maksimale kësaj feje, duke zbatuar gjithçka që ajo udhëzon, sepse ajo zbukuron pamjen tuaj të jashtme dhe të brendshme. Besojini të gjitha çështjet e fesë dhe zbatojini ato gjithmonë, derisa feja t’ju bëhet si “ngjyra” juaj. Vetëm duke qenë si ngjyrë apo natyrë e juaja, kjo fe do t’ju udhëzojë dhe do t’ju nxisë që t’i nënshtroheni urdhrave dhe dispozitave të saj. Ju duhet t'i zbatoni dispozitat e Allahut me vullnet të lirë, të bindur, të nënshtruar dhe të kënaqur, duke qenë të prirur dhe të motivuar nga dashuria për Të. Nëse ndodh kështu, atëherë feja është kthyer për ju në natyrën tuaj, e cila do t'ju udhëzojë ju drejt lumturisë në këtë jetë dhe në jetën tjetër. E si mund të ndodhë ndryshe me një njeri, natyra e të cilit e nxit atë që të shfaqë moralet dhe cilësitë më të larta dhe të kryejë veprat më të pastra dhe më të nderuara? Më pas, vjen kjo pyetje, e cila habit çdo mendjendritur që e merr në konsideratë: - “E kush jep ngjyrë më të mirë se Allahu?! Ne jemi adhurues të Tij” – Pra, nuk ka “ngjyrë” më të mirë se ajo që ju jep Allahu i Lartësuar, domethënë nuk ka cilësi më të mira, sesa cilësitë që fal Allahu i Lartësuar. Nëse do të njohësh cilësitë me të cilat Allahu i Madhëruar i pajis adhuruesit e Tij, dhe të bësh dallimin mes tyre dhe cilësive të tjetërkujt, mjafton të krahasosh të bukurën me të kundërtën e saj. Po ashtu, vështroni një adhurues të sinqertë të Allahut, që e beson Zotin e tij me një iman të saktë. Ju do të shihni se ky iman ka lënë shenja të dukshme në qenien e këtij adhuruesi, pasi zemra e tij i është nënshtruar totalisht Allahut, kurse gjymtyrët i punojnë vazhdimisht për të kënaqur Krijuesin. Ai stoliset gjithnjë e më shumë me cilësi dhe sjellje të bukura, nga njëra anë dhe largohet nga çdo cilësi e shëmtuar dhe e mangët, nga ana tjetër. Përshkrimi i tij është: i sinqertë në fjalët që thotë dhe në veprat që bën, i durueshëm, tolerant, i vetëpërmbajtur, i ndershëm, guximtar, fjalëartë dhe punëmirë. Atë e karakterizon dashuria e fortë për Allahun e Lartësuar dhe frikërespekti ndaj Tij. Udhërrëfyesit e këtij njeriu janë gjithmonë frika dhe shpresa ndaj të Adhuruarit, ndërsa bashkudhëtarë të tij janë sinqeriteti ndaj të Adhuruarit dhe bamirësia ndaj krijesave. Nga ana tjetër, vështro një njeri që mohon Zotin e Tij dhe endet larg Tij. Ai u drejtohet krijesave, në vend që t'i drejtohet Krijuesit. Ky njeri është i mveshur me cilësitë më të shëmtuara, si: kufri, idhujtaria, mashtrimi, tradhëtia, pabesia dhe pandershmëria. Ai është keqbërës ndaj krijesave, me fjalët dhe me punët e tij. Ai nuk njeh as sinqeritet ndaj Krijuesit dhe as bamirësi ndaj krijesave. Duke krahasuar këto dy raste, mund të kuptojmë ndryshimin mes cilësive që jep Allahu i Lartësuar dhe cilësive që ofrojnë të tjerët. Është e qartë: “ngjyra” që jep feja e Allahut është e pakrahasueshme dhe e paarritshme nga ndonjë fe tjetër. Madje, nuk ka cilësi me të poshtra sesa ato që formon çdo fe tjetër, veç fesë së Allahut të Lartësuar. Më pas, i Madhëruari tregon shkakun e dhënies së këtij “ngjyrimi”: - “Ne jemi adhurues vetëm të Tij.” – Domethënë, kjo natyrë ndërtohet mbi dy shtylla, të cilat i përmban në vetvete kuptimi i fjalës “adhurim”. Shtyllën e parë e përbën çdo fjalë apo vepër, e shfaqur apo e fshehur, të cilën Allahu i Lartësuar e do dhe është i kënaqur me të dhe e cila mund të jetë e tillë veçse nëse është Allahu i Lartësuar Ai që e ka ligjëruar atë, nëpërmjet Profetit të Tij. Pra, është e domosdoshme që, për një adhurim të caktuar, të kemi argument nga Allahu i Lartësuar dhe profetët e Tij, sepse përndryshe ai nuk quhet adhurim. Kjo është shtylla e parë, mbi të cilën krijohet “ngjyra që jep Allahu”, domethënë: adhurimi i mbështetur në fe. Ndërsa shtylla e dytë është sinqeriteti në adhurim. Pra, nuk mjafton vetëm adhurimi i mbështetur në fe, nëse ai nuk kryhet me sinqeritet vetëm për hir të Allahut të Lartësuar. Po si kuptohet ky kusht i dytë nga fragmenti i mësipërm? Në ajet thuhet (në arabisht): Lehû âbidûn (Fjalë për fjalë: “Jemi vetëm të Tij adhurues”), dhe nuk thuhet: “ Abidûne lehû” (Jemi adhurues të Tij). Domethënë, gjymtyrët e fjalisë nuk janë në rendin e tyre të zakonshëm. Me ndryshimin e rendit, theksohet që adhurimi i përket vetëm Allahut, ndërsa rendi normal i fjalëve lë hapësirë në domethënie, duke u kuptuar ndoshta që: përveç Tij, ata të mund të adhuronin edhe ndonjë tjetër. Ky është pikërisht treguesi i kushtëzimit të sinqeritetit në adhurim. Kjo fjali përmban edhe diçka tjetër shumë të bukur. Në të është përdorur emri foljor “ âbidûn” (adhurues), dhe nuk është përdorur folja “adhuroj”. Në gjuhën arabe, emri foljor tregon vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e veprimit të foljes nga e cila ai rrjedh. Kjo tregon që, cilësitë që të fal feja e Allahut të Lartësuar janë të qëndrueshme ose të pandryshueshme dhe, më konkretisht, adhurimi është bërë cilësi e pandashme e këtyre besimtarëve.

Mus'haf Hape →
Bekare 2:196 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… . “Si të veprojë një burrë që ka vendosur ihramin për umre dhe ka veshur një xhube dhe është i parfumosur?” Profeti heshti, derisa i erdhi Shpallja. Atëherë, ai ngriti …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- Kryejeni të plotë haxhin dhe umren, për hir të Allahut! - Pasi qartësoi dhe shpjegoi dispozitat për agjërimin dhe përmendi xhihadin, në vijim Allahu i Lartësuar na qartëson dispozitat për adhurimet e haxhit dhe na urdhëron që ta plotësojmë haxhin dhe umren. Nga kuptimi i drejtpërdrejtë i ajetit mësojmë se është detyrë të plotësohen të gjitha veprimet e haxhit dhe umres, nëse e kemi filluar këtë adhurim. Më pas, Ai na sqaron dhe thotë: "Nëse pengoheni ...”, pra, nëse pengohemi nga mbërritja tek Shtëpia e Zotit ose nga plotësimi i këtij riti, atëherë: "... bëni kurban çfarë (kafshe) ta keni më të lehtë...". Për këtë arsye, dijetarët janë të një zëri se fillimi i umres dhe haxhit e bën detyrë të domosdoshme përfundimin e tyre, pavarësisht nëse janë të mendimit se umreja është vaxhib apo e pëlqyeshme, siç janë edhe dy mendimet e dijetarëve në këtë çështje, mendime të cilat i kemi pëmendur hollësisht me gjithë argumentet përkatëse në librin tonë: “ El Ahkam ”. Nga Aliu transmetohet se për këtë ajet ka thënë: "Kryejeni të plotë haxhin dhe umren, për hir të Allahut!". Pra, të veshësh ihramin që nga familja jote! " Po kështu përcillet të ketë thënë edhe Ibn Abasi, Seid Ibn Xhubejr dhe Tausi. Ndërsa Sufjani ka thënë: “Me plotësimin e tyre është për qëllim që të bëhet veçse haxhi dhe umra, e jo të shkohet për tregti apo ndonjë qëllim tjetër, dhe të bësh telbijen nga Mikati. Të synosh haxhin e umren që nga shtëpia, e jo kur të kalosh pranë Mekës, të thuash: "...Jam që jam, përse të mos bëj e haxhin dhe umren?” Edhe kjo është e pranueshme dhe konsiderohet e saktë, por më e plotë është që të dalësh veçse me nijetin për haxh dhe umre.” Mekhuli ka thënë: “Plotësimi i tyre është që t’i nisësh që të dyja (haxhin dhe umren) nga Mikati. " Ndërsa Abdurrezaku përcjell me sened-in e tij deri tek Zuhriu, i cili ka thënë: “Na është përcjellë se Umeri, duke shpjeguar fjalën e Allahut: "Kryejeni të plotë haxhin dhe umren, për hir të Allahut!", ka thënë: "Pjesë e kryerjes të plotë është edhe fakti që të kryesh secilin prej tyre më vete dhe ta kryesh umren jashtë muajve të haxhit.” Por ky mendim duhet parë me kujdes, sepse është e sigurt dhe e saktë se të gjitha umret e Profetit ﷺ janë kryer në muajin e haxhit, në Dhul Kide. Edhe umreja e Hudejbijes ishte në muajin e Dhul Kides në vitin e 6 -të. Po kështu edhe umreja kaza ishte në Dhul Kide vitin e 7 -të. Umreja e El Xhi'rânes ishte në Dhul Kide, vitin e 8 -të. Edhe umreja që i kreu së bashku me haxhin, kur ai e veshin ihramin për t’i kryer të dyja, ishte në Dhul Kide në vitin e 10 -të. Pas haxhit, Profeti ﷺ nuk ka kryer umre tjetër. Po, është e vërtetë se ai i ka thënë Umu Hanit: 234 . “Një umre gjatë Ramazanit konsiderohet si një haxh së bashku me mua”, por këtë e tha, sepse ajo donte të kryen te haxhin së bashku me Profetin, por nuk mundi.” Është përcjellë saktësisht se Profeti e veshi ihramin e tij për haxhin dhe për umren së bashku. Përcillet me hadith të saktë se Ai ka thënë: 235 . “Umreja u lejua të futet brenda haxhit deri në Kijamet.”. Në dy Sahih-ët është përcjellë hadithi nga Jea’la Ibn Umeje, ku flitet për historinë e atij burrit që e pyeti Profetin, kur ai ishte në El Xhi'rane dhe i tha: 236 . “Si të veprojë një burrë që ka vendosur ihramin për umre dhe ka veshur një xhube dhe është i parfumosur?” Profeti heshti, derisa i erdhi Shpallja. Atëherë, ai ngriti kokën dhe tha: “Ku është pyetësi?” Ai tha: “Këtu jam!” Profeti tha: “Sa për xhuben, hiqe atë! Sa për parfumin, lahu e largoje atë, e pastaj, ashtu siç veproje për haxhin, vepro edhe për umren!” - Nëse pengoheni, atëherë bëni kurban çfarë (kafshe) ta keni më të lehtë dhe mos e rruani kokën, derisa kurbani të arrijë në vendin e vet! - Është thënë se ky ajet është zbritur vitin e 6 -të, vitin e Hudejbijes, atëherë kur idhujtarët e penguan Profetin ﷺ të kryente umren. Gjatë kësaj kohe, Allahu i Madhëruar zbriti të gjithë suren Fet’h. Ai i ligjëroi këto lehtësime për besimtarët që, nëse pengoheshin nga kryerja e umres, të bënin kurban bagëtitë e sjella për umre. Ata kishin sjellë 70 deve. Duke i bërë kurban, ata mund të dilnin nga ihrami dhe të rruanin kokën. Por ata nuk po e bënin diçka të tillë, duke shpresuar për ndonjë urdhër të dytë, që të abrogonte këtë dispozitë. Por, kur vetë Profeti i Allahut doli nga çadra dhe e rruajti kokën e doli nga ihrami, duke e zbatuar kështu këtë lehtësim të Zotit, të gjithë e zbatuan atë. Pati prej tyre që nuk e rruajtën kokën, por veç i shkurtuan pak flokët, prandaj Profeti tha: 237 . “Allahu i mëshiroftë ata që e rruajtën kokën! - “Edhe ata që veç i shkurtojnë flokët?” Profeti vetëm herën e tretë tha: "Edhe ata që veç i shkurtojnë flokët...". Për çdo 7 vetë bëhej kurban një deve. Ata ishin rreth 1400 vetë. Ata qëndruan në Hudejbije, jashtë territorit të shenjtë (Harem), por disa thonë që ishin (brenda tij por) në pjesën më të largët të tij. Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme rreth pyetjes se çfarë konsiderohet si pengues i umres? A është vetëm armiku apo edhe sëmundja apo raste të tjera të ngjashme? Dy janë mendimet e dhëna prej tyre. Mendimi i parë vjen nga Ibn Abasi, i cili përcillet se ka thënë: “Pengim quhet veçse ai nga armiku, ndërsa sëmundja, ndonjë dhimbje, plagosje apo humbja e rrugës, nuk konsiderohen pengesa që kanë ndonjë detyrim. Allahu i Lartësuar thotë më pas: "Kur jeni të sigurt (nga armiqtë)...”, pra, nëse jeni të sigurt nga armiku. Kështu, në kohë paqeje nuk mund të ketë pengesë. Këtë mendim e kanë përkrahur një grup, mes të cilëve Ibn Umeri dhe një grup tabi’inësh. Ndërsa sipas mendimit të dytë pengimi është më i gjerë sesa thjesht nga armiku, sëmundja, humbja e rrugës e raste të tjera të ngjashme. Imam Ahmedi përcjell me senedin e tij deri tek El Haxhaxh Ibn Umer el Ensariu, që tregon se e ka dëgjuar Profetin e Allahut të thotë: 239 . “Ai i cili thyen ndonjë gjymtyrë, vuan nga plagë e dhimbje dhe dëmtohet aq sa çalon, është çliruar nga ihrami dhe e ka detyrë që të bëjë një haxh tjetër (vitin që vjen).” Ky hadith i është përmendur Ibn Abasit dhe Ebu Hurejras, të cilët kanë konfirmuar që ata kanë thënë të vërtetën. Është përcjellë nga Ibn Mesudi, Ibn Zubejri, Alkamete, Seid Ibn Musejjibi e të tjerë, që kanë thënë se: pengimi mund të vijë nga armiku, nga sëmundja ose nga thyerja e ndonjë gjymtyre. Në dy Sahih-ët vjen hadithi prej Aishes, që ka thënë: 240 “Profeti i Allahut shkon tek Diba’a, e bija e Zubejr Ibn Abdul-Mutalib, që i tha: ‘O i Dërguari i Allahut, unë dua të bëj haxhin, por kam dhimbje (jam e sëmurë).’ Ai tha: ‘Nise haxhin me kusht, duke thënë: "Unë do ta kryej haxhin deri sa të më pengojë sëmundja!” Kështu ka disa prej dijetarëve që e parapëlqejnë kushtëzimin. Imam Shafiu e ka përkrahur këtë mendim, nëse e vërtetojmë që hadithi është i saktë. Kështu ka thënë El Bejhakiu e të tjerë hafizë veç tij. Dhe hadithi është i saktë, elhamdulilah. Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: "...atëherë bëni kurban çfarë (kafshe) ta keni më të lehtë!” Aliu ka thënë: “Domethënë, një dele.” Ndërsa Ibn Abasi ka thënë që të jetë diçka e ngjashme me delen. Po kështu kanë thënë edhe një grup tabi’inësh. Ky është medhhebi i katër imamëve. Por ka edhe prej tyre që mendojnë se kurbani në këtë rast duhet të jetë veçse deve ose lopë. Me sa duket argumenti ku mbështeten këta është historia e Hudejbijes dhe fakti se nga asnjëri prej tyre nuk është transmetuar se u çlirua nga ihrami duke bërë kurban dele, por bëri deve ose lopë. Çdo shtatë vetë bënë kurban një lopë, sikurse është përcjellë në dy Sahih-ët nga Xhabir Ibn Abdilahi, i cili ka thënë: 241 “Profeti i Allahut na urdhëroi që, çdo 7 veta të bënin kurban 1 lopë.” Nga Ibn Abasi përcillet se ka thënë që kjo u bë sipas mundësisë së secilit. Nëse kishin mundësi, merrnin pjesë në kurbanin e lopëve, e nëse jo, bënin kurban ndonjë dele. Në dy Sahihët vjen hadithi i Aishes, - Nënës së besimtarëve ( Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) - që ka thënë: 242. “Profeti ﷺ bëri njëherë kurban një dele.” Allahu i Madhëruar thotë: "...dhe mos e rruani kokën, derisa kurbani të arrijë në vendin e vet!” Kjo është një fjali e sjellë pas ajetit tjetër me lidhëzën “dhe”. Nga kjo kuptohet se, në kohë sigurie e paqeje, bërja e kurbanit lejohet veçse brenda territorit të shenjtë (Haremit). Ndërsa si shkak të asaj që ndodhi në Hudejbije dhe bërja e kurbaneve jashtë Haremit, përmendin pengesën e kurejshve për t’u futur në Harem. Kështu fjala e Allahut: "...dhe mos e rruani kokën, derisa kurbani të arrijë në vendin e vet!” flet për haxhin " kiran” Pra, haxhiu i cili kryen haxhin e llojit kiran nuk çlirohet nga ihrami veçse pasi të bëjë kurbanin dhe pastaj të rruajë kokën. Ndërsa ai që kryen haxhin e llojit ifrad, ose temettu, çlirohet nga ihrami nëse bën njërën nga të dyja, kurbanin ose rruajtjen e kokës . Në dy Sahih-ët vjen hadithi n ga Hafsa, e cila e pyet i Profetin: 243 “O i Dërguari i Allahut, ç’është me njerëzit, të cilët e hoqën ihramin e umres, ndërsa ti nuk e ke hequr ende?!” - “Unë i kam sjellë me vete bagëtitë e kurbanit, prandaj nuk do të çlirohem prej ihramit derisa të bëj kurbanin.” - tha Profeti. Më pas Allahu i Madhëruar thotë: - Por për ata që janë të sëmurë ose kanë plagë në kokë, kompensimi (për rruajtjen e kokës para kohe) është me agjërim, sadaka ose kurban. - Buhariu sjell një hadith me senedin e tij deri tek Abdullah Ibn Mea’kil, i cili tregon: 244 “Unë qëndrova me Keab Ibn Axhraten në këtë xhami, - në xhaminë e Kufës - dhe e pyeta rreth fjalës së Allahut: "Por për ata që janë të sëmurë ose kanë plagë në kokë, kompensimi (për rruajtjen e kokës para kohe) është me agjërim, sadaka ose kurban." Ai më rrëfeu: ‘Mua më çuan tek Profeti i Allahut, kur morrat më ishin përhapur në gjithë fytyrën time. Ai më tha: “Nuk e dija të ishe në këtë gjendje! A ke ndonjë dele? - “Jo” - i thashë. Atëherë më tha: “Agjëro tri ditë ose ushqe gjashtë të varfër! Çdo të varfëri jepi gjysëm sai (njësi matëse) ushqim, dhe rruaje kokën!” Ky ajet ka zbritur për mua në mënyrë të veçantë, por vlen edhe për ju.” Imam Ahmedi përcjell kështu hadithin prej Keab Ibn Axharates: 245. “Profeti erdhi pranë meje kur unë isha duke ndezur zjarrin poshtë një kazani. Morrat po më lëviznin në fytyrë (ose tha: “mbi vetulla”). Profeti më tha: “A të mundojnë parazitët në kokë?” - “Po”. - “Atëherë rruaje kokën dhe agjëro tri ditë, ose ushqe gjashtë të varfër, ose bëj një kurban!” Ky - thotë Ibn Kethiri - është qëndrimi i katër imamëve dhe shumicës së dijetarëve, pra, që nevojtari është i lirë të zgjedhë mes tri alternativave të përmendura: ose agjëron, ose jep ushqim për gjashtë të varfër: çdo të varfëri gjysëm sai ose dy mud (grushta), ose bën një kurban dhe ua jep sadaka të varfërve. Cilado nga këto të treja vlen dhe mjafton si kompensim për rruajtjen e kokës nga nevoja. Konteksti i sjellë në Kur'an është për lehtësim, prandaj janë tri mundësi zgjedhjeje, njëra më e lehtë se tjetra. Allahu thotë: "...kompensimi (për rruajtjen e kokës para kohe) është me agjërim, sadaka ose kurban.” Ndërsa Profeti e mësoi Keab Ibn Axhraten me mënyrën më të mirë të kompensimit, duke e udhëzuar për të kryer fillimisht atë që është më e mira, e pastaj të tjerat më poshtë. Ai i tha që fillimisht të bënte kurban një dele, pastaj të ushqente gjashtë të varfër, e pastaj të agjëronte tri ditë. Secila mënyrë ka një kontekst të caktuar dhe sigurisht është më e mira për atë kontekst. Hishami ka thënë: “Ai që kompenson nëpërmjet kurbanit, atëherë ta bëjë në Mekë. Ndërsa ai që ushqen të varfërit apo agjëron, le ta bëjë ku të dëshirojë.” - Kur jeni të sigurt (nga armiqtë), atëherë ai që kryen umren gjatë haxhit, le të bëjë kurban, sipas mundësisë. - Pra, kur t’ju bëhet e mundur kryerja e adhurimeve të haxhit, atëherë Ai i cili kryen haxhin temettu, pra, së bashku me umren, le të bëjë kurban çfarë të ketë më të lehtë prej bagëtive të përcaktuara për kurban. E pakta që mund të bëhet është një dele, por mund të bëhet edhe lopë. Profeti ﷺ bëri kurban lopë, për gratë e tij. El Euzaiu ka thënë që: përcillet nga Ebu Hurejrate, se: 246 “Profeti bëri kurban lopë, për gratë e tij. Të gjitha gratë ishin duke kryer haxhin temettu.” Në dy Sahih-ët vjen hadithi prej Imran Ibn Husajnit, i cili ka thënë: 247 . “Ajeti që flet për llojin temettu të haxhit u zbrit në Librin e Allahut, haxh të cilin ne e kryem së bashku me Profetin e Allahut. Më pas nuk ka zbritur ndonjë ajet që ta bëjë haram apo të na ndalojë nga ky lloj haxhi, derisa Profeti ﷺ vdiq. Janë disa që flasin sipas mendjes së vet.” [Buhariu]. Thuhet se ishte fjala për Umerin. Në Sahihun e Buhariut vjen hadithi se ishte Umeri ai që i ndalonte njerëzit nga haxhi temettu, duke u thënë: "Ne mbështetemi në fjalën dhe në Librin e Allahut, që na urdhëron të plotësojmë haxhin dhe umren”, duke aluduar për ajetin: "Kryejeni të plotë haxhin dhe umren, për hir të Allahut!". Por, në fakt, Umeri nuk e ndaloi për ta bërë haram diçka të tillë. Ai e bëri këtë që njerëzit të vinin më shpesh për haxh dhe umre. Kjo kuptohet më qartë në fjalët e tij (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Më pas Allahu i Madhëruar tha: - Ai që nuk ka, le të agjërojë tri ditë gjatë haxhit dhe shtatë ditë kur të jetë kthyer (në shtëpi) .- Domethënë, ai që nuk ka mundësi të bëjë kurban, le të agjërojë tri ditë gjatë kohës së adhurimeve të haxhit. Dijetarët thonë që më e mira është t’i agjërosh para ditës së Arafatit, në dhjetëditëshin e parë të Dhul Hixhes. Për sa i përket agjërimit në ditët e Teshrikut, dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme. Disa janë të mendimit se kjo lejohet, duke u mbështetur në fjalën e Aishes dhe Ibn Umerit në Sahihun e Buhariut: 248 “Askujt nuk i është lejuar të agjërojë në ditët e Teshrikut, përveç atij që nuk ka mundësi të bëjë kurban.” Ndërsa nga Aliu përcillet se thoshte: “Nëse dikush nuk mund të agjërojë tri ditë gjatë haxhit, atëherë le të agjërojë tri ditët e Teshrikut.” Po kështu kanë thënë Ikrime, El Haseni dhe Uruete Ibn Zubejri. Arsyeja e tyre është se ajeti kuranor: "Ai që nuk ka, le të agjërojë tri ditë gjatë haxhit...” është i përgjithshëm. Ky është edhe mendimi i parë i Shafiut. Por sipas mendimit të tij të mëvonshëm, nuk lejohet, sepse agjërimi gjatë ditëve të Teshrikut nuk lejohet. Muslimi sjell hadithin prej Kutejbe el Hudhelit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), se Profeti i Allahut ka thënë: 249 “Ditët e Teshrikut janë ditë kur hahet, pihet dhe përmendet Zotit Krenar dhe i Lartësuar.” Më pas Allahu thotë: "...dhe shtatë ditë kur të jetë kthyer (në shtëpi) .” Pra, pasi haxhinjtë të kthehen pranë familjeve të tyre, siç ka thënë Profeti në një pjesë të hadithit që e ka sjellë Buhariu nga Ibn Umeri: 250 “... Ai që nuk gjen kurban le të agjërojë 3 ditë gjatë haxhit dhe 7 ditë kur të kthehet në familjen e tij.” Hadithin e kanë përnxjerrë Buhariu dhe Muslimi. - Kështu bëhen dhjetë ditë të plota. - Ky është një përforcim i urdhrit të mëparshëm. Pra, është një urdhër për të plotësuar 10 ditë agjërim. - Ky është rregulli për ata që nuk e kanë familjen pranë Xhamisë së Shenjtë. - Të gjithë dijetarët e tefsirit janë të mendimit se ata që janë pasur për qëllim me këtë ajet janë banorët e Haremit, për faktin se atyre nuk u lejohet haxhi temettu. Katade tregonte se i kishin rrëfyer që Ibn Abasi thoshte: "O banorë të Mekës! Juve nuk ju takon të bëni haxhin temettu! Për të ardhurit nga larg është e lejuar, ndërsa për ju, banorët e Haremit, është e ndaluar! Ka ndonjë që del pak jashtë Haremit, aq sa vetëm një luginë e ndan me Haremin, dhe ia lejon vetes temettu!” Nga Tausi përcillet se ka thënë që: “Haxhi temettu është për njerëzit që vijnë nga larg, jo për banorët e Mekës, edhe nëse nuk janë prej zonës së Haremit. - "Kijeni frikë Allahun...” - Kini frikë prej Tij, në lidhje me atë që ju ka urdhëruar dhe ndaluar. Kini frikë ndëshkimin dhe zemërimin e Tij - "...dhe dijeni se Allahu është ndëshkues i rreptë.” - Për atë që kundërshton urdhrat e Tij dhe kryen ato gjëra që Ai i ka ndaluar.

Mus'haf Hape →
Bekare 2:1–2:5 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… për vizitë në Bejt el Makdes për të falur namazin. Atë kohë me ne ishte edhe Ebu Hajuete, - Allahu qoftë i kënaqur me të! Kur mbaroi namazin, u ngritëm …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Për “Elif, Lâm, Mîm ”, ashtu si edhe për të gjitha gërmat e tjera të përdorura në Kur'an në hapjen e disa sureve, mufesirët kanë dhënë mendime të ndryshme, si: 1. Këto janë nga ato ajete “ muteshabihe”, kuptimin e të cilave e di vetëm Alahu i Lartësuar. 2. Ato janë gërma që tregojnë për disa emra të Allahut të Lartësuar. Kështu p.sh., për “Elif, Lam Mim” , Elif është gërma me të cilën fillon fjala Allah, Lam është gërma me të cilën fillon emri Latif dhe Mim është gërma me të cilën fillon emri Mexhid (i Madhëruar). 3. Ato përmbajnë kuptime të rëndësishme dhe Allahu nuk i ka zbritur ato kot, siç pretendojnë disa të paditur, që thonë se në Kur'an ka fjalë që Allahu i ka zbritur thjesht për ta adhuruar Atë duke i lexuar ato, por që nuk përmbajnë asnjë kuptim. Përkundrazi, ato përmbajnë kuptime dhe urtësi në vetvete. Nëse na vijnë transmetime nga Shpallja (Kur'an e Sunet) rreth kuptimit të tyre, ne i pranojmë, e nëse jo, atëherë ne heshtim dhe themi: “...Të gjitha (ajetet) janë nga Zoti ynë.” [Al Imran 7]. Për sa i përket urtësisë në sjelljen e këtyre gërmave, janë dhënë mendime të ndryshme: 1. Ato janë sjellë që të shërbjenë si një sinjalizim për idhujtarët, që të dëgjojnë me vëmendje fjalën e Allahut. Por ky është një mendim shumë i dobët, sepse jo të gjitha suret fillojnë me të tilla gërma. Pastaj surja Bekare dhe Al Imran janë sure medinase, dhe atje nuk kishte idhujtarë. 2. Ato gërma janë sjellë për të treguar mrekullinë e këtij Kur'ani, i cili është i përbërë nga këto gërma, që edhe krijesat i përdorin në fjalët e tyre, por megjithatë janë të pafuqishëm që të bëjnë një libër e një fjalë si Kur'ani. Ky është edhe mendimi i shumë analistëve të shquar, mes të cilëve edhe shejhu i Islamit Ibn Tejmije. Një tregues i fortë për saktësinë e këtij mendimi është fakti se në çdo sure që nis me përmendjen e këtyre gërmave, në vijim përmendet Kur'ani dhe madhështia e tij si një Fjalë e zbritur nga Zoti i botëve. Shih p.sh.: “ Elif, Lâm, Mîm. Ky është Libri ....”. Ose “Ha, Mim! Betohem në Librin e qartë!” “Ha, Mim ! Kjo është Shpallje prej të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.” “ Ha, Mim! Betohem në Librin e qartë. Ne e shpallëm Kur'anin në arabisht, që ju ta kuptoni.” “ Ja, Sin! Betohem në Kur'anin plot urtësi...” etj. - “Ky është Libri...” Me fjalën “Libri” thuhet se është patur për qëllim Teurati dhe Ungjilli, por ky është një mendim shumë i gabuar dhe i pabazuar në argument. E vërteta është se bëhet fjalë për Kur'anin. “Në të nuk ka asnjë dyshim.” Pra, nuk ka dyshime e pasiguri në faktin se ai është shpallje e Allahut, sikurse thotë i Lartësuari: “Kjo është shpallja e Librit (e Kur'anit), në të cilin nuk ka asnjë dyshim se është (shpallje) nga Zoti i botëve.” [Sexhde 2]. Disa kanë thënë se kjo fjali është një fjali dëftore, por që nënkupton një urdhër, pra: “Mos kini asnjë dyshim në të!” Ajeti mund të lexohet në dy mënyra: “Dhâlikel kitâbu lâ rejb - Ky është Libri, nuk ka asnjë dyshim.” Këtu qëndron, dhe pastaj vazhdon: “ Fihi huden lil mut -tekin - Në të ka udhëzim për të devotshmit”. Por mund të lexohet edhe kështu: “ Dhâlikel kit âbu l â rejbe fihi - Ky është Libri, që nuk ka asnjë dyshim në të.” Këtu qëndron, dhe pastaj vazhdon: “ Huden lil mut -tekin - Ai është udhëzim për të devotshmit”. Mënyra e dytë është më parësore të përdoret, sepse tregon se Kur'ani është i gjithi udhëzim, ndërsa mënyra e parë thjesht na tregon se në këtë Kur'an ka udhëzime. Ndryshimi mes dy kuptimeve është i qartë. - Ai është Udhëzim për të devotshmit.” - Ai është udhëzim në mënyrë të veçantë për këtë kategori, sikurse thuhet edhe në ajete të tjera: “Ai, për besimtarët, është udhëzim e shërim. Ndërsa ata që nuk besojnë, i kanë veshët të shurdhuar, dhe për ta ai është verbëri. Këta janë njëlloj si të thirren prej një vendi të largët”.” [Fussilet 44]. “ Ne të shpallëm Kur'anin, që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve u shton veçse dëshpërim.” [Isra 82]. E të tjera ajete, që tregojnë se besimtarët janë ata që përfitojnë nga ky Kur'an. Në fakt, Kur'ani është në vetvete një udhëzim i qartë dhe mund të shërbejë si i tillë për gjithkënd, por këtë udhëzim mund ta arrijnë e të stolisen me të veçse vepërmirët besimtarë, siç thotë i Madhëruari: “O njerëz! Ja ku ju erdhi Këshilla nga Zoti juaj dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorin tuaj. Ai është Udhëzim dhe Mëshirë për besimtarët.” [Junus 57]. Es -Suddiu thotë: “Ai është nur dritë për të devotshmit”. Ibn Abasi ka thënë se të devotshmit janë ata të cilët ruhen nga idhujtaria e cënimi i njëshmërisë së Zotit dhe punojnë për t’iu bindur Allahut të Lartësuar. Ndërsa Hasan el Basriu ka thënë: “Janë ata që ruhen nga haramet e Zotit dhe i përmbushin detyrat e Tij.” Ata i frikësohen ndëshkimit të Allahut, shpresojnë shpërblimin e Tij dhe i ruhen harameve. Katadja thotë: “Janë ata të cilët përshkruhen edhe në ajetet në vijim me cilësitë e besimtarëve të devotshëm.”. Ibn Xheriri është i mendimit se ajeti i përfshin të gjithë. Një hadith thotë: “Robi nuk ka për t’ia arritur të jetë muttekin, derisa të lërë atë që nuk është e ndaluar, nga frika se mos është e ndaluar.”. Udhëzimi është disa llojesh. Me fjalën “udhëzim” ndonjëherë është për qëllim imani ose ndjenjat që zënë vend në zemrën e njeriut, dhe këtë nuk ka fuqi që ta krijojë askush tjetër veç Allahut. Me fjalë të tjera, ‘el hidajetu’ (udhëzimi) është “Halkul kudrati alet -tâ’ati” - krijimi i aftësisë dhe forcës së mjaftueshme për të adhuruar Allahun dhe për t’iu bindur e nënshtruar Atij. Allahu i Lartësuar, për këtë lloj udhëzimi, thotë: “ Ti nuk do të mund ta udhëzosh çdokënd që do ti, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dojë dhe Ai i di më së miri ata që e marrin (dhe e meritojnë) udhëzimin.” [Kasas 56]. Gjithashtu, thotë: “Nuk është detyrë e jotja udhëzimi i tyre. Është Allahu që udhëzon në rrugë të drejtë atë që Ai do.” [Bekare 272]. “Për ata që Allahu i lë në humbje, nuk ka udhëzues. Ai do t’i lërë ata të enden në mosbesimin e tyre.” [ El ea ’raf 186]. Herë të tjera, fjala ‘udhëzim’ vjen me kuptimin: qartësimi i së vërtetës dhe tregues i saj, siç thotë i Lartësuari: “Po kështu Ne të shpallëm ty Libër (jetëdhënës) prej Nesh. Ti nuk dije çfarë ishte Libri dhe as ç’ishte imani, por Ne e bëmë atë dritë, me të cilën e udhëzojmë në rrugë të drejtë atë që Ne dëshirojmë prej robërve Tanë. Pa dyshim, edhe ti udhëzon në rrugën e drejtë. Në rrugën e Allahut, të Cilit i takon ç'ka në qiej dhe ç'ka në Tokë.”[Shura 52]. “Ata që nuk besojnë thonë: “Përse nuk i zbret atij ndonjë shenjë nga Zoti i tij?” Por ti je veçse një qortues dhe çdo popull ka pasur udhërrëfyes.” [Rad 7]. “Sa i përket (popullit të) Themudit, Ne ia treguam udhën e drejtë, por ata parapëlqyen verbërinë (e zemrës) kundrejt udhëzimit. Prandaj i kapi tmerri i dënimit poshtërues për shkak të asaj që kishin vepruar. ” [Fussilet 17]. Et-takuâ (devotshmëria) në origjinën e saj ka kuptimin e ruajtjes dhe mbrojtjes nga diçka që i druhesh dhe e urren. Umeri e ka pyetur Ubej Ibn Kea’bin rreth takua-s, dhe ai tha: “A ke ecur ndonjëherë në ndonjë rrugë me gjemba?” - “Po”. - “Si ke vepruar?” - “Kam treguar kujdes të madh dhe jam përpjekur të ruhem.” Ubeji tha: “Ja, kjo është takua!” Në këtë fjalë është mbështetur Ibn Mu’tezi, kur thuri vargjet e njohura: "Lëri gjynahet, të voglat e të mëdhatë, Ja, kjo është devotshmëria! Kujdesu, si ai që ecën në tokën me gjemba, që ruhet nga ajo që sheh! Mos nënvleftëso asnjë gjynah që të duket i vogël, sepse edhe malet, nga guralecë të vegjël formohen. " Në Sunenin e Ibn Maxhes shënohet se Profeti ﷺ ka thënë: “Pas devotshmërisë, njeriu nuk përfiton ndonjë gjë më të mirë sesa një grua të mirë, të tillë që, kur e sheh atë, i sjell kënaqësi e gëzim; kur e urdhëron, i bindet, kur i kërkon diçka (e i betohet) për hir të Zotit, ajo ia plotëson e nuk ia thyen betimin, dhe nëse ai nuk është i pranishëm, ajo e ruan (e kujdeset për) veten e saj dhe pasurinë e tij.” - “... të cilët besojnë në të fshehtën , ...” “El iman ”, nga ana gjuhësore, do të thotë: “et-taŝdîķ (pohim, miratim, besim me siguri të plotë i diçkaje). Në Sheriat “iman” është pohimi i çështjeve të besimit me fjalë, të besuarit të tyre me zemër dhe të punuarit sipas këtij besimi”. 43 Kështu, nëse ne kemi për qëllim këtë kuptim të fjalës “ îmân”, mund të themi se ai shtohet dhe pakësohet. Ai shtohet kur bëjmë punë të mira në bindje ndaj Zotit dhe pakësohet nga gjynahet. Ky lloj besimi bën që në zemrën e robit të lindë ajo që quhet “ el hashjeh”, domethënë, frika nga Zoti i Lartësuar, që vjen nga dituria rreth Tij”. Kështu, besimtari i mbushur me frikë për Zotin e tij, nuk bën vepra që kundërshtojnë urdhrin e Zotit, as thotë fjalë që Ai i ka ndaluar, apo të besojë besime e doktrina që Ai nuk i ka shpallur apo sjellë përmes shpalljeve dhe profetëve të Tij. Të besosh të fshehtën do të thotë të besosh diçka pa e parë atë. Këta e besojnë të fshehtën për të cilën na ka urdhëruar Zoti që ta besojmë, me siguri të plotë. Besimi në të fshehtën për të cilën jemi urdhëruar ta besojmë është besimi në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, profetët e dërguar prej Tij, në Ditën e Gjykimit, në caktimin e të mirës dhe të keqes vetëm prej Tij, në ringjalljen pas vdekjes, Xhenetin, Zjarrin etj. Të gjitha këto janë prej besimit në të fshehtën. Nga Abdurrahman Ibn Jezid përcillet se ka thënë: “Një ditë ishim ulur tek Abdullah Ibn Mesudi dhe ishim duke kujtuar sahabët e Profetit ﷺ dhe faktin se ata na paraprinë në mirësitë e sevapet e shumta. Ai tha: “Çështja e Muhamedit ishte e qartë për ata që e panë me sy. Por betohem në Atë, që nuk ka Zot tjetër që meriton adhurimin veç Tij, se askush nuk ka një besim më të mirë e të shpërblyeshëm sesa besimi në të fshehtën!” Pastaj lexoi ajetet: “Ai është udhëzim për të devotshmit, të cilët e besojnë të fshehtën, e përkryejnë namazin ... deri në fjalën e Tij: “ Vetëm ata janë të udhëzuar në rrugën e drejtë nga Zoti i tyre dhe vetëm ata janë të shpëtuarit. ” Po të njëjtin mesazh përcjell edhe hadithi i sjellë nga imam Ahmedi prej Muhajrizit, i cili tregon: “I thashë Ebu Xhumuates: “Na trego një hadith që e ke dëgjuar nga Profeti ﷺ ’!- “Po, do t’ju tregoj një hadith shumë të bukur. “Një ditë, ishim për drekë tek Profeti i Allahut dhe me ne ishte edhe Abdullah Ibn Xherrah. Ai tha: “O Profeti i Allahut! A mund të jetë dikush tjetër më mirë sesa ne? Ne e pranuam Islamin me ty dhe luftuam përkrah teje.” - “Po. Është një popull që do të vijë pas jush. Ata do të më besojnë mua, edhe pse nuk do të më kenë parë.” Në një transmetim tjetër nga Salih Ibn Xhubejri thuhet: “Ebu Xhumuate el Ensari, - sahabi i Profetit të Allahut, - erdhi për vizitë në Bejt el Makdes për të falur namazin. Atë kohë me ne ishte edhe Ebu Hajuete, - Allahu qoftë i kënaqur me të! Kur mbaroi namazin, u ngritëm ta përcillnim. Kur po largohej, tha: “Kam një lajm të mirë dhe të vërtetë, që dua t’jua jap. Do t’ju tregoj për një hadith. që e kam dëgjuar nga Profeti i Allahut.” - “Na e jep, Allahu të mëshiroftë!” - i thamë. Ai tha: “Një ditë ishim bashkë me Profetin e Allahut dhe me ne ishte edhe Muadh Ibn Xhebeli, - njëri nga Dhjetë të Përgëzuarit me Xhenet. Ne i thamë: “O i Dërguari i Allahut! A ka ndonjë që e ka shpërblimin më të madh se ne? Ne të besuam dhe e pasuam rrugën tënde...”. Profeti ﷺ tha: “E çfarë ju pengon ju nga kjo, kur Profeti i Allahut është në mesin tuaj dhe jua sjell Shpalljen nga qielli? Pas jush do të vijnë njerëz, të cilëve u vjen libër mes dy kapakësh dhe ata e besojnë dhe punojnë sipas tij. Ata kanë shpërmblim më të madh se ju! Ata kanë shpërmblim më të madh se ju.” Ndër cilësitë e besimtarëve të devotshëm është se ata: - e përkryejnë namazin, - “El salatu ” (namazi), në gjuhë, ka kuptimin e duasë, lutjes. Ndërsa në terminologjinë fetare nënkupton namazin, adhurimin e njohur me ruku, sexhde dhe fjalë e veprime të njohura, që kryhen në kohë të caktuara. Namazi ka kushte e veprime të njohura dhe Allahu e ka bërë detyrë për robërit që ta falin pesë herë në ditë. Ai është shtylla e dytë e Islamit, për nga rëndësia. Ta përkryesh namazin do të thotë që ta falësh atë në kohën e vet, të pastrohesh mirë ritualisht para tij dhe ta falësh atë duke plotësuar të gjitha veprimet e fjalët që thuhen gjatë tij, të plotësosh e bësh sa më mirë rukunë, sexhden, leximin e Kur'anit, teshehudin, salavatet për Profetin etj. - dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne ; - Ibn Abasi thotë për këtë ajet: “Pra, nxjerrin zekatin e pasurive të tyre.” Përpara se të ligjëroheshin dispozitat për zekatin, shpenzimi për hir të Zotit nënkuptonte harxhimet që njeriu bënte për familjen e vet. Ibn Xheriri mbështet mendimin se në këtë ajet bëhet fjalë si për shpenzimet e pëlqyeshme, ashtu edhe ato të detyrueshme. Allahu i Lartësuar përmend shumë shpesh në Kur'an urdhrin për faljen e namazit së bashku me urdhrin për të shpenzuar nga pasuria që na ka dhuruar. Falja e namazit është haku i Zotit dhe shprehje e adhurimit për Të. Gjatë namazit, robi dëshmon njëshmërinë e Allahut, e përlëvdon Atë, i shpreh Atij madhërimin e përunjësinë, i drejtohet me lutje dhe i mbështetet tërësisht Atij. Ndërsa shpenzimi i pasurive është bamirësi ndaj krijesave, duke qenë i dobishëm për ta. Sigurisht që njerëzit më të meritueshëm për këto shpenzime janë familja e farefisi, pastaj shërbëtorët e robërit, e pastaj ata më të largëtit. Sadakatë dhe zekati duhet të jepen për hir të Allahut dhe në emër të bindjes ndaj Tij e jo për interesa të kësaj dynjaje, për ndonjë interes nga krijesat apo nga frika prej tyre. Qëllimi i besimtarit kur jep zekatin dhe sadakatë është arritja e shpërblimit të Allahut dhe kënaqësisë së Tij, ruajtja nga ndëshkimi i Allahut e zemërimi i Tij. Ai është i vetmi synim i besimtarit. Në dy Sahihët është sjellë hadithi prej Ibn Umerit, se Profeti ka thënë: 45 . “Islami u ndërtua mbi këto të pesta: Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër (të merituar) veç Allahut dhe se Muhamedi është adhuruesi dhe profeti i Tij, përkryerja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe haxhi në Shtëpinë e Tij (Qabe).” Më hollësisht për zekatin do të flasim më pas, në dashtë Allahu i Lartësuar. - dhe për ata të cilët besojnë në atë që t’u shpall ty... - Pra, e besojnë këtë Kur'an që t’u shpall ty nga Zoti. - dhe në atë që është shpallur para teje... - I besojnë të gjitha shpalljet që Zoti u dha profetëve para teje. Ata besojnë Teuratin, Ungjillin, Zeburin e të gjitha shpalljet e Allahut dhe nuk bëjnë dallime mes shpalljeve dhe profetëve. - dhe për botën tjetër (ahiretin) ata janë të bindur plotësisht. - Pra ata nuk i trazon asnjë dyshim për vërtetësinë e botës tjetër, pra, për ringjalljen, Kijametin, Xhenetin, Zjarrin, llogarinë e drejtë para Zotit e peshimin e veprave të njerëzve. Ahireti është quajtur “i fundit”, sepse vjen pas dynjasë. Ky është përshkrimi për besimtarët në përgjithësi, qofshin nga arabët apo nga ithtarët e Librit, të cilët besuan Profetin e Fundit, Muhamedin ﷺ. Ky është mendimi më i pranueshëm, sikurse ka thënë Muxhahidi: katër ajete nga surja Bekare janë për përshkrimin e besimtarëve, dy ajete janë për përshkrimin e qafirëve dhe trembëdhjetë ajete janë për përshkrimin e munafikëve. Këto katër ajete janë gjithëpërfshirëse të cilësive të çdo besimtari, qoftë ai arab, joarab, ithtar libri, qoftë prej njerëzve apo prej xhindëve. Pastaj mund të themi me bindje se asnjë nga këto cilësi të veçanta nuk mund të jetë e saktë pa cilësitë e tjera. Çdonjëra prej tyre parakupton të tjerat. Kështu për shembull, besimi në të fshehtën nuk mund të jetë i saktë e i pranuar pa besimin në shpalljet që solli profeti nga Zoti i tij dhe pa besimin në shpalljet që u shpallën para tij, ose pa besimin e plotë dhe të sigurt për ahiretin. Prandaj Allahu i Madhëruar urdhëron besimtarët për të besuar në të gjitha këto çështje, kur thotë: “O ju që keni besuar! Besoni plotësisht në Allahun, në të dërguarin e Tij, në Librin që ia ka shpallur të Dërguarit të Tij dhe në Librin që ua ka zbritur atyre para tij. Kush nuk beson në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij dhe Ditën e gjykimit, ai ka humbur shumë larg (rrugës së drejtë) .” [Nisa 136] dhe kur thotë: “...dhe thuajuni: “Ne i besojmë shpalljes që na u zbrit neve dhe shpalljes që ju zbriti juve. Zoti ynë dhe Zoti juaj është Një dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar.” [Ankebut 46]. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar duke na njoftuar rreth besimtarëve thotë: “I Dërguari e besoi atë që iu shpall prej Zotit të tij e ashtu bënë edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, melekëve të Tij, shpalljeve të Tij dhe të dërguarve të Tij (duke thënë) : “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij.” Ata thanë: “Dëgjuam dhe u bindëm. Kërkojmë faljen Tënde, o Zoti ynë. Vetëm tek Ti është e ardhmja jonë.” . [Bekare 285]. Kështu, çdokush që e besoi Muhamedin ﷺ prej xhindëve e njerëzve dhe i përmbushi në veten e vet cilësitë e përmendura në këtë ajet: - Vetëm ata janë të udhëzuar në rrugën e drejtë nga Zoti i tyre ... - Pra, janë në dritë e argument të sigurt e të qartë, të dhënë nga Allahu i Lartësuar. - dhe vetëm ata janë të shpëtuarit. - Ata shpëtuan dhe arritën gjithçka që kërkuan prej Allahut të Madhëruar, përmes veprave të tyre të mira dhe imanit të tyre korrekt në Allahun dhe Profetin e Tij. Ata fituan shpërblimet e shumta të Zotit dhe Xhenetin e përjetësisë. Ata shpëtuan nga ndëshkimi, të cilin Zoti do të japë për armiqtë e tyre.

Mus'haf Hape →
Nisa 4:23–4:24 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… mut'atu dhe ngrënien e mishit të gomarit të butë, dhe kjo ndodhi në luftën e Hajberit.” Në Sahih-un e Muslimit vjen një hadith nga Rabi' Ibn Sebrate Ibn Mea'bed …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- Ju është ndaluar martesa me nënat tuaja, me bijat tuaja, me motrat tuaja, me hallat tuaja, me tezet tuaja, me bijat e vëllait, me bijat e motrës... - Ky ajet i mrekullueshëm tregon qartë kategoritë e grave me të cilat një burrë e ka të ndaluar të martohet. Kategoritë e ndaluara renditen sipas shkaqeve përkatëse: Të ndaluara për shkak të lidhjes farefisnore; Të ndaluara për shkak të gjidhënies ; Të ndaluara për shkak të lidhjeve martesore. Ibn Ebu Hatimi citon Ibn Abasin të ketë thënë: “Janë të ndaluara për ju shtatë kategori për shkak të lidhjes farefisnore dhe shtatë për shkak të lidhjeve të krushqisë e gjidhënies”. Pastaj lexoi ajetin: “Ju është ndaluar martesa me nënat tuaja, me bijat tuaja...”. Përcillet, gjithashtu, se Ibn Abasi ka thënë: “Shtatë kategori grash janë bërë haram për shkak të lidhjes farefisnore dhe shtatë të tjera për shkak të lidhjeve të krushqisë e gjidhënies”. Dhe më pas ka lexuar ajetin: “Ju është ndaluar martesa me nënat tuaja, me bijat tuaja, me motrat tuaja, me hallat tuaja, me tezet tuaja, me bijat e vëllait, me bijat e motrës...”. Këto janë shtatë të ndaluarat për shkak të lidhjes farefisnore. Shumica e dijetarëve bazohen në këtë ajet për të thënë se, edhe vajzat e lindura nga marrëdhëniet jashtëmartesore kanë të njëjtin gjykim si ato të ligjshmet, sepse fjala: “bijat tuaja” i përfshin edhe ato. Ky është qëndrimi i Ebu Hanifes, Malikut dhe Imam Ahmedit. Ndërsa nga Imam Shafiiu përcillet mendimi se bijat e paligjshme nuk përfshihen, sepse ato nuk konsiderohen si “bija”, siç aludon për këtë fjala e Allahu të Madhëruar: “Allahu ju urdhëron kështu për fëmijët tuaj: mashkullit i takojnë sa për dy femra.” Dhe, është e pranuar unanimisht që bija e lindur nga marrëdhënie jashtëmartesore nuk ka pjesë në trashëgimi. Atëherë, ashtu siç nuk merr statusin e bijës në rastin e trashëgimisë, po ashtu nuk konsiderohet edhe në këtë rast. Megjithatë, Allahu është më i ditur. - “... me mëndeshat që ju kanë dhënë gji, me motrat nga gjiri...”. - Ashtu siç është haram martesa me nënën që të ka lindur, ashtu është haram martesa edhe me nënën (mëndeshë) që të ka dhënë gji. Në dy Sahihët vjen hadithi nga Aishja, e cila tregon se Profeti ka thënë: 667 . “Martesa me mëndeshën tënde është e ndaluar, ashtu siç është e ndaluar martesa me nënën që të ka lindur” Në një version të sjellë nga Muslimi thuhet: 668 . “Gjidhënia bën të ndaluara të njëjtat gjëra që bën të ndaluara lidhja e gjakut (farefisnia).” Dhe nga ky gjykim nuk përjashtohet askush. Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme për numrin e gjidhënieve, që ato të konsiderohen si shkak për ndalimin e martesës. Disa janë të mendimit se qoftë edhe sikur të kesh pirë nga ajo grua një herë e vetme, është e mjaftueshme ndalimi i martesës me të, sepse ajeti është përgjithësues dhe nuk ka përcaktuar numër të veçantë. Ky është mendimi i mbështetur nga Imam Maliku dhe është përcjellë, gjithashtu, si mendim i Ibn Umerit dhe i disa tabiinëve. Disa të tjerë janë të mendimit se duhet të kesh pirë jo më pak se tri herë, që gjidhënia të konsiderohet si shkak për ndalimin e martesës me atë grua. Argument për këtë është hadithi që përcillet nga Aishja në Sahih-un e Muslimit, se Profeti ka thënë: 669 . “Nuk e bëjnë haram (martesën) një ose dy të thithura të gjirit (gjidhënie)” Ky është mendimi i mbështetur nga Imam Ahmedi dhe është përcjellë si mendim i Aliut, Aishes, Umu Fadlit etj. Disa të tjerë janë të mendimit se, që gjidhënia të konsiderohet si shkak për ndalimin e martesës duhet të kesh pirë jo më pak se pesë herë. Argument për këtë është hadithi që përcillet nga Aishja në Sahih-un e Muslimit se Profeti ﷺ ka thënë: 670. “Ndër ajetet që u zbritën prej Kur 'anit ishte edhe: “Dhjetë gjidhënie të njohura e bëjnë haram (martesën)”. Më pas ky gjykim u abrogua dhe u ul në 5 gjidhënie të njohura. Kur Profeti ndërroi jetë, ato lexoheshin ende si ajete kuranore.” Edhe Abdurrezaku përcjell nga Aishja një hadith të ngjashëm. Ndërsa në hadithin e Sehlete Bintu Suhejlit përmendet se: 671 . “Profeti e urdhëroi atë që t’i jepte gji Salimit 5 herë.” Po kështu, edhe Aishja i urdhëronte të gjithë ata që donin ta vizitonin lirshëm atë, që të pinin pesë herë gji. Ky është qëndrimi i Shafiiut dhe pasuesve të tij. Gjithashtu, duhet ditur se gjidhënia duhet të jetë në moshë të vogël të fëmijës, apo thënë më saktë brenda dy viteve të para të jetës së tij. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. Më hollësisht për këtë çështje kemi folur në tefsirin e sures Bekare, e pikërisht në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Nënat le t’u japin gji foshnjave të tyre dy vjet të plotë, nëse dëshirojnë që ta plotësojnë gjidhënien.” [Bekare 233]. 167 Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme për pyetjen se, a konsiderohet edhe bashkëshorti i mëndeshës si “babai prej qumështi” i fëmijës së ushqyer? Nëse po, atëherë personit që ka pirë gji te një mëndeshë i bëhen të ndaluara të njëjtat gjëra që për të janë të ndaluara kundrejt prindërve nga të cilët ka lindur. Apo kjo dispozitë ka të bëjë vetëm me mëndeshën, dhe nuk e përfshin bashkëshortin e mëndeshës (siç është edhe mendimi i disa selefëve)? Përgjigjet e këtyre pyetjeve përfshijnë edhe mendimet e ndryshme për këtë çështje, 168 shtjellimi i së cilës është bërë hollësisht në librin “ El Ahkam el Kebir”.169 - “... me nënat e grave tuaja (vjehrrat) dhe me thjeshtrat (vajzat) e grave tuaja,që janë nën kujdesin tuaj, me të cilat keni kryer kontakt; por nëse nuk keni pasur kontakt me to (me gratë) , atëherë s’ka pengesë.” - Vjehrra bëhet e ndaluar për martesë që në momentin e lidhjes së aktit martesor me të bijën, edhe nëse ende nuk ke kryer marrëdhënie intime me këtë të fundit. Ndërsa thjeshtra, pra, bija e gruas (me tjetër burrë), bëhet e ndaluar veçse pasi të jetë kryer marrëdhënie intime me nënën e saj. Kështu, nëse është bërë vetëm lidhja e aktit martesor, por pa u konsumuar martesa, dhe më pas është bërë divorci me këtë grua, atëherë martesa me të bijën e saj, që e ka me një tjetër burrë, nuk konsiderohet e ndaluar. Allahu i Madhëruar thotë: “...dhe me thjeshtrat (vajzat) e grave tuaja, me të cilat keni kryer kontakt; por nëse nuk keni pasur kontakt me to (me gratë) , atëherë s’ka pengesë.”. Ndalu pak në këtë ajet, e pikërisht te: “...nëse nuk keni pasur kontakt me to...”. Pyetja që shtrohet është: Përemri vetor “to” i referohet vetëm gruas apo është gjithëpërfshirës dhe vlen edhe për thjeshtrën? Disa janë të mendimit se përemri “to” përfshin gruan dhe thjeshtrën. Pra, sipas këtij mendimi, martesa me një grua nuk bëhet haram thjesht dhe vetëm prej lidhjes së aktit martesor me bijën e saj, që e ka patur me tjetër burrë, por veçse pasi është konsumuar martesa (janë kryer marrëdhënie seksuale) me këtë të fundit. Këta e mbështesin këtë mendim edhe me ngjarjen që përcillet nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili u pyet rreth dikujt që u martua me një grua dhe e ndau atë para se të kryente marrëdhënie intime me të: a i lejohej tashmë që të martohej me nënën e saj? Aliu tha: “Ajo ka të njëjtin gjykim si martesa me thjeshtrën (bijën e saj), nëse nuk është kryer marrëdhënie intime me nënën e saj.”. Gjithashtu, na ka treguar Ibn Beshari se Zejd Ibn Thabit ka thënë: “Nëse një burrë e ndan gruan e tij pa kryer asnjëherë marrëdhënie intime me të, nuk është e ndaluar që të martohet me nënën e saj.” Kështu, shumica e dijetarëve janë të mendimit se martesa me thjeshtrën nuk bëhet e ndaluar thjesht e vetëm nga një lidhje e mëparshme martesore me të ëmën, por veçse nëse është kryer marrëdhënie intime me këtë të fundit, pra, nëse është konsumuar martesa e mëparshme. Ndërsa nga ana tjetër, mjafton që të jetë lidhur akti martesor me thjeshtrën më herët, që martesa e mëpasshme me nënën e saj të bëhet haram. Këta janë të mendimit se përemri “to” në ajetin kuranor i referohet vetëm nënës së thjeshtrës, sepse ai është emri i përmendur më pranë përemrit në fjalë, dhe sipas rregullit të njohur të gjuhës arabe, përemri lidhet me emrin më të afërt të përmendur. Nëse do të pranonim se përemri vetor “to” shënon jo vetëm nënën, por edhe thjeshtrën, atëherë do të duhet të pranonim gjithashtu se ai përfshin nënën e gruas (vjehrrën), si edhe kategoritë e tjera të grave, që janë përmendur në të njëjtin kontekst. Por kjo është e papranueshme për arsye të shumta, ndër të cilat: a. Ibn Xheriri shpjegon: “Allahu i Lartësuar thotë: “...me nënat e grave tuaja (vjehrrat)....”. Kështu, duhet pranuar se gjykimi për martesën me nënën e gruas (vjehrrën) vjen i prerë dhe i paspecifikuar në ajet dhe, si i tillë, i përfshin të dyja rastet. Rrjedhimisht, martesa me nënën e gruas (vjehrrën) është haram, pavarësisht a është kryer marrëdhënie intime me të bijën, para ndarjes së saj, apo jo. Kjo është një çështje e pranuar unanimisht në Islam dhe askush nuk e kundërshton atë. Atëherë, meqenëse për këtë çështje ka unanimitet, kjo tregon se rasti nuk duhet trajtuar njëlloj si nëna e thjeshtrës dhe nuk mund të ketë të njëjtin gjykim si ajo. Po kështu, më pas është përmendur se është haram edhe martesa me kategori të tjera grash, por edhe për këto kategori është gjykuar unanimisht se është e ndaluar martesa me to, pavarësisht a është kryer apo jo marrëdhënie me to. Atëherë, kjo të krijon bindjen se përemri vetor “to” i referohet në mënyrë specifike vetëm nënës së thjeshtrës, e jo thjeshtrës apo kategori ve të tjera.” Përfundimisht, ajeti duhet kuptuar si vijon: “...me nënat e grave tuaja (vjehrrat) dhe me thjeshtrat (vajzat) e grave tuaja, me të cilat keni kryer kontakt ; por nëse nuk keni pasur kontakt me to (me gratë), atëherë s’ka pengesë.” b. Gjithashtu nga Ibn Abasit përcillet se ka thënë: 672. “Nëse një burrë e ndan gruan, ose ajo vdes, përpara se të kryejë marrëdhënie intime me të, për të bëhet haram martesa me nënën e saj.”. Pra, nuk ka rëndësi a ka kryer apo jo marrëdhënie përpara ndarjes. Ky është edhe mendimi i katër medhhebeve, i Shtatë Dijetarëve të mëdhenj të fikhut dhe shumicës së dijetarëve të fikhut në të shkuarën dhe të sotmen. Vetëm Allahut i takon lavdërimi e mirënjohja për çdo mirësi! Në ajet, kur flitet për thjeshtrat, thuhet: “që janë nën kujdesin tuaj”. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se përmendja e kujdestarisë këtu nuk ka ndonjë qëllim të veçantë, por është thjesht sepse zakonisht kështu ndodh. Pra, martesa me thjeshtrën lejohet si në rastin kur janë nën kujdesin e atij burri që interesohet të martohet, ashtu edhe kur nuk janë nën kujdesin e tij. I rëndësishëm, në lidhje me martesën me thjeshtrat është kushti i parë: pra, kryerja ose jo e kontaktit me nënat e tyre, siç u përmend më sipër. Një shpjegim i ngjashëm është dhënë edhe rreth fjalës së Allahut të Madhëruar: “Mos i detyroni robëreshat tuaja të bëjnë imoralitet, kur duan ndershmërinë ... “ [Nur 34]. Edhe në këtë ajet, shprehja “kur duan ndershmërinë”, nuk ka ndonjë qëllim të veçantë, por është përmendur thjesht sepse zakonisht kështu ndodh. Domethënë, ajeti nuk mëton se, nëse ato nuk e duan ndershmërinë, atëherë mund të detyrohen të bëjnë imoralitet. Në dy Sahih-ët gjendet ky hadith: 673 . “Ummu Habibe i propozoi Profetit ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Martohu me motrën time, vajzën e Ebu Sufjanit!” [Në versionin e Muslimit qëndron se ajo i tha: “Martohu me Izeten, vajzën e Ebu Sufjanit!”] Profeti a.s i tha: “Vërtet e dëshiron diçka të tillë?” Ajo tha: “Po”. E si do t'ia lija këtë nder dikujt tjetër? Profeti i tha: “Në fakt, ajo nuk është e lejuar për mua.” Ajo tha: “Por ne kemi dëgjuar se kërkon të martohesh me vajzën e Ebu Selemes?” Profeti tha: “Me vajzën e Umi Selemes?!” - “Po.” Profeti tha: “Përveç faktit se ajo është thjeshtra ime dhe nën kujdestarinë time, ajo është gjithashtu vajza e vëllait tim nga gjiri. Babai i saj Ebu Seleme dhe unë jemi vëllezër nga gjiri. Na ka dhënë gji Thuejbja. Për këtë arsye, mos më propozoni për martesë me vajzat dhe motrat tuaja!” Ndërsa në versionin e Buhariut thuhet: 674. “Përveç faktit që jam martuar me të ëmën, Ummi Selemen, ajo nuk është e lejuar për mua edhe për faktin se i ati i saj është vëllai im nga gjiri...”. Siç shihet, në këtë version Profeti ﷺ përcaktoi si shkak për ndalesën e martesës me thjeshtrën vetëm faktin se ishte martuar me të ëmën dhe se i ati i saj ishte vëllai i tij nga gjiri, pa përmendur faktin se thjeshtra ishte nën kujdestarinë e tij. Kjo tregon, në njëfarë mënyre, se fakti se ishte ose jo thjeshtra nën kujdestarinë e tij, kjo nuk përbënte rëndësi për lejimin ose jo të martesës me të. Ky është edhe mendimi i katër medhhebeve, i Shtatë Dijetarëve të mëdhenj të fikhut dhe shumicës së dijetarëve të fikhut në të shkuarën dhe të sotmen. Disa janë të mendimit se martesa e një burri me thjeshtrën është e ndaluar veçse në rastin kur ajo është nën kujdesin e tij. Ky është përcjellë si mendim i Ali Ibn Ebu Talibit, që e argumentohej me kuptimin e ajetit: “...dhe me thjeshtrat (vajzat) e grave tuaja, që janë nën kujdesin tuaj”. Por ky është një mendim i rrallë, që pakkush e ka mbështetur. Ndër ata që e kanë mbështetur këtë mendim janë Daud Ibn Ali el Dhahiriu dhe pasuesit e tij. Thuhet se ka qenë edhe mendimi i imam Malikut. Po kështu e ka përzgjedhur këtë mendim edhe Ibn Hazmi. Dhehebiu tregon se imam Ibn Tejmije e ka konsideruar këtë si një çështje problematike dhe nuk ka dhënë gjykim të prerë për të. Por Allahu është më i ditur. Nga Katade është përcjellë se ka thënë: “E ndaluar është jo vetëm martesa me thjeshtrën, por edhe me bijën e thjeshtrës, e gjithë çka poshtë tyre (mbesa, stërmbesa etj.).” Allahu i Madhëruar thotë qartë: “...me të cilat keni kryer kontakt.”. Nga kjo kuptohet se thjesht e vetëm veçimi i burrit me gruan e sapomartuar, nuk e bën haram martesën me vajzën e saj, nëse e divorcon përpara se të kryejë marrëdhënie intime me të. Pra, thjesht fakti se janë veçuar e kanë ndenjur së bashku në kushte në të cilat kanë mundësi të kryejnë marrëdhënie, kjo nuk është e mjaftueshme për ta bërë të ndaluar martesën me vajzën. Martesa me vajzën bëhet e ndaluar veçse nëse kanë kryer marrëdhënie intime. Në vijim, Allahu i Madhëruar thotë: - Ju është ndaluar martesa edhe me gratë e bijve tuaj, që janë të lindur nga ju (jo të bijve të adoptuar) - Flitet për fëmijët biologjikë, duke përjashtuar kështu bijtë e adoptuar. Allahu i Madhëruar e ka qartësuar këtë çështje edhe në ajetin: “...Pastaj, kur Zejdi e kishte kryer divorcin me të (gruan e tij), Ne ta dhamë ty për bashkëshorte, në mënyrë që (në të ardhmen) besimtarët ta dinë se nuk ka gjynah për besimtarët që të martohen me gratë e të birësuarve të tyre, nëse ata janë divorcuar. Vendimi i Allahut duhet gjithmonë të përmbushet.” [Ahzab 37]. Atau ka thënë: “Na është treguar - dhe Allahu e di më mirë - se, kur Profeti u martua me gruan e birit të tij të adoptuar, Zejdit, idhujtarët filluan ta përflisnin këtë lidhje martesore. Atëherë, Allahu i Madhëruar zbriti ajetin: “...Ju është ndaluar martesa edhe me gratë e bijve tuaj, që janë të lindur nga ju (jo të bijve të adoptuar) ...”. Gjithashtu: “...Dhe as nuk ju lejon që djemtë tuaj të adoptuar të kenë përkatësinë tuaj (atërore)...” [Ahzab 4]. “Muhamedi nuk është babai i asnjërit prej burrave tuaj, por (ai është) i dërguari i Allahut dhe vula e të gjithë profetëve.” [Ahzab 40]. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Hasen Ibn Muhamedi, i cili ka thënë: Dispozitat e nxjerra nga ajeti kuranor: “Ju është ndaluar martesa edhe me gratë e bijve tuaj, që janë të lindur nga ju (jo të bijve të adoptuar) ” dhe: “...me nënat e grave tuaja (vjehrrat)” janë gjykime të ashtuquajtura mubhemât. Një mendim i ngjashëm është përcjellë edhe nga një grup tabiinësh. “ Mubhemat” do të thotë se ndalesa për martesën me këto kategori grash është sjellë në formë të prerë e përgjithësuese, pavarësisht a është kryer apo jo marrëdhënie intime me to para ndarjes. Pra, martesa me këto kategori është e ndaluar që në momentin kur është lidhur akti martesor me to, edhe pse ende nuk është konsumuar kjo martesë. Kjo është një çështje unanimisht e pranuar dhe askush nuk kundërshton në këtë. Një pyetje që shtrohet këtu është: “A i lejohet një burri që të martohet me gruan e birit të tij nga gjiri? Përgjigja është “jo”. Kjo martesë është haram, dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. Madje, disa e kanë konsideruar si një çështje unanimisht të pranuar, megjithëse nuk është e tillë. Nëse thuhet se mbi ç'argument e mbështesin këtë gjykim, përgjigjja është në fjalën e Profetit, që ka thënë: 675. “Gjidhënia bën të ndaluara të njëjtat gjëra që bën të ndaluara lidhja e gjakut (farefisnia).”. - dhe të jini të martuar njëherazi me dy motra, përveç rasteve që tashmë kanë kaluar. Vërtet, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. - I njëjti gjykim është edhe për skllavet nën zotërim. Pra, është e ndaluar të bashkosh njëherazi në një kurorë dy motra, edhe nëse burri i ka të dyja skllave të tij. Allahu i Madhëruar thotë: “...përveç rasteve që tashmë kanë kaluar.” Pra, ju ka falur për rastet e shkuara. Ibn Maxhe përcjell nga Ebu Harrash Raini, që ka thënë: 676. “Kur shkova tek Profeti, unë isha i martuar me dy motra, që nga koha para Islamit. Ai më tha: 677 . “Kur të kthehesh, ndaje njërën nga dy motrat!” Ka mundësi që emri i Ebu Harrashit, që e ka sjellë këtë hadith, të jetë Dahhak Ibn Fejruz el Dejlemi, por Allahu e di më mirë. Ibn Merdevejhi përcjell se El Dejlemi i ka thënë Profetit: “O i Dërguari i Allahut! Unë jam i martuar me dy motra. Ai i tha: 678 . “Ndaje njërën prej tyre, cilën të duash!” Ky është i njëjti person që u përmend më sipër, pra Dahhak Ibn Fejruz el Dejlemi, - Allahu qoftë i kënaqur me të! Ai ka qenë njëri nga emirët e Jemenit, të cilët morën përsipër detyrën për ekzekutimin e profetit të rremë, që quhej Esued el Anesi, - Allahu e mallkoftë! I njëjti gjykim është edhe për skllavet, dhe për këtë tregon vetë ajeti, i cili është gjithëpërfshirës dhe i paspecifikuar. Imam Maliku përcjell nga Ibn Shihabi, e ky nga Kabisate Ibn Dhuejbi, se një burrë e pyeti njëherë Uthman Ibn Afanin, për bashkimin mes dy motrave në një kurorë, nëse janë skllave. Uthmani iu përgjigj: “Në një ajet është lejuar diçka e tillë dhe në një ajet tjetër është ndaluar. Unë nuk mund ta bëj të ndaluar diçka të tillë.” Kur u largua nga Uthmani, ai takoi një sahab tjetër, dhe e pyeti për këtë çështje. Ai i tha: “Po të ishte në dorën time, nëse dikush do të bënte diçka të tillë, do ta dënoja e bëja shembull për të tjerët!” Imam Maliku tregon se Ibn Shihabi tha: “Mendoj se ky sahabi j ishte Ali Ibn Ebu Talibi.” Ebu Umer Ibn Abdil Beri përcjell rrëfimin e Ijas Ibn Amirit, që thotë: “E pyeta njëherë Ali Ibn Ebu Talibin: “Kam patur në zotërim dy konkubina motra. Me njërën prej tyre pata marrëdhënie e ajo më lindi disa fëmijë. Tani e dëshiroj edhe tjetrën. Çfarë të bëj?” Aliu i tha: “Jepi lirinë asaj me të cilën ke pasur marrëdhënie më parë dhe pastaj lidhu me tjetrën.” Pastaj tha: “Dije se edhe nga ato femra që i ke në zotërim janë të ndaluara të njëjtat kategori që janë përmendur për të lirat në Librin e Zotit, me përjashtim të numrit të tyre [Ose tha: “përveç numrit katër” (pra, marrëdhënia me robëreshat nuk është e kufizuar me katër]. Dije, gjithashtu, se gjidhënia bën të ndaluara të njëjtat gjëra që janë bërë të ndaluara në Librin e Allahut nga lidhja e gjakut (farefisnia).” Ebu Umeri ka thënë se mendimi që është përcjellë nga Uthmani është sjellë edhe si mendim i një grupi selefësh, mes të cilëve edhe Ibn Abasi, por është kundërshtuar nga të tjerët. Madje këtë mendim nuk e ka marrë për bazë askush prej dijetarëve të fikhut të shpërndarë nëpër emsar. Të gjithë muslimanët janë unanimisht dakord se ajeti “Ju është ndaluar martesa me nënat tuaja...” është gjithëpërfshirës dhe gjykimi që kuptohet nga ai është i njëjtë si për femrat e lira, ashtu edhe për robëreshat. Në vijim, Allahu i Madhëruar thotë: - (Ju është ndaluar martesa) Edhe më gratë që janë tashmë të martuara, përveç atyre (robinjave) që i keni në zotërim. - Domethënë, janë të ndaluara edhe ato gra që janë të martuara. Por nëse ato janë skllave që i keni nën zotërim si robinja lufte, lejohet të keni marrëdhënie me to, pasi të kalojë koha e pastrimit që tregon se nuk janë shtatzëna. Ajeti ka zbritur pikërisht për të shtjelluar këtë çështje. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Seid el Hudriu, i cili ka thënë: 679 . “Ne morëm disa robinja lufte nga Eutasi, por nuk kryem marrëdhënie me to, për shkak se ishin të martuara. Kur e pyetëm Profetin për këtë çështje, zbriti ajeti: “(Ju është ndaluar martesa) Edhe më gratë që janë tashmë të martuara, përveç atyre (robinjave) që i keni në zotërim.” Atëherë në mund të kryenim marrëdhënie me to.” Kështu e kanë sjellë këtë hadith Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxhe dhe Muslimi në Sahihun e tij. Ndërsa Taberaniu thotë se ky ajet ka zbritur për rastin e robinjave të Hajberit dhe sjell një hadith të ngjashëm me atë të Ebu Seidit. Një grup selefësh kanë thënë se blerja e robinjës shënon ndarjen e saj nga i shoqi. Nga Ibn Mesudi përcillet se ka thënë: “Nëse një robinjë blihet nga dikush, atëherë blerësi ka përparësi në të drejtën për të shkuar me të (pra, ajo konsiderohet e ndarë nga buri i saj)”. Nga Ibn Abasi përcillet se ka thënë: “Me blerjen e robinjës, ajo konsiderohet e ndarë nga burri i saj.” Po kështu janë shprehur edhe Ubej Ibn Keabi dhe Xhabir Ibn Abdilahi. Nga Ibn Abasi përcillet se ka thënë: “Robëresha konsiderohet e ndarë nga bashkëshorti në gjashtë raste: kur blihet nga dikush, kur lirohet nga skllavëria, kur dhurohet te dikush, kur bëhet berâetuha dhe kur vetë burri i saj e ndan.” 170 Abdurrezaku sjell hadithin nga Ibn Musejibi, që duke folur për fjalën e Allahut: “(Ju është ndaluar martesa) Edhe më gratë që janë tashmë të martuara...”, ka thënë: “Allahu e ka ndaluar martesën (e marrëdhëniet) me gratë e martuara, përveç atyre që i keni nën zotërimin tuaj (skllave, robinja), sepse me blerjen e tyre, ato konsiderohen të ndara nga bashkëshorti.”. Megjithatë, shumica e dijetarëve në të shkuarën dhe të mëvonshëm e kanë kundërshtuar këtë mendim, duke gjykuar se blerja e skllaves nuk konsiderohet si ndarje nga burri i saj. Si argument, ata paraqesin hadithin e Beriras, i cili gjendet në dy Sahih-ët e në libra të tjerë, në të cilin përmendet se Aishja e bleu Beriran dhe i dha lirinë asaj. Megjithatë, me blerjen e saj nga Aishja dhe lirimin e saj, akti martesor me burrin e saj, Mugithin (që edhe ai ishte skllav), nuk u konsiderua e prishur, sepse Profeti i la asaj të zgjedhë: ose të qëndronte e martuar me Mugithin, ose ta prishte atë martesë. Ajo zgjodhi prishjen e martesës së saj me Mugithin, dhe historia e saj është e njohur. Kështu, nëse blerja do të sillte ndarjen e saj, - siç mëtojnë grupi i parë, - Profeti nuk do t’i linte asaj mundësi zgjedhjeje, por do ta njoftonte se tashmë konsiderohej e ndarë. Duke qenë se Profeti i la asaj mundësi zgjedhjeje, kjo tregon se lidhja martesore me Mugithin ishte ende në fuqi. Atëherë, nga kjo nxjerrim se ajeti bën fjalë veçse për robinjat e luftës. Sidoqoftë, Allahu është më i ditur. - Ky është urdhri i Allahut për ju. - Ndalesa për t'u martuar me më shumë se katër gra është normë, që e ka vendosur Allahu për ju, prandaj përmbajuni Librit të Allahut, kufijve dhe ligjeve të Tij, që i bëri detyrë për ju! - Veç këtyre, për ju janë të lejuara të gjitha gratë e tjera që t’i merrni (në martesë) me pasurinë tuaj, duke pasur për qëllim bashkëshortësinë, jo prostitucionin. - Pra, përveç kategorive të ndaluara të përmendura, çdo femër tjetër është e lejuar për t’u martuar. Vëreni me kujdes kur Allahu thotë: “që t’i merrni (në martesë) me pasurinë tuaj, duke pasur për qëllim bashkëshortësinë, jo prostitucionin.” Domethënë, me pasurinë tuaj, ju mund të martoheni deri në katër gra dhe mund të merrni skllave sa të dëshironi, pa kufizim numri, por sipas rregullave të Sheriatit. - Jepjani mehrin e caktuar bashkëshorteve tuaja, me të cilat keni kontaktuar. - Ashtu siç kënaqeni me gratë tuaja, edhe ju, në këmbim të kënaqësisë, duhet t'ua jepni mehrin, që edhe ato të kënaqen. Nuk duhet t’i bëni bisht këtij detyrimi kundrejt tyre, siç ka thënë i Madhëruari në një ajet tjetër: “E si mund t’ua merrni (atë plaçkë), kur ju i jeni dhënë njëri-tjetrit dhe kur ato kanë marrë prej jush një premtim të fortë?!” [Nisa 21]. Disa janë mbështetur në këtë ajet për lejimin e martesës së ashtuquajtur ‘ el mut'atu ’. Nuk ka dyshim se kjo lloj martese ka qenë e lejuar në fillimet e Islamit, por më pas u abrogua si praktikë. Imam Shafiiu dhe disa të tjerë janë shprehur se kjo praktikë është abroguar, pastaj është lejuar, e pastaj është abroguar për herë të dytë. Madje, disa të tjerë janë shprehur se kjo ka ndodhur më shumë se dy herë. Ndërsa një grup janë të mendimit se një praktikë e tillë mund të lejohet në raste nevoje e domosdoshmërie. Por shumica e dijetarëve i kanë hedhur poshtë këto opinione dhe argumenti bazë ku bazohen është ajo që përcillet në dy Sahihët nga Ali Ibn Ebu Talibi, i cili ka thënë: 680 “Profeti i Allahut ndaloi martesën el mut'atu dhe ngrënien e mishit të gomarit të butë, dhe kjo ndodhi në luftën e Hajberit.” Në Sahih-un e Muslimit vjen një hadith nga Rabi' Ibn Sebrate Ibn Mea'bed el Xhuheni, që e sjell hadithin nga i ati: 681 . “Ai mori pjesë në luftë së bashku me Profetin në çlirimin e Mekës, kur ai tha: “O njerëz! Unë jua pata lejuar në fillim martesën el mut'atu me gratë, por tashmë Allahu e ka bërë të ndaluar këtë praktikë deri në Ditën e Gjykimit. Kush vazhdon të jetë i lidhur në një martesë të tillë, le ta lëshojë gruan në rrugën e saj dhe të mos marrë asgjë nga ajo pasuri që i ka dhënë.” Në një version tjetër, të sjellë nga Muslimi, thuhet se 682. kjo ka ndodhur në Haxhin e Lamtumirës. Ky hadith është sjellë në versione e formulime të ndryshme, por kjo çështje është shtjelluar mirë në librat e fikhut dhe ligjeve. 171 - Nuk ka gjynah për ju nëse, me mirëkuptim të dyanshëm, e shtoni a e pakësoni mehrin. - Ibn Xheriri sjell hadithin nga Mu'temed Ibn Sulejmani, e ky nga i ati, që ka thënë: “El Hadramiu pretendon se ndodhte që, pasi përcaktohej mehri, burrave u vështirësohej gjendja ekonomike, prandaj Allahu i Madhëruar zbriti ajetin: “Nuk ka gjynah për ju nëse, me mirëkuptim të dyanshëm, e shtoni a e pakësoni mehrin.”. Pra, nëse gruaja bën lëshim për një pjesë të mehrit të saj, atëherë është hallall për ju.” Këtë mendim e ka përzgjedhur Ibn Xheriri. Allahu i Madhëruar e mbyll këtë ajet, duke thënë: - Allahu është i Gjithëditur e i Urtë. - Përmendja e këtyre dy emrave e cilësive të Allahut është shumë e përshtatshme, pas ligjërimit të këtyre dispozitave e ndalesave.

Mus'haf Hape →
Bekare 2:229–2:230 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… tek Profeti i Allahut dhe i tha për të shoqin: “O i Dërguari i Allahut! Koka ime dhe koka e tij nuk puqen në asnjë gjë. Unë e pashë nga afër kur ngrita …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- Ndarja (divorci) mund të bëhet dy herë. Pastaj, ose jetesë bashkëshortore normale, ose divorc me mirëkuptim. - Ky ajet i mrekullueshëm e rrëzoi një herë e përgjithmonë atë praktikë të gabuar, që ishte përhapur përpara Islamit mes arabëve, sipas së cilës, një burrë mund ta rikthente gruan e tij pas divorcit sa herë të donte, nëse këtë e bënte brenda kohëpritjes së saj. Kjo ishte një praktikë shumë e dëmshme dhe i sillte vuajtje të paimagjinueshme gruas, prandaj Allahu i Lartësuar e kufizoi deri në tre divorce. Kështu, nëse burri e divorcon gruan për herë të parë, e ka të drejtën që ta rikthejë atë, nëse është brenda kohëpritjes. Edhe nëse e divorcon për herë të dytë, përsëri e ka të drejtë ta rikthejë brenda kohëpritjes. Por nëse e divorcon për herë të tretë, atëherë: “ose jetesë bashkëshortore normale, ose divorc me mirëkuptim." Në kapitullin “Shfuqizimi i ribashkimit pas tre divorceve”, Ebu Daudi sjell një hadith nga Ibn Abasi, i cili duke shpjegjuar këtë ajet, thotë: “Në të shkuarën, nëse një burrë e divorconte gruan e tij, ai e kishte të drejtën ta rikthente atë edhe nëse e kishte divorcuar 3 herë apo më shumë. Pastaj kjo u shfuqizua, kur Allahu i Lartësuar tha: "Ndarja (divorci) mund të bëhet dy herë." Në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar e kufizoi numrin e divorceve që mund të bëjë një burrë deri në tre dhe përcaktoi që pas divorcit të tretë, burri të mos e ketë më të drejtën ta rikthejë gruan e tij në martesë, derisa ajo të martohet me një burrë tjetër, pastaj “ose jetesë bashkëshortore normale, ose divorc me mirëkuptim." Kështu, nëse burri e ka divorcuar gruan për herë të parë apo për herë të dytë, ai është i lirë të zgjedhë për sa kohë gruaja është gjatë kohëpritjes. Ai është i lirë të zgjedhë që ta kthejë atë në martesë, duke pasur qëllim rregullimin, bamirësinë dhe normalitetin në marrëdhënie me të, ose ta lërë atë të lirë që ta përfundojë kohëpritjen e saj dhe, në këtë mënyrë, pasi të qartësohet që ajo nuk është shtatzënë, ta lërë të lirë, madje edhe me bamirësi ndaj saj. Burri nuk duhet që t’i bëjë padrejtësi ose të synojë për ta dëmtuar këtë grua. Ibn Ebu Hatimi sjell rrëfimin nga Ismail Ibn Semi, që e ka dëgjuar Ebu Razinin të thotë se, njëherë, 340 . “një burrë shkoi tek Profeti ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë thua për fjalën e Allahut të Lartësuar, kur Ai thotë: "Ndarja (divorci) mund të bëhet dy herë. Pastaj, ose jetesë bashkëshortore normale, ose divorc me mirëkuptim."? Përse nuk e ka përmendur të tretën?” Profeti ﷺ tha: "E treta është "divorc me mirëkuptim." Në Tefsirin e Ibn Humejdit është shpjegimi: 341. “E treta është "...divorc me mirëkuptim."” - Juve (burrave) nuk ju lejohet t’u merrni atyre (grave) asgjë nga ajo (dhuratë martesore) që u keni dhuruar më parë, vetëm nëse që të dyja palët druheni se nuk do të mund t’u përmbaheni kufijve të Allahut. - Juve nuk ju lejohet t’u merrni atyre asgjë nga ajo që ju keni dhuruar më parë. Juve nuk ju lejohet as që ti shtrëngoni e t’i bëni që të vuajnë, në mënyrë që të ato të detyrohen t’jua kthejnë dhuratën martesore ose një pjesë të saj. Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: "Mos u sillni vrazhdë me gratë me qëllim që t’u merrni një pjesë nga ajo (dhurata martesore) që u keni dhënë, përveç nëse ato bien në imoralitet!" [Nisa 19]. Kështu, burrit nuk i lejohet që të marrë ndonjë gjë prej pasurisë së gruas, vetëm nëse ajo ia jep me dëshirë dhe me kënaqësi. Në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë: " Jepuni grave mehrin e tyre në shenjë bindjeje ndaj Zotit! Në qoftë se ato, me dëshirën e tyre, ju falin diçka nga ai (mehri), atëherë përdoreni atë, sepse tashmë, ai është hallall dhe i mirë për ju." [Nisa 4]. Ndërsa kur ndodhin konflikte mes dy bashkëshortëve dhe gruaja nuk i përmbush detyrimet ndaj burrit të saj ose ajo e urren burrin për diçka të caktuar, aq sa bëhet e pamundur që ajo të vazhdojë jetesën me të, atëherë ajo e ka të mundur dhe i jepet e drejta që të kërkojë zgjidhjen e aktit martesor përmes praktikës së hul'it113, duke sakrifikuar dhuratën martesore ( mehri) që i ka dhënë burri. Kështu, ajo mund të ndahet duke ia kthyer atij dhuratën martesore mehrin, dhe kjo nuk përbën asnjë gjynah për gruan dhe nuk është e ndaluar për të. - E nëse keni frikë se nuk do të mund t’u përmbaheni kufijve të Allahut, atëherë për të dyja palët nuk është gjynah nëse ajo (gruaja) jep diçka si kompensim (për lirimin e saj nga kurora) . - Pra, vetëm nëse të dyja palët mendojnë se nuk do të mund t’u përmbaheni kufijve të Allahut, gruaja mund të kërkojë zgjidhjen e aktit martesor përmes praktikës së hul'it. Por nëse gruaja nuk ka asnjë justifikim për këtë ndarje që synon, kjo është një vepër e dënueshme dhe e qortueshme. Imam Ibn Xherir transmeton nga Theubani se Profeti i Allahut ﷺ ka thënë: 342. “Çdo grua që i kërkon divorcin burrit të saj pa asnjë arsye (të justifikueshme), e ka haram aromën e Xhenetit.” Ibn Xheriri e sjell këtë hadith duke përmendur edhe një shtesë, ku thuhet: 343. “Ato gra që kërkojnë divorcin në këmbim të kthimit të mehrit, janë munafike (hipokrite).” Një grup i madh selefësh dhe shumë nga imamët e dijetarëve të mëvonshëm kanë thënë se huli lejohet veçse në rastin kur konfliktet dhe mosbindja buron nga gruaja dhe problemet që dalin janë nga ana e gruas. Në një rast të tillë, burrit i lejohet që të pranojë ndarjen nga gruaja, kundrejt rikthimit nga ana e saj të mehrit. Ata argumentohen me fjalën e Allahut të Lartësuar: "Juve (burrave) nuk ju lejohet t’u merrni atyre (grave) asgjë nga ajo (dhuratë martesore) që u keni dhuruar më parë, vetëm nëse që të dyja palët druheni se nuk do të mund t’u përmbaheni kufijve të Allahut." Pra, nuk ju lejohet të merrni gjë prej pasurisë nga mehri që ju keni dhuruar më parë, vetëm nëse druheni se nuk do të mund t’u përmbaheni kufijve të Allahut. Për këtë arsye thonë dijetarët që praktika e hulit lejohet veçse në raste të ngjashme me këtë, ndërsa në rastet e tjera nuk lejohet. Ai që pretendon të kundërtën duhet të sjellë fakte. Prej atyre që kanë këtë mendim është Ibn Abasi, një grup i madh prej tabiinëve dhe shumica e dijetarëve. Imam Maliku dhe El Euzaiju kanë thënë: Nëse burri merr diçka prej mehrit që i ka dhënë gruas, duke e imponuar atë për ta bërë diçka të tillë, e ka detyrë që t'ia kthejë asaj, dhe ky konsiderohet si një talak rexhi , pra, divorc në të cilin edhe mund ta kthesh gruan. Imam Maliku ka thënë: “Ky ka qenë qëndrimi i njerëzve të cilët i kemi arritur dhe kjo është praktika që ata zbatonin.” Ndërsa Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) është i mendimit se: praktika e hul'it është e lejueshme në rastet e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve. Nëse ka mirëkuptim dhe marrëveshje të ndërsjelltë mes dy palëve, sigurisht që është e lejuar dhe më parësore për të qënë e lejueshme. Ky është mendimi i të gjithë pasuesve të imam Shafiut. Buhariu sjell nga Ibn Abasi rrëfimin se, njëherë: 344. “gruaja e Thabit Ibn Kajs Ibn Shemasit shkoi tek Profeti ﷺ dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, unë nuk i shaj atij asnjë aspekt të moralit apo fesë dhe besimit të tij, por kam frikë se do të jem mohuese (e mirësive) me fenë time!”114 Profeti i tha: “A do t'ia kthesh kopshtin e tij (që ta ka dhënë si mehr)?” - “Po!”- tha ajo. Atëherë, Profeti i Allahut i tha Thabit Ibn Kajsit: “Pranoje mbrapsht kopshtin dhe ndaje atë!” Ibn Xheriri sjell rrëfimin se, kur Ikrima e pyeti Ibn Abasin nëse kishte ndonjë mbështetje në fenë e Zotit praktika e hulit, ai u përgjigj: 345. “I pari rast i zbatimit të praktikës së hulit ishte ai që u zbatua nga motra e Abdullah Ibn Ubej. Ajo shkoi tek Profeti i Allahut dhe i tha për të shoqin: “O i Dërguari i Allahut! Koka ime dhe koka e tij nuk puqen në asnjë gjë. Unë e pashë nga afër kur ngrita perçen, por atëherë vura re se ai ishte më i ziu, më i shkurtri dhe më i shëmtuari në fytyrë nga të gjithë...” Ndërsa burri i saj tha: “O i Dërguari dhe Profeti i Allahut! Unë i dhashë asaj (si mehr) pasurinë time më të mirë: kopshtin tim. Pranoj (të ndahemi), nëse ajo ma kthen kopshtin tim...” Atëherë Profeti i tha gruas: "Çfarë thua?" Ajo tha: "Po. Nëse dëshiron, i jap edhe më shumë se aq." Atëherë, Profeti i ndau.” Në transmetimin e imam Ebu Abdilah Ibn Batas, i cili e sjell me senedin e tij nga Ibn Abasi, thuhet se: 346 “Xhemile Bintu Seluli shkoi tek Profeti ﷺ dhe i tha: “Vallahi! Nuk qortoj dhe shaj tek Thabit Ibn Kajs asnjë aspekt të fesë dhe të moralit të tij. Por unë nuk dëshiroj që të bëj kufër në Islam. Nuk e duroj dot nga urrejtja që kam për të!” Atëherë Profeti i tha: “A ia kthen mbrapsht kopshtin e tij?” - “Po”- tha ajo. Atëherë, Profeti ﷺ e urdhëroi atë (Thabitin) që të merrte atë që i pati dhënë dhe të mos kërkonte më shumë.” Shumica e dijetarëve janë të mendimit se burri mund të kërkojë prej gruas së tij që ajo t’i kthejë edhe më shumë sesa ai i ka dhënë si dhuratë martesore. Argument për këtë është ajeti gjithëpërfshirës, në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: "...atëherë për të dyja palët nuk është gjynah nëse ajo (gruaja) jep diçka si kompensim (për divorcin) ." Kështu, shprehja: "...nëse ajo (gruaja) jep diçka si kompensim”, përfshin edhe rastin kur kthimi është më shumë, edhe rastin kur është më pak sesa mehri që burri i ka dhënë. Gjithashtu, ata argumentohen edhe me fjalën e Umer Ibn Hatabit, i cili i tha një burri që ankohej për gruan, që ishte e pabindur: “Pranoje ndarjen prej saj dhe mos lër pa ia marrë edhe vëthët!" Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: "merrja edhe kordonin e flokëve të saj!" Gjithashtu, Buhariu ka thënë: "Uthmani e ka lejuar praktikën e hul'it duke i marrë qoftë edhe kordonin e flokëve të saj." Nga kjo kuptohet që burrit i lejohet ta pranojë praktikën e hulit e t’i marrë asaj çfarë do lloj pasurie, e vogël apo e madhe qoftë. Atij i lejohet të marrë gjithçka dhe të mos i lërë as kordonin e flokëve të saj. Me të njëjtin mendim kanë qenë Ibn Umeri, Ibn Abasi dhe një grup tabiinësh. Po ky ka qenë edhe qëndrimi i Imam Malikut, Lejthit, Shafiiut, Ebu Theurit, madje e ka përkrahur edhe Ibn Xheriri. Ndërsa nxënësit e Ebu Hanifes kanë thënë që, nëse dëmi vjen nga ana e gruas, atëherë burrit i lejohet që të marrë prej saj të gjithë dhuratën martesore që i ka dhënë, por jo më tepër. Nëse ai kërkon më shumë, mund ta lejojë vetëm gjykatësi. Në parim, nëse dëmi ose shkaku që imponon praktikën e hulit vjen nga burri, nuk lejohet që ai të marrë prej gruas asgjë (se kjo i ngjan divorcit normal). Në këtë rast, burri mund të marrë diçka më tepër veçse me vendimin e gjykatësit. Ahmedi, Ebu Ubejdi dhe Is’hak Ibn Rahauejhi kanë thënë se: nuk lejohet që burri të marrë më shumë sesa i ka dhënë gruas si dhuratë martesore, dhe ky është edhe mendimi i tabiinit Seid Ibn Musejibi dhe i tabiinëve të tjerë të mëdhenj. Ndërsa Meamer dhe el Hakemi tregon se Ali Ibn Ebu Talibi shpesh thoshte që: nuk i lejohet burrit që të marrë prej gruas të lëshuar (me praktikën e hulit) më shumë sesa i ka dhënë asaj si mehr. Ndërsa El Euzaiu ka thënë: “Gjykatësit nuk mund të lejojnë që burri të marrë prej gruas së lëshuar më shumë sesa i ka dhënë si dhuratë martesore." Si argumente që e mbështesin këtë qëndrim janë ato që u përmendën pak më parë, si hadithi i Katades nga Ikrime, dhe ky nga Ibn Abasi, që flet për historinë e Thabit Ibn Kajsit, të cilin Profeti ﷺ e urdhëroi të merrte prej saj kopshtin, që ia kishte dhënë si mehr dhe të mos shtojë më shumë se kaq." Gjithashtu, ata argumentojnë me hadithin që Abd Ibn Humejdi sjell me senedin e tij nga At âu, që thotë se Profeti ﷺ e urrente faktin që burri të merrte prej gruas më shumë sesa i kishte dhënë asaj si dhuratë martesore, pra, në rastin e praktikës së hulit. Të gjithë këta, duke e shpjeguar këtë ajet: "E nëse keni frikë se nuk do të mund t’u përmbaheni kufijve të Allahut, atëherë për të dyja palët nuk është gjynah nëse ajo (gruaja) jep diçka si kompensim", kanë thënë: "Pra, nëse gruaja jep diçka si kompesim nga ajo që i ka dhënë burri , sepse pak më përpara këtij ajeti Allahu i Lartësuar ka thënë: "Juve (burrave) nuk ju lejohet t’u merrni atyre (grave) asgjë nga ajo (dhuratë martesore) që u keni dhuruar më parë, vetëm nëse që të dyja palët druheni se nuk do të mund t’u përmbaheni kufijve të Allahut." Kështu, në ajet përmendet qartë se ajo që jepet si kompesim për hulin është pikërisht ajo pasuri që u është dhënë grav e si mehr. Kështu e lexonte dhe e shpjegonte ajetin ErRabia Ibn Enesi, siç e ka përcjellë edhe Ibn Xheriri. Allahu i Lartësuar thotë më pas: - Këta janë kufijtë e caktuar nga Allahu, prandaj mos i shkelni ata! Ata që shkelin kufijtë e Allahut janë vërtet keqbërës. Kapitull A konsiderohet hul'i si një ndarje me të drejtë rikthimi (talak) apo jo? - Ibn Abasi (r.a) është i mendimit se “ el huli” nuk është talak, por ai konsiderohet si marrëveshje për t’u ndarë përfundimisht, me kërkesën e gruas. Ai është një fes’ħ, domethënë, shfuqizim i lidhjes martesore. Shafiiu na sjell me senedin e tij një episod nga Ibn Abasi, të cilit iu kërkua që të gjykonte rreth një burri i cili e kishte ndarë gruan e tij dy herë dhe pastaj ajo i kishte kërkuar hul'in. Ibn Abasi gjykoi për këtë rast se ai edhe mund të rimartohej me të, nëse dëshironte. Pra, pa qenë e nevojshme që ajo fillimisht, të martohej me një burrë tjetër dhe pastaj pasi ai ta ndante, të martohej me burrin e parë, siç është rregulli pas ndarjes për herë të tretë nga ana e burrit. Ibn Abasi argumentoi kështu: Allahu i Lartësuar ka thënë: "Ndarja mund të bëhet dy herë. Pastaj, ose jetesë bashkëshortore normale, ose divorc me mirëkuptim. Juve (burrave) nuk ju lejohet t’u merrni atyre (grave) asgjë nga ajo (mehri) që u keni dhuruar më parë, vetëm nëse që të dyja palët druheni se nuk do të mund t’u përmbaheni kufijve të Allahut. E nëse keni frikë se nuk do të mund t’u përmbaheni kufijve të Allahut, atëherë për të dyja palët nuk është gjynah nëse ajo (gruaja) jep diçka si kompensim (për divorcin) . Këta janë kufijtë e urdhëruara nga Allahu, prandaj mos i shkelni ata! Ata që shkelin kufijtë e Allahut janë vërtet keqbërës. E nëse ai (burri) e ndan gruan (për herë të tretë), pas kësaj, atij nuk i lejohet më ta rimarrë, derisa ajo të martohet me një burrë tjetër. E, nëse ky i fundit (burri i dytë) e divorcon atë, atëherë nuk ka pengesë për ata dy (gruaja me burrin e parë) të ribashkohen, nëse, vërtet mendojnë se do t’i zbatojnë dispozitat e Allahut." Nga ajeti kuptohet qartë se, nëse do ta konsideronim edhe hul'in si ndarje, atëherë do të kishim 4 ndarje e jo tre. Pra hul'i nuk konsiderohet si talak dhe, si rrjedhim, i lejohet burrit që pas tij të rimartohet me gruan, nëse bien dakord, me një martesë të re. Shafiiu sjell këtë thënie nga Ikrime: "Çdo gjë që bëhet e lejuar përmes dhënies së një pasurie (nënkupton hul'in) nuk konsiderohet talak." Kjo është përcjellë nga prijësi i besimtarëve Uthman Ibn Afani, por edhe nga Ibn Umeri. Ky është edhe mendimi i Tausit, Ahmed Ibn Hambelit, Is’hak Ibn Rahauejhit, Ebu Theurit dhe Daud el Dhahiriut. Gjithashtu, ky konsiderohet si medhhebi i vjetër i Imam Shafiiut. Dhe, në fakt, ky është kuptimi i drejtpërdrejtë dhe i jashtëm i ajetit. Disa të tjerë janë të mendimit se praktika e hul'it konsiderohet si talâk (divorc). Madje konsiderohet si talak bâin , pra, d ivorc i pakthyeshëm, gjatë të cilit burrit nuk i lejohet që ta kthejë përsëri gruan, vetëm nëse ai shprehet më konkretisht se çfarë ka patur për qëllim me ħul-in. Në varësi të nijetit të tij, jepet gjykimi i hul'it. I këtij mendimi kanë qenë Imam Maliku, Ebu Hanife dhe nxënësit e tij , gjithashtu Theuriju, Euzai, Ebu Uthman El Buni dhe medhhebi i ri i imam Shafiiut. Hanefijtë janë të mendimit se nëse me hul'in është pasur për qëllim 1 ose 2 ndarje, ose nëse burri e ka thënë në mënyrë të përgjithshme pa e përcaktuar që është 1 apo 2 ndarje, ajo konsiderohet si një talâk bain i vetëm, domethënë, një divorc i pakthyeshëm, pas të cilit burrit nuk i lejohet që ta kthejë përsëri gruan. Por nëse gjatë deklarimit të hul'it, burri ka pasur për qëllim 3 ndarje njëherësh, atëherë konsiderohet se ka bërë 3 ndarje. Pra, në këtë rast, nuk lejohet rimartesa me këtë grua, vetëm nëse ajo martohet me një burrë tjetër dhe pastaj të ndahet prej tij. Imam Shafiiu ka edhe një mendim tjetër në lidhje me hul'in. Sipas këtij mendimi, nëse praktika e hul'it deklarohet përmes fjalës talak dhe nuk ka argumente të tjera qartësuese për çështjen e tregues të qëllimit të tij, ai nuk merret fare për bazë.115 Çështje: Kohëpritja ( ideti) e gruas që kërkon hul'in, a është njëlloj si kohëpritja e talakut, pra, me tre perioda? Qëndrimet e dijetarëve për këtë çështje janë të ndryshme. Disa janë të mendimit se huli e ka kohën e pritjes njëlloj si talaku. Të këtij mendimi janë Umeri, Aliju, Ibn Umeri dhe një grup tabiinësh. Ata kanë gjykuar se edhe në rastin e hul'it është e nevojshme e njëjta kohëpritje si e talakut. Megjithatë, disa të tjerë janë të mendimit se kohëpritja e hul'it nuk është e njëjtë me të talakut. Ibn Umeri ishte me mendimin e parë për një kohë të gjatë, derisa dëgjoi Uthman Ibn Afanin, që ishte me mendimin e dytë, dhe atëherë ndryshoi qëndrim, duke thënë: "Uthmani është më i miri dhe më i dituri ndër ne." Gjithashtu, Abdete përcjell nga Ubejdilah, dhe ky nga Nafiu, i cili përcjell nga Ibn Umeri, që ka thënë: "Kohëpritja e hul’it është një cikël menstruacioni." Ibn Abasi gjithashtu ka thënë se në një hadith vjen se: "Kohëpritja e gruas që kërkon hul’in është ardhja e një cikli të vetëm të saj." Në të njëjtin mendim kanë qenë edhe Ikrime, Eban Ibn Uthmani dhe të gjithë ata që u përmendën më sipër, të cilët ishin të mendimit se hul'i konsiderohet divorc përfundimtar dhe jo talak. Kështu, të gjithë ata që janë të këtij mendimi që huli është divorc përfundimtar, patjetër duhet të pohojnë që kohëpritja e tij është vetëm një cikël, jo si në rastin e talakut. Këta argumentohen me hadithin që e ka përnxjerrë Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, hadith që vjen nga Ibn Abasi, ku thuhet se: 347. “... gruaja e Thabit Ibn Kajsit kërkoi hul'in nga burri i saj në kohën e Profetit, dhe Profeti e urdhëroi atë të presë një periodë.” Tirmidhiu thotë që ky është një një hadith hasenun garib . Tirmidhiu sjell dhe një transmetim tjetër nga El Rabia Bintu Miuedh Ibn Afra, se: 348. “ajo kërkoi hul'in nga burri i saj, në kohën e Profetit, dhe ai e urdhëroi atë që të priste një cikël menstruacioni.” Për këtë, Tirmidhiu thotë që: "...është e saktë se ajo u urdhërua të presë vetëm ardhjen e një cikli menstruacioni." Ibn Maxhe sjell hadithin e El Rabia Bintu Miuedh Ibn Afras, e cila, kur Ubadete Ibn Uelid Ibn Ubadete Ibn Samid i tha: “Më trego atë hadithin tënd në lidhje me këtë çështje”, ajo i tregoi: "Unë kërkova hulin nga burri im dhe shkova tek Uthmani për ta pyetur: “Sa është kohëpritja ime?” Ai tha: 349. “Ti nuk ke nevojë për kohëpritje, vetëm nëse keni kryer marrëdhënie tani afër. Atëherë, qëndro tek ai derisa të vijë një cikël menstruacioni.” Kjo grua thotë më pas: "Uthmani mori për bazë në këtë çështje gjykimin e Profetit ﷺ të rastit të Merjem el Megalijes, e cila ishte martuar me Thabit Ibn Kajsit, kur ajo kërkoi hul'in prej tij.116 Çështje A i lejohet burrit që ta rikthejë gruan pasi e ka pranuar hul'in me të? Katër medhhebet dhe shumica e dijetarëve janë të mendimit se atij nuk i lejohet që ta rikthejë atë pa dëshirën e saj, pasi ia ka kthyer dhuratën martesore në shkëmbim të hul'it. Me t’i kthyer atij mehrin, tashmë ajo e ka vetë në dorë qëndrimin ose jo në këtë lidhje martesore dhe nuk është më e drejta e burrit që ta rikthejë atë. Ndërsa Sufjan Theuriju është i mendimit që, nëse hul'i është bërë jo me fjalën talak, atëherë kjo konsiderohet ndarje përfundimtare, dhe burri nuk ka mundësi që ta kthejë atë. Por nëse është bërë me fjalën talak, atëherë ai ka të drejtë ta kthejë atë përderisa është në kohën e pritjes. Të njëjtin mendim ka edhe Daud Ibn Ali el Dhahiriu. Por të gjithë janë unanimë në mendimin se burri ka të drejtën që të rimartohet me të (me një akt të ri martesor) gjatë kohëpritjes. A lejohet për burrin që gjatë periudhës së pritjes për hul'in të deklarojë edhe një ndarje tjetër për të? Tre janë mendimet e dijetarëve, por mendimi më i saktë është se burrit nuk i lejohet kjo e as nuk i merrret për bazë, sepse tashmë ajo konsiderohet e ndarë prej tij. Gjithashtu, nuk ka kuptim që të deklarosh ndarjen për një grua që tashmë është e ndarë. - Këta janë kufijtë e urdhëruara nga Allahu, prandaj mos i shkelni ata! Ata që shkelin kufijtë e Allahut janë vërtet keqbërës. - Kështu, këto rregulla që Ai i caktoi për ju janë kufijtë e Allahut, që nuk duhen shkelur e tejkaluar. Në një hadith Profeti ka thënë: 350 . “Allahu i Madhëruar ka vendosur disa kufij, që ju nuk duhet kurrsesi t’i shkelni! Ai ka lëshuar urdhëresa, që ju nuk duhet t’i shpërfillni e braktisni! Ai ka bërë ndalesa, që ju nuk duhet t’i kryeni! Shumë çështje, Ai i ka lënë në heshtje, si mëshirë për ju e jo nga harresa, prandaj mos pyesni për to.” Më pas, Allahu i Madhëruar thotë: - E nëse ai (burri) e ndan gruan (për herë të tretë), pas kësaj, atij nuk i lejohet më ta rimarrë, derisa ajo të martohet me një burrë tjetër. - Pra, derisa të martohet me një burrë tjetër, me një martesë të rregullt, dhe të kryejë marrëdhënie me të gjatë kësaj martese. Nëse ajo kryen marrëdhënie me një burrë tjetër jashtë martese, qoftë edhe si skllave, kjo nuk e bën të lejuar për burrin e parë, sepse ai nuk konsiderohet burri i saj. Po kështu, nëse martohet me një burrë tjetër dhe nuk kryen marrëdhënie me të, as kjo nuk e bën të lejuar atë për burrin e parë. Në fakt, mes dijetarëve të fikhut është e përhapur dhe e njohur thënia e Seid Ibn Musejjibit, se: "Që gruaja të lejohet të rimartohet me burrin e parë është e mjaftueshme vetëm lidhja e aktit të martesës me një burrë të dytë, edhe nëse nuk kryen marrëdhënie në këtë martesë." Por saktësia e këtij lajmi duhet parë me kujdes, sepse prej Seid Ibn Musejjibit është përcjellë e kundërta e këtij mendimi. Kështu transmeton Ebu Xhafer Ibn Xheriri, me senedin e tij nga Seid Ibn Musejjibi, e ky nga Ibn Umeri, se: 351 “Profeti është pyetur rreth një burri që martohet me një grua e nuk kryen marrëdhënie me të dhe e ndan, pastaj ajo martohet me një burrë tjetër, i cili e ndan pa kryer marrëdhënie me të: A mund të kthehet kjo grua përsëri me burrin e parë? Profeti tha: "Jo. Derisa ta shijojë marrëdhënien intime me të (usejletehu) dhe ai ta shijojë marrëdhënien intime me të.” Po kështu, Imam Ahmedi sjell me senedin e tij nga Salim Ibni Abdilah Ibn Umeri, që transmeton nga Seid Ibn Musejjibi, e ky nga Ibn Umeri, se: 352 . “Profeti ﷺ është pyetur rreth një burri që martohet me një grua dhe e ndan atë, pastaj ajo martohet me një burrë tjetër, i cili e ndan pa kryer marrëdhënie me të. A mund të kthehet kjo grua përsëri me burrin e parë? Ai tha: "Jo. Derisa ajo të shijojë marrëdhëniet intime me të .” Është e vështirë që Seid Ibn Musejjibi të bjerë në kundërshtim me këto hadithe që janë përcjellë prej tij. Por Allahu është më i ditur. Ibn Xheriri sjell hadithin nga Aishja, se 353. “...një burrë e divorcoi gruan e tij tri herë dhe ajo u martua me një burrë tjetër, i cili e ndau atë pa e prekur atë. E pyetën Profetin: A është e lejuar që ajo të kthehet me burrin e parë?" Ai tha: "Jo, derisa ai të shijojë prej saj marrëdhëniet intime (usejletiha), siç e shijoi i pari.” Hadithin ka shënuar Buhariu, Muslimi dhe Nesaiu, përmes rrugësh të ndryshme transmetimi, nga Abdullah Ibn Umer el Umeri j. Pra, martesa me burrin e dytë duhet të jetë e rregullt dhe e tillë që ky burrë të synojë vazhdimësinë në martesën me këtë grua, siç është dhe duhet të jetë një martesë e rregullt. Gjithashtu, kuptimi i fjalës "usejlete" nuk është "farë, spermë", por "marrëdhënie intime". Për këtë tregon hadithi që sjell Imam Ahmedi dhe Nesaiu nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), që tregon se Profeti ﷺ ka thënë: 354 “El usejletu është marrëdhënia intime.”. Kështu, nëse qëllimi i kësaj martese është që thjesht të bëjë të mundur rikthimin me burrin e parë, kjo vepër është e ndaluar, madje ky lloj burri quhet " el muhal -lil", rreth të cilit janë sjellë hadithet e shumta që tregojnë për mallkimin e tij. Nëse ky burrë e shpreh haptaz qëllimin e vërtetë gjatë aktit martesor, ky akt martesor është i pasaktë, sipas shumicës së dijetarëve dhe imamëve të fikhut. Disa hadithe rreth të ashtuquajturit el muhal-lil 117 dhe muhal-lel lehu. 1. Është përcjellë nga Ibn Mesudi një hadith merfu, që thotë: 355. "Allahu e ka mallkuar atë që bën tatuazh (të tjerëve) dhe atë që i bëhet tatuazhi, e ka mallkuar atë grua që zgjat flokët (me flokë të tjera) dhe atë grua që kërkon që t’i zgjaten flokët (me flokë të tjera). Ai e ka mallkuar el muhal -lil (domethënë, atë burrë që martohet me një grua të ndarë tri herë, me qëllim që më pas ta divorcojë, në mënyrë që ajo të bëhet e lejuar për burrin e parë.)" dhe atë për të cilin bëhet el muhal-lel-leh (d.m.th., burrin që e ka ndarë gruan tri herë dhe kërkon që, përmes kësaj forme, të përligjë ribashkimin me të). Ai i ka mallkuar fajdexhinjtë dhe fajdemarrësit.” 2. Është përcjellë nga Ali Ibn Ebu Talibi ky hadith: “I Dërguari i Allahut ka thënë: 356. "Allahu i ka mallkuar fajdedhënësit dhe fajdemarrësit, ata që bëhen dëshmitarë në këtë aktmarrveshje dhe atë që e shkruan këtë aktmarrveshje, e ka mallkuar atë që bën tatuazh (të tjerëve) dhe atë që i bëhet tatuazhi për t'u zbukuruar, atë që nuk e jep zekatin e pasurisë, e ka mallkuar burrin el muhal-lil dhe burrin el muhal-lel-leh”. Ai e ndalonte gjithashtu vajtimin me ligje." Hadithin e sjell imam Ahmedi. 3. Është përcjellë nga Xhabiri, se: I Dërguari i Allahut ka thënë: 357. "Allahu e ka mallkuar burrin el muhal-lil dhe burrin el muhal-lel-leh”. Ky hadith është i dobët dhe është sjellë nga Tirmidhiu. 4. Është përcjellë nga Ukbetu Ibn Amir, se i Dërguar i Allahut ka thënë: 358. “A t’ju tregoj se çfarë është cjapi i huazuar?” - “Posi jo, o i Dërguar i Allahut!” Ai tha: “Cjapi i huazuar është El muhal-lil. Allahu e mallkoftë burrin el muhal-lil dhe burrin el muhal-lel-leh!” 5. Është përcjellë nga Ibn Abasi se: I Dërguari i Allahut ka thënë: 359. "Allahu e ka mallkuar burrin el muhal-lil dhe burrin el muhal-lel-leh." Hadithin e sjell Ibn Maxhe. 6. Ebu Bekër Ibn Ebu Shejbe përcjell me senedin e tij se Umer Ibn Hattabi ka thënë: "Sa herë që do të më sjellin për gjykim një el muhal -lil dhe një el muhal-lel-leh, kam për t’i ndëshkuar me goditje me gurë!” Për Uthman Ibn Afanin thuhet se, para tij sollën rastin e një burri, që ishte martuar me një grua me qëllimin për ta ndarë, në mënyrë që burri i parë të mund të rimartohej me të, dhe Uthmani gjykoi duke i ndarë. I njëjti gjykim është përcjellë që kanë bërë edhe Aliu, Ibn Abasi e sahabë të tjerë. Në vijim, i Lartësuari thotë: - E, nëse ky i fundit (burri i dytë) e divorcon atë..." - Pra, e ndan pasi ka kryer marrëdhënie intime me të. - "... atëherë nuk ka pengesë për ata dy (gruaja me burrin e parë) të ribashkohen, nëse, vërtet mendojnë se do t’i zbatojnë dispozitat e Allahut. - Muxhahidi ka shpjeguar: “Domethënë, nuk ka pengesë të ribashkohen, nëse janë të bindur se nuk po bëjnë hile e mashtrim." - Këto janë dispozitat e Allahut, të cilat Ai ua sqaron njerëzve të ditur. - Këto janë rregullat, ligjet dhe dispozitat e Allahut, që janë qartësuar për njerëzit e ditur. Ndodh që gruaja ndahet nga burri i parë pas një ose dy talak-ëve dhe, pasi përfundon ideti i saj, ajo martohet me të dytin, e pastaj ndahet prej këtij të fundit. Një pyetje që shtrohet në këtë rast është: Nëse ajo martohet sërish me burrin e parë, a llogaritet numri i ndarjeve të hershme të saj me të, apo tashmë martesa e dytë me të i ka zhvlerësuar të gjitha ndarjet e mëparshme? Imam Maliku, Shafiiu dhe Ahmedi janë të mendimit se ndarjet e mëparshme mes tyre duhet të merren në konsideratë. Kështu, nëse në martesën e parë të tyre ata kanë pasur një ndarje, tashmë u mbeten edhe dy mundësi të tjera. Ndërsa imam Ebu Hanife e nxënësit e tij janë të mendimit se martesa e re i zhvlerëson ndarjet e meparshme dhe tashmë numri i ndarjeve të lejuara mes tyre është tre, si çdo çift i ri. Argumenti i tyre është se nëse martesa e re mes tyre i ka zhvlerësuar tre talak-ët e kryer nga martesa e parë, atëherë është edhe më parësore dhe më e pranueshme që të zhvlerësojë dy ose një talak-ë nga martesa e parë. Megjithatë, Allahu është më i ditur.

Mus'haf Hape →