… dhe falënderues ndaj Tij, duke e adhuruar si Një të vetëm dhe të pashoq. - “Ai është Zoti i Yllit Polar.” – Ky yll i njohur quhet (në arabisht) El …
▾ Teksti i plotë▴ Mbyll
- “A e ke vënë re atë që kthen shpinën, i cili jep pak, e pastaj e ndërpret?” - A e ke vënë re se sa e keqe është gjendja e atyre që ftohen për ta adhuruar dhe njësuar Zotin e tyre në çdo aspekt, por ata i kthejnë shpinën kësaj ftese? Edhe nëse në ndonjë moment vetja e tyre i lejon që t’i përgjigjen kësaj ftese, ata nuk vazhdojnë gjatë në të, por shpejt i kthehen zakonit të vjetër, duke u treguar koprracë dhe duke ndaluar veten nga adhurimi i Zotit. Veprat e mira nuk janë shprehi të tyre. Në natyrë, ata janë rebelë dhe gjithmonë i kthejnë shpinën bindjes ndaj Allahut. Nëse ndonjëherë kryejnë ndonjë vepër të mirë, ata nuk vazhdojnë gjatë në këtë rrugë, por përsëri kthehen atje ku ishin. Megjithatë, ata u lëvdohen të tjerëve: - “Mos vallë, ai ka njohuri për të fshehtën dhe e sheh atë?” - A e shikojnë ata të fshehtën apo thjesht shpifin për Allahun, duke thënë gjëra për të cilat nuk kanë asnjë dijeni? Është Allahu i Lartësuar që pastron ata që Ai dëshiron dhe askush nuk mund ta dijë të fshehtën e Tij. Këta të mjerë bëjnë dy të këqija: jo vetëm që nuk i binden Zotit, por edhe mburren se janë të pastër e të devotshëm. - “Vallë, a nuk ka dëgjuar ai për atë që thuhet në Fletët e Musait dhe të Ibrahimit - i cili i plotësoi të gjitha detyrimet...” - A nuk dinë këta njerëz për ngjarjet që përshkruhen në Fletët e Musait dhe të Ibrahimit (a.s.), i cili me të vërtetë i plotësoi të gjitha urdhëresat e Zotit të tij, të mëdha dhe të vogla. Në ato fletë kishte shumë ligje dhe dispozita të rëndësishme, ndër të cilat edhe ato që Allahu i Lartësuar i tregon më pas: - “Askush nuk do të bartë barrën e tjetrit dhe njeriu meriton vetëm atë që ka bërë vetë.” - Çdokush do të merret në përgjegjësi dhe do të shpërblehet për veprat e tij, të mira apo të këqija qofshin. Askush nuk do të merret në përgjegjësi apo të përfitojë nga veprat e të tjerëve dhe askush nuk do të bartë gjynahun e tjetrit. Gjithashtu, askush të mos harrojë, madje të jetë i sigurt se: - “Puna e tij pa dyshim që do të shihet, dhe pastaj ai do të marrë shpërblimin më të plotë.” - Në ahiret do të shfaqen hapur veprat e çdokujt dhe secili do të shpërblehet për çdo të mirë apo të keqe që ka bërë. Shpërblimi do të jetë i plotë, i pacenuar. Për veprat e mira dhe të sinqerta, shpërblimi do të shumëfishohet, ndërsa për veprat e këqija do të ndëshkohet me drejtësi. Të gjitha krijesat atë ditë do të jenë dëshmitare të drejtësisë së Zotit dhe të bamirësisë dhe mëshirës së Tij. Të gjithë, pa përjashtim, do ta lavdërojnë Zotin për këtë. Madje, edhe banorët e Zjarrit, kur të hyjnë në të, zemrat do t’i kenë të mbushura me lavdërim për Zotin dhe do të pranojnë urtësinë e Tij absolute. Ata do të urrejnë vetveten dhe do ta pranojnë se ishin vetë ata shkaktarët që bën të merituar këtë ndëshkim. Në fjalën e Allahut të Lartësuar: “...njeriu meriton vetëm atë që ka bërë vetë” janë mbështetur ata që thonë se veprat e mira nuk mund t’ju dhurohen të vdekurve dhe as të gjallëve. Askush nuk mund të shpërblehet për veprën e tjetrit. Por kjo mënyrë argumentimi vlen të shikohet më me kujdes. Është e vërtetë se robi do të shpërblehet për atë që ka bërë vetë. Por kjo nuk përjashton mundësinë që, ndonjëherë, ai të përfitojë nga ndonjë mirësi që mund t’i dhurohet nga të tjerët. Një shembull i ngjashëm me këtë është pasuria që zotëron njeriu, e cila i takon vetëm atij, por kjo nuk pengon që ai të përfitojë nga ndonjë dhuratë, që dikush mund t’ia japë. - “Pa dyshim, te Zoti yt do të jetë kthimi.” - Të gjitha çështjet kthehen vetëm tek Zoti. Të gjitha krijesat do të ringjallen, tubohen dhe llogariten tek Allahu i Lartësuar. Dituria dhe urtësia e plotë i takon vetëm Allahut të Lartësuar, i Cili është i vetmi Gjykues i drejtë. Atij i takon mëshira e plotë dhe çdo cilësi e plotë. - “Ai sjell buzëqeshjen dhe lotët.” - Është Allahu që ka sjellë në ekzistencë shkaqet që të bëjnë të qeshësh apo të qash. Ai ka krijuar të mirën dhe të keqen, gëzimin dhe lumturinë, frikën dhe trishtimin. Të gjitha këto, Allahu i Lartësuar i ka bërë të ekzistojnë sipas dijes dhe urtësisë së Tij absolute. - “Ai jep vdekjen dhe jetën.” - Allahu është i vetmi në dorën e të Cilit është jeta dhe vdekja. Ai i krijoi krijesat për t’i urdhëruar dhe ndaluar dhe për t’i marrë në llogari. Ai do t’i ringjallë ato pas vdekjes së tyre dhe do t’i shpërblejë me drejtësi dhe bamirësi, për atë që kanë bërë në jetën e dynjasë. - “Është Ai që i krijoi llojet në çift - mashkull dhe femër, nga një pikë lëngu, që hidhet.” - Allahu i Lartësuar është Ai i Cili çdo gjë e krijoi në çift, njerëzit dhe kafshët. Ai është i vetmi dhe më i miri Krijues. Mënyra që Allahu i Lartësuar ka përcaktuar për shumimin e krijesave është një nga argumentet më të mëdha, që tregojnë për pushtetin e plotë të Allahut të Lartësuar. Me pushtetin dhe diturinë e Tij, Ai bën të mundur që kafshët, të mëdha apo të vogla qofshin, të shumohen nëpërmjet farës së lëngshme. Allahu e fillon krijimin e njeriut në barkun e nënës, dhe pastaj, me përkujdesin e Tij të vazhdueshëm, njeriu plotësohet në formën më të mirë. Më pas, Allahu i Lartësuar i jep atij mundësinë për të zgjedhur, dhe njeriu ose ngrihet në gradat më të larta ose zhytet në skutat më të ulëta. Me të vërtetë, mënyra e krijimit të njeriut është e mrekullueshme dhe një argument i pamohueshëm, që tregon për pushtetin absolut të Allahut të Lartësuar, i Cili kështu dëshmon edhe pushtetin e Tij të padiskutueshëm për t’i ringjallur krijesat, siç thotë më pas: - “Eshtë detyrë e Tij Ringjallja tjetër.” - Allahu i Lartësuar do t’i ringjallë njerëzit nga varret dhe do t’i tubojë ata në ditën e përcaktuar, për t’i shpërblyer për të mirat dhe të këqijat. - “Është Ai që pasuron dhe varfëron.” - Është Allahu i Lartësuar Ai që ua lehtëson krijesave çështjet e jetës dhe dynjasë së tyre, si tregtinë apo mënyrat e tjera të përfitimit. Gjithashtu, Ai i bën robtë që të mjaftohen dhe të jenë të kënaqur me atë që Ai u dhuron. Kështu, me mirësitë e dhuruara prej Tij, ata kënaqen dhe vazhdojnë jetën e kësaj dynjaje. Të gjitha mirësitë janë prej Allahut, dhe kjo e bën të detyrueshme që robtë të jenë mirënjohës dhe falënderues ndaj Tij, duke e adhuruar si Një të vetëm dhe të pashoq. - “Ai është Zoti i Yllit Polar.” – Ky yll i njohur quhet (në arabisht) El Shi’ra. Allahu i Lartësuar, edhe pse është Zoti i gjithçkaje, e veçoi këtë yll, sepse në kohën e injorancës, ai ishte shndërruar në objekt adhurimi. Kështu, Allahu i Lartësuar tregon se çdo gjë që adhurojnë idhujtarët është diçka e krijuar dhe e nënshtruar ndaj Allahut të Lartësuar. Atëherë, si mund të konsiderohet si e adhuruar diçka e tillë dhe të barazohet me Allahun e Lartësuar, që është i vetëm në meritueshmërinë e adhurimit?! - “Është Ai që i shkatërroi adët e lashtë dhe themudët, prej të cilëve nuk mbeti asnjë.” – Adët ishin populli i profetit Hud (a.s.). Kur ata mohuan Profetin e tyre, Allahu i Madhëruar i shkatërroi me një stuhi të fuqishme. Ndërsa themudët ishin populli i profetit Salih (a.s.). Allahu i Lartësuar e dërgoi profetin Salih me mrekullinë e qartë të devesë, por populli i tij e shpërfilli këtë mrekulli dhe e vranë devenë. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar i shkatërroi ata tërësisht, duke mos lënë të shpëtojë asnjërin. - “...edhe popullin e Nuhut më herët. Vërtet, ata ishin edhe më keqbërës dhe të shfrenuar.” - Ndër popujt që Allahu i Lartësuar i shkatërroi ishte edhe populli i Nuhut (a.s.). Ata mohuan Profetin e tyre dhe nuk pranuan të nënshtroheshin e t’u bindeshin porosive të Zotit, prandaj i Lartësuari i mbyti ata me ujë. - “...edhe mutefikët, të cilët i përplasi prej së larti. Ata i përfshiu ajo që i përfshiu. Atëherë, për cilën mirësi të Zotit tënd ke dyshime?” - Mutefikët ishin populli i Lutit (a.s.). Këtij populli të prishur dhe të degjeneruar, Allahu i Lartësuar i dha një ndëshkim, që nuk ia kishte dhënë asnjë populli tjetër. Ai e përmbysi tërësisht vendbanimin e tyre, dhe më pas i goditi furishëm me gurë të ndezur dhe zjarr. - “Ky është një paralajmërues, si gjithë paralajmëruesit e mëparshëm.” - Edhe ky i dërguar, Muhamedi, i biri i Abdullahit, Profeti nga mesi i Kurejshëve dhe Hashimijëve, nuk është profeti i parë i dërguar ndër njerëz. Ishin të shumtë profetët e dërguar para tij, të cilët i ftuan popujt e tyre në të njëjtën fe ku i fton dhe ai. Atëherë, cili është shkaku që ju e mohoni këtë profet dhe Shpalljen që atij iu dha? Çfarë argumenti do të paraqisni para Zotit për mohimin e Shpalljes së Tij? A nuk është morali i tij i njëjtë me moralin e të gjithë profetëve? A nuk urdhëroi ai për çdo të mirë dhe ndaloi nga çdo e keqe, ashtu sikurse bënë vëllezërit e tij profetë? Madje, ky profet solli prej Zotit të tij edhe Kur'anin madhështor, një libër të cilit e pavërteta nuk mund t’i afrohet aspak, sepse ai është Shpallje e të Urtit, të Lavdëruarit. Allahu i Lartësuar i shkatërroi ata popuj që mohuan profetët e tyre. Atëherë, mos e harroni këtë fakt, por ruajuni që të mos ju godasë edhe ju ajo që i goditi ata që ishin para jush. Asgjë nuk e pengon ndëshkimin e të Madhëruarit kundër atyre që mohojnë më të zgjedhurin e profetëve, Muhamedin (a.s.), i cili është imami i të devotshmëve dhe udhëheqësi i popullit më të zgjedhur. - “E Afërta është afruar! Askush nuk mund ta largojë atë, veç Allahut!” - Kijameti është afruar dhe shenjat pararendëse të tij janë shfaqur. Kur ajo ditë të vijë, askush nuk do të mund ta pengojë ndëshkimin e Allahut të Lartësuar, që do të jetë shumë i ashpër. Pastaj Allahu i Lartësuar vijon që të kërcënojë të gjithë ata që mohojnë profetësinë e Muhamedit (a.s.) dhe refuzojnë Shpalljen që ai solli, Kur'anin e lavdishëm. Kështu, Allahu i Lartësuar thotë: - “Vallë, prej këtyre fjalëve po habiteni...” - Shpallja e sjellë nga Profeti i fundit është fjala më e lartë, më e mirë dhe më e përkryer. Ajo është fjala më e zgjedhur, fjala e Allahut të Lartësuar. Atëherë, si çuditeni dhe e mohoni këtë fjalë, duke pretenduar se ajo është në kundërshtim me realitetin? Ky pretendim i kotë e ka burimin tek padituria, devijimi dhe inati juaj, pasi kjo është fjala më e vërtetë. Nëse gjykon për diçka, në të gjen gjykimin më të drejtë. Shpallja hyjnore nuk është fjalë që mund të merret me tallje. Kur'ani është fjalë e fuqishme, aq sa po të zbritej në ndonjë mal, mali do të strukej nga frika e Allahut të Madhëruar. Ky libër ua shton urtësinë të urtëve dhe besimtarët i udhëzon dhe i përforcon në rrugë të drejtë. Ai shton besimin dhe sigurinë në premtimet e Zotit. Çudi është vetëm me ata që mohojnë këtë libër, por kjo tregon sigurisht mendjelehtësinë dhe humbjen e tyre të thellë. - “...dhe po qeshni, e nuk po qani?! Madje, zhyteni me thellë në shkujdesje!” - Në vend që shpirti juaj të zbutet dhe të ndikohet nga madhështia e këtij Kur'ani, ju çuditërisht qeshni dhe talleni me mesazhet që ai përcjell?! Në vend që sytë tuaj të lotojnë kur të dëgjojnë urdhrat dhe ndalesat e tij, në vend që zemrat tuaja të jenë të vëmendshme dhe plot shpresë e drojë, kur dëgjojnë premtimet dhe kërcënimet e tij, me ju ndodh e kundërta: ju largoheni dhe zhyteni në kotësira. Si është e mundur që ju të jeni të pavëmendshëm dhe mospërfillës ndaj këtij mesazhi të fuqishëm? Ky është tregues i dobësisë të mendjes, arsyes dhe besimit tuaj. Nëse ju do të adhuronit Allahun e Lartësuar dhe vazhdimisht do të synonit kënaqësinë e Tij në të gjitha gjendjet tuaja, nuk do të arrinit në këtë nivel kaq të ulët, të cilin kurrë nuk do ta dëshironin për veten e tyre të urtët dhe të mençurit. Më pas, i Lartësuari thotë: - “Bini në sexhde për Allahun dhe adhurojeni Atë!” - Edhe sexhdja është një adhurim, por Allahu i Lartësuar e përmend atë në mënyrë të veçantë, për të treguar rëndësinë e madhe të saj. Në fakt, sexhdja është vetë thelbi i adhurimit, sepse ajo shpreh drojën dhe nënshtrimin ndaj Allahut të Lartësuar, bindjen dhe përunjësinë ndaj Tij. Sexhdja shënon momentin më sublim të përuljes së robit, sepse gjatë saj nënshtrohet zemra, trupi dhe pjesët më të nderuara të njeriut, duke u vendosur në tokë, e cila shkelet me këmbë. Pas urdhrit për sexhde, Allahu i Lartësuar jep një urdhër të përgjithshëm për adhurim. Kështu, Ai urdhëron për çdo fjalë dhe vepër që e do dhe e kënaq Atë, qofshin ato të dukshme apo të padukshme dhe të cilat Allahu i ka shpjeguar nëpërmjet Shpalljes së Tij. Këtu përfundon tefsiri i sures Nexhm, dhe për këtë falënderimi i plotë i takon vetëm Allahut, të Cilin kurrsesi nuk mund ta lavdërojmë ashtu sikurse e meriton. Ai është i lavdëruar ashtu sikurse e ka lavdëruar Veten e Vet dhe shumë më shumë i lavdëruar sesa mund ta lavdërojnë krijesat! Paqja, bekimet dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin (a.s.)!